ATV

Blog

  • ​Guvernatori Ismaili takon ambasadorin austriak, flasin për rregulloren e re të BQK-së

    ​Guvernatori Ismaili takon ambasadorin austriak, flasin për rregulloren e re të BQK-së

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili së bashku me bashkëpunëtorë priti në takim ambasadorin e Austrisë në vendin tonë, Georg Schnetzer, shoqëruar nga zëvendës shefja e Misionit, Clarissa Castek.

    Guvernatori Ismaili në fillim të takimit e ka njoftuar ambasadorin Schnetzer dhe bashkëpunëtoren e tij lidhur me nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA.

    Në njoftim thuhet se ambasadori Schnetzer u informua edhe lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj. U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së, si dhe ajo nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro, nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK.

    “Në takim u diskutua për mbështetjen që shteti austriak po i jep Republikës së Kosovës në proceset integruese, përfshirë këto aspekte lidhur me Sistemin e Kartonit të Gjelbër, Kodin ISO që lidhet me platformat botërore të pagesave dhe procese tjera me rëndësi të veçantë për vendin tone”, thuhet në komunikatë.

    Guvernatori i BQK-së me këtë rast falënderoi Ambasadorin Schnetzer për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së tij dhe popullit austriak për institucionet dhe popullin e Kosovës.
    Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për Bankat, Ligjin për Shërbimin e Pagesave dhe ligje tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktiva të BE-së. Është biseduar lidhur me veprimet e ndërmarra ndaj parave të falsifikuara, si dhe planet tjera për fuqizimin e integritetit të sistemit financiar, me praktikat më të mira ndërkombëtare.

    Në këtë aspekt, Ambasadori austriak u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore.

    Në fund të takimit u theksua se BQK në mënyrë aktive po vazhdon me aktivitete të informimit dhe sensibilizimit, përfshirë lëshimin e linjës pa pagesë të dedikuar për qytetarët tanë dhe materiale tjera informuese, duke ftuar ata që ende nuk kanë llogari të hapin një të tillë te secila bankë, e cila për grupe të cenueshme nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024 me Rregulloren e BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike.

  • Drita fiton derbin ndaj Ballkanit, Malisheva shënon fitore ndaj Prishtinës, Feronikeli 74 dhe Gjilani ndajnë pikët

    Drita fiton derbin ndaj Ballkanit, Malisheva shënon fitore ndaj Prishtinës, Feronikeli 74 dhe Gjilani ndajnë pikët

    Drita e ka fituar derbin e javës 21 në ‘Albi Mall Superligë’

    Skuadra gjilanase ka fituar me rezultat 1:0, përballë Kampionit aktual Ballkanit.

    Golin e vetë në ndeshje e ka shënuar Juan Mesa në minutën e 65, shkruan Atvlive.tv

    Sidoqoftë edhe pse ka pësuar humbje Kampioni Ballkani mbetet në vendin e parë në ‘Albi Mall Superligë’ me 44 pikë, katër më shumë se Drita e dyta dhe Llapi i treti, por skuadra nga Podujeva ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

    Fitore ka shënuar edhe Malisheva e cila ka mposhtur Prishtinën në Lipjan, me rezultat 2:0.

    Altin Aliu në minutën e 34 dhe Rilind Haziraj në minutën e 87, kanë realizuar golat për skuadrën e cila po drejtohet nga Qendrim Kida.

    Pas kësaj fitore Malisheva forcon pozitën e katër me 35 pikë, kurse Prishtina mbetet e pesta me 30 pikë.

    Në Drenas, Feronikeli 74 ka barazuar pa gola me Gjilanin.

    Feronikeli 74 aktualisht renditet në pozitën e shtatë me 23, kurse Gjilani renditet i teti me 21 pikë.

     

  • Marcus Thuram pritet të humbasë dy ndeshje për shkak të lëndimit

    Marcus Thuram pritet të humbasë dy ndeshje për shkak të lëndimit

    Ndeshja e Marcus Thuram kundër Atleticos së Madridit në Ligën e Kampionëve zgjati vetëm një pjesë.

    Sulmuesi i Interit u ndal pas 43 minutash pasi goditi drejt portës kundërshtare, për shkak të një problemi fizik: kontrollet janë planifikuar për tu bërë të enjten e 22 shkurtit, por me siguri lojtari do të mungojë ndaj Leces dhe Atalantës.

    Ai ishte ndër më të frymëzuarit në pjesën e parë, por ndeshja e tij përfundoi në minutën e 45-të. Marcus Thuram u ndal në fakt në minutat e fundit të pjesës së parë të sfidës Inter-

    Atletico Madrid, ndeshja e parë e fazës së 1/8-ve të finales të Ligës së Kampionëve, duke ndjerë dhimbje në këmbë.

    Sulmuesi qëndroi në fushë deri në pjesën e parë, por më pas francezit iu desh të ngrinte flamurin e bardhë.

    Sulmuesi me siguri do të humbasë ndeshjen e radhës kundër Leces (25 shkurt) dhe ndeshjen ndaj Atalantës më 28 shkurt. Por gjithqka mbetet për tu parë pas rezultatetev të kontrolleve.

  • Opozita vazhdon kritikat ndaj qeverisë për rrezikim të aleancës me ShBA-në

    Opozita vazhdon kritikat ndaj qeverisë për rrezikim të aleancës me ShBA-në

    Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë vazhduar kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës për rrezikim të aleancave me ShBA-në dhe Bashkimin Evropian. Sipas Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), ekzekutivi ka dështuar në menaxhimin e duhur të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e re, ku ndalohet përdorimi i dinarit serb. Megjithatë, në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se komunikimi me ShBA-në dhe vendet të tjera aleate po vazhdon normalisht dhe se dallimet e vetme janë në afatet kohore të zbatimit të vendimit dhe jo në çështje përmbajtjesore.

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se vendimi për ndalimin e dinarit serb është kushtetues, por duhet të ketë koordinim me aleatët ndërkombëtar për zbatimin e tij.

    “Kemi kërkuar që për procese të cilat janë të rëndësishme edhe për çështjen e dinarit, natyrisht që është një vendim kushtetues, këtë e kemi thënë disa herë. Por të ketë koordinim me partnerët tanë, mos të ketë tensione dhe të ketë një bashkërendim të agjendës sonë. Ne kemi shënuar ditë më parë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, s’ka pasur asnjëherë përvjetor më të zbehtë. Kosova ka shënuar këtë përvjetor të pavarësisë pa miqtë të rëndësishëm, pa aleatë dhe ata që e kanë ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e saj që nga bërja shtet dhe konsolidim. Kemi kërkuar tash e sa kohë, në kohën kur Kosova është nën sanksione dhe kur Kosova çdo ditë e më shumë po i cenon aleancat me partnerët, vetëm të ketë koordinim dhe qartësi në rrugëtimin tonë euro-atlantik”, tha ajo.

    Më kritik u shfaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se marrëdhëniet e Kosovës me Unionin Evropian dhe ShBA-në kurrë s’kanë qenë më keq.

    “Nuk është problemi që janë rreziku. Problemi është që marrëdhëniet e Kosovës me unionin evropian dhe ShBA-në kurrë s’kanë qenë më keq. Kjo është një temë që dihet botërisht. Kosova është nën sanksione, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e trajtojnë Kosovën jo si partnere si përpara, por si palë e diskutimit”, shtoi ai.

    Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se me aleatët ndërkombëtar kanë pajtueshmëri për përmbajtjen e rregullores së BQK-së, por dallimet e vetme janë në aspektet kohore të zbatimit.

    “Besoj se ka qenë mjaftueshëm e theksuar gjatë gjithë deklarimeve, në veçanti këto të 16 vjetorit të pavarësisë që të gjithë krerët shtetëror e shohin si të veçantë dhe të përhershme bashkëpunimin dhe partneritetin me ShBA-në dhe vendet të tjera mike, që i ndihmuan Kosovës në periudhën e çlirimit, shpalljes së pavarësisë dhe shtet-ndërtimit. Në këtë pikë mund të them se koordinimi dhe komunikimi po vazhdon me ta. Janë disa çështje të cilat, si në rastin e rregullores së BQK-së në të cilat nuk ka pasur dallime në parime, por ka pasur dallime në afatet kohore të zbatimit apo implementimit…Komunikimi vazhdon me ShBA-në dhe vendet të tjera por konsiderojmë se është çështje e Kosovës dhe zbatimit të Kushtetutës”, theksoi Kusari-Lila.

    Këto komente ata i bën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila dështoi për shkak të mungesës së kuorumit. Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka caktuar të enjten seancën plenare, me pika të papërfunduara nga seancat e kaluara.

    Edhe sa i përket punës së Kuvendit, opozita u shpreh kritike ndaj mazhorancës, ku sipas tyre puna në legjislativ ka degraduar plotësisht.

    “Çfarë po shohim tash e një kohë të gjatë është se ka një degradim të punës së Kuvendit. Janë diku 50 pika që presin që të shqyrtohen në Kuvendin e Kosovë, ndërkohë ne kemi zvarritje të agjendës legjislative për shkak të pafuqisë dhe degradimit të institucionit”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

    Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se mazhoranca ka një papërgjegjësi totale në Kuvend.

    “Na kanë mbledhur 62 pika të rendit të ditës dhe Kuvendi vazhdon punën me avazin e vet. Kjo është një papërgjegjësi totale”, theksoi ai.

    Derisa potencoi se kanë mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, javën e ardhshme sa i përket sigurimeve shëndetësore./KP/

  • Tuchel do të largohet nga Bayern Munchen në fund të sezonit

    Tuchel do të largohet nga Bayern Munchen në fund të sezonit

    Trajneri Thomas Tuchel do të largohet përfundimisht nga kampionët e Bundesligës, Bayern Munich, në përfundim të sezonit 2023/24.

    Bayern Munich ka njoftuar zyrtarisht arritjen e marrëveshjes së ndërsjellët me trajnerin gjerman për ndarjen mes veti në fund të qershorit të këtij viti.

    “FC Bayern Munich dhe kryetrajneri Thomas Tuchel kanë vendosur së bashku t’i japin fund bashkëpunimit, i cili fillimisht ishte planifikuar të përfundonte më 30 qershor 2025, më 30 qershor 2024”.

    Kjo vjen pas tre humbjeve radhazi për Bayernin, duke përfshirë një humbje jashtëzakonisht të dëmshme 3-0 ndaj liderit të ligës Bayer Leverkusen, i cili tani qëndron tetë pikë larg në krye të tabelës.

    Tuchel e mbajti mezi punën e tij sezonin e kaluar, pasi Bayern siguroi titullin e Bundesligës në ditën e fundit falë një goli të vonshëm fitues nga Jamal Musiala.

    Titulli nuk ishte as në duart e Bayernit pasi Dortmundi nuk arriti të fitonte ndeshjen e tyre të fundit, duke i dhënë përfundimisht titullin Tuchelit.

    Duke pasur parasysh blerjen e Harry Kane në verë, Tuchel pritej të kishte një kohë më të lehtë në Gjermani duke marrë parasysh humbjen e Jude Bellingham për Dortmundin.

    Megjithatë, skuadra e Xabi Alonsos duket se ka dalë nga hiçi dhe rekordi i pamposhtur i liderëve duket se i ka kushtuar me detyrë Tuchelit.

  • Dëshmitari Kurtaj paralajmëron prokurorin se nëse vazhdon t’ia përmend fjalën “rrenë” do ta ndërpresë dëshminë

    Dëshmitari Kurtaj paralajmëron prokurorin se nëse vazhdon t’ia përmend fjalën “rrenë” do ta ndërpresë dëshminë

    Dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04576, Hajrush Kurtaj, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, e ka paralajmëruar prokurorin James Pace që nëse vazhdon të përdorë fjalën “rrenë”, ai pa marrë parasysh pasojat do të ndërpresë dëshminë e tij.

    Paralajmërimi i Kurtajt erdhi pasi prokurori Pace i tha atij senën betimin e gjykatësve, informatat që ia ka dhënë ZPS-së në një intervistë në muajin shkurt të vitit 2020, nuk kanë qenë të vërteta, por gënjeshtër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Prokuror, disa herë e përmende fjalën rrenë, rrenë nuk dëshiroj ta dëgjoj. Se ma herët thatë se për profesorin se ka rrejt. Nëse vazhdoni me këtë komunikim unë e ndërpres, pa marrë parasysh pasojat. Nuk mërzitna për pasoja absolut. Fjalën rrenë heke prej fjalorit”, tha Kurtaj.

    Sipas dëshmitarit, prokurori edhe gjatë hetuesisë e ka përdorur fjalën “rrenë”.

    “Edhe gjatë hetuesisë ke thënë, ka rrejtë profesori, keni rrejt ju. Fjalën rrenë e hekni, ose nga ky moment e ndërpres pa marrë parasysh pasojat. E di që jeni fuqi dhe mund të merrni masa, por për atë punë nuk mërzitna. Vetëm nuk toleroj që të përdoret fjala rrenë as për mua as për profesorin, as për një qytetarë të Republikës së Kosovës”, shtoi dëshmitari Kurtaj.

    Ky debat filloi pasi prokurori Pace ia kujtoi dëshmitarit Kurtaj një intervistë të dhënë për ZPS-në në muajin shkurt të vitit 2020, ku ishte pyetur për një pjesë të librit të tij ku flet për një Plan Operativ të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe ku në këtë intervistë të vitit 2020 kishte folur për informata që kishte lidhur me këtë plan. Ndërsa në dëshminë që është duke e dhënë sot, është duke e mohuar që di diçka për planin në fjalë.

  • Spitali i Gjakovës për rastin e 4-vjeçares: Mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa u dërgua në QKUK

    Spitali i Gjakovës për rastin e 4-vjeçares: Mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa u dërgua në QKUK

    Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës ka reaguar pas raportimeve për vdekjen e një vazjë 4-vjeçare e cila fillimisht ishte trajtuar në këtë spital.

    Në reagimin e tyre, ata kanë mohuar akuzat që janë ngritur nga familja për mostrajtimin e duhur të fëmijës së tyre, duke thënë se pati mbikëqyrje profesionale mjekësore.

    “Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmiut (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë.”

    “Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar.” – thuhet në reagimin e tyre.

    Tutje, Spitali i Gjakovës ka thënë se kanë ofruar të gjitha dokumentet e kërkuar nga Policia dhe Prokuroria.

    “Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet. Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK. Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashke ndjejmë me familjen.” – përfundon reagimi i tyre.

  • ​Gazi lotsjellës në Kuvend: Pal Lekajt nuk i kujtohet, Konjufca mbrohet në heshtje

    ​Gazi lotsjellës në Kuvend: Pal Lekajt nuk i kujtohet, Konjufca mbrohet në heshtje

    Në Gjykatën Themelore është mbajtur seanca e radhës për Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

    Me këtë rast, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, si dëshmitar në rastin e Konjufcës, tha se nuk i kujtohet nëse në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit ishte hedhur gaz lotsjellës dhe nëse është ndërprerë ajo mbledhje.

    Po ashtu, Lekaj e ka përsëritur se nuk i kujtohet nëse i pandehuri Glauk Konjufca ka marrë pjesë në atë mbledhje.

    Këtë deklaratë, Lekaj e bëri duke i përgjigjur pyetjeve të prokurorit të shtetit, Besart Mustafa.

    Ndërkaq, në seancën e mbajtur për hedhjen e gazit lotsjellës të datës 10 gusht të vitit 2016, është aprovuar propozimi i prokurorit Mustafa që e njëjta mbledhje të administrohet si provë për seancën përfundimtare.

    Në fund, i pandehuri Konjufca i akuzuar për rastin e hedhjes së gazit lotsjellësit, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje dhe t’i qëndrojë mbrapa deklaratave të mëhershme.

    “Gjyqtare, unë deklaratën kryesore e kam dhënë në fazat e mëhershme, asaj i përmbahem kështu që po e zgjedh opsionin e mbrojtjes në heshtje ashtu siç ma mundëson edhe ligji”, deklaroi Konjufca.

    Pas përfundimit të deklaratës së Konjufcës, avokatja mbrojtëse e tij, Arbnora Zeqiri, ka kërkuar kohë shtesë për fjalën përfundimtare të seancës.

    Në fund, është vendosur që seanca përfundimtare të mbahet të premten e kësaj jave në ora 13:00.

  • Rita Ora ndryshon stilin

    Rita Ora ndryshon stilin

    Rita Ora ka shfaqur linjat joshëse në palestër. Ky ekspozim erdhi nga udhëtimi i saj luksoz në Nju Jork.

    33-vjecarja ndau në Instagram disa foto mahnitëse nga udhëtimi i saj në “Big Apple”, i cili ishte i mbushur me talk show dhe darka të mira.

    Edhe pse është gjithmonë në vëmendje, ajo dha një paraqitje të shkurtër të vetes duke mos marr pjesë në një ngjarje të mbushur me yje.

    Më sy bie edhe stili i ri i flokëve, pantallona të zeza saten dhe një zinxhir të vendosur tek barku.

  • Britania i sanksionon udhëheqësit e burgut ku vdiq Navalny

    Britania i sanksionon udhëheqësit e burgut ku vdiq Navalny

    Britania e Madhe ka vendosur sanksione të mërkurën kundër gjashtë udhëheqësve të burgut të largët të Arktikut, ku vdiq lideri opozitar rus, Alexei Navalny, javën e kaluar.

    Të sanksionuarit, përfshirë kryetarin dhe pesë nënkryetarët e burgut, e kanë të ndaluar hyrjen në Britani të Madhe tani, ndërsa asetet e tyre do të ngrihen, tha sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron.

    “Është e qartë se autoritetet ruse e kanë parë Navalnyn si kërcenim dhe vazhdimisht u përpoqën ta heshtnin”, tha Cameron.

    “Personat që janë përgjegjës për trajtimin brutal që ia bënë Navalnyt duhet të jenë shumë të vetëdijshëm se ne do t’i mbajmë përgjegjës”, shtoi ai.

    Autoritetet ruse në Arktik njoftuan më 16 shkurt për vdekjen e Navalnyt.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e promovoi zëvendësdrejtorin e Shërbimit të Burgjeve të Rusisë (FSIN), Valery Boyarinev, në gradën e gjeneral-kolonelit, vetëm tri ditë pas vdekjes së kritikut të zëshëm të Kremlinit në burgun e Arktikut, tha të martën një bashkëpunëtor i Navalny.

    Kremlini – i cili për shumë vite e ka shmangur përmendjen e Navalnyt përmes emrit – e theu heshtjen zyrtare më 19 shkurt duke thënë se një hetim është duke u kryer dhe se do të bëhet sipas ligjit rus.

    Vendndodhja e trupit të Navalnyt nuk është bërë e ditur nga autoritetet ruse, ndërsa përpjekjet për ta gjetur atë janë ndaluar.

    Yulia Navalnaya, bashkëshortja e liderit të ndjerë opozitar rus, i ka akuzuar autoritetet ruse se po e fshehin trupin e Navalnyt, pasi po presin që të zhduken prej trupit të tij gjurmët e agjentit nervor Noviçok.

    Më shumë se 67.000 qytetarë rusë i kanë dërguar letra Komisionit Hetues të Rusisë, duke i kërkuar që trupi i Alexei Navalnyt t’i kthehet familjes, raportoi të martën mediumi Meduza.

    Perëndimi e ka akuzuar shtetin rus në krye me Putinin për vrasjen e tij.

    Navalny ka qenë i dënuar me më shumë se 19 vjet burgim për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht.

    Ai ishte helmuar më 2020 me agjent nervor Noviçok, dhe atëbotë pati fajësuar aparatin shtetëror, në krye me Putinin, për atë vendim.

    Navalny ishte shëruar në Gjermani pas helmimit, dhe në ditën e kthimit në Rusi, ishte dërguar në burg./REL/