ATV

Blog

  • Vazhdon greva e punëtorëve tenik të UP-së dhe Qendrës së Studentëve

    Vazhdon greva e punëtorëve tenik të UP-së dhe Qendrës së Studentëve

    Punëtorët teknik dhe të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës dhe punëtorët e Qendrës së Studentëve po vazhdojnë grevën. Ata kanë hyrë dje në grevë për një periudhë të pacaktuar.

    Punëtorët teknik dhe të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës dhe punëtorët e Qendrës së Studentëve kanë thënë se shkaku që i çoi në grevë janë paga e ulët, për të cilën thonë se po ua vështirëson jetën.

    Kryetari i Sindikatës se Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka deklaruar se po presin rezultate nga kjo grevë. Sipas tij, nëse nuk ka rritje të pagës, greva do të vazhdoj.

    Azemi ka thënë nëse është e nevojshme punëtorët teknik të UP-së do të lirojnë edhe vendet e punës.

  • Zbardhen dokumentet/ Qeni i presidentit Biden kafshoi agjentët e Shërbimit Sekret të paktën 24 herë

    Zbardhen dokumentet/ Qeni i presidentit Biden kafshoi agjentët e Shërbimit Sekret të paktën 24 herë

    Qeni i Presidentit Joe Biden kafshoi agjentët e Shërbimit Sekret Amerikan në të paktën 24 raste. Kështu tregojnë dokumentet e Shërbimit Sekret Amerikan, ku thuhet se Shephardi gjerman shkaktoi kaos për truprojat presidenciale. Një agjent i lartë vuri në dukje se kafshimet nënkuptonin se Shërbimi Sekret ndryshoi taktikat, duke i këshilluar agjentët që “të jepnin shumë hapësirë”.

    Paralajmërimi erdhi disa muaj përpara se Komandanti të largohej nga Shtëpia e Bardhë. Dokumentet u zbuluan përmes kërkesave për Lirinë e Informacionit dhe u postuan në internet. Ata janë redaktuar shumë për të mbrojtur identitetin e agjentëve të Shërbimit Sekret dhe fshehtësinë e taktikave të tyre të sigurisë. Ato tregojnë se të paktën 24 incidente kafshimi kanë ndodhur midis tetorit 2022 dhe korrikut 2023, duke përfshirë kafshimin e anëtarëve të Shërbimit Sekret në kyçin e dorës, parakrahut, bërrylit, belit, gjoksit, kofshës dhe shpatullës.

    Dokumentet nuk regjistrojnë domosdoshmërisht të gjitha incidentet që lidhen me qenin, pasi ato mbulojnë vetëm Shërbimin Sekret dhe jo të tjerët që punojnë në Shtëpinë e Bardhë ose stafin në Camp David në Maryland.

    Kafsha shtëpiake e familjes Biden u largua nga Shtëpia e Bardhë në tetor të vitit të kaluar, një javë pasi një agjent i Shërbimit Sekret kërkoi trajtim mjekësor për një pickim të rëndë. Një incident i mëparshëm në qershor çoi në një “kafshim të thellë” në parakrahun e një agjenti, i cili kishte nevojë për qepje. Në korrik, një agjent tjetër u kafshua në dorë dhe iu deshën gjashtë qepje. Kafshimi shkaktoi një “plagë të thellë të hapur” dhe agjenti “filloi të humbiste një sasi të konsiderueshme gjaku”, thuhej në një email. “Kafshimet e fundit të qenve na kanë sfiduar të rregullojmë taktikat tona operacionale” -shkroi agjenti.

  • Kurti e shkarkon një zëvendësministër, në vendim thuhet se ai e kërkoi vetë

    Kurti e shkarkon një zëvendësministër, në vendim thuhet se ai e kërkoi vetë

    Almir Veliji është liruar nga detyra e zëvendësministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

    Kryeministri Albin Kurti ka marrë vendim që ta lirojë atë nga detyra, sipas kërkesës që vetë ai ia ka bërë të martën shefit të Qeverisë.

    “Z. Veliji është i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë, në pajtim me Ligjin Nr.08/L-108 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave”, thuhet në vendim.

  • Paga të dyfishta e kontrata fiktive: Ku shkoi buxheti i Kosovës për komunat serbe?

    Paga të dyfishta e kontrata fiktive: Ku shkoi buxheti i Kosovës për komunat serbe?

    Dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë kanë pranuar, ndër vite, fonde nga buxheti i Kosovës për paga të punëtorëve në sistemin arsimor dhe shëndetësor. Megjithatë, këta dy sektorë në këto komuna punojnë kryesisht nën sistemin e Serbisë dhe pranojnë paga edhe nga buxheti i këtij vendi. REL-i ka gjetur se, në disa raste, buxheti i Kosovës i ndarë për ta, është shpenzuar në forma të dyshimta.

    V.J., qytetar serb i komunës së Leposaviqit – pjesa veriore e Kosovës – ka pranuar dy paga si punëtor i një shkolle në këtë komunë për së paku dhjetë vjet, deri në vitin 2018.

    Në dhjetë komuna të Kosovës, që banohen në shumicë nga serbët, përfshirë Leposaviqin, sistemi arsimor punon sipas planprogramit të Serbisë dhe pranon fonde drejtpërdrejt nga buxheti i Serbisë.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, V.J. – identiteti i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë – tregon se në vitin 2017 ka marrë një kontratë me kohë të pacaktuar nga komuna, sipas ligjeve të Kosovës, edhe pse ka pasur një kontratë aktive me sistemin serb.

    “Edhe para asaj kontrate, kemi marrë para [paga nga buxheti i Kosovës]… Atëherë kemi marrë para pa asnjë kontratë. Të gjithë punëtorët [në sistemin serb] kanë marrë para pa kontratë dhe pastaj i kemi marrë kontratat [nga Kosova]”, thotë V.J.

    Në shkurt të vitit 2018, shton ai, pushteti i ri lokal në Lepsoaviq, i kryesuar atëkohë nga Zoran Todiq i Listës Serbe, ua ka ndaluar të ardhurat nga buxheti i Kosovës, pa ndonjë arsyetim, sipas tij.

    Në institucionet serbe të arsimit në Kosovë, të cilat funksionojnë që nga paslufta më 1999, punëtorët, përveç pagës bazë, marrin edhe një shtesë nga shteti serb – që nënkupton se të ardhurat e tyre sillen nga 900 deri në 1.300 euro në muaj.

    Paga e mësimdhënësve në sistemin e Kosovës, ndërkaq, është nga 580 deri mbi 600 euro.

    V.J. thotë se nuk ka marrë kurrë ndonjë vendim për ndërprerje të kontratës me sistemin e Kosovës.

    “Ajo pagë [nga buxheti i Kosovës] u është shpërndarë më pas disa njerëzve të partisë [Lista Serbe], që nuk kanë punuar kurrë, por i kanë marrë rrogat”, thotë V.J., pa specifikuar se kush saktësisht paguhet me atë pagë.

    Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.

    Kontrata e V.J, si punëtor i arsimit në Leposaviq.

    Por, për këtë çështje, V.J. thotë se ka ngritur padi në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në fund të vitit 2020.

    Sipas dokumenteve që ka siguruar REL-i, përmes kësaj padie ai ka kërkuar rikthim retroaktiv të pagave, që kapin vlerën e rreth 11 mijë eurove deri në kohën e padisë.

    Sipas avokatit mbrojtës të V.J., padia e tij nuk është shqyrtuar ende në Gjykatën e Mitrovicës, dega në Leposaviq – siç duket për shkak të mungesë së stafit.

    Punonjësit serbë të institucioneve të Kosovës në veri, përfshirë gjykatat, kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe me targa të Kosovës.

    Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të kontaktojë ish-kryetarin e Leposaviqit, Zoran Todiq, në lidhje me ndërprerjen e pagesave për punonjësit e arsimit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk është përgjigjur.

    Todiq, i cili po ashtu ka dhënë dorëheqje në vitin 2022, është edhe kryetar i Autoritetit të Përkohshëm Komunal të Leposaviqit, i cili punon nën sistemin serb.

    Deri në dorëheqje, ai ka marrë dy paga, një nga buxheti i Kosovës dhe një nga Serbia.

    Numri i saktë i punëtorëve arsimorë në Leposaviq nuk është publik.

    As në publikimet vjetore të statistikave të arsimit, Ministria e Arsimit e Kosovës thotë se nuk i ka të dhënat statistikore për arsimin e komunitetit serb në Kosovë.

    Megjithatë Kosova, çdo vit, ndan buxhet për të 38 komunat e Kosovës, përfshirë për paga dhe shtesa në arsim dhe shëndetësi.

    E kontaktuar nga REL-i, Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjen nëse e di apo ka monitoruar se si shpenzohet ky buxhet.

    As Komuna e Leposaviqit, që tani udhëhiqet nga kryetari shqiptar, Lulzim Hetemi, nuk ka mundur të japë përgjigje se në çfarë mënyre shpenzohet ky buxhet.

    Në një vizitë që REL-i bëri në këtë komunë më 15 shkurt, pa se në një zyrë të vogël të objektit disakatësh të komunës, ishin renditur dhjetëra dokumente komunale, të ndara në dy vitrina.

    Njëra nga vitrinat mbante dokumente të komunës që punonte me ligjet e Kosovës, e tjetra dokumente nga komuna paralele që kontrollohet nga Serbia.

    Të dyja këto institucione, para vitit 2022, punonin nga i njëjti objekt.

    Hetemi tha se nuk ka informacione se si mund të jetë harxhuar buxheti paraprak i komunës.

    “Ato [para] nuk e dimë se ku kanë shkuar, sepse nuk kemi qenë kompetentë për t’i shikuar dokumentet. Menjëherë e kam bërë një thirrje që të vijë [policia] e krimeve ekonomike. Që dy muaj e gjysmë janë duke hetuar… janë duke shfletuar dokumentacionin se ku dhe nga kanë shkuar këto para”, tha Hetemi për Radion Evropa e Lirë.

    Policia e Kosovës konfirmoi për REL-in se ka nisur hetime “rreth keqpërdorimeve në Komunën e Leposaviqit” dhe se është në fazën e mbledhjes së dëshmive.

    “Janë sekuestruar disa dosje”, tha policia.

    Komuna konfirmoi se, aktualisht, janë rreth dhjetë persona të punësuar në sistemin arsimor në komunë, nga komuniteti shqiptar, që paguhen nga buxheti i saj.

    Hetemi tha se po bëhen përpjekje që stafi i shkollave në gjuhën serbe, të integrohet në institucionet komunale të Kosovës.

    “Nëse ata nuk hyjnë në sistemin tonë të komunës, ne ato para [për paga dhe mëditje] do t’i shfrytëzojmë në mënyra të ndryshme. Për shembull, përmes asamblesë, do t’i përdorim diku tjetër”, tha ai.

  • Shahini: Rritja e buxhetit për komunat, për shkak se Qeveria është në fund të mandatit

    Shahini: Rritja e buxhetit për komunat, për shkak se Qeveria është në fund të mandatit

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha për Ekonomia Online se rritja e buxhetit për komunat është bërë për shkak se Qeveria është në fund të mandatit të saj.

    Shahini përmend edhe rënien e investimeve kapitale në Kosovë, duke thënë se ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

    Ai tha se ndërprerja e investimeve kapitale i vendos operatorët në pozitë të vështirë e disa në prag të falimentimit.

    “Edhe po e shohim se është vit zgjedhor dhe Qeveria e vendit sikur po jep sinjale se këtë vit do të investojë më shumë dhe kjo është e mirë për vendin, por kanë shkuar tri vite pa investime të mëdha kapitale dhe asnjë projekt i madh kapital nuk ka filluar, përkundrazi janë ndal shumë projekte e ta marrim shembull projektin që 15 vjet kur ka filluar për Vushtrri ashtu për Podujevë, Gjilan, Pejë dhe shumë tjerë janë ndaluar e që këto i kanë vendosur bizneset, operatorët ekonomik në një pozitë të palakmueshme. Ka pas disa prej tyre që janë mbyllur për shkak se iu ka dal puna iu ka ndal tenderi ata kanë qenë të fokusuar kryesisht në infrastrukturë dhe kjo ka ndiku negativisht”, tha Shahini.

    Deklarimet e Kurtit për rritje të buxhetit, Shahini i sheh të mirëseardhura, veçse është skeptik.

    “Me siguri që shifrat tregojnë një gjë të tillë se buxheti këtë vit është mbi 740 milionë euro për komuna prej tyre gjysma do të jetë grante nga Qeveria si institucion përgjegjës, por besoj se duhet të jenë të vërteta për arsye se kryeministri nuk mund të thotë diçka që nuk është e vërtetë. Këtë më së miri do e dëshmojnë komunat dhe kryetarët e komunave se a do të përfitojnë nga këto mjete dhe a do t’i shpenzojnë këto mjete. Dihet se investimet kapitale në Kosovë janë në nivelin më të ulët sidomos ato në nivel lokal, prandaj besoj që këto do të ndikojnë në rritjen e mirëqenies qytetare ekonomike e sociale nëpër komunat e Kosovës”, tha ai.

    Shahini ka folur edhe për favorizimin e komunave nga ekzekutivi. Ai tha se ato që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje po përfitojnë më shumë nga Qeveria.

    “Statistikat tregojnë se ka pas favorizim janë nda buxhete shumë më të larta, këto janë edhe rregulla në bazë të proporcionit të qytetarëve të participimit të tatimeve në pronë dhe qytetarëve nëpër komuna dhe neve na del që vërtetë komunat ku qeverisë VV-ja ka pasur favorizime por edhe ato kanë qenë në Kosovë, por nuk duhet përjashtuar edhe komunat tjera të cilat vërtetë pothuajse asnjë komunë nuk e kemi të zhvilluar dhe kudo që të investon është mirë por kudo që të investon duhet të jetë në mënyrë proporcionale dhe pa hatër mbetje nga kryetarët dhe qytetarët e komunave tjera”, ka deklaruar Shahini.

    E tepricat buxhetore, Shahini i konsideron të dëmshme pasi vitin e kaluar ato ishin rreth 700 milionë euro. Tha se ato mjete është dashur të shpërndahen nëpër komuna.

    “Teprica që vazhdimisht Qeveria e vendit po e ka në fund të vitit që janë rreth 700 milionë kishe me qenë mirë tu shpërndahen komunave, kishte qenë mirë t’u jep punë komunave dhe duke i dhënë mjete komunave, komunat të hapin tenderë duke i marr këto tenderë bizneset vendore të rritet qarkullimi i parasë, rritja e zhvillimit ekonomik dhe në këtë moment ne që po flasim pretendojmë që në këtë vit të jetë më e lart se në vitin e kaluar të ketë punësim më të mirë, zhvillim më të mirë”, deklaroi Shahini.

  • Zgjedhjet komunale në veri po shkojnë sipas udhëzimit administrativ

    Zgjedhjet komunale në veri po shkojnë sipas udhëzimit administrativ

    Janë bërë më shumë se një muaj që nga grumbullimi i nënshkrimeve për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat e veriut. Në KQZ thonë se po punohet me intensitet në procesin e verifikimit të nënshkrimeve.

    Kryetari aktual i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, flet për parregullsi që sipas tij, janë evidentuar gjatë procesit të peticionit. Ndërkaq, ai nuk e përjashtoi mundësinë që të garojë sërish për kryetar të kësaj komune.

    “Po ka pas parregullsi ka qenë vendi ku i kanë mbledhë nënshkrimet nuk ka qenë i paraparë aty pra ajo nuk ka qenë në rregull ndërsa për të tjerat do të vendosë KQZ-ja, ndoshta do të kandidoj prap unë nuk e vendos vet këtë çështje janë organet e partisë”, tha Atiqi.

    Ministri i pushtetit lokal Elbert Krasniqi, tha se gjithçka po shkon sipas udhëzimit administrativ dhe se kjo çështje tashmë është në dorën e KQZ-së.

    “Jo nuk ka zvarritje të procesit tashmë është në dorën e KQZ-së, gjithçka po shkon sipas udhëzimit administrativ, nuk mund t’i japim këso cilësime zvarritje sepse tashmë vendosë KQZ-ja, po verifikohen nënshkrimet”

    Për ish-nënkryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziun, çështja e peticionit për shkarkimin e kryetareve në komunat veriore, është humbje kohe, pasi sipas tij, mungon elementi kryesor, e që është arsyeja e shkarkimit.

    “Ndoshta edhe po zvarritet qëllimisht por ajo çka mund të them është se 90% do të dështoj sepse për të shkarkuar kryetarët duhet të ketë arsye këta nuk e kanë një arsyetim sepse kryetarët nuk e kanë shkelë ligjin apo kushtetuën, pra mungon aryeja, dhe mendoj që do të dështoj”, tha Kryeziu.

    Në rast se KQZ-ja verifikon legjitimitetin e peticionit, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarëve në veri, ku kërkohen 50 për qind, plus një votë e qytetarëve. Pas kësaj, presidentja Vjosa Osmani, ka një afat ligjor prej 30-45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veriore.

  • Shefi i EULEX-it: Situata në veri është e brishtë, mund të përkeqësohet

    Shefi i EULEX-it: Situata në veri është e brishtë, mund të përkeqësohet

    Shefi i misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka vlerësuar gjendjen në veri dhe në përgjithësi në Kosovë të qetë, por ende e brishtë.

    Ai tha se “ne kemi parë që kjo situatë mund të përkeqësohet shumë lehtë siç ndodhi fatkeqësisht gjatë muajit shtator, me sulmin e rëndë në Bansjkë, ku humbi jetën rreshteri i policisë Afrim Bunjaku”.
    Në një intervistë për “A2CNN” ai foli edhe për mos kryerjen e hetimeve nga EULEX-i për rastin e Banjskës.

    “Nuk është çështje që të vendoset për të mos kryer hetime. Thjesht EULEX-i nuk ka mandat të kryejë hetime që nga viti 2018. Mandati i EULEX-it nuk përfshin, nuk parasheh asnjë mandat ekzekutiv. Pra, përgjegjësinë e plotë për kryerjen e hetimeve e kanë vetëm institucionet e Kosovës. EULEX-i po monitoron që hetimet e kryera nga policia e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës të kryhen në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane në kryerjen e këtij monitorimi. EULEX-i gjithashtu garanton që të drejtat e njeriut të respektohen plotësisht përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë, duke përfshirë aktivitetet e kryera nga policia, por edhe në aktivitetet e kryera nga prokurorët, gjyqtarët dhe në rast të paraburgimit nga sistemi korrektues në Kosovës”, tha Barbano.

    Ai tha se EULEX ishte i pranishëm në Banjskë edhe gjatë sulmit të armatosur.

    “Aktivitetet tona monitoruese shtrihen përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë. Pra, që nga aktivitetet e kryera nga policia e Kosovës në terren e deri te aktivitetet e kryera nga prokurorët, gjyqtarët, avokatët dhe sistemi korrektues, përfshirë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ne jo vetëm monitorojmë por edhe këshillojmë në fusha të ndryshme; mbështesim gjithashtu zhvillimin e ligjeve dhe rregulloreve përkatëse. Ne ishim të pranishëm në Banjskë gjatë sulmit. Ishim shumë afër zonës së manastirit dhe monitoruam aktivitetet e policisë së Kosovës . Menaxhuam hetimet për pelegrinët, shoqëruam ata që ishin të pranishëm në manastir dhe i përcollëm në pikat e përbashkëta të kalimit asi përfunduan të gjitha operacionet”, ka thënë ai.

    Barbano ka folur edhe lidhur me atë nëse ka pasur ndonjë kërkesë nga autoritetet e Kosovës për të ndërmjetësuar për ekstradimin e të dyshuarve në rastin e Banjskës.

    “EULEX-i është përgjegjës për bashkëpunimin policor, bashkëpunimin policor ndërkombëtar, lehtësimin e shkëmbimit të informacionit ndërmjet policisë së Kosovës dhe shërbimeve policore ndërkombëtare, përfshirë Ministrinë e Brendshme të Serbisë. Kur bëhet fjalë për ekstradimin, ky është bashkëpunim ndërkombëtar gjyqësor, i cili nuk është pjesë e mandatit tonë. Megjithatë, ne lehtësojmë shkëmbimin e informacionit nga policia e Kosovës, zbatimin e ligjit ndërkombëtar, njësia kriminale dhe Interpoli. Por përgjegjësia për ekstradimin dhe njoftimin kalon përmes UNMIK-ut dhe subjekteve të tjera.

    Barbano tregoi edhe për shqetësimet e tij në krye të misionit të BE-së për sundimin e ligjit.

    “Vettingu në sundimin e ligjit, institucionet dhe sistemin e drejtësisë është një mekanizëm që do të garantojë integritetin dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve. Pra, është një sistem që është i rëndësishëm, është parësor për dhënien e një sistemi të drejtë drejtësie. Megjithatë, modalitetet përmes të cilave mundësohet bien nën përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës. EULEX-i sërish është duke i monitoruar zhvillimet në këtë fushë, duke ndihmuar edhe me këshilla kur kërkohet dhe duke ndihmuar edhe kujdesin e aktiviteteve nga grupet punuese në kuadër të të ashtuquajturës deklaratë të angazhimit të përbashkët, të udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë me pjesëmarrjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshilli i Drejtësisë”,ka thënë Barbano.

  • Një shtetase e huaj, gjendet e vdekur skaj autostradës “Arbën Xhaferi”

    Një shtetase e huaj, gjendet e vdekur skaj autostradës “Arbën Xhaferi”

    Një vajzë është gjetur pa shenja jete në autostradën “Arbën Xhaferi”, përkatësisht më shiritin emergjent.

    Policia tashmë ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryhen ekzaminimet e nevojshme bashkë me njësitet e tjera përkatëse.

    Siç merr vesh Sinjali, viktima që u gjet e vdekur është O. O. (shtetase e huaj), e moshës rreth 23-vjeçare.

    Policia ka bërë të ditur se viktima u gjet në shiritin emergjent të autostradës, teksa vdekja e saj është konstatuar nga ekipi mjekësor.

    “Sot rreth orës 20:00, në autostradën ‘Arbër Xhaferi’ drejtimi Ferizaj-Prishtinë km i 24-të, patrulla policore e autostradës, ka vërejtur një person të shtrirë në rrugë (shiritin emergjent). Policia ka njoftuar emergjencën, mjeku kujdestar ka konfirmuar se personi femër, shtetase e huaj është pa shenja jete. Në vend- ngjarje kanë dalë njësitet relevante për trajtimin e rastit, po ashtu ka dalë edhe prokurori. Më urdhër të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet ne IML për obduksion.”

  • Tërmet në Kroaci, dridhjet ndihen edhe në territorin e Bosnjë-Hercegovinës

    Tërmet në Kroaci, dridhjet ndihen edhe në territorin e Bosnjë-Hercegovinës

    Një tërmet i ri me magnitudë 4.1 ballë të shkallës Rihter ka goditur Kroacinë rreth orës 7 të mëngjesit, ka bërë të ditur Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane (EMSC).

    Ky është tërmeti i katërt i regjistruar në Kroaci që nga mëngjesi i sotëm.

    Rreth orës 5 të mëngjesit EMSC njoftoi se një tërmet me magnitudë 3.7 ishte regjistruar 24 kilometra në jugperëndim të Metkoviqit, 54 kilometra në jug të Mostarit dhe pesë kilometra në jugperëndim të Neum në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Tërmeti ka qenë në një thellësi prej 6 kilometrash, ndërsa është ndjerë edhe në territorin e Bosnjë-Hercegovinës.

    Më pas u regjistruan dy tërmete të tjera më të dobëta me magnitudë 2.6 ballë.

    Sipas të dhënave të Institutit Sizmologjik të Serbisë, tërmeti është regjistruar edhe në Mal të Zi gjatë mëngjesit. Ai tërmet ishte me magnitudë 2.2 ballë.

  • Basketboll/ Kosova sot përballet me Irlandën

    Basketboll/ Kosova sot përballet me Irlandën

    Kombëtarja e Kosovës në basketboll do të nis sot rrugëtimin në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2027.

    Sfidën e parë Dardanët e zhvillojnë sot ndaj Irlandës në Prishtinë, derisa sfidën e dytë ndaj Azerbajxhanit më 25 shkurt në udhëtim.

    Raundi i parë parakualifikues i Kupës së Botës të Basketbollit FIBA ​​2027 do të luhet në tre dritare më 19-27 shkurt 2024, 18-26 nëntor 2024 dhe 17-25 shkurt 2025, nga një ndeshje në shtëpi dhe jashtë.

    Të tre fituesit e grupeve së bashku me skuadrën e renditur më të mirë në vendin e dytë do të kalojnë në raundin e dytë parakualifikues të Kupës së Botës 2027 të FIBA-s, i cili do të luhet në verën e vitit 2025.