ATV

Blog

  • Kuvendi mban seancë, në rend dite është votimi në lexim të dytë i Projektligji për shëndetin riprodhues dhe IVF

    Kuvendi mban seancë, në rend dite është votimi në lexim të dytë i Projektligji për shëndetin riprodhues dhe IVF

    Në rend dite në Kuvend është votimi i ndryshimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial; i Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Medieve; i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe IVF; ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare etj.

    Seanca është paraparë të filloi në orën 10.

    Rendi i ditës

    1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
    2. Betimi i Komisioneres Parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, znj. Remzie Zeqiraj,
    3. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    4. Pyetjet parlamentare,
    5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
    7. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
    8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
    9. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
    10. Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,
    11. Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,
    12. Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,
    13. Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,
    14. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,
    15. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,
    16. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    17. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin
      Prokurorial të Kosovës,
    18. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave,
    19. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-277 për sport,
    20. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    21. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
    22. Votimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore,
    23. Votimi për themelimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Organit
      Shqyrtues të Prokurimit,
    24. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
    25. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
    26. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile,
    27. Zgjedhja e katër (4) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre tre (3) nga radhët e komunitetit shqiptarë dhe një (1) nga radhët e komunitetit serbë,
    28. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
    29. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2022,
    30. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2022.
  • Tërmet në Shqipëri

    Tërmet në Shqipëri

    Lëkundje tërmeti janë ndjerë në Shqipëri mbrëmjen e së mërkurës.

    Epiqendra ishte 23 kilometra nga Vlora, ndërsa thellësia ishte 14 kilometra, shkruan TCh.

    Nga këto lëkundje nuk raportohet të ketë pasur ndonjë të lënduar e as dëme.

  • Sonte “Nata e Zjarreve” në Prekaz

    Sonte “Nata e Zjarreve” në Prekaz

    Me “Natën e Zjarreve” sonte përfundon manifestimin gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Aktivitete të shumta janë shënuar më 5 dhe 6 mars, në 26-vjetorin e rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

    Në ditën e tretë të Epopesë, nga ora 18:00, fillon ndezja e flakadanëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Pas ndezjes së flakadanëve, vazhdon manifestimi “Nata e Zjarreve” me program kulturo-artistik në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

  • Xhaferi: Rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt BE-së, nuk lidhet me raportet Kosovë-Serbi

    Xhaferi: Rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt BE-së, nuk lidhet me raportet Kosovë-Serbi

    Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se rrugëtimi i i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, nuk ka të bëjë aspak me çështjen e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai tha se pengesë e këtij rrugëtimi mund të jenë punët e pakryera nga këto dy shtete.

    “Çështja e rrugëtimit tonë Maqedoni dhe Shqipëri për Unionin Evropian nuk është çështje e pengesës së raporteve Kosovë-Serbi, janë çështje e punëve tona, detyrave të shtëpisë që ne duhet t’i kryejmë, kështu që ne nuk e shohim këtë punë kështu dhe nuk është aspak çështja e raporteve Republika e Kosovës – Republikës së Serbisë pengesa për rrugëtimin tonë. Pengesa për rrugëtimin tonë është vetvetja jonë, janë punët e pa kryme tona”, tha Xhaferi.

    Ai tha se Maqedonia e Veriut ka obligime të bëjë ndryshime kushtetuese dhe shtimin e shtimin e pjesës së popujve që jetojnë në këtë shtet, ndërsa Shqipëria sipas tij, ka tjera obligime.

    “Ne kemi obligim të bëjmë ndryshime kushtetuese dhe shtimin e pjesës së popujve që jetojnë në Maqedoni, përfshirë edhe atë bullgare, të jenë pjesë e preambulës në Kushtetutë. Republika e Shqipërisë ka tjera obligime kundrejt asaj që ka verifiku dhe ka vlerësu institucionet përkatëse të Unionit Evropian, kështu që nuk janë ndërlidhura me këtë situatë”, tha Xhaferi. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Xhaferi në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Xhaferi për deklaratën e Ramës: Shqipëria e ka obligim me Kushtetutë që të mbajë llogari edhe për shqiptarët jashtë kufijve të saj

    Xhaferi për deklaratën e Ramës: Shqipëria e ka obligim me Kushtetutë që të mbajë llogari edhe për shqiptarët jashtë kufijve të saj

    Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama të dhënë po në këtë emision se “Çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë”, tha se Shqipëria e ka obligim me Kushtetutë që të mbajë llogari edhe për shqiptarët jashtë kufijve të saj.

    “Deklarimi i Ramës kundrejt Kosovës, edhe me Kushtetutë, Republika e Shqipërisë e ka për obligim mbajtjen në llogari edhe për shqiptarët jashtë kufijve të shtetit aktual të Republikës së Shqipërisë. Kështu që, ajo punë mban në atë kontekst ta ketë, por jo veç në kontekst të NATO-s. Kështu që konteksti është pak më i gjerë se sa që është NATO në kuptimin e asaj që ka deklaruar Rama”, tha Xhaferi. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Xhaferi në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Dialogu dhe “keqinterpretimet” për rregulloren e BQK-së

    Dialogu dhe “keqinterpretimet” për rregulloren e BQK-së

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në prag të një rundi të ri në dialogun e Brukselit, Bashkimi Evropian vlerësoi se diskutimi në nivel kryenegociatorësh lidhur me rregulloren e BQK-së është hapi i radhës drejt zgjidhjes.

    Përkundër përsëritjes nga zëvendëskryeministri se rregullorja nuk është pjesë e dialogut e as subjekt i negociatave, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së kumtoi se, krahas temave të tjera, rregullorja është në agjendën e diskutimeve.

    Situata, sipas profesorit Dritëro Arifi, nuk është aq konfuze.

    “Absolutisht, është shumë e qartë që dinari veç është bërë pjesë e dialogut. Po të kishte qenë ndryshe, BQK-ja nuk ishte dashur të shkonte në Bruksel. Pra, në një mënyrë BE-ja po e tregon atë që e kemi parë të gjithë. Qeveria është më mirë t’i pranojë gjërat ashtu siç janë, ose të mos i zbatojë fare. Në njëfarë mënyre po mbesim në kurthin e një lloj interpretimi apo keqinterpretimi të parëndësishëm. Është shumë e parëndësishme, sepse marrëveshja është shumë më e rëndësishme sesa dinari”, tha Arifi.

    Referuar faktorit kohë, opinionisti Bekim Kabashi krahasoi çështjen e përdorimit të dinarit me atë të targave dhe zgjedhjeve në veri.

    “Kjo po përdoret për të prolonguar, për ta shtyrë sa më gjatë, për të mos implementuar marrëveshjen për asociacion ose marrëveshjen bazike, pastaj edhe draft-statutin, e cila është kërkesa kryesore e bashkësisë ndërkombëtare. Kështu që, zgjidhja do t’i gjendet sepse nuk ka ndonjë arsye tjetër, nuk ka racionalitet që kjo temë të nxirret në këtë formë, me e dëmtua Kosovën, siç e ka dëmtuar në raportet me SHBA-në dhe BE-në”, tha Kabashi.

    Duke përmendur rëndësinë e integrimit evropian të Kosovës, profesori Arifi theksin e vuri te nevoja e përqendrimit te marrëveshja bazë dhe shtojca.

    “Qeveria duhet të fokusohet te marrëveshja, çka do të bëjë me marrëveshjen dhe si do ta argumentojë të partnerët ndërkombëtarë. Kjo është çështja më e rëndësishme, gjithçka tjetër është sekondare dhe vetëm humbje e kohës”, tha Arifi.

    Në Qeveri nuk treguan nëse zëvendëskryeministri Bislimi do të udhëtojë drejt Brukselit, nëse rregullorja e BQK-së konfirmohet si temë e takimit.

    Të mërkurën, kryeministri tha se nuk ka kohë për përgjigje.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kurti: Epopeja e UÇK-së e papërsëritshme, me domethënie të pashteruar

    Kurti: Epopeja e UÇK-së e papërsëritshme, me domethënie të pashteruar

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Epopeja e lavdishme e UÇK-së dhe sakrifica për atdhe e familjes Jashari është e papërsëritshme.

    “Ndonëse fjalët i pasojnë mendimet dhe i paraprijnë veprat, fjalët janë gjithmonë të pamjaftueshme për ti përçuar si mendimet ashtu edhe veprat. Në rastin e Epopesë së UÇK-së kjo bëhet pamundësia vet, andaj edhe kënga “Mora fjalë” tregon edhe kufijtë e fjalës. Fjalët që doemos nuk i gjen dot, që duhet t’i marrësh e t’i gjesh diku e disi, për ta shpjeguar a përshkruar këtë Epope të papërsëritshme me domethënie ende të pashteruar”.

    Teksa ka përmendur edhe tekstin e këngës së njohur “Mora fjalë” kushtuar kësaj epopeje të rëndësishme në historinë e vendit tonë.

    “Me fjalë të tjera “Mora fjalë” do të thotë që për këtë epope është vështirë të ketë ep, të gjithë e keni parasysh tekstin e këngës e cila nisë me atë se çfarë po bëjmë ne që po këndojmë Mora fjalë mora vargun mora qarkun me i thur këngë, pra çfarë po bëjmë ne kështu nis kënga”.

    “Më pastaj strofa e dytë porsa përpiqemi të themi diçka ne themi ‘Qohu Adem’, pra është e pamundur të shkosh më larg se strofa e parë e pa rënë në veprim e unë besoj se kjo është arsyeja se pse ka këngë por nuk ka tekst, vetëm me këngën me një tekst kaq të bukur dhe me një melodi të jashtëzakonshme është bërë e mundshme që të gjejmë diçka artistike që bëhet kulturë meqenëse rrah por si zemra e popullit”, ka thënë Kurti.

  • “Tentim atentatin ndaj Albin Kurtit”, Talat Xhaferi e cilëson si një lajm të rrejshëm

    “Tentim atentatin ndaj Albin Kurtit”, Talat Xhaferi e cilëson si një lajm të rrejshëm

    Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se informatën për tentim atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk mund ta trajtojë ndryshe, përveç se si lajm të rrejshëm.

    Këto deklarata ai i bëri pasi u pyet nga drejtuesi i emisionit Leart Hoxha, nëse informata për tentim atentat ndaj kryeministrit Kurti sa ishte në vizitë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë lajm i rrejshëm.

    “Unë duke i pasur informatat si kryeministër nuk mund ta trajtoj ndryshe dhe ta definoj ndryshe për faktin që burimi i asaj informate nuk është as hapësira e Kosovës, as hapësira e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku Kryeministri ka qëndruar. Në bazë të informatave del që gjatë qëndrimit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, në Këshill Sigurimit, në seancë, në Facebook është paraqitë kanasje që nuk mund ta them është apo nuk është ashtu, por sidoqoftë nuk e ka burimin në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nuk ka parathënie në kuptimin që ka pasur rrezik të tillë”, tha Xhaferi.

    Ai tha se mënyra e komunikimit të këtij informacioni, i ka bërë dëm vetëm se vetë institucionit përkatës në Republikën e Kosovës, në kontekst të besueshmërisë për këmbim të informatave në të ardhmen.

    “S’do mend që punë e institucioneve përkatëse, është edhe shkrimi më i vogël që mund të ndodhë edhe në kontekst, në relacion me bartësit e funksioneve, që të jetë temë trajtimi dhe çdo mend që komunikimi mes institucioneve ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë dhe s’do mend që ajo mënyrë e komunikimit i ka bërë dëm vetëm se vetë institucionit përkatës në Republikën e Kosovës, në kontekst të besueshmërisë për këmbim të informatave në të ardhmen, sepse informatat që shpërndajnë dhe që komunikojnë e këmbejnë institucionet përkatëse shtetërore, nuk janë temë që mundemi, ne që kemi qasje në ato informata, të dalim sot në emision këtu dhe t’i trajtojmë si çështje që i zbatojmë në publik, për faktin që krejt ne kemi obligime ligjore për afat kohor të caktuar, ato informata të klasifikume të mos i përdorim në publik për faktin që dëmtojnë vetë institucionin”, tha Xhaferi. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të kryeministrit Xhaferi në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Pas videos së publikuar, vjen reagimi i parë nga Oborri Mbretëror Shqiptar

    Pas videos së publikuar, vjen reagimi i parë nga Oborri Mbretëror Shqiptar

    Vjen reagimi i parë nga Oborri Mbretëror Shqiptar, pas videos së publikuar në rrjet ku konfrontohen fizikisht Princ Leka dhe Elia Zaharia.

    Në reagim Oborri Mbretëror pretendon se Princ Leka është sulmuar fizikisht me sende të forta nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij.

    Oborri thotë se videot janë dorëzuar vetëm në stacionin e policisë nga Princ Leka ll Zogu, si provë materiale për dhunën e ushtruar ndaj tij, por pavarësisht se janë kosideruar si një sekret, këto materiale, së bashku me deklaratën, qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale dhe në medie duke përcjell imazhe të pakëndshme dhe me përmbajtje dhune.

    “Oborri Mbretëror shpreh thellësishtë zhgënjimin nga institucionet ligjzbatuese te të cilat dyshojmë se kanë cënuar të drejtën e anonimitetit, duke shpërndarë videot te të tretë. Gjithashtu Oborri Mbretëror kërkon ndërhyrjen e policisë dhe institucioneve përkatëse për fshirjen e këtyre imazheve nga rrjetet sociale dhe nga mediet”, thuhet në reagimin e oborrit mbretëror shqiptar”.

    Reagimi i plotë:

    “Përshëndetje, siç edhe jeni informuar, Princ Leka pasditen e 5 marsit ështe sulmuar fizikisht me sende të forta nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij dhe videot e këtij momenti janë bërë publike në rrjetet sociale.

    Videot janë dorëzuar vetëm në komisariatin e policisë nga Princ Leka ll Zogu, si provë materiale për dhunën e ushtruar ndaj tij, por pavarësisht se janë kosideruar si një sekret, këto materiale, së bashku me deklaratën, qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale dhe në medie duke përcjellë imazhe të pakëndshme dhe me përmbajtje dhune.

    Oborri Mbretëror shpreh thellësisht zhgënjimin nga institucionet ligjzbatuese te të cilat dyshojmë se kanë cenuar të drejtën e anonimitetit, duke shpërndarë videot te të tretë.

    Gjithashtu Oborri Mbretëror kërkon ndërhyrjen e policisë dhe institucioneve përkatëse për fshirjen e këtyre imazheve nga rrjetet sociale dhe nga mediet.”

    Princ Leka dhe Elia Zaharia, çifti mbretëror që është në proces divorci pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri, ndërsa ky moment është filmuar edhe me video.

    Gjithçka ka nisur kur Princ Leka ka shkuar të takojë të bijën në shtëpinë e tij, ku jeton bashkë me të ëmën, Elia Zaharia. Siç rrëfen Princ Leka në dëshminë e tij, në ato momente vajza e mitur ka qenë me Gjergj Zaharinë, ish-vjehrri i tij, i cili po kujdesej për mbesën, pasi Elia nuk ndodhej në banesë.

    Këtë takim të dy e përshkruajnë të dhunshëm, teksa Princi pretendon se është dhunuar nga Gjergj Zaharia, ndërsa ky i fundit ka thënë se është i moshuar dhe s’mund të dhunojë askënd.

    Madje, në dëshminë e tij, Princ Leka pretendon se është dhunuar me sende të forta si statuja e drurit, ndërsa thotë se ish-vjehrri i ka grisur edhe xhupin në sy të vajzës. Ai thotë se sherri nisi nga ana e Gjergj Zaharia që “ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua”.

    ‘Në këto momente situata ka agravuar shtetasi Gjergj Zaharia, më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qene vetëm mbrojtës’ – pretendon princi. Por nga ana e tij, Gjergj Zaharia pretendon të kundërtën duke u shprehur se “ai është i moshuar dhe nuk qëndron dot në këmbë, kështu nuk ka mundësi që të dhunojë Princin e cili është 2 metra i gjatë”. Ai e akuzon Lekën se e ka dhunuar dhe e ka fyer me fjalë të rënda. Pas këtij episodi të dy janë paraqitur në polici, ku u është bërë akt ekspertimi mjekoligjor dhe i janë drejtuar gjykatës për urdhër mbrojtje. Pas kësaj, edhe Elia i është drejtuar komisariatit me pretendime për dhunë nga ish-bashkëshorti. Pas denoncimit për dhunë, të Princ Lekës dhe Elia Zaharias, ka reaguar Policia, cila thotë se të dyja palët pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri dhe janë pajisur me urdhër mbrojtjeje.

  • Shtatorja e Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prishtinë, shpallet konkurs ndërkombëtar

    Shtatorja e Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prishtinë, shpallet konkurs ndërkombëtar

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se sot do të shpallet konkurs ndërkombëtar për vendosjen e monumentit të Adem Jasharit dhe familjes së tij në kryeqytet.

    Rama ka thënë se kjo shtatore do të jetë e karakterit modern që pasqyron të kaluarën e tij dhe të popullit të Kosovës.

    Gjatë ditës së sotme Rama ka bërë homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajazitit në shënim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku tha se tash kemi vendosur që të shpallim konkurs ndërkombëtar për vendosjen e monumentit në kryeqytet.

    “Ne kemi ndarë buxhetin për këtë edhe vitin e kaluar. Ishim të gatshëm ta shtyjmë përpara monumentin e heroit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, por ishim në diskutim edhe me familjen e heroit legjendar, për vendosjen e monumentit, dhe tash kemi vendosur që ta shpallim një konkurs ndërkombëtar, që me siguri do të bëhet sot, ku do të kërkojmë nga arkitektë, artistë e historianë të punojnë bashkë për të prezantuar ide të ndryshme, se si do të duket monument i ndërlidhur me peizazh, por edhe për propozimet për lokacionet e ndryshme që mendojnë arkitektët, artistët e historianët se do të ishte e përshtatshme për këtë monument”, ka thënë Rama.

    Tutje, Rama ka thënë se ideja e këtij monumenti është që të jetë e pashme dhe të ketë qasje të drejtpërdrejte të qytetarëve te cilët munden edhe me i shpreh nderime.

    “Sheshi Adem Jashari e ka emrin mirëpo nuk do më thënë domosdoshmërisht që me qenë monumenti aty, për arsyeje se heroizmi, liria të cilën e ka sjellë heroizmi i aspektit monumental i Adem Jasharit me gjithë familjen që kanë dhënë jetën për këtë vend, do të thotë se ata janë në secilin cep të vendit tonë. Ideja është që me qenë diku që është e pashme pra që ka qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve që munden me i shpreh nderime, por edhe me përdor për shembull teknologjinë e re, inteligjencën artificiale, për të treguar historinë se çka ka ndodh. S’duhet të jetë monument klasik, por të jetë diçka shumë e avancuar që ndërlidh të kaluarën, të tashmen dhe e projekton të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Rama.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: