ATV

Blog

  • E veja e Navalnyt thërret protestë kundër Putinit

    E veja e Navalnyt thërret protestë kundër Putinit

    Ashtu siç ishte zotuar, me gjasë edhe do të veprojë.

    E veja e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, u ka bërë thirrje rusëve që të protestojnë në ditën e zgjedhjeve kundër presidentit Vladimir Putin, duke formuar radhë të gjata jashtë qendrave të votimit.

    Yulia Navalnaya, pas vdekjes së bashkëshortit ishte zotuar se do të vazhdojë punën e burrit të saj dhe të vazhdojë kundërshtimin ndaj Kremlinit.

    Nëpërmjet një videoje të publikuar në YouTube, Navalnaya mbështeti nismën që të mbingarkohen qendrat e votimit që mbahen gjatë këtij muaji, zgjedhje të cilat pritet t’i japin edhe një mandat gjashtëvjeçar presidencial Putinit.

    “Ne duhet të shkojmë në qendrat e votimit në të njëjtën kohë: më 17 mars në orën 12:00. Çfarë do të bëjmë më pas? Ju mund të zgjidhni. Mund të votoni çdo kandidatë përveç Putinit. Mund ta bëni të pavlefshëm fletëvotimin tuaj. Mund të shkruani me shkronja të mëdha ‘Navalny’”, tha Yulia Navalnaya.
    Ajo i cilësoi zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen nga 15 deri më 17 mars, si “farsë” dhe tha se Putini “do të nxjerrë rezultatin që ai do”.

    Navalnaya, ndërkaq i ka quajtur “trimat dhe njerëzit më të sinqertë në shtetin tonë”, të gjithë personat që kanë vizituar varrin e bashkëshortit të saj në Moskë.

    Kremlini ka kërcënuar personat që bëjnë homazhe për Navalnyn se do t’i adresojë, duke u thirrur në ligjet e ashpra ruse kundër protestave.

    Qindra persona janë arrestuar gjatë homazheve të bëra në mbarë Rusinë.

    Sa ishte gjallë dhe gjendej në burg, Aleksei Navalny kishte mbështetur çdo nismë që ishte kundër Putinit. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Biden dhe Trump dominojnë në garat e “Super të martës”

    Biden dhe Trump dominojnë në garat e “Super të martës”

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Nikki Haley është tërhequr nga gara për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Haley ka fituar vetëm në dy shtete në zgjedhjet preliminare, ato në Colombia dhe Vermont.

    Megjithatë, pas dorëheqjes Haley i ka ofruar mbështete Donald Trumpit në garën zgjedhore. Në anën tjetër, presidenti aktual, Joe Biden, dhe paraardhësi i tij Donald Trump, siguruan përballje të re në zgjedhjet presidenciale të nëntorit dhe gjatë Super të Martës, u rrit edhe presioni ndaj Haley, të tërhiqet nga gara.

    Më vonë gjatë këtij muaji pritet të votojnë shtetet e tjera, që Biden dhe Trump, zyrtarisht të marrin nominimin e partive për të garuar në zgjedhjet presidenciale.

    Por, gjatë “Super të Martës”, që është dita më e rëndësishme e zgjedhjeve, u bë e qartë se një përballje e sërishme Biden-Trump është e sigurt.

    Sikurse Biden, 81 vjeç, ashtu edhe Trump 77 vjeç, vazhdojnë të dominojnë në partitë e tyre pavarësisht se përballen me dilema rreth moshës së tyre dhe asnjëri nuk ka popullaritet të gjerë.

    Derisa, fushata e Trumpit organizoi një aheng për të shënuar fitoret në zgjedhjet e Super të Martës, Biden nuk mbajti fjalim. Megjithatë, lëshoi një deklaratë duke paralajmëruar se rezultatet e së martës i kanë lënë amerikanët me një zgjidhje të qartë dhe duke vënë në pah arritjet e tij, pasi mposhti Trumpin në zgjedhjet e vitit 2020.

    “Nëse Donald Trumpi kthehet në Shtëpinë e Bardhë, i gjithë ky përparim do të jetë në rrezik. Ai nxitet nga ankesat dhe hidhërimi, i përqendruar në hakmarrjen e tij e jo te populli amerikan”, tha Biden.

    Pavarësisht dominimit të Bidenit dhe Trumpit në partitë e tyre, sondazhet e kanë bërë të qartë se elektorati i gjerë nuk dëshiron që zgjedhjet e sivjetme të përgjithshme të jenë identike me garën e vitit 2020.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Epopeja e UÇK-së, krerët e shtetit bënë homazhe në Prekaz

    Epopeja e UÇK-së, krerët e shtetit bënë homazhe në Prekaz

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në ditën e dytë të manifestimit “Ditët e Epopesë së UÇK-së”, krerët shtetërorë bën homazhe në Prekaz.

    Duke e cilësuar si ngjarjen më të rëndësishme të kombit shqiptar, të tre liderët u përkulën para varreve të 59 dëshmorëve, të rënë për liri 26 vjet më parë.

    “Përkujtimin tonë të përjetshëm për kryekomandantin Adem Jashari dhe gjithë familjen Jashari, të cilët personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore, që ka njohur historia jonë. Epopeja e UÇK-së është epope e krenarisë së popullit tonë, është epope që ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë e mbi të gjitha është epope që simbolizon lirinë që e gëzojmë ne sot”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Liderët bënë thirrje për vizitë nga të gjithë për siç thanë, të mos harrohet historia.

    “Vetëflijimi, vetë sakrifica, vetëmohimi i Jasharëve është Epopeja e UÇK-së në themelet e çlirimit të vendit tonë që paraqet edhe dhimbje e krenari, por edhe besë dhe shpresë për shtetin tonë. Me përkulje respekti, ndjenjë admirimi gjithnjë dhe gjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharëve”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    “Nuk është e rastësishme që gjithë qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë në të gjitha anët e botës, vijnë dhe përkulen para varreve të Bacit Shaban, Ademit dhe Hamzës dhe gjithë familjarëve, të cilët u flijuan për lirinë e fëmijëve tanë”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

    Të mërkurën, Prekazin e vizituan edhe përfaqësues të partive opozitare.

    “Këto janë datat të cilat shënojnë kthesën më të madhe në historinë e kombit tonë, sepse ato që kanë ndodhur në viti 1998, jo vetëm që zgjuan vetëdijen tonë kombëtare, por ato për herë të parë morën edhe vëmendjen ndërkombëtare”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Ditët e 5, 6 dhe 7 marsit shënojnë heroizmin e familjes Jashari në luftën për liri. Në fillimmarsin e vitit 1998, pas një beteje treditore me forcat paramilitare serbe ra Komandanti Legjendar Adem Jashari, së bashku me 58 anëtarë të tjerë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kujtimi për 1133 fëmijët e vrarë në luftë

    Kujtimi për 1133 fëmijët e vrarë në luftë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Kjo është bluza që Abdullah Jashari e kishte të veshur ditën kur u vra, bashkë me familje në sulmin që nisi më 5 janar të vitit 1998 në Prekaz.

    Si një ndër kujtimet e pakta, mbahet e vendosur në ekspozitën “Na ishte njëherë, që kurrë mos qoftë”, bashkë edhe me pantallonat e dy vëllezërve Blerimin e Bujarin, të vrarë po atë ditë.

    Në bodrumin e bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, mbahen të ekspozuara edhe të tjera gjësende të fëmijëve të vrarë në luftë.

    Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, të tjera familje kanë shprehur gatishmëri për t’i dorëzuar kujtimet e fëmijëve që nuk jetojnë më, por, për shkak të hapësirës së kufizuar, s’kanë mundur t’i pranojnë. Kështu është duke u konsideruar institucionalizimi i gjithë ekspozitës.

    Te muri në hyrje janë të vendosur edhe emrat e 1133 fëmijëve të vrarë në luftë, prej të cilëve 109 janë ende të zhdukur.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Rrëfime për familjen Jashari, të padëgjuara më parë

    Rrëfime për familjen Jashari, të padëgjuara më parë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Çdo fillimmars nga Londra vjen për t’i vizituar Kullat e Jasharëve. Raportet e tij më familjen nga Prekazi, datojnë para 50 vjetësh.

    Në një rrëfim ekskluziv për ATV-në, Enver Nuredini tregon detaje nga takimet me Komandantin Legjendar, Adem Jashari.

    Qysh atëherë, Adem Jashari bënte plane për luftën për liri.

    Pas stërvitjeve në Shqipëri, Ademi ishte kthyer në Kosovë, duke intensifikuar përpjekjet për liri. Kjo kishte rënë në sy, teksa me 5 mars 1998, mbi 5 mijë trupa të forcave paramilitare serbe rrethuan Prekazin.

    Nga morgu i Prishtinës, kufomat u sollën në Skenderaj dhe banorët kishin vetëm 8 orë në dispozicion për t’i varrosur mbi 50 trupa.

    Mbase kishte një mundësi që 5, 6 dhe 7 marsi i 98-tës të shmangej, por Jasharët refuzuan të nënshtrohen.

    Rrëfimin e plotë të Enver Nuredinit për familjen Jashari, e gjeni në videon më poshtë:

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Naftëtarët kundër marzhës së MINT-it

    Naftëtarët kundër marzhës së MINT-it

    Përgatiti: Haris Ademi

    Të mërkurën, çmimi i derivateve nuk qe i njëjtë në të gjitha pikat e derivateve në kryeqytet. Mirëpo, asnjërës nuk i lejohet ta kalojë marzhën e fitimit, për të cilën ka vendosur Ministria e Tregtisë, 2 centë për shitje me shumicë, dhe 12 centë për shitje me pakicë, e që do të zgjasë tre muaj.

    MINT-i nuk tregoi nëse ka inspektuar bizneset dhe ka shpërndarë gjoba për shkelje. Mirëpo, në herët e kaluara kur ishte caktuar marzha e fitimit, shumë pika derivatesh nuk e kishin respektuar vendimin.

    MINT-i nuk dha shifra për ATV-në sa gjoba ka shpërndarë gjithsej, mirëpo televizioni i ka parë disa prej tyre, ku përfshihen edhe kompanitë më të mëdha të këtij sektori. Derisa gjobat ndryshonin nga dy mijë deri në katër mijë euro, një vendim të tetorit 2023 të Gjykatës Themelore të Pejës që e posedon ATV-ja, një pikë derivatesh ishte gjobitur vetëm 400 euro.

    Nuk dihet nëse sërish naftëtarët nuk do ta respektojnë vendimin, mirëpo kundër tij është ankuar Shoqata e tyre, që po kërkon rritje të marzhës.

    “Marzha tregtare, në bazë të inflacionit për vitin 2024, duhet të jetë ky çmim: Marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është 2.3 centë për litër, si dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 14 centë për litër”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

    Avokati Qëndrim Arifi thotë se shteti ka të drejtë të vendosë çmim tavan me këtë udhëzim administrativ, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë një Ligj të ngjashëm, për produktet bazike.

    Mesatarisht, në Kosovë importohen afër 2 milionë litra derivate në ditë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Talat Xhaferi në AAB, mbështet Kosovën në NATO dhe BE

    Talat Xhaferi në AAB, mbështet Kosovën në NATO dhe BE

    Përgatiti: Haris Ademi

    Studentë nga drejtime të ndryshme të Kolegjit AAB, u mblodhën në një sallë të vetme.

    Interesimi i tyre është i përbashkët për ta dëgjuar ligjëratën e një mysafiri të veçantë, që bart post të lartë shtetëror. Para tyre flet Talat Xhaferi, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

    Ky e cilëson Kosovën si shtet vëllazëror, derisa thotë se me qeverinë teknike, është avokat i fortë i saj në arenën ndërkombëtare.

    “Mbështesim përpjekjet për NATO, BE…”, tha Xhaferi.

    Xhaferi dhe homologu i tij në Prishtinë, Albin Kurti, nuk janë parë të kenë raporte të ngrohta politike. Madje, kosovari ka takuar në zyrën e tij subjektet opozitare shqiptare, që garojnë për zgjedhjet në Maqedoni të Veriut. Këto veprime i komentoi vetë Xhaferi, kur pyetet gjatë ligjëratës.

    “Duhet pasur kujdes si lëvizim kur bartim poste institucionale…”, tha Xhaferi.

    Megjithatë, sipas tij, marrëdhëniet mes dy qeverive nuk ndikohen, derisa tregon se deri tash, janë nënshkruar 11 marrëveshje të përbashkëta.

    Përveç temave aktuale, Xhaferi përkujton edhe një kohë të vështirë për shqiptarët e Kosovës, që gjetën strehë në Maqedoninë e Veriut.

    Përveç ligjëratës dhe diskutimeve me studentë, Xhaferi do të ketë kujtim edhe këtë dhuratë nga vizita në kolegjin AAB.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Serbëve në Kosovë u dalin pagat në llogari, por s’ka dinarë

    Serbëve në Kosovë u dalin pagat në llogari, por s’ka dinarë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pagat nga shteti serb iu dolën. Por, shumë qytetarë serbë të cilët jetojnë në Kosovë, nuk kanë arritur t’i tërheqin të hollat, pasi institucionet financiare nuk kishin mjaftueshëm dinarë.

    Në mungesë të dinarit, qytetarëve u janë dhënë shuma vetëm deri në 10 mijë dinarë apo 85 euro.

    “Kjo situatë po na komplikon jetën se s’po mund t’i marrim pagat. Është situatë e rëndë. Mora vetëm 10 mijë dinarë, sepse ky është kufizimi, kaq mund të na japin”, thotë një qytetar.

    “Po krijohet tollovi e madhe. Kemi familje e fëmijë e nuk po mund t’i marrim paratë”, thotë një tjetër qytetar.

    Njëkohësisht, qytetarët serbë nuk janë shumë as të informuar se si të veprojnë, derisa BQK-ja ndaloi pagesat në dinarë.

    BQK-ja deri më tani ka dërguar vetëm mesazhe dhe nuk dihet nëse shkuan te individët që duhej, meqë shumë serbë nuk posedojnë numra të operatorëve që veprojnë në Kosovë.

    Qytetarët thonë se të vetmin informim i kanë mediat.

    “Është keq që nuk jemi informuar për çështjen e dinarit. Kjo është politikë e Prishtinës, por është dashur më shumë transparencë. Për komunitetin serb ky vend është i keq”, tha një qytetar.

    “Unë s’e kam idenë për procedurat, askush asgjë s’më ka thënë, po këto janë çështje politike në të cilat qytetarët nuk përfshihen”, tha një tjetër qytetar.

    Kritika për mungesë të fushatës nga BQK-ja ka edhe shoqëria civile.

    Vendimi i BQK-së për dinarin po zbatohet nga 1 shkurti.

    Aleatët ndërkombëtarë u bëjnë thirrje autoriteteve ta shtyjnë zbatimin e rregullores, ndërsa në Bruksel pati një takim javën e kaluar mes një delegacioni të BQK-së në lidhje me çështjen e dinarit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Gjendet një varr masiv me 1 mijë skelete në Gjermani

    Gjendet një varr masiv me 1 mijë skelete në Gjermani

    Arkeologët thonë se kanë zbuluar atë që mund të jetë varri masiv më i madh i gërmuar ndonjëherë në Evropë në një vend në Gjermaninë jugore.

    Rreth 1.000 skelete të viktimave të murtajës janë gjetur deri më tani në varrezat masive në qendër të qytetit të Nurembergut, të cilat ekspertët besojnë se mund të përmbajnë një total prej më shumë se 1.500 njerëz, sipas një njoftimi për shtyp të botuar të martën.

    Mbetjet u zbuluan gjatë një studimi arkeologjik përpara ndërtimit të ndërtesave të reja të banimit në qytet.

    Melanie Langbein, nga departamenti për ruajtjen e trashëgimisë së Nurembergut, tha për CNN se u identifikuan tetë gropa, secila me disa qindra trupa. Një epidemi si murtaja është shpjegimi “më se i mundshëm” për varrezat masive, sipas Langbein.

    Nuremberg përjetoi shpërthime të murtajës afërsisht çdo 10 vjet nga shekulli i 14-të e tutje, tha ajo.

    Ata zbuluan gjithashtu një shënim nga viti 1634 që përshkruan në detaje një shpërthim të murtajës që vrau më shumë se 15.000 njerëz në 1632-1633, që thotë se pothuajse 2000 njerëz u varrosën pranë Spitalit të Shën Sebastian, vendi i gërmimit aktual, tha Langbein.

    Kjo dëshmi e çoi ekipin në përfundimin se grupi më i vjetër i mbetjeve ndoshta daton nga epidemia e viteve 1632-1633. Do të ketë gjithashtu bashkëpunime me institucionet e interesuara për disa aspekte të gjetjeve, duke përfshirë analizimin e gjenomit të murtajës dhe hetimin e vezëve të parazitëve në tokë, shtoi Langbein. /CNN

  • Gjinden pesë zolla në afërsi të Manastirit të Banjskës

    Gjinden pesë zolla në afërsi të Manastirit të Banjskës

    Një sasi e armatimit është gjetur nga Policia e Kosovës afër Manastirit të Banjskës, në Zveçan.

    Lajmin për Front Online e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin Mitrovicës së veriut, Veton Elshani.

    Ai, ka thënë se bëhet fjalë për pesë “zolla”.

    Këtë armatim Policia e Kosovës e ka gjetur gjatë kryerjes së detyrave të përditshme.

    “Në afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan janë gjetur pesë zolla. Mjetet ushtarake dyshohet se i përkasin ngjarjeve të shtatorit të vitit të kaluar”, ka treguar Elshani, për Front Online

    Ndërsa, ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar.