ATV

Blog

  • Jasharaj uron Ditën e Mësuesit me kritika për qeverinë

    Jasharaj uron Ditën e Mësuesit me kritika për qeverinë

    Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka kritikuar qeverinë në Ditën e Mësuesit.

    Përmes një letre të dërguar për media, ai tha se qeveria meriton kritika pasi siç ka shkruar ai, nuk ka realizuar kërkesën e tyre për kushte më të mira të punës.

    “Ata po veprojnë kokë me vete dhe po i ikin dialogut për ta dëgjuar zërin e mësuesit dhe shqetësimet e kërkesat e tij”, thuhet ndër të tjera në letër.

    Më poshtë mund ta lexoni letrën e plotë:

    Punëtorë të arsimit, kolege e kolegë anëtarë të SBASHK-ut Dita e mësuesit dhe shkollës shqipe është një nga datat e veçanta të kombit tonë sepse na kthen kujtesën te sakrificat sublime të atdhetarët e shumtë që edhe kombi ynë ta mësojë e kultivojë gjuhën, kulturën, historinë e artin kombëtar. Kjo datë sjell emocione të veçanta në Kosovë sepse rrugëtimi i arsimit dhe shkollës shqipe u përball me shumë sulme e furtuna të pushuesit. Një pjesë e lavdishme e arsimit tonë ishin edhe vitet e 90-ta kur punëtorët e arsimit duke bërë sakrifica sublime mbrojtjen arsimin shqip duke mbrojtur dritën kundër errësirës. Bota demokratike u mahnit me këtë gatishmëri e sakrificë të punëtorëve arsimor të Kosovës dhe u qendroi pranë duke u dhënë përkrahje e motiv për të vazhduar për plot 9 vite me radhë në këtë mision të shenjtë.

    Urime dhe respekt në këtë ditë të madhe të mësuesit dhe shkollës shqipe për të gjithë pishtarëve dijes që nëpër vite e dekada vazhduan misionin e shenjtë të edukimit të brezave.

    Tash kur në vitin 2014 po shënohet kjo datë e madhe e bazuar në realitetin e kohës dhe veprimet ndëshkuese të Qeverisë Kurti shtrohet pyetja e thjeshtë se çfarë do t’u thonë atyre kryeministri Kurti, ministri Murati e ministrja Nagavci ?

    Ata meritojnë kritika sepse nuk realizuan kërkesën tonë për kushte më të mira të punës e për ta zëvendësuar shkumësin e shpuzën me mjete të punës të shekullit 21. Ata u munduan masa ndëshkuese e duke u kërcënuar edhe me ndalje të pagave të shuajnë zërin sindikal. Ata sollën zhgënjim me ligjin e pagave dhe shtuan shumë pakënaqësitë me rritjen ironike të koeficionetit të pagave nga 105 në 110 euro e jo sa ishte kërkesat e arsyeshme e jona që koeficienti të kishte vlerë se paku 130 euro. Ata po prekin në emër të ndryshimeve e plotësimit të ligjeve në të drejtat e fituara duke vështirësuar jetën e punëtorëve të arsimit e veçmas të pensionistëve.

    Ata po veprojnë kokë me vete dhe po i ikin dialogut për ta dëgjuar zërin e mësuesit dhe shqetësimet e kërkesat e tij. Kemi edhe shumë kritika, por nuk po i themi që të mos zbehen krejt momentet në aktivitetet festive që SBASHK ka organizuar e po organizon edhe sot nëpër komuna e universitete në shenjë respekti të pishtarëve të dijes dhe ditës së madhe të mësuesit e shkollës shqipe.

  • Avokati i Sylejman Selimit: Janë kërkuar prova që lidhen me pengim të drejtësisë

    Avokati i Sylejman Selimit: Janë kërkuar prova që lidhen me pengim të drejtësisë

    Artan Qerkini, avokat i ish komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi, ka folur pas bastisjes së shtëpisë së klientit të tij nga Prokuroria Speciale.

    Qerkini ka thënë se Sylejman Selimi nuk është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, por që brenda shtëpisë së tij ka mundur të ketë dëshmi që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë.

    “Ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar. Por sipas urdhërit të gjykatës, mendohet se në shtëpisë e tij mund të ketë pasur prova të cilat ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”, ka thënë Qerkini.

    Sipas Qerkinit, ata kanë vërejtje për mënyrën se si është bastisur shtëpia e Selimit.

    Ai thotë se në këtë mënyrë nuk është dashur të bëhet bastisja, përderisa klienti i tij nuk është në cilësinë e të dyshuarit.

    “Ne i kemi disa vërejtje në vetë urdhërin. Mendojmë që nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore dhe I cenon edhe disa të drejta kushtetuese të personave, sepse nuk mund të cenohet privatësia e një personi nëse ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar”, tha Qerkini.

  • Hoxha: Vetëm në dy muajt e fundit, 600 mësimdhënës janë larguar nga Kosova

    Hoxha: Vetëm në dy muajt e fundit, 600 mësimdhënës janë larguar nga Kosova

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se është shqetësuese që arsimi sot nuk është prioritet për qeverinë, raporton Ekonomia Online.

    Sipas saj, qeveria e ka injoruar e bullizuar përfaqësuesit e arsimit e përfaqësues te sindikatave.

    Nga foltorja e Kuvendit, Hoxha deklaroi se vetëm këto dy muaj nga Kosova kanë ikur 600 mësimdhënës.

    “Sot në liri e pavarësi mungesa e vëmendjes së Qeverisë ndaj ofrimit të kushteve me të mira për mësimdhënësit është shqetësuese. Duke neglizhuar kushtet e tyre të punës, Qeveria zvogëlon vlerën e punës së tyre të pa lodhur. Shpreh revoltën time për mos trajtimin e arsimit si prioritet. Ju e injoruat atë e anashkaluat i bullizuat përfaqësuesit e tyre. Greva e sindikalisteve, injorimi i kërkesave të tyre dhe mungesa e dialogut vazhdon dhe mbetet shqetësim. Vetëm vjet 600 mijë euro të planifikuara në buxhetin e shtetit nuk ishin investuar asnjë cent për këtë. Rezultati në PISA është me keq se sa ishte ne 2018. Sot në liri, mësimdhënësit vetëm në dy muajt e fundit 600 sosh janë larguar nga Kosova”, ka thënë ajo.

  • ​Betohet komisionerja parlamentare për FSK-në

    ​Betohet komisionerja parlamentare për FSK-në

    Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës është betuar komisionerja parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Remzie Zeqiraj.

    Gjatë betimit, ajo tha se do i kryejë me besnikëri dhe në mënyrë të paanshme detyrat dhe funksionet që i ka të përcaktuara me ligj.

    “Betohem solemnisht se do i kryejë me besnikëri dhe në mënyrë të paanshme detyrat dhe funksionet që më janë besuar me ligj. Se do t’i mbrojë dhe avancojë respektimin e të drejta dhe lirive të njeriut për rektrutët, kadetët dhe ushtarakët e FKS-së”, tha ajo gjatë betimit.

    Pas betimit, ajo ka nënshkruar edhe tekstin e betimit.

    Remzie Zeqiraj është zgjedhur komisionere parlamentare për FSK-në me datën 14 shkurt të këtij viti.

  • Një revolucion në mjekësi: Trupi i njeriut ka një organ të ri

    Një revolucion në mjekësi: Trupi i njeriut ka një organ të ri

    Aorta, arteria kryesore dhe më e madhe e gjakut, e cila çon gjakun nga zemra në pjesën tjetër të trupit, ka marrë një nder të veçantë në botën e mjekësisë, duke u njohur si një organ i veçantë i njeriut.

    “Është një hap i madh,” tha Martin Czerny nga Spitali Universitar Freiburg në Gjermani. Njohja e aortës si organ e vendos atë në të njëjtin nivel me organet e tjera, zemrën, mushkëritë dhe trurin.

    Statusi i ri i organit është i vlefshëm në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara, pasi është përcaktuar si i tillë në udhëzimet e Shoqatës Evropiane për Kirurgjinë Kardiotorakale (EACTS) dhe të Shoqatës Amerikane të Kirurgëve Torakale (STS).

    “Ky vendim do të bëjë ndryshim edhe për pacientët, sepse procesi klinik për shumë prej tyre që trajtohen për sëmundjen e aortës ndoshta do të jetë i ndryshëm dhe shpresojmë që tani e tutje më optimal”, theksoi ai.

    Deri më tani, ishte e zakonshme që sëmundjet e aortës të trajtoheshin ose në kardiokirurgji ose në kirurgji vaskulare, në varësi të llojit dhe vendndodhjes. Udhëzimet e reja rekomandojnë qartë trajtimin e aortës si një zonë të veçantë mjekësore.

    “Duhet të lidhet me fusha të tjera të ngjashme të mjekësisë,” shpjegoi Czerny, drejtor i një spitali për kirurgji kardiovaskulare në Gjermani. “E gjithë kjo do të përmirësojë trajtimin e këputjeve të aortës dhe sëmundjeve të tjera të rënda”, tha Czerny.

    Aorta është përgjegjëse për transportimin e gjakut të pasur me oksigjen nga zemra në trup. Kjo enë e madhe gjaku është arteria më e madhe në trup dhe shtrihet nga barkushja e majtë deri te enët në zonën e legenit. Ajo gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e presionit të gjakut dhe shpejtësinë e rrjedhjes së gjakut. /tesheshi.com/

  • Hajredin Kuçi thotë se shtëpia e tij nuk është bastisur nga EULEX

    Hajredin Kuçi thotë se shtëpia e tij nuk është bastisur nga EULEX

    Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në një bisedë telefonike me ATV-në, tha se shtëpia e tij nuk është bastisur nga EULEX.

    Ndërkohë, shtëpia e ish-Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimit, në lagjen “Qëndresa” në Veternik, është duke u bastisur nga mëngjesi.

    Në anën tjetër, ZPS ka konfirmuar se po kryen aksione në Kosovë, duke mos dhënë më shumë detaje për lokacionet ku po kryen bastisjet.

    “Prokuroria e Specializuar po kryen operacione të vazhdueshme”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

    Nuk dihen arsyet për këto bastisje, megjithatë bazuar nga bastisjet në të kaluarën, mund të ketë ndërlidhje me akuzat për pengim të drejtësisë. /atvlive.tv

  • Kim Jong Un urdhëron ushtrinë: Bëhuni gati për luftë

    Kim Jong Un urdhëron ushtrinë: Bëhuni gati për luftë

    Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, të mërkurën inspektoi stërvitjen e trupave në një bazë të madhe operative ushtarake në rajonin perëndimor të vendit dhe urdhëroi rritjen e gatishmërisë për luftë, njoftoi të enjten agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA.

    Stërvitja, vendndodhja e së cilës nuk është identifikuar, vjen pas fillimit të stërvitjeve vjetore të përbashkëta ushtarake nga forcat amerikane dhe koreano-jugore të hënën, gjë që ka dyfishuar numrin e trupave në krahasim me vitin e kaluar.

    Kim ka thënë se ushtria duhet “të vendosë në mënyrë të shpejtë një kulm të ri të intensifikimit të përgatitjeve të luftës në përputhje me kërkesat e situatës mbizotëruese”.

    “Ushtria jonë duhet të intensifikojë vazhdimisht stërvitjet e luftës me qëllim të përmirësimit të aftësive të saj luftarake për gatishmëri të përsosur luftarake”, u ka thënë Kim ushtarëve.

  • Presidentja Osmani uron 7 Marsin: Mësuesit janë garancia për cilësinë dhe formimin e brezave

    Presidentja Osmani uron 7 Marsin: Mësuesit janë garancia për cilësinë dhe formimin e brezave

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar 7 Marsin, duke thënë se sa më shumë investim në arsim do të nderohet më shumë përkushtimi i mësuesve.

    “137 vite më parë me ndërtimin e mësonjtores së parë shqipe u vu guri themeltar i arsimit shqip. Investimi në arsim është jetik për mirëqenien shoqërore dhe shtetërore. Shkolla dhe mësuesit luajnë një rol vendimtar për një shoqëri të përparuar dhe shtet të zhvilluar. Sa më shumë investime në arsim, më shumë do ta nderojmë përkushtimin e palodhur të mësuesve tanë”, ka shkruar Osmani.

    Ajo tha se mësuesit janë garancia për cilësinë dhe formimin e brezave të ardhshëm.

    “Të dashura mësuese, të dashur mësues, urime 7 Marsi!”, shkroi Osmani.

     

  • ZPS konfirmon se po kryen aksione në Kosovë

    ZPS konfirmon se po kryen aksione në Kosovë

    Gjykata Speciale ka bastisur sot shtëpitë e ish-eprorit të UÇK-së, Sylejman Selimit dhe ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçit.

    Prokuroria e Specializuar e Hagës ka konfirmuar se po kryen aksione në Kosovë.

    Megjithatë, arsyet pse nuk janë bërë të ditura.

    “Prokuroria e Specializuar po kryen operacione të vazhdueshme”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

    Nuk dihen arsyet për këto bastisje, megjithatë bazuar nga bastisjet në të kaluarën, mund të ketë ndërlidhje me akuzat për pengim të drejtësisë.

  • PSD-ja kundërshton Ligjin e ri të KPK-së, e vendos Kurtin si prokuror

    PSD-ja kundërshton Ligjin e ri të KPK-së, e vendos Kurtin si prokuror

    Partia Socialdemokrate (PSD), të enjten ka mbajtur një aksion simbolik për të kundërshtuar Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, para nisjes së seancës ku do të diskutohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për KPK, raporton Ekonomia Online.

    Në hyrje të Kuvendit të Kosovës, PSD-ja ka vendosur një kukull me fotografinë e kryeministrit Kurti i veshur me togë të prokurorit, e në të cilën shkruan “Dua të bëhem prokuror”.