ATV

Blog

  • LVV mbyll ditën e dhjetë të fushatës me paralajmërim për tubimin final në Prishtinë

    LVV mbyll ditën e dhjetë të fushatës me paralajmërim për tubimin final në Prishtinë

    Kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë ditës së fundit të fushatës ka zhvilluar aktivitete të shumta në terren dhe ka ndarë mesazhe e zotime nga takimet e mëparshme.

    Në mëngjes, Kurti publikoi një mesazh kushtuar Mujë Krasniqit – Komandant Kapuçit, me rastin e ditëlindjes së tij. Ai njoftoi se takoi bacën Lilë, me të cilin ndau rrëfime për figurën e Krasniqit, të cilin e përshkroi si simbol të qëndresës dhe përkushtimit për liri.

    Gjatë pasdites, Kurti zhvilloi një vizitë në Prizren, ku u prit nga Haxhi Krasniqi me familjarët e tij. Sipas njoftimit, diskutimet u përqendruan në tema të ndryshme si mbrojtja dhe siguria, industria dhe prodhimi, si dhe arsimi e shëndetësia.

    Ndërkohë, Kurti shpërndau edhe pamje nga një tubim i mbajtur të premten në Sharr, ku u rikujtuan disa premtime elektorale.

    Tubimi përmbyllës zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje do të mbahet në Prishtinë, prapa Pallatit të Rinisë, në orën 20:30.

  • PSD në ditën e fundit të fushatës, Molliqaj kërkon mbështetje për opozitë aktive

    PSD në ditën e fundit të fushatës, Molliqaj kërkon mbështetje për opozitë aktive

    Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj, ka bërë disa thirrje publike për pjesëmarrje në votim, duke u fokusuar veçanërisht te diaspora dhe zgjedhja e një opozite aktive në Kuvend.

    Përmes një video-incizimi të publikuar në Facebook, Molliqaj ka deklaruar se procesi i votimit për diasporën tashmë ka filluar dhe ka ftuar të gjithë qytetarët e regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike apo me postë që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë.

    Në një video tjetër, kreu i PSD-së ka komentuar edhe garën politike, duke thënë se zgjedhjet nuk po përcaktojnë drejtpërdrejt pushtetin, por përbërjen e opozitës në Kuvend.

    Në fund të deklaratës së tij, Molliqaj ka kërkuar votën e qytetarëve duke e paraqitur PSD-në si zgjedhje për ata që kërkojnë një opozitë aktive në legjislaturën e re.

  • “Votoni pa frikë”, mesazhi i fundit i Rashiq në prag të zgjedhjeve

    “Votoni pa frikë”, mesazhi i fundit i Rashiq në prag të zgjedhjeve

    Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, kryetari i partisë Za Slobodu, Pravdu i Opstanak, Nenad Rashiq, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime pa frikë dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

    Përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, Rashiq tha se qytetarët nuk duhet t’u besojnë pretendimeve se vota e tyre mund të kontrollohet.

    Gjatë një vizite në Leposaviq, ai vuri në pah mbështetjen që, sipas tij, institucionet kanë ofruar për bizneset e vogla familjare dhe fermerët gjatë viteve të fundit. Rashiq tha se në tre vitet e fundit janë mbështetur 278 fermerë dhe 278 biznese të vogla, duke premtuar vazhdimin dhe zgjerimin e kësaj mbështetjeje në mandatin e ardhshëm.

    Në një video tjetër, Rashiq tha se janë ndërtuar 142 shtëpi, janë ndihmuar 506 familje me materiale ndërtimi, 617 familje me pajisje shtëpiake dhe mobilie.

  • Policia dhe Prokuroria: Raportoni çdo tentativë për manipulim të votës

    Policia dhe Prokuroria: Raportoni çdo tentativë për manipulim të votës

    Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo parregullsi apo ndërhyrje të kundërligjshme që mund të cenojë integritetin e procesit zgjedhor.

    Në një njoftim të përbashkët, institucionet theksuan se qytetarët duhet ta ushtrojnë të drejtën e votës në mënyrë të lirë, pa presion, frikësim apo ndikim nga palë të ndryshme.

    Sipas autoriteteve, Policia dhe Prokuroria janë duke monitoruar vazhdimisht situatën në terren dhe do të trajtojnë me prioritet çdo informacion që lidhet me shkelje të mundshme gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

    Po ashtu, qytetarët janë ftuar që, pa dallim etnie, gjuhe apo bindjeje politike, të bashkëpunojnë me institucionet duke raportuar rastet e dyshuara të kërcënimit, presionit, blerjes së votës apo çdo forme tjetër të ndikimit të paligjshëm në procesin zgjedhor.

    Autoritetet ritheksuan përkushtimin e tyre për garantimin e një procesi zgjedhor të lirë, të drejtë dhe demokratik.

  • Hargreaves: Kosova duhet t’i bindë aleatët se është gati për NATO-n dhe BE-në

    Hargreaves: Kosova duhet t’i bindë aleatët se është gati për NATO-n dhe BE-në

    Kosova duhet të dëshmojë me vepra se është e gatshme për avancimin e aspiratave të saj euroatlantike dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Kështu ka deklaruar ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një intervistë ku ka folur për pritjet e aleatëve ndaj Kosovës dhe rrugën e saj drejt integrimeve.

    Sipas ambasadorit britanik, Londra mbështet fuqishëm Kosovën në synimet e saj për t’u afruar me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, por ka theksuar se progresi nuk është i garantuar.

    “Mbretëria e Bashkuar dëshiron ta shohë Kosovën të ketë sukses si një shtet modern evropian dhe e mbështet fuqishëm ambicien e saj për të thelluar lidhjet me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

    Por ky progres nuk është automatik. Kosova duhet t’i bindë aleatët se është e gatshme. Kjo varet nga tri gjëra: demokraci e besueshme, me zgjedhje të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse; institucione funksionale, përfshirë një qeveri stabile të aftë për kompromis ndërpartiak; dhe një shtet multietnik që siguron trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet”, tha Hargreaves për IndeksOnline.

    Ai shtoi se në rrethanat aktuale ndërkombëtare, partnerët e Kosovës po kërkojnë shtete të afta për të marrë vendime dhe për të vepruar me efikasitet.

    “Në një kohë të presioneve më të gjera globale, partnerët e Kosovës po kërkojnë aleatë të besueshëm dhe efektivë. Kosova mund të jetë një prej tyre, por duhet të tregojë se mund të marrë vendime dhe të ecë përpara”, deklaroi ambasadori britanik.

    Hargreaves theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të institucioneve dhe stabilitetit politik për të avancuar pozicionin ndërkombëtar të vendit teksa shtoj se ngërçi aktual rrezikon ta dobësojë besueshmërinë e Kosovës dhe t’u japë mundësi të tjerëve të minojnë stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e saj.

    “Kosova duhet të jetë krenare për historikun e saj demokratik. Edhe Mbretëria e Bashkuar është krenare që ka qenë përkrah Kosovës në këtë rrugëtim. Por ngërçi aktual rrezikon ta dobësojë besueshmërinë e Kosovës dhe t’u japë mundësi të tjerëve të minojnë stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e saj”, ka thënë ambasadori britanik.

  • Merz: Serbia duhet të zgjedhë midis Evropës, Rusisë dhe Kinës

    Merz: Serbia duhet të zgjedhë midis Evropës, Rusisë dhe Kinës

    Udhëheqësit evropianë sot, në fund të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, konfirmuan angazhimin e tyre për zgjerimin e BE-së dhe informuan Serbinë se progresi i saj drejt anëtarësimit varet nga zbatimi i reformave dhe harmonizimi me politikën e jashtme evropiane, që do të thotë se Beogradi duhet të zgjedhë midis Evropës, Rusisë dhe Kinës.

    Në samitin e sotëm, i cili kaloi pa miratuar një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit e BE-së dhe shteteve anëtare të saj konfirmuan angazhimin e tyre ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, raporton agjencia sllovene e lajmeve STA.

    Ata e theksuan edhe një herë Malin e Zi si një kandidat kryesor, i cili aspiron të bëhet anëtari i 28-të i unionit deri në vitin 2028, dhe i bënë thirrje Serbisë të reformojë dhe të përafrojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të Bashkimit Evropian.

    Merz u tha gazetarëve në Tivat se Serbia duhet të vendosë qartë se ku e sheh të ardhmen e saj.

    “Nuk është e mundur të ndiqet një politikë luhatjeje midis Rusisë, Kinës dhe Evropës”, ishte i qartë ai.

  • Gjashtë të vrarë nga sulmet izraelite në Liban

    Gjashtë të vrarë nga sulmet izraelite në Liban

    Sulmet ajrore të vazhdueshme të Izraelit në Liban kanë vrarë gjashtë persona, sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit (NNA).

    Sulmi ajror kishte në shënjestër qytetin Saksakiyah në jug të vendit. Ai erdhi pas sulmeve të mëhershme që vranë disa ushtarë libanezë në një rrugë në jug të Libanit, sipas ushtrisë, raporton skynews – transmeton Sinjali.

    Më herët, edhe një person tjetër u vra në një sulm në një rrugë tjetër në jug, sipas NNA.

    Izraeli gjithashtu ka lëshuar urdhra të rinj për evakuim për disa qytete dhe fshatra në orën 8:00 të mëngjesit, gjë që shihet si shenjë e sulmeve të afërta ajrore.

    Sipas përditësimit të fundit të ministrisë së shëndetësisë, numri i të vrarëve që nga fillimi i luftës më 2 mars ka kaluar 3,500 persona.

  • Gjermania humbet talentin Lennart Karl para Kupës së Botës 2026

    Gjermania humbet talentin Lennart Karl para Kupës së Botës 2026

    Kombëtarja gjermane do të duhet të ecë pa një nga talentet e saj më të mëdha, Lennart Karl, i cili nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 për shkak të një dëmtimi në muskulin e kofshës. 18-vjeçari i Bayernit u lëndua gjatë seancës stërvitore para një ndeshjeje miqësore kundër Shteteve të Bashkuara.

    Karl kishte spikatur në fitoren 4-0 ndaj Finlandës, ku e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe regjistroi një asistim. Në vend të tij, trajneri Julian Nagelsmann ka thirrur mesfushorin e RB Leipzig, Assan Ouedraogo.

    “Është një tronditje për Lennartin dhe për ekipin, por ai është shumë i ri dhe ka shumë mundësi në të ardhmen,” tha Nagelsmann. Për Ouedraogon, trajneri shtoi: “Ai është jashtëzakonisht i talentuar dhe presim shumë nga performanca e tij.”

    Gjermania do të hapë garën në Grupin E më 14 qershor kundër Curacaos, më pas do të përballet me Bregun e Fildishtë më 20 qershor dhe Ekuadorin më 25 qershor.

  • Hovenier këshillon Kosovën për raportin me Amerikën: Nëse i thoni jo për gazin, SHBA e humb interesin edhe më shumë

    Hovenier këshillon Kosovën për raportin me Amerikën: Nëse i thoni jo për gazin, SHBA e humb interesin edhe më shumë

    Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump ka dëshmuar se është transaksionale në qasjen e saj ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

    Në një intervistë për Rubikon ai tha se administrata e Trumpit është e gatshme të bëjë marrëveshje me palët që tregojnë interes, ndërsa mungesa e gatishmërisë për bashkëpunim mund të ndikojë në nivelin e angazhimit amerikan dhe të çojë potencialin diku tjetër.

    “Administrata e Trumpit është dëshmuar si transaksionale. Nëse jeni të gatshëm të bëni marrëveshje, bëni; nëse jo, nuk jeni të interesuar. Nëse Kosova nuk i përgjigjet ofertës së administratës së Trumpit për LNG, atëherë administrata e Trumpit do të humbë edhe më shumë interes për Kosovën, dhe çdo veprim sa i përket dialogut dhe partneritetit energjetik e forcon Kosovën si partner. Çdo veprim në kundërshtim me këtë e çon potencialin diku tjetër”, ka deklaruar Hovenier.

  • Pesë raste të dhunës në familje raportohen për 24 orë në Kosovë, 4 persona arrestohen

    Pesë raste të dhunës në familje raportohen për 24 orë në Kosovë, 4 persona arrestohen

    Policia e Kosovës ka raportuar pesë raste të dhunës në familje gjatë 5 qershorit në Prishtinë, Obiliq, Malishevë dhe Gjakovë.

    Në Prishtinë, një çift bashkëshortor u arrestua pasi pas një mosmarrëveshjeje sulmuan fizikisht njëri-tjetrin. Pas intervistimit, të dy u liruan në procedurë të rregullt.

    “Prishtinë / 05.06.2026-01:30. Janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë (burrë e grua) bashkëshort në mes vete pasi të njëjti pas një mosmarrëveshje, kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin. Të dyshuarit nuk kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa në konsultim me prokurorin pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

    Po ashtu, është raportuar edhe një rast i dhunës psikologjike, ku një burrë dyshohet se kishte ushtruar vazhdimisht presion dhe dhunë psikike ndaj partneres me të cilën bashkëjeton. Rasti mbetet nën hetime.

    “Prishtinë 19.05.2026, 20:00. I dyshuari m/k me të cilin bashkëjeton ankuesja f/k, në vazhdimësi dyshohet se kishte shkaktuar dhunë psiqike ndaj saj. Rasti nën hetime nga njësitet kompetente policore.
    Në Obiliq, një person u arrestua nën dyshimin se kishte tentuar të sulmonte familjarët e tij. Pas trajtimit mjekësor dhe vlerësimit në repartin e neuropsikiatrisë në QKUK, ai u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit”, thuhet ne raport.

    “Obiliq / 05.06.2026-07:20. Është arrestuar i dyshuari m/k, nën dyshimin se i njëjti ka tentuar t’i sulmoj familjarët e tij. Të dyshuarit fillimisht i është ofruar tretman mjekësor, pastaj me rekomandim është dërguar edhe në QKUK në repartin e neuropsikiatrisë. Me vendim të prokurorit, pasi i dyshuari është trajtuar, është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe është dërguar në mbajtje.
    Në Malishevë, një i dyshuar në gjendje të dehur u arrestua për ushtrim të dhunës në familje dhe pas trajtimit mjekësor u dërgua në mbajtje”.

    “Malishevë / 05.06.2026-09:50. Është arrestuar i dyshuari m/k pasi që i njëjti në gjendje të dehur, dyshohet se ka ushtruar dhunë në familjen e tij. I dyshuari, fillimisht është dërguar në QKMF- për tretman mjekësor, pastaj me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhe në raportin e policisë.

    Ndërkaq, në Gjakovë, një burrë u arrestua pasi dyshohet se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij pas një mosmarrëveshjeje. Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje.

    “Gjakovë 05.06.2026, 23:00. Është arrestuar i dyshuari m/k pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën f/k bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.