ATV

Blog

  • Kurti: Synojmë që në mandatin e ardhshëm të ketë pagë të 14-të për sektorin publik

    Kurti: Synojmë që në mandatin e ardhshëm të ketë pagë të 14-të për sektorin publik

    Në ditën e nëntë të fushatës elektorale, Lëvizja Vetëvendosje mbajti një tubim në qytetin e Prizrenit, ku kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, prezantoi arritjet e qeverisjes së tij dhe planet për mandatin e ardhshëm.

    Kurti gjatë fjalimit të tij tha se gjatë katër viteve të fundit janë nisur projekte të pakthyeshme, teksa prezantoi një projekt të ri për prodhimtari.

    Në fushën e mbrojtjes, Kurti premtoi se një pjesë e miliardit të investuar në ushtri do të shkojë për zhvillimin e industrisë së brendshme ushtarake, duke përfshirë prodhimin e dronëve dhe fishekëve.

    Kurti gjithashtu njoftoi një politikë të re për pagat në sektorin publik ku synimi i LVV-së është të implementohet edhe paga e 14-të. Në të ardhmen, synohet që edhe punëtorët e sektorit privat të përfitojnë pagën e 13-të.

  • PSD akuzon PDK-në për kalkulime elektorale dhe interesa të ngushta politike

    PSD akuzon PDK-në për kalkulime elektorale dhe interesa të ngushta politike

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj, në ditën e nëntë të fushatës elektorale ka publikuar një video-incizim në rrjetin social Facebook, ku ka kritikuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidatin e kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamzën.

    Në videon e publikuar, Molliqaj ka deklaruar se, sipas tij, sa më afër datës 7 qershor, aq më të dukshme po bëhen synimet e PDK-së dhe Bedri Hamzës për pushtet.

    Ai ka ngritur pyetje lidhur me qëndrimet e PDK-së ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke pretenduar se kjo parti më herët e kishte cilësuar Kurtin si rrezik për vendin, ndërsa tani, sipas tij, po lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit pas zgjedhjeve.

    Sipas tij, deklaratat e zyrtarëve të PDK-së për mundësinë që Albin Kurti të bëhet president tregojnë se çështja kryesore nuk ka qenë “rreziku” që ata kanë përmendur më herët, por ndarja e pushtetit.

    Në fund, kreu i PSD-së u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë për PSD-në këtë të diele.

  • PDK premton mbështetje për çiftet e reja për çerdhet publike dhe private

    PDK premton mbështetje për çiftet e reja për çerdhet publike dhe private

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, në kuadër të ditës së nëntë të fushatës zgjedhore në tubimin e mbajtur në Podujevë, ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke përmendur projekte infrastrukturore të papërfunduara.

    Gjashtë vjet pritje, gjashtë vjet arsyetime, gjashtë vjet të humbura. Kosova nuk pret më tha Hamza.

    Në tubimin e zhvilluar në Mitrovicë, Hamza prezantoi disa zotime programore.

    Hamza gjithashtu premtoi rritjen e pagave dhe pensioneve për 50 për qind, duke deklaruar se nuk do të ketë më pension nën 300 euro.

  • Lista Serbe me tubime në Veri, kërkon mbështetje për numrin 119

    Lista Serbe me tubime në Veri, kërkon mbështetje për numrin 119

    Në ditën e nëntë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen këtë të diel, Lista Serbe vijoi takimet e saj në komunat veriore të Kosovës, duke përcjellë mesazhe të unitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve.

    Përmes një postimi në Facebook, Lista Serbe njoftoi se në Shtëpinë e Kulturës në Leposaviq është mbajtur një konventë zgjedhore, ku sipas partisë, morën pjesë një numër i madh qytetarësh.

    Në tubim folën kandidatët për deputetë Slavko Simiq, Jovana Radosavljeviq, Tanja Vujoviq dhe Igor Simiq, të cilët bënë thirrje për harmoni dhe bashkëpunim. Fjalën përmbyllëse e mbajti kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, i cili tha se vetëm i bashkuar populli serb mund të ruajë interesat kombëtare dhe të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme për komunitetin serb në Kosovë.

    “Faleminderit të gjithë qytetarëve që treguan forcë, vendosmëri dhe besim në Listën Serbe me praninë e tyre. NJË KOMB, NJË LISTË, VETËM LISTË SERBE 119,” citohet të ketë thënë Elek.

    Aktivitet zgjedhor është mbajtur edhe në Leshak të Leposaviqit, ku përfaqësuesit e Listës Serbe diskutuan me qytetarët për zgjedhjet e së dielës dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në votim.

    Partia ka përsëritur sloganet e saj të fushatës, duke bërë thirrje për unitet të komunitetit serb dhe mbështetje për Listën Serbe në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

  • LDK mbyll fushatën elektorale me tubim në sheshin “Skenderbeu”

    LDK mbyll fushatën elektorale me tubim në sheshin “Skenderbeu”

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në Sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.

    Në tubim, qytetarët shprehën përkrahje për bartësen e listës, kandidates për presidente, Vjosa Osmani, kreun e LDK-së dhe kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhiku, si dhe për listën e plotë prej 110 kandidatëve për deputetë.

    Në fjalimin e tij, Abdixhiku tha se prioritet i LDK-së është ngritja e Kosovës dhe zhvillimi i projekteve konkrete për qytetarët.

    Kreu i LDK-së gjithashtu premtoi zgjidhje energjetike dhe bashkëpunim të fuqishëm me partnerët ndërkombëtarë.

    Vjosa Osmani u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të votojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Tubimi përmbyllës i LDK-së shënoi përmbylljen e fushatës zgjedhore të kësaj partie, e cila tashmë hyn në fazën finale para zgjedhjeve të së dielës.

  • AAK premton ta bëjë realitet fondin e sigurimeve shëndetësore në mandatin e parë qeverisës

    AAK premton ta bëjë realitet fondin e sigurimeve shëndetësore në mandatin e parë qeverisës

    Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini, ka vazhduar aktivitetet elektorale në ditën e nëntë të fushatës përmes video-incizimeve, tubimit në Drenas dhe Podujevë.

    Në kuadër të prezantimit të programit qeverisës, Gjini tha se Aleanca synon ta bëjë funksional Fondin e Sigurimeve Shëndetësore që në vitin e parë të qeverisjes.

    Ndërkohë, në një tubim elektoral në Drenas, kandidati i AAK-së kërkoi mbështetjen e qytetarëve për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Gjini në Pejë pati edhe disa fjale për përurimin e vadës në fshatin Lupç të Podujevës.

  • Situata e bllokuar mes Barcelonës dhe Atletico Madridit për Julian Alvarez

    Situata e bllokuar mes Barcelonës dhe Atletico Madridit për Julian Alvarez

    E ardhmja e Julian Alvarez është bërë një nga temat kryesore të merkatos verore, teksa interesimi i Barcelonës po has në rezistencë të fortë nga Atletico Madridi.

    Sipas mediave spanjolle, situata aktualisht konsiderohet “e ngrirë” dhe nuk pritet ndonjë zhvillim i menjëhershëm, pavarësisht spekulimeve për një kalim të mundshëm të sulmuesit në Camp Nou. Raportohet se Barcelona është e gatshme të negociojë dhe se Alvarez e vlerëson projektin blaugrana, por ai nuk do të ushtrojë presion për të lënë Atletico Madridin, duke forcuar kështu pozicionin negociues të klubit madrilen.

    Atletico mbetet i vendosur që Alvarez të qëndrojë në skuadër edhe pas verës. Presidenti Enrique Cerezo dhe drejtori sportiv Gil Marín po ndërtojnë ekipin e sezonit të ardhshëm me sulmuesin argjentinas si pikë qendrore të sulmit. Sipas raportimeve, klubi nuk ka ndërmend ta shesë Alvarez te Barcelona, sidomos për shkak të marrëdhënieve të tensionuara mes dy klubeve pas disa shkëmbimeve publike.

    Edhe pse Arsenal është përmendur si destinacion i mundshëm, Alvarez nuk duket i interesuar për një kalim në Londër, duke e kufizuar më tej fushën e opsioneve të tij. Aktualisht, skenari më i mundshëm mbetet që sulmuesi të qëndrojë te Atletico, përveç nëse njëra palë ndryshon ndjeshëm qëndrim.

    Përtej çështjes Alvarez, Atletico po përgatitet edhe për verën në planin më të gjerë. Përforcimi i mbrojtësit të majtë është prioritet, me Marc Cucurellën e Chelseat të identifikuar si objektivi kryesor, megjithëse çmimi i tij mund të komplikojë negociatat.

    Në mesfushë, klubi vazhdon të monitorojë situatën e Bernardo Silvës dhe mbetet optimist për një transferim të mundshëm, pavarësisht konkurrencës nga Barcelona.

  • PZAP anulon vendimin e KQZ-së, diaspora s’lejohet të votojë me dokumente të skaduara

    PZAP anulon vendimin e KQZ-së, diaspora s’lejohet të votojë me dokumente të skaduara

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shfuqizuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili kishte lejuar votimin me dokumente identifikimi të skaduara në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

    Sipas PZAP-së, ankesa e paraqitur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është aprovuar si e bazuar, në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    “ANULOHET vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr.01/1198/2026 i datës 03.06.2026, lidhur me Miratimin e Rekomandimit për Lejimin e Votimit me Dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në Qendrat e Votimit në Përfaqësitë Diplomatike”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

    Në arsyetimin e vendimit, paneli ka theksuar se pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, përgjigjes së KQZ-së dhe dokumentacionit përkatës, ka konstatuar se ankesa është e bazuar.

    “Paneli, pasi shqyrtoi pretendimet ankimore, përgjigjen në ankesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendimin e kontestuar dhe shkresat e tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e bazuar. Paneli ka gjetur se nga shkresat e lëndës rezulton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 01/1198/2026, të datës 03.06.2026, ka miratuar rekomandimin për lejimin e votimit me dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike”.

    Sipas PZAP-së, KQZ-ja nuk ka pasur bazë ligjore për të lejuar votimin me dokumente të skaduara, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon dokumente të vlefshme identifikimi.

    Paneli i referohet nenit 90, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku përcaktohet se votuesit duhet të identifikohen me dokument të vlefshëm si letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje.

    Po ashtu, PZAP vlerëson se dispozita ligjore është e qartë dhe nuk lejon interpretime që do të trajtonin dokumentin e skaduar si të vlefshëm për votim.

    “Në këtë rast ligji nuk ka përdorur vetëm termin “dokument identifikimi”, por shprehimisht ka kërkuar “dokumente të vlefshme të identifikimit”. Prandaj, vlefshmëria e dokumentit nuk është vetëm element formal i rëndësishëm, por një kusht ligjor për identifikimin e votuesit në ditën e votimit dhe dhënies së mundësisë për të votuar”.

    Paneli ka trajtuar edhe argumentin e KQZ-së se gjatë regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës janë pranuar aplikime me dokumente të skaduara.

    “Në përgjigjen e dhënë KQZ ka theksuar se gjatë fazës së regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, ka lejuar që aplikues të caktuar të regjistrohen duke paraqitur dokumente të identifikimit me afat të skaduar. Mirëpo PZAP vlerëson se kjo rrethanë nuk mund të interpretohet si e drejtë për të votuar me dokument të skaduar në ditën e votimit, pasi regjistrimi dhe votimi janë dy faza të ndryshme të procesit zgjedhor”.

  • Presidenti i Fenerbahçes dënohet me burg për çështje të basteve të paligjshme

    Presidenti i Fenerbahçes dënohet me burg për çështje të basteve të paligjshme

    Presidenti i Fenerbahçes, Sadettin Saran, është dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim pas një procesi gjyqësor që lidhet me akuza për promovimin e basteve të paligjshme.

    Vendimi i gjykatës vjen në një moment delikat për gjigantin e Stambollit, vetëm pak ditë para Mbledhjes së Jashtëzakonshme Zgjedhore të Asamblesë së Përgjithshme të klubit, e cila pritet të mbahet këtë fundjavë.

    Një gjykatë në Stamboll dënoi Sadettin Saran dhe vëllain e tij, Alan Kenan Saran, me nga dy vjet e gjashtë muaj burg secilin. Dyshja nuk ishte e pranishme gjatë seancës gjyqësore, ndërsa përveç dënimit me burg, ata u gjobitën edhe me nga rreth 10 mijë euro secili.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria, gjatë transmetimit të një ndeshjeje futbolli në një platformë mediatike në pronësi të Saran Group, ishin shfaqur reklama që promovonin lojëra të fatit të paligjshme.

    Përfaqësuesi ligjor i Federatës Turke të Futbollit kërkoi dënimin e të akuzuarve, ndërsa avokatët mbrojtës kërkuan shpalljen e pafajësisë.

    Pas shpalljes së vendimit, këshilltari ligjor i Sadettin Saranit, Serdar Yiğit, reagoi duke theksuar se disa drejtues të Saran Group janë shpallur të pafajshëm në të njëjtin proces.

    “E mirëpresim vendimin për klientët tanë që janë drejtues në Saran Group dhe që janë shpallur të pafajshëm”, deklaroi ai.

    Avokati shtoi se vendimi ndaj Sadettin Saran dhe Alan Kenan Saran nuk është ende i formës së prerë dhe do të shqyrtohet nga instancat më të larta gjyqësore pas paraqitjes së ankesave.

    Për rrjedhojë, çështja mbetet e hapur dhe vendimi përfundimtar do të varet nga procesi i apelimit në gjykatat kompetente.

  • Real Madrid synon transferimin rekord të Michael Olise këtë verë

    Real Madrid synon transferimin rekord të Michael Olise këtë verë

    Klubi mbretëror, Real Madrid, thuhet se po përgatit një ofertë të madhe për Michael Olise gjatë merkatos së verës. Sipas mediave britanike, kandidati për president të klubit, Florentino Pérez, planifikon të bëjë një ofertë rreth 150 milionë eurosh për të nënshkruar me sulmuesin anësor të Bayern Munich, nëse rizgjidhet në postin e tij.

    Olise pati një sezon fantastik 2025/26, duke u bërë një nga sulmuesit më të mirë në botë. Ylli 24-vjeçar francez shënoi 22 gola dhe regjistroi 31 asistime në të gjitha garat për bavarezët.

    Një sulm me Vinícius Júnior, Kylian Mbappé dhe Olise pritet të jetë ndër më frikshmit në futbollin evropian, duke ofruar shpejtësi, teknikë dhe kreativitet nga krahët.

    Olise gjithashtu spikati në dy ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit sezonin e kaluar, duke treguar se mund të performojë në nivele të larta edhe kundër klubeve më të mëdha.

    Megjithatë, Bayern Munich nuk ka treguar gatishmëri për ta shitur dhe kontrata e tij skadon në vitin 2029, kështu që një marrëveshje nuk është ende e sigurt.