ATV

Blog

  • E pengoi dhe tentoi ta sulmonte personin zyrtar, arrestohet një burrë në Prizren

    E pengoi dhe tentoi ta sulmonte personin zyrtar, arrestohet një burrë në Prizren

    Është arrestuar një burrë në Prizren, e cili dyshohet se ka penguar në punë dhe ka tentuar të kryente sulm fizik ndaj një zyrtar policor.

    “Viktima mashkull kosovar zyrtar policor, ka raportuar se derisa ka qenë duke punuar në zyrën për vërtetime të kaluarës kriminale, i dyshuari mashkull kosovar duke e penguar në kryerje të detyrës ka tentuar ta sulmojë fizikisht”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

  • Zelensky zotohet se do t’i kundërpërgjigjet Rusisë për vrasjen e 20 njerëzve në Odesa

    Zelensky zotohet se do t’i kundërpërgjigjet Rusisë për vrasjen e 20 njerëzve në Odesa

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat ruse që e sulmuan të premten qytetin ukrainas të portit në Detin e Zi, Odesa, do të marrin “përgjigje të drejtë” nga forcat e Kievit.

    Rusia e sulmoi Odesën me raketa dhe me dronë të premten, duke i vrarë 20 njerëz dhe duke i plagosur mbi 70 të tjerë, tha Shërbimi Shtetëror Emergjent i Ukrainës.

    Dy raketa ruse Iskander-M, të shkrepura nga Krimea e uzurpuar nga Rusia, e goditën një zonë banimi në Odesa, tha guvernatori i këtij rajoni, Oleh Kiper.

    Disa nga të vdekurit ishin mjekë dhe shpëtimtarë, të cilët u vranë nga një raketë e dytë, pasi kishin shkuar në vendin e ngjarjes për t’i mjekuar të plagosurit nga raketa e parë, tha Kiper.

    Zelensky e dënoi këtë sulm si “tinëzar” dhe i quajti “fundërrinë” forcat ruse që e kryen sulmin.

    Rusia i ka shpeshtuar sulmet në qytetin jugor ukrainas në javët e fundit, duke lëshuar dronë dhe raketa mbi të pothuajse çdo ditë këtë muaj.

    Sulmi i së premtes ishte ndër më vdekjeprurësit në javët e fundit.

    “Rusia po vazhdon ta terrorizojë Odesën”, tha prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin.

    Autoritetet ukrainase e kanë nisur një hetim dhe e kanë shpallur të shtunën ditë zie.

    Zelensky u takua me komandantët e ushtrisë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov, dhe tha më vonë në Telegram se zyrtarët e tij i kanë identifikuar “vendet më të cenueshme” të armikut.

    Ai tha se sa më i shtrenjtë çmimi që Rusia duhet ta paguajë për agresionin e saj, “aq më afër do të jetë fundi i drejtë i kësaj lufte”./REL/

  • Sot luhet derbi mes Ballkanit e Llapit në Superligë

    Sot luhet derbi mes Ballkanit e Llapit në Superligë

    Sot zhvillohen dy ndeshje në kuadër të javës së 26-të të Superligës së Kosovës në futboll.

    Vëmendja e gjitha do të jetë në Suharekë ku ndeshen dy pretendentët për titull, Ballkani dhe Llapi.

    Aktualisht, Ballkani gjendet në vendin e parë me 51 pikë, një më shumë se Llapi i pozitës së dytë.

    Sot gjithashtu luhet ndeshja mes Lirisë dhe Malishevës.

    Ekipi nga Malisheva është në super formë dhe po lufon për një pozitë në garat evropiane.

    E në krahun tjetër, prizrenasit janë të fundit dhe me një këmbë janë në Ligën e Parë.

  • Ambasada amerikane bën një përmbledhje të vizitës së Escobar, përmend “sfidat në marrëdhëniet dypalëshe”

    Ambasada amerikane bën një përmbledhje të vizitës së Escobar, përmend “sfidat në marrëdhëniet dypalëshe”

    Ambasada amerikane në Prishtinë përmblodhi vizitën e emisarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke treguar për takimet e tij dhe qëllimin e vizitës.

    “Ambasada e SHBA-së në Prishtinë mirëpriti Zëvendësndihmës Sekretarin Gabriel Escobar për një vizitë në Kosovë këtë javë, ku u takua me liderët kosovarë, opozitën, shoqërinë civile dhe përfaqësues të mediave për t’i dhënë mbështetje çuarjes përpara të disa çështjeve urgjente”, shkruan ambasada.

    Gjithashtu, ajo përmend edhe ‘sfidat’ aktuale në marrëdhëniet dypalëshe, por zotohet se mbështetja e SHBA-së për Kosovën është e palëkundur.

    “Siç theksoi Zëvendësndihmës Sekretari Escobar, përderisa kemi disa sfida në marrëdhëniet tona dypalëshe aktualisht, mbështetja jonë për popullin e Kosovës është e palëkundur”.

  • Rusët e vazhdojnë votimin në zgjedhjet presidenciale

    Rusët e vazhdojnë votimin në zgjedhjet presidenciale

    Rusët e kanë filluar të shtunën ditën e dytë të votimit në zgjedhjet presidenciale, gjatë të cilave ka pasur protesta sporadike nga disa qytetarë, të cilët shfaqën zemërimin e tyre me procesin e përgatitur për t’ia dhuruar presidentit Vladimir Putin edhe një mandat tjetër gjashtëvjeçar në pushtet.

    Më shumë se një e treta e 110 milionë qytetarëve rusë me të drejtë vote, votuan të premten fizikisht dhe online në ditën e parë të zgjedhjeve treditore në Rusi, tha Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë (KQZR), pas mbylljes së qendrave të votimit në rajonin perëndimor të vendit, Kaliningard.

    Votimi rifilloi të shtunën në Lindjen e Largët të Rusisë, dhe do të vazhdojë në të gjitha 11 zonat kohore të vendit, si dhe në katër rajone të Ukrainës që Moska i aneksoi jashtëligjshëm gjatë pushtimit të vendit fqinj, i cili nisi në shkurt 2022.

    Disa qytetarë rusë e kanë shprehur zemërimin e tyre me sundimin autoritar të Putinit në ditën e parë të zgjedhjeve, duke i vandalizuar kutitë e votimit.

    Është raportuar edhe për të arrestuar po ashtu gjatë të premtes.

    Fitorja e Putinit në këto zgjedhje është pothuajse e sigurt, dhe ai do ta zgjasë mandatin e tij për edhe gjashtë vjet të tjera.

    Meqë kundërshtarët e Putinit janë në burg, në mërgim apo të vdekur, rezultati i zgjedhjeve dihet tanimë.

    Lufta e pamëshirshme që i ka shtypur mediat e pavarura dhe grupet për të drejtat e njeriut nisi para se Moska të fillonte pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, por ajo është bërë edhe më e ashpër prej atëherë.

    Gati një muaj para zgjedhjeve, kritiku më i zëshëm i Putinit, Alexei Navalny, vdiq në një burg të izoluar në Arktik në rrethana shumë të dyshimta, pasi po vuante dënime me burgim të cilat cilësoheshin si të motivuara politikisht.

    Boris Nadezhdin, një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të, siç tha, nënshkrimeve të pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial.

    Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme e Rusisë.

    Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme.

    Rezultati i zgjedhjeve pritet të bëhet i ditur më 18 mars./REL/

  • Prishtinë: Ushtroi dhunë ndaj nënës, arrestohet djali

    Prishtinë: Ushtroi dhunë ndaj nënës, arrestohet djali

    Një person është arrestuar në Prishtinë, pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti dyshohet të ketë ndodhur në mbrëmjen e së premtes, derisa nuk raportohet për të lënduar.

    Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Rizvanolli jep detaje rreth Ndërmarrjes Publike që u themelua në mbledhjen e fundit të Qeverisë

    Rizvanolli jep detaje rreth Ndërmarrjes Publike që u themelua në mbledhjen e fundit të Qeverisë

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dhënë detaje lidhur me Ndërmarrjen “Korporata e Ruajtjes së Energjisë”, e cila u themeluar në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

    Sipas Rizvanollit, kjo korporatë do të ketë në pronësi dhe do të menaxhojë 125MË të kapacitetit të baterive të Programit Kompakt mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

    Tutje ka thënë se do të ofrojë shërbime si: arbitrazhi i energjisë, balancimi i sistemit energjetik, operimi i sistemit të ruajtjes së energjisë, tregtimi i energjisë së ruajtur në rajon dhe modelimin përmes teknologjisë informative dhe simulimi i sistemit.

    “Përmes grantit më të madh në histori të vendit tonë po ndërtojmë kapacitetet e ruajtjes së energjisë ndër më të mëdhatë për kokë banori në Evropë, e që do të menaxhohen nga kompania më e madhe në rajon e kësaj natyre!”, ka shkruar Rizvanolli.

  • IKShPK-ja paralajmëron personat e ndjeshëm, ajri sot në Prishtinë i cilësisë mesatare

    IKShPK-ja paralajmëron personat e ndjeshëm, ajri sot në Prishtinë i cilësisë mesatare

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje personave të ndjeshëm për kujdes, meqë sot cilësia e ajrit është mesatare.

    Lidhur me këtë, IKShPK-ja ka dalë me disa rekomandime:

    -Të reduktohen daljet në vendet me ajër të ndotur, në mëngjes dhe mbrëmje, sidomos për personat që kanë sëmundje kronike kardiovaskulare dhe respiratore, fëmijët dhe shtatzënat.

    -Të reduktohet përdorimi në shtëpi i lëndëve të ngurta të djegies dhe gatimit, që të zvogëlohen emetimet.

    -Qendroni në shtëpi dhe mos i hapni dritaret për ajrosjen e dhomave kur ndotja është e lartë

    -Të reduktohet pirja e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht të ndalohet pirja e duhanit brenda hapësirave të mbyllura

    -Të përdoret më shumë transporti publik dhe ecja, e më pak veturat

    -Të mos digjet vaj i përdorur, goma plastike, mbeturina, thëngjill, drunjë të lagësht për ngrohje

    -Personat që duhet të dalin në aktivitetet e tyre, të përdorin maska mbrojtëse, të mbulojnë gojën e hundën me shall, si dhe

    -Të bëhet izolimi termik (për aq sa është e mundur) i shtëpive në zonat urbane.

  • Podujevë: Policia kap një 37-vjeçar që synonte të shiste monedha 2 euroshe false – i sekuestrohen 10 mijë euro

    Podujevë: Policia kap një 37-vjeçar që synonte të shiste monedha 2 euroshe false – i sekuestrohen 10 mijë euro

    Policia e Kosovës ka arritur që përmes masave të fshehta të hetimit ta arrestojë një 37-vjeçar që synonte të shiste monedha 2 euroshe të falsifikuara. Rasti ka ndodhur në fshatin Shakovicë të Podujevës.

    I dyshuari gjatë realizimit të masave të fshehta të hetimit nga hetuesit policorë, ka ofruar për shitje 5000 copë monedha nga 2 euro (5000×2=10000). I dyshuari këtu monedha synonte t’i shiste për 6 mijë euro.

    Gjatë kontrollit në veturën e tij, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 5 mijë monedha 2 euroshe që dyshohet se janë të falsifikuara, 3 kartëmonedha 20 euro që dyshohet të jenë poashtu të falsifikuara, veturën e përdorur dhe një telefon celular.

    “I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.

  • Mehmeti: Rritja e kredive ekonomive familjare, sinjal i qytetarëve për t’i tejkaluar problemet nga inflacioni

    Mehmeti: Rritja e kredive ekonomive familjare, sinjal i qytetarëve për t’i tejkaluar problemet nga inflacioni

    Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kreditë e ekonomive familjare kanë shënuar rritje me rreth 17.4 për qind, e që këtë ai e konsideron si një rritje me përqindje shumë të lartë. Këtë e sheh sinjal të qytetarëve për t’i tejkaluar problemet më të cilat ballafaqohen si rezultat i inflacionit.

    Mehmeti ka thënë se pritjet janë që në fund të viti 2025 inflacioni do të jetë në niveli rreth 2 për qind, që më pastaj do të ketë edhe vendime të cilat do të merren nga Banka Qendrore Evropiane për të ulur normën e interesit, të cilat sipas tij, në mënyrë direkte do ta ndikoj edhe në uljen e normës së interesit në kredi.

    Ish-guvernatori i BQK-së ka thënë se duke ju referuar janarit të viti 2024 janë rrethe 4.8 miliard euro kredi. Ai ka thënë se në strukturën e ekonomive familjare përfshihen kredit konsumuese dhe kredit hipotekare.

    “Nëse e shohim sot në Kosovë janë diku rreth 4.8 miliardë euro, po i referohemi janarit 2024, kredi, rreth 17 për qind kemi rritje të kredive, pastaj nëse shohim vetëm kreditë e ekonomive familjare, diku rreth 17.4 për qind kemi rritje të kredive për ekonomit familjare. Kur flasim për strukturën e ekonomive familjare, këtu përfshihen kredit konsumuese dhe kredit hipotekare. Për këtë arsye edhe norma e interesit dhe kredit konsumuese arrin, nëse e shohim normën efektive të interesit në kredi, është diku rreth 6.4 për qind, po nëse e shohim normën e interesit në kredi, po i referohem janarit të 2024 kemi një 6.5 për qind vetëm tek kredit konsumuese. Pra kemi një rritje 17.4 për qind të kredive për ekonomit familjare”, ka thënë ai.

    Mehmeti ka thënë se rritja prej 17.4 për qind e kredive për ekonomit familjare, është një përqindje shumë e lartë, sipas tij, kjo tregon që ka një rritje të kërkesave nga ana e qytetarëve për t’i tejkaluar problemet më të cilat ballafaqohen si rezultat i inflacionit dhe rrethanave të tjera të cilat kanë vështirësuar jetën e tyre.

    “Kemi një rritje të theksuar mund të themi në përqindje rreth 17 për qind rritja e kredive ose 17.4 për qind është një rritje e kredive për ekonomit familjare, është një përqindje shumë e lartë. Unë gjithmonë kam qenë dhe vazhdoj që të jem pro rritjesë së krediev, por duhet që të kemi shumë kujdes që rritjen e kredive ta kemi një rritje të shëndosh, një rritje që e ruan stabilitetin financiar në vend dhe për këtë duhet të kemi rritje në sekotret të cilët ne i konsiderojmë në më pak rrisk. Për shembull rasti konkret, nëse kemi rritje te sektorët e ndërtimit, konisderohte një prej sektorve me rrisk shumë të lartë. Kjo rritje prej 17.4 për qind vetem për ekonmit familjare është një përqindje e lartë dhe kjo tregon që kemi një rritje të kërkesave me siguri për të tejlakuar problemt më të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës si rezultat i inflacionit dhe rrethanave të tjera të cilat në një mas e kanë vështirësuar jetën e tyre”, ka thënë ai.

    Mehmeti ka thënë se si shkak i pandemisë ka qenë e pritshme që të ketë edhe rritje të inflacionit, sipas tij, për këtë arsye Banka Qendrore Evropiane ka marr vendim për rritjen e normës së interesit dhe kjo më pastaj e ka dërguar EURIBOR-in në një përqindje me rreth 4 për qind, e cila ka ndikuar në rritjen e normave të interesit.

    “Ka qenë e pritshme për gjithë neve që pas pandemisë do të kemi një rritje të inflacionit për arsye që ka një ndërprerje në zinxhir të furnizimit. Pastaj pas pandemisë kërkesat janë rrit dhe për ne ka qenë e pritshme që do të kemi një rritje të inflacionit dhe kjo ka ndodhur dhe për këtë arsye më pastaj erdhën masat që janë marr për të parandaluar ose minimizuar rritjen e inflacionit nga Banka Qendrore Evropiane, për këtë arsye Banka Qendrore Evropiane murr vendim për rritjen e normës së interesit dhe kjo më pastaj e dërgoj EURIBOR-in në një përqindje diku përafërsisht rreth 4 për qind dhe kjo e ka ndikuar rritjen e normave të interesit jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet e BE-së por edhe në nivel lokal. Pra është një dukuri që ka ndodhur në nivel global”, ka thënë ai.

    Mehmeti ka thënë se këtë vit në Eurozon pritët që inflacioni të jetë me rreth 3 për qind, ndërsa në vitin 2025 inflacioni do të jetë në niveli rreth 2 për qind, që më pastaj do të ketë edhe vendime të cilat do të merren nga Banka Qendrore Evropiane për të ulur normën e interesit, të cilat sipas tij, në mënyrë direkte do ta ndikoj edhe në uljen e normës së interesit në kredi.

    “Për faktin që pritet që këtë vit inflacioni të jetë diku përafërsisht rreth 3 për qind, po flas edhe në eurozonë dhe unë po besoj që edhe vitin e ardhshëm tekë në fund të vitit të ardhshëm inflacioni do të jetë nënë normën të cilën e dëshiron Banka Qendrore Evropiane rreth 2 për qind dhe pastaj presim që të kemi masa të reja të cilat do ti zvogëlojnë normat e interesit. Pastaj kjo në mënyrë direkte e ndikon edhe uljen e EURIBOR-it e më pastaj ndikon edhe në uljen e normës së interesit. Kjo do të reflektoj për arsye se shumica e kontratave në mesë të Bankës dhe bizneseve në Kosovë, qoftë edhe personave fizik janë kontrata mund të themi variabile”.

    “Duke u nisur nga fakti pra kanë një normë variabile, ka edhe kontrata që kanë normë fikës, por sidomos po i referohemi atyre kontratave që kanë normën variabile të interesit. Varësisht nga lëvizja e EURIBOR-it, lëviz edhe norma e interesit, kështu që pritjet janë që në fund të viti të ardhshëm do të kemi inflacion në niveli rreth 2 për qind e më pastaj do të kemi edhe vendime të cilat do të merren për të ulur normën e interesit nga Banka Qendrore Evropiane, dhe kjo më pastaj do të ndikoj në uljen e EURIBOR-it në mënyrë direkte do ta ndikoj edhe në uljen e normës së interesit në kredi”, ka thënë ai.