ATV

Blog

  • Me projektligjin e ri, bankat në çdo kohë duhet t’i kenë kapital jo më pak se 10 milionë euro para të gatshme

    Me projektligjin e ri, bankat në çdo kohë duhet t’i kenë kapital jo më pak se 10 milionë euro para të gatshme

    Në 125 faqe apo gati dyfish më shumë se ligji aktual është përpiluar Projektligji i ri për Bankat për të cilin diskutimi publik ka përfunduar. Në 143 nene, me projektligjin e ri ndryshohen kushtet për këto institucione financiare.

    Nga hyrja në fuqi e këtij projektligji bankat duhet t’i kenë kapital në çdo kohë jo më pak se 10 milionë euro para të gatshme apo 3 milionë euro më shumë se sa e parasheh ligji aktual.

    As në këtë projektligj nuk është përcaktuar përqindja e normave të interesit, por siç thuhet në nenin 71, Banka Qendrore e Kosovës mund ta bëjë një gjë të tillë.

    Në projektligjin e ri u rriten edhe dënimet në rast se evidentohet që bankat kanë bërë shkelje.

    Projektligji, sa ishte në diskutim publik komente mori vetëm nga Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile në lidhje me mbrojtjen e konsumatorëve.

    Ndërkaq pas diksuitmit publik ligji do të ju dorëzohet deputetëve fillimisht në komisione parlamentare e më pas do të dërgohet në seancë për miratim./atvlive.tv/

  • ‘Kolegji AAB’ mbajti për dy ditë panairin e karrierës dhe punësimit, morën pjesë rreth 60 kompani

    ‘Kolegji AAB’ mbajti për dy ditë panairin e karrierës dhe punësimit, morën pjesë rreth 60 kompani

    Për dy ditë me radhë në Kolegjin AAB u mbajt edicioni i tretë i Panairit të Karrierës dhe Punësimit, i cili përfundoi të shtunën.

    Në të morën pjesë kompani të ndryshme, ndër të cilat ishte edhe PriBank, bankë kjo që është në vitin e dytë të punës.

    “interesimi ishte i lartë. Jemi të kënaqur sepse është një mundësi e praktikës dhe punësimit në të ardhmen sepse jemi bankë që vetëm sa kemi startuar dhe kemi nevojë, pasi do të vazhdojmë të bëjmë hapjen edhe të degëve të tjera.”, tha Iliriana Matoshi-Agushi, menaxhere e burimeve njerëzore “Pribank”.

    Veç tyre, për vitin e tretë me radhë, Play International sërish planifikojnë t’i bëjë pjesë të stafit studentët e Kolegjit AAB.

    Pjesë e panairit ishin edhe disa spitale, që tashmë kanë të punësuar ish-studentët e Kolegjit AAB.

    Në Panairin e Karrierës dhe Punësimit të organizuar nga Kolegji AAB, morën pjesë rreth 60 kompani./atvlive.tv/

  • Stacionet e autobusëve ende pa orare të udhëtimeve

    Stacionet e autobusëve ende pa orare të udhëtimeve

    Në stacionet e autobusëve në kryeqytet ende nuk ka tabela, të cilat do t’i njoftonin udhëtarët që përdorin transport publik me oraret e autobusëve.

    Tërë këtë vonesë Komuna e Prishtinës e arsyeton se po bëhet një plan i ri për trafikun urban, megjithatë do t’i vijë radha. Në tabelat digjitale, pritet të përfshihen linjat publike dhe private.

    “Pas mbylljes së xhepave ne veçse jemi në hartim të pikave të tjera e që është edhe tabela digjitale e cila do të vendoset në stacionet në qendër pastaj edhe më gjerë, do t’i përfshij të gjitha linjat…”, tha Gent Sejdiu, projekt-menaxher për transformimin e transportit publik.

    Mirëpo, në anën tjetër, qytetarët ende janë të zemëruar me mbylljen e xhepave.
    Sipas tyre, kjo nuk do duhej të ishte fare pjesë e projektit meqë prish idetë vijuese për transformim.

    Duke thënë se nuk ka në plan të ndërroj planet mbi projektin, në vazhdimësi nga komuna priten edhe pika të tjera për transportin publik.

    Në kuadër planit për transformimin e transportit publik, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2024, komuna e Prishtinës ka premtuar se do të jenë në dispozicion të udhëtarëve edhe 30 autobusë të rinj, 6 elektrikë, kurse 24 do të jenë diesel./atvlive.tv/

  • Kosova synon ta rikthejë nën menaxhim pronën “Ganimete Tërbeshi”, që gjendet në bregdetin e Budvës në Mal të Zi

    Kosova synon ta rikthejë nën menaxhim pronën “Ganimete Tërbeshi”, që gjendet në bregdetin e Budvës në Mal të Zi

    Në nëntor të 2020-ës, Ministria e Drejtësisë e Kosovës ngriti padi në Mal të Zi, duke e kërkuar kthimin e pronësisë në një parcelë 4.5 mijë hektarëshe në Budva, që pretendon se e ka blerë më 1963.

    Por, as pas gati tri vjet e gjysmë, Avokati i Shtetit thotë se nuk ka nisur procedura gjyqësore për pronën bregdetare, të njohur si “Ganimete Tërbeshi”, në zonën kadastrale të Beçiqit.

    Kosova asokohe, këtë pronë e shfrytëzonte për t’i akomoduar qytetarët që i dërgonte për ekskursione në Budva.

    Në këtë rast, padia është ngritur ndaj Komunës së Budvës dhe kompanisë “Sunraf Beach Properties”. Këto të dyja, e as gjykata, nuk i janë përgjigjur pyetje të ATV-së për rastin.

    Sipas avokatit Visar Rrecaj, ky proces mund të marrë kohë për shkak të lëndëve të shumta të këtij lloji, kurse thotë se nuk duhet të ndikohet nga politika.

    “Mund të marrin kohë 3-4 vjet derisa të fillojnë seancat, ka shumë konteste pronësore. Është çështje civile dhe nuk do të duhej të kishte probleme politike… Meqë, pronat janë blerë në ish-sistem, është proces i ndërlikuar…”, deklaroi avokati Rrecaj.

    Avokati i Shtetit është i përfshirë edhe në një rast tjetër në Mal të Zi, pasi një qytetar e ka paditur Kosovën, për ta zgjidhur një kontratë pronësore në ish-Jugosllavi.

    Në tërësi, Agjencia Kosovare e Privatizimit pretendon t’i ketë 35 asete në shtetin malazez, në qytetet Podgoricë, Nikshiq, Cetinje, Budvë, Tivar, Tivat, Berane dhe Bjello Pole. AKP-ja synon ta kthejë kontrollin në të gjitha këto.

    Shumica e këtyre aseteve janë lokale afariste./atvlive.tv/

  • Një muaj paraburgim për tre të miturit që dyshohet se i vënë zjarrin gjykatës së Kaçanikut

    Një muaj paraburgim për tre të miturit që dyshohet se i vënë zjarrin gjykatës së Kaçanikut

    Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të miturve, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale zjarrvënia nga neni 322 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se të miturit me datë 13 mars 2024, rreth orës 03:42, me qëllim të dëmtimit me dashje kanë ndezë zjarrin në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik, ashtu që pas planifikimit paraprak, përmes shkallëve emergjente depërtojnë në katin e dytë ku me shishe hedhin benzinë në dy zyre të gjyqtarëve penalist dhe në korridor, pastaj nga shkallët emergjente ndezin zjarrin, ku për pasojë shpërthen zjarri dhe dy zyrat e gjyqtarëve dëmtohen tërësisht e po ashtu edhe korridori, kurse të dyshuarit tjerë bëjnë roje përreth gjykatës.

    Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të dyshuarve të mitur e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

    Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

  • Përmbyllet suksesshëm edicioni i tretë i Panairit për Karrierë dhe Punësim në Kolegjin AAB

    Përmbyllet suksesshëm edicioni i tretë i Panairit për Karrierë dhe Punësim në Kolegjin AAB

    Sot nga ora 10:00-15:00 është mbajtur dita e dytë e Panairit të Karrierës dhe Punësimit në Kolegjin AAB, duke shënuar kështu edhe mbylljen e edicionit të tretë të këtij panairi.

    Interesimi i madh nga studentët për tu takuar me punëdhënësin e mundshëm brenda hapësirave ku studiojnë ishte përparësia më e madhe e ofruar për ta.

    Suksesin e panairit e konfirmuan edhe organizatoret Gresa Makolli dhe Jehona Rukovci, të cilat u shprehën se gjithçka shkoi shumë mirë dhe aplikimet e studentëve për vende të punës ose realizimin e praktikës te kompanitë pjesëmarrëse ishin në numër të konsiderueshëm. Unioni Studentor ka ndihmuar të gjitha kompanitë gjatë panairit në mënyrë vullnetare për ta lehtësuar punën e tyre, por edhe për t’i njoftuar studentët e AAB.

    Ky edicion solli afro 60 kompani nga të gjitha fushat të përafërta me programet studimore të Kolegjit AAB, përfaqësuesit e të cilave shprehën mirënjohje për këtë organizim.

  • Roth: E pakuptueshme që ShBA vendos kushte shtesë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, kjo qasje duhet të përfundojë

    Roth: E pakuptueshme që ShBA vendos kushte shtesë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, kjo qasje duhet të përfundojë

    Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, ka kritikuar SHBA-në se po i vendos Kosovës kritere shtesë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës.

    Ai tha se kjo qasje e pabalancuar ndaj Kosovës duhet të përfundojë pasi nuk është fer dhe është e padrejtë.

    “Është krejtësisht e pakuptueshme që SHBA vendos ekstra kushte për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Kjo qasje e pabalancuar nga SHBA-ja drejt Kosovës duhet përfundimisht të përfundojë. S’është fer dhe është e padrejtë. Këshilli i Europës dhe shtetet anëtare ulën në ulësen e shoferit – jo SHBA”.

    Roth shkroi në X derisa rishpërndau një postim një kolegu të tij të Bundestagut, Frank Schwabe, që gjithashtu komentoi deklaratat e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, i cili tha se përveç vendimit për Manastirin e Deçanit, Kosova duhet të plotësojë edhe dy kushte, përfshirë Asociacionin.

    “Me gjithë respektin për të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Këshilli i Europës po bën të mundur gjëra që të tjerët nuk mund t’i arrinin. Dhe ne do të vendosim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në bazë të rregullave dhe vlerave tona”, kishte shkruar Schwabe.

  • Szunyog viziton Galerinë Kombëtare, flet për mbështetje në kulturë

    Szunyog viziton Galerinë Kombëtare, flet për mbështetje në kulturë

    Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, ka vizituar hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe ekspozitat aktuale.

    “Të shijosh artin është gjithmonë një pushim i mirëpritur gjatë një jave të ngarkuar si kjo”, ka shkruar ai.

    Ai ka përmendur se në GKK është pritur nga Alisa Gojani–Berisha, teksa ka parë veprat ka folur edhe për mbështetjen për aktivitete kulturore.

    “Ne folëm edhe për mbështetjen e Shtëpisë së Evropës për aktivitete kulturore në Kosovë”, ka shkruar shefi i zyrës së BE-së.

  • Ndeshje e zbehtë në Suharekë, Ballkani dhe Llapi ndajnë pikët, Malisheva fiton bindshëm përballë Lirisë

    Ndeshje e zbehtë në Suharekë, Ballkani dhe Llapi ndajnë pikët, Malisheva fiton bindshëm përballë Lirisë

    Ka përfunduar pa fitues derbi i javës së 26-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll.

    Në Suharekë, ndeshja mes Ballkani dhe Llapit ka përfunduar me rezultatin më të padëshiruar në futboll 0:0.

    Të dyja skuadrat patën nga disa gjysmë raste ,por pa arritur të shënonin gol.

    Pas këtij barazimi Ballkani mbetet lider në ‘Albi Mall Superligë’ me 52 pikë, kurse Llapi e ndjek pas me 51 pikë.

    Ndërkohë në ndeshjen e zhvilluar në Prizren, Malisheva ka mposhtur Lirinë me rezultat 3:0.

    Golat janë shënuar nga Hazrollaj, Brruti dhe Xhaka.

    Pas kësaj fitore Malisheva forcon pozitën e katër me 47 pikë, vetëm dy më pak se Drita që është e treta, kurse Liria mbetet e fundit me vetëm 10 pikë të grumbullara.

  • Përgatitet anija tjetër me 240 tonë ushqim për t’u dërguar në Gazë

    Përgatitet anija tjetër me 240 tonë ushqim për t’u dërguar në Gazë

    Kuzhina Botërore Qendrore ka thënë se “të gjitha ngarkesat” me ndihma ushqimore janë shkarkuar dhe pritet të fillojnë së shpërndari në Gazë.

    Organizata amerikane ka thënë të shtunën se ekipi i saj në Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta ka përfunduar shkarkimin e dërgesës së parë të ndihmës detare për të arritur në territorin e rrethuar, raporton AFP.

    “E gjithë ngarkesa është shkarkuar dhe po përgatitet për shpërndarje në Gazë”, ka thënë Kuzhina në një deklaratë, duke vënë në dukje se ndihma ishte “pothuajse 200 tonë ushqim”. Anija ishte nisur të martën nga Qipro.

    Grupi ka thënë se po përgatit një varkë të dytë prej 240 tonësh ushqimi për ta nisur nga Qiproja, pikënisja e një rruge të re ndihme detare përtej Mesdheut lindor.

    Përpjekja humanitare synon të zbusë mungesën e ushqimit që ka shkaktuar paralajmërime për urinë në Gazë nga OKB-ja dhe punonjësit e ndihmës.

    “Kjo dërgesë përfshin paleta me mallra të konservuara dhe produkte me shumicë, duke përfshirë fasulet, karotat, tonin e konservuar, qiqrat, misrin e konservuar, orizin, miellin, vajin dhe kripën”, ka bërë të ditur Kuzhina.

    Grupi humanitar ka thënë se nuk kishte “asnjë informacion për të dhënë se kur anija jonë e dytë dhe anija e ekuipazhit do të jenë në gjendje të nisen”.

    Ushtria izraelite të premten konfirmoi se anija e parë, e operuar nga shoqata bamirëse spanjolle “Open Arms”, duke shtuar se ushtarët ishin vendosur për të siguruar zonën dhe për të kryer një inspektim sigurie.

    Ushtria ka thënë gjithashtu se dërgimi i ndihmave humanitare nga deti nuk përbën një shkelje të bllokadës detare prej vitesh të Gazës, e cila drejtohet që nga viti 2007 nga Hamasi.