ATV

Blog

  • Zyrtari i një banke në Prishtinë deponon në BQK mbi 2 mijë monedha të falsifikuara, nisin hetimet

    Zyrtari i një banke në Prishtinë deponon në BQK mbi 2 mijë monedha të falsifikuara, nisin hetimet

    Një zyrtar i një banke në Prishtinë ka deponuar në Bankën Qendrore të Kosovës 2 mijë e 239 monedha metalike të falsifikuara.

    Policia ka nisur hetimet për këtë rast, derisa monedhat janë sekuestruar dhe janë dërguar për ekzaminime të mëtutjeshme.

    “FALSIFIKIM I PARASË- Rr. Luan Haradinaj, Prishtinë 15.03.2024 – NN. Ankuesi mashkull kosovar, zyrtar i BQK-së, ka raportuar se një zyrtar i një banke ka deponuar në BQK 2239€ monedha metalike të falsifikuara. Monedha janë sekuestruar për ekzaminime të mëtutjeshme. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raport.

  • Aksidenti ku vdiq 26-vjeçari, të dyshuarës i zëvendësohet paraburgimi me arrest shtëpiak

    Aksidenti ku vdiq 26-vjeçari, të dyshuarës i zëvendësohet paraburgimi me arrest shtëpiak

    Gjykata Themelore në Prishtinë, të pandehurës Y.G, ia ka zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak, e cila dyshohet se më 26 shkurt 2024, në rrugën “Agim Ramadani”, ka shkaktuar aksidentin ku mbeti i vdekur këmbësori Sh.H (26-vjeçar).

    Këtë e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” mbrojtësi i të dyshuarës G., avokati Nasuf Hasani, i cili tha ky vendim është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

    Masa e arrestit shtëpiak të njëjtës do t’i zgjas deri më 14 prill 2024.

    Ndryshe, më 28 shkurt të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë, të dyshuarës Y.G, ia kishte ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

    Në vendimin për caktimin e paraburgimit thuhej se e dyshuara ka vepruar në kundërshtim me rregulltat e trafikut rrugor, duke mos përshtatur shpejtësinë e automjetit dhe kushteve të rrugës dhe se si pasojë e kësaj, kishte goditur shtyllën e semaforit, e më pas shtylla kishte goditur tani të ndjerin Sh.H.

  • Nushi: PSD-ja do të ofrojë një opozitë të mirëfilltë, duhet angazhim të mos mashtrohen sërish qytetarët

    Nushi: PSD-ja do të ofrojë një opozitë të mirëfilltë, duhet angazhim të mos mashtrohen sërish qytetarët

    Sekretari organizativ i Partisë Socialdemokrate (PSD), Nol Nushi, ka shprehur zhgënjimin me partitë opozitare parlamentare për mënyrën se s’i po e kundërshtojnë Qeverinë. Në një intervistë për Ekonomia Online, Nushi thotë se opozita është dorëzuar karshi problemeve.

    Sekretari i PSD-së ka folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja e veprimet të dëmshme siç i quan ai të Qeverisë Kurti.

    Ndonëse nuk kanë marrë pjesë tash e sa zgjedhje, Nushi thotë se kjo parti do të angazhohet që t’i ofrojnë votuesve një opozitë të mirëfilltë.

    “Ne jemi totalisht të zhgënjyer nga opozita parlamentare dhe nuk po besoj që veç ne, edhe votuesit e opozitës parlamentare janë të zhgënjyer sepse ka një dorëzim, ka njëfarë heshtje karshi gjitha këtyre problemeve që tashmë po bëhen të përditshme. Ne po flasim për këto vendime të mëdha por qeverisja është e mbushur edhe me vendime përditshme të vogla për të cilat duhet angazhim i çdoditshëm dhe njëfarë aktivizimi politik i pashtershëm për cilën nuk po ndodh nga opozita parlamentare. Rrjedhimisht PSD po qëndron këtu pothuajse e vetme si opozitë e vetme dhe prandaj edhe po garojmë këto zgjedhje që me i ofru Kosovës një opozitë çfarë i nevojitet”, thotë Nushi.

    E duke folur për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, Nushi thekson se vendimi është marrë politikisht. Ndërsa për BQK-në thotë se është e mbushur me militantë të VV-së.

    “Kjo është taktikë e vazhdueshme e Kurtit për me i fut të tjerët në problem, dhe vetë me i qëndrua i pa prekur. Ne kemi dëgjuar Kurtin që është një vendim i një agjencie të pavarur qysh është Banka Qendrore. Ne të gjithë e dimë se kjo nuk është e vërtetë sepse figurat kyçe të BQK-së janë militantë të Vetëvendosjes krejt rrëfimi i VV-së ishte që ata e ndalin dinarin jo Banka Qendrore dhe kjo mundet me pi ujë ndoshta te populli jonë, që nuk kanë shumë shpresë ose nuk i besojnë shumë Kurtit po kjo nuk pinë ujë tek ata që marrin vesh këto raporte qysh janë partnerët e ndërmjetësit ndërkombëtar”, thotë Nushi.

    Ndërsa vendimin e fundit për bartjen e pronës Manastirit të Deçanit, Nushi thotë se kryeministri Kurti po mundohet t’ia faturojë Gjykatës Kushtetuese. Thotë se kur vendimet nuk ishin në favor të VV-së, fajësoheshin gjyqtarët.

    “Absolutisht vazhdimisht ndërhyn për çdo vendim që nuk i pëlqen, pra ne kemi pa qysh i kanë quajtur të korruptuar, hajna, shërbëtorë të Serbisë, shërbëtorë të regjimit të kaluar, të gjithë gjyqtarët që eventualisht kanë marrë ndonjë vendim që nuk ju ka pëlqyer po qysh e pamë në fund, këta e zbatuan një vendim që thonin që është i Millosheviqit. Por këta këtu nuk janë fare parimorë këtë punë e kanë lojë me publikun, në mënyrën që për dështimet e veta ta gjejnë një fajtor, kjo është tipikë për populistët edhe autoritarët kur nuk mbërrin me i realizu premtimet e veta, ata duhet me gjet fajtor e jo zgjidhje, e këtu shpesh gjejmë fajtorë të organet gjyqësore”, u shpreh Nushi.

    E 2024-ën, Nushi e quan vit zgjedhor, prandaj kërkon më shumë angazhim që siç thotë të mos mashtrohen sërish qytetarët nga VV-ja. Ai beson se punët e Qeverisë gjatë kësaj kohe do të jenë për fushatë elektorale.

    “Unë nuk besoj që do të ketë zgjedhje të reja, se ne praktikisht jemi në atë vitin zgjedhor qysh quhet në ciklin politik, në vitin e fundit të mandatit, ku tashti besoj që Qeveria do të bëjë shumë veprime që qojnë në veprime të fushatës, do të rrisë numrin e të punësuarve, do të bëj fushata investime kapitale, të cilët nuk i ka bërë për tre vite në mënyrë që ta mbledh sa më shumë elektoratin rreth punëve të saj por nuk mundet me i kry të gjitha ato që i ka premtu në vitin e fundit të mandatit dhe ne këtu duhet të jemi të vëmendshëm që të ja përmendim çdo ditë dhe ta bëjmë opozitën që mos t’i lejmë qytetarët të mashtrohen përsëri”, thotë Nushi.

  • Blinken jep mesazh për Kosovën dhe Serbinë: Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mekanizmi i vetëm i zbatueshëm

    Blinken jep mesazh për Kosovën dhe Serbinë: Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mekanizmi i vetëm i zbatueshëm

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Ai tha se procesi i dialogut në Bruksel, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, është mekanizmi i vetëm që Kosova dhe Serbia të normalizojnë raportet.

    Gjatë një konference për media në Vjenë, së bashku me homologun e tij austriak, Alexander Schallenberg, kryediplomati amerikan tha se njerëzve në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk iu duhet kthim prapa, por të lëvizin para dhe të integrohen në Bashkimin Evropian.

    “Ne po ashtu po punojmë së bashku [me Austrinë] për të përmirësuar raportet midis Kosovës dhe Serbisë. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mekanizmi i vetëm i zbatueshëm, rruga e vetme përpara. Ne duhet të shohim përpjekje në mirëbesim dhe përpjekje konstruktive nga të dyja palët, nga Kosova dhe Serbia, për të stabilizuar raportet e tyre dhe të lëvizim drejt kësaj rruge. T’i mbajnë tensionet në nivel të ulët, të rrisin koordinimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë dhe të zbatojnë të gjitha zotimet e dialogut”, tha Blinken.

    SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e Brukselit dhe të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani.

    Vitin e kaluar, palët arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    BE-ja ka thënë se palët ende nuk kanë nisur ta zbatojnë marrëveshjen.

    Faktori ndërkombëtar insiston se dialogu është platforma për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, teksa tensionet mes tyre kanë qenë të larta.

    Tensionet janë të rritura që nga maji i vitit të kaluar, kur serbët kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Tensionet u përkeqësuan edhe më shumë pasi më 24 shtator, një grup terrorist sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter./REL

  • Për dy vjet sistemi i hetuesisë mbetet pa kryeprokuror – Njohësit i bëjnë fajtor KPK-në e Presidencën

    Për dy vjet sistemi i hetuesisë mbetet pa kryeprokuror – Njohësit i bëjnë fajtor KPK-në e Presidencën

    Për më shumë se dy vjet, sistemi i hetuesisë ka mbetur pa kryeprokuror, për shkak të propozimit të Blerim Isufajt nga Këshilli Prokuroria i Kosovës. Në anën tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka vendosur për dekretimin ose jo të Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, raporton Ekonomia Online.

    E këto vonesa po konsiderohen si të dëmshme nga njohës të proceseve, teksa fajtor i bëjnë institucionet përgjegjëse.

    Mosemërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, avokati Ardian Bajraktari, e konsideron të papranueshëm dhe mesazh të keq për vendin.

    “Pozita e Kryeprokurit të Shtetit është njëra prej pozitave tërëndësishme jo vetëm brenda për brenda sistemit të drejtësisëpor edhe në nivel të institucioneve, andaj fakti që pas më shumëse dy vitesh kemi ushtrues detyre është i papranueshëm dhe në këtë drejtim është një sinjal dhe mesazh tepër i keq për institucionet”, tha Bajraktari.

    Marrë parasysh afatin kohor në kohëzgjatje prej dy vitesh Bajraktari konsideron se përgjegjës për këtë janë dy institucione Këshilli Prokurorial dhe Institucioni i Presidencës.

    “Kjo për faktin se Këshilli Prokurorial në dy drejtime ështëpërgjegjës sepse ka dështuar ta administrojë mirë procesin dhe ta bind publikun se procesi është zhvilluar brenda parametrave dhe standardeve normale për të garantuar një proces korrekt dhe transparent si dhe institucioni i Presidencës i cili e ka mbajt për kohë të tërë në sirtarë të saj qoftë dekretimin ose mos dekretimin e kandidatit të propozuar nga ana e Këshillit Prokurorial”, tha tutje Bajraktari.

    Bajraktari vlerëson se procesi është dashur të kthehet në pikën zero, në momentin e kundërshtimit nga ana e Presidencës.

    “E kam thënë edhe ditën kur kemi pas njoftimin nga zyra e presidentes për mos dekretim, Këshilli Prokurorial i Kosovës sa më parë duhet ta shpallë konkursin të sigurohet që procesi tëzhvillohet si proces transparent në monitorim të mekanizmave qoftë të organizatave të shoqërisë civile poashtu edhe partnerëve ndërkombëtarë të cilët vetëm e kanë shprehur gatishmërinë për ta bërë një gjë të tillë dhe të sigurohet se kushdo që zgjidhet cilido kandidat të zgjidhet mbi baza meritore që pastaj të mos kemi situata të tillë që kanë ndodhur në të kaluarën”, tha Bajraktari për EO.

    Ndërsa avokatja, Albulena Ukimeri tha për Ekonomia Online se vonesa në emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ndikon në uljen e kapacitetit brenda këtij institucioni.

    “Duke qenë se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është një prej figurave kyçe në kuadër të sistemit të drejtësisë në përgjithësi e atë prokurorial në veçanti meqenëse Kosova tash e dy vite ka ushtrues të detyrës se Prokurorit të Shtetit këtë çështje e konsideroj si diçka të dëmshme jo vetëm për çështjen e kryeprokurorit të shtetit por edhe për pozitat të cilat vazhdojnë të jenë pozita të larta dhe kyçe e që akoma janë më ushtrues detyre. Kjo pashmangshëm ndikon në uljen e kapacitetit brenda për brenda atij institucioni dhe uljen e progresit në përgjithësi dhe mos procedimit të procedurave në kuadër të një institucioni”, tha Ukimeri.

    Fajtor për këtë, Ukimeri i bën institucionet përgjegjëse. Konsideron se dozë të fajit më shumë ka institucioni që ka zhvilluar procedurat e rekrutimit për këtë pozitë.

    “Sa i përket përgjegjësisë lidhur me këtë çështje konsideroj se kemi një ndërlidhje të institucioneve në aspektin e përgjegjësisë. E para të institucionit i cili ka zhvilluar të gjitha procedurat e rekrutimit për këtë pozitë të lartë e po ashtu edhe çështjen tjetër e cila është te institucioni i presidencës, përfundimisht sa i përket këtij procesi kujtoj që është pritur gjatë dhe është një proces i vonuar derisa në prill të vitit 2022 Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka dërguar presidencës emrin e kandidatit të propozuar nga ana e tyre për tu dekretuar e njëjta ka njoftuar në atë kohë opinionin publik se nuk do të ngutet në dekretimin e kryeprokurorit të shtetit por do të sheh mundësinë që do të shtjeren të gjitha apelimet dhe të gjitha mjetet e tjera ligjor dhe më pastaj do të shoh që të bëjë dekretimin e Prokurorit të Shtetit”, u shpreh ajo.

    Duke e konsideruar të dëmshëm faktin që për më shumë se dy vite Kosova vazhdon të ketë vetëm ushtrues detyre në këtë pozitë, avokatja Ukimeri tha se ky proces duhet të mbështetet në meritokraci dhe transparencë.

    “Mendoj se institucionet përgjegjëse për këtë proces duhet që të lëvizin me shpejtësi të jenë më serioze në këtë aspekt dhe të vazhdojnë me procedurat e paracaktuara në këtë drejtim do të shtoja edhe thirrjet dhe zërat të cilët kanë ardhur edhe nga ana e ShBA-ve dhe të BE-së, vendeve perëndimore por edhe të shoqërisë civile që edhe ky proces duhet të mbështetet në meritokraci, në transparencë të jetë i drejtë të jetë ligjor dhe gjithë këtë proces e shoh si një nismë të re për dizajnimin e një procesi të ri për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit por gjithnjë duke shtuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion i pavarur dhe nuk ka ndonjë mekanizëm apo instrument ligjor apo kushtetues që të them do ta detyronte kushtimisht Këshillin Prokurorial të Kosovës që të përshpejtojë procedurat dhe të rinis për zgjedhjen e Prokurorit të Shtetit”, tha ajo.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ku pritet lokalisht të ketë reshje shiu, kryesisht gjatë orëve të pasditës dhe mbrëmjes. Reshjet në zona të caktuara mund të jenë në formë të rrebesheve afatshkurtër.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 10-33 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 4 deri në 6°C, ndërsa ato maksimale prej 15 deri në 17°C.

  • Ukraina sulmon me dron rafinerinë e naftës në Rusi

    Ukraina sulmon me dron rafinerinë e naftës në Rusi

    Guvernatori i rajonit të Samara të Rusisë tha të shtunën se dronët ukrainas kishin goditur dy rafineri të naftës që i përkisnin gjigantit shtetëror të naftës Rosneft. Nuk raportohet për viktima por objekti është përfshirë nga flakët.

    “Këtë mëngjes ka pasur një sulm në rafinerinë e naftës Syzran dhe një tentativë sulmi në rafinerinë e naftës Novokuybyshevsk. Si rezultat, një njësi e përpunimit të produkteve të naftës ka marrë flakë në territorin e rafinerisë së naftës Syzran. Tentativa për sulm në rafinerinë e naftës Novokuybyshevsk u ndalua dhe nuk pati viktima”, tha shërbimi për shtyp i guvernatorit.

    Ukraina javët e fundit ka shënjestruar rëndë infrastrukturën e naftës të Rusisë.

    Guvernatori i provincës kufitare të Belgorodit, nën sulm pothuajse të vazhdueshëm muajt e fundit, tha se pesë persona, përfshirë një fëmijë, ishin plagosur në një sulm me dron në një makinë që udhëtonte pranë kufirit me Ukrainën.

  • Studimi: Çrregullimet e sistemit nervor janë tani shkaku kryesor i sëmundjeve në botë

    Studimi: Çrregullimet e sistemit nervor janë tani shkaku kryesor i sëmundjeve në botë

    Çrregullimet e sistemit nervor si goditjet në tru, migrena dhe demenca kanë tejkaluar sëmundjet e zemrës duke u bërë shkaku kryesor i shëndetit të keq në mbarë botën, sipas një studimi të ri të botuar të premten. Më shumë se 3.4 miliardë njerëz, ose 43 për qind e popullsisë së botës, do të përjetojnë një gjendje neurologjike në vitin 2021, shumë më tepër se sa mendohej më parë, ka treguar hulumtimi.

    Studimi u krye nga qindra shkencëtarë të udhëhequr nga Instituti Amerikan për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME), i cili është bërë një referencë globale për statistikat shëndetësore. Udhëheqësi i studimit Jaimie Steinmetz i IHME tha se rezultatet tregojnë se çrregullimet e sistemit nervor tani janë “shkaku kryesor në botë i barrës totale të sëmundjes”. Numri i rasteve të këtyre çrregullimeve është rritur 59 për qind në tre dekadat e fundit, tha ajo, dhe rritja është nxitur kryesisht nga fakti se popullsia e botës po plaket dhe numri i njerëzve po rritet me shpejtësi. Shkencëtarët studiuan se si 37 kushte të ndryshme neurologjike ndikuan në shëndetin e sëmurë, paaftësinë dhe vdekjen e parakohshme në 204 vende dhe territore nga viti 1990 deri në vitin 2021.

    Këto të dhëna u përdorën për të vlerësuar se sa vite jetë të shëndetshme humbën për shkak të secilës prej këtyre kushteve, të quajtura vite të jetës të përshtatura me aftësinë e kufizuar (DALYs). Më shumë se 443 milionë vite jetë të shëndetshme do të humbasin nga çrregullimet e sistemit nervor në mbarë botën në vitin 2021, një rritje prej 18 për qind nga viti 1990, zbuloi studimi. Megjithatë, nëse rezultatet rregullohen për moshën dhe madhësinë në rritje të popullsisë së botës, DALY-t dhe vdekjet nga këto kushte në fakt u ulën me rreth një të tretën, thanë studiuesit.

    Deri më tani, situata më e keqe është me goditjet në tru, të cilat janë përgjegjëse për 160 milionë vite jetë të shëndetshme të humbura. Ato pasohen nga një formë e dëmtimit të trurit të quajtur encefalopati neonatale, migrenë, demencë duke përfshirë sëmundjen e Alzheimerit, dëmtim nervor nga diabeti, meningjiti dhe epilepsia. Dëmtimi njohës i shkaktuar nga Covid renditet i 20-ti. Më shumë se 11 milionë njerëz vdiqën nga 37 sëmundje neurologjike në vitin 2021, sipas një studimi të botuar në The Lancet Neurology.

    Sëmundjet kardiovaskulare mbetën shkaku kryesor i vdekjeve, duke marrë jetën e 19.8 milionë njerëzve në mbarë botën në vitin 2022, raportoi IHME vitin e kaluar. Më të zakonshmet në mesin e çrregullimeve neurologjike, sipas hulumtimeve, janë dhimbjet e kokës nga tensioni dhe migrena. Gjendja me rritje më të shpejtë është dëmtimi nervor i quajtur neuropati diabetike i shkaktuar nga numri në rritje i rasteve të diabetit. Nuk ka kurë për shumicën e këtyre kushteve, por ka mënyra për të reduktuar rrezikun, duke përfshirë uljen e niveleve të presionit të lartë të gjakut, diabetit dhe konsumit të alkoolit, thanë studiuesit.

    Ata kërkuan që të bëhet shumë më tepër për të parandaluar, trajtuar dhe rehabilituar çrregullimet që prekin në mënyrë disproporcionale vendet më të varfra. “Barra neurologjike në botë po rritet me shpejtësi dhe do të shkaktojë presion edhe më të madh në sistemet e kujdesit shëndetësor në dekadat e ardhshme”, paralajmëroi bashkautori i studimit, Valery Feigin.

    Për herë të parë, një studim mbi barrën globale të sëmundjeve shqyrtoi ndikimin e çrregullimeve neurologjike te fëmijët. Ata përbënin pothuajse një të pestën e të gjitha DALY-ve, që do të thotë se fëmijët në mbarë botën humbën 80 milionë vjet jetë të shëndetshme për shkak të këtyre çrregullimeve vetëm në vitin 2019.

  • Babai i një nxënësi që kreu sulm në një shkollë në Michigan dënohet për vrasje pa paramendim

    Babai i një nxënësi që kreu sulm në një shkollë në Michigan dënohet për vrasje pa paramendim

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Babai i një djaloshi, i cili kishte vrarë katër nxënës në një shkollë në Michigan është dënuar për vrasje pa paramendim. Gjatë gjykimit, u tha se James Crumbley, 47 vjeç, kishte injoruar nevojat e shëndetit mendor të djalit të tij 15-vjeçar, madje i bleu revole të cilën e përdori në sulmin e nëntorit të 2021.

    Juria diskutoi pak më shumë se një ditë, përpara se të shpallte vendimin, ndërkaq edhe ndaj bashkëshortes së tij, Jennifer Crumbley, pritet të shpallet vendimi muajin e ardhshëm, meqë u dënua për të njëjtat akuza.

    Avokatja mbrojtëse e çiftit, Mariell Lehman, tha se i akuzuari ndihet keq për atë çfarë ndodhi në shkollë, ndërkaq ai dhe bashkëshortja e tij mund të dënohen deri në 10 vjet burgim, kur të kthehen në gjykatë më 9 prill.

    James Crumbley ndodhej në gjykatë të enjten në mbrëmje kur u shpall vendimi dhe nuk pati fare reagim teksa u lexua. Derisa rasti ndaj çiftit Crumbleys shënon herën e parë që prindërit akuzohen për vrasje nga pakujdesia, për rolin e fëmijës së tyre në të shtëna në SHBA.

    I biri i tyre Ethan, përpos që vrau 4 persona, po ashtu, kishte lënduar 7 të tjerë gjatë të shtënave. Ai tani po vuan burgimin e përjetshëm pa mundësi ankese.

    Prokuroria, Kaaen McDonald e cila mbajti konferencë për media pas shpalljes së vendimit, bashkë me prindërit e katër fëmijëve të vrarë, tha se vendimi i gjykatës nuk i sjell në jetë viktimat, megjithatë shënon moment llogaridhënie.

    “Prindërit, çifti Crumbley, do të mund të parandalonin këtë tragjedi me vetëm fare pak përpjekje”, tha ajo.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Puna e përbashkët parandalon dhunën ndaj grave”

    “Puna e përbashkët parandalon dhunën ndaj grave”

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Dhuna ndaj grave ishte diskutimi kryesor në konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës dhe qendra AIRE, me temën “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu Gjyqësor për një Përgjigje Gjyqësore Efektive”.

    Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë, si dhe përfaqësues të autoriteteve qeveritare, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

    Fjalën hyrëse e mori kryetarja e Gjykatës Kushtetuese që ndër të tjera tha se institucioni që drejton, në raste të ndryshme ka konstatuar dështim të shkeljes së të drejtës në jetë.

    “Inicialet e grave të vrara nuk janë thjesht statistika, ato reflektojnë histori të trishta të grave kosovare, që i janë nënshtruar dhunës në familje, histori plagësh të familjeve e fëmijëve, të cilët shumicën e rasteve kanë qenë dëshmitarët e vrasjes së nënave të tyre, reflektojnë dështimin e shtetit e të shoqërisë”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.

    Edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi nevojën e bashkëpunimit mes të gjitha hallkave shtetërore, në mënyrë që dhuna ta parandalohet.

    “Duhet të bëjmë çmos që secila viktimë, apo secila vajzë e grua që potencialisht mund të jetë e dhunuar në të ardhmen, ta dijë që e ka mbështetjen e plotë institucionale, por edhe shoqërore dhe jo e kundërta, sepse kjo edhe ndihmon në raportim të dhunës dhe jo heshtje, por edhe në parandalim të këtyre rasteve, gjithnjë nëse vendimet ndaj dhunuesve janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pra nëse ato janë meritore”, tha Haxhiu.

    Teksa tha se dhuna në bazë gjinore duhet të luftohet nga të gjithë, drejtoresha e qendrës AIRE kërkoi angazhim edhe në luftimin e femicidit.

    “Hulumtimet që janë kryer demonstrojnë se anembanë rajonit secili rast i femicidit ka mundur të parandalohet. Thirrjet e tyre për ndihmë që janë shpërfillur, askush nuk ia ka vënë veshin. Dhuna në bazë gjinore, asnjëherë nuk është private, është barrë që duhet ta bartim të gjithë. Kjo ngjarje paraqet një hap të rëndësishëm”, tha Biljana Braithwaite, drejtore e qendrës “Aire”.

    Sipas raportit, Femicidi në Republikën e Kosovës, në periudhën 2018 – 2022 janë kryer njëzet vrasje të grave dhe katër tentativa dhe gati në të gjitha rastet viktimat u vranë nga bashkëshortët e tyre.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: