ATV

Blog

  • I arrestuar për narkotikë, ish-asamblisti i LV-së, Besnik Mujeci po mbahet ende në paraburgim

    I arrestuar për narkotikë, ish-asamblisti i LV-së, Besnik Mujeci po mbahet ende në paraburgim

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Nga ulëset e kuvendit komunal të Prishtinës, Besnik Mujeci përfundoi në shtretërit e burgjeve të Shqipërisë.

    Ish-asamblisti dhe ish-këshilltari komunal i Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë verës së vitit 2023, u arrestua në Tiranë si i dyshuar për shitje të narkotikëve të llojit ekstazi e që nga ajo kohë, aktakuza ndaj tij dhe grupit nuk është ngritur.

    “Nga 17 gushti besnik mujeci ndodhet në masën e arrestit me burg. Kjo masë ishte konfirmuar edhe nga Apeli”, tha Sokol Dema, gazetar në Shqipëri.

    Megjithatë, aktakuza ndaj tij dhe grupit ende nuk është ngritur nga prokuroria e Tiranës.

    “Prokuroria e Tiranës nuk i ka mbyllur akoma hetimet. Burimet bëjnë me dije se dosja akoma nuk ka mbërritur në gjykatë, për të nisur gjykimi në këtë rast për shkak të një numri të konsiderueshëm të dozave ekstazi të cilat janë kapur tek Mujeci dhe anëtarët tjerë të grupit”, deklaroi tutje Dema.

    Besnik Mujeci dhe 4 persona të tjerë u arrestuan në kryeqytetin e Shqipërisë në gusht të vitit 2023. Grupit iu gjetën 11 mijë e 300 tableta të llojit ekstazi me peshë 5 kilogramë, vlera e të cilave në treg është 300 mijë euro.

    Ish-asamblistin e Vetëvendosjes, Komisioni Qendror Zgjedhor tek në janar të 2024 e zëvendësoi me Arbër Limanin./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/OwPn47VaVYc?si=mrUTGCkZan_rJbPW

  • Edhe 8 ditë mbyllet afati për deklarim të pasurisë/ Nga 10 mijë zyrtarë, vetëm rreth 2 mijë e 500 e kanë kryer këtë obligim

    Edhe 8 ditë mbyllet afati për deklarim të pasurisë/ Nga 10 mijë zyrtarë, vetëm rreth 2 mijë e 500 e kanë kryer këtë obligim

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Vetëm edhe 8 ditë kanë mbetur deri në mbylljen e afatit për deklarimin e pasurisë. Për 23 ditë nga 10 mijë zyrtarë publik vetëm mbi 2 mijë e 500 prej tyre e kanë kryer këtë obligim.

    Sipas drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ka shpresë që për këto pak ditë që kanë mbetur zyrtarët të përfundojnë këtë obligim.

    Këtë vit procedurat e deklarimit të pasurisë po konsiderohen më të lehta.

    Për ata që nuk e deklarojnë pasurinë fillimisht ju shqiptohet gjobë në vlerë prej 500 eurosh, por megjithatë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shpresojnë që zyrtarët publik të jenë të përgjegjshëm dhe deklarimin ta kryejnë më kohë.

    Vitin e kaluar vetëm 30 zyrtarë publik nuk e deklaruan pasurinë. Ndërkaq për herë të parë deklarimit të pasurisë ju nënshtruan edhe profesorë universitar e mjekët për të cilët afati përfundoi më 12 mars./atvlive.tv/

  • Kodi i Sjelles pritet t’i ndalë ofendimet, sharjet e dhunën në Kuvend

    Kodi i Sjelles pritet t’i ndalë ofendimet, sharjet e dhunën në Kuvend

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Ofendimet e sharjet janë të shpeshta në Kuvend.

    Pos sharjeve, Kuvendi i Kosovës u komentua botërisht meqë edhe episodet e dhunës ishin të shpeshta.

    Por, Kodi i Sjellës që do të shkojë për miratim së shpejti në Kuvend, pritet të shihet nëse do të ketë ndikim tek deputetët.

    Ata që ofendojnë, shajnë dhe nxisin dhunë në seanca të Kuvendit, do të dënohen deri në 20 për qind të pagës bazë, derisa do t’iu pamundësohet edhe pjesëmarrja në tri seanca plenare.

    “Kodi i sjelljes parasheh të themelohet një këshill i etikës brenda Kuvendit të Kosovës, që përbëhet nga deputetët me një balancë ndërmjet pozitës dhe opozitës. Ky këshill do të trajtojë ankesat e rasteve të paraqitur në lidhje me atë që pretendohet se është shkel kodi i sjelljes. Kodi i sjelljes parasheh shkelje të lehta dhe të rënda, në varësi të llojit të shkeljes janë përcaktuar edhe masat. Natyrisht për shkeljet e lehta janë parapa vërejtjen me gojë, me shkrim, publikimi i vërejtjes në ueb faqen e Kuvendit.”, deklaroi Adnan Rrustemi, deputet i LV-së.

    Kodi parasheh sanksione edhe për veshjen e papërshtatshme.

    “Ky kod po ashtu e sanksionon edhe kodin e veshjes, gjatë zhvillimit të punimeve të një seance plenare në Kuvend, deputeti apo deputetët duhet të kenë një veshje zyrtare e cila duhet të përcaktohet. Kodi i veshjes duhet të respektohet edhe nga pjesëmarrësit të tjerë”, tha Besnik Tahiri nga AAK-ja.

    Përpjekjet që përmes kodit të sjelljes, Kuvendi i Kosovës të rregullojë një numër të problemeve po shihet si pozitivë nga monitoruesit e legjislativit.

    “Në përgjithësi dokumenti synon të rregullojë prej sjelljes së deputetëve në kuptim të fjalorit që ata përdorin, deri tek veshja e tyre apo le të themi çështje të tjera si pranimi i dhuratave dhe vlera e dhuratave që ata pranojnë… Përmbajtja e tij fillestare ka qenë paska seksiste, në disa përshkrime ka lënë shije seksiste apo përcaktime joadekuate në kuptimin gjinor…Në aspektin e kodit të veshjes dhe përcaktimit të tyre, veçanërisht kundrejt deputeteve.”, deklaroi, Arbër Thaci, hulumtues në IKD.

    Për hartimin e këtij kodi përveç ligjvënësve, kanë qenë të përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.

    Aktualisht Kuvendi ka Rregulloren e cila vlerësohet të jetë e përgjithshme, e që u miratua në korrik të 2022-tës, pas më shumë se një dekade që nga koha kur ishte miratuar rregullorja e kaluar e këtij institucioni./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/OwPn47VaVYc?si=xvs37mHiwKAJzWYm

  • Ministria e Mbrojtjes shpërblen me tender kompaninë, bashkëpronari i të cilës ka aktakuzë

    Ministria e Mbrojtjes shpërblen me tender kompaninë, bashkëpronari i të cilës ka aktakuzë

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Tenderin 1.8 milionësh “Për furnizim me çizme ushtarake për nevoja të FSK-së” Ministria e Mbrojtjes ia dha grupit të operatorëve ekonomikë, që udhëhiqen nga kompania RUNWAY SH.P.K.

    Bashkëpronar i kësaj kompanie e regjistruar në ARBK, vetëm tre muaj para hapjes së tenderit, është Sabit Makiqi, i dyshuar për falsifikim me dokumente në një tender të Policisë së Kosovës, në vitin 2022. Për këtë vepër, ai ishte futur edhe në Listën e Zezë të OSHP-së.

    Por, jo vetëm kaq, ndaj Makiqit, ka edhe aktakuzë të ngritur, konfirmoi Prokuroria Themelore e Prishtinës.

    “Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 03.10.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj subjektit si në kërkesë, për çështje të prokurimit. Aktakuza është ekspedituar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë themelore të Prishtinës.

    Deri në realizimin e kronikës, Gjykata Themelore nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me fazën në të cilën ndodhet rasti. Përgjigje nuk ktheu as Ministria e Mbrojtjes.
    Sidoqoftë, për Diana Metushin nga KDI, ky fakt është dashur të merret parasysh nga kjo ministri.

    Ndërkohë, tenderi afër 2 milionësh, mund të përfundojë në Gjykatën Komerciale, meqë disa nga kompanitë pjesëmarrëse nuk janë të kënaqura me procesin e tenderimit, teksa e fajësuan OSHP-në për siç thanë: mostrajtimin e duhur të ankesave./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/OwPn47VaVYc?si=xvs37mHiwKAJzWYm

  • Në muajin e pranverës, nënshkruhet tenderi 138 mijë euro për heqje të borës

    Në muajin e pranverës, nënshkruhet tenderi 138 mijë euro për heqje të borës

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Marsi njihet edhe si muaji i Pranverës.
    Por, siç duket jo edhe për Ministrinë e Infrastrukturës, që në fillim të muajit nënshkroi kontratë për “Mirëmbajtje dimërore të rrugëve lokale në katër komunat e veriut”.

    Ndonëse kohëzgjatja e kontratës është katër muaj, respektivisht deri në qershor, në dosje të tenderit, sidomos te specifikat, bora është përmendur mbi 100 herë.

    Për më tepër, kjo kontratë është nënshkruar me procedurë të negociuar me një operator ekonomik që punë primare e ka ndërtimin e objekteve banesore.

    Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës paraqiti arsyeshmërinë e nënshkrimit të kontratës.

    “Inicimi i procedurave të Prokurimit për projektin: “Mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale – Mitrovica 2a1.” Është rezultat i Memorandumit te Mirëkuptimit me katër komunat veriore të datës 19.12.2023. dhe se ky inicim është filluar me date 20.12.2023. Arsyeja e kërkesës për inicim procedurë të përshpejtuar dhe me negocim ka qenë fakti se sezoni dimëror kishte filluar.” , thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

    Tenderi që kap vlerën prej 138 mijë eurosh parasheh mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. /atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/OwPn47VaVYc?si=6z0YJuUf5LCkyk9a

     

  • Kosova U19 pëson humbje nga Spanja U19

    Kosova U19 pëson humbje nga Spanja U19

    Kombëtarja U19 e Kosovës ka pësuar humbje në kuadër të turneut kualifikues për Kampionatin Evropian 2024.

    Pas fitores ndaj Austrisë U19, të përzgjedhurit e Adil Maliqit sonte pësuan ndaj Spanjës U19.

    Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “TSC Trate Gornja Radgona” të Sllovenisë përfundoi me rezultatin 2:1.

    Spanjollët krijuan epërsi të dyfishtë me golat e Daniel Munoz (34′) dhe Pol Fortuny (50′).

    “Dardanët” ia dolën të ngushtonin rezultatin përmes anëtarit të Stuttgartit, Eliot Bujupi, i cili shënoi një gol mjaft të bukur nga gjuajtja e lirë në minutën e 77-të.

    Kosova U19 mbetet në kuotën e tri pikëve dhe renditet e dyta në Grupin 1, me vetëm një pikë më pak se Spanja U19.

  • Vdes një i burgosur, po trajtohej në Spitalin Rajonal të Pejës

    Vdes një i burgosur, po trajtohej në Spitalin Rajonal të Pejës

    Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetsor i Burgjeve, ka njoftuar se sot rreth orës 13:40 në Spitalin Rajonal të Pejës ka ndërruar jetë një i burgosur.

    I burgosuri nga fillimi i mbajtjes së dënimit ishte pranuar me probleme të rënda shendetësore, si pasojë tërë kohën ishte trajtuar në Stacionarin e burgut sipas rekomandimeve të specialistëve përkatës të ShSKUK-së.

    Siç thonë nga SHKK, kohëve të fundit viktima ka qenë i shtrirë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Pejës, ku edhe ka ndërruar jetë në Kujdesin Intensiv të këtij spitali.

    Organet kompetente janë duke u zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikoi shkakun e vdekjes.

  • Putin e konsideron dhunën në sallën e koncerteve si “sulm terrorist të përgjakshëm dhe barbar”

    Putin e konsideron dhunën në sallën e koncerteve si “sulm terrorist të përgjakshëm dhe barbar”

    Presidenti rus, Vladimir Putin e ka dënuar ashpër sulmin e së premtes në një sallë koncertesh në rajonin e Moskës, në të cilin janë vrarë të paktën 133 persona, dhe e ka shpallur 24 marsin si ditë zie kombëtare.

    Ai është zotuar se kryesit e sulmit do të ndëshkohen.

    Përmes një fjalimi të incizuar paraprakisht, të lëshuar prej Kremlinit rreth 18 orë pas sulmit të 22 marsit, Putin e ka përshkruar dhunën si “sulm terrorist i përgjakshëm dhe barbar”.

    “Gjëja kryesore tani është që të parandalojmë ata që janë mbrapa kësaj gjakderdhjeje nga kryerja e një krimi tjetër”, ka thënë ai.

    Ky sulm, për të cilin e ka marrë përgjegjësinë grupit ekstremist Shteti Islamik, është më i rëndi në Rusi në gati dy dekada.

    Putin ka thënë, po ashtu, se katër të dyshuarit, që zyrtarët i kanë arrestuar më herët gjatë ditës, “kanë lëvizur drejt Ukrainës, ku… pala ukrainase u ka përgatitur një dritare që ta kalojnë kufirin”.

    Presidenti rus nuk ka ofruar dëshmi për këtë pretendim.

    Zyrtarët rusë kanë thënë se 11 persona janë ndaluar, përfshirë katër sulmuesit e dyshuar.

    Disa janë arrestuar në rajonin perëndimor Brajansk, i cili gjendet në kufirin mes Bjellorusisë dhe Ukrainës.

    Zyrtarët ukrainas e kanë mohuar çfarëdo përfshirjeje me sulmin, edhe para se zyrtarët rusë të supozonin për lidhje ukrainase.

    Komiteti Hetues në Rusi ka thënë se pret që do të rritet numri i viktimave./REL/

  • ​Rusia anulon miqësoren me Paraguain pas sulmit terrorist në Moskë

    ​Rusia anulon miqësoren me Paraguain pas sulmit terrorist në Moskë

    Rusia ka anuluar miqësoren e së hënës kundër Paraguait në Moskë pas sulmit me armë mbrëmë pranë kryeqytetit, tha të shtunën Unioni Rus i Futbollit (RFU).

    Të paktën 115 persona u vranë pasi persona të armatosur hapën zjarr me armë automatike në një sallë koncertesh pranë Moskës, ndërsa grupi militant ISIS mori përgjegjësinë, raporton KosovaPress.

    Rusia, e përjashtuar nga garat e FIFA-s dhe UEFA-s në shkurt të vitit 2022 pas pushtimit të vendit ndaj Ukrainës, mund të luajë vetëm lojëra miqësore dhe mundi Serbinë 4:0 të enjten në “VTB Arena të Moskës” dhe do të luante me Paraguain në të njëjtin vend të hënën.

    “Në lidhje me sulmin terrorist që ndodhi në Krasnogorsk, Unioni Rus i Futbollit dhe Shoqata e Futbollit të Paraguait vendosën të anulojnë një ndeshje miqësore midis ekipeve kombëtare të Rusisë dhe Paraguait”, thuhet në një deklaratë të RFU.

    Të gjitha ngjarjet argëtuese dhe masive në Rusi ishin anuluar të premten nga Ministria Ruse e Kulturës dhe RFU njoftoi të shtunën se ata i kanë shtyrë të gjitha ndeshjet në garat e tyre të planifikuara për këtë fundjavë.

  • ​“Dardanët” e rinj përballen me Spanjën, këto janë formacionet zyrtare

    ​“Dardanët” e rinj përballen me Spanjën, këto janë formacionet zyrtare

    Kombëtarja e Kosovës në grupmoshat U19 do të përballet sot me Spanjën, ndeshje kjo në kuadër të raundit të dytë të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian Euro 2024.

    Përballja e sotme do të zhvillohet me fillim nga ora 16:00 në stadiumin “TSC Trate Gornja Radgona” në Slloveni, raporton KosovaPress.

    “Dardanët” e rinj e nisën këtë aventurë me fitore kundër Austrisë U19, të cilën e mposhtën 1:0, kurse Spanja U19 barazoi 1:1 me Slloveninë U19.

    Momentalisht, Kosova është lidere e Grupit 1 të këtyre kualifikimeve me tri pikë të arkëtuara, krahas Spanjës që ka një pikë në vendin e tretë.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy trajnerët kanë publikuar formacionet zyrtare, dhe ato i gjeni më poshtë.

    Spanja U19 (4-3-3): Fran; Munoz, Dominguez, Simo, Fort; Belaid, Hernandez, Fortuny; Mella, Senhadjli, Sanchez

    Kosova U19 (4-3-3): Avdija; Lleshi, Sylaj, Zeqiraj, Dobruna; Gerbovci, Lokaj, Gashi; Gashijan, Bujupi, Jashari