ATV

Blog

  • Këto ushqime luftojnë problemet me veshka dhe infeksione urinare

    Këto ushqime luftojnë problemet me veshka dhe infeksione urinare

    Për të pakësuar rrezikun e formimit të një guri të ri, është e rëndësishme që ju të pini të paktën 3 litra lëngje gjatë ditës, kryesisht ujë.

    Gjatë stinëve të ftohta njerëzit konsumojnë më pak lëngje duke çuar në një “dehidratim” të organizmit. Në fakt dehidratimi është një problem gjatë verës për shkak të humbjes së lëngjeve nga djersitja.

    Në dimër, dehidratimi zakonisht është i fshehtë dhe ndodh nga humbja e ujit urinar pjesërisht për shkak të konsumimit më të shumtë të kafesë dhe alkoolit (të cilët kanë efekt diuretik duke nxitur urinimin) dhe humbjes virtuale të ujit për shkak të soluteve të konsumuara më shumë në dimër (kripë dhe sheqer).

    Dehidratimi në vetvete nuk shkakton gurë në veshka, por kushtet e krijuara nga ky proces janë të njohura që përkeqësojnë rastet e gurëve në veshka, kur faktorë të tjerë të nxitjes së formimit të tyre janë të pranishëm, shkruan Ekonomia Online. Ndryshime duhen bërë në sasinë e kripës, kalciumit, oxalateve, proteinave, kaliumit dhe lëngjeve në dietën.

    Nëse ju keni patur një gur nga kripërat e kalciumit, mjeku juaj mund t’ju kërkojë të pakësoni kripën dhe natriumin në dietën tuaj. Ju nuk duhet të shmangni marrjen e kalciumit në dietën tuaj. Është e rëndësishme që ju të mësoni nga mjeku juaj për sasinë e duhur të kalciumit që ju duhet të merrni, sepse pas një diete të ulët në kalcium për një periudhë të gjatë kohore mund të shkaktohet humbja e masës kockore ose osteoporoza.

    Nëse ju keni pasur një gur në veshka që përmban oxalate, sugjerohet që të kufizoni marrjen e ushqimeve me përmbajtje të lartë të oxalateve: kikirikë, çaj, kafe, panxhar, fasule, manaferra, luleshtrydhe, çokollatë, rrush, birrë etj.

    Për të pakësuar rrezikun e formimit të një guri të ri, është e rëndësishme që ju të pini të paktën 3 litra lëngje gjatë ditës, kryesisht ujë. Në mot të nxehtë, ju mund të keni nevojë të pini më shumë për shkak të humbjes së lëngjeve nga djersitja.

    Kjo do të ndihmojë për të mbajtur urinën tuaj më pak të koncentruar çka ul rrezikun e formimit të gurit. Duhet të zvogëloni sasinë e proteinave shtazore në dietë: mish viçi, lope, pule, derri, peshk, vezë.

    Infeksionet urinare

    Të konsumohen sa më shumë lëngje, e rekomandueshme 2-3 litra në ditë. Uji, i cili ka dhe veti antioksidante, të mos të pihet menjëherë, por pak nga pak. Po ashtu, tri herë në javë pini lëngje frutash të shtrydhura, si lëng limoni, portokalli, pjeshke, rrushi, karote etj. Boronica e kuqe në formë çaji, lëngu, fruti, tabletash lufton infeksionet urinare.

    Që 50 vjet përpara dietologët kanë raportuar efekte antiinfeksioze të boronicës së kuqe nga prania në të e të paktën dy substancave që pengojnë ngjitjen e baktereve në rrugët urinare. Aloe vera lufton infeksionet. Për këtë bimë janë gjetur shkrime të ndryshme edhe nëpër papiruse, për të cilën thuhet se është shumë e dobishme dhe nga ajo janë prodhuar tableta të vogla kundër infeksioneve të ndryshme.

    Brokoli nuk gjendet shpesh në tryezat tona sepse nuk kemi njohuri të mjaftueshme për të. Megjithatë, është mirë që ta konsumojmë më shpesh sepse përveçse është shumë i ushqyeshëm brokoli përmban glukinolat, një përbërje bimore që shkatërron bakteret në fshikëzën e urinës. Rekomandohen 200 – 300 gram brokoli në ditë të paktën 2-3 herë në javë.

    Gjithashtu, është i provuar dhe roli i vitaminës B6 për ITU. Vitamina B6 ndihmon në prodhimin e proteinave, çlirimin e glukozës, etj. Të gjitha këto procese në trup janë të domosdoshme për rritje, formimin e gjakut dhe mbrojtje kundër infeksioneve. Në formë natyrale vitamina B6 gjendet tek drithërat, banania, patatja, gjeli i detit, peshku, lajthia, arra, speci e perimet si lulelakra etj.

    Rritja e tensionit të gjakut (hipertensioni arterial)

    Një nga shkaktarët por dhe komplikacion i rëndësishëm i sëmundjeve kronike të veshkave është dhe hipertensioni arterial. Rënia e temperaturave shkakton rritje të vlerave të tensionit të gjakut, më e shprehur kjo në të moshuarit.

    Studiuesit e shpjegojnë këtë fakt me aktivizimin e shtuar të sistemit nervor simpatik dhe çlirimin e katekolaminave, përgjegjës për ngushtimin e enëve të gjakut dhe rritjen e tensionit të gjakut. Nga një studim i bërë në 8801 adulte mbi 65 vjeç në Francë, rezultoi që si presioni sistolik (maksimal) dhe ai diastolik (minimal) të gjakut rriten në dimër. Këto të dhëna do të ndihmonin në parandalimin e komplikacioneve të hipertensionit arterial në dimër si ishemia e trurit, hemorragjia nga çarja e enëve të zgjeruara (aneurizma) sidomos në këtë grup moshë, nëpërmjet monitorimit të tensionit të gjakut dhe mjekimit të kujdesshëm.

    Kur duhet të shqetësoheni dhe t’i drejtoheni mjekut:

    Çdo urinim i shpeshtë, i shoqëruar ose jo me djegie;

    urgjenca për urinim;

    dhimbja dhe rendimi në fund të barkut;

    urinimi gjatë natës;

    vështirësia apo pamundësia për të mbajtur urinën;

    era e keqe, jo e zakonshme e urinës;

    temperatura disa herë e lartë e shoqëruar me ethe;

    janë shenjat që duhet t’i shqetësojnë njerëzit për të bërë një analizë urine të thjeshtë e për t’u konsultuar me specialistin për të gjetur shkakun.

    Këshilla

    Kontrolloni vlerat e tensionit të gjakut gjatë dimrit duke shmangur luhatjet. Mbani një ditar të tensionit të gjakut për t’ia treguar mjekut tuaj. Kjo do të ndihmojë mjekun nëse keni nevojë për të ndryshuar apo rregulluar barnat e hipertensionit arterial.

    Merruni me aktivitet fizik në mënyrë të rregullt gjatë gjithë vitit. Gjatë dimrit ju mund të vazhdoni të ushtroni aktivitet fizik. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për funksionin e veshkave, përmirëson funksionin e muskujve, ul tensionin e gjakut, kolesterolin në gjak, mban një peshë të shëndetshme të trupit dhe përmirëson gjumin. Aktiviteti fizik zhvillohet duke ecur, vrapuar apo duke lëvizur me biçikletë, të paktën 30 minuta në ditë, tri herë në javë. Fillo ngadalë dhe vazhdo po ashtu. Shmangni aktivitetin e sforcuar fizik, sidomos kur jeni të ekspozuar në temperatura të ulëta. Mundohuni të mos shtoni në peshë gjatë muajve të dimrit duke përdorur ushqime të shëndetshme. Shtimi në peshë përveçse rritjes së vlerave të tensionit të gjakut, ndikon dhe në punën e zemrës. Bëni vizita të rregullta te mjeku. Në qoftë se tensioni juaj i gjakut vazhdon të jetë i lartë, kontaktoni mjekun për ri-rregullimin e mjekimit për të kontrolluar tensionin e gjakut. Për njerëzit mbi moshën 65 vjeçare kjo është veçanërisht e rëndësishme. Ndryshimi i mjekimit sipas ndryshimeve sezonale që pëson tensioni i gjakut ju ndihmon të jeni të shëndetshëm gjatë gjithë vitit.

  • 25 vjet nga masakra në Krushë të Madhe

    25 vjet nga masakra në Krushë të Madhe

    25 vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

    Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

    Ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga Krusha e Madhe. Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë.

    Pavarësisht kësaj, për këtë masakër, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat.

  • 25 vjet nga masakrat në fshatrat e Rahovecit

    25 vjet nga masakrat në fshatrat e Rahovecit

    ​Sot mbushen 25 vjet nga masakrimi i dëshmorëve dhe martirëve në fshatrat Fortesë, Brestoc dhe Celinë të Komunës së Rahovecit.Gjatë luftës së vitit 1999 në fshatin Fortesë janë vrarë nga forcat serbe 69 martirë, në Brestoc 5 dëshmorë dhe 49 martirë, ndërsa në Celinë janë vrarë 75 martirë.

    Komuna e Rahovecit sot gjatë ditës organizon tubim përkujtimor te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Brestovc, duke filluar nga ora 10:00.

    Tubime përkujtimore do të mbahen edhe te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Fortesë nga ora 11:00 dhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Celinë nga ora 13:00).

  • Trajneri i njohur kosovar e kritikon ashpër Armando Brojën: Ai e dëmton lojën e kombëtares shqiptare, nuk bën asgjë

    Trajneri i njohur kosovar e kritikon ashpër Armando Brojën: Ai e dëmton lojën e kombëtares shqiptare, nuk bën asgjë

    Trajneri i njohur kosovar, Gani Sejdiu, në emisionin ‘A PLAY’ në televizionin ATV, ka deklaruar se trajneri Sylvinho e ka pasur ta ftojë Brojën për ndeshjet miqësore. Por ai thotë se lojtari i Chelseat në huazim te Fulham nuk punon për grupin.

    “Por unë po them edhe një gjë, Sylvinho, ai kishte një detyrim profesional me Armando Brojën. Pavarësisht se nuk ka pasur minuta as te Chelsea dhe as te Fulham tani.

    Edhe Muqi edhe Broja, sidomos Broja, nuk diskutohet se është lojtar më cilësor se gjithë të tjerët. Po, karakteri i Brojës, stili, natyra e tij janë të dëmshme për klubin. Është një lojtar nga i cili pret shumë, por nuk bën asgjë”, ka thënë Sejdiu.

    Kujtojmë se Broja u rikthye në kombëtaren shqiptare në sfidën ndaj Kilit, të cilën kombëtarja e Shqipërisë e humbi 3:0.

    Emisionin e plotë mund ta ndiqni më poshtë.

  • Rifat Jashari në Gllogjan: Nëse bashkohemi, e kemi arritur amanetin e atyre që ranë brez pas brezi

    Rifat Jashari në Gllogjan: Nëse bashkohemi, e kemi arritur amanetin e atyre që ranë brez pas brezi

    Rifat Jashari ka marrë pjesë në Epopenë e Dukagjinit.

    Para pjesëmarrësve ai ka thënë se kur të bëhen bashkë shqiptarët, arrihet amaneti i atyre që kanë rënë brez pas brezi.

    “Dashtë Zoti gjithmonë jemi bashkë, me Shqipëri, me Luginë të Preshevës, me Maqedoninë, me shqiptarët e Malit të Zi që të rrugëtojmë bashkë me i arrit qëllimet tona shekullore. Atëherë nëse bashkohemi e kemi arritur amanetin e atyne që kanë rënë brez pas brezi”, tha ai.

  • Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës U19: Kam oferta nga Seria A dhe Portugalia

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës U19: Kam oferta nga Seria A dhe Portugalia

    Në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘A PLAY’ në ATV, përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës U19, Adil Maliqi, është shprehur se ka oferta nga Seria A dhe Portugalia.

    Maliqi, i cili po menaxhon me sukses kombëtaren e Kosovës U19, ka bërë të ditur se shumë klube kanë kontaktuar me të.

    “Kanë ardhur disa oferta dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të këtij cikli, kam oferta nga Portugalia, pra nga Liga e dytë e Portugalisë dhe kam oferta nga Seria A në Itali”, tha Maliqi.

    Kujtojmë se kombëtarja që drejtohet nga Maliqi është ende në garë për kualifikimin në Kampionatin Evropian për U19.

    Aktualisht Kosova është e dyta në grup me tre pikë, një më pak se liderja Spanja.

    Intervistën e Adil Maliqit mund ta shikoni në linkun e më poshtëm.

  • Xhaferi: Epopeja e Dukagjinit, përgjigja heroike i atdhedashësve

    Xhaferi: Epopeja e Dukagjinit, përgjigja heroike i atdhedashësve

    Talat Xhaferi, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, në fjalimin e tij në shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, tha se kjo epope ishte përgjigja heroike i atdhedashësve në fillimin e luftës në Dukagjin.

    “Të ndërtosh një shtet nuk është lehtë. Akoma më vështirë është kur për të ndërtuar shtetin duhet të luftosh dhe të sakrifikosh më të çmuarën, sidomos tani kur konsiderohet se civilizimi njerëzor duhet t’i ketë tejkaluar apetitet megalomane dje i ka pranuar të drejtat dhe vlerat universale mbi të cilat zhvillohen shoqëritë demokratike bashkëkohore. Por ja që leksionet e hidhura tentojnë të përsëriten për çdo dekadë dhe në raste të tilla ndihma përkrahja dhe mbështetja e aleatëve dhe partnerëve strategjikë është thelbësore dhe e pazëvendësueshme”, tha Xhaferi.

    Ai më tej foli për mbështetjen e ndërkombëtarëve, të NATO-s dhe SHBA-së, duke kujtuar lansimin e parë të raketës, që, sikundër tha ai, duhet të mbahet në mend dhe të nderohet.

    “E tillë ishte edhe përkrahja luftarake e NATO-s, e SHBA-së, që më 24 mars të vitit 1999 lansoi raketën e parë që simbolizoi edhe fillimin e sulmeve ajrore në Kosovë e Serbi. Ky është edhe një përvjetor që duhet të mbahet në mend dhe të nderohet”, tha mes tjerash Xhaferi.

  • Konjufca në Gllogjan, përkujton dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj

    Konjufca në Gllogjan, përkujton dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe në Gllogjan për t’i përkujtuar dhe nderuar dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.

    “Në këtë 26-vjetor të Ditës së Dëshmorëve të Dukagjinit, bëra homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan, për t’i përkujtuar dhe nderuar dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të rënë në përballjen frontale kundër forcave okupatore të Serbisë. Jehona e heroizmit do të ushtonte kudo, si burim frymëzimi e mobilizimi, si shembull i vetëmohimit, sakrificës sublime nëpër të cilën kalon rruga drejt lirisë.”

    Konjufca tha se ata ishin të gatshëm të jepnin gjithçka për atë që ishte më e shtrenjtë.

    POSTIMI I PLOTË:

    Në këtë 26-vjetor të Ditës së Dëshmorëve të Dukagjinit, bëra homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan, për t’i përkujtuar dhe nderuar dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të rënë në përballjen frontale kundër forcave okupatore të Serbisë.

    Jehona e heroizmit do të ushtonte kudo, si burim frymëzimi e mobilizimi, si shembull i vetëmohimit, sakrificës sublime nëpër të cilën kalon rruga drejt lirisë.

    Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të cilët ranë heroikisht më 24 mars të vitit 1998, nuk e dinin se pikërisht pas një viti, më 24 mars 1999 do të fillonte fushata e bombardimeve të NATO-s, kundër caqeve të forcave okupatore të Serbisë. Ata dinin vetëm se me guximin dhe vendosmërinë e tyre ishin të gatshëm të jepnin gjithçka për atë që ishte më e shtrenjtë. Ata ishin të bindur se gjaku i dëshmorëve e sjell lirinë e popullit tonë.

    Shembulli i tyre është udhërrëfyes tepër i vyer për brezat e ardhshëm, prej të cilit nuk do të reshtim së mësuari, e do të frymëzohemi gjithmonë.

    Lavdi e përjetshme Himë Haradinajt, Gazmend e Agron Mehmetajt, dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!

  • Haradinaj: Më 24 mars rilindën shqiptarët – Në këtë truall kanë mbetur shqiptarët, e kanë ikur forcat e Millosheviqit

    Haradinaj: Më 24 mars rilindën shqiptarët – Në këtë truall kanë mbetur shqiptarët, e kanë ikur forcat e Millosheviqit

    Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, tha se 26 vjet më parë nga ky vend dërgua porosia se “shqiptarët do të luftojnë dhe do ta fitojnë luftën”.

    Në ceremoninë e shënimit të Epopesë së Dukagjinit, që njihet si nisja e luftës frontale të UÇK-së dhe frocave serbe në këtë zonë, Haradinaj tha se “Gllogjani ndodhi për shkak të Prekazit”.

    “Nga dita e betejës në Prekaz, u mobilizuam Dukagjini të gjithë, në një përgjigje me luftë, me zjarr, me sulme, pas asaj që ndodhi në Prekaz. Kuptohet, edhe frikën e kishim, për shkak se ishte në pyetje rrjedha e luftës, jo veç çka do të ndodhte, nëse do të sulmoheshim në, a do të vriteshim të gjithë ne, por çfarë do të ndodhte me luftën. Pra, keni parasysh, dy herë frikë. Një herë për jetën e secilit, e dyta për fatin e luftës sonë. Ka dashtë Zoti atë ditë që po, janë vra do djem të mirë që i kujtojmë sot, djem të zotë, por nuk u vra lufta atë ditë. Pra kjo është me rëndësi në fund të ditës. Këtu në këtë vend, në këtë truall kanë mbetur shqiptarët, e kanë ikur forcat e Millosheviqit. Kjo është e vërteta e kësaj dite”, tha kryetari i AAK-së, Haradinaj.

    “Krejt familja, krejt ata që mujtën me luftu atë ditë, kanë të drejtë me qenë krenar përjetësisht, sepse nga ajo ditë u çu një porosi që shqiptarët do të luftojnë, do ta fitojnë luftën, e kjo ndodhi këtu”, tha ndër tjerash ish-komandanti i UÇK-së.

    Haradinaj kujtoi se “lufta ishte e vështirë, e rëndë”.

    Për nisjen e bombardimeve nga NATO, Haradinaj tha se “nuk ka pasur ditë më të gëzueme, ditë më të mirë e më të lumtur”. Më 24 mars 1999, sipas tij, “edhe njëherë rilindën shqiptarët”.

    “Nuk e kemi lëshu këtë tokë asnjë ditë të luftës. Forcat e Millosheviqit i kanë ra në shumë drejtime, po kurrë një herë kjo tokë s’ka qenë pa ne, pa UÇK-në. Pra, asnjë ditë të lume të luftës. Më 24 mars ’99, Millosheviqi e mori atë që i takonte, atë që ua kishte bërë shumë familjeve shqiptare: atë që e bëri në Qirez, Likoshan, atë që e bëri në Prekaz, në Gllogjan, në Meje”, tha ai.

  • Vedat Muriqi tha se trajnerët tjerë nuk kanë pasur dijeni taktike, Gani Sejdiu i reagon ashpër sulmuesit

    Vedat Muriqi tha se trajnerët tjerë nuk kanë pasur dijeni taktike, Gani Sejdiu i reagon ashpër sulmuesit

    Trajneri i i suksesshëm kosovar, Gani Sejdiu, ka qenë i ftuar në emisionin ‘ A PLAY’ në ATV.

    Sejdiu e ka komentuar deklaratën e sulmuesit Vedat Muriqi, i cili pas fitores kundër Armenisë deklaroi se trajnerët tjerë nuk kanë pasur dijeni taktike, por Foda e ka këtë.

    ‘Kjo deklaratë nuk do duhej te thoshte, sepse kjo është shenj mos respekti ndaj selektorëve tjerë, këta do duhej të mbante për veti. Por nëse shohim nga ana pozitive këtë deklaratë, tregon se sa punë ka bërë për pak kohë Foda’ tha Sejdiu.

    Emisionin ‘A PLAY’ mundeni me shiku më poshtë.