ATV

Blog

  • ZRRE-ja ul për 8% tarifat për konsumin mujor mbi 800 kilovatë orë

    ZRRE-ja ul për 8% tarifat për konsumin mujor mbi 800 kilovatë orë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Zyra e Rregullatorit për Energji miratoi ulje tarifash për 8% për bllokun e konsumit mujor mbi 800 kilovatë orë – për konsumatorët shtëpiakët – si dhe për 3% për ata komercialë, industrialë dhe ndriçimin publik.

    Të paprekura mbetën tarifat për bllokun nën 800 kilovatë orë, për shtëpiakët.

    “ZRRE-ja ka marrë parasysh kursimet që kanë ndodhë në sektor. E në veçanti duhet me theksua që importi apo çmimet e energjisë me shumicë kanë pasur zbritje dhe si rezultat i kësaj janë reflektuar edhe te tarifat e konsumatorëve fundorë”, tha kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

    Teksa refuzoi vlerësimin se ky vendim nxit rritjen e konsumin, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tregoi se pse nuk ka ulje për ata që nuk kalojnë pragun.

    “Konsumatorët deri në 800 kilovatë orë paguajnë dhe kanë paguar edhe në të kaluarën nën koston e shërbimit që e marrin. Prandaj, ne e kemi parë të arsyeshme që gjatë kësaj periudhe, që ajo kategori e konsumatorëve që duke u shërbyer në koston e sistemit, të mos kenë zbritje”, tha Fejzullahu.

    Ai njoftoi se në një nga mbledhjet e ardhshme, rregullatori do të vendosë për formën e kompensimit të konsumatorëve nga 34 komuna për faturat e fryra për veriun – në vlerë totale 40.8 milionë euro – për periudhën 2012-2017.

    “Të gjithë ata konsumatorë të cilët kanë paguar tarifa në atë periudhë, duke mos i përfshi konsumatorët e rinj, meqenëse deri në atë periudhë kanë qenë rreth 600 mijë konsumatorë, tani kemi rreth 100 mijë konsumatorë më tepër, do të kompensohen ata konsumatorë që kanë paguar në këtë rast edhe KEK-un edhe KESCO-n edhe KEDS-in në atë periudhë për vlerën e shtuar, në këtë rast për koston për veriun që ka qenë diku 2-3% më lart se që do të duhej të ishte”, tha Fejzullahu.

    Ulja e pjesshme e tarifave vjen pas dy ngritjesh radhazi më 2022 dhe 2023.

    Për konsumin nën 800 kilovatë orë, më 2023 konsumatorët paguan tarifa 15% më të larta, krahasuar me vitin 2021 kur s’kishte ndarje në blloqe.

    Ndërsa, për konsumin mbi 800 kilovatë paguan tarifa më të larta ndërmjet 114 dhe 135% në raport me vitin 2021.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dëmet e luftës në pyetësorin për regjistrim të popullsisë

    Dëmet e luftës në pyetësorin për regjistrim të popullsisë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Mbledhjen e 198-të të qeverisë, kreu i saj e nisi me një thirrje për qytetarët.

    Krahas thirrjes, kryeministri Kurti tregoi se këtë herë në pyetësorin e regjistrimit të popullsisë, qytetarët do t’i deklarojnë edhe dëmet e luftës.

    “Për herë të parë në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-99 në ekonomitë familjare. Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur”, tha Kurti.

    E disa familje në veri, që gjatë luftës iu dogjën shtëpitë, mund të jenë përfitues të ndërtimit të shtëpive të reja. Për këtë projekt, Qeveria ndau edhe 4 milionë euro.

    Në mbledhjen e së martës, ekzekutivi miratoi edhe planin strategjik për zhvillimin e sistemit informativ shëndetësor, që njëherësh është edhe kusht për sigurimet shëndetësore.

    Meqë, nga nesër hyn në fuqi ligji i ri për trafikun rrugor, qeveria miratoi themelimin e këshillit për siguri në trafik, që synon uljen e aksidenteve.

    Ndër të tjera, Qeveria miratoi propozimin për shpronësim të pronës së paluajtshme të ish-ndërmarrjes shoqërore “Progres”, për ndërtimin e qendrës së paraburgimit në Prizren dhe është miratuar propozimi për shpronësimet shtesë për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Përfundon afati, dy kryetarët e LV-së në veri s’e deklarojnë pasurinë

    Përfundon afati, dy kryetarët e LV-së në veri s’e deklarojnë pasurinë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Postin e kryetarit të komunës së Leposaviqit e mori rreth një vit më parë.

    Por, Lulzim Hetemi harroi t’i kryejë disa obligime ligjore që i vijnë me pozitën që bart, nga fundi i majit të vitit të kaluar.

    Ai nuk e bëri deklarimin e pasurisë, për të cilën pati afat 31 ditë.

    Në një bisedë telefonike me ATV-në i pari i Leposaviqit ishte i painformuar lidhur me këtë proces dhe afatet e përcaktuara me ligj.

    Këtë obligim ligjor nuk e kreu edhe as kolegu i tij, kryetari i Mitrovicës së Veriut Erden Atiq.

    Mirëpo, ndryshe nga Hetemi, Atiq nuk iu përgjigj thirrjeve të televizionit për të marrë një përgjigje lidhur me arsyet e mosdeklarimit të pasurisë.

    Përveç dy kryetarëve nga radhët e Vetëvendosjes, janë edhe 196 zyrtarë të tjerë publikë që nuk e deklaruan pasurinë.

    Numri i zyrtarëve që nuk e deklaruan pasurinë për vitin 2023 është shumë më i lart se në vitin paraprak, kur vetëm 30 zyrtarë nuk e kishin kryer këtë obligim.

    Nga shoqëria civile thonë se mosndëshkueshmëria është njëra ndër arsyet përse disa zyrtarë publikë e neglizhojnë këtë proces.

    Për mosdeklarim të pasurisë me kohë, deri në 15 ditë parashihet shqiptimi i gjobës, ndërsa më pas ngrihen edhe kallëzime penale individuale. Ndërkaq, sipas APK-së, deri më tani asnjë zyrtar nuk është dënuar me burgim efektiv.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Të paktën 27 persona të vdekur nga zjarri në një klub nate në Stamboll

    Të paktën 27 persona të vdekur nga zjarri në një klub nate në Stamboll

    Të paktën 27 persona kanë vdekur si pasojë e shpërthimit të një zjarri në një klub të natës në qendër të Stambollit, sa kanë qenë duke u kryer renovime në objekt gjatë ditës, ka thënë Zyra e Guvernatorit të qytetit.

    Zjarrfikësit dhe pjesëtarët tjerë të ndihmës së parë e kanë rrethuar zonën e klubit, që gjendet në dy katet e poshtme të një ndërtese 16-katëshe në zonën Gajretepe.

    Sipas Zyrës së Guvernatorit, një person është në gjendje kritike në spital.

    Tre prokurorë janë duke e hetuar shkakun e zjarrit dhe pesë persona janë ndaluar, sipas ministrit turk të Drejtësisë, Yilmaz Tunc./rel/

  • Shpallet epidemi e “kollës së keqe” në Kumanovë

    Shpallet epidemi e “kollës së keqe” në Kumanovë

    Qendra e Shëndetit Publik të Kumanovës ka shpallur epidemi të kollës së keqe në nivel të Kumanovës, njoftuan sot zyrtarë nga institucioni publik shëndetësor. Epidemiologia Dr. Edita Ramizi tha se nga 26 të raportuar në nivel të Qendrës, 23 janë të sëmurë në Kumanovë.

    Mosha e pacientëve varion nga 4 muaj deri në 60 vjeç. Numri më i madh është nga 1 deri në 4 vjeç, më pas është nën një vit, që nga pesë deri në 9 vjeç, pjesa tjetër përfaqësohet nga një rast. Sigurisht që rekomandimi dhe apeli për vaksinimin e fëmijëve për t’i mbrojtur nga kjo sëmundje mbetet.

    Të gjitha rastet janë konfirmuar laboratorikisht, nga të cilët numri më i madh janë konfirmuar në laboratorin mikrobiologjik në Qendrën e Shëndetit Publik Kumanovë. Sa i përket statusit të vaksinimit të të sëmurëve nga Kumanovë, tetë persona janë të vaksinuar plotësisht, tre të vaksinuar sipas moshës, pesë persona janë të pavaksinuar, gjashtë janë të pavaksinuar, statusi i vaksinimit të personit 60 vjeçar nuk dihet, tha Dr.Ramizi, raporton Alsat-M.

  • ​Ballkani para ndeshjes me Suharekën: Betejë të fortë në fushë, festë në tribunë

    ​Ballkani para ndeshjes me Suharekën: Betejë të fortë në fushë, festë në tribunë

    Kupa e Kosovës do t’i rikthehet nesër aksionit, ku do të zhvillohen ndeshjet e para të gjysmëfinales së këtij sezoni.

    Ndeshje interesante do të zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, ku Prishtina do të përballet me Dritën, raporton KP.

    Ndërkaq, gjithashtu vëmendja do të jetë edhe te derbi i qytetit mes Suharekës dhe Ballkanit. Ky i fundit para ndeshjes së nesërme ka reaguar në “Facebook”, duke treguar se çka do ta karakterizojë këtë finale.

    “Ky duel sigurisht që do të karakterizohet me betejë të fortë futbollistike në fushë, kurse në tribunë do të jetë festë e vërtetë për qytetin tonë”, shkroi Ballkani në “Facebook”.

  • Qeveria ndan 4 milionë për ndërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë në veri

    Qeveria ndan 4 milionë për ndërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë në veri

    Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për ndarje të 4 milion eurove për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në komunat: Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, raporton EO.

    Albin Kurti është shprehur se një ndër vendimet do të jetë edhe ai i ndarjes së 4 milionë eurosh për ndërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë në veri.

    “Pas thirrjes thirrjes publike të MAPL-së për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, që janë në gjendje të rëndë sociale me kushte të rënda banimi, ka kërkesë për ndarjen e mjeteve shtesë në vlerën e katër milionë eurove të cilat përdoren për subvencionimin qind për qind për ndërtim e shtëpive për qytetarët tanë në katër komunat veriore”, tha Kurti.

    Kjo ka qenë kërkesë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kjo është një kërkesë shtesë për të përmbushur nevojat që kanë qenë gjatë fazave të mëhershme të aplikimit për ndërtim apo rindërtim të shtëpive nga komunitetet pakicë.

  • Ujë Rugove prodhon 1 milion shishe për të rritur ndërgjegjësimin mbi Autizmin

    Ujë Rugove prodhon 1 milion shishe për të rritur ndërgjegjësimin mbi Autizmin

    Ujë Rugove së bashku me Asociacionin Nacional të Autizmit në Kosovë – ANAK, kanë filluar fushatën për ndërgjegjësimin mbi autizmin duke prodhuar 1 milion shishe me etiketa të veçanta që do të shiten në të gjithë Kosovën gjatë muajit Prill.

    Etiketat përmbajnë shumë ngjyra dhe një puzzle/enigmë, simbolin e ndërgjegjësimit për autizëm, dhe sloganin “Autizmi është një ngjyrë e jetës.”

    Ujë Rugove inkurajon të gjithë qytetarët e Kosovës të informohen më shumë mbi autizmin dhe solidarizohen me komunitetin e personave me spektrin autistik.

    Autizmi është një gjendje e zhvillimit që prek aftësitë sociale, komunikimin dhe sjelljen. Në këtë muaj ndërgjegjësimi, është e rëndësishme të ndajmë informacione dhe të promovojmë mbështetjen për personat me autizëm dhe familjet e tyre.

    Ujë Rugove është përkushtuar për të rritur ndërgjegjësimin mbi autizmin dhe për të ndihmuar në shpërndarjen e një mesazhi pozitiv për bashkëjetesën dhe pranimin e ndryshimeve në shoqëri.

    Autizmi është një ngjyrë e jetës – bashkohuni me ne në këtë udhëtim drejt një shoqërie më të ndërgjegjshme dhe më të përfshirë.

    Ujë Rugove, e pifshi për shnet

  • ​100 xhudistë nga 15 shtete do të zbarkojnë në Kosovë

    ​100 xhudistë nga 15 shtete do të zbarkojnë në Kosovë

    Federata e Xhudos e Kosovës ka bërë të ditur se muaji prill po i dedikohet komponentës së “Diplomacisë publike”, e cila është në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”.

    Sukseset e pandalshme të sportit të xhudos, duke përfshirë këtu organizimin e fundit të Kampionatit të Hapur Evropian të xhudos në Kosovë, kanë bërë që të përmirësohet imazhi pozitiv i vendit tonë, gjë kjo që është shndërruar në një shtyllë jetike të përpjekjeve të diplomacisë publike, raporton KosovaPress.

    Muaji prill për Federatën e Xhudos ka filluar me pritjen e ekipit të xhudistëve nga Panamaja, ndërkaq përgjatë këtij muaji në Kosovë do të zbarkojnë edhe 100 xhudistë nga 15 shtete të ndryshme, duke forcuar më tej rolin e xhudos si një mjet i fuqishëm për nxitjen e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • U dogjën në Ferrari, kosovari e drejtonte veturën, gruaja që ishte me të s’po mund të identifikohet

    U dogjën në Ferrari, kosovari e drejtonte veturën, gruaja që ishte me të s’po mund të identifikohet

    Policia italiane ka konfirmuar se 41-vjeçari nga Kosova që banonte në Villeneuve të Zvicrës, Hysni Qestaj është një nga dy të personat që vdiqën në aksidentin e rëndë në orët e hershme të së dielës në Italinë veriore.

    Ai ishte në veturën Ferrari GTC4 së bashku me një grua, e cila nuk është identifikuar ende. Nuk është gruaja e tij. Të dytë u dogjën brenda veturës. Vetura doli nga rruga në autostradën Ivrea-Santhia menjëherë pas tunelit Passo d’Avenco në drejtim të Milanos. Matjet e para bënë të mundur të konstatohet se ai po lëvizte me një shpejtësi midis 200 dhe 250 kilometra në orë.

    Përplasja në anësoren e autostradës Ivrea-Santhia e ndau veturën përgjysmë: pjesa e përparme u thërrmua e më pas u përpi nga flakën, ndërsa pjesa e pasme u hodh pesëdhjetë metra larg, raportojnë mediat italiane, përcjell Express.

    Mediumi italian, Rai shkruan se shoferi u identifikua, ndërsa gruaja, e cila mendohet se ishte në anën e pasagjerit, ende jo. Të hënën, vëllai i drejtuesit të veturës u paraqit në stacionin e policisë rrugore Settimo Torinese për ta bërë identifikimin. Nuk ishte e lehtë, siç raportohet, pasi trupi ishte plotësisht i djegur. Ende asgjë nuk dihet, megjithatë, për viktimën e dytë të aksidentit, gjithashtu e djegur dhe e panjohur: për identifikimin e saj Prokuroria e Vercellit ka urdhëruar të bëhet një test i ADN-së.

    Ka gjasa që Prokuroria e Vercellit, e cila po e heton aksidentin, të përgatisë edhe hetimet teknike për rrënojat e veturës për ta zbardhur dinamikën e aksidentit. Nga gjendja e veturës, sipas Rai është e sigurtë se ajo po lëvizte me shpejtësi shumë të madhe, aq sa zjarrfikësve iu deshën pesë orë punë për nxjerrjen e trupave të djegur dhe për ta hequr atë që kishte mbetur nga Ferrari.

    Gazeta La Sentinella del Canavese, shkruan ndërkaq, se 41-vjeçari kishte lindur e banonte në Zvicër.

    Dy trupave do t’u bëhet autopsia. Mediat italiane shkruajnë se të dy personat mbanin orë me rrip ari. Një detaj që mund ta ndihmojë prokuroren Mariaserena Iozzo.

    Misteri i viktimës së dytë

    Mediat italiane shkruajnë se viktima e dytë nuk është gruaja e kosovarit që vdiq në këtë aksident.

    Siç raporton Torino Cronaca, ruaja që vdiq së bashku me Hysni Qestajn, DJ me profesion, nuk ishte gruaja e tij.

    Por pse DJ Hysni Qestaj humbi kontrollin e Ferrarit të bardhë dhe u përplas?

    Duket se një natë më parë ka performuar në një klub nate në kantonin Valais të Zvicrës. Muzika deri në agim, pastaj, ndoshta, shumë pak orë gjumë para vozitjes. Për më tepër, një makinë garash, një Ferrari që mund të arrijë shpejtësinë 335 kilometra në orë, shkruan Torino Cronaca.

    Mediumi zviceran, Blick, shkroi dje se vëllai i Hysni Qestajt ka konfirmuar se vetura ishte e tij.

    “Është e vështirë ta përshkruash me fjalë këtë person të madh dhe pozitiv. Por nëse do të më duhej ta përshkruaja me një fjalë, do të thosha se ai ishte personi më i dashur që e kam njohur”, tha ai.

    Vëllai i Hysni Qestajt sapo kishte mbërritur në Suedi me familjen e tij, por më pas udhëtoi për në Zvicër.

    Mediat në Itali raportojnë se bashkëshortja e Hysni Qestajt ndodhet në Kosovë, së bashku me fëmijët e çiftit, 11 dhe 14 vjeç. Vëllai i tij, megjithatë, saktësoi dje se ata ndodhen në Zvicër.

    “Ne duam ta mbështesim gruan dhe fëmijët e tij. Ata janë në shtëpi në Zvicër”, tha ai për mediumin zviceran.