Një burrë është arrestuar mbrëmë në Podujevë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Dhunë në familje’.
Siç njoftoi Policia, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj në vazhdimësi është duke shkaktuar dhunë ndaj saj.
Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se viktimës i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.
Do të zhvillohen sot dy gjysmëfinalet e para të Kupës së Kosovës në futboll me dy ndeshjet që garantojnë spektakël në fushë për 90 minuta.
Vëmendja kryesore do të jetë tek ballafaqimi i dy skuadrave elitare të futbollit kosovar, ai ndërmjet Prishtinës dhe Dritës.
Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit nga ora 15:00.
Prishtina luan në gjysmëfinalen e 14-të pas luftës nga 11 finale prej vitit 1992 dhe 8 trofe po nga viti 1992
Ballafaqim tjetër interesant do të jetë edhe ai ndërmjet Suharekës dhe Ballkanit, dy rivalë lokal që do të ballafaqohen në stadiumin e qytetit në Suharekë me fillim nga ora 15;00.
Shoqata për Dëme të Luftës “Ngritja e Zërit“, ka dorëzuar të martën në Gjykatën Kushtetuese për herë të 11-të dosjet e radhës për kompensimin e dëmeve të luftës, respektivisht kërkesat, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i kësaj shoqate, Jahir Bejta, ka deklaruar për Ekonomia Online se shpreson që Gjykata Kushtetuese të korrigjoj lëshimin e bërë nga Gjykata Supreme.
“Ja sot për të 11-ën herë i dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dosjen nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës. Na jemi këtu të njëjtin vend për të 11-ën herë sot për njëjtin qëllim dhe pranë Gjykatës Kushtetuese, ne për të referuar dhe folur për drejtësinë e viktimave të luftës dhe jo për ta përcjell mesazhin tek publiku pasi që e drejta për të drejtën e njeriut dhe pronën private është kategori kushtetuese e drejta për qasjen e drejtësinë vendore, është kategori kushtetuese obligimi për implementimin e detyrimit pozitiv sikurse detyrimit negativë është kategori kushtetuese dhe në fund harmonizimi vendimeve gjyqësore dhe vendimeve mu të kësaj gjykate Kushtetuese është kategori kushtetuese ndaj sa është rënde mos lejimi i qasjes së viktimave në drejtësi që 16 vite nga Pavarësia”, ka thënë Bejta.
Sipas Bejtës, Gjykatat vendore po i udhëzojnë palët që të shkojnë në Gjykatat në Beograd, teksa kritikon edhe gjyqtarët e Kushtetueses të cilët “kanë punuar në sistemin e kaluar dhe të ndjekur për kriminalitet”.
“Gjykatat tona nuk i shqyrtojnë paditë dhe i udhëzojnë palët që të shkojnë në gjykata të Beogradit të cilat nuk janë kompetente, të paktën bile nga 20 korriku 2010 kur gjendja ka konstatuar se të dy shtetet e Republikës së Serbisë dhe Kosovës se entitete janë të pavarura njëra nga tjetra, Serbia nuk e ka imunitetin të i shqyrtojë tani vlen të apostrofohen edhe disa çështje tjera pikërisht gjykata kushtetuese në cilësinë e gardianit të drejtësisë ka filluar ta zbeh autoritetin e vetë për faktin se në gjirin e saj kushtetues kem gjyqtarë pa kredibilitet moral mos të them gjyqtar të cilët kanë punuar në sistemin e kaluar të drejtësisë pra në sistemin monist plus asaj kemi gjyqtarë të ndjekur për kriminalitet madje edhe nga Interpoli dhe këto ka gjet shtretër këtu në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Bejta për EO.
Më 3 prill [sot] do të fillojë të zbatohet Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor pasi Ligji është votuar në Parlament dhe është dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.03.2024.
Mosvënia e rripit të sigurisë, mbajtja në prehër e personit tjetër gjatë vozitjes, tejkalimi në vijë të plotë, përdorimi i celularit gjatë vozitjes dhe garat me vetura janë vetëm disa prej veprimeve të vozitësve që pritet të dënohen shumë më ashpër sesa me Ligjin e vjetër për rregullat e trafikut rrugor.
Sipas Ligjit të ri, i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare më 19.03.2024 dhe hyn në fuqi më 03.04.2024, parashihet që dënimi me gjobë për personat që nuk vënë rripin e sigurisë të jetë 150 euro.
Mosvënia e rripit të sigurisë me Ligjin e kaluar dënohej me 40 euro gjobë.
Tutje, Ligji i ri ia ndalon vozitësit të automjetit të mbajë në prehër dikë tjetër, duke përfshirë këtu edhe fëmijët, gjë të cilën nuk e kishte specifikuar Ligji i vjetër (aktual). Ligji i ri ka paraparë dënimin me gjobë prej 400 euro, shqiptimin e 5 pikëve negative dhe ndalim të vozitjes së automjetit për 6 muaj nëse mban në prehër dikë tjetër.
Ligji i ri ka paraparë dënime edhe për vozitësit të cilët bëjnë tejkalime në vijë të plotë. Gjoba për këtë veprim do të jetë 200 euro, shqiptimi i 2 pikëve negative dhe 3 muaj ndalim të drejtimit të automjetit. Ligji i vjetër kishte paraparë dënimin me gjobë nga 100-300 euro, 3-6 muaj ndalim të vozitjes dhe 2 pikë negative.
Gjatë vozitjes nuk lejohet përdorimi i telefonit.
Këtë e ka paraparë Ligji për rregullat e trafikut rrugor. Nëse një person përdor telefonin gjatë vozitjes i njëjti do të dënohet me 100 euro gjobë dhe do t’i shqiptohet një pikë negative.
Nëse veprimi i njëjti i përdorimit të telefonit përsëritet për herë të dytë, ngasësi i veturës do të dënohet me 200 euro gjobë dhe me shqiptimin e dy pikëve negative dhe do t’i ndalohet ngasja për tre muaj. Ndërsa nëse për më shumë se dy herë vozitësi ka përdorur telefonin do të dënohet me gjobë në shumën 500 euro, do t’i shqiptohen tri pikë negative dhe do t’i ndalohet ngasja e veturës në kohëzgjatje prej 6 muajsh.
Bregdeti lindor i Tajvanit është goditur nga një tërmet me magnitudë 7.4 ballë. Pasuan një seri tërmetesh pak më të dobëta, më i forti prej të cilëve ishte rreth 6 gradë.
Japonia dhe Tajvani lëshuan menjëherë një paralajmërim për cunami.
Epiqendra e tërmetit ndodhej rreth 18 kilometra në jug të qytetit Hualien dhe ndërtesa dhe shtëpi të dëmtuara u raportuan gjithashtu në atë zonë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Tajvanit.
Pjesëtarë të ushtrisë u dërguan në terren për të ndihmuar viktimat, dhe shkollat dhe shumë vende pune u mbyllën pas tërmetit.
Në rrjetet sociale janë shfaqur edhe videot e tërmetit të tmerrshëm, si dhe dëmet që ka shkaktuar.
Tetë persona kanë vdekur mëngjesin e së martës kur një veturë e cila dyshohet se po bartte emigrantë doli nga rruga dhe ra buzë lumit Vjosa në Shqipëri.
Aksidenti ndodhi rreth orës 4:00 në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet në jug të vendit.
Autoritetet thanë se drejtuesi i veturës, një 24-vjeçar nga Shkodra, që po i bartte shtatë emigrantë nga vendet e treta, e humbi kontrollin e veturës, duke i ikur policisë.
Oficerët e ndoqën deri në afërsi të vendit të ngjarjes veturën dhe se “kur nuk e kanë parë më mjetin që po ndiqnin, efektivët e policisë kanë inspektuar zonën dhe kanë parë shenjat e aksidentit të rëndë”, tha drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa.
Kreu i Prokurorisë së Gjirokastrës, Petrit Çano, tha se shoferi është shqiptar nga Shkodra, ndërsa emigrantët nga vende të treta që po përdornin Shqipërinë për të shkuar në vende të Bashkimit Evropian.
“Nuk e dimë nga [cilat vende] vijnë, presim mjekët ligjorë nga Tirana për ekspertizën dhe do të duhet kohë për identifikimin. Pas identifikimit do të bashkëpunojmë me ambasadat përkatëse për kthimin e trupave në vendet e tyre”, tha Çano.
Cipa dhe Cano thanë se gjatë aksit rrugor Këlcyrë – Përmet, në vazhdimësi janë vërejtur “elemente kriminale që merren me këtë aktivitet”, me transportimin e paligjshëm të emigrantëve që synojnë të shkojnë drejt BE-së.
Drejtues të policisë vendore, të policisë kufitare dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dolën në vendngjarje për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Shqipëria është pjesë e rrugës ballkanike që e përdorin emigrantë të paligjshëm për të shkuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Ata hyjnë në territorin shqiptar nga Greqia dhe më pas udhëtojnë drejt Malit të Zi, në përpjekje për të arritur në BE.
Sipas Agjencisë Evropiane Kufitare, Frontex, viti 2023 shënoi një rritje rekorde të hyrjeve të parregullta të emigrantëve në BE përmes rrugës ballkanike. /atvlive.tv
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Prishtina nuk e ka asnjë qendër për trajtimin e rasteve të personave me autizëm, ku ata do të merrnin trajtimin e duhur shëndetësor.
Edhe çerdhet dhe shkollat publike e private, në shumicën e rasteve kanë mungesë të asistentëve, logopedëve të cilët do të merreshin me raste të tilla.
“Në kopshtin tonë dyert janë të hapura për fëmijët me autizëm, për çdo vit kemi pasë, sepse është e nevojshme për socializimin e tyre. Nuk kemi mësuese mbështetëse për t’i ndihmuar edukatoret, këtë vit asistenten e paguan prindi”, tha Florie Kameri, u.d. drejtoreshë në çerdhen “Dielli”.
Sipas psikologut Naim Telaku, për fëmijët autikë duhet të kujdesen profesionistë, pasi mostrajtimi i duhur mund të ndikojë negativisht në zhvillimin dhe socializimin e tyre.
“Nëse nuk ka një profesionist për të punuar me këto raste, kjo mundet me pengu edhe funksionimin e krejt grupit, e pamundëson fëmijën me autizëm me pasë një zhvillim të mirëfilltë, sepse këta persona kanë nevojë për ndihmë të mirëfilltë profesionale, që me i zhvillu kapacitetet e tyre sa më shumë që është e mundur”, tha Telaku.
Barrë tjetër për prindërit e fëmijëve me autizëm është edhe sigurimi i terapisë.
“Sfida kryesore është pagesa e terapisë, dhe mungesa e një qendre të mirëfilltë, sepse kemi shoqata, por qendër nuk ka. Sfidë është diagnostikimi, terapia e mirëfilltë. Prindërit duhet me pagu vetë, është e paraparë me norma që duhet me i pasë 8 orë terapi, por këta i bëjnë vetëm 2 orë në bazë të mundësive të veta”, tha Cen Krasniqi nga shoqata “Autizmi”.
Në një tryezë të organizuar me rastin e 2 prillit-ditës së autizmit, u tha se në Kosovë ende nuk ka një databazë me të dhënat për personat që janë me autizëm.
Nga qeveria thanë se janë në finalizim të strategjisë nacionale për personat me aftësi të kufizuar.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Krahas dënimit kapital prej 22 vjetësh burgim, Gjykata Speciale kishte obliguar Salih Mustafën që viktimave t’ua paguajë 207 mijë euro.
Gati një vit nga Shpallja e vendimit, asnjëra nga 8 palët e dëmtuara, nuk i ka marrë mjetet të cilat variojnë nga 2 mijë deri në 80 mijë euro.
Në këtë drejtim, kryetarja e Dhomave të Specializuara më 17 janar ka caktuar një Gjykatës për të mbikëqyrur zbatimin e urdhrit për zhdëmtim.
Duke marrë parasysh që Gjykata kishte konstatuar se Mustafa nuk i posedon fondet e mjaftueshme, nga Fondi për të Drejtën Humanitare rekomandojnë që institucionet e Kosovës ta zbatojnë ligjin në fuqi për kompensim.
“Me shpalljen e vendimit në rastin e Calit, gjykata lëshoi urdhër për kompensim. duke marrë parasysh që i pandehuri nuk kishte mjetet financiare, gjykata rekomandoi që Kosova të gjejë mekanizma që t’i kompensojë. FMN-ja rekomandon që të bëhet kompensimi në të gjitha rastet ku ka viktima”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Deri në këtë fazë, institucionet nuk kanë shprehur gatishmëri që të ndërhyjnë në pagesën e viktimave.
Ndërkohë, në vendimet gjyqësore për krimet e luftës, në gjykatat në Kosovë, nuk është dhënë urdhër për zhdëmtim të viktimave.
Kështu, njohës të drejtësisë sugjerojnë që të bëhen ndryshime ligjore. Rekomandime për ndryshime në legjislacion, Kosovës i ishte dhënë edhe nga Gjykata Speciale.
“Kosova ka në fuqi legjislacionin për kompensimin e viktimave. 05L/036. Çdo person që caktohet fajtor duhet ta kompensojë viktimën. Por ligji nuk përfshin viktimat e krimeve të luftës”, tha avokati Xhevdet Smakiqi.
Ministria e Drejtësisë nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e ATV-së, nëse ka ndërmarrë hapa konkretë drejt zbatimit të rekomandimeve të Dhomave të Specializuara për ndryshimet ligjore për kompensimin e viktimave.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Që nga viti 2017 kur ish-presidenti Hashim Thaçi inicioi themelimin e Komisionit të Vërtetës dhe Pajtimit, asnjë hap tutje nuk është ndërmarrë nga presidentja Vjosa Osmani.
Mekanizimi që synon të kontribuojë në arritjen e paqes dhe pajtimit me Serbinë, së fundi televizioni kupton jozyrtarisht që është përfshirë në Strategjinë për Drejtësinë Trancizionale.
Gazetarja që merret me hulumtimin dhe raportimin e krimeve të luftës, Serbeze Haxhiaj thotë se komisioni do të ndikonte në forcimin e komunikimit ndëretnik.
Të nevojshëm e sheh funksionimin e këtij Komisioni edhe Nevena Radosavljevic nga Leposaviqi.
Por Nevena e cila udhëheq organizatën “Local Peace”, thotë se ai do të kishte sukses vetëm me përfshirjen e banorëve lokalë të të dyja etnive.
“Pjesa më e rëndësishme për mua është që t’i përfshijmë njerëzit së bashku, të paktën për këtë kam qenë duke punuar për një kohë të gjatë, njësoj sikurse edhe kolegët e mi këtu në Prishtinë dhe në veri. Veprimi kryesor është që të ofrohet hapësira ku njerëzit do të mund të takohen dhe të ndërtojnë raportet. Njerëzit nuk kanë hapësira të takohen, të mësojnë për historinë e njëri-tjetrit, sidomos ato të luftës”, tha Radosavljevic.
Megjithatë, themelimi i Komisionit vlerësohet të jetë sfidues duke marrë parasysh situatën aktuale politike dhe raportet mes dy vendeve.
“Ky Komision është shumë i nevojshëm, duhet të bëhet edhe nga Serbia, edhe nga vendet tjera. Duhet të rregullohet në atë mënyrë që njerëzit të jenë pjesëmarrës dhe t’ia njohin rëndësinë. Jemi duke u ballafaquar me narrativa të politikës, e me propaganda dhe storie të njëanshme. Andaj mendoj se situata politike e krijuar nga Beogradi e Prishtina po e ndalojnë që kjo të arrihet më shpejt”, tha Radosavljevic.
Strategjia për drejtësinë trancizionale është dërguar për miratim në Qeveri, nga Ministria e Drejtësisë, e cila gjatë ditës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e adresuara rreth temës.
Përgjigje për themelimin e Komisionit që do të kontribuonte në ballafaqimin me të kaluarën dhe vërtetimin e fakteve rreth luftës në Kosovë, të martën nuk kanë kthyer as nga zyra e Presidentes.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Pa llogaritur kontributet dhe tatimet, “Telekomi” i Kosovës shpenzon rreth 1.3 milionë euro në muaj, për t’i paguar rreth 1800 punëtorë.
Pagat e marsit, ndërmarrja e pati të pamundur t’i ekzekutojë, meqë llogaritë iu bllokuan për shkak të një konteksti përmbarimor.
“Të gjithë ne kemi familje, 90 për qind nga ne jemi në kredi, dhe unë për vete kam marrë mesazh nga banka për mospagesën e kredisë”, tha kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.
Kompania “Dardafon” përmes procedurës përmbarimore, deri tani ka arritur të marrë 2.1 milion euro nga llogaria e “Telekomit” të Kosovës.
Referuar vendimit të marrë në shkurt nga shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, ndërmarrja publike i detyrohet “Dardafonit”, një shumë prej mbi 5.7 milionë eurosh.
Drejtori financiar i Telekomit, Feim Kelmendi, thotë se për vendimin e shkallës së parë të Komerciales, “Telekomi” është ankuar në shkallën e dytë të Gjykatës.
Gjatë 30 ditëve sa ka marrë kohë që gjykatësi i shkallës së parë, ta procedojë ankesën në shkallën e dytë, “Dardafoni” i mori 2.1 milionët nga “Telekomi”.
“Ankesa e shkallës së dytë shkon përmes shkallës së parë, tani ky gjykatësi i shkallës së parë e ka mbajtur 30 ditë ankesën në sirtarë, nuk e ka dorëzuar në shkallën e dytë, normalisht që kjo nuk është shkelje ligjore sepse me ligj i lejohet 30 ditë, por duke e ditur rëndësinë e çështjes ka mundur ta dorëzojë menjëherë… brenda këtij afati 30 ditësh janë marrë ato 2.1 milion”, tha Kelmendi.
Aktualisht, pjesa tjetër e mjeteve është e sigurt, meqë përmbaruesi, i cili bllokoi llogaritë e ndërmarrjes, vazhdon të jetë i suspenduar.
Edhe nëse “Telekomi” e fiton rastin, ekziston rreziku potencial që mjetet e marra nga “Dardafoni”, të mos kthehen.
“Me dijeninë tonë, kjo kompani nuk ka asnjë aset, do të thotë rreziku është që ata t’i marrin mjetet dhe ne mos të mundë t’i kthejmë përmes procedurave ligjore, edhe pse kemi të drejtë, nuk kemi si t’i kthejmë”, tha Kelmendi.
Bllokimi i xhirollogarive të ndërmarrjes, pamundëson edhe kryerjen e pagesave që ndërmarrja iu detyrohet kontraktorëve.
“Shfrytëzoj edhe këtë intervistë që t’u bëjë thirrje të gjithë kontraktorëve, që të kenë mirëkuptim dhe të kenë besim te ne”, tha Kelmendi.
Kompania private “Dardafon” vazhdon të kërkojë mjete të tjera nga “Telekomi”, duke u bazuar në vendimin e arbitrazhit, të vitit 2016.
Ndërkaq, nga “Telekomi” thonë se vendimi i Arbitrazhit detyronte ndërmarrjen publike t’i paguante “Dardafon-it”, 27 milionë euro, kurse Telekomi kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafon”-it.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: