ATV

Blog

  • Arrestohet ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, i akuzuar për sulm seksual

    Arrestohet ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, i akuzuar për sulm seksual

    Luis Rubiales, ish-president i Federatës Spanjolle të Futbollit, u arrestua mëngjesin e kësaj të mërkurë në aeroportin Barajas, në Madrid, sapo u kthye në Spanjë nga Republika Domenikane, ku ndodhej kur u kryen kontrollet e Federatës disa ditë më parë dhe në shtëpinë e tij.

    Ishte planifikuar të mbërrinte të shtunën, por vendosi të kthehej më shpejt në Spanjë.

    Dhjetëra gazetarë po e prisnin Rubiales në daljet e aeroportit, por ish-drejtuesi i lartë i Federatës u arrestua teksa dilte nga avioni nga Njësia Qendrore Operative e Guardia Civil. Ai ishte personi i fundit që la bordin e avionit.

    Nuk është e sigurt nëse Rubiales do të mund të dëgjohet sot nga një gjykatës. Nëse kjo nuk është e mundur, ai do të mbahet në paraburgim në Komandën Civile të Guardia në Tres Cantos, në periferi të Madridit.

    Javën e kaluar, autoritetet spanjolle lëshuan ​​një urdhër arresti ndërkombëtar për Luis Rubiales, në lidhje me kontratat e parregullta të nënshkruara gjatë pesë viteve të fundit, duke përfshirë transferimin e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite. Rubiales po hetohet për krime të dyshuara për korrupsion në biznes, administrim të paligjshëm dhe pastrim parash.

    Ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) ndodhej në Republikën Domenikane, vend që nuk ka marrëveshje ekstradimi me Spanjën. Njësia Qendrore Operative e Guardia Civil kontrolloi selinë e federatës dhe gjithashtu shtëpinë e Rubiales

    Një ditë para udhëtimit, Rubiales kishte dhënë një intervistë për La Sexta në të cilën fliste për paratë. “Paratë në llogarinë time janë rezultat i punës dhe kursimeve të mia”, në intervistën që do të transmetohet e plotë këtë të mërkurë.

    Rubiales u shkarkua nga pozicioni që e mbajti midis majit 2018 dhe shtatorit 2023, duke u larguar pas polemikave të shkaktuara nga puthja që i dha Jenni Hermosos, pas triumfit në Kupën e Botës për femra në gusht 2023. /tch

  • Një grua nga Podujeva lind katërnjakë – tre djem dhe një vajzë

    Një grua nga Podujeva lind katërnjakë – tre djem dhe një vajzë

    Në Klinikën Obstetrike – Gjinekologjike, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, një nënë nga Podujeva ka lindur katërnjakë.

    Sipas një njoftimi të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK) bëhet e ditur se nëna me inicialet D. S., 26-vjeçare, ka lindur me operacion, në kujdes shëndetësor të mjekëve, mamive dhe infermierëve.

    “Tre fëmijë janë të gjinisë mashkullore dhe një e gjinisë femërore. Nëna bashkë me fëmijët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Tani fëmijët janë nën përkujdesje të stafit mjekësor në Klinikën e Neonatologjisë, ku janë duke marrë trajtimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

  • Inzaghi i sjell Interit mbi 400 milionë euro

    Inzaghi i sjell Interit mbi 400 milionë euro

    Simone Inzaghi e ka çuar Interin në një nivel të ri dhe puna e tij ka ndihmuar të sjellë mbi 400 milionë euro të ardhura gjatë tre viteve të fundit.

    Trajneri 47-vjeçar italian i ka shndërruar “Nerazzurrët” në një nga skuadrat më të forta në Evropë që nga ardhja e tij në vitin 2021, duke i çuar në finalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar dhe duke i vendosur në rrugën e duhur për të fituar Scudetton e 20-të historike këtë sezon. .

    Inzaghi ka më pak se 18 muaj të mbetur në kontratën e tij me Interin, por klubi po planifikon të ulet me trajnerin e tyre në muajt e ardhshëm për të vendosur një marrëveshje të re.

    “Calciomercato.com” detajon se si puna e Inzaghit në skuadrën e Interit gjatë tre viteve të fundit i ka sjellë klubit të paktën 460 milionë euro, falë rezultateve të tyre në garat vendore dhe në Ligën e Kampionëve, përcjellë KosovaPress.

    Në fund të këtij sezoni, Nerazzurët do të mbledhin rreth 190 milionë euro të ardhura, që vijnë nga kualifikimi në Champions League (50 milionë euro), sezonin e tyre 2023-24 në Ligën e Kampionëve (rreth 85 milionë euro) dhe kualifikimin në Kupën e Botës për Klube ( 50 milionë euro).

    Këtyre shifrave i shtohen edhe fitimet e tyre si rezultat i fitores së tyre në Scudetto, Superkupën e Italisë dhe të gjitha marrëveshjet e tyre të ndryshme sponsorizimi.

  • Nivelit i ulët i pagave, OShP përballet me mungesë të stafit

    Nivelit i ulët i pagave, OShP përballet me mungesë të stafit

    Organi Shqyrtues i Prokurimit është duke u përballur me mungesë të stafit, kjo për shkak të dorëheqjeve të tyre si pasojë e nivelit të ulët të pagave. Si rrjedhojë e kësaj, kryetarja e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Vjosa Gradinaj ka theksuar se ka vonese në trajtimin e lëndëve.

    Gradinaj gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, gjatë shqyrtimit të Raportit vjetor të punës së Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2023 ka thënë se nga puna shtesë, punëtoret në këtë institucion po përballen me fluks të punës, derisa shtoi se ka edhe dorëheqje të tyre.

    “Bordi aktual i njëjti ushtron mandatin e tij, dhe në këtë përbërje është përballur me fluks të lëndëve të reja. Jemi në fazën e rekrutimi edhe për stafin tjetër të mbetur. Kemi pranuar tri dorëheqje, po ndikon puna shtesë që po ndikohen punëtorët e OShP-së. Sa i përket vitit 2023, OShP ka pranuar gjithsej 1071 lëndë, 345 janë kthyer në rivlerësim, nga të cilat 85 lëndë janë anuluar. OShP ka nevojë për punëtor të rinj, marrë parasysh edhe ftesat e vazhdueshme nga gjykata 300 ftesa i kemi pranuar, kemi nevojë edhe për zyrtar ligjor dhe të IT”, tha Gradinaj.

    Ndërsa deputeti nga partia në pushtet, Eman Rrahmani ka thënë poashtu se është e pamundur që me këtë numër të stafit të funksionojë ky institucion.

    “Është mirë me pas krahasim edhe me vitet e kaluara, tek numri ankesave e aktivitetet tjera. Shqetësuese është numri i të punësuarve me aktivitetin që bëhet, si OShP kanë ardhë me kërkesë për rritjen e tyre dhe nuk e keni pranuar me një arsyetim të ndryshimit të ligjit qysh para dy viteve. Nuk ka mundësi teorike e praktike me funksionu OShP në detyrën e saj që është aty. Është e pamundur të analizohet secila lëndë në këtë drejtim, nuk ka kapacitet të kryej punën me këtë staf”, tha Rrahmani.

    Zyrtari financiar në këtë institucion, Agim Shaqiri ka thënë se nuk kanë gjetur mirëkuptim për ngritje të koeficientit për zyrtarët, ani pse ka dorëheqje të profesionistëve për këtë shkak.

    “OShP ka buxhet të vogël për dy kategori sidomos për paga dhe mëditje dhe për kategorinë mallra dhe shërbime. Nuk kemi gjet mirëkuptim për ngritje të koeficientit për zyrtarët. Muajin paraprak kanë dhënë dorëheqje dy, momentalisht jemi pa zyrtar të teknologjisë së informacionit. Mora një njoftim që edhe sot ka dhënë një dorëheqje, por kanë paralajmëruar edhe dy të tjerë. Ky është shqetësim për nivelin e pagave. Vlera totale depozitave ka qenë mbi dy milion euro”, tha ai.

    Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se pasojat e ligjit të pagave janë të mëdha e shqetësuese.

    Ai derisa ka pyetur për arsyet e vonesës në shqyrtimin e lëndëve, ka thënë se gjysma e dorëheqjeve po ndodhin për shkak të pakënaqësisë me koeficientin e ri të pagave.

    “Jemi duke parë pasojat e ligjit të pagave të koeficientit. Prej dëmeve keni 21 anëtar stafi, prej tyre 13 kanë dhënë dorëheqje në këto tre vite, gjysma stafit është ndërruar, arsyeja kryesore koeficienti. A mund të themi se kjo kategori ka filluar pas ligjit të pagave. Pra, vonesat në shqyrtimin e lëndëve janë pasojë e largimit të stafit”, tha Hoti.

    Këtë e ka pohuar Shaqiri, duke thënë se e gjithë kjo po ndodhë për shkak të mungesës së stafit si pasojë e largimit të tyre nga niveli i pagave të ulëta.

    Ndërkaq, nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për raportin plotësues.

    Ndërsa në mungesë të auditores së përgjithshme, Vlora Spanca shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2022 dhe 2023 është shtyrë për një ditë tjetër./kp

  • Kurti shkon në Leposaviq, takon kryetarin Lulzim Hetemin

    Kurti shkon në Leposaviq, takon kryetarin Lulzim Hetemin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në këto momente është duke zhvilluar një vizitë në komunën e Leposaviqit, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Lulzim Hetemi.

    Policia e Kosovës është duke u kujdesur për vizitën e tij.

    Kjo vizitë po zhvillohet vetëm disa ditë para votimit për shkarkimin e katër kryetarëve në këto komuna veriore.

    Hetemi për disa muaj më radhë ka qendruar i mbyllur në zyre.

  • Kaplohet nga zjarri trafo-stacioni në Prishtinë

    Kaplohet nga zjarri trafo-stacioni në Prishtinë

    Është duke vazhduar zjarri në objektin e nënstacionit elektrik pranë stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Nga pamjet shihet se zjarrfikësit kanë arritur në vendin e ngjarjes, ndërkohë nuk dihet se a ka të lënduar.

    Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga Policia për rastin por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri tani.

  • Stoltenberg propozon ndihmë ushtarake për Ukrainën me vlerë 100 miliardë euro

    Stoltenberg propozon ndihmë ushtarake për Ukrainën me vlerë 100 miliardë euro

    Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka propozuar një paketë ndihme ushtarake pesëvjeçare për Ukrainën me vlerën 100 miliardë euro, çka do t’i mundësonte aleancës perëndimore një rol më të drejtpërdrejt të mbështetjes për Kievin, thanë pesë diplomatë të martën.

    Sipas planit, NATO-ja do të merrte përsipër disa nga detyrat koordinuese të koalicionit ad-hoc, i njohur si grupi Ramstein, një hap që do të mbronte pjesërisht çdo shkurtim të mbështetjes amerikane nëse Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, thanë diplomatët.

    Propozimi pritet të diskutohet në një takim dy-ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s të mërkurën dhe të enjten, me synimin për të finalizuar një paketë në prag të takimit të lartë të NATO-s në Uashington në muajin korrik.

    Deri më tani, NATO-ja si organizatë nuk e ka ndihmuar Ukrainën me armatime nga droja se një rol i drejtpërdrejtë mund të shkaktojë një përshkallëzim të tensioneve me Rusinë. Shumica e vendeve anëtare të aleancës i ofrojnë Ukrainës ndihma ushtarake në baza dypalëshe.

    Por diplomatët thanë se brenda aleancës po shtohet mbështetja për idenë që NATO-ja ta ndihmojë ushtarakisht Ukrainën në aspektin afatgjatë dhe se aleanca mund ta marrë përsipër pjesën më të madhe të këtij roli.

    Në bazë të planit, NATO-ja do të krijonte një mision për Ukrainën, megjithëse ishte ende e paqartë nëse misioni do të vepronte brenda vendit, thanë diplomatët. Disa shtete ishin të kujdesshme edhe në emërtimin e operacionit si mision.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se plani është pjesërisht “për t’u mbrojtur kundër erërave të ndryshimeve politike” në çdo vend anëtar të NATO-s.

    NATO-ja nuk pranoi të komentonte në detaje lidhur me propozimet e zotit Stoltenberg, por një zyrtar i aleancës tha se ministrat e jashtëm do të “diskutojnë mënyrën më të mirë për të organizuar mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, për ta bërë atë më të fuqishme, të parashikueshme dhe të qëndrueshme”.

    “Asnjë vendim përfundimtar nuk do të merret në takimet ministrore të prillit dhe diskutimet do të vazhdojnë ndërsa i afrohemi takimit të nivelit të lartë në Uashington në korrik”, tha zyrtari, i cili kërkoi që të mbetej anonim.

    Diplomatët thanë se diskutimet mbi propozimin ishin në një fazë të hershme dhe ishte e paqartë nëse do të miratohej shuma prej 100 miliardë eurosh apo si do të financohej. Të gjitha vendimet e NATO-s kërkojnë konsensus nga 32 vendet anëtare të aleancës./voa

  • Taylor Swift i “afrohet” Elon Muskut, hynë në listën e personave më të pasur në botë

    Taylor Swift i “afrohet” Elon Muskut, hynë në listën e personave më të pasur në botë

    Këngëtarja amerikane Taylor Swift i është bashkuar Elon Muskut në listën e personave më të pasur në botë.

    Ylli amerikan ka hyrë në Listën e Miliarderëve, të përpiluar prej revistës Forbes, për herë të parë, pas regjistrimit të një pasurie prej 1.1 miliard dollarësh.

    Në listë këtë vit ka hyrë edhe Sam Altman, krijuesi i aplikacionit ChatGPT të kompanisë AI, me një pasuri prej 1 miliard dollarësh.

    Mirëpo Bernard Arnault dhe familja e tij, që qëndrojnë mbrapa kompanisë franceze të mallrave luksoze LVMH, e kryesojnë listën e revistës Forbes me një pasuri prej 233 miliardë dollarëve.

    Forbes ka thënë se në vitin 2024 është regjistruar një rekord i miliarderëve – 2.781.

    Forbes ka thënë se elita botërore është më pasur se kurrë dhe e ka një pasuri kolektive prej 14.2 trilionë dollarëve.

    Swift, këngëtare dhe tekst shkruese, ka hyrë këtë vit në listën e personave më të pasur, pasi e ka fituar statusin e megayllit.

    Këtë vit ajo është bërë performuesja e parë që e ka fituar çmimin për albumin më të mirë për herë të katërt.

    Përveç muzikës, emri i saj është shumë i përfolur edhe për lidhjen e dashurisë që ka me yllin e futbollit amerikan Travis Kelce.

    Sa u përket 10 personave më të pasur në planet, tetë janë prej SHBA-së dhe gjashtë prej tyre janë pasuruar në industrinë e teknologjisë.

    Pas Arnaultit dhe familjes së tij, Musk, pronari i kompanive Tesla dhe X – i njohur më parë si Twitter – është renditur i dyti, me një pasuri prej 195 miliardë dollarësh.

    Në vendin e tretë është pronari i kompanisë Amazon, Jeff Bezos.

    Forbes ka thënë se klasa e miliarderëve më 2024 është 255 për qind më e pasur sesa një dekadë më parë, që nënkupton se 0.5 për qind e 2.781 miliarderëve të botës gëzojnë 14 për qind të pasurisë së të gjithë miliarderëve.

    Në aspektin gjeografik, SHBA-ja ka më shumë miliarderë sesa çdo shtet – 813 – e përcjellë nga Kina dhe India. /REL

  • Gjermania në alarm për sulme para Euro 2024

    Gjermania në alarm për sulme para Euro 2024

    Nga 14 qershori – 14 korrik Gjermania pret finalet e Kampionatit Evropian 2024 dhe shteti gjerman është në këmbë për sigurinë. Bild bën me dije se autoritetet janë në alarm për të quajturit “Ujqërit e Vetmuar”, për shkak të radikalizimit të tyre nga grupet terroriste edhe nëpërmjet internetit.

    Persona të tillë veprojnë të vetëm dhe është e vështirë për t’i identifikuar. Fundjavën e kaluar, para ndeshjes Bayern Munich – Dortmund, grupi ISIS-K që mori përsipër masakrën e Moskës lëshoi një kërcënim se do sulmonte tifozët, gjë që çoi në gatishmëri shumë trupa, jo vetëm në terren.

    Rasti nuk u klasifikua si një ‘kërcënim specifik’, por autoritetet e sigurisë u alarmuan, veçanërisht në funksion të Kampionatit Evropian. Sipas Bild, pas këtij kërcënimi ka pasur një shkëmbim informacionesh mes autoriteteve kombëtare dhe shërbimeve sekrete të huaja.

    “Qëllimi është të zbulohet nëse një celulë terroriste po shkon në Gjermani”, tha një zyrtar i policisë për gazetën gjermane. Vëmendja u përqendrua mbi të gjitha tek ‘Ujqërit e Vetmuar’.

    “Një person i tillë mund të ndihet i frymëzuar për të kryer një sulm terrorist nga një thirrje propagandistike”, vuri në dukje një ekspert. Për të vlerësuar saktë kërcënimet dhe për të marrë masat e nevojshme, raporton Bild, autoritetet gjermane llogarisin edhe ndihmën e shërbimeve të inteligjencës dhe autoriteteve të huaja të sigurisë, si FBI.

    Për t’u theksuar se sa i takon tifozëve problematikë që pritet të shkojnë në Gjermani, në Angli kanë ndaluar daljen e huliganëve dhe më shumë se 1600 tifozëve do u konfiskohen pasaportat.

  • Oda e Mjekëve njofton për vdekjen e një pediatreje

    Oda e Mjekëve njofton për vdekjen e një pediatreje

    Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar për vdekjen e pediatres Dallëndyshe Kumnova.

    Sipas njoftimit ajo u ka shërbyer qytetarëve të Mitrovicës në Spitalin regjional “ Dr. Sami Haxhibeçiri” deri në pensionimin e saj.

    “Ndahet nga jeta Dr. Dallëndyshe Kumnova (15.11.1983- 02.04.2024) Dr. Dallëndyshe Kumnova përfundoi studimet për mjekësi të Përgjithme në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës, ndërsa specializimin për Pediatri e përfundoi në Kroaci, në vitin 1991. Dr. Kumnova u ka shërbyer qytetarëve të Mitrovicës në Spitalin regjional “ Dr. Sami Haxhibeçiri” deri në pensionimin e saj. Oda e Mjekëve të Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta miqve, kolegëve dhe familjarëve të saj”, thuhet në njoftim.