ATV

Blog

  • Pas mbledhjes me tensione, sot pritet të shqyrtohet Projektligji për tekste shkollore

    Pas mbledhjes me tensione, sot pritet të shqyrtohet Projektligji për tekste shkollore

    Sot duke filluar nga ora 10:00 mblidhet Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

    Deputetët në këtë komision pritet të shqyrtojnë Projektligjin për tekste shkollore.

    Kujtojmë se në mbledhjen e kaluar ka pasur tensione.

    Pretendimet e disa deputetëve të Vetëvendosjes, se gjatë seancës plenare të mbajtur më 7 mars nuk ka pasur kuorum për t’u votuar në parim Projektligji, kanë shkaktuar debat të ashpër në mbledhjen e Grupit punues të Komisionit për arsim.

    Deputetët e LVV-së, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani pretendonin se atë ditë në sallë nuk kanë qenë 62 deputetë por vetëm 60, dhe rrjedhimisht projektligji nuk kishte kaluar.

  • Edhe sot temperaturat maksimale deri në 26 gradë, pasdite paralajmërohet shi

    Edhe sot temperaturat maksimale deri në 26 gradë, pasdite paralajmërohet shi

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme gjatë ditës. Vonë pasdite mund të ketë reshje të izoluara në verilindje të vendit, kryesisht në viset kodrinoro-malore.

    Meteo Kosova njofton se era do fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 14-42 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 7 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 23 deri në 26°C.

  • Emisari gjerman në Kosovë, takon Osmanin, Kurtin, Listën Srpska dhe shoqërinë civile

    Emisari gjerman në Kosovë, takon Osmanin, Kurtin, Listën Srpska dhe shoqërinë civile

    Emisari gjerman Manuel Sarrazin ka publikuar pamje nga takimet me Presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, përfaqësues të Listës Srpska dhe të shoqërisë civile.

    Takimet me të përmendurit më lartë, Sarrazin i ka quajtur të rëndësishme.

    “Takime të rëndësishme në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, Listën Srpska dhe anëtarë të shoqërisë civile”, ka shkruar Sarrazin.

  • “Votimi i 21 prillit mund të mbahet përsëri në kontejnerë”

    “Votimi i 21 prillit mund të mbahet përsëri në kontejnerë”

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Këta kontejnerë që në zgjedhjet e fundit në veri u përdorën si qendra të votimit mund të vihen në funksion përsëri. Madje, për të njëjtën arsye.

    Votimi i 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve veriorë nga pozita, mund të mbahet përsëri në objekte të improvizuara.

    Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, doli publikisht kundër këtij procesi, duke bërë thirrje për bojkot.

    Për këtë arsye, kryesuesi i Kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Ugljanin, beson se pjesëtarët e komunitetit serb nuk do të lejojnë të përdoren objektet që janë nën menaxhimin e tyre.

    “Do të kthehemi mbrapa si në zgjedhje kur i kemi pasur vendet alternative për mbajtjen e referendumit, sepse ju siç e dini shkollat janë nën udhëheqjen e strukturave paralele serbe”, tha Ugljanin.

    Megjithatë, zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ditë më parë miratuan listën e vendvotimeve, nuk e pohojnë e as mohojnë se do të ketë ndryshim.

    Mirëpo, kudo që të mbahen ato, vendvotimet do të jenë nën vëzhgim të kamerave të sigurisë.

    “Ky nuk është vendim që përfshin vetëm votimin më 21 prill në veri, por do të vlejë për të gjithë procesin e ardhshëm zgjedhor. Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Kamera po, por vëzhgues të partisë më të madhe serbe me gjasë nuk do të ketë, pasi ata dhanë dorëheqje vullnetarisht. Por procesi mund të vazhdojë edhe pa ta, meqë sipas njohësve të qeverisjes lokale, kjo nuk e pengon punën e komisioneve zgjedhore.

    “Obligim ligjor i KQZ-së është që secili subjekt i regjistruar dhe i cili ka aplikuar të përfaqësohet në këshillat komunalë zgjedhorë, mirëpo jo që anëtarët e tyre të mbahen me zor, pra dorëheqja është një akt i vullnetit të vetë anëtarëve të subjektit të caktuar politik, të cilët nuk mund ta pengojnë në aspekt ligjor këtë proces”, tha Qëndrim Arifi, njohës i qeverisjes lokale.

    E njëjta praktikë ishte edhe në zgjedhjet e fundit nga të cilat, qeverisjen në komunat veriore e morën kryetarët shqiptarë.

    Serbët të cilët bojkotuan pjesëmarrjen, nuk i lëshuan as shkollat të cilat gjithmonë qenë përdorur si qendra të votimit.

  • Regjistrimi i popullsisë në tri komuna veriore nuk nis deri më 15 prill

    Regjistrimi i popullsisë në tri komuna veriore nuk nis deri më 15 prill

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    E enjtja do të duhej të ishte dita e gjashtë e regjistrimit të popullsisë në gjithë vendin.

    Por, në komunat veriore, puna nuk po shkon sipas planit fillestar të Agjencisë të Statistikave.

    Në tri komuna të banuara me shumicë serbe, sipas zyrës së zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviç, procesi nuk pritet të nisë deri më 15 prill.

    “Procesi ka filluar në Mitrovicën e Veriut. Ndërsa, sa i përket komunave tjera: Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok pritet që në këtë javë regjistruesit ta mbajnë trajnimin, dhe nga e hëna të fillojnë punën në terren”, tha Ibrahim Delija, asistent i zëvendësministrit Radoica Radomiroviq.

    Megjithatë, procesi i regjistrimit nuk dukej të ketë nisur as në Mitrovicë të Veriut. Gjatë së enjtes, televizioni nuk ka hasur në fletushka njoftuese, që ASK-ja i shpërndan në hyrje të objekteve të banimit, për t’i njoftuar qytetarët rreth këtij procesi.

    Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjet e Televizionit rreth kësaj çështjeje.

    Lista Serbe njoftoi se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, që nisi të premten e 5 prillit.

    Por në një konferencë informuese të disa ditëve më parë, kreu i Agjencisë e Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, deklaroi se pavarësisht thirrjes së Listës Serbe, te popullata serbe në veri të vendit ka gatishmëri për regjistrim.

    Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

  • FSK-ja merr dhuratë 5 automjete ushtarake nga Gjermania

    FSK-ja merr dhuratë 5 automjete ushtarake nga Gjermania

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Terrenet e vështira dhe misionet logjistike e taktike, nga dita e enjte do të jenë më të lehta për ushtarët e Kosovës.

    E gjitha kjo pasi që Kosova ka tashmë në dispozicion pesë kamionë ushtarakë gjermanë të llojit “Rheinmetall MAN”.

    Automjetet ushtarake të enjten i provuan edhe vetë ushtarët e FSK-së.

    Vlera e këtij donacioni është diku rreth 3 milionë euro.

    “Do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të FSK-së. Jemi shumë mirënjohës. 2,7 milionë euro që pranuam sot janë në vazhdën e donacioneve prej 3 milionë e 500 mijë eurove që pranuam vitin e kaluar nga Republika Federale e Gjermanisë, tha ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimit të pesë automjeteve, Ambasadori gjerman në Kosovë, John Rohde, konkretizoi se qëllimi është të mbështesë kapacitetet fillestare të Kompanisë së Transportit të Regjimentit të Logjistikës.

    “Mendoj se dua të nënvizoj sërish sot se marrëdhëniet Gjermani-Kosovë janë të shkëlqyera dhe bashkëpunimi ynë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në po bëhet gjithnjë e më i ngushtë, veçanërisht në fushën e sigurisë. Qëllimi i masës është të mbështesë aftësinë fillestare operacionale për kompaninë e transportit të regjimentit të logjistikës”, tha Rohde.

    Automjete si këto, FSK-ja pritet t’i ketë edhe 10 të tjera, të cilat i ka blerë me mjete të buxhetit të shtetit.

    Kamionët e dhuruar nga Gjermania gjithashtu mund të përdoren për mbrojtje ajrore.

    Por në të duhet të montohet sistemi “Skyranger 30”. Sistemi kundër-ajror duhet të blihet veçmas nga kamionët. Ndërkaq, nuk ka pasur njoftim që Kosova e ka blerë edhe këtë sistem së bashku me kamionët.

  • Dëgjohet një dëshmitar në rastin e vrasjes së 18 vjeçarit Lulzim Fejzullahu

    Dëgjohet një dëshmitar në rastin e vrasjes së 18 vjeçarit Lulzim Fejzullahu

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Të akuzuarit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut kanë dalë sërish para gjykatës.

    Në seancën e shqyrtimit fillestar, që u mbajt e mbyllur për media, sipas avokatit të viktimës, është deklaruar vetëm njëri nga dy dëshmitarët e planifikuar.

    “Seanca është e tipit të mbyllur, ne mundemi me iu thënë se është vazhdimi sipas propozimit të Gjykatës Themelore për shqiptimin e vendimit dhe Gjykata ka urdhëruar që detajet e gjykimit të mos shpalosen. Seanca e radhës është me 15 dhe 16 prill të këtij viti, ndërsa nuk është e ndaluar me iu tregu se kanë qenë dy dëshmitarë njëri është marrë në pyetje, ndërsa tjetri në mungesë të asaj s’e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt apo jo ka mbetur për seancën e radhës”, tha Tomë Gashi, avokat i familjes së Lulzim Fejzullaut.

    Lidhur me seancën fare shkurt u deklarua avokati i të akuzuarit E.K.

    “Çka ka ndodhur në seancë është e ndaluar është marrë aktvendim. Gjendja është përcjellë nga ana e psikologut ndaj dy të miturve”, tha Skender Musa, avokat i të akuzuarit E.K.

    Sidoqoftë, xhaxhai i të viktimës u shpreh të ketë besim në punën e organeve të drejtësisë.

    Sipas aktakuzës, të dielën e 14 janarit, Lulzim Fejzullahu u rrah rëndë nga dy persona të moshës së mitur. 6 ditë më vonë, më 20 janar, 18-vjeçari vdiq në qendrën klinike universitare, derisa më 1 prill, Prokuroria të dyshuarit i ngarkoi me veprën penale “vrasje e rëndë”.

  • Policët i fituan paditë, por nuk i morën ende rrogat e 13-ta

    Policët i fituan paditë, por nuk i morën ende rrogat e 13-ta

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Mbi një mijë zyrtarë të Policisë së Kosovës e kanë fituar deri tash padinë ndaj qeverisë, për ta marrë pagën e 13-të, për vitet 2018-2021. Mirëpo, asnjë prej tyre nuk i ka marrë këto para, meqë ende nuk i ka ekzekutuar Ministria e Financave.

    Paditë e policëve nisën në nëntorin e vitit të kaluar, bazuar në Udhëzimin Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës. Kjo u nxit edhe nga mendimi juridik që e dha Gjykatës Supreme.

    Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, tha se nga janari i këtij viti janë aktivizuar edhe përmbaruesit, prandaj katër pagat e 13-ta mund t’u dalin së shpejti.

    “Tani më ka ndërhyrë përmbaruesi privat dhe përmes tij do të realizohen këto pagesa, kam informacione se veç është dërguar një listë e cila duhet të ekzekutohet”, tha Zeqiri.

    Ministria e Financave nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje.

    Në anën tjetër, Zeqiri tregon se vlera totale e këtyre pagave për zyrtarët policorë është afër 30 milionë euro. Pjesa më e madhe, sipas tij, tashmë i kanë dorëzuar paditë.

    “Të gjithë pjesëtarët e policisë e kanë të drejtë, mund të themi sa ka ba padi unë mendoj se deri tani shumica kanë bërë padi, është numër shumë i vogël të cilët nuk e kanë adresuar padi në drejtim të gjykatës për të realizuar këtë të drejtë”, tha Zeqiri.

    Udhëzimi Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës i miratuar në 2018, i cili u jep këtë të drejtë policëve, u shkëput njëanshëm nga Qeveria më 2022.

  • Kosova nuk shënon përparim në rrugën drejt demokratizimit

    Kosova nuk shënon përparim në rrugën drejt demokratizimit

    Përgatiti: B. Zeneli/K. Tahiri

    Në rrugën drejt demokratizimit, Kosova nuk ka përparuar në krahasim me vitin paraprak.

    Në këtë aspekt vendi ka mbetur në pozitën e njëjtë, ku në vlerësimin për vitin 2023, nga 7 pikë sa janë maksimale, Kosova vazhdon t’i ketë 3.29 pikë.

    Kështu është vlerësuar në raportin më të ri të organizatës ndërkombëtare, Freedom House për nivelin e demokracisë në disa rajone të Evropës dhe Azisë.

    “Kur vendi është në një situatë konflikti reflekton në vendimmarrje dhe zhvillim të vendit. Pra kur situata është e tillë reflekton edhe në raport me vendet e tjera fqinje dhe BE, sepse nuk mund të nxjerrë rezultate pozitive. Është fat që Kosova nuk ka rënë më poshtë, por vazhdon të jetë në pozitë të njëjtë”, tha Bekim Kabashi, analist.

    “Bashkësia ndërkombëtare ka qenë e hapur dhe e qartë Kosova është nën sanksione të BE-së, Kurti është izoluar nga ShBA në aspektin politik, ka një konflikt të hapur me perëndimin dhe bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo ndikon në zhvillimin e raporteve që kish me interferua dhe brenda”, tha Kabashi.

    Telashet me Serbinë janë përmendur si ndër pengesat kryesore në rrugën e Kosovës përpara.

    Në raport është përmendur, gjithashtu, reagimi i partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës ndaj “qasjes së ashpër të Kurtit në negociatat me Beogradin, dhe mungesën e konsultimeve me komunitetin e serbëve të Kosovës”, që sipas raportit, “i ka komplikuar përpjekjet e Qeverisë për t’u çliruar prej kësaj sfide afatgjatë”.

    “Është me rëndësi që ta marrim këtë gjë si pjesë e problemit dhe jo vetëm si faktorë i jashtëm, sepse problem është te serbët e Kosovës që fatkeqësisht nuk pranojnë të integrohen në institucione dhe të bëhen pjesë e demokracisë së Kosovës. Nuk është problem i Serbisë, por i Kosovës që duhet të adresohet nga institucionet tona me urgjencë. Në raport të Freedom House e kemi një vend si Kosova që është Estonia aty duhet me provu Kosova që me u rangu, sepse Estonia po ashtu ka rrezik nga agresioni rus, kërcënimi është jashtëzakonisht i madh”, tha Jetmir Buja, analist.

    Sa u përket vendeve të rajonit, gjithashtu Shqipëria e Kroacia nuk kanë ndryshuar pozitë, ndërsa Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina kanë shënuar rënie në rrugën drejt demokratizimit.

    Në raport thuhet se Ukraina e ka shënuar përparimin më të madh në procesin e demokratizimit, ndërsa Serbia rënien më të madhe.

  • Hidhet poshtë kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për zëvendësimin e gjykatësit të procedurës paraprake

    Hidhet poshtë kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për zëvendësimin e gjykatësit të procedurës paraprake

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Ekaterina Trendafilova ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për të hequr ose zëvendësuar gjytqtarin e procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

    “Më 8 prill, kryetare Trendafilova rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për të hequr ose zëvendësuar gjykatësin Nicolas Guillou si gjykatës të vetëm”, tha zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle përmes informimit javor.

    Sipas Doyle, kërkesa është bërë mbi bazën se Guillou është betuar si gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe mbrojtja e Thaçit ka argumentuar se pavarësia e këtij gjyqtari cenohet.

    “Kërkesa u bë mbi bazën se gjykatësi Guillou, bëri betimin si gjykatës në GJPN më 8 mars 2024 dhe do të ushtrojë funksionet e tij gjyqësore në GJPN, duke filluar nga 19 gushti 2024. Zotëri Thaçi argumentoi, ndër të tjera, se pavarësia e gjykatësit Guillou cenohet nga fakti që ai përgjigjet para dy gjykatave dhe meqenëse do të përgatitet për të punuar me çështjet që do t’i ngarkohen në GJPN, nuk do të jetë i disponueshëm për të punuar në DhSK”, tha ai, transmeton “Betimi për Drejtësi”.

    Tutje, Doyle theksoi se në vendimin e saj, kryetarja ka konstatuar se nuk ka kompetencë për zëvendësimin e një gjykatësi përveç në disa raste.

    “Përveç nëse gjykatësi nuk është më në gjendje të kryejë detyrat e veta dhe ky nuk është rasti me gjykatësin Guillou, sepse ai do të ushtrojë funksionet gjyqësore në GJPN duke filluar nga 19 gushti 2024”, tha Doyle.

    Zëdhënësi i DhSK-së shtoi se sipas Trendafilovës, Thaçi nuk ka argumentuar se pse është cenuar pavarësia e gjyqtarit Guillou.

    “Dhe se asnjë gjykatës nuk mund të hiqet mbi bazën e pretendimeve të përgjithshme apo abstrakte që nuk janë as të bazuara dhe as të detajuara. Ajo doli në përfundimin se disponueshmëria e gjykatësit Guillou për të ushtruar funksionin si gjykatës i vetëm është aspekt që vlerësohet nga kryetarja dhe është i natyrës administrative dhe jo objekt apelimi prej palëve”, tha zëdhënësi i DhSK-së.

    Doyle shtoi se seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore është planifikuar të mbahet më 22 prill.

    Ndërsa, në javën tjetër (15-18 prill 2024) pritet që të bëhen deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

    Në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, deklaratat përmbyllëse do të mbahen nga data 15-18 prill 2024, ku do të fillojë Prokuroria më 15 dhe 16 prill, e pasuar nga deklaratat përmbyllëse të mbrojtësit të viktimave dhe të mbrojtjes. Zotëri Shala gjithashtu do të bëjë një deklaratë pasi të kenë përfunduar parashtrimet e tyre palët dhe mbrojtësi i viktimave. Pasi, kryegjykatësja ta deklarojë çështjen të mbyllur, gjykatësit e trupit gjykues do të kuvendojnë në mënyrë konfidenciale për të dalë me një aktgjykim në lidhje më akuzat në aktakuzë. Aktgjykimi do të shqiptohet brenda 90 ditësh nga mbyllja e gjykimit, përveç nëse rrethanat kërkojnë më shumë kohë”, tha ai.