ATV

Blog

  • Tahiri: Kërkojmë debat për dështimet e qeverisjes Kurti, referendumi shpërfaqi ndikimin e Vuçiqit tek serbët

    Tahiri: Kërkojmë debat për dështimet e qeverisjes Kurti, referendumi shpërfaqi ndikimin e Vuçiqit tek serbët

    Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se në seancës e radhës kanë kërkuar që në rend dite të jenë “dështimet e tri viteve të qeverisjes së Albin Kurtit”, raporton EO.

    “Ne si GP që pikë e parë e rendit të ditës ne seancën e radhës të jetë kërkesa jonë për një debat për tri vitet e Qeverisë së Albin Kurtit. Një debat i cili do të shpërfaq degradimin total të kësaj qeverie në këto tri vite, në veçanti ne zhvillimin ekonomik. Kosova vazhdon të jetë në sanksione nga Bashkësi Evropiane. Të gjitha këto tema do t’i diskutojmë, neve na tha që kryeministri nuk do të jete në javën e ardhshme dhe të do të kërkojmë mocionin tonë për shkarkimin e kryeministrit”, ka thënë ai.

    Tahiri ka folur edhe për referendumin e mbajtur të dielën. Sipas tij, ky proces ka shpërfaqur ndikimin e madh të presidentit Vuçiq tek serbët në Kosovë.

    “Kosovës do të duhej t’i hiqeshin sanksionet menjëherë pas sulmit të Banjskës. Sa i përket çështjes së djeshme i kam dy qëndrime. E para Serbia duhet ta kuptoj se Kosova ka rregulla të veta Kushtetuese dhe ligjore dhe se e ka detyrë që të këtë institucione të zgjedhura dhe u pa qe ndikimi i Serbisë tek komuniteti serb në Kosovë, është ende i madh. Ndikimi politik i Vuçiqit vazhdon të jetë. Ne kemi problem atje me legjitimitetin. Kërkesa jonë si AAK është që në tema që ndërlidhen me sovranitetin, integrimin e plotë duhet të trajtohen me ndjeshmëri të plotë”, ka thënë ai.

  • ​Granit Rugova rikthehet në FBK

    ​Granit Rugova rikthehet në FBK

    Ish-drejtori i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova tashmë do të jetë i angazhuar në një detyrë te re, por jo larg sportit sërish. Ai ka bërë të ditur se do të jetë i angazhuar në Federatën e Basketbollit të Kosovës, në rolin e Drejtorit të Programeve Zhvillimore të Basketbollit.

    Këtë lajm e ka bërë të ditur vet Rugova në rrjetet sociale ku ka shkruar:

    Krenar të ju njoftoj se tani do të jem pjesë e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në rolin e Drejtorit të Programeve Zhvillimore të Basketbollit. Është kënaqësi të kthehem në FBK në këtë rol të ri, ku do të përdor të gjithë përvojën time për të ndihmuar në ngritjen dhe zhvillimin e sportit tonë të dashur”.

    Ai ka falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe besimin e treguar ndaj tij.

  • ​Kurti i bën thirrje pakicave që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë

    ​Kurti i bën thirrje pakicave që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje komunitetit joshumicë që të mos ngurrojnë por t’i përgjigjen regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, pasi nuk është thjesht një ushtrim burokratik, por është mekanizëm përmes të cilit ne formohen politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë.

    Sipas tij, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme për shtetin tonë.

    “Pjesëmarrja e secilit nuk është thjesht një shënim statistikor; është një deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave, dhe vendit të secilit qytetar në shoqërinë tonë. Regjistrimi i popullsisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik; është mekanizëm përmes të cilit ne formojmë politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë. Në bazë të tij bëhet ndarja dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit. Rezultatet e tij përcaktojnë politikat sociale dhe zhvillimore të shtetit, investimet në komunitetet tuaja, subvencionet në mbështetje tuaj, programet e shërbimet sociale dhe shëndetësore”, tha ai.

    Sipas tij, regjistrimi është dokumentim zyrtar i përbërjes së shoqërisë sonë.

    “Vetëm me një regjistrim të plotë e të saktë do të mund ta dimë më së miri se për sa çerdhe e shkolla keni nevojë; se sa hapësira kulturore, rekreative e sportive duhet të planifikohen në shërbim të komuniteteve tuaja; çfarë programe e politika sociale i përgjigjen nevojave tuaja e kështu me radhë. Regjistrimi është dokumentim zyrtar i përbërjes së shoqërisë sonë. Të dhënat e tij pastaj bëhen pasqyrë e politikave tona dhe përgjegjësi e shtetit dhe institucioneve tona. Regjistruesit do të vijnë derë më derë. Mirëprisni ata si mikpritës të mirë që jeni. Komunitetet joshumicë janë vlerë e identitet i shtetit tonë. Shoqëria jonë është e pasur sepse ju jeni pjesë e saj. Andaj, mos ngurroni, regjistrohuni”, tha ai.

    Përndryshe, Agjencia e Statistika të Kosovës ka njoftuar se deri në ditën e djeshme janë regjistruar 530 mijë qytetarë në procesin e Regjistrimit të Popullsisë. Po ashtu, mbi 36% e objekteve që janë në Kosovë janë regjistruar. Ndërsa, nga diaspora janë regjistruar 180 mijë pjesëtarë dhe mbi 50 mijë përmes platformës e-diaspora. Në Kosovë procesi i regjistrimit do të zgjasë deri më 17 maj.

  • Kori Siparantum përfaqëson Kosovën në garën prestigjioze “European Festival for Young People”

    Kori Siparantum përfaqëson Kosovën në garën prestigjioze “European Festival for Young People”

    Kori Siparantum ka njoftuar se do ta përfaqësojë Kosovën në “European Festival for Young People”, që është një nga garat më prestigjioze të muzikës për të rinj në Neerpelt.

    Në njoftimin e tyre thuhet se në Kori Siparantum do të jetë pjesëmarrës nga data 26 deri më 29 prill dhe do të jenë bashkë me 93 kore nga 19 shtete të botës.

    Korali do të prezantojë një repertor të pasur me vepra nga autorë të shquar:

    “Me nji lule” (With a Flower) – Memli Kelmendi

    “A Little in the Dream, A Little Awake” – Baki Jashari

    “Ta na Solbici” – Samo Vovkhttps://zeri.info/inarticle.html

    “Atsalums” (Coldness) – Jëkabs Janëevskis

    “En ‘s Avonds” – Arr. Memli Kelmendi

    Memli Kelmendi, dirigjent

    Gara do të mbahet më 27 Prill, rreth orës 14:00 në CC Palethe Overpelt, ndërsa rezultatet e jurisë do të shpallën më 27 Prill në ora 17:30 në Sporthal Dommelhof.

  • Në prill të këtij viti 579 qen endacakë më shumë se në prill të vitit të kaluar në Prishtinë

    Në prill të këtij viti 579 qen endacakë më shumë se në prill të vitit të kaluar në Prishtinë

    Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se në prill të vitit 2024 numri i përafër i qenve endacakë në Prishtinë është 4351, ndërkaq në prill të vitit të kaluar ka qenë 3772.

    “Në fillim të muajit Prill 2024, organizata jonë ka kryer anketimin e rradhës për dinamikën e popullsisë së qenve endacak në Prishtinë për të kuptuar efektin e projektit të KSVL-së të zbatuar nga Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2023. Në bazë të të dhënave të mbledhura nga ky anketim, del që për periudhën Prill 2024, numri i përafërt i qenve endacak në Prishtinë është: 4351. Ky numër tregon një rritje nga periudha e njejtë nga viti i kaluar, kur numëronim 3772 qen në rrugë në komunën e Prishtinës.”

    FDK ka thënë se përqindja totale e sterilizimit ka pësuar rënië në krahasim me vitin e kaluar.

    “Përqindja totale e sterilizimit, ka shënuar një rënie në krahasim me vitin e kaluar: Këtë vit 56,18% e qenve të identifikuar në rrugë ishin të kastruar/sterilizuar, krahasuar me 58,61% në pranverën e vitit 2023 dhe me 59,92% në vjeshtë të vitit 2022.”

    “Të dhënat e fundit tregojnë që masat e ndërmarra nga komuna për menaxhimin e popullsisë së qenve, kanë pasur efekt regresiv në kontrollin e riprodhimit të qenve në rrugë.”

    Vendimi i Komunës së Prishtinës për adoptimin e qenve endacakë, ku fondacion e cilëson si joefektive.

    “Sa i përket iniciativës së promovimit të adoptimeve të qenve endacak nga komuna e Prishtinës, në këmbim të përfitimeve monetare, mund të konkludohet si iniciativë jo efektive, e cila nuk ka ndikuar aspak në uljen e numrit të qenve endacak në Prishtinë. Në lidhje me këtë iniciativë, organizata jonë qysh në fillim e ka konsideruar këtë masë si masë të gabuar dhe joefektive dhe që shuma e 50 euro në muaj të dedikohet për kastrimin/sterilizimin e qenve me mbajtes/pronar dhe për mbështjetjen e identifikimit & regjistrimit të qenve me mbajtes/pronar që të parandalohet bindshëm shtimi I qenve në rrugë nga braktisja në Komunë të Prishtinës. Megjithatë komuna ka vendosur të mos i pranojë këshillat e shoqërisë civile të cilët i kritikon në vazhdimësi për “mosofrim të ndihmës në zgjidhjen e problemit me qentë endacak”.

    “Edhe një herë po vërtetohet që institucionet tona nuk po fokusohen tek burimet e këtij problemit (qentë me pronar , mbarështimi dhe braktisja) dhe çdo masë që po ndërmirret për ndalimin e riprodhimit, bëhet pa kërkuar punë serioze nga operatorët dhe pa përfshirë shoqërinë civile në monitorim dhe vlerësim të projekteve të tilla, për të mirën e projekteve dhe situatës.”

    Organizata u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të punojnë intensivisht dhe me seriozitet në zbatimin e masave të Strategjisë Kombëtare, “si mënyra e vetme për reduktimin e numrit të qenve në rrugë në mënyrë të qëndrueshme dhe efektive”.

  • Shpenzimet ushtarake globale arrijnë rekord të ri, cili shtet po kryeson garën e armatimeve?

    Shpenzimet ushtarake globale arrijnë rekord të ri, cili shtet po kryeson garën e armatimeve?

    Shpenzimet ushtarake globale arritën një rekord të ri në vitin 2023 për të nëntin vit radhazi, sugjeron një raport i publikuar sot.

    Sipas këtij raporti, të publikuar nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes me qendër në Stokholm, SIPRI, shpenzimet ushtarake në terma realë, pa inflacionin, u rritën me 6.8% në vitin 2023, duke arritur në 2.44 trilionë dollarë, kundrejt 2.24 që ishin në vitin 2022.

    Kjo është rritja më e madhe vjetore që nga viti 2009, e ndikuar kryesisht nga lufta në Ukrainë, nënvizon Instituti.

    Të 10 vendet me shpenzimet më të larta ushtarake në botë e kanë rritur në masë të madhe prodhimin.

    “Të gjitha rajonet që ne studiojmë kanë parë një rritje. Bota ndihet më pak e sigurt dhe ndoshta po përdor masa të ashpra për sigurinë e tyre dhe jo mjete diplomatike”, i tha Agjencisë Gjermane studiuesi i SIPRI, Lorenzo Scarazzato.

    “Shumë qeveri e perceptojnë përshkallëzimin e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë dhe për këtë arsye rrisin shpenzimet e tyre ushtarake, mbi të gjitha ato evropiane, pas pushtimit të territorit ukrainas nga ushtria ruse në shkurt 2022”, shpjegoi ai.

    SHBA mbetet deri tani numri një në botë, me shpenzimet ushtarake që arrijnë në 916 miliardë dollarë. Kjo është më shumë se një e treta – 37% – e shpenzimeve ushtarake globale dhe afërsisht tre herë ajo e vendit të renditur i dyti: Kinës.

    Pekini shpenzoi rreth 296 miliardë dollarë për forcat e armatosura, ose rreth 12% të shpenzimeve ushtarake globale, 6 për qind më shumë nga viti në vit, sipas Institutit.

    Me fjalë të tjera, SHBA-ja dhe Kina përbënin pothuajse gjysmën e shpenzimeve ushtarake globale vitin e kaluar.

    Shtatë vendet e para në renditje mbetën të pandryshuara nga viti 2022, sipas raportit. Rusia mbeti në vendin e tretë, e ndjekur nga India dhe Arabia Saudite.

    Gjermania renditet e 7-ta, pak pas Britanisë. Berlini kritikohet shpesh sepse shpenzimet e tij ushtarake “nuk kanë arritur ende 2% të PBB-së së shtetit, që është edhe objektivi i NATO-s”, vuri në dukje studiuesi Skaratzato.

    Megjithatë, duhet marrë parasysh se Gjermania është vendi me shpenzimet ushtarake të dyta më të larta në Kontinentin e Vjetër dhe se përqindja e shpenzimeve të saj në vitin 2023 ishte 1.5% e PBB-së, megjithatë ajo është zotuar ta rrisë atë në 2% nga viti 2024 e në vazhdim.

    Alexander Lurtz, një ekspert i çarmatimit në Greenpeace ka theksuar se Gjermania “tani ka një kontribut të rëndësishëm në garën globale të armëve”.

    Shpenzimet ushtarake globale janë të barabarta me 2.3% të PBB-së globale. Rritja më e madhe e përqindjes në dhjetëshen e parë të renditjes u regjistrua në Ukrainë: ishte 51%, me shpenzimet që arritën në 64.8 miliardë dollarë. Nga vendi i 11-të në 2022, Ukraina renditej e 8-ta në 2023. Shpenzimet ushtarake përbënin gati 60%—58% për të qenë të saktë—të totalit të shpenzimeve të saj qeveritare.

    Shifra është shumë më e lartë se ajo e Rusisë, ku shpenzimet ushtarake përbënin 16% të totalit të shpenzimeve publike.

    Vende të tjera i kanë dhënë Kievit të paktën 37.3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake. Shpenzimet ushtarake të Ukrainës dhe ndihma e huaj vlerësohet të përbëjnë 91% të shpenzimeve ushtarake ruse.

    Në Rusi, shpenzimet ushtarake janë rritur me 24% në 109 miliardë dollarë në vitin 2023, vlerëson SIPRI.

  • Mbahet seanca për caktim të dënimit ndaj tre zyrtarëve të Fushë-Kosovës të akuzuar për korrupsion

    Mbahet seanca për caktim të dënimit ndaj tre zyrtarëve të Fushë-Kosovës të akuzuar për korrupsion

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën është mbajtur seanca për caktimin e dënimit, në rastin ku Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, akuzohen për korrupsion.

    Në këtë rast, Jakup Tërnava në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës dhe zyrtarët Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare. E akuzuar në këtë rast është edhe Mevlude Nishori, por për shkaqe shëndetësore procedura penale ndaj saj është veçuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, në këtë seancë është bërë administrimi si provë materiale evidenca e të kaluarës kriminale të të pandehurve, ku sipas gjykatës i akuzuarit Tërrnava rezultonte të ishte i dënuar me një vit burgim me kusht, kurse për të akuzuarit Mustafa- Sadiku dhe Gërguri nuk kishte evidenca se të njëjtit kishin ndonjë lëndë të plotfuqishme.

    Lidhur me këtë provë i akuzuarit Tërnava deklaroi se kishte vërejtje pasi që sipas tij, ai nuk ishte i dënuar asnjëherë më parë, duke theksuar se në fshatin e tij të lindjes ekzistonin edhe tre persona me emër dhe mbiemër të njëjtë. Për këtë vërejtje nga ana e të akuzuarit Tërnava, gjykatësja Medie Bytyqi tha se do ta verifikojnë edhe njëherë.

    Tutje, seanca vazhdoi me paraqitjen e rrethanave lidhur me caktimin e dënimit nga ana e prokurorit Bekim Kodraliu, i cili pasi dorëzoi me shkrim propozimin e tij, kërkoi nga gjykata që si rrethanë rrethanat rënduese të merret se të akuzuarit nuk kanë shprehur pendim gjatë gjykimit.

    Prokurori Kodraliu po ashtu tha se të pandehurit kishin pasur dashje direkte dhe se veprën e kishin kryer nën petkun e personit zyrtar dhe se më veprime të tyre sipas tij, i ishte bërë dëm pronësor të dëmtuarve.

    Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Ali Ajeti pasi dorëzoi me shkrim rrethanat për caktim të dënimit, tha se mbështet në tërësi fjalën e prokurorit Kodraliu, duke kërkuar që të anulohet aktvendimi ku i është njohur e drejta e pronësisë një familje tjetër, duke kërkuar që kjo e drejtë t’i njihet familjes së dëmtuar.

    Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Tërnava avokati Zanfir Kryeziu dorëzoi me shkrim rrethanat për caktim të dënimit, duke shtuar se konsideron se i mbrojturi i tij nuk kishte përfituar materialisht nga kryerja e kësaj vepre dhe se nuk ishte vërtetuar dashja. Sipas tij, gjykata mund ta zbuste dënimin edhe në minimumin e paraparë me ligj duke marr parasysh rrethanat lehtësuese.

    Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Gërguri, avokate Lule Bilalli- Ymeri deklaroi se mbetet pranë pretendimeve të paraqitura me shkrim lidhur me rrethanat për caktim të dënimit.

    Në fund edhe mbrojtësi i të akuzuarës Mustafa- Sadiku avokati, Përparim Haliti dorëzoi me shkrim rrethanat lidhur me caktimin e dënimit, dhe kërkoi nga gjykata që në rastin e matjes së dënimit ndaj të mbrojturës së tij të ketë parasysh rrethanat lehtësuese siç ishin shkalla e ulët e përgjegjësisë, mungesa e motivit dhe dashjes së kryerjes së kësaj vepre penale dhe se e njëjta nuk ishte recidiviste dhe se ishte nënë vetushqyese.

    Në këto rrethana seanca e sotme përfundoi, ndërsa shpallja lidhur me këtë çështje pritet të bëhet në një datë tjetër.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 shtatorit 2019, Mevlude Nishori, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtarë nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Nishori akuzohet se si zyrtare ligjore kishte përpiluar aktvendimin për revokimin e bartjes së pronësisë, e cila ishte në emër të dëmtuarve S.K., B.K., Z.K dhe Xh.K., Kurse, Tërnava thuhet se në cilësi të drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishe shfrytëzuar pozitën e tij, duke bërë ndryshime në parcelën për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte caktuar masë të sigurisë.

    Aktakuza thotë se i akuzuari Gërguri, në cilësi të zyrtarit referent i ndërrimeve në Kadastër në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte shfrytëzuar pozitën e tij, duke lëshuar certifikatë pronësie, e cila jashtë kushteve ligjore ishte kthyer në gjendjen e mëparshme.

    Kurse, e akuzuara Mustafa-Sadiku ngarkohet që në cilësi të zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte ndërruar operatin kadastral për parcelën, e cila kishte masë të sigurisë nga Themelorja në Prishtinë.

  • Fillon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

    Fillon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka filluar të mbajë mbledhjen e rregull të saj, në të cilën do të shqyrtohen pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 4 prill si dhe propozimin e rendit të ditës për Seancën e re plenare, raporton Ekonomia Online.

    Rendi i plotë i ditës:

    I. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit, 
 
II. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 28 mars 2024:

    1. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

    
III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 4 prill 2024:

    17. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
18. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
20. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
21. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,
25. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-279 për Inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut,
26. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-288 për mbrojtjen e konsumatorit,
27. Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
28. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
29. Shqyrtimi i rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.08/L-021 për tregti me jashtë,
30. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2021”,
31. Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe konfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”,
32. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2022,
33. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
34. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2022,
35. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit të Konkurrencës i Republikës së Kosovës për vitin 2022,
36. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
37. Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale,
38. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga Oda e Avokatëve të Kosovës,
39. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës.

    
IV. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    3. Pyetjet parlamentare,

    4. Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje,

    5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

    7. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,

    8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,

    9. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,

    10. Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,

    11. Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,

    12. Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,

    13. Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,

    14. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,

    15. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,

    16. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-293 për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”,

    17. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-292 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Drejtësia”,

    18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për zyrtarët publikë,

    19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,

    20. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022,

    21. Emërimi i një (1) anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

  • Vitia: “Java e Imunizimit” shërben si kujtesë për rëndësinë e vaksinimit, jo vetëm për jetën e një individi por ruajtjen e shëndetit të gjithë shoqërisë

    Vitia: “Java e Imunizimit” shërben si kujtesë për rëndësinë e vaksinimit, jo vetëm për jetën e një individi por ruajtjen e shëndetit të gjithë shoqërisë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) të hënën organizoi tryezën “Java e imunizimit”, ku morën pjesë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, Kryesuesja e Komisionit, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, Drejtori i IKShKP-së, Naser Ramadani, Shefi i zyrës së BE-së, Oleksander Martiynenko dhe Benjamin Fischer, zëvëndesshefi i UNICEF-it, raporton Ekonimia Online.

    Ministri i Shëndëtisë, Arben Vitia, tha se “Java e imunizimit”, shërben si një kujtesë për rëndësinë e vaksinimit, jo vetëm për jetën e një individi por ruajtjen e shëndetit të gjithë shoqërisë.

    “Është privilegj dhe nder të iu drejtohem sot me një angazhim të përbashkët për të imunizuar qytetarët tanë. Përmes vaksinimit kemi parandaluar vuajtjet. “Java e Imunizimit”, shërben si një kujtesë për rëndësinë e vaksinimit, jo vetëm për jetën e një individi por ruajtjen e shëndetit të gjithë shoqërisë”, tha ai.

    Vitia, shtoi se vaksinimi është një nga prioritetet e MSh-së. Gjatë vitit të kaluar, MSh-ja organizuar vetura me frigorifer për të gjitha komunat duke ruajtur cilësinë e vaksinave dhe procesit në tërësi.

    “Në vitin 2023 mbulueshmëria me vaksina është në shkallën 90%. Lajmi i mirë është se shkallë të njëjtë të mbulueshmërisë kanë edhe dy vaksinat e reja e pneumonitit dhe e Htrs. 66% te vajzave 12-vjeçare janë vaksinuar. Bëj thirrje për të gjithë prindërit dhe mësimdhënësit që të apelojnë në vaksinimin e nxënësve të klasave të 6-ta. Mburremi jo vetëm në rajon por edhe në Evropë për punën e MSh-së”, tha ai.

    Ndërsa, Kryesuesja e Komisionit të shëndetësisë, Fatmire Kollçaku tha se vaksinimi ka një rëndësi tejet të madhe për shëndetin e njeriut.

    “Në shumicën nga fshatrat kemi qendra ku presim qytetarë që të imunizohen. Uroj që edhe në të ardhmen të vazhdojmë dhe të arrijmë edhe te ata fëmijë që se kanë kuptuar ende rëndësinë e vaksinimit. Vaksina kundër kanceri të qafës së mitrës të arrijë tek të gjitha femrat dhe të parandalohen sëmundjet”, tha ajo.

    Drejtori i IKShKP-së, Naser Ramadani, tha se imunizimi është njëra nga investimet më të mira të MSh-së.

    “Vendi ynë i bashkohet vendeve evropiane. Java e imunizimit është mundësi e mirë, për një rezultat të jashtëzakonshëm. Imunizimi njëra nga investimet më të mira të ministrisë tonë. Një program që ka nevojë për mbështetje. MSh-ja po punon ngushtë, bëj thirrje të gjithë prindërve te vaksinojnë fëmijët e tyre. Si profesionist shëndetësor bëj thirrje të arrijnë mbulueshmërinë për vaksinim. IKShKP-ja UNiCEF do i përmbush obligimet e veta në mënyrë që të kemi qasje të barabartë për të gjitha komunitetet”, tha Ramadani.

    Kurse, shefi i zyrës së BE-së, Oleksander Martiynenko, prezantoi një video përmes ekranit e cila tregonte rëndësinë e vaksinimit.

    Ai shtoi se përmes vaksinimit kanë shpëtuar 153 milionë jetë në gjithë botën në vitin 2023.

    “Imunizimi shpëton jetë për këtë jemi krenar, kemi 154 milionë jetë duke bërë një gjë të thjeshtë duke i ftuar në institucione shëndetësore, në 20 sekonda kanë shpëtuar 154 jetë. Ende kemi sëmundje që do vijnë dhe nuk e dimë tjera që do vijnë por ne duhet të përgatitemi të punojmë. Në 2023, 4 milionë vdekje janë ndaluar dhe këtë mund ta bëjë vaksinimi. Ju jeni heronjtë që mund të kontribuoni në atë aspekt. OBSH-ja dhe UNICEF-i rekomandon që për të qenë të mbrojtur, duhet të vaksinohet popullata”, tha ai.

    Shefi i OBSh-së, krejt në fund tha se vaksinimi ka një rol shumë të rëndësishëm.

    Benjamin Fischer, zëvendësshef i UNICEF-it në Kosovë, tha se duhet adresuar sfidat unike që i kanë grupet e margjinalizuara.

    “Ne ju ofrojmë siguri, duhet të punojmë me prindërit që ta kuptojnë rëndësinë e vaksinimit. Ky vit shënon një moment të rëndësishëm, jam i inspiruar nga përkrahja e autoriteteve me përkushtim për vaksinim. Sot duhet ta nderojmë fuqinë e vaksinimit, që na mbron nga sëmundjet ngjitëse. Dua ta falënderoj edhe OBSh-në, puna jonë nuk ka përfunduar”, shtoi Fischer.

    Fischer ka thënë po ashtu se COVID-19 i kufizoi shërbimet shëndetësore por përmes punës së madhe dhe dedikimit Kosova ka bërë një progres të madh në fuqizimin e imunizimit.

    “COVID-19 i kufizoj shërbimet shëndetësore. Përmes punës së madhe dhe dedikimit Kosova ka bërë një progres të madh në fuqizimin e imunizimit. Duke adresuar sfidat unike që i kanë grupet e margjinalizuara ne ju ofrojmë siguri, duhet të punojmë me prindërit që ta kuptojnë rëndësinë e vaksinimit. Falënderoj Vitinë për partneritet, gëzuar Java e Imunizimit për të gjithë”, përfundoi ai.

    Fetije Maksutaj – Fetaj, Epidemiologe nga IKShKP-ja, tha se Java e Imunizimi ka një rëndësi shumë të madhe për shpëtimin e jetëve. Organizimi i vaksinimit ka kalendarin e rregullt, ka qendrat për vaksinim.

    “MSh-ja, në bashkëpunim me IKShKP-në, ka bërë një organizim të vaksinimit. Janë 176 qendra që shërbejnë për vaksinim. IKShKP-ja bashkë me MSh-në kemi vaksinat sipas indikacioneve dhe trafikut ndërkombëtar. Aplikohen edhe vaksinat me indikacion epidemiologjik si gripi sezonal”, ka thënë Maksutaj – Fetaj.

    Epidemiologja Maksutaj – Fetaj ka thënë po ashtu se janë në rrugë të mirë dhe shpejt do të arrijnë një mbulueshmëri të madhe të vaksinimit.

    “Rota Pneumokok dhe HPV janë disa nga tri vaksinat e përfshira në vitin 2023. Zhvillimi i modulit digjital të raportimit të EPPV. Fuqizimi i burimeve njerëzore(trajnime, takime koordinuese),” janë disa nga arritjet e MSh-së gjatë vitit 2023. Jemi në rrugë të mirë dhe shpejt po arrijmë një mbulueshmëri të madhe të vaksinimit. Gjatë vitit 2023, ka pas mbulueshmëri të fëmijë të moshës 0-24 muaj, të fëmijëve shkollorë. Ndërsa tek fëmijët në klasën e 12-të sillet 80 përqind. Përqindja e administruar sipas grupeve të rrezikut, 68.18 përqind i përkasin pjesës më të madhe të vaksinimit”, tha ajo.

  • ​“Perëndimi mbron qiejt e Izraelit, të mos bëhet e njejta gjë për Ukrainën është gabim vdekjeprurës”

    ​“Perëndimi mbron qiejt e Izraelit, të mos bëhet e njejta gjë për Ukrainën është gabim vdekjeprurës”

    Në Kiev, pashë jetën nën sulmin ajror rus. Nëse Europa nuk ofron sistemet e saj të mbrojtjes ajrore tani, kërcënimi i Putinit vetëm do të përhapet.

    Shkruan: Nathalie Tocci, opinioniste e The Guardian

    Vlera e një sistemi efektiv të mbrojtjes ajrore dhe e mbështetjes së palëkundur ndërkombëtare ishte kristal e qartë natën e sulmit masiv të Iranit ndaj Izraelit: shumica e raketave dhe dronëve iranianë u shkatërruan para se të arrinin në tokën izraelite. SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, si dhe Jordania, morën pjesë në mbrojtjen e Izraelit.

    Unë mbërrita në Kiev të nesërmen. Kontrasti midis dy emergjencave nuk mund të ishte më i fortë. Ndryshe nga Izraeli, Ukrainës i mungojnë mbrojtjet e mjaftueshme ajrore dhe perëndimi ofron shumë më pak se sa mundet ose duhet për të mbrojtur Ukrainën kundër Rusisë. Ukraina nuk po merret me hakmarrje të njëhershme për goditjen e një konsullate ruse – siç është Izraeli me Iranin. Rusia ka zhvilluar një luftë agresioni kundër Ukrainës që nga viti 2014, me qëllim zhdukjen e kombësisë së saj.

    Çdo ditë, raketat dhe dronët rusë godasin qytetet dhe infrastrukturën kritike të Ukrainës. Një sulm i fundit me raketa në një termocentral në veri do të thotë se qindra mijëra, nëse jo një milion të tjerë ukrainas, mund të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre deri në dimrin e ardhshëm. Në pamundësi për të pushtuar një vend që është i papushtueshëm, Rusia ka vendosur se dëshiron t’i bëjë qytetet e Ukrainës të pabanueshme. Tashmë shifrat janë tmerruese: përpara pushtimit të plotë tokësor të Rusisë në vitin 2022, Ukraina kishte një popullsi prej rreth 40 milionë banorësh. Sot, pak më shumë se 20 milionë jetojnë në Ukrainën e lirë dhe ky numër mund të bjerë më tej në muajt në vijim, shkruan The Guardian, transmeton KosovaPress.

    Rusia po përparon gjithashtu përgjatë vijës së frontit, duke kaluar Ukrainën për sa i përket artilerisë dhe fuqisë punëtore me një raport marramendës 7:1, nëse jo më shumë. Tani që Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA më në fund ka miratuar një paketë të shumëpritur ndihme ushtarake me vlerë 61 miliardë dollarë për Ukrainën pas muajsh ngecjeje, ajo mund të mbajë vijën e frontit, ndoshta duke humbur disa territore të tjera në rajonin e Donetskut. Nënshkrimi përfundimtar për projektligjin nga Joe Biden pritet brenda ditëve. Në skenarin më të keq, viti 2024 mund të shohë rënien e qyteteve dhe qytezave të tjera të mëdha si Kharkiv, Sumy ose Zaporizhzhia.

    Të bësh një shtet dhe një shoqëri të funksionojë me një popullsi të përgjysmuar, ndërkohë që i shmanget pushtimit nga një prej ushtrive më të mëdha në botë, kërkon qëndrueshmëri të paimagjinueshme. Nga ajo që pashë gjatë disa ditëve në kryeqytet, Kievi është plot jetë. Por kjo është jeta e ndërprerë nga sirenat pothuajse të përditshme të sulmeve ajrore.

    Së bashku me një grup nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë me seli në Berlin, isha rrugës për në stacionin e trenit një ditë kur sinjalizimet e aplikacioneve tona u ndalen. Nuk kishte asnjë bunker ku të strehoheshim, por shoferi ynë i taksisë ngriti supet, i patrazuar. Paniku ishte i kotë, tha ai, do të arrinim në stacion së shpejti dhe ndoshta do të ketë përfunduar deri atëherë. Ai kishte të drejtë; Sapo arritëm në stacion, zëri i Luke Skywalker në aplikacionin tonë gjëmoi: “Alarmi ajror ka përfunduar, Forca qoftë me ju.”

    Që ukrainasit të vazhdojnë të besojnë se Forca është me ta është mjaft e vështirë. Të bësh këtë me njërën dorë të lidhur pas shpine për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme perëndimore është pothuajse e pamundur.

    Në disa aspekte, perëndimi po përballet me vështirësi objektive. Evropës dhe SHBA-së iu deshën pothuajse dy vjet për t’u zgjuar me faktin se kjo do të ishte një luftë e gjatë dhe se dërgimi i një pjese të rezervave të tyre të vjetra të armëve do të ishte i pamjaftueshëm. Për dy vjet (e më shumë), Rusia e ka vënë ekonominë e saj në një bazë lufte, ndërkohë që ka marrë armë nga Koreja e Veriut dhe Irani. Mospërputhja në raportet e artilerisë dhe municionit janë një reflektim i kësaj. Me vonesë, në perëndim ka lindur vetëdijesimi se po ndodh një lufte e gjatë dhe prodhimi i armëve po rritet: deri në vitin e ardhshëm, qeveritë evropiane duhet të jenë në gjendje të kompensojnë disa nga mospërputhjet aktuale. Kjo është arsyeja pse ukrainasit i perceptojnë muajt e ardhshëm si dritaren e tyre më të madhe të cenueshmërisë, ndoshta më të madhe se javët e para dramatike pas 24 shkurtit të vitit 2022.

    Por në aspekte të tjera, vendet evropiane (dhe SHBA) nuk kanë justifikime. Në mënyrë paradoksale, megjithëse i mungon artileria dhe municioni i mjaftueshëm bazë, Evropa nuk ka mungesë të sistemeve të sofistikuara të mbrojtjes ajrore. Ka rreth 100 sisteme të tilla në të gjithë Evropën të cilave u ka rënë pluhuri. Sado i rëndësishëm të jetë qëllimi i mbrojtjes për të penguar një agresion të ardhshëm rus, kontinenti evropian tashmë është në luftë. Nëse sistemet evropiane të mbrojtjes ajrore vazhdojnë të shtrihen në vend që t’i ofrohen Kievit për të shpëtuar jetë në Ukrainë, ato mund të përfundojnë duke u nevojitur aty ku ndodhen aktualisht, duke i kthyer arsyet kundër transferimit të tyre në Ukrainë në një profeci vetë-përmbushëse.

    Ukraina nuk ka nevojë për 100 sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot dhe SAMP/T; nevojiten vetëm shtatë. Por deri më tani, me përjashtim të Gjermanisë, vendet evropiane janë shmangur. Ata kanë dalë me të gjitha llojet e arsyeve (ose justifikimeve), duke përfshirë nevojën për të respektuar standardet e NATO-s. Megjithatë, shumë nuk duket se kanë të njëjtin shqetësim për thyerjen e standardeve të NATO-s në objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes prej 2%. Nëse Gjermania mund të pranojë të dërgojë një bateri shtesë Patriot në Ukrainë, pavarësisht se ka rezistuar fuqishëm, vendet e tjera evropiane mund të ndjekin shembullin. Të mos bësh këtë tani është thjesht e pafalshme.

    Vlen të pyesim veten se çfarë e shpjegon këtë heshtje perëndimore ndaj Ukrainës, veçanërisht duke pasur parasysh kontrastin e fortë me Lindjen e Mesme. Ka dy përgjigje të mundshme, asnjëra prej të cilave nuk është edukuese. E para dhe më e mprehta është frika. Perëndimi ka frenuar grushtat e tij në luftën Rusi-Ukrainë, sepse është i frikësuar nga Rusia dhe përshkallëzimi rus. Sa më shumë që ka shfaqur frikën e saj, aq më shumë e ka galvanizuar Rusinë. Vladimir Putin ndjen erën e frikës dhe si çdo luftëtar në ring, ai po shfrytëzon mundësinë për të intensifikuar përpjekjet. Lufta e Ukrainës është bërë ekzistenciale për regjimin rus dhe dritarja e cenueshmërisë së Ukrainës mund të mos zgjasë përgjithmonë. Prandaj, më mirë ta fus thikën sa më thellë që të jetë e mundur tani gjatë kohës kur perëndimi është imobilizuar nga frika.

    Arsyeja e dytë dhe më tragjike është se Evropa ende nuk e konsideron Ukrainën si pjesë të saj. Siç tha një koleg në Kiev: “Evropa ende na konsideron si “e mira tjetër e saj” (ajo ende e sheh atë si të ndarë ose të ndryshëm nga vetvetja). Për sa kohë që kjo ndarje vazhdon, ekzistenca e Ukrainës do të jetë në rrezik, dhe bashkë me të siguria e të gjithë kontinentit evropian. Të tregosh se Ukraina është pjesë e “tyre” do të thotë të dërgosh më shumë mbrojtje ajrore “të tyre” për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën ukrainase. Dhe kjo nënkupton miratimin e kornizës së negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në BE dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare që hap bisedimet e pranimit të Ukrainës në qershor.

    E gjithë kjo mund të duket burokratike dhe një prioritet i ulët për një vend që lufton për mbijetesën e tij. Por për aq sa sinjalizon se evropianët e trajtojnë Ukrainën si pjesë të Evropës, ajo është ekzistenciale. Një diplomat i vendosur në Kiev na tha se kur BE-ja nisi të hapte negociatat e pranimit me Ukrainën dhjetorin e kaluar, ushtarët në vijën e frontit ishin të gëzuar. Sado e çuditshme të duket, për ta nuk ishte një ide abstrakte, por një sinjal i prekshëm i përkatësisë, i ndjenjës se nuk ishin vetëm. Dhe në këtë orë të nevojës më të madhe, Ukraina ka nevojë për raketa dhe municione po aq sa një injeksion i fortë vetëbesimi. Është e vështirë të mos kthehesh nga Kievi për momentin i pasuruar (me një kuptim ose vlerësim më të thellë të situatës), por me zemër të rënduar.