ATV

Blog

  • Pak para takimit të Këshillit të Sigurimit, Osmani takohet me ambasadorin amerikan, Robert A. Wood

    Pak para takimit të Këshillit të Sigurimit, Osmani takohet me ambasadorin amerikan, Robert A. Wood

    Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit është takuar me ambasadorin Robert A. Wood.

    Osmani ka thënë se e ka informuar lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë dhe kanë diskutuar për rëndësinë e bashkëpuninimit, raporton EO.

    “Përpara takimit të OKB-së sot, u takova me ambasadorin Robert A. Wood. E informova për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe diskutuam rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me aleatët për të trajtuar sfidat e përbashkëta”, ka thënë Osmani në X.

  • Në Gllarevë protestohet kundër punimeve në rrugën Prishtinë-Pejë, protestuesit kapen me policët

    Në Gllarevë protestohet kundër punimeve në rrugën Prishtinë-Pejë, protestuesit kapen me policët

    Tre persona janë arrestuar sot në Gllarevë të Klinës, pasi dyshohet se gjatë një proteste kanë penguar punimet në rrugën Prishtinë- Pejë.

    Protestuesit sot në Gllarevë kanë dalë në rrugë për pakënaqësitë që kanë në lidhje me ndërtimin e rrugës magjistrale Prishtinë- Pejë.

    Në pamjet e publikuara nga mediat lokale shihet se disa protestues edhe janë përleshur me policët që po qëndronin aty.

    Arrestimin e disa nga protestuese e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

    “Sot janë arrestuar 3 persona në Gllarevë, të njëjtit gjatë protestës kanë penguar punimet në rrugë”, tha Rugova.

  • Begaj pret në Presidencë pjesëmarrësit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes

    Begaj pret në Presidencë pjesëmarrësit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në presidencë pjesëmarrësit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, përfaqësues nga vende të ndryshme të NATO-s dhe ato partnere. Presidenti i Republikës theksoi gjatë këtij takimi se Shqipëria është promovuese e paqes dhe sigurisë në rajon e me gjerë nëpërmjet politikës së dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit.

    Gjithashtu, Begaj theksoi se Shqipëria beson dhe ka treguar në angazhimet e saj ndërkombëtare se multilateralizmi është mekanizmi i duhur që ofron zgjidhje të pranueshme në përballje me sfidat e përbashkëta të vendeve tona në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

    Kryetari i Shtetit përcolli vizionin e tij për Shqipërinë e sëardhmes në përgjigje të interesit të studentëve të këtij kursi. Ai u shpreh se e sheh Shqipërinë të vendosur drejt realizimit tëobjektivave dhe ëndrrës shqiptare të kamotshme Euroatlantike.

    Pjesëmarrësit në Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes u njohën nga Këshilltarët e Kreut të Shtetit me rolin dhe funksionet e Presidentit në një Republikë Parlamentare, si edhe në politikën e jashtme dhe atë të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

  • Mbeturinat e plastikës problem global – Mbjellja e fidanëve e reduktimi i qeseve, kontribues në ruajtjen e mjedisit

    Mbeturinat e plastikës problem global – Mbjellja e fidanëve e reduktimi i qeseve, kontribues në ruajtjen e mjedisit

    Para kampusit të universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me rastin e Ditës së Tokës është zbuluar instilacioni “Muri apo premtimi i prirtë”, i ndërtuar përmes përdorimit inovativ të plastikës së ricikluar, që shërben si një reflektim mbi ndërgjegjen tonë mjedisore dhe nevojën urgjente për praktika të qëndrueshme.

    Motoja e sivjetme është “Planeti kundër plastikës”, pasi mbeturinat e plastikës konsiderohen se janë bërë problem global.

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se problemi global me mbeturinat e plastikës vërehet edhe në vendin tonë, sidomos gjatë vërshimeve.

    Për këtë arsye, Aliu përmendi vendimin për reduktimin e qeseve të plastikes.

    “Sot është 22 Prilli, Dita Botërore e Tokës dhe për këtë vit motoja është ‘planeti kundër plastikës’, që i bie se çështjet e mbeturinave të plastikës janë bërë problem global dhe i tërë planeti është duke u ballafaquar me ndotje masive e cila po ja zë frymën dhe po e shkatrrën planetin tonë. Natyrisht që situata nuk është më e mirë në vendin tonë sado që mund të mos duket në sy të parë kur të kemi vërshime përpos që na bie ndërmend që ndryshimet klimatike po na ndikojnë edhe ne i shohim edhe mbeturina plastikës që na vërshojnë bashkë me vërshimet e ujit e që kuptojmë qeset e plastikës dhe shishet e plastikës i lemë dhe i hedhim kudo dhe nuk kemi arrit të ndërtojmë ende një sistem të mirëfilltë të menaxhimit të mbeturinave. Kjo ka qenë edhe detyra themelore e Ministrisë sonë që krahas strategjisë dhe ndërtimit të mekanizmave të marrim edhe hapat konkret për reduktimin e qeseve të plastikes dhe krijimin e mekanizimit respektivisht sistemit”, u shpreh Aliu.

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, tha se dikasteri i tij po kontribuon në masë të madhe në ruajtjen e mjedisit në vend. Ai përmendi edhe aksionin për mbjelljen e 1 milion fidanëve në tërë Kosovën përgjatë periudhës 2021 – 2022.

    “Sot, ne Ditën Ndërkombëtare të Tokës, le të rifreskojmë përkushtimin tonë për të mbrojtur, kujdesur dhe restauruar mjedisin që na rrethon. Kjo datë simbolizon më shumë se një ngjarje vjetore, ajo shërben si një kujtesë e pandërprerë për përgjegjësinë tonë ndaj Tokës – shtëpisë sonë të përbashkët. Mbrojtja e tokës, e pyjeve dhe e gjithë ekosistemeve që na mbështesin nuk është vetëm një detyrim, por një domosdoshmëri”.

    “Së bashku me Presidenten Osmani dhe Ministrin Aliu dhe partnere vendore e ndërkombëtare kemi iniciuar nismën për 1 milion fidane në tërë Kosovën përgjatë periudhës se mbjelljeve 2021 – 2022. Agencioni Pyjor i Kosovës vazhdon me aksionet e rregullta të pyllëzimit, dhe deri me tani janë pyllëzuar afro 1, 5 milionë fidane në një sipërfaqe prej 563 ha (2021, 2022, 2023, kurse ne vjeshtën e këtij viti janë planifikuar të pyllëzohen 100 ha me mirëmbajtje. Në kuadër të partneriteteve ndërkombëtare për herë të parë kemi arritur të krijojmë 7 njësi emergjente në Zyrat Rajonale të APK-së te cilat parashihen të reagojnë në monitorimin, parandalimin dhe shuarjen e zjarreve pyjore ne raste emergjente. Përmes këtyre nismave, ne jemi të angazhuar për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe me të gjelbër për të gjithë duke ruajtur pasuritë tona natyrore”, u shpreh Peci.

  • Në ministrinë e Mbrojtjes shënohet Dita e Komunitetit Turk

    Në ministrinë e Mbrojtjes shënohet Dita e Komunitetit Turk

    Në Ministrinë e Mbrojtjes u shënua Dita e Komunitetit Turk, ku u organizua pritje zyrtare për ushtarakët dhe zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së nga ky komunitet.

    Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministri i Mbrojtjes, Adnan Rexhepllar, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe shefi grupit parlamentar multietnik, Enis Kervan.

    Maqedonci në këtë ditë theksoi se komuniteti turk gëzon një respekt të veçantë të cilët e kanë fituar me punën dhe përkushtimin e tyre në institucionet e Kosovës. Ai shprehu angazhimin e tij maksimal që në ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK të rritet numri i pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, duke përfshirë dhe komunitetin turk, bën me dije ministria përmes një postimi në Facebook.

    Ndërsa, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, theksoi se historia e angazhimit të komunitetit turk dhe kontributi i këtij komuniteti është në të gjitha fazat e krijimit të shtetit tonë dhe veçanërisht në ndërtimin e FSK-së.

    Ai nënvizoi se pjesëtarët e komunitetit turk brenda FSK-së shërbejnë si një urë lidhëse e fuqishme në mes të Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

    Të pranishmëve në këtë ceremoni gjithashtu me një fjalë rasti iu drejtuan edhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Cagri Sakar, Sabri Tunç Angili, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe shefi grupit parlamentar multietnik, Enis Kervan.

  • Mira Murati dhe Lulzim Tafa zgjidhen anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

    Mira Murati dhe Lulzim Tafa zgjidhen anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

    Asambleja e Përgjithshme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i ka zgjedhur sot anëtarë të jashtëm të kësaj akademie Mira Muratin, Kryeshefe në OpenAI dhe Lulzim Tafën, poet i mirënjohur nga Kosova.

    Mira Murati, është një nga shqiptaret më me ndikim në fushën e teknologjisë, e cila u bë e njohur për publikun botëror për rolin e saj në inteligjencën artificiale (AI) dhe sukseset e arritura në fushën e teknologjisë, si kryeshefe në OpenAI.

    Ndërsa, poeti Lulzim Tafa, është i njohur për artin e tij, si njëri ndër poetët shqiptarë më të përkthyer në botë, njëherësh laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare. Ai ka fituar dhjetëra çmime prestigjioze ndërkombëtare për letërsi, ndërsa mban shumë tituj nderi në akademi e universitete botërore. Së fundmi, Lulzim Tafa, u dekorua edhe nga presidenti francez, Emanuel Macron, me dekoratën “Oficer i Urdhërit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”, që është dekorata më e lartë të cilën shteti francez e ndan në fushën artit dhe letërsisë.

    Krahas, Mira Muratit e Lulzim Tafës, në Asamblenë e Përgjithshme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si anëtarë të saj u zgjodhën edhe Lea Ypi, Gëzim Alpio dhe Angjelin Perljucaj.

  • Nisin negociatat midis Real Madridit dhe Bayern Munichut rreth një shkëmbimi lojtarësh

    Nisin negociatat midis Real Madridit dhe Bayern Munichut rreth një shkëmbimi lojtarësh

    Pritet të ketë lëvizje të mëdha gjatë këtij afati kalimtar të verës.

    Real Madridi, ka kohë që ka shprehur interesim që ta sjellë mbrojtësin e krahut të Bayern Munichut, Alphonso Davies.

    Davies, ka kontratë deri më 2025 dhe sipas raportimeve të disa mediave, mbrojtësi dëshiron të largohet po këtë verë.

    Andaj “Galaktikët”, kanë ofruar një shkëmbim mes Davies dhe Ferland Mendyt për të gjetur një akord që kënaqë të dy palët.

    Davies, iu bashkua Bayern Munichut nga Vancouver Whitecaps në vitin 2019 dhe ka bërë gjithsej 189 paraqitje ku ka shënuar 9 gola dhe ka bërë 29 asiste në të gjitha kompeticionet.

    Lojtari kanadez, fillimisht ka qënë sulmues i krahut të majtë por pas ardhjes së Flick në pozitën e trajnerit ai ndryshoi pozitën në mbrojtës të majtë, ndryshim kjo i cili bëri Davies të jetë një ndër më të mirët ku dhe u bë i pari kanadez që fitoi Ligën e Kampionëve.

  • Osmani para takimit të Këshillit të Sigurimit: E vërteta do të dëgjohet dhe e vërteta do të mbrohet

    Osmani para takimit të Këshillit të Sigurimit: E vërteta do të dëgjohet dhe e vërteta do të mbrohet

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, para takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Këshillin e Sigurimit ka thënë se e vërteta do të dëgjohet dhe do të mbrohet.

    Përmes një video-live të publikuar në Facebook, Osmani shihet me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyrete Tairin, raporton Ekonomia Online.

    “Para takimit të Këshillit të Sigurimit, bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyrete Tairin, për t’u siguruar që e vërteta do të dëgjohet dhe e vërteta do të mbrohet! Na ndiqni sot drejtpërdrejt nga ora 16:00 (me kohë të Kosovës)”, ka thënë Osmani.

  • ​Lanoshet pulla postare kushtuar mbrojtjes së ambientit

    ​Lanoshet pulla postare kushtuar mbrojtjes së ambientit

    Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj lëshoi sot në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Mbrojtja e ambientit”.

    Si pjesë përkrahëse e fushatave sensibilizuese, ky emision përmes pamjeve të pullave postare bartë mesazhet për rëndësinë e ambientit të pastër, rrezikun e ndotjes nga qeset plastike, si dhe formën edukative të përdorimit të materialeve të riciklueshme.

    “Mbrojtja e ambientit, në aspektin global, është pjesa më e rëndësishme e jetës në planetin Tokë”, thuhet nw njoftim.

    Pjesë përbërëse e këtij emisioni është edhe Zarfi i Ditës së Parë, i cili do të qëndrojë në qarkullim postar deri në konsumimin e plotë.

    Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj vazhdon me përkrahjen e të gjitha iniciativave për të mirën e qytetarëve, si dhe për promovimin e shtetit tonë nëpër botë.

  • ​Kurti: Duhet të nxisim kohezionin social për të parandaluar ekstremizmin

    ​Kurti: Duhet të nxisim kohezionin social për të parandaluar ekstremizmin

    Duhet të nxisim përfshirjen dhe të sigurojmë kohezionin social në mënyrë që të mos i nxisim njerëzit në ekstremizëm, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës – Takimi i Sofjes 2024 në Rezidencën Boyana, të hënën. Arsimi është çelësi. Në shekullin 21 brezi i ri duhet të edukohet, tha Kurti, duke shtuar se ky është një vizion kyç për ta si përfaqësues të elitës politike dhe të biznesit.

    Kryeministri i Kosovës bëri thirrje për më shumë solidaritet në rajon. “Ne duhet të bashkëpunojmë, të komunikojmë më shumë,” tha ai. Kurti tha se ekonomia globale po përballet me recesion dhe sipas tij, “duhet të mendojmë edhe për të ardhmen me të cilën do të përballet”. Ai vuri në dukje zhvillimin e inteligjencës artificiale në vitet e fundit dhe shtoi se kjo do të sjellë ndryshime në shumë industri, gjë që hap rrugën për rritje, por sipas shumë prej tyre shpie në rreziqe.

    “Ne duhet të inkurajojmë procesin teknologjik, por të sigurohemi që kjo të mos ndodhë në kurriz të vlerave tona”, tha Kurti. “Ne mbështetemi në qëndrueshmërinë dhe këmbënguljen në ndërtimin e urave në shoqëritë tona. Nëse ka vështirësi, nuk duhet të mendojmë se duhet të ndryshojmë rrjedhën e zhvillimit, por duhet të ndalemi pak dhe të vazhdojmë të ndërtojmë ura ekonomike, pavarësisht kohëve të vështira dhe sfidave që hasim”, tha ai. “Përndryshe, ne rrezikojmë të humbim njerëz që shkojnë në pozicione shumë ekstreme. Mund të humbasim kohezionin tonë social”, tha Kurti.

    Kryeministri falënderoi Bullgarinë dhe popullin bullgar për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Bullgaria dhe Kosova shënojnë këtë vit 15 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Të dy vendet ndajnë angazhimin e tyre për sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe standardet e BE-së, shtoi kryeministri i Kosovës. /BTA/