ATV

Blog

  • Për shkak të parashkrimit, këngëtarit Sinan Vllasaliu i refuzohet akuza për shmangie nga tatimi

    Për shkak të parashkrimit, këngëtarit Sinan Vllasaliu i refuzohet akuza për shmangie nga tatimi

    Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar aktakuzën ndaj këngëtarit Sinan Vllasaliu i cili ngarkohej nga Prokuroria se ka dëmtuar shtetin me 24 mijë e 270 euro e 98 centë, duke iu shmangur tatimeve gjatë viteve 2011-2015.

    Shpallja e aktgjykimit është bërë të martën nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit Vllasaliu për shkak të parashkrimi absolut të veprës penale.

    Gjykatësja Krasniqi-Jashancia tha se sipas dispozitës ligjore të nenit 362 paragrafi 1 pika 1.1 dhe 1.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës gjykata merr aktgjykim refuzues për shkak se prokurorja e shtetit në fjalën e saj përfundimtare e bërë ri cilësimin e veprës penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 313 paragrafi 2 siç ka qenë, në veprën e njëjtë penale por tani me paragrafin 1.

    “Ligjvënësi ka paraparë se vepra penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 313 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është e dënueshme me dënim me gjobë dhe me dënim me burgim deri në 3 vjet. Nisur nga pretendimet e aktakuzës, kohës së kryerjes së veprës penale që është periudha kohore prej vitit 2011-2015 bir që prej datës 31.12.2015 deri me datë 31.12.2021 është arritur ndalesa absolute në fuqi me ligjin dhe për këtë arsye gjykata bie aktgjykim refuzues pasi ka kaluar afati i parashkrimit absolut”, tha gjykatësja Krasniqi-Jashanica.

    Ndryshe, në seancës e fundit për këtë rast të mbajtur më 17 maj 2024, prokurorja Elza Bajrami, në fjalën përfundimtare pasi ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga neni 313 paragrafi 2 në paragrafin 1, ka thënë se është vërtetuar se ka pasur shmangie nga tatimi.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sinan Vllasaliu po ngarkohet me veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

    Aktakuza thotë se i pandehuri Vllasaliu në cilësi të këngëtarit dhe të pronarit të biznesit “N.P.T. “Tusido” me seli në Prishtinë në vazhdimësi për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015 që ndërlidhen me pagesën e tatimit, tarifave apo kontributeve tjera pranë Administratës Tatimore të Kosovës me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik.

    Për këtë veprim, ai ngarkohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë të përgjithshme në vlerë prej 24 mijë e 270 euro e 98 centë.

    Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi

  • Aksioni i fundit në veri, Franca: Autoritetet kosovare të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm

    Aksioni i fundit në veri, Franca: Autoritetet kosovare të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm

    Pas SHBA-së dhe BE-së ka reaguar edhe Franca lidhur me veprimet e fundit të Policisë së Kosovës në Veri të Kosovës.

    Parisi në një komunikatë për media ka bërë të ditur se janë të shqetësuar për veprimet e fundit që çuan në mbylljen e zyrave të bankave postare serbe në Veri të Kosovës.

    Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës “këto veprime të reja të njëanshme kontribuojnë në përshkallëzimin e tensioneve dhe rrezikojnë diskutimet e vazhdueshme, nën patronazhin e Bashkimit Evropian, që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për personat e prekur nga zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”.

    Më tej në reagim thuhet se veprimet e Kosovës ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë dhe shkojnë kundër përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, parakusht për realizimin e perspektivës evropiane të dy vendeve.

    “Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm. Inkurajon të dyja palët të kthehen në tryezën e negociatave dhe të punojnë në propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga ndërmjetësimi evropian, e vetmja bazë realiste për arritjen e një marrëveshjeje që lejon përfituesit e kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia”, përfundon njoftimi.

    https://www.diplomatie.gouv.fr/fr/dossiers-pays/serbie/evenements/article/kosovo-operations-de-la-police-kosovare-21-04-24

  • Rama: Nga 1 janari do të ketë autobusë e linja të reja

    Rama: Nga 1 janari do të ketë autobusë e linja të reja

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se nga 1 janari i vitit 2025 do të ketë autobusë dhe linja të reja të kryeqytet. Por s’e ka treguar numrin e tyre.

    Rama ka thënë se të mërkurën ka nisur reformimi i sistemit të transportit publike.

    “Sot kemi filluar me reformimin e sistemit të transportit publik. Kjo reformë do të sjellë: Flotë të re të autobusëve nga 1 janari 2025, më shumë linja të autobusëve sipas nevojave të qytetarëve, mbulim i më shumë rrugëve me transport publik, një biletë për të gjitha linjat në kryeqytet, pra biletë e integruar dhe sisteme digjitale të pagesës së biletave”, ka shkruar ai në Facebook.

    Sipas Ramës, reforma e transportit publik është bërë në koordinim me operatorët privatë të linjave të autobusë, Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, përfaqësuesit e bankave në Kosovë dhe të tjerë.

    “Kjo reformë do të përfshijë garantimin e kredive për blerjen e autobusëve privat, dhe rrjedhimisht dhënien e linjave të reja për këta operatorë privat”, ka shkruar tutje Rama.

  • Minatorëve nuk iu dalin pagat, Sindikata: Janë paguar vetëm disa kategori e pozita pune

    Minatorëve nuk iu dalin pagat, Sindikata: Janë paguar vetëm disa kategori e pozita pune

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” ka njoftuar se janë bërë më shumë se dy javë prej kur është dashur të bëhej ekzekutimi i pagave për minatorët.

    Sipas tyre, një realizim i tillë është bërë në mënyrë selektive dhe diskriminuese, duke ekzekutuar pagat vetëm për disa kategori dhe pozita të punës.

    “Kanë kaluar tashmë e dy javë nga dita kur është dashur të bëhej ekzekutimi i plotë i pagave për minatorët. Por një realizim i tillë është bërë në mënyrë selektive dhe diskriminuese, duke ekzekutuar pagat vetëm për disa kategori dhe pozita të punës.

    Një qasje të tillë e konsiderojmë diskriminuese, të kundërligjshme dhe të papërgjegjshëm. Ne kërkojmë ekzekutimin e pagave menjëherë, për të gjithë minatorët( të gjithë të punësuarit nëTrepça Sh.a) pa dallim dhe diskriminim. Kësaj qasje arbitrare ndaj minatorëve duhet ti vie fundi”, është thënë në reagim.

    Tutje, nga kjo Sindikatë kanë kërkuar që menjëherë të bëhet ekzekutimi i pagave.

  • AAK-ja akuzon Qeverinë se s’ka punuar në lehtësim të votimit nga diaspora

    AAK-ja akuzon Qeverinë se s’ka punuar në lehtësim të votimit nga diaspora

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka akuzuar Qeverinë Kurti se nuk ka punuar në lehtësim të procesit të votimit nga diaspora, siç parashihet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media të mërkurën, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka cilësuar “skandal” gjendjen në këtë aspekt.

    Ndonëse ka hyrë në fuqi ky ligj nëntë muaj më parë, Tahiri ka thënë se në vend të 50 centëve për votë, sërish diaspora duhet të paguajë nga 70-80 euro.

    “Votimi jashtë vendit për vëllezërit dhe motrat tona nga diaspora vazhdon të manipulohet duke e penguar zbatimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme i cili ka hyrë në fuqi në korrik të vitit të kaluar. Janë bërë 9 muaj që kur ky ligj ka hyrë në fuqi e nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të mundësuar votimin e vëllezërve dhe motrave tona sipas këtij ligjit. Deri më tani nuk ka asnjë informatë asnjë marrëveshje ndërshtetërore për të mundësuar votimin e qytetarëve të Kosovës në Ambasada siç thotë ligji. Ligji i ri kërkon që të krijohet një kuti postare ku diaspora do të mund të votojë dhe pastaj këto vota që do të paguheshin me 50 centë të shkonin në atë kuti që do të ambalazhohej nga Ambasada e do të menaxhohej nga KQZ-ja në mënyrë që vota të vijë në Kosovë”, ka thënë Tahiri.

    Kritika ka edhe deputetja tjetër e AAK-së, Time Kadriaj. Ajo ka thënë se “është shqetësuese sepse Kurti e ka marrë votën popullore e mbi 90 mijë vota nga diaspora”.

    “Për neve është shqetësuese sepse ka marr votën popullit, ka marre 90 mijë vota për diaspora duke thënë që kemi mbajt premtime, qoftë për Ligjin për Diasporën, qoftë rregullimin e votimit të diasporës dhe e dim ne që mënyra deri tashme është e komplikuar. Kjo qeveri deri sot nuk ka bërë asgjë, i ka kaluar tri vjet në çdo vit kalendarik e kemi ligjin për diasporë dhe çdo vit nuk vjen edhe këtë vit nuk sjellet”.

  • Kardiologu tregon se cili djathë është i mirë për shëndetin e zemrës

    Kardiologu tregon se cili djathë është i mirë për shëndetin e zemrës

    Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve, ndaj është shumë e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje e veçantë shëndetit të zemrës.

    Dieta luan një rol të madh në parandalimin e këtyre sëmundjeve dhe shumë ekspertë besojnë se nuk është e këshillueshme të hamë djathë nëse kujdesemi për shëndetin kardiovaskular.

    Është shumë e vërtetë se disa djathëra nuk janë shumë të mirë për zemrën, por ka ende opsione më të shëndetshme.

    “Disa ushqime, të tilla si ato me yndyrë të ngopura dhe natrium, mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare”, tha kardiologu dr. Cheng-Han Chen për Parade, përcjell Telegrafi.

    Në të kundërt, ushqimet me bazë bimore që janë të larta në fibra dhe të ulëta në yndyra të ngopura mund të jenë të dobishme për shëndetin e zemrës.

    Megjithatë, edhe pse djathi përmban yndyrë të ngopur dhe natrium, kardiologu pohon se ai mund të jetë ende pjesë e një diete të shëndetshme për zemrën.

    Megjithatë ai thekson: “Djathi që zgjidhni nuk duhet të ketë shumë yndyrë të ngopur dhe natrium dhe duhet ta konsumoni me masë”.

    Ai tregon cili lloj djathi nuk është aq i keq për zemrën.

    “Mozzarella është një burim i mirë i proteinave dhe kalciumit dhe madje përmban probiotikë që mund të përfitojnë shëndetin dhe imunitetin e zorrëve. Mocarela e freskët ka më pak yndyrë të ngopur dhe natrium se djathërat e tjerë”, thotë Dr Chen.

    Një porcion 28 gram mozzarella përmban më shumë se gjashtë gram proteina, 143 miligramë kalcium, 138 miligramë natrium dhe rreth katër gram yndyrë të ngopur.

    Sidoqoftë, duhet të kontrolloni faktet ushqyese në paketimin e këtij djathi, sepse sasia e natriumit mund të ndryshojë.

    “Është mirë të shmangni mozzarellën me shumë natrium sepse mund të rrisë presionin e gjakut”, përfundoi Dr Chen./Telegrafi/

  • Ansambli “Shota” fiton çmim në Karnavalin e Kulturave 2024 në Berlin

    Ansambli “Shota” fiton çmim në Karnavalin e Kulturave 2024 në Berlin

    Ansambli i këngëve dhe valleve burimore të shqiptarëve “Shota” për vite me radhë ruan vlera kulturore e kombëtare, si treguese e atdhedashurisë, raporton Gazeta Sinjali.

    Së fundmi, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin shprehu kënaqësinë që performanca e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” gjatë Karnavalit të Kulturave 2024 në Berlin është vlerësuar me çmimin e nderit në kategorinë “Valle dhe Muzikë“ nga juria e karnevalit.

    Pjesëmarrja e ansamblit “Shota” u organizua nga Organizata e Akademikëve dhe Studentëve Shqiptarë në Berlin – OASA dhe u mundësua nga mbështetja financiare e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

    Në manifestimin që u mbajt ditë më parë në Berlin, AKKV “Shota” e Kosovës dallohej për performancat e saj energjike dhe tradicionale, të cilat u pritën shumë mirë nga audienca. Pjesëmarrësit dhe organizatorët vlerësuan angazhimin dhe talentin e grupit, duke e konsideruar atë si një pasuri për festivalin që përfaqëson një mozaik kulturash dhe traditash nga e gjithë bota.

  • Ukraina e zmbraps një valë të re sulmesh ajrore ruse

    Ukraina e zmbraps një valë të re sulmesh ajrore ruse

    Kundërajrorët ukrainas i rrëzuan të gjithë 24 dronët me të cilët Rusia e sulmoi Ukrainën mëngjesin e së mërkurës, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës në një komunikatë.

    Dronët u shkatërruan mbi rajonet Mikolaiv, Dnipropetrovsk, Zaporizhja, Donjeck, Sumi dhe Odesa, thuhet në komunikatë.

    Ndërkohë, këshilli i qytetit Sumi tha se linjat e rrymës dhe tubacionet e ujit u dëmtuan nga mbetjet e dronëve të rrëzuar dhe se kishte ndërprerje të furnizimit me rrymë në qytet.

    Ai tha se ka nisur puna për kthimin e furnizimit me ujë dhe rrymë për banorët.

    Këtë pranverë, Rusia i ka rritur sulmet me dronë dhe raketa nëpër Ukrainë, duke i shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturës së saj energjetike.

    Forcat ukrainase i rrëzuan të gjithë 90 dronët e llojit Shahed që Rusia i lëshoi në javën e fundit, tha më 20 maj zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Dmytro Lykhoviy./REL/

  • Në Malishevë fillon dezinsektimi i zonave endemike kundër rriqrave

    Në Malishevë fillon dezinsektimi i zonave endemike kundër rriqrave

    Në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK), sot, Komuna e Malishevës, ka filluar me dezinsektimin e zonave endemike, kundër rriqrave, si bartës të virusit të EHKK.

    Fillimin e kësaj fushate, e ka parë nga afër edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati dhe drejtorët e drejtorive përkatëse, përgjegjëse për realizimin e dezinfektimit dhe zbatimit të masave parandaluese kundër EHKK.

    “Pavarësisht numrit të rasteve të thumbimeve nga rriqrat, është fat i mirë se tani e një dekadë nuk kemi raste të infektimit me këtë virus vdekjeprurës, por ne si komunë, brenda përgjegjësive dhe kompetencave, jemi duke bërë të pamundurën për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Shfrytëzoj rastin ti falënderoj të gjithë që janë të angazhuar në luftimin dhe parandalimin e kësaj sëmundje, duke filluar nga punëtorët shëndetësor, zyrtarët përgjegjës komunal, si dhe të gjithë qytetarët, të cilët po tregohen shumë të kujdesshëm”, ka thënë kryetari Kastrati, me rastin e fillimit të dezinsektimit të zonave endemike.

    Po ashtu, kryetari i Kastrati, ka apeluar tek organet përgjegjëse shtetërore, që të marrin masat e nevojshme për luftimin e EHKK, siç janë Këshilli Ndërministror, pastaj realizimi i repelimit të kafshëve, si masa më efektive në luftimin e EHKK dhe të gjitha përgjegjësitë tjera, të cilat duhet të fillojnë nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, Ministria e Bujqësisë, AUV, në mënyrë që luftimi dhe parandalimi i EHKK, të ketë rezultate dhe të mbrohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve.

    “Në fillimin e fushatës së dezinfektimit të zonave endemike, ishin të pranishëm edhe drejtorët e drejtorive përkatëse, Hajdin Berisha, drejtor i shëndetësisë, Sylë Dukolli, drejtor i bujqësisë dhe drejtori për mbrojtje dhe shpëtim, Shqipron Shala. Ky dezinsektim, bëhet në koordinim në mes të drejtorive përgjegjëse në Komunën e Malishevës dhe Institutit Rajonal të Shëndetit Publik (IRSHP) në Prizren.Kjo fushatë e dezinsektimit, tregon përkushtimin e Komunës së Malishevës në raport me ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga rreziku i EHKK”, thuhet në njoftim.

  • 25 vjet nga masakra në burgun e Dubravës, Haxhiu: Zotohemi se do të ketë drejtësi

    25 vjet nga masakra në burgun e Dubravës, Haxhiu: Zotohemi se do të ketë drejtësi

    Është shënuar 25 vjetori i njërës prej masakrave me të mëdha në Kosovë, ajo e burgut të Dubravës, brenda të cili janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë, raporton Ekonomia Online.

    Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, këtë masakër e ka quajtur projekt të Serbisë për zhdukjen e shqiptarëve.

    “Projekti gjenocidal i Serbisë për zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë hyri edhe brenda Burgut të Dubarvës. Kjo ndërtesë u kthye në kamp të përqendrimit politik me mbi 980 politik shqiptarë vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike”, tha Haxhiu.

    Për këtë masakër, sikurse edhe për shumë të tjera, ende nuk është vendosur drejtësia, për t’i dënuar kriminelët që i kryen ato.

    Por, ministrja Haxhiu, u zotua se do të bëjnë gjithçka që të ketë drejtësi.

    “Deri më tani as drejtësi vendore e aq më pak ajo ndërkombëtare nuk kanë arritur t’i dënojnë kriminelët që e organizuan planin e kësaj masakre. Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviit, i cili vdiq pa u dënuar. Me lejoni që të ju informoj që në lidhje me masakrën e Dubravës tashmë po zhvillohen hetime nga Prokurori Speciale dhe në këtë moment janë 40 të pandehur dhe në fund të vitit të kaluar Prokuroria Special ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuari. Nga këtu do të zotohemi që të ketë drejtësi”, theksoi ajo.