ATV

Blog

  • Cameron sot në Tiranë, takon krerët e shtetit shqiptar

    Cameron sot në Tiranë, takon krerët e shtetit shqiptar

    Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron viziton sot Tiranën.

    Ai do të zhvillojë takime me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin Bajram Begaj dhe ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, për të diskutuar për marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve.

    Pas takimit me Ramën, është parashikuar një konferencë e përbashkët në orën 12:50. Në orën 14:30, diplomati britanik do të takohet me Begajn.

    Sërish në fokus do të jetë ndalimi i emigracionit të paligjshëm, thuajse dy vite pas arritjes së marrëveshjes për kthimin e menjëhershëm të qytetarëve shqiptarë ilegalë nga Britania e Madhe.

    Cameron do të shpallë po ashtu një program për anti-korrupsionin dhe luftën kundër krimit të organizuar për sistemin gjyqësor, e cila do t’i shërbejë të dyja vendeve.

    Po ashtu, Mbretëria e Bashkuar do të vijojë mbështetjen për forcat e Policisë shqiptare, në kuadër të zbatimit të reformave për vendin tonë.

    Disa ditë më parë, kryeministri Rama zhvilloi një bisedë telefonike me homologun Rishi Sunak për raportet dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Anglisë.

    Britania ka njoftuar një plan ndërkombëtar, në luftën ndaj emigracionit të paligjshëm, pjesë e të cilit janë bërë 19 shtete.

  • Një tornado e fuqishme shkakton shumë viktima dhe dëme në Ajova

    Një tornado e fuqishme shkakton shumë viktima dhe dëme në Ajova

    Një tornado e fuqishme e ka shkatërruar një qytezë të vogël në Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të martën, duke vrarë shumë njerëz dhe duke lënduar dhjetëra të tjerë, thanë autoritetet të martën.

    Pamjet nga qyteza Greenfield shfaqin rrënimin e madh që ka shkaktuar tornadoja; shtëpi të bëra rrafsh me tokën dhe rrënoja gjithandej.

    Disa turbina të mëdha të erës u rrëzuan gjithashtu.

    “Kjo tornado e ka shkatërruar një pjesë të madhe të kësaj qyteze”, tha Alex Dinkla, zëdhënës i policisë në Ajova.

    “Mund të konfirmojmë se ka shumë viktima nga kjo tornado”, shtoi ai.

    Dinkla nuk tregoi numrin e saktë të viktimave, dhe tha se numri nuk mund të dihet para të mërkurës.

    Së paku dhjetëra njerëz në Greenfield, një qytezë me rreth 2.000 banorë, u lënduan nga stuhia, tha Dinkla.

    Për shkak se spitali i qytezës kishte pësuar dëme nga stuhia, të lënduarit u dërguan në spitalet e qytezave në afërsi për shërim.

    Guvernatorja e Ajovës, Kim Reynolds, tha se do ta vizitojë Greenfieldin të mërkurën.

    “Derisa është shumë herët të dihet ndikimi i stuhisë, përgjigjet do të vijnë orët dhe në ditët në vijim”, tha ajo.

    Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së kishte bërë disa paralajmërime për tornado për shumicën e Ajovës dhe për disa shtete në afërsi të martën./REL/

  • Pallati Kensington ndan detaje për gjendjen shëndetësore të Kate Middleton

    Pallati Kensington ndan detaje për gjendjen shëndetësore të Kate Middleton

    Që kur Kate Middleton njoftoi se, ashtu si Mbreti Charles III, ajo vuan nga kanceri dhe po i nënshtrohet trajtimit mjekësor, ka pasur pak përditësime për gjendjen e saj shëndetësore.

    Tani, Kensington Palace ka bërë një njoftim dhe ka dhënë detaje të projekteve në të cilat Princesha e Uellsit mbetet e përfshirë.

    Përfshirja e Middleton në projektet sociale është tashmë e mirë-publikuar, me mbretërinë që mban qëllimin e saj për të ndihmuar ata në shoqërinë britanike që janë më në nevojë.

    Një nga çështjet që ajo shqetëson më shumë është shëndeti mendor i fëmijëve, veçanërisht atyre nën moshën pesë vjeç.

    Sipas deklaratës së Pallatit Kensington, një investim i tillë në fëmijërinë e hershme mund të ketë një ndikim në ekonominë britanike në masën rreth 45 miliardë funte.

    Familja mbretërore britanike është euforike me gjetjet, dhe veçanërisht Middleton, sipas deklaratës, e cila pohoi: “Ajo është e emocionuar nga rezultatet e arritura”.

    Përveç kësaj, thuhet se Princesha e Uellsit është ende duke u trajtuar për sëmundjen e saj dhe si rezultat ajo do të qëndrojë larg vijës së parë për një kohë.

    Middleton do të vazhdojë të mbajë një profil të ulët për sa i përket çështjeve zyrtare, me bashkëshortin Princi William që do të vazhdojë të udhëheqë rrugën në atë front.

    Mediat angleze kanë raportuar se burimet më të afërta me familjen mbretërore thonë se Middleton do t’i kthehet detyrave publike “kur ekspertët të japin dritën jeshile”.

    Ata gjithashtu pretendojnë se, për momentin, Middleton ka nevojë për “privatësi” ndërsa ajo i nënshtrohet kimioterapisë.

  • Deputetja e PDK-së: Kemi kërkuar shpërndarjen e Kuvendit por kundër janë LDK-ja dhe AAK-ja

    Deputetja e PDK-së: Kemi kërkuar shpërndarjen e Kuvendit por kundër janë LDK-ja dhe AAK-ja

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi ka thënë për Ekonomia Online se partia e saj ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit por që kundër kësaj ideje kanë dalë dy partitë tjera opozitare, LDK-ja e AAK-ja.

    Musliu-Shoshi nuk është shumë e sigurt se mocioni mund të kalojë, marrë parasysh votat që kërkohen për të shkarkuar Qeverinë. Andaj, kërkon që kjo çështje të diskutohet nga liderët e partive opozitare.

    “Si PDK ne kemi kërkuar shpërndarjen e Kuvendit, kemi kërkuar votat nga partitë opozitare që të jemi të gjitha bashkë drejt pra, votës për shpërndarjen e Kuvendit. Tu marrë parasysh faktin që dy partitë opozitare me qëndrimet e tyre LDK-ja dhe AAK-ja janë kundër një vendimi të tillë, atëherë nuk jam e sigurt se a i kemi votat sepse e dimë që kërkohen 80 vota që të bëhet shpërndarja e Kuvendit. Prandaj mendoj që është pjesë e liderëve të partive opozitare që të konkretizojnë se si do të ecim përpara. Mirëpo nëse arrijmë si parti opozitare që t’i kemi votat, patjetër që ka mundësi të shkojmë edhe në zgjedhje, mirëpo nëse nuk ka dakordim në mes partive opozitare e liderëve, atëherë nuk e shoh se si do të jenë votat që të ecin përpara”, ka thënë Shoshi për Ekonomia Online.

    Deputetja e PDK-së ka thënë se janë të vetmit parti që nuk kanë vendosur vija të kuqe me partitë shqiptare dhe se këtë nuk do ta bëjnë as këtë herë.

    “Ne kemi thënë se jemi e vetmja parti e cila asnjëherë në asnjë palë zgjedhje nuk ka pas vija të kuqe me asnjë parti shqiptare. Prandaj është ende shumë herët të diskutohet për një çështje të tillë. Prapë se prapë ne si PDK i kemi organet tona, është Kryesia, është Këshilli Drejtues që paraprakisht e diskutojmë, marrim mendimin dhe opinionin, votën e secilit ashtu siç mendon dhe varësisht nga opinionet e ndryshme, vendimet merren në shumicë e nuk merren vendimet me individë”, ka thënë ajo.

  • Pacolli: Presim opozitën të koordinohet për datën e zgjedhjeve, në të kundërtën e vazhdojmë mandatin

    Pacolli: Presim opozitën të koordinohet për datën e zgjedhjeve, në të kundërtën e vazhdojmë mandatin

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë për Ekonomia Online se partia e saj është e gatshme për zgjedhje dhe se janë në pritje të një koordinimi me partitë opozitare.

    Pacolli ka deklaruar se nëse opozita dështon ta caktojë datën e zgjedhjeve, partia në pushtet do ta dërgojë mandatin deri në fund.

    “Tani ne e kemi treguar qe jemi të gatshëm kurdo që ka nevojë me shku në zgjedhje, ose kur do që don opozita me shku në zgjedhje, ne jemi të gatshëm dhe mund të shkojmë në zgjedhje. Ne po presim qe të kemi koordinim bashkë me opozitën në mënyrë që të caktohet data e zgjedhjeve, nëse nuk ka koordinim ne e vazhdojmë mandatin deri në fund, sepse është opozita ajo që po kërkon zgjedhje dhe nëse opozita po kërkon zgjedhje të reja, ne jemi në gatshëm të shkojmë në zgjedhje të reja e nëse ata dështojnë që të koordinohen për një datë të caktuar, ne jemi të gatshëm të shkojmë deri në fund të mandatit”, ka thënë Pacolli.

    Të martën, shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se kërkojnë mocion për shpërbërjen  e Kuvendit.

  • ​Ballkani dhe Prishtina luftojnë sot për trofeun e Kupës së Kosovës

    ​Ballkani dhe Prishtina luftojnë sot për trofeun e Kupës së Kosovës

    Pasi fitoi titullin e kampionit, Ballkani do të synoj që ta pasurojë sezonin edhe me një trofe tjetër. Skuadra e Ilir Dajës do të ballafaqohet me Prishtinën në finalen e Kupës së Kosovës.

    Para ndeshjes, trajneri i Prishtinës, Emanuel Ogbo, ka deklaruar se kjo është një finale që Prishtina duhet të shkojë me synimin e vetëm për ta fituar atë, përcjellë KosovaPress.

    “Finale për të arritur objektivin që është vendosur nga të gjithë, ekipi dhe klubi. Besoj se është finale që duhet ta fitojmë, sepse Prishtina është klubi më i madh në Kosovë dhe nuk mund të ngelë pa e ngritur një trofe në sezon. Është e vetmja rrugë që Prishtina siguron Evropën dhe Prishtina e meriton të jetë në Evropë. Unë jam gjithmonë optimist në çdo betejë, në çdo luftë që futem dua të jem fitimtar. Nesër duam të shohim diçka interesante, të bëjmë mrekullinë, duke besuar në aftësitë tona dhe gjithmonë duke besuar në Hirin e Zotit, ka thënë Egbo për faqen zyrtare të klubit.

    Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas me fillim nga ora 15:00.

  • Ky është parashikimi i motit për sot

    Ky është parashikimi i motit për sot

    Moti në Kosovë sot pritet të jetë me diell por edhe vranësira kalimtare.

    Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik, në Kosovë pritet të ketë mot me diell dhe vranësira të herë pas hershme.

    Temperaturat minimale kanë shënuar 12 gradë Celsius, ndërsa maksimalja e ditës pritet të arrij në 22 gradë Celsius.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në seancën e sotme pritet të dëshmoi dëshmitari i 64-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar Johan Fritsch, i cili ka filluar dëshmonë të martën në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Pyetjet për atë i ka filluar përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja Vega Iodice.

    Dëshmitari ka theksuar dje se pjesët e ditarit të tij i kishte shkruar çdo mbrëmje dhe ishin të vërteta ato se çfarë përmbante ai.

    Dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi që sipas dëshmitarit paraqiteshin lëndimet e personave që ishin gjetur si të ndaluar në godinën e MUP-it e cila ishte nën zotërimin e UÇK-së, disa ishin nga ndërhyrjet në ndërtesën e MUP-it ku ishe gjetur edhe personi i vdekur.

    Ai ka thënë se kishin dokumentuar edhe mjete të torturimit të cilat ishin përdorur nga MUP-i dhe UÇK-ja më pas në këtë ndërtesë.

  • Duhej të përfundonte në maj, por ura te liqeni i Badovcit as që ka filluar së ndërtuari

    Duhej të përfundonte në maj, por ura te liqeni i Badovcit as që ka filluar së ndërtuari

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Qytetarët që shfrytëzojnë rrugën nacionale Prishtinë – Gjilan, do të përdorin këtë rrugë alternative edhe për një kohë.

    Ura në afërsi të Liqenit të Badovcit, rreth 15 kilometra në dalje të Prishtinës, vazhdon të jetë jashtë funksionit tash e një vit.

    Pavarësisht se procedurat e tenderimit kanë përfunduar dhe kompania për ndërtimin e urës është kontraktuar, shenja të punimeve nuk ka.

    Devijimi që detyrohen ta bëjnë çdo ditë, po i pengon ngasësit.

    “Çdo ditë vijmë këndej, po na pengon boll. Qysh po shihet këta s’po marrin masa me e rregullu këtë pjesë”, thotë një qytetar.

    “2-3 ditë në javë vijmë prej Gjilani në Prishtinë, po na pengon po s’kemi çka me bo” , thotë një tjetër qytetar.

    Por, ka edhe nga ata që u mjafton rruga alternative.

    “Na pengon pak, por prapë jemi të kënaqur që e kemi këtë rrugën tjetër”, tha një qytetar.

    Sidoqoftë, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, fajin për mosfillimin e punimeve ua la kushteve klimatike.

    “Jemi në revidim të planit, për shkak të gjendjes së ujit. Pra nuk mundet aktualisht të fillohet puna për shkak të sasisë së madhe të ujit. Aktualisht nuk mund të vendosen shtyllat e urës, andaj jemi duke e modifikuar projektin në mënyrë që të bëhet me mbështetje anësore. Sidoqoftë e kemi ndërtuar rrugën alternative”, tha Aliu.

    Vlera e kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” është 468 mijë euro. Ura e re pritet të jetë 38 metra e gjatë dhe 7 metra e gjysmë e gjerë.

  • Harta për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, gati në qershor

    Harta për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, gati në qershor

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Pasditen e 20 janarit të vitit 2023, Ministri i infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, kishte vizituar komunat që u përmbytën nga reshjet e shiut.

    Nga Tushila e Skënderajt, pas bisedës me banorët që kishin mbetur pa shtëpi, ministri tha se do të angazhohen që ta krijojnë plan, që t’i menaxhojnë më mirë këto raste.

    Gati një vit e gjysmë pas kësaj deklarate, ministri Aliu jep informacionin se janë fare pranë përpilimit të Hartës së Menaxhimit të Rrezikut nga Vërshimet, që i kushton buxhetit të shtetit 2.5 milionë euro.

    “Jemi në draftim e sipër. E kemi përmbyllë draftin, në qershor pritet ta përfundojmë, por shoqërohet edhe me planin e veprimit”, tha Aliu.
    Harta si e tillë, konsiderohet shumë e nevojshme.

    “Është një hartë e rëndësishme, e cila synon t’i identifikojë rreziqet e vërshimeve me të cilat po ballafaqohemi. Megjithëse ato janë të befasishme, hartat e tilla janë të nevojshme që të merren masa paraprake që të zvogëlohen rreziqet”, tha Aliu.

    Nëse zbatohet edhe plani i veprimit, njohës të fushës së mjedisit vlerësojnë se komunat do të jenë më të gatshme.

    “Krijimi i një harte të tillë është një lajm i mirë. Shpresoj që të ketë bashkëpunim të mirë mes institucioneve lokale dhe atyre qendrore, në këtë rast Ministria e Infrastrukturës”, tha Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova”.

    Nga përmbytjet e qershorit të vitit 2023, një grua dhe djali i saj 5 vjeç, kishin humbur jetën në qytetin e Pejës.

    Ndërsa, dëme nga përmbytjet, në vlerë milionëshe, viteve të fundit ishin shkaktuar edhe në Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Istog e Klinë.