Tre persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Pejë.
Zëdhënësi i Policisë Fadil Gashi ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur sonte rreth orës 21:15 minuta, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri, kanë mbetur të plagosur tre persona.
“Ngjarja ka ndodhur sonte rreth orës 21: 25 minuta në rrugën “Bekim Berisha” afer furrës Ahmeti, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Tre persona janë plagosur me armë zjarri. Të plagosurit janë dërguar në emergjencë të spitalit të Pejës për trajtim”, ka thënë ai.
Institucionet ende nuk i kanë konfirmuar e as hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes së Enver Sekiraqës, se ai ka dalë jashtë vendit në mënyrë të rregullt nëpërmjet njërës nga pikat kufitare, në kohën sa ndaj tij nuk kishte masë sigurie.
Nuk ka sqarime përtej kumtesës fillestare të Policisë, javën e kaluar, se i dënuari në shkallën e parë, nuk ishte gjetur në shtëpi për t’u dërguar në paraburgim dhe se njoftimi për ndalimin e tij i është përcjellë zyrave rajonale dhe kufitare.
Konfuzioni i krijuar për vendndodhjen dhe rrethanat, sipas ekspertit të sigurisë Drizan Shala, do të eliminohej nëse do të kishte komunikim brenda dhe ndër-institucional, në kohë reale.
“Data-bazat nuk janë të sinkronizuara, kërkesat mbesin në sirtarët dhe çështjet administrative nuk kalojnë fare në pjesën e ekzekutimit dhe mbikëqyrjes së tyre nga mekanizmat e tjerë relevant, që janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Pra, janë çështje shumë teknike, të cilat nuk do të duhej të përbënin shqetësim, por që në Kosovë po ndikojnë dhe po krijojnë momente të pa-lakmueshme”, tha Shala.
Pasi tha deklarimet e mbrojtjes duhet të shihen me rezerva, juristi Arbër Jashari përmendi nevojën që institucionet të dalin me informacione të konfirmuara.
“Do të duhej të ketë transparencë në trajtimin e këtij rasti, të mos lihen shumë mjegull që pastaj i hapin mundësi njerëzve të manipulojnë dhe të japin versione të ndryshme. Policia, Prokuroria, Gjykata, secila nga këndi i vet është dashur të jenë transparente dhe të japin informata lidhur me atë që ka ndodhur, në mënyrë që t’u mbyllet dera spekulimeve”, tha Arbër Jashari, jurist.
Zbardhja e rrethanave, sipas Jasharit, është domosdoshmëri.
“Është një situatë që është dashur të sqarohet. Ajo që mund të themi me bindje të plotë është që, pavarësisht se si mund të emërohet apo titullohet: ikje, arratisje, ndoshta më e mira është të thuhet ai nuk është paraqitur ose lajmëruar për ta mbajtur paraburgimin… Pastaj, mënyra se si ka dalë, a ka dalë në mënyrë të ligjshme? A ka dalë në mënyrë të rregullt? Ku ka shkuar? Ku ka qëndruar?, është çështje që institucionet që duhet të hetojnë dhe pastaj të arrijnë në konukluzione”, tha Jashari.
Më 3 Maj, Gjykata Themelore e dënoi Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës, por i ndërpreu masën e arrestit shtëpiak, duke e lënë të lirë deri në konfirmimin e plotfuqishmërisë së vendimit.
Për aktakuzën e ngritur në vitin 2016 për kontrabandimin e rreth 650 mijë litrave naftë e vajra të ndryshëm para dhjetë vjetësh në veri të vendit nuk ka ende një epilog.
Një nga rastet e mëdha të krimit të organizuar i njohur si “Transportuesi”, që u hetua nga prokurorët e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, mbeti pa u trajtuar nga Gjykata e Mitrovicës.
Tek në vitin 2024, rasti u bart për gjykim në atë të Prishtinës, megjithatë as këtë të mërkurë nuk filloi gjykimi, në mungesë të një të akuzuari nga 18 sa janë gjithsej.
Ata akuzohen se si grup kriminal kontrabanduan 650 mijë litrave naftë e vajra të ndryshëm nga Serbia në pjesë të tjera të Kosovës, gjatë periudhës qershor-dhjetor 2014.
Sipas aktakuzës Milan Radisavjeviq dhe Aleksandër Rakiqeviq, të cilët gjenden në arrati janë personat të cilët kanë siguruar derivatet e naftës nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut, dhe kanë qenë kryesor të grupit bashkë me Besim dhe Ismet Zeqirin.
“Përmes rrugëve anësore, kamionë, cisterna e mjete të tjera, në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme nga Serbia dhe nga Mitrovica e Veriut, Zveçani e Zubin-Potoku, kanë sjellë në mënyrë ilegale dhe në vazhdimësi mallrat e kontrabanduara si: derivate të naftës, vajra motorikë e të tjera. Ky grup kriminal më pastaj i shpërndan nëpër qytete të ndryshme, me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore apo tarifave të tjera, duke e bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, që tejkalon shumën prej 30 mijë eurosh”, thuhet në aktakuzë.
Aktakuza thotë se në atë kohë, të pandehurit veprimet kriminale i kryenin lehtësisht pasi kishin bashkëpunim me pjesëtarë të Policisë.
“Shumë mirë i njohin policët edhe nga Stacioni Policor në Veri të Mitrovicës si dhe të Jugut. Andaj me të vërejtur policët në rrugë, të pandehurit e dinë shumë mirë se a kanë gjasa të kalojnë rrugën apo jo, duke iu dhënë ryshfet. Këto vetura kalojnë. Nga veriu në jug, kryesisht përmes urës lindore (Lagja e boshnjakëve) dhe atë kryesisht në kohën kur në detyrë, në pikën statike të urës lindore, gjenden pjesëtarët e policisë, të cilët kanë lidhje me të pandehurit”, thuhet më tej në aktakuzë.
Fillimisht në këtë rast akuzoheshin 21 persona, për kryerjen e veprave penale: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Kontrabandim i mallrave” dhe “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, por ndaj treve është veçuar procedura.
Drenasi ishte komuna e parë që kërkoi të zgjatet koha e regjistrimit të popullsisë.
Por, kryetari Ramiz Lladrovci nuk është i kënaqur me punën e Agjencisë së Statistikave, në afatin shtesë prej një jave në këtë proces.
Ai thotë se ASK-ja aktualisht është duke bërë vetëm verifikim përmes ekipeve mobile.
“E kanë miratua shtyrjen edhe për 1 javë të ekipeve mobile jo të regjistruesve që shkon në shtëpitë e qytetarëve 2 herë e 3 herë. Këtë që e ka bë ASK-ja ka pasë me ba ashtu kështu, sepse ajo e bën verifikimin edhe e sheh nëse dikush nuk ka mujtë me u regjistrua, kjo është një rregull e së kaluarës”, tha Lladrovci.
Por zëdhënësja e ASK-së, Hazbije Qeriqi, thotë se edhe kjo formë ka pasur efekt.
Regjistrimi i popullsisë përfundon të premten e 24 majit. Ndërsa, Lladrovci thotë se nuk do të kërkojë më kohë shtesë.
Megjithatë, ai shpreh një lloj brenge se Drenasi mund të ketë më pak banorë, këtë herë.
“Na gjithë jena tu tutë për rënie të popullsisë. Edhe komuna jonë do të ketë numër më të vogël të regjistruesve, unë pres me kalu mbi 50 mijë qytetarë”, tha Lladrovci.
Deri tash, nuk ka kërkesa nga komunat që sërish të zgjatet afati për regjistrim. Por edhe nëse vijnë ditëve në vazhdim, ASK-ja thotë se nuk do t’i aprovojë.
“Shtyrja më nuk ka kuptim, nuk ka arsye, ne si ASK bashkë me komunat e kemi arritur 98 për qind të gjitha pikave ku janë planifikuar që të regjistrohen, do të thotë arsye nuk kemi më”, tha zëdhënësja e ASK-së, Hazbije Qeriqi.
Deri më tani, sipas ASK-së, janë regjistruar 1.5 milionë qytetarë.
Zgjedhje të parakohshme po duan të gjitha partitë opozitare, por për mënyrën e shkuarjes deri te to, nuk janë të një mendimi.
Partia Demokratike e Kosovës insiston se për zgjedhje të parakohshme duhet të shpërndahet Kuvendi, përmes mocionit.
“Kemi kërkuar votat nga partitë opozitare që të jemi të gjitha bashkë, drejt, pra, votës për shpërndarjen e Kuvendit. Duke marrë parasysh faktin që dy partitë opozitare me qëndrimet e tyre LDK-ja dhe AAK-ja janë kundër një vendimi të tillë, atëherë nuk jam e sigurt se a i kemi votat, sepse e dimë që kërkohen 80 vota që të bëhet shpërndarja e Kuvendit”, tha deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi.
Mirëpo, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë kundër këtij propozimi. Sipas tyre, kryeministri Albin Kurti duhet të japë dorëheqje, e më pas të organizohen zgjedhjet.
“Nuk e përkrahim mocionin. LDK-ja nuk ndryshon qëndrim, ne vazhdojmë të kemi të njëjtin mendim, që Kurti duhet të japë dorëheqje”, tha deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
“AAK nuk e mbështet shpërbërjen, kërkon shkarkimin ose dorëheqjen e kryeministrit. AAK nuk e bën këtë se kjo është një taktikë me shku në zgjedhje në mes të korrikut, kur mendon se e ka diasporën këtu dhe kur mendon të ikë nga përgjegjësia e dështimit që e ka bërë. Ai duhet të ballafaqohet me të gjitha grupet parlamentare për të gjitha dështimet që i ka pasë”, tha deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
Ndërkaq nga partia në pushtet, thonë se do të ndihmojnë opozitën që të shpërndahet Kuvendi, nëse ajo koordinohet për një datë të caktuar.
“Është opozita ajo që po kërkon zgjedhje dhe nëse opozita po kërkon zgjedhje të reja, ne jemi në gatshëm të shkojmë në zgjedhje të reja e nëse ata dështojnë të koordinohen për një datë të caktuar, ne jemi të gatshëm të shkojmë deri në fund të mandatit”, tha deputetja e LV-së, Fitore Pacolli.
Ndërkaq, deputetët do të mbajnë seancë të enjten ku në rend dite janë votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe projektligjeve, derisa të premten do të ketë seancë për Shqyrtimin e Projekt-Rezolutës të AAK-së për tri vjet qeverisje.
Zymrete Berishën, oficerët serbë të burgut nuk e kishin lënë asnjëherë ta vizitojë bashkëshortin, Bajram Berishën, në Dubravë.
Madje, nuk pati fat ta takojë asnjëherë më. Bajrami nuk doli i gjallë nga aty, pasi ishte një nga 117 viktimat e masakrës së majit 1999.
“Bajram Berishën ma kanë vra, gjithë jena ardhë me pa, po kurrë brenda s’na kanë lanë, s’kena mujtë me pa kurrë, shkoi!”, tha Zymrete Berisha, gruaja e Bajram Berishës.
Mallin për Berishën e ndjen ende edhe i biri, Januzi.
“Me prindin s’jam takuar afër 10 vite kështu që veç kur kom ardhur ne varrim pastaj. Kemi dhimbje të gjithë, por krenaria është e madhe”, tha Januz Berisha, i biri i Bajram Berishës.
Në 25-vjetorin e masakrës së Dubravës, familjarë të viktimave vijnë në vendin ku u krye krimi. Ata thonë se dhimbja është e madhe, por edhe krenaria gjithashtu.
“Prindin e kam këtu të vranë, kujtimet për ta nuk do të ndalemi kurrë sa të jetë njeriu, do t’i kujtojmë gjithmonë sa të jemi gjallë”, tha Naim Leku, i biri i Dan Lekut.
Për krimin që ndodhi brenda këtyre mureve, më së miri tregojnë ata që arritën të shpëtojnë.
“Radha e parë janë vra më shumë, ata që kanë mbetë në dytën e tretën janë mbete gjallë, tash ymri është send i madh. Akti i parë ka qenë të parët nga fusha sportive me u fsheh nëpër puseta e jo në objekte po edhe në puseta lëshonin granata që me thanë nesër kinse janë vra prej NATO-S, se ka qenë skenar i përgatitur”, tha Ukë Thaqi, ish-i burgosur.
Në Dubravë, të mërkurën, erdhi kryeministri Albin Kurti, si edhe politikanë të tjerë.
Në këtë masakër për 5 ditë u vranë 117 persona e u plagosën mbi 200 të tjerë. Për këtë krim ende nuk është dënuar askush.
Në fund të vitit të kaluar, ndërkaq, nisi gjykimi ndaj Gavrilo Miloslavljeviqit, për pjesëmarrje në këtë masakër.
Himni i Universiteteve ngriti në këmbë të gjithë në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB.
Për poetin Agim Vinca, i cili të mërkurën mbushi 77 vjet, Kolegji AAB vendosi ta ndajë çmimin “Profesor Honoris Causa”.
Para ceremonisë, u recituan poezi të autorit.
Rektori i kolegjit AAB, Blerim Olluri, tregon se profesori Vinca është ndër të rrallët që Akademia e Arteve të Bukura, e kurorëzoi me çmimin “Profesor Honoris Causa”.
Shoku e kolegu i Vincës, poeti Lulzim Tafa, tregon se si i ndikoi ai në karrierë.
“Ai këtu e 31 vite më parë, u bë recensent i librit tim të parë, i gëzimit tim të parë, ishte lexuesi profesionist i parë, i vargjeve të mia. Tani më lejoni ta përgëzoj edhe veten për guximin tim në atë kohë që me një tubë poezisë të shkruara me makina shkrimi, t’i drejtohem studiuesit më të njohur të poezisë”, tha Tafa.
Në fund të ceremonisë, erdhi momenti që Agim Vinca ta marrë çmimin e madh.
Vetë shkrimtari përgëzon Kolegjin AAB për punën e bërë për më shumë se dy dekada. Madje, ai tregon se ka hise në themelimin e gjigantit universitar.
“Realiteti i ri në Kosovë e shtonte si nevojë një profil të tillë kuadrosh, dhe atë Iliri e Bekimi e kishin hetuar këtë me intuitë. Kërkuan nga unë ndihmën time dhe unë natyrisht iu gjeta pranë”, tha Vinca.
Agim Vinca është autor i më shumë se 40 veprave origjinale, përfshirë poezi, ese, kritikë, studime dhe monografi historiko-letrare.
Lista e roleve që luajnë proteinat në trupin tonë është shumë e gjatë. Ky element ushqyes është i nevojshëm për të ndërtuar dhe riparuar muskujt, indet, gjakun, kërcet, kockat dhe lëkurën.
Proteinat janë gjithashtu të rëndësishme për prodhimin e hormoneve dhe kimikateve që rregullojnë një sërë procesesh trupore. Pa sasinë e mjaftueshme të proteinave në dietën tonë, është shumë e vështirë të jemi të shëndetshëm.
Nuk është për t’u habitur pse shumë vegjetarianë ose njerëz që mbajnë dieta të forta kufizuese, vuajnë nga simptoma të ndryshme të mungesës së proteinave. Duke konsumuar ushqime që përmbajnë pak ose aspak proteina, trupi nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të shfrytëzojë proteinat e tij, duke shkaktuar ‘tretjen’ e indeve ku ruhen proteinat, si në muskuj. Ka disa shenja paralajmëruese që do të përjeton nëse vuani nga mungesa e proteinave:
Faqe të ënjtura
Kjo nuk është shkaktuar nga yndyra e tepërt siç mund të dyshoni, por nga inflamacioni i gjendrave të pështymës. Kjo gjendje zakonisht ndodh nëse ka një çekuilibër të vazhdueshëm të proteinave e karbohidrateve tek ju.
Sy të ënjtur
Edema është shkaktare e syve të ënjtur, një gjendje në të cilën lëngu i tepërt mblidhet në inde. Kjo ndodh sepse proteinat janë një nga përbërësit që rregullojnë ekuilibrin e lëngjeve në trupin tuaj.
Duar të fryra
Edhe kjo gjë ka të bëjë me mbledhjen e ujit në inde, e njohur në botën mjekësore si edemë. Ekziston një shumëllojshmëri gjendjesh shëndetësore që çojnë në edemë dhe një prej tyre është mungesa e proteinave.
Flokët e dobët
Kjo gjendje mund të ketë disa shkaktarë. Një prej tyre është të mos kesh një dietë mjaftueshëm të pasur me proteina. Kjo nuk duhet t’ju vijë si surprizë, pasi e dini që flokët kryesisht përbëhen nga proteina.
Tharje e tepërt e lëkurës
Mosmarrja e mjaftueshme e proteinave mund të shkaktojë tharje të lëkurës dhe zona të skuqura. Mungesa e proteinave ju bën më të ndjeshëm ndaj djegieve nga dielli gjithashtu.
Përgjumje ose mjegull truri
Energjia dhe funksionet tuaja konjitive ndikohen gjithashtu kur ulet niveli i proteinave. Siç e përmendëm më herët, proteinat janë jetike për prodhimin normal të hormoneve, shkruan living. Disa nga këto hormone kanë lidhje me stresin , prodhimin e energjisë dhe vigjilencën mendore.
Për të shmangur këto probleme është e rëndësishme të merrni mjaftueshëm proteina gjatë ditës. Ka një formulë të thjeshtë për të llogaritur sa proteina duhet të konsumojmë çdo ditë: pesha juaj në pound/2=sasia e nevojshme e proteinave në gramë.
Pesëmbëdhjetë kadetë të FSK-së diplomuan në nivelin Bachelor në Universitetin Amerikan të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur ministri Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.
Maqedonci ka uruar kadetët për arritjet akademike të ushtarakëve në programin civil të studimeve.
“Sot diplomuan në nivelin Bachelor në Universitetin Amerikan të Kosovës pesëmbëdhjetë kadetë të FSK-së, profesionalizmi i të cilëve do t’i shërbej ngritjes logjistike dhe operacionalitetit të ushtrisë sonë. Përgëzime për arritjen akademike të ushtarakëve tanë në programin civil të studimeve, dhe qofshin gjithmonë faqebardhë në detyrën fisnike për mbrojtjen e atdheut”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar e ka vëmendjen në Ballkanin Perëndimor.
Ai, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ka pohuar se Evropa mund të ketë probleme nëse ka Ballkani.
“Kur Ballkani Perëndimor ia del mbanë atëherë edhe Evropa ia del mbanë. Në rast se ka probleme në Ballkanin Perëndimor atëherë ka probleme edhe në Evropë sepse në fakt është në interesin tonë që të punojnë së bashku në procesin e pajtimit, rritjes ekonomike dhe mirëkuptimit, për mua kjo është një përparësi”, ka thënë Cameron.
Ai e përgëzoi Edi Ramën për punët është duke i bërë për zhvillimin e Shqipërisë.