ATV

Blog

  • Dy prej të plagosurve në Pejë janë futur mbrëmë në operim, ngjarja dyshohet se ndodhi për shit-blerjen e një veture

    Dy prej të plagosurve në Pejë janë futur mbrëmë në operim, ngjarja dyshohet se ndodhi për shit-blerjen e një veture

    Tre të plagosurit në Pejë mbëmë kanë mbërritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Njëri nga të plagosur është në gjendje të rëndë ku menjëherë është futur në sallë të operimit.

    Lajmin e ka konfirmuar mjeku kujdestar, Ejup Govori, i cili tha se pacienti që është futur në operim është i vitit të lindjes 1973.

    “I kemi pranuar tre pacientë me plagë nga arma e zjarrit. Njëri nga ta, në gjendje më të rëndë është futur në sallë të operimit, kurse edhe një tjetër pritet tash të hyjë. Kurse, në gjendje më të lehtë është një tjetër, por edhe ai ka plagë serioze”, tha Govori

    Ngjarja, sipas burimeve të Klan Kosovës raportohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshjeje për shit-blerjen e një veture.

    Ersan Qavolli, prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore të Pejës, tha për Gazetën Express se tre personat që u plagosën sonte në Pejë janë familjarë të afërt mes vete.

    Personi i dyshuar për këtë ngjarje “ndodhet në kërkim intensiv”, tha prokurori Qavolli.

    “Ka ndodh një tentim vrasje e rëndë, kemi dalë menjëherë ne vendin e ngjarjes bashkë me hetuesit, janë tre persona të plagosur dhe jemi në kërkim të personit të dyshuar”, tha prokurori Qavolli.

    Ai tha se policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe është duke i siguruar të gjitha provat.

  • ​Sonte mësohet kampioni i Kosovës në basketboll

    ​Sonte mësohet kampioni i Kosovës në basketboll

    Pas një rrugëtimi të gjatë, ky edicion i Superligës së Kosovës në basketboll do të përfundojë sonte në Mitrovicë. Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të ndeshen në sfidën vendimtare, ku kush fiton do të shpallet kampion i Kosovës.

    Seria finale është 2:2, që ishte shumë interesante, kurse interesimi për finalen e pestë të “Play-offit”, është i jashtëzakonshëm. ‘Xehetarët’ fituan 77:68 dhe 85:78, derisa therandasit fituan 80:79 dhe 75:71.

    Mitrovicasit duan titullin e pestë në histori të klubit, apo të parin që nga viti 2012, kurse therandasit të tretin, ku më 2021 dhe 2022 ishin shpallur kampionë të Kosovës.

    ‘Xehetarët’ synojnë trofeun e katërt këtë edicion, pasi kanë fituar Kupën, Superkupën dhe Ligën Unike.

    Trepça në gjysmëfinale eliminoi Sigal Prishtinën 3:0, derisa Golden Eagle Ylli, në çerekfinale mundi Bashkimin 2:0 dhe Pejën në gjysmëfinale 3:2.

    Mitrovicasit në edicionin e rregullt përfunduan në vendin e parë me 25 fitore e tri humbje, kurse therandasit në vendin e tretë me pikë të barabarta me Pejën që ishte e dyta me 19 fitore e nëntë humbje.

    Në garat e rregullta të elitës, të dy skuadrat kishin nga dy fitore ndaj njëra tjetrës, derisa mitrovicasit triumfuan edhe në Ligën Unike ndaj therandasve dhe në gjysmëfinale të Kupës.

  • Komandanti i ushtrisë suedeze: Putini dëshiron ishullin Gotland – nëse sulmon, fillon një luftë me NATO-n

    Komandanti i ushtrisë suedeze: Putini dëshiron ishullin Gotland – nëse sulmon, fillon një luftë me NATO-n

    Presidenti rus Vladimir Putin e ka vënë syrin në ishullin suedez Gotland, paralajmëroi kreu i Ministrisë suedeze të Mbrojtjes, Micael Bydén.

    Gotland, ishulli më i madh suedez i krahasueshëm për nga madhësia me Rhode Island, ndodhet strategjikisht në mes të Detit Baltik – midis Stokholmit dhe enklavës ruse të Kaliningradit.

    Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi një plan për zgjerimin e ujërave territoriale në Detin Baltik, gjë që shkaktoi shqetësim ndërkombëtar.

    “Unë jam i sigurt se Putini i ka të dy sytë nga Gotland. Qëllimi i Putinit është të fitojë kontrollin mbi Detin Baltik,” tha Bydén, komandanti suprem i forcave të armatosura suedeze.

    “Nëse Rusia merr kontrollin në Detin Baltik, do të kishte një ndikim të madh në jetën tonë – në Suedi dhe në të gjitha vendet e tjera në kufi me Detin Baltik. Ne nuk mund ta lejojmë këtë,” tha Bydén.

    “Deti Baltik nuk duhet të bëhet shesh lojërash për Putinin”, shton ai.

    Pas çmilitarizimit në 2005, Suedia rifuti trupa të përhershme në Gotland në 2016, pas aneksimit nga Rusia të gadishullit të Krimesë të Ukrainës. Suedia u bë gjithashtu anëtari më i ri i NATO-s në mars, që do të thotë se mbulohet nga neni 5 i aleancës, i cili garanton që të gjithë anëtarët e tjerë të qëndrojnë në mbrojtje të njëri-tjetrit nëse sulmohen.

    “Nëse Putin sulmon Gotland, ai mund të kërcënojë vendet e NATO-s nga deti. Ky do të ishte fundi i paqes dhe stabilitetit në rajonet nordike dhe baltike,” tha Bydén.

  • Policia shpall në kërkim të dyshuarin për plagosjen në Pejë

    Policia shpall në kërkim të dyshuarin për plagosjen në Pejë

    Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim të dyshuarin për plagosjen e trefishtë në mbrëmjen e së mërkurës në Pejë.

    Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari kërkohet për veprën penale vrasje në tentaitvë.

    “Personi i kërkuar është:

    • Agron (Mentor) GASHI i lindur me 19.11.2002 nё Pejë.
      I pandehuri është i kërkuar për veprën penale:
      -“ Vrasje e rёndё nё tentativё” e cila ka ndodhur me datё 22.05.2024 rreth orёs 21:25, nё rrugën Bekim Berisha, nё Pejё, i dyshuari ёshtё recidivist i veprave penale.
      Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.
      Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës:
      – 192 dhe 080019999 (pa pagesë)
      – 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë
      – E-mail adresa: [email protected]”, thuhet në njoftimin policor.

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të vazhdojnë me seancat gjyqësore edhe gjatë ditës së enjte ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Me fillim nga ora 9:00, sot pritet të mbahet seancë gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ka njoftuar Specialja.

    Sipas njoftimit, seanca gjyqësore sot pritet të zgjasë deri në orën 16:30.

  • Mblidhen sot tri komisione të Kuvendit

    Mblidhen sot tri komisione të Kuvendit

    Sot do të mblidhen tre komisione të ndryshme të Kuvendit të Kosovës.

    Duke filluar nga ora 9:00, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, shqyrton Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për Shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me Qëllim të Ekzekutimit të Dënimeve Daneze.

    Ndërsa nga ora 9:30, Komisioni për Integrime Evropiane mban mbledhjen e radhës.

    Po ashtu nga ora 9:30, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport shqyrton Projektligjet për Rininë dhe Sport.

  • Sot mblidhet Kuvendi i Kosovës

    Sot mblidhet Kuvendi i Kosovës

    Kuvendi i Kosovës sot do të mblidhet për dy seanca.

    Njëra është vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme, e në rend të ditës janë ratifikimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare, duke filluar nga ora 10:00.

    Ndërkaq duke filluar nga ora 10:30, Kuvendi do të mbajë seancë plenare, ku në rend të ditës ka 23 pika për shqyrtim dhe miratim.

  • Tre të plagosurit në Pejë dërgohen në QKUK, njëri nga ta në gjendje të rëndë

    Tre të plagosurit në Pejë dërgohen në QKUK, njëri nga ta në gjendje të rëndë

    Tre persona janë plagosur nga arma e zjarrit në qytetin e Pejës.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë rajonale të Pejës Fadil Gashi.

    Lidhur me këtë rast, nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës, kanë bërë të ditur se tre të plagosurit janë dërguar në QKUK, ndërsa njëri është gjendje të rëndë.

    “Informat lidhur me pacientët e plagosur me armë zjarri. Spitali i Përgjithshëm në Pejë konfirmon se sonte janë pranuar 3 persona të plagosur me armë zjarri. Pas ofrimit të përkujdesjes fillestare shëndetësorr dhe ekzaminimve të nevojshme. të 3 pacientët janë nisur për transfer në QKUK njëri nga t’a në gjendje më të rëndë”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa siç ka deklaruar për media mjeku kujdestar Besnik Ibraj, të plagosurit dyshohet se janë babai me dy djem.

    “Rezulton që është babai me dy djemtë e plagosur. Pacientët janë pranuar, njëri prej tyre ka qenë në gjendje të rëndë me plagë në qafë dhe regjionin torakal. I njëjti është intubuar dhe është dërguar në QKUK. Po ashtu dhe pacienti i dytë ka pasur tri plagë me armë zjarri në këmbë dhe në bark. Ndërsa pacienti i tretë po ashtu ka qenë i plagosur nga arma e zjarrit në regjionin e barkut. Të tre pacienteve i është ofruar ndihma adekuate shëndetësore dhe janë dërguar për trajtim të metejshëm në QKUK”, u shpreh Ibraj.

  • Atalanta e fiton Ligën e Evropës, ia shkakton humbjen e parë sezonale Leverkusenit

    Atalanta e fiton Ligën e Evropës, ia shkakton humbjen e parë sezonale Leverkusenit

    Atalanta është fituese e Ligës së Evropës për edicionin 2023/24.

    Klubi italian triumfoi në finale bindshëm 3:0 ndaj Bayer Leverkusenit, klub të cilit ia shkaktoi humbjen e parë sezonale dhe të parën pas 51 ndeshjeve.

    Ishte nata e Lookman, i cili shënoi të tre golat e ndeshjes final.

    Goli i parë i tij erdhi në minutën e 12-të, kurse i dyti në të 26-tën.

    Me rezultatin 2:0 u mbyll edhe pjesa e parë e kësaj finaleje.

    Në të dytën ishte Bayer Leverkuseni që mori iniciativën, megjithatë Atalanta nuk linte korridore prapa vetes.

    E me anë të një kundërsulmi, Lookman shënoi golin e tretë dhe kompletoi hat-trikun e tij.

    Bayer Leverkuseni tani e ka edhe një finale për ta luajtur, atë të Kupës së Gjermanisë ndaj Kaiserslauternit.

  • Pamje nga plagosja me armë zjarri në Pejë

    Pamje nga plagosja me armë zjarri në Pejë

    Një përleshje fizike ka ndodhur këtë të mërkurë në rrugën “Bekim Berisha-Abeja” në Pejë, e cila më pas ka eskaluar duke u përdorur edhe arma e zjarrit.

    Në një video që është shpërndarë në rrjetet sociale shihen teksa rrihen mes vete, ndërsa më pas dëgjohen të shtëna armësh.

    Siç shihet në video, dy persona mbesin në mes të rrugës të plagosur, ndërsa i treti ikën nga vendi i ngjarjes.

    Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    “Rreth orës 21:25, në rrugën Bekim Berisha në Pejë, të furra Ahmeti ka pasur të shtëna me që rast tre persona janë lënduar nga arma e zjarrit dhe janë dërguar në spitalin e përgjithshëm në Pejë. Ende nuk ka informacione më të detajuara”, ka deklaruar Gashi.

    Ndërsa Njësitet e Policisë dhe Prokurori i Shtetit ndodhen në vendin e ngjarjes, dhe po bëhen të gjitha hetimet e nevojshme të rastit.