ATV

Blog

  • Stuhitë e fuqishme me erëra shkatërruese s’kanë të ndalur në ShBA

    Stuhitë e fuqishme me erëra shkatërruese s’kanë të ndalur në ShBA

    Stuhi të fuqishme, erëra shkatërruese dhe breshër në madhësi të topit të golfit goditën pjesën veriore të Teksasit të martën. Pjesa më e madhe e Shteteve të Bashkuara u goditën gjatë fundjavës nga stuhi dhe tornado të fuqishme që lanë rreth 25 të vdekur.

    Ndërprerje të energjisë elektrike janë raportuar në shkallë të gjerë në Teksas, ndërsa ai shtet u godit nga një valë e hershme e të nxehtit. Njoftohet se 800,000 abonentë nuk kishin energji elektrike të martën.

    Ndërsa zhvillohej një balotazh në atë shtet, disa qendra votimi njoftuan mungesë të energjisë elektrike. Rreth 100 qendra votimi në qarkun e Dallas-it nuk kishin qasje në rrjet.

    Gjykatësi i qarkut të Dallas-it, Clay Jenkins, e shpalli atë rajon zonë fatkeqësie ndërsa vuri në dukje se disa shtëpi pleqsh po përdornin gjeneratorët. “Kjo tregon se do të përballemi me një situatë shumë-ditore të ndërprerjes së energjisë elektrike”, tha zoti Jenkins të martën.

    Parashikimet e motit tregojnë për një mot të ashpër dhe shira të dendura në zonën e Dallas-it mbrëmjen e së martës. Edhe qyteti i Hjustonit pritet të përballet me stuhi të forta, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë për erëra që kapin shpejtësinë mbi 100 kilometra në orë që mund të shkaktojnë dëme. Rreth dy javë më parë Hjustoni u përball me uragane që ndërprenë energjinë elektrike për më shumë se 800,000 abonentë.

    Stuhitë shkatërruese gjatë fundjavës shkaktuan vdekje në Teksas, Oklahoma, Arkansas, Mizuri, Kentaki, Karolinën e Veriut dhe Virxhinia.

    Shtatë persona humbën jetën në kontenë Cooke të Teksasit, nga një tornado që goditi një lagje të varfër, thanë zyrtarët. Shteti Arkansa njoftoi për tetë viktima. Dy të vdekur u raportuan në kontenë Mayes në Oklahoma. Rrëzimi i një peme shkaktoi vdekjen e një burri nga Mizuri të dielën. Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, tha në një konferencë shtypi të hënën se pesë persona kishin vdekur në shtetin e tij.

    Një tornado e mundshme dëmtoi një shkollë të mesme dhe disa shtëpi në Pensilvani mbrëmjen e së hënës. Nuk ka njoftime për të lënduar.

    Rreth 160,000 shtëpi dhe biznese nuk kishin energji elektrike të martën pas stuhive që goditën Kentakin, Arkansasin, Virxhinian Perëndimore dhe Mizurin.

    Javën e kaluar tornadot në Ajova lanë të paktën pesë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Gjatë këtij muaji rreth tetë vetë kanë humbur jetën në Hjuston nga stuhitë. Stuhitë vijnë pasi ndryshimet klimatike në përgjithësi kontribuojnë në ashpërsinë e stuhive në mbarë botën.

    Fundi i majit shënon kulmin e sezonit të tornadove, por stuhitë e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të dhunshme, duke prodhuar tornado shumë të forta, tha Victor Gensini, profesor i meteorologjisë në Universitetin e Illinoisit të Veriut.

    “Gjatë fundjavës kemi pasur ajër shumë të nxehtë dhe të lagësht që i kanë ushqyer këto stuhi”, tha zoti Gensini.

    Harold Brooks, shkencëtar në Laboratorin Kombëtar të Stuhive të Rënda në Norman të Oklahomës, tha se ajri i ngrohtë dhe të lagësht është fajtor për tornadot gjatë dy muajve të fundit. /VOA

  • Arrestohet një person në Podujevë, dyshohet se sulmoi seksualisht një grua

    Arrestohet një person në Podujevë, dyshohet se sulmoi seksualisht një grua

    Një person është arrestuar dje në Podujevë, nën dyshimin se ai ka sulmuar seksualisht, viktimën femër kosovare.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

     

  • 29 maji – ​Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të OKB-së

    29 maji – ​Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të OKB-së

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 29 majin si Ditën Ndërkombëtare të Paqeruajtësve të OKB-së.

    Kjo ditë ka për qëllim të nderojë paqeruajtësit që kanë humbur jetën për kauzën e paqes, si dhe nderimin e gjithë burrave dhe grave që vazhdojnë shërbimin në operacionet e OKB-së, për profesionalizimin e lartë, përkushtimin dhe kurajën.

    Që nga themelimi i misionit paqeruajtës në vitin 1948, rreth 3 mijë e 200 ushtarë, policë dhe staf civil, kanë humbur jetën në shërbim të paqes, si pasojë e aksidenteve, dhunës, apo sëmundjeve, përcjell KosovaPress.

    Paqeruajtësit e përdorin këtë ditë për të forcuar lidhjet me popullsinë lokale të cilës i shërbejnë. /KosovaPress/

  • Kurti merr pjesë në tubimin mbështetës për zgjedhjet në Luginë të Preshevës

    Kurti merr pjesë në tubimin mbështetës për zgjedhjet në Luginë të Preshevës

    Sot në Prishtinë do të mbahet një tubim mbështetës për zgjedhjet në Luginën e Preshevës.

    Aty do të merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili shkon aty për të përkrahur kandidatët për kryetar të Preshevës dhe Bujanocit, Ardita Sinani, përkatësisht Ragmi Mustafi.

    Ky event organizohet për qytetarët e Luginës, që jetojnë në Kosovë.

    Tubimi nis nga ora 18:00, në Amfiteatrin e Fakultetit Juridik.

  • Sërish tollovi në ambulancat specialistike në QKUK

    Sërish tollovi në ambulancat specialistike në QKUK

    Përgatiti: Sara Shehu

    Radhët e gjata të pacientëve për konsulta mjekësore vazhdojnë të shkaktojnë tollovi në korridoret e Ambulancave Specialistike të Qendrës Klinike Universitare Kosovës.

    Megjithatë, brenda një muaji në këtë ambulancë realizohen rreth 3000 shërbime mjekësore.

    “Ka raste që hyjnë me të njohshëm, pra kur pacienti hyn pa rend nga stafi mjekësor, megjithatë është normale pasi që ne jemi kosovar. Por këto pritje të gjata duhen të largohen, duhet t’i shkurtojnë. Normal që po ikin edhe mjekët se as paga mjaftueshëm s’ka”, thotë një pacient.

    “Ndodh që nuk respektohet orari i punës, por në të gjitha institucionet duhet të respektohet diçka që marrim përsipër. Por ja që edhe këtu ndodh edhe kjo”, thotë tjetër një pacient.

    Lidhur me situatën, Drejtoria e ShSKUK-së, nëpërmes një përgjigje me shkrim, i ka thënë ATV-së se kërkesat për të marrë shërbime mjekësore janë të mëdha. Por sqarime nuk u dhanë rreth dyshimeve se rregullat e punës shkelen nga vetë punëtorët shëndetësorë.

    “Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si qendra e vetme terciare në vend, është e mbingarkuar sa u përket kërkesave për të marrë shërbime ambulantore specialistike mjekësore. Në të gjitha ambulancat specialistike ka vizita nga pacientë të ndryshëm të qyteteve të Kosovës, andaj ekziston edhe mbingarkesa”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së ShSKUK-së.

    Caktimi i terminit në Ambulancat Specialistike bëhet për 16 klinika, përmes pranisë fizike të pacientëve. Kurse në ambulancën specialistike të Otorinolaringologjisë dhe të Oftalmologjisë mund të bëhen me telefon, por sipas pacientëve metoda nuk është efikase.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Gjetjet e auditorit, raportojnë ministri Çeku dhe drejtori i ATK-së

    Gjetjet e auditorit, raportojnë ministri Çeku dhe drejtori i ATK-së

    Përgatiti: Armand Hoti

    Bizneset kosovare përfituan në emër të sponsorizimit të aktiviteteve sportive, pa vërtetim të lëshuar nga Ministria Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në periudhën 2020-2022.

    Referuar gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në këtë formë, u dëmtua kuleta e shtetit për mbi një milion euro.

    “Lirimi nga tatimi i kompanive pa vërtetime nga MKRS-ja, me qëllim të sponsorizimit të aktiviteteve sportive, në vlerë 1,083,246 euro dhe po ashtu, mostransferimi i mjeteve për sponsorizim në klube, në vlerë 490,347 euro, ka shkaktuar dëmtim të buxhetit të vendit në shumën prej 1,573,593 euro për vitet 2020-2022”, thuhet në përgjigjen e ZKA-së.

    Sqarime për dëmin buxhetor, kërkoi kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, nga ministri i MKRS-ës, Hajrullah Çeku, dhe drejtori i Agjencisë Tatimore, Ilir Murtezaj.

    “Na trego drejtor, a kemi raste kur pa vërtetim dikush lirohet prej tatimit, sepse nëse monstra është 10%, atëherë i bie që dëmi buxhetor mund të shkojë shumë më shumë?”, tha Hykmete Bajrami, kryetare e Komisionit.

    Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, thotë se agjencia që ai udhëheq, është angazhuar për kthimin e mjeteve.

    “Sistemi elektronik është në atë formë, që deklaratën e tatimpaguesit e proceson në atë formë si e deklaron tatimpaguesi, mbetet ATK-ja ta verifikojë më pas”,
    tha Murtezaj.

    Ndërkaq, ministri Hajrullah Çeku vlerëson se Ligji për sponsorizim, ka nevojë për ndryshime.

    “Zgjidhja përfundimtare për sponsorizime është plotësim-ndryshimi i Ligjit dhe për këtë, zonja kryetare, kemi nevojë për një debat shumë më të gjerë… veprimet janë te 26 raste të konstatuara mbi 1 milion euro”, tha Çeku.

    Referuar gjetjeve të auditorit, Ministria ka financuar federata që nuk ishin të pajisura me licencë, gjatë kësaj periudhe.

    “Kur nuk ka licencë, nuk ka edhe financim, pra shumica e federatave kanë qenë në proces të marrjes së licencës, por na kanë thënë kështu: ne na duhet me vazhdu aktivitetin ndërkombëtar sepse këtë brenda Kosovës, edhe mund ta mirëmbajmë disi… dhe është kërku një zgjidhje e financimit vetëm për pjesëmarrje në garat dhe aktivitetet sportive ndërkombëtare”, tha Çeku.

    Çeku tha se në Ministrinë që ai e drejton është nisur një proces që ka për synim hetimin e disa dyshimeve për keqpërdorim të Ligjit të sponsorizimit dhe se tashmë me këtë çështje po merret Policia e Kosovës.

    Në raportin e ZKA-së përmendet edhe mungesa e strategjisë për zhvillimin e sportit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Dogana fillon zbatimin e kodit të ri, parasheh lehtësira për qytetarët e bizneset

    Dogana fillon zbatimin e kodit të ri, parasheh lehtësira për qytetarët e bizneset

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Qytetarët që i vizitojnë vendet e huaja, do të mund të blejnë më shumë gjëra, pa paguar doganë. Me kodin e ri doganor që filloi së zbatuari nga e hëna, limiti i vlerës së mallrave të importuara, pa kosto doganore pothuajse është dyfishuar.

    “Sa u përket qytetarëve, në aspektin e importit të mallrave është rritur pragu pra në rrugë tokësore, në 300 euro nga 175, derisa në rrugë ajrore është shkuar deri në 400 që qytetarët mund të sjellin mallra”, tha Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës.

    Edhe për produktet që blihen online nuk do të duhet të paguhet kosto doganore, derisa nuk kalojnë vlerën 35 euro. Kodi i ri, sipas Stavilecit, parasheh lehtësira edhe për bizneset duke i thjeshtuar procedurat doganore.

    “Janë në dobi të bizneseve sepse redukton barrën e shpenzimeve duke përmirësuar efikasitetin e kontrolleve që ne zhvillojmë, gjithashtu përcakton afate strikte për doganën për nxjerrjen e një vendimi që një qytetar apo palë të ketë një afat se në sa ditë e merr përgjigjen”, tha Stavileci.

    Megjithëse, thotë se ndryshimet janë të mirëpritura, ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, shtoi se është dashur më shumë komunikim me komunitetin e bizneseve.

    “Janë krijuar disa lehtësira sa iu përket kufizimeve dhe në përshpejtim të disa procedurave, por besoj që esenca duhet të jetë që në të ardhmen nëse mendojmë ta mbështesim sektorin privat të eliminohet pagesa e obligimeve në kufi, duhet të kalohet në grumbullim të tatimit në brendi”, tha Gërxhaliu.

    Sipas Gërxhaliut, shteti duhet të punojë më shumë për heqjen e akcizës, meqë pagesa për doganë e akcizë vetëm se dëmton bizneset e ndihmon bankat komerciale.

    Sipas doganës, kodi i ri doganor synon modernizimin e sistemit doganor, derisa thotë se është në harmoni edhe me kodet e Bashkimit Evropian.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Diplomati austriak thotë se UÇK-ja e ekzagjeronte strukturën komanduese

    Diplomati austriak thotë se UÇK-ja e ekzagjeronte strukturën komanduese

    Përgatiti: Haris Ademi

    Më shumë politik se sa ushtarak, është cilësuar roli i Hashim Thaçit në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë periudhës së luftës.

    Për këtë përshtypje foli diplomati austriak, Jan Kickert, që dha dëshminë të martën, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë, të cilët i kishte takuar gjatë vizitës në Kosovë, në vitet 98-99. Ndërsa, u tha të ketë marrë pjesë në një diskutim për lirimin e disa ushtarëve serbë.

    Dëshmitari pohoi se kishte shkuar edhe në Zonën e Llapit dhe në Malishevë, mirëpo tha se rajonet nuk vepronin me komandë hierarkike, por në mënyrë autonome. Sipas tij, UÇK-ja atëbotë po e ekzagjeronte strukturën komanduese.

    “Për të çuar përpara statusin e tyre- Kosovës, por edhe për neve në sy tanë të ndërkombëtarëve që t’i merrnim ata më seriozisht. Kjo ka qenë tendenca kryesisht e tyre në mesin e diplomacisë amerikane, për të vënë në një anë UÇK-në në formimin e platformës politike të përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës”, deklaroi Kickert.

    Gjatë përgjigjeve ndaj avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, austriaku tha se postblloqet e UÇK-së kontrolloheshin më shumë nga bujqit, se ushtarët. Ndërsa, tregoi se ka parë që shqiptarët e kishin braktisur Malishevën, gjatë ofensivës serbe, kur policia serbe po plaçkiste dyqane e po digjte shtëpi.

    Sipas Kickert, udhëheqësit e UÇK-së prezantoheshin me numra. Për Thaçin tha se ishte 3-shi, me pseudonimin Gjarpri.

    Diplomati mohoi të ketë dëgjuar për formimin e Gjykatës Ushtarake, të cilën do ta mbikëqyrte Thaçi. Ndërsa, për Lidhjen Demokratike tha se nuk kishte qasje miqësore ndaj UÇK-së, për shkak se e shihte si kërcënim ndaj monopolit të tyre politik.

    Në seancën e së martës u diskutua edhe për një fotografi nga Rambujeja ku ishte gërvishtur ish-kreu i LDK-së e ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, për të cilën, prokurori John Capin pretendoi se e ka bërë Jakup Krasniqi.

    Mbrojtja e të akuzuarit kundërshtoi që kjo të merret si provë materiale.

    “Prokuroria nuk është në gjendje ta thotë kush e ka gërvishtur fotografinë e tij, kur është gërvishtur fotografia e tij dhe jam i bindur që prokurori do të thotë që ky është një dokument që është gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së zotëri Krasniqi”, tha Aiden Ellis, avokat i Jakup Krasniqit.

    Dëshmitari i 68-të i Prokurorisë, Jan Kickert, në vitet 97-99 kishte punuar si diplomat në Beograd, ndërsa ka qenë i ngarkuar edhe për takime me udhëheqës të partive politike, të UÇK-së, si dhe me ndërkombëtarë në Kosovë.

    Ai ka dëshmuar edhe në procesin gjyqësor ndaj Fatmir Limajt.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Përleshja në Kuvend do të zgjidhet me ndërmjetësim

    Përleshja në Kuvend do të zgjidhet me ndërmjetësim

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Seancën e kuvendit të 13 korrikut 2023, e patën kthyer në arenë boksi.

    Për këto veprime, tre deputetët e PDK-së, bashkë me zëvendëskryeministrin që gjuante me shishe qelqi, u paraqitën në gjykatë në cilësinë e të pandehurve.

    Mërgim Lushtaku e Besnik Bislimi po akuzohen për veprën penale të sulmit. Bekim Haxhiu për lëndim të lehtë trupor. Ndërsa, Hajdar Beqa, krahas asaj për sulm, bart edhe akuzën për dëmtim të pasurisë, për syzet që ia kishte marrë me forcë ministrit Murati, i cili në seancë u paraqit në cilësinë e viktimës.

    Në hyrje, kryetari i trupit gjykues, Eroll Gashi, ua propozoi palëve opsionin që lënda të shkojë në ndërmjetësim.

    Për ta analizuar këtë mundësi juridike, palët kërkuan 10 minuta pauzë.

    Për dallim nga anëtarët e PDK-së, atyre të Vetëvendosjes iu nevojit më shumë kohë për ta marrë vendimin, andaj edhe u vonuan për t’u kthyer në seancë.

    Pavarësisht dallimeve politike, në opsionin e ofruar nga gjykata të gjithë ishin njëzëri.

    Nga seanca e cila mund të jetë e fundit për këtë rast nëse veç arrihet ndërmjetësimi, deputetët u kujdesën që një fotografi ta kenë kujtim.

    I vetmi që u deklarua pas mbylljes, ishte deputeti Hajdar Beqa.

    Ndërmjetësimi si alternativë, sipas juristëve mund të ofrohet vetëm në raste specifike.

    Për dhunën që u shkaktua në korrik të vitit 2023, Prokuroria Themelore e Prishtinës e kishte ngritur aktakuzën në muajin tetor.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Abdixhiku kërkon dorëheqjen e Kurtit: Dështoi në të gjitha fushat

    Abdixhiku kërkon dorëheqjen e Kurtit: Dështoi në të gjitha fushat

    Lidhja Demokratike Kosovës është duke e mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm me të gjithë anëtarët që vijnë nga të gjitha qytetet e Kosovës.

    Në fjalën e tij, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Qeverisë Kurti, duke theksuar se kjo qeverisje ka çuar deri në shkatërrimin e vendit, teksa bëri thirrje për zgjedhje.

    Ai po ashtu tha se qëllimi i këtij tubimi është e ardhmja e Kosovës, e cila sipas Abdixhikut në kushtet e tanishme është e zymtë.

    Sipas Adixhikut, Qeveria Kurti nuk ka arritur zgjidhjen e problemeve në asnjë fushë e sidomos në atë ndërkombëtar, duke i quajtur, siç është shprehur ai, si “të paaftë”.

    Sipas kryetarit të LDK-së, tash e tri vite Kosova është duke e përjetuar një dështim të madh e cila vjen si pasojë e keqqeverisjes së partisë së Vetëvendosjes.

    Abdixhiku gjithashtu tregoi edhe për hapat që do t’i ndërmerr kjo parti në vazhdim nëse vijnë në pushtet.