ATV

Blog

  • Ende pa vendim për përdorimin e parave të sekuestruara në veri

    Ende pa vendim për përdorimin e parave të sekuestruara në veri

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Rreth 2.5 milionë euro është vlera e parave në valuta të ndryshme, të cilat i sekuestroi policia, në aksionin ku i mbylli gjashtë filialet e Bankës Postare të Kursimeve, në veri të vendit.

    Por ende nuk dihet se çka do të bëhet me to.

    Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar është në pritje të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila ka një muaj kohë për ta marrë një vendim.

    “AAPSK nuk ka pranuar ende vendim nga gjykata lidhur me rastin në fjalë. Pas pranimit të vendimit nga gjykata, do të veprohet në përputhje me ligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar dhe vendimit të gjykatës”, tha Enver Krasniqi, drejtor në APPSK.

    Për këtë çështje detaje refuzoi të japë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ktheu përgjigje të martën, nëse janë afër ta marrin një vendim të tillë.

    “Gjykata e merr vendim duke e parë relevancën e prokurorit, urdhri ndalues përfshin në mënyrë të detajuar se çfarë do të ndodhë apo se çfarë nuk duhet të ndodhë me atë pasuri”, tha Arbër Jashari, avokat.

    Më 20 maj, në komunikatën e policisë u tha që këto para janë konfiskuar si prova materiale.

    Mirëpo, avokati Arbër Jashari thotë se ky quhet sekuestrim, meqë konfiskimi nuk mund të ndodhë pa vendim të Gjykatës.

    “Me rastin e shqiptimit të aktgjykimit, gjykata merr edhe vendim për konfiskimin e pasurisë ose jo të saj. Nëse merr vendim për konfiskimin e tyre ato mund të shërbejnë për asete shtetërore, ose nëse ka prova të tjera mund edhe të asgjësohen”, tha Jashari.

    Për 6 filialet e Bankës Postare Kursimore, institucionet janë duke kryer hetime nën dyshimet për shpëlarje parash.

    Aksioni i policisë, të hënën e 20 majit, ndodhi pas përfundimit të periudhës tranzitore për rregulloren për operacione me para të gatshme, e cila parasheh vetëm përdorimin e euros në tërë territorin e Kosovës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mbyllja e “bankës” dhe konfiskimi i dinarëve vonojnë heqjen e masave

    Mbyllja e “bankës” dhe konfiskimi i dinarëve vonojnë heqjen e masave

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Mbyllja e filialeve të Bankës Kursimore Postare të Serbisë, krahas konfiskimit të miliona dinarëve dhe eurove, ndikoi në procesin e përmbylljes së raportit të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për heqjen eventuale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Këtë e konfirmoi zëdhënësi për punë të jashtme dhe siguri i bllokut 27-anëtarësh, por pa treguar nëse dokumenti do të finalizohet para zgjedhjeve evropiane, të cilat do të mbahen nga 6 deri më 9 Qershor.

    “Po, sigurisht. Masat ishin prezantuar si përgjigje ndaj hapave të pakoordinuar, të njëanshëm, që çojnë në eskalim të mëtejmë dhe nuk ndihmojnë deeskalimin. Ato ishin prezantuar me qëllim që të motivojnë autoritetet kosovare që të punojnë për deeskalim. Kështu që, sigurisht, gjithçka që po ndodh në terren dhe që ka ndikim negativ në përpjekjet që çojnë në de-eskalim, po shënohet dhe po përfshihet në raport”, tha zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.

    Dy javë para aksionit në veri, BE-ja kishte njoftuar se Borrell “është në prag të përmbylljes” së dokumentit.

    Pasi theksoi se shtensionimi ishte kërkesë kryesore e BE-së, politologu Fidan Ukaj shtoi se zhvillimet e fundit mund të shtyjnë vendimmarrjen për masat.

    “Veprimi i kryeministrit Kurti, i cili mendoj se më shumë ishte kamuflim i dështimit në rrugën e Kosovës për në Këshillin e Evropës dhe vendimi i ngutshëm për të ndërmarrë veprime për të mbyllë, me të drejtë, disa banka që kanë qenë ilegale dhe sigurisht që duhej të mbylleshin, por jo në këtë kohë, mendoj se ka qenë një veprim i gabuar i institucioneve të Kosovës e që mund të reflektojë në raportin e z. Borrell”, tha Ukaj.

    Pritja e Kosovës për të ri-fituar qasje në fondet e pezulluara nga BE-ja, sipas Ukajt, mund të zgjasë deri në një konstatim për deeskalimin e plotë.

    “Nëse eventualisht evidentohet se ka pasur një tensionim të situatës, atëherë BE-ja do të presë shtensionimin e situatës dhe përmbushjen edhe të kësaj pike ose akordimi të mëhershëm. Sigurisht se do të marrë kohë, për shkak edhe të zgjedhjeve në BE”, tha Ukaj.

    Për shfuqizimin eventual të masave të vendosura nga Qershori i vitit të kaluar, Borrell duhet t’u paraqesë përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së një raport me një rekomandim të tillë.

    Të hënën, u mbajt takimi i ministrave të jashtëm – por raporti nuk ishte gati. Ndërsa, takimi i radhës i krye-diplomatëve të 27 shteteve të bllokut evropian mbahet në fund të Qershorit.

    Me mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe në veri, më 21 Prill, proces i bojkotuar nga Lista Serbe, Qeveria konsideron se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • IPKO i dhuron Klinikës së Onkologjisë një donacion prej 6 televizorësh për pacientët që trajtohen me kimioterapi

    IPKO i dhuron Klinikës së Onkologjisë një donacion prej 6 televizorësh për pacientët që trajtohen me kimioterapi

    Kompania IPKO, ka dhuruar donacionin e radhës për Klinikën e Onkologjisë, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Në donacion përfshihen 6 televizorë për pacientët që trajtohen me kimioterapi në këtë klinikë si edhe shërbimet e televizionit kabllor që ofrohen për 3 vjet më radhë.

    Dorëzimin e donacionit e ka bërë drejtori i përgjithshëm i IPKO-s, z. Andras Pali, kurse të pranishëm ishin u.d. i drejtori Departamentit Shëndetësor në SHSKUK, dr. Ardian Shefkiu dhe u.d. i drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari dhe drejtori i Klinikës ë Onkologjisë, dr. Ilir Kurtishi, të cilët e kanë falënderuar këtë kompani për donacionin.

    “Sot kemi pranuar një donacion nga IPKO, është bëhet fjalë për një teknologji, televizorë, pajisje elektronike, të cilat na i kemi vendosë në disa vende në klinikë dhe kjo do të na bëjë te le më të lehtë edhe aranzhimin e pacientëve, pastaj marrjen e informatave të pacientëve nga televizorët si dhe është shumë e domosdoshme për takimet të cilat i bëjnë mjekët, kolegjiumi i mjekëve për raportimin e rasteve dhe format e ndryshme të raportimeve të cilat ne i përdorim gjatë ditës dhe në mbledhje të ndryshme në takime”, tha drejtori i Klinikës ë Onkologjisë, dr. Ilir Kurtishi.

    Më herët janë dhuruar 400 pako esenciale për pacientët që po trajtohen me kimioterapi, 5 shtretër kimioterapie, 100 proteza të gjirit dhe 100 sytjena të nevojshme pas trajtimit të kancerit të gjirit, 38 paruke si dhe shërbime të internetit dhe televizionit digjital për 3 vite.

    Për Klinikën Onkologjisë në QKUK, IPKO-ja kishte dhuruar edhe sistemin e sofistikuar të ultrazërit, PhilipsClearVue 650 për Klinikën e Onkologjisë, i cili zbulon kancerin në fazat e hershme të tij.

    Donacione kishte dhuruar edhe për Repartin e Hemato-Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë, 150 komplete set çarçafësh, 100 çarçafë, 70 jorganë, 100 jastëkë, një makinë larëse dhe një makinë tharëse, të identifikuara si nevoja esenciale për këtë klinikë. Poashtu, 5 inkubatorë të rijnë për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në vitin 2012.

  • Kryeministri Kurti priti në takim bordin e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë

    Kryeministri Kurti priti në takim bordin e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rozeta Hajdari, zhvilluan sot një takim me anëtarët e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë.

    Kjo shoqatë e themeluar në vitin 2013, luan rol kyç në nxitjen e marrëdhënieve tregtare dhe investimeve ndërmjet dy vendeve tona, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për kompanitë në aktivitetet e tyre komerciale dhe duke vepruar si një katalizator për zhvillimin ekonomik.

    Gjatë takimit, u diskutua për politikat më të fundit industriale dhe tregtare, rëndësinë e diasporës së Kosovës në Zvicër, për procesin e sapo përfunduar të regjistrimit të popullsisë, dhe progresin e deritanishëm në zbatimin e sistemit të arsimit dual.

    Ky i fundit, cilësohet nga qeveria me prioritet të lartë, si sistem kyç për ndërlidhjen e tregut me fuqinë punëtore.

    Aktualisht janë 12 profile të ndryshme të arsimit dual në 14 komuna përreth vendit, me pritshmërinë që në qershor të vitit të ardhshëm të dalin të parët absolventë me një çertifikatë të zyrtarizuar të përfundimit të arsimit.

    Më tej, kryeministri Kurti theksoi se Zvicra ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës më 27 shkurt 2008 dhe se ka qenë e mbetet një ndër investitorët kryesor në Kosovë, me vlerë investimesh direkte prej rreth 1.1 miliardë euro nga viti 2007 deri në fund të vitit 2023 dhe se Zvicra renditet si vendi i dytë për sa i përket eksporteve më të mëdha të Kosovës.

    Gjatë bisedës u nënvizua poashtu që deri më tani, Kosova dhe Zvicra kanë nënshkruar 18 marrëveshje të ratifikuara, 6 nisma për marrëveshje ndërkombëtare që mbulojnë bashkëpunimin teknik dhe financiar, aviacionin civil, lëvizjen e lirë të personave dhe mallrave, tregtinë, mbrojtjen e investimeve dhe sigurimet shoqërore.

  • Komisioni Parlamentar diskuton për dezinformimin dhe pronësinë e medieve

    Komisioni Parlamentar diskuton për dezinformimin dhe pronësinë e medieve

    Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, në mbledhjen e së martës ka vazhduar diskutimin për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), ku u diskutua përkufizimi i dezinformimit dhe për koncentrimin medial.

    Kryetari i KPM-së, Jeton Mehemeti tha se edhe opinioni i Këshillit të Evropës, paraqet rrezikun e definimit të dezinformimit dhe keqinformimit.

    “Aty opinioni ligjor paraqet edhe rrezikun e definicionit të dezinformimit dhe keqinformimit në legjislaturat vendore sepse thotë se është ende një term i paqartë, mund të jetë me shumë kuptimësi, në kuptimin që mund të cenojë edhe lirinë e shprehjes nëse vendoset në disa ligje, si referencë përmend edhe rezolutën e Parlamentit ku fton disa akterë të qasen bashkërisht, përmes edukimit medial të qytetarëve, të vet përforcimit të mediave”, tha ai.

    Mehmeti shtoi se edhe ashtu, neni 41 flet për parimet themelore të ofruesve të kompanive mediale, ku paragrafi 4 thotë “ofruesit e shërbimeve mediale sigurojnë informim objektiv dhe të paanshëm të publikut, duke paraqitur në mënyrë të saktë faktet dhe ngjarjet duke respektuar formimin e lirë të opinionit”.

    Ai propozoi që kjo mund të përforcohet me dy paragrafë, të cilët ata i kanë formuluar si “ofruesit e shërbimeve mediale nuk duhet të transmetojnë material për të cilin e dinë ose duhet ta dinë që është i pavërtetë ose mashtrues”.

    Si dhe paragrafin “ofruesit e shërbimeve mediale si dhe platformat për shpërndarjen e videove promovojnë zhvillimin e edukimit medial në të gjithë segmentet e shoqërisë të qytetarët e të gjitha moshave”, tha ai.

    Kryesuesi i Komisionit, Valon Ramadani tha se duhet që me amendament ta fusin në ligj që për dezinformimit të nxjerret një rregullore.

    Në anën tjetër, Mehmeti tha ekziston Kodi i Etikës ku flitet për lajmin e pasaktë, jo të balancuar, andaj mund të propozohet që në Kod të shpjegohet më gjerësisht.

    Sa i përket transparencës së pronësisë së mediave, u tha se duhet të përfshihen standarde minimale të pronësisë se mediave dhe një definicion i koncentrimit të mediave.

    “Definicioni i cili tashmë e kemi në rregullore thotë se nënkupton një situatë kur një numër i vogël individësh, persona juridikë ose kompani kontrollojnë aksionet në disa ofrues të shërbimeve mediale dhe kanë kontroll efektiv gjë që mund të çojë në një ndikim negativ në nivelin e pluralitetit të zërave dhe opinioneve në dispozicion dhe për këtë arsye pluralizmi dhe diversiteti mediatik nuk sigurohet”, tha Mehmeti.

    Ndërsa, tha se “pluralizmi mediatik përcakton gjendjen për të pasur një sërë zërash, opinionesh, analizave mbi sistemin mediatik ose bashkëjetesa e llojeve të ndryshme të larmishme të mediave dhe mbështetjes mediatike”.

    Ai tha se ata mund të ofrojnë këto dy definicione konform Këshillit të Evropës, por tha që nuk mund të propozojnë sot standarde minimale sa i përket pronësisë së mediave.

    Mehmeti tha se që 5 muaj kanë miratuar rregulloren për koncentrim medial, e cila është hartuar me ndihmën e ekspertëve Bashkimit Evropian, dhe nuk ka çfarë të shtojë më shumë se ajo që përcakton rregullorja.

    Mbledhja do të vazhdojë të enjten, ku pritet që të votohen amendamentet për ndryshimet në Projektligjin për KPM-në. /BetimipërDrejtësi

  • Afrim Gashi është kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

    Afrim Gashi është kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

    Deputeti i Koalicionit VLEN, Afrim Gashi është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

    Gashi është propozuar si kandidat për kryetar Kuvendi nga 75 deputetë të shumicës së re.

    PËR Gashin votuan 76 deputetë, 6 kundër dhe asnjë të përmbajtur.

    Gashi ka qenë bartës i listës së deputetëve të VLEN në zonën e dytë zgjedhore.

    Deri ditën e djeshme (27 maj) ai ka qenë kryetar i partisë Alternativa.

  • Diplomati austriak: Thaçin e kanë cilësuar më shumë si figurë politike sesa ushtarake

    Diplomati austriak: Thaçin e kanë cilësuar më shumë si figurë politike sesa ushtarake

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitar Jan Kickert tha se gjatë vitit 1998, Hashim Thaçin më shumë e kanë konsideruar si figurë politike sesa ushtarake.

    Dëshmitari tha se një gazetar kosovar i kishte thënë se Thaçi ishte një personalitet i nivelit të lartë, i cili mund të fliste në emër të UÇK-së në procesin politik.

    “Është e saktë sepse atë po kërkonim edhe ne. Kjo më ishte thënë mua nga një gazetar vendor, si personalitet potencial i nivelit të lartë me të cilin mund të fliste me autoritet në emër të UÇK-së për procesin politik të cilin ne po përpiqeshim ta arrinim”, tha Jan Kickert.

    Ai gjithashtu shtoi se është takuar disa herë edhe me Kadri Veselin gjatë kësaj periudhë kohore.

    Dëshmitari pohoi se më 1999 kishte shkuar edhe në zonën e Llapit, e cila komandohej nga komandant Remi.

    “Nuk e di, më duket që Remi ka qenë në rajonin e Llapit, por nuk e di se kur mund të kem shkuar në komandën e tij. Nuk e di as deri ku shtrihej kjo zonë dhe ne kemi pasur zhvilluar diskutime në janar të 1999-ës lidhur me ushtarët e ushtrisë jugosllave”, tha diplomati austriak, duke mohuar se ka shkuar ndonjëherë në këtë zonë më 1998.

    Jan Kickert tha se në atë kohë e kishte përshtypjen se rajonet ishin grupe që vepronin në mënyrë autonome sesa përmes një komande hierarkike.

    Dëshmitari pohoi se UÇK-ja ekzagjeronte strukturën e saj, koordinimin për t’u marrë më seriozisht nga ndërkombëtarët.

    “Për të çuar përpara statusin e tyre- Kosovës, por edhe për neve në sy tanë të ndërkombëtarëve që t’i merrnim ata më seriozisht. Kjo ka qenë tendenca kryesisht e tyre në mesin e diplomacisë amerikane, për të vënë në një anë UÇK-në në formimin e platformës politike të përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës. Ne evropianët, ne austriaket nuk besonim që kjo ishte e mundur, por ishte një përplasje e vazhdueshme. Në verë të vitit 1998 mendoj së ata kanë mbivlerësuar veten e tyre, aftësitë e tyre…”, tha ai raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari tha se postblloqet e vendosura nga UÇK-ja gjatë periudhës së luftës kanë qenë të kontrolluara më shumë nga bujq sesa nga ushtarë.

    “Kjo ka qenë përvoja kur jemi takuar për herë të parë në Malishevë. Kur kemi kaluar nga rruga kryesore tek një pikë kontrolli që ishte qartësisht e mbajtur nga individë që nuk ishin të trajnuar apo të stërvitur. Ishin njerëz të armatosur thjesht”, tha ai.

  • ​Nga 1 qershori bllokohet një pjesë e rrugës Kaçanik-Hani i Elezit, shkak punimet në hekurudhë

    ​Nga 1 qershori bllokohet një pjesë e rrugës Kaçanik-Hani i Elezit, shkak punimet në hekurudhë

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se duke filluar nga data 1 qershor 2024, do të bllokohet për qarkullimin e automjete një pjesë e segmentit të rrugës nacionale N2, Kaçanik- Hani i Elezit.

    Bllokimi i këtij segmenti sipas njoftimit bëhet për arsye të zhvillimit të punimeve në hekurudhë – pjesa jugore e hekurudhës 10 Fushë Kosovë – Hani i Elezit.

    Nëpër autoudhën “Arbën Xhaferi” do të mund të qarkullojnë automjetet e rënda që kalojnë transit në Kaçanik.

    Ndërsa, automjetet tjera thuhet se mund ta shfrytëzojnë bajpasin e ndërtuar në rrugën “Agim Bajrami” ku përjashtohen mjetet e rënda.

    Ky vendim i cili hyn në fuqi nga sot, do të mbetet në fuqi deri në njoftimin e radhës.

  • Osmani përmend rëndësinë e mbështetjes gjermane për Kosovën në skenën ndërkombëtare

    Osmani përmend rëndësinë e mbështetjes gjermane për Kosovën në skenën ndërkombëtare

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, janë takuar të martën me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Presidenca ka thënë përmes një komunikate për media, se Osmani i ka thënë të dërguarit gjerman se Kosova ka nevojë të vazhdueshme për mbështetjen gjermane teksa e forcon pozitën në skenën ndërkombëtare, duke përmendur Këshillin e Evropën, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

    Kosova i ka kaluar dy prej tri fazave të nevojshme për pranim në Këshill të Evropës, organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut.

    Në hapin e tretë – miratimin e anëtarësimit në Komitet të Ministrave – Kosova nuk është përfshirë në agjendë, pasi nuk ka bërë hapa të mjaftueshëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjatë muajit maj do të dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, një propozim për formim të Asociacionit, mirëpo zyrtarë të lartë të Perëndimit kanë thënë se diçka e tillë është e pamjaftueshme për të plotësuar kushtin.

    Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës mblidhet një herë në vit dhe mbetet e paqartë se kur Kosova do të mund të bëhet anëtare e organizatës.

    Zyra e kryeministrit Kurti ka thënë se ka biseduar me zyrtarin gjerman për zbatimin e marrëveshjeve që kanë dalë prej Procesit të Berlinit.

    Ai e ka përmendur në veçanti nevojën për zbatimin e marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve, para mbajtjes së samitit të këtij viti.

    Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    Është një nismë e Gjermanisë, e mbështetur nga vendet tjera të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia e pastaj edhe Franca, Italia, Polonia dhe të tjera, që ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e rajonit, bashkëpunimin e ndërsjellë mes tyre, të sigurojë tërheqjen e investimeve dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojë ato vende në përgatitjen e tyre për anëtarësim në BE, në të ardhmen. /REL

  • Aktakuzë ndaj personit që dyshohet se dhunoi 18-vjeçaren me aftësi të kufizuara mendore

    Aktakuzë ndaj personit që dyshohet se dhunoi 18-vjeçaren me aftësi të kufizuara mendore

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Xh.D. nën dyshimin se ka dhunuar seksualisht një 18-vjeçare me aftësi të kufizuara mendore.

    Vepra dyshohet se ndodhi nga data 1 deri më 2 maj, në një motel në Ferizaj.

    Sipas njoftimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e kishte detyruar viktimën të kryente akt seksual pa pëlqim.

    Ai akuzohet se fillimisht e kishte bindur të dëmtuarën që të dilte me të dhe e kishte dërguar në një motel e ndaj saj kishte ushtruar dhunë seksuale e fizike duke i shkaktuar lëndime trupore. Pas kësaj, ai e kishte lënë në rrugë viktimën.