ATV

Blog

  • Mesazhet e dashurisë në urën e Ibrit

    Mesazhet e dashurisë në urën e Ibrit

    Përgatiti: Haris Ademi

    Ura e Ibrit në Mitrovicë njihet si simbol i ndarjes së qytetit, në veri e jug të lumit.

    Mirëpo qytetarët, kryesisht të rinjtë në moshë, po i shfrytëzojnë muret e saj edhe për mesazhe dashurie.

    Shprehjet janë të motiveve të ndryshme.

    “Këto janë disa ndjenja të qastit që të rinjt po i shprehin, janë nga ato herë dashurie herë urrejtje të cilat i shprehin në ato momente”, thotë një qytetare.

    “Ndjenjat e tyre ata i shfaqin përmes mbishkrimeve dhe muraleve te ura. Janë shkrime të ndryshme dashurie, urrejtje etj. Ndoshta edhe pendohen më vonë, por në shumicën e rasteve nuk besoj”, thotë një qytetar.

    Në shumicën e rasteve, dedikimet janë të panjohura.

    Mirëpo, nganjëherë përdoren vetëm inicialet.

    “Flasin sikur me kode, i shkruajnë disa fjalë që dihet që i përdorë vetëm ai ose ajo dhe merren vesh”, tha një qytetare.

    Sipas psikologut Artan Fejza, autorët janë kryesisht të rinjtë që duan të lënë gjurmë.

    “Është pak a shumë një katarsis i ndjenjave të tyre ku ata mendojnë se do të lëjnë gjurmë përmes atyre shkrimeve tek audienca, personat, të cilët mund të jenë edhe anonimë, dhe ata e gjykojnë si një veprim që është në interes të shfryrjes së ndjenjave që kanë”, tha Fejza.

    Ndërsa për sociologun Ramadan Beshiri, këtyre shkrimeve, ua përforcon kuptimin edhe vendi ku shkruhen.

    “Nga aspekti i dashurisë dhe i romansierëve, urat i kanë përdorur si një lloj metafore e një lidhjeje të pashkëputshme në mes të dy personave”, tha Beshiri.

    Përveç mbishkrimeve të thjeshta, Ura e Ibrit është shfrytëzuar shpesh edhe për murale artistike.

  • Investimet në vlerë 105 milionë euro në “Kosovën A”, vonohen deri vitin tjetër

    Investimet në vlerë 105 milionë euro në “Kosovën A”, vonohen deri vitin tjetër

    Raporti: Fatlum Jashari

    Korporata Energjetike e Kosovës ende nuk e ka shpallur tenderin për investimet e planifikuara për këtë vit, në vlerë 105 milionë euro, për rehabilitimin dhe modernizimin e një njësie prodhuese të Termocentralit Kosova A.

    “Plani është që të hapet shpallja e interesit. Kompanitë ose konsorcuimet të kenë një periudhë rreth dy-mujore ku mund të vizitojnë termocentralin, të marrin informacione teknike shtesë, të japin komentet e tyre, duke qenë se është një punë shumë e madhe dhe e ndërlikuar teknikisht dhe pastaj dokumentacioni i plotë i tenderit të lansohet pas kësaj periudhe”, tha minsitrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Përkundër këtyre paralajmërimeve, ATV-ja kuptoi se ende është kryer vlerësimi i gjendjes, e rrjedhimisht as vizitat nga palët eventualisht të interesuara.
    Në Ministrinë e Ekonomisë nuk dhanë një përgjigje të re.

    Ndërsa në KEK, muajin e kaluar, njoftuan se po përgatisin dokumentacionin.

    “Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton së aktualisht zyrtarët e korporatës janë duke finalizuar dokumentacionin e nevojshëm për inicim të procedurës për Rehabilitimin dhe Modernizimin e njësisë A3”, tha zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.

    Në këto rrethana, marrë parasysh procedurat, afatet dhe praktikat e prokurimit, Kosova rrezikon edhe një dimër pa investime në njësitë prodhuese, të vjetruara.

    “Çdo vonesë, sigurisht, ndikon në sigurinë e furnizimit me energji, sepse bie besueshmëria e këtyre termocentraleve. Besueshmëri më e ulët do të thotë kapacitete të disponueshme më të ulëta gjatë vitit të ardhshëm”, tha Naim Bujupi, ekspert i energjisë.

    Muaj më parë Ministria e Ekonomisë konfirmoi shtyrjen për vitin tjetër, të investimeve në termocentralin Kosova B, për reduktimin e ndotjes, nëpërmjet fondeve të BE-së në vlerë 38.5 milionë euro; si dhe për modernizimin e turbinave në vlerë 56 milionë euro, nëpërmjet kontratës me General Electric.

    Ndalja e përkohshme e prodhimit për investime eventuale në dy njësi prodhuese, në dy termocentrale më 2025, sipas ekspertit të energjisë Naim Bujupi, mund të ndikojë në tarifat e energjisë në vitin pasues.

    “Shkëmbimet me Shqipërinë nuk mund ta kompensojnë tërë këtë energji, tërë këtë kapacitet prodhues, dhe atëherë i bie se duhet të importohet nga tregu rajonal, sigurisht, me çmime më të larta… Gjithmonë importi është më i shtrenjtë se çmimi i energjisë që prodhohet në vend dhe ajo diferencë duhet të paguhet nga qytetarët e Kosovës”, tha Bujupi.

    Zingjiri i vonesave pritet të prekë edhe njësinë e dytë prodhuese të Kosovës B, që sipas programit për zbatimin e Strategjisë së Energjisë, më 2025 do të duhej t’i nënshtrohej një rehabilitimi të thellë, në vlerë 88 milionë euro.

  • Asnjë lëvizje për “rrezikshmërinë e Manastirit të Deçanit”

    Asnjë lëvizje për “rrezikshmërinë e Manastirit të Deçanit”

    Përgatiti: Haris Ademi

    Ka kaluar një muaj e gjysmë prej kur qeveria vendosi që Agjencia Kadastrale t’i regjistrojë 24 hektarë pronë në emër të Manastirit të Deçanit, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    Por, brenda kësaj periudhe, ATV-ja mëson se institucionet e shtetit nuk kanë bërë asnjë hap që ky objekt ortodoks të mos jetë në listën e monumenteve të rrezikuara të trashëgimisë kulturore, të organizatës “Europa Nostra”.

    Kjo e fundit, më 2021 e listoi Manastirin e Deçanit në Programin e 7 Monumenteve më të rrezikuara në Evropë, ndërsa një nga arsyet kryesore kishte qenë moszbatimi i vendimit të Kushtetueses.

    “Europa Nostra” nuk ka kthyer përgjigje, nëse është duke e rishqyrtuar rrezikshmërinë e manastirit, pavarësisht disa tentimeve të televizionit, që nga muaji mars.

    Përgjigje zyrtare nuk ktheu as Ministria e Kulturës në Prishtinë, që kishte qenë e zëshme kundër vendimit të organizatës më të vjetër të trashëgimisë kulturore në kontinent. Madje, as presidenca, meqë më 2021, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kishin dërguar letër shqetësuese ndaj listës.

    Historiani Shkodran Imeraj vlerëson se institucionet do të duhej të ishin më aktive për ta bindur Europa Nostran, sidomos pas zhvillimeve të fundit.

    “Tashmë janë larguar edhe rreziqet juridike, përkundër që nuk ka pasur asnjëherë rreziqe faktike për Manastirin e Deçanit… Qeveria do të duhej të kërkonte heqjen…”, tha Imeraj.

    Në anën tjetër, igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, tha për ATV-në se vendime si kjo e Europa Nostras, nuk kanë pasur motive politike. Ndërsa, përmend edhe listën e UNESCO-s, ku po ashtu përfshihet monumenti i udhëhequr nga klerikët serbë.

    “Manastiri i Deçanit ka mbetur në listën e UNESCO-s të vendeve të rrezikuara të trashëgimisë kulturore, që nga viti 2005. Duke marrë parasysh vitet e trazuara të pasluftës në Kosovë dhe situatën e paqëndrueshme politike, ka shqetësime për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Unë besoj fuqishëm se situata do të bëhet më e qëndrueshme me kalimin e kohës dhe se të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare, do ta respektojnë trashëgiminë kulturore të të gjitha grupeve, pasi ajo përbën thesarin e gjithë neve”, tha Janjiq.

    Në korrik të 2022-ës, një ekip i Europa Nostras qëndroi në Kosovë, ku vizitoi edhe Manastirin e Deçanit. Më pas nxori komunikatë duke thënë se shqetësimet e përmendura në Programin e 2021-ës qëndrojnë ende.

    Përveç çështjes së pronave, përmenden edhe planet për rrugën Deçan-Plavë skaj manastirit, si Zonë e Veçantë e Mbrojtur, nevojat për ruajtjen e objektit 24/7 nga ana e KFOR-it, si dhe përpjekjet për ta rishikuar identitetin kulturor e historik të këtij objekti të trashëgimisë fetare, nëse u përket shqiptarëve apo serbëve.

    Kur doli lista e re me 7 monumentet e rrezikuara, vitin e kaluar, kjo organizatë kishte konfirmuar se është duke e monitoruar vazhdimisht situatën me Manastirin e Deçanit. Prandaj mbetet të shihet nëse regjistrimi i pronave do të mjaftojë për ta ndryshuar opinionin lidhur me këtë temë.

  • “Faji i klientëve”, sekuestrimi i veturave me qira problem për kompanitë

    “Faji i klientëve”, sekuestrimi i veturave me qira problem për kompanitë

    Raporti: Fatlum Jashari

    Kompanitë që ofrojnë automjete me qira po kërkojnë plotësim-ndryshimin e ligjit të ri për rregullat e komunikacionit rrugor.

    Në shoqatën me rreth 100 biznese të rentave u shprehën të shqetësuar për faktin se po u sekuestrohen automjetet, si pasojë e shkeljeve të kryera nga klientët.

    “Automjeti konfiskohet në kohëzgjatje derisa ai person ka ndalesë në patentë shofer, që për biznesin është absurde, sepse ai person që merr makinën me qira, nuk është pronë e tij, dhe biznesi nuk ka mundësi të bëjë verifikimin”, tha Albion Shala, kryetar i shoqatës.

    Bizneset ankohen për koston e lartë financiare dhe procedurat e gjata për kthimin e automjeteve.

    “Është liruar automjeti pas 29 dite. Në fund të kësaj periudhe, unë jam detyruar të shkoj dhe ta marrë automjetin prej pikës grumbulluese, dhe më është dashur të paguajë bartjen e automjetit, plus qiranë ditore të atij biznesi privat…Shuma të cilën e kam paguar është 175 euro për bartje dhe qiranë ditore”, tha Kushtrim Shaqiri, pronar i një “Rent a Car”.

    Nëse kërkesat e tyre nuk merret parasysh, sipas Shaqirit, dëmet mund të jenë të pariparueshme.

    “Nëse vazhdon kjo problematikë na largon prej punës, sepse, humbjet financiare janë të mëdha marrë parasysh që funksionojnë si biznese sezonale”, tha Shaqiri.
    Deputetë të partive opozitare në Kuvend e vlerësuan të domosdoshëm plotësim-ndryshimin e ligjit.

    “Konsideroj se do duhej të rikthehet ligji me një procedurë krejtësisht të re nga fillimi dhe të rishkruhet, ripërpunohet, ri dizajnohet në shumë pika dhe jo vetëm në këtë”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    “Është e padrejtë nëse ke rent dhe konfiskohet automjeti i Rentës, duhet të rishikohet ligji dhe të amandamentohet, sepse nuk ka dokument të vdekur”, tha deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    Pushtetarët tashmë janë në dijeni të këtij shqetësimi.

    “Do të konsultohemi me institucionet tjera relevante, dhe shumë shpejtë do të kemi një përgjigje konkrete se çfarë do të ndërmarrim ne dhe kompanitë në fjalë në mënyrë që ky problem të zgjidhet”, tha deputetja e LV-së, Fitore Pacolli.

    Ligji i ri për rregullat në trafikun rrugor, me të cilin janë ashpërsuar ndëshkimet për kundërvajtësit, ka hyrë në fuqi më 3 Prill.

  • Nisen drejt Mekës e Medinës, grupet e para të haxhilerëve nga Kosova

    Nisen drejt Mekës e Medinës, grupet e para të haxhilerëve nga Kosova

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Po e cilëson si rrugëtimin më të rëndësishëm në jetë, prandaj Hamide Morina po pret e gëzuar, për t’i kryer kontrollet e dokumenteve në Aeroportin e Prishtinës.

    Tok me bashkëshortin, kjo po shkon drejt Qabesë, për ta kryer ritualin e haxhit, si një nga pesë shtyllat kryesore të fesë islame.

    “Po shkoj me burrin, është shumë Sevda shumë ditë e mirë e sotit që po shkojmë ishallah Allahu na pranon, është hera e parë, më gjithë qef e sevda po shkoj”, tha Hamide Morina, haxhilere.

    Paraditen e së dielës, u nis grupi i parë prej 215 haxhilerëve. Ndërsa për në vendet e shenjta të myslimanëve, do të shkojnë 1576 kosovarë.

    Disa prej tyre shprehen se udhëtimi për në Mekë e Medine, është më i veçantë se gjetiu.

    “Çshtë hera e parë që shkojë në Haxh e në Umre jam kanë dy herë, mezi po pres me shku në vende të shenjta e të bekume”, tha Fatmir Maliqi, haxhiler.

    “Është një ndjenjë shumë e veçante, këtë vit jam më I kompletuar se e kom nënën edhe bashkëshorten”, tha Osman Krasniqi haxhiler.

    “Është emocion shpirtëror, së pari shëndetin që e kam e edhe kushtet, ishalla zoti ua mundëson të gjithëve me shkua”, tha Zymer Tahiri, haxhiler.

    Ndër lutjet që do t’i bëjnë gjatë kohës së haxhit, thonë se do ta kenë Kosovën.

    “Do të lutemi për vendin tonë për atdheun tonë, për popullin tonë për Kosovën tonë të dashur”, tha Bujar Fera, haxhiler.

    Haxhilerët kosovarë udhëtojnë të ndarë në grupe, ndërsa fluturime do të ketë deri në mesnatën e së hënës.

    Nga Bashkësia Islame thonë se interesimi për të shkuar në këto vende Arabe është I madh, madje për vitin 2025, nuk ka më vende të lira.

    “Interesimi është rritë, tashmë pothuajse edhe për vitin e ardhshëm e kemi mbushur numrin, në listë të pritjes janë edhe për vitin 2026”, tha Fitim Gashi nga Bashkësia Islame.

    Çmimi për ta kryer haxhin, në Kosovë sivjet kushtoi 6450 euro për person, që është çmimi më i lartë ndonjëherë.

  • Presidentja Osmani ngushëllom familjarët dhe kolegët për vdekjen e Agim Vatovcit

    Presidentja Osmani ngushëllom familjarët dhe kolegët për vdekjen e Agim Vatovcit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjarët, të afërmit, kolegët dhe Shoqatën e Personave me Aftësi të Kufizuara për ndarjen nga jeta të Agim Vatovcit.

    Postimi i plotë i Presidencës:

    Presidentja Vjosa Osmani ngushëllon familjen, të afërmit, kolegët dhe Shoqatën e Personave me Aftësi të Kufizuara për ndarjen nga jeta të Agim Vatovcit

    Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të avokuesit për të drejtat e njeriut, Agim Vatovci, njëherësh kryetar i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara.

    Kontributi i tij për avokimin, fuqizimin dhe mbështetjen e personave me nevoja të veçanta, do të mbetet shembull për brezat.

    Përkushtimi dhe pasioni i tij i palëkundur për këtë kauzë, luajti rol të jashtëzakonshëm në transformimin e jetës për personat e kësaj kategorie.

    Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara!

    Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.

    I përhershëm qoftë kujtimi për Agim Vatovcin!

  • Vdes avokuesi i të drejtave të njeriut, Agim Vatovci

    Vdes avokuesi i të drejtave të njeriut, Agim Vatovci

    Ka ndërruar jetë Agim Vatovci, ish-kryetari i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë.

    Lajmin e ka konfirmuar djali i tij, Burimi.

    “Ju njoftoj se babai im ka ndërruar jetë”, ka shkruar ai në një postim.

    Vatovci ishte një avokat i madh i të drejtave të njeriut dhe u shqua për aktivizmin e tij.

  • Scholz: Do ta mbrojmë çdo centimetër katror të territorit të NATO-s

    Scholz: Do ta mbrojmë çdo centimetër katror të territorit të NATO-s

    Vendimi i NATO-s së voni për ta përforcuar kufirin e vet lindor ka për qëllim ta frenojë Rusinë, tha të dielën kancelari gjerman, Olaf Scholz.

    Ai tha se Moska duhet ta ketë të qartë se aleanca ushtarake do të jetë e gatshme për ta mbrojtur veten, nëse është e nevojshme.

    Duke folur në Forumin Ekonomik Gjerman, ku mori pjesë edhe kryeministrja e Lituanisë Ingrida Simonyte, Scholz tha se Gjermania ka luajtur rol udhëheqës në praninë e NATO-s në vendet e baltikut në kufi me Rusinë tash e një dekadë.

    “Për shkak se kërcënimi nga Rusia do të vazhdojë, ne dhe aleatët e tjerë vendosëm vitin e kaluar të zhvendosnim njësite shtesë në vendet baltike, si dhe për ta vendosur atje përherë një brigadë të tërë në të ardhmen”, tha Scholz.

    “Por ky ndryshim në politikën e sigurisë është i nevojshëm për t’i treguar Rusisë: Ne jemi të gatshëm për ta mbrojtur çdo centimetër katror të territorit të NATO-s kundër sulmeve”, shtoi ai.

    Ai theksoi se diplomacia do të jetë e suksesshme vetëm nga pozicioni i forcës.

    Në fillim të kësaj jave, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i paralajmëroi vendet anëtare të NATO-s të mos e lejonin Ukrainën të kryejë sulme me armët e tyre brenda Rusisë, pasi disa vende aleate të Perëndimit vendosin t’i heqin kufizimet ndaj Kievit për përdorimin e armëve me të cilat e furnizojnë.

    Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i hodhi poshtë paralajmërimet e Putinit të premten, duke thënë se aleanca ka dëgjuar shumë herë paralajmërime të tilla në të kaluarën dhe se vetëmbrojtja nuk nënkupton përshkallëzim.

  • Ka luajtur me shumë yje të futbollit botëror, por ja kush janë tre më të mirët sipas Valon Berishës

    Ka luajtur me shumë yje të futbollit botëror, por ja kush janë tre më të mirët sipas Valon Berishës

    Valon Berisha në një intervistë ekskluzive për A-Play në ATV shpalosi detaje nga karriera e tij, lojtarët më të mirë që ka luajtur me ta, skuadrat e tij favorite për EURO 2024 si dhe mesfushorët më të mirë në botë sipas tij.

    Berisha, i cili është i ftuar tek Kosova për ndeshjen miqësore ndaj Norvegjisë tha se kjo ndeshje është e veçantë për të ngase përballet ndaj shtetit ku u rrit.

    Ndër të tjera Berisha tregoi se ka shoqëri me Haaland dhe i përcjell sukseset e tij.

    I pyetur se nëse Haaland e njeh Kosovën, Berisha tha se Haaland e njeh mirë Kosovën.

    Për lojtarët më të mirë që ka luajtur me ta, Valon Berisha përmendi Sadio Mane dhe Jonathan Soriano.

    Kurse për mesfushorët e tij favorit në botë sipas tij, Berisha tha se janë Rodri, De Bruyne dhe Toni Kroos.

    Ndiqeni intervistën e tij më poshtë.

  • Gjendja sot në Prevallë, me parkime kaotike dhe mbeturina kudo

    Gjendja sot në Prevallë, me parkime kaotike dhe mbeturina kudo

    Këtë të diel, gjendja në Prevallë ishte problematike për shkak të veturave të parkuara vend e pa vend, të cilat pengonin lëvizjen e këmbësorëve.

    Një problem tjetër i madh ishte ndotja e ambientit nga mbeturinat, për shkak të mungesës së kontejnerëve.

    Në videot e siguruara nga ATV, shihet se si parkimi i veturave është i mbingarkuar, po ashtu edhe mbeturina të shumta të hedhura vend e pa vend./atvlive.tv