ATV

Blog

  • Komuna e Prishtinës po e diskuton planin për Kalabrinë, PDK s’e mbështetë

    Komuna e Prishtinës po e diskuton planin për Kalabrinë, PDK s’e mbështetë

    Kuvendi komunal i Prishtinës është duke e diskutuar planin për Lagjen Kalabria, raporton EO.

    Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka thënë se disa banorëve duhet t’iu kthehet koeficienti nga 1.5 në 2.4, sepse ata nuk kanë blerë për ndërtim, por jetojnë me dekada aty.

    “E para, banorët të cilëve iu është përcaktuar 1.5 koeficienti t’i kthehen në 2.4, janë rreth 20 familje qe si kanë ble për tregti, por janë banorë që banojnë aty me dekada e ndoshta edhe me shekuj. Këto familje ndër vite bëjnë jetë të rëndë për shkak se pushtetet komunale nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta. Vërejtja e dytë ka të bëj me stacionin e autobusëve. Në planin e ri kryetar ju propozoni koeficientin më të madh. Arsyetimet për kompensim për unazën e qytetit nuk qëndrojnë, unaza e madhe duhet të bëhet bashkë me pushtetin qendror”, ka thënë Sveçla.

    Ndërkaq shefja e asamblistëve të LDK-së, Jeta Rafuna, tha se është e lumtur që plani për këtë lagje është vënë në rend dite të Kuvendit Komunal.

    “Kalabria me këtë plan do të ruhet nga betoni, do të krijohen hapësira të gjelbra, për shkolla e çerdhe të reja. Kjo lagje do bëhet lagje moderne e Prishtinës, që lidh Prishtinën me Prishtinën e re, dhe Fushë Kosovën. Të dashur qytetar, jemi në dijeni që një pjesë kanë pakënaqësi me trajtimin e parcelave, por është me rëndësi që ky plan të trajtohet i tillë. Ka pasur vlerësime për koeficientet e tilla, por mendojmë që të njëjtës t’i rritet vlera siç e përcakton ligji”, theksoi Rafuna.

    Por, kundër këtij plani doli, Partia Demokratike e Kosovës.

    Shefi i asamblistëve të kësaj partie, Leotrim Retkoceri, tha se sot është njëra nga seancat më të rëndësishme që do të vendos për fatin e planit rregullues, për lagjen Kalabria.

    “Ka pabarazi në ketë plan, e kjo nuk është e drejtë, sepse pritjet kanë qenë të rritet infrastruktura publike. E pamë arsyetimin për t’ia rrit vlerën publike, asnjëherë gjatë fushatës se kemi dëgjuar kryetarin Rama se vlera i rritet pronës publike duke e ndërtuar. Jemi tu fol për vitin 2024 dhe ky plan është i ngjashëm me një që ka ndodh në Prishtinën e re. Kolegë mos bini pre e pazarit, sepse e justifikon një plan te keq”, tha Retkoceri.

    Ai pati edhe një mesazh për asamblistët e LDK-së, duke iu thënë atyre se gjysma e grupit nuk janë për ta votuar këtë plan.

  • ​Ja sa persona aplikuan këtë vit për statusin e viktimave të dhunës seksuale

    ​Ja sa persona aplikuan këtë vit për statusin e viktimave të dhunës seksuale

    Mbi dy mijë persona kanë aplikuar deri më tani për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale.

    Kurse, pranë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, këtë vit kanë deponuar historitë e tyre 81 gra e burra.

    Kështu u tha para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat Njeriut, ku u nënvizua se këtë vit ka më shumë raste të cilat janë trajtuar nga gjykata.

    “Është gati i njëjtë trendi i aplikimeve. Është mirë që është zgjatur afati për dy vjet sepse po vazhdojnë aplikimet. I kemi 2083 raste, të aprovuar 1650, 316 të refuzuara. 40 raste janë në pritje, 50 janë të patrajtuara”, theksoi kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit, Leonora Selmani.

    Rreth 20 mijë gra e burra nga Kosova janë dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Në korrik të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar dënimin e parë për kryerje të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    Ish-rezervisti i policisë serbe, Zoran Vukotiq, është dënuar me dhjetë vjet burgim.

  • Sot fillon Java e Krenarisë në Prishtinë

    Sot fillon Java e Krenarisë në Prishtinë

    Sot nis Java e Krenarisë në Prishtinë me sloganin ‘Kemi qenë dhe do t’jemi’.

    Lista e ngjarjeve të kësaj jave:

    – Hapja Zyrtare e Javës së Krenarisë (E hapur për media)

    – Let’s Pride – Musica Edition (Jo e hapur për media)

    – Konferenca ‘Rrugëtimi drejt gjithëpërfshirjes’ (E hapur për media)

    – Ekspozimi i Arkivave Queer (E hapur për media)

    – Aksoni Rrugor ‘Sheshi i Krenarisë’ (E hapur për media)

    – Koncert nga Astrit Ismaili: The First Flower (E hapur për media)

    – Shfaqja ‘Unë jam vetë grua’ (E hapur për media)

    – Bisedë: Festivalet në Kosovë dhe apekti i queerness (Jo e hapur për media)

    – Vizitë në ekspozitën ‘you know me so well’ (E hapur për media)

    – Shfaqja ‘Romeo dhe Romeo’ (Jo e hapur për media)

    – Audio-ekspozitë ‘More Women’ (E hapur për media)

    – Drag Show (Jo e hapur për media)

    – Parada e Krenarisë 2024 (E hapur për media)

    – Koncerti Prishtina Pride: Krejt bashkë! (E hapur për media)

  • ​Një tërmet me magnitudë 6.0 godet Japoninë

    ​Një tërmet me magnitudë 6.0 godet Japoninë

    Një tërmet me magnitudë 6.0 goditi provincën Ishikawa të Japonisë herët të hënën.

    Tërmeti ndodhi në orën 6:31 të mëngjesit (21:31 GMT të dielën) në qytetin Suzu në bregun verilindor të Gadishullit Noto, sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë.

    Gadishulli i Notos u godit nga një tërmet me magnitudë 7.6 në ditën e Vitit të Ri, i cili vrau 260 njerëz. Më shumë se 3,000 njerëz ende jetojnë në strehimoret e evakuimit.

    Lëkundjet e reja u regjistruan në një thellësi prej 10 kilometrash (6.21 milje) dhe nuk shkaktuan paralajmërim për cunami.

    Të paktën pesë shtëpi u dëmtuan në qytetin historik Wajima, raportoi Kyodo News me bazë në Tokio.

    Deri më tani nuk raportohet për të vdekur apo të lënduar.

    Lëkundjet u ndjenë në të gjithë Ishikawa dhe në provincat fqinje duke përfshirë Fukui dhe Niigata. Në rajon vazhdojnë të raportohen pasgoditje.

  • ​Vapa brutale shkakton vdekjen e më shumë se 50 njerëzve në Indi në tre ditë

    ​Vapa brutale shkakton vdekjen e më shumë se 50 njerëzve në Indi në tre ditë

    Më shumë se 50 njerëz kanë vdekur në Indi gjatë tre ditëve të fundit, pasi një vapë brutale vazhdon të përfshijë disa pjesë të vendit.

    Rreth 33 persona vdiqën në shtetin verior të Uttar Pradesh gjatë fundjavës, ndësa në shtetin Odisha (Orissa), rreth 20 njerëz vdiqën për shkak të nxehtësisë, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve ANI.

    Shumë prej këtyre vdekjeve u raportuan më 1 qershor ndërsa India votoi në fazën e fundit të votimit për zgjedhjet e saj të përgjithshme. Rezultatet e zgjedhjeve pritet të shpallen më 4 qershor.

    Çdo pesë vjet, India mban zgjedhjet e saj të përgjithshme në muajt e verës, prill dhe maj. Por këtë vit temperaturat kanë qenë rekord, ku vendi po përjeton valë të nxehta të shpeshta, më intensive dhe më të gjata.

    Ministria federale e shëndetësisë thotë se ka pasur të paktën 56 vdekje të konfirmuara për shkak të të nxehtit nga 1 marsi deri më 30 maj.

    Në Uttar Pradesh, disa policë vullnetarë, zyrtarë të votimit, roje sigurie dhe staf sanitar ishin midis atyre që vdiqën gjatë fundjavës.

    Navdeep Rinwa, shefi zgjedhor i shtetit, u tha gazetarëve se familjeve të personelit zgjedhor të vdekur do t’u jepej një kompensim monetar prej 1.5 milion rupi (18,000 dollarë; 14,000£).

    Z. Rinwa tha gjithashtu se një burri që po qëndronte në radhë për të votuar i ra të fikët për shkak të vapës. “Votuesi u transportua në një institucion shëndetësor, ku u konstatua i vdekur pas mbërritjes,” tha ai.

    Vdekje të dyshuara të lidhura me nxehtësinë janë raportuar gjithashtu nga shtetet e Bihar, Madhya Pradesh dhe Jharkhand.

    Nxehtësia në Indinë veriore dhe qendrore dhe pjesë të perëndimit ka qenë e pandërprerë për dy javët e fundit, me temperaturat maksimale që lëvizin rreth 45-46C për ditë të tëra dhe madje deri në 50C në disa zona.

    Disa rajone po përjetojnë mungesa të mëdha të ujit dhe energjisë elektrike për shkak të rritjes së konsumit të energjisë./BBC/

  • Gjenden pesë arkivole me mbishkrime pranë Kullës Eiffel, arrestohen 3 persona

    Gjenden pesë arkivole me mbishkrime pranë Kullës Eiffel, arrestohen 3 persona

    Pesë arkivole të mbështjellë me flamuj francezë me fjalët “ushtarët francezë në Ukrainë” të shkruara mbi to, janë gjetur pranë Kullës Eiffel në Paris.

    Siç raporton AFP, në lidhje me ngjarjen policia ka arrestuar tre persona.

    Aty pranë u arrestua shoferi i kamionit që transportonte arkivolet. Ai i tha policisë së Parisit se ishte paguar 40 euro për të transportuar dy persona të tjerë dhe ngarkesën e tyre.

    Sipas AFP, shoferi kishte mbërritur nga Bullgaria një natë më parë.

    Dy të dyshuar të tjerë u arrestuan më vonë në anën tjetër të Parisit, në stacionin e autobusëve Bercy, ku ata ishin gati të hipnin në një autobus për në Berlin. Njëri nga të arrestuarit ishte ukrainas dhe tjetri gjerman.

    Motivi i tyre është i paqartë, por mbishkrimi në arkivole ka të ngjarë t’i referohet diskutimeve në lidhje me mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë, të iniciuara nga presidenti francez Emmanuel Macron.

  • ​EURO 2024/ Ndryshime në skuadrën e Italisë

    ​EURO 2024/ Ndryshime në skuadrën e Italisë

    Italia ka konfirmuar zyrtarisht thirrjen e Federico Gattit pas dëmtimeve të pësuar nga Giorgio Scalvini dhe Francesco Acerbi. Veterani i Interit, Acerbi u tërhoq nga kombëtarja javën e kaluar pas vendimit të tij për t’iu nënshtruar një operacioni për të zgjidhur problemet e tij të dhimbshme në ijë, duke reduktuar opsionet e Luciano Spallettit në mbrojtje përpara Kampionatit Evropian.

    Gjërat shkuan keq e më keq për Italinë pasi Scalvini pësoi një dëmtim të ligamentit të përparmë në ndeshjen e fundit të sezonit të Atalantës kundër Fiorentinës të dielën, një dëmtim që do ta mbajë atë jashtë fushës për pjesën e mbetur të vitit kalendarik, përcjellë KosovaPress.

    Siç u njoftua zyrtarisht sot, mbrojtësi i Juventusit, Gatti është thirrur nga Spalletti për t’iu bashkuar skuadrës së “Azzurrëve” në Coverciano. Ai do të bashkohet me shokët e tij të skuadrës në Itali gjatë ditës së sotme për të nisur përgatitjet për Kampionatin Evropian.

    Qendërmbrojtësi 25-vjeçar i Bianconerëve ka bërë vetëm tre paraqitje për Azzurrët në të kaluarën, me paraqitjen e tij më të fundit në fitoren 5-2 ndaj Maqedonisë së Veriut në nëntor.

  • Goditi tre persona me veturë në një parking, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    Goditi tre persona me veturë në një parking, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një burrë i cili në një parking ka goditur me veturë tre persona.

    Rasti thuhet se ka ndodhur të dielën në Prishtinë.

    “Raportohet se në një parking, një veturë me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar, ka goditur tre këmbësor që ishin afër një autobusi të parkuar. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar tre persona meshkuj”, thuhet në raportin 24-oërsh të Policisë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari thuhet se është dërguar në mbajtje.

  • Claudia Sheinbaum zgjedhet si presidentja e parë grua në Meksikës

    Claudia Sheinbaum zgjedhet si presidentja e parë grua në Meksikës

    Claudia Sheinbaum është zgjedhur presidentja e parë grua e Meksikës në një fitore historike dërrmuese.

    Autoriteti zyrtar zgjedhor i Meksikës tha se rezultatet paraprake treguan se ish-kryebashkiaku 61-vjeçar i qytetit të Meksikos fitoi midis 58% dhe 60% të votave në zgjedhjet e së dielës.

    Kjo i jep asaj një epërsi prej gati 30 pikë përqindjeje ndaj rivales së saj kryesore, biznesmenes Xóchitl Gálvez. Zonja Sheinbaum do të zëvendësojë mentorin e saj, Presidentin në largim Andrés Manuel López Obrador, më 1 tetor.

    Zonja Sheinbaum, një ish-shkencëtare e energjisë, ka premtuar vazhdimësi, duke thënë se ajo do të vazhdojë të ndërtojë mbi “përparimet” e bëra nga z. López Obrador.

    Përpara se të kandidonte për presidente, zonja Sheinbaum ishte kryetare e qytetit të Meksikos, një nga postet më me ndikim politik në vend dhe që shihet si hapja e rrugës për presidencën.

    Zonja Sheinbaum, gjyshërit e nënës hebrenj të së cilës emigruan në Meksikë nga Bullgaria duke ikur nga nazistët, pati një karrierë të shkëlqyer si shkencëtare përpara se të merrej me politikë.

    Të dy prindërit e saj ishin shkencëtarë dhe zonja Sheinbaum studioi fizikë përpara se të vazhdonte të merrte një doktoraturë në inxhinierinë e energjisë.

    Ajo kaloi vite në një laborator kërkimor të njohur në Kaliforni duke studiuar modelet meksikane të konsumit të energjisë dhe u bë eksperte për ndryshimet klimatike.

    Kjo përvojë dhe aktivizmi i saj studentor përfundimisht i dhanë postin e sekretares së mjedisit për Mexico City në kohën kur Andrés Manuel López Obrador ishte kryebashkiak i kryeqytetit.

    Në vitin 2018 ajo u bë kryetarja e parë femër e qytetit të Meksikos, një post që e mbajti deri në vitin 2023, kur u largua për të kandiduar për presidente.

  • Szunyog: BE mbështet Kosovën me 75 milionë euro si pjesë e Paketës energjetike

    Szunyog: BE mbështet Kosovën me 75 milionë euro si pjesë e Paketës energjetike

    Ambasadori i BE-së në Kosovë Tomas Szunyog ka deklaruar gjatë takimit me delegacionin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë se BE-ja e mbështet Kosovën me 75 milionë euro si pjesë e Pakos për Mbështetjen e Energjisë.

    Siç ka kumtuar Szunyog përmes rrjetit social “X”, në takim u konstatua se Plani i Rritjes ofron një nxitje shtesë për reforma të përshpejtuara dhe siguron burime financiare për projekte të rëndësishme.

    “Duke theksuar se tranzicioni i gjelbër, integrimi dhe dekarbonizimi i sektorit të energjisë janë pjesë integrale e Agjendës së Reformës së Kosovës, diskutuam edhe për zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë. U theksua se BE-ja e mbështet Kosovën me 75 milionë euro në kuadër të Pakos për Mbështetjen e Energjisë”, thuhet në njoftim.