ATV

Blog

  • Shkarkohet kryesuesi i kuvendit komunal të Drenasit, Milaim Hajdari

    Shkarkohet kryesuesi i kuvendit komunal të Drenasit, Milaim Hajdari

    Kryesuesi i Kuvendit komunal të Drenasit, Milaim Hajdari është shkarkuar sot.

    Shkarkimi i Hajdarit, është bërë me 16 vota pro.

    Milaim Hajdari është nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa shkarkimin e tij për ATV-në e kanë konfirmuar asmblistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Egzona Tërdevci, nga LV në Drenas, në një përgjigje për ATV-në, ka thënë se Hajdari nuk ka qenë i përgjegjshëm për pozitën që ka mbajtur.

    Kjo është përgjigja e plotë e Tërdevcit:

    Sa i përket pikës për të cilën jemi mbledhur, si Vetëvendosje! pajtohemi plotësisht që z.Milaim Hajdari nuk duhet të jetë më kryesues i kuvendit komunal në Drenas.

    Në fakt nga përbërja e kuvendit komunal kryesuesi që nga fillimi është dashur ti takoj opozitës por me disa shitblerje të vogla atëherë i ishin siguruar votat z.Hajdari për kryesues.

    z.Hajdari nuk ka qenë asnjëherë në nivel të detyrës në rolin e tij si kryesues, të gjithë ne në këtë kuvend por edhe qytetarët që na kanë përcjell jemi dëshmitarë se në seancat e kuvendit komunal axhenda, dinamikat e të gjitha cështjet e punës së Kuvendit janë përcaktuar nga z.Lladrovci.

    Asnjëherë nga marrja e mandatit Komiteti për Politikë dhe Financa nuk është marrë parasysh si trupë, mbledhjet e këtij komiteti më shumë janë mbajtur për formalitet sesa që iu është vlerësuar mendimi anëtarëve rreth përcaktimit të pikave të seancave për kuvendin komunal.

    Shkeljet e z.Hajdari janë të shumta, por po munohem ti përmbledh në disa pika të shkurtëra:

    -Në seancën e datës 27.04.2022 z.Hajdari bashkë me z.Lladrovcin kishin provuar ta kontrabandojnë një vendim të dëmshëm për disa banorë në Drenas me vetëm 15 vota, pas reagimeve tona si asambleistë PDK ishte detyruar ta sjell një kolege tonën nga pushimi i lehonisë për të votuar.

    -Z.Hajdari megjithëse obligohej ndryshe me ligj në shumë situata nuk ka hedhur fare në votim propozimet tona për plotësim të rendit të ditës,duke na mohuar kësisoj të drejtat tona si asambleist.

    Ka edhe më shumë por para jush po i paraqes dy shkelje që z.Hajdari I ka bërë në këtë aspekt, kur po e diskutonim ndryshimin e rregullores për taksa dhe tarifa asnjë nga propozimet tona nuk u hodh në votim,megjithëse neve na takon një e drejtë e tillë, por më skandalozja është ai për planin e punës së Kuvendit, një cështje që lidhet direkt me punën tonë si asambleist, z.Hajdari as për këtë plan nuk mori paraysh sugjerimet tona për ta ndryshuar.

    Kur jemi tek plani, një plan i tillë është vec në letër se tashmë jemi në muajin qershor dhe asnjë seancë në këta 6 muaj nuk është mbajtur sipas datave të përcaktuara në atë plan.

    -Z.Hajdari ka lejuar vazhdimisht sjellje jo etike dhe sulme në baza personale të kryetarit të komunës ndaj neve asambleiste.

    -Duke qenë kryesues ai është dashur të përkujdeset me sekretarinë eKuvendit që asambleistët ti kenë materialet e seancave me kohë,por ne që jemi këtu e dijmë se sa jo profesionale ka qenë me raste shpërndarja e këtyre materialeve.

    Duke marrë parasysh të gjitha këto shkelje ne pajtohemi plotësisht që z.Hajdari nga sot të mos jetë kryesues në KK Drenas.

  • Kuinti, BE dhe OSBE i reagojnë Qeverisë për shpronësimet në veri

    Kuinti, BE dhe OSBE i reagojnë Qeverisë për shpronësimet në veri

    Vendet e Kuinti, BE-së dhe OSBE-së i kanë reaguar Qeverisë së Kosovës lidhur me vendimin e 30 majit për shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe.

    Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, nëpërmejt një deklarate kanë shprehur keqardhje për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës më 30 maj që të finalizojë shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    “Disa nga misionet tona kishin ndarë më herët me Qeverinë vlerësimet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, që tregon se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar. Përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim”, thuhet në deklaratë.

    Aty theksohet se është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve dhe titullarëve të të drejtave të respektohen plotësisht.

    “Ndarazi, ne i kemi shprehur shqetësimet tona Qeverisë se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Ahtisaarit dhe kemi inkurajuar atë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat përpara se ta miratojë atë. Ne inkurajojmë qeverinë e Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë themelet e shoqërive vitale dhe demokratike. Për më tepër, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj parimeve të Ahtisaarit, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë”, thuhet në deklaratë.

  • Në ditën e çlirimit, Ferizaj do të bëhet me shtatoren e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair

    Në ditën e çlirimit, Ferizaj do të bëhet me shtatoren e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair

    Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, do të ketë një shtatore në Kosovë. Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës, qyteti i Ferizajt, në Ditën e Çlirimit, do ta përurojë shtatoren e Blair.

    Labinot Tahiri ka postuar fotot të shtatores së ish-kryeministrit britanik dhe ka treguar se kush ka ndihmuar në ngritjen e saj.

    “Jam krenar që sa do pak kontribova në mënyrat e mia se bashku me shumë biznese dhe iniciativën e Bashkim Fazliut ish veteran i Uçk-së për tu bërë kjo shtatore e ish kryeministrit britanez Tony Blaier , në qytetin e Ferizajt! Tani, kur behet fjalë për shtatore të shqiptarëve dhe për ata që i ndihmuan Kosovës në çlirimin e saj, mos të hezitojmë , por të mundohemi të kontribojmë ditë e natë për çdo vlerë kombetare. Me 12 qershor shihemi në Ferizaj në ditën e çlirimit të qytetit. Me dashuri, Labinot Tahiri Kosovë e Shqipërisë”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në “Facebook”.

    Tony Blairin pritet të ketë edhe një adresim në Kuvendin e Kosovës në një seancë solemne. Data e seancës pritet të caktohet sot.

  • Jep dorëheqje gjyqtari i Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou

    Jep dorëheqje gjyqtari i Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou

    Gjyqtari i Dhomave të Specializuara, Nicolas Guillou, ka dorëzuar sot dorëheqjen e tij tek kryetarja e Gjykatës Ekaterina Trendafilova.

    Lajmin e ka konfirmuar vetë Gjykata Speciale përmes një njoftimi për media, duke treguar se Guillou ka marrë një pozitë të re në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

    “Më 6 qershor 2024, gjyqtari Nicolas Guillou i dorëzoi Presidentes Ekaterina Trendafilova dorëheqjen e tij si gjyqtar në listën e gjyqtarëve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHK). Dorëheqja e gjyqtarit Guillou vjen pas zgjedhjes së tij si gjyqtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe marrjes së detyrave të tij atje.

    Presidentja Trendafilova e përgëzoi gjyqtarin Guillou për zgjedhjen e tij dhe shprehu vlerësimin e saj të sinqertë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mandatin e KSK-së përmes, ndër të tjera, punës së tij si Gjyqtar Paragjyqësor dhe Gjyqtar i vetëm”, thuhet në njoftim.

  • ​Protestë e dhunshme në ambientet e jashtme të Kuvendit të Shqipërisë

    ​Protestë e dhunshme në ambientet e jashtme të Kuvendit të Shqipërisë

    Me tensione është shoqëruar protesta e thirrur nga opozita e Republikës së Shqipërisë jashtë Kuvendit ditën e sotme.

    Kur në Kuvend po zhvillohet seanca plenare, protestuesit u kanë vënë zjarrin gomave jashtë ambienteve të Kuvendit.

    Protesta me mbështetësit e opozitës agravoi deri në përplasje fizike dhe hedhje molotovësh ndaj policisë.

    Fillimisht protestuesit kanë shtyrë policinë, e më pas kanë hedhur përveç molotovëve, edhe gurë në drejtim të tyre.

    Gjatë tubimit është kërkuar vazhdimisht që të hyjnë në ambientet Kuvendit, aty ku po mbahet seanca plenare, po ashtu e shoqëruar me tensione./TopChannel/

  • Remi: Koha që të hiqen pengesat nga ura e Ibrit e të çmontohen mbetjet e propagandës serbe

    Remi: Koha që të hiqen pengesat nga ura e Ibrit e të çmontohen mbetjet e propagandës serbe

    Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Rrustem Mustafa tha se “është e domosdoshme” që të rihapet për qarkullim ura e Ibrit në Mitrovicë.

    Pengesat mbi urë, Komandant Remi tha se duhet të hiqen “së bashku me çmontimin e mbetjeve të propagandës së shërbimit serb”, ndërsa bën thirrje për “vigjilencë, liri dhe siguri” për të gjithë qytetarët.

    “Ura që bashkon dy brigjet e Ibrit-Mitovicën. Në çdo cep të globit, ura simbolizon unitet dhe jo ndarje. Narrativa serbe se ura e Ibrit paraqet një kërcënim për sigurinë e popullsisë lokale serbe në veriun e Kosovës është bërë e pavlefshme. Sot, serbët në veri të vendit, së bashku me të gjitha komunitetet e tjera, janë dhe ndihen të sigurt”, shkroi fillimisht Mustafa në një postim në Facebook.

    Sipas tij, “është e qartë se kufizimet e mëparshme mbi lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës në këtë rajon ishin orkestruar nga shërbimet serbe”.

    “Fatkeqësisht, kjo propagandë, qoftë qëllimisht apo pa dashje, gjeti njëfarë besueshmërie brenda komunitetit ndërkombëtar”, shkroi ai.

    Tash, ai thotë se ka ardhur koha që të hiqen të gjitha pengesat nga ura e Ibrit.

    “Ndërsa të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht prejardhjes etnike, tani gëzojnë liri dhe siguri të plotë në veri, është e domosdoshme që të heqim të gjitha pengesat fizike nga ura e Ibrit, së bashku me çmontimin e mbetjeve të propagandës së shërbimit serb. Bëjmë thirrje për vigjilencë, liri dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës në të gjithë territorin tonë. Ka ardhur koha që ura të përmbushë qëllimin e saj të vërtetë: të simbolizojë dhe lehtësojë unitetin fizik dhe social”, shkroi Remi.

  • ​Hoti: Biseda mes Kusarit e Radoiçiqit në koordinim me Kurtin, të hapet rruga për zgjedhje

    ​Hoti: Biseda mes Kusarit e Radoiçiqit në koordinim me Kurtin, të hapet rruga për zgjedhje

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është shprehur i bindur se bisedat telefonike të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me terroristin Milan Radoiçiqi janë bërë me dijeninë dhe koordinimin e plotë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hoti ka thënë për KosovaPress se këtë situatë e rëndon edhe më shumë fakti që biseda është bërë në kohën kur Radoiçiq tashmë ishte në kërkim sipas legjislacionit në Kosovë.

    “Me shqetësim edhe për nga përmbajtja e këtyre bisedave, por edhe për mënyrën se si është qas mazhoranca atyre përgjimeve. Në kohën kur është bërë ajo bisedë, ai person ka qenë i ndjekur sipas ligjit, pra është biseduar me një person që është në kërkim sipas legjislacionit në Kosovë. Bisedat që janë bërë me atë person, nuk janë me një zyrtar të thjeshtë ose të një qytetari privat, janë të shefes së Grupit Parlamentar të mazhorancës në Kuvend, dhe nuk ka si të interpretohet ndryshe, sepse Kusari-Lila, si shefe e grupit parlamentar të mazhorancës vepron dhe koordinon agjendën legjislative në emër të kryeministrit. Pra, ajo atë bisedë nuk ka logjikë ta ketë bërë pa dijeninë paraprake të kryeministrit, dhe pa informuar pas bisedës atë, nuk ka si të kuptohet ndryshe. Por duke parë mënyrën si i kanë menaxhuar këta njerëz proceset, nuk pret reagim tjetër prej këtyre”, deklaroi Hoti.

    Në lidhje me pretendimet e kryeministri Kurti se këto biseda janë të montuara, Hoti i ka bërë thirrje të parit të ekzekutivit që të kërkojë hetime për t’i sqaruar këto pretendime.

    “Nëse kryeministri ka një fije integriteti, dhe beson se përgjimet janë të montuara, duhet të kërkojë nga prokuroria që të angazhohet për të ndjekë personat që po montojnë këto. Ndryshe, mbesin fjalë vetëm për publikun pa asnjë mbulesë”, thotë Hoti.

    Në anën tjetër, deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti ka këmbëngulur që Kurti duhet të jap dorëheqjeje, pasi, sipas tij, ai tashmë është dorëzuar dhe nuk është në gjendje të çoj mandatin e tij deri në fund.

    “Duket që nuk ka disponim politik për të shpërndarë Kuvendin. Më vjen keq edhe për mënyrën si interpretohet shpërndarja e Kuvendit, duke e fut në lojë edhe opozitën në këtë aspekt. Në momentin që kryeministri rreth dy muajve ka dalë publikisht dhe ka thënë që është i gatshëm që të shpërndahet Kuvendi dhe të shkojë vendi në zgjedhje, ai praktikisht ka dhënë dorëheqje, është dorëzuar në një mënyrë, nuk është në gjendje të çoj mandatin e tij deri në fund. Tash një person që ka integritet politik për fjalën e dhënë karshi publikut, do duhej të jepte dorëheqje, dhe ta pranonte përgjegjësinë për dështimin në proceset kapitale që po shkon vendi. E vërteta e kësaj është se kryeministri efektivisht ka dhënë dorëheqje, ai duhet ta materializojë këtë përmes aktit të dorëheqjes, në mënyrë që të hapet rruga për zgjedhje të parakohshme. Ndryshe, në vjeshtë futemi në afate të rregullta kohore për zgjedhje”, thotë Hoti në fund. /kp

  • Kosovarët shpenzuan një miliard euro në Shqipëri në vitin 2023

    Kosovarët shpenzuan një miliard euro në Shqipëri në vitin 2023

    Kryetar i AKB-së, Agim Shahini, ka deklaruar se kosovarët shpenzuan rreth një miliard euro në Shqipëri në turizëm, investime dhe import në vitin 2023.

    “Këtë vit po mungon një ofertë konkurse për pushuesit tone ndonëse Greqia, Turqia, Spanja dhe Kroacia kanë oferta interesante për pushuesit kosovarë. AKB vitin e kaluar ka paralajmëruar se pas liberalizimit të vizave orjentimishte janë vendet e BE qe do thithin pushuesit kosovarë”.

  • Paralajmërimi i ministrit gjerman të Mbrojtjes: Duhet të jemi gati për luftë deri më 2029

    Paralajmërimi i ministrit gjerman të Mbrojtjes: Duhet të jemi gati për luftë deri më 2029

    Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka thënë se vendi i tij duhet të përgatitet për luftë për shkak të kërcënimeve në rritje nga Rusia.

    “Ne duhet të jemi gati për luftë deri në vitin 2029”, ka thënë Pistorius në Parlamentin gjerman të mërkurën, sipas “Der Spiegel”.

    Komentet e tij vijnë mes frikës së shtuar midis vendeve evropiane, veçanërisht atyre në Evropën Lindore, rreth agresionit të mundshëm rus që shtrihet përtej Ukrainës.

    “Ne nuk duhet të besojmë se Putini do të ndalet në kufijtë e Ukrainës kur të arrijë kaq larg”, ka thënë Pistorius.

    Ditët e fundit, kryeinspektori i ushtrisë gjermane, gjeneral Carsten Breuer ka thënë se do të duheshin pesë deri në tetë vjet që Rusia të rikuperojë forcat e armatosura nga lufta në Ukrainë – duke i dhënë afat NATO-s të përgatitet deri në vitin 2029 për një luftë të mundshme.

    “Në rast urgjence, ne kemi nevojë për të rinj dhe burra që mund ta mbrojnë këtë vend”, ka shtuar ai.

    Gjatë një vizite në qytetin lituanez të Pabrades – ku ushtarët gjermanë kryejnë të ashtuquajturat stërvitje ushtarake Quadriga së bashku me trupat lituaneze, holandeze dhe franceze – ministri gjerman i Mbrojtjes u shpreh se “bota është ndryshe nga ajo që ishte para 24 shkurtit 2022”, kur Rusia urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

    “Për ne si Bundeswehr [ushtria e Gjermanisë], kjo do të thotë se misioni ka ndryshuar; mbrojtja kombëtare dhe aleanca është fokusi”, ka thënë ai.

  • Kurti: Me Vuçiqin s’kam përdorur asnjë fjalë që s’është e përshtatshme, e njëjta s’mund të thuhet për të

    Kurti: Me Vuçiqin s’kam përdorur asnjë fjalë që s’është e përshtatshme, e njëjta s’mund të thuhet për të

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar diçka për diskutimet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    I pyetur se si ka qenë komunikimi ndërmjet tyre, Kurti tha se nuk ka përdorur ndonjë fjalë që s’është e përshtatshme edhe për fëmijët dhe shtoi se kjo nuk mund të thuhet për palën tjetër.

    “Po u bënë shumë aso tryezash më. Në ato takime që i kemi zhvilluar unë kam respektuar gjithmonë rregullat e negociatave. Gjuha e dialogimit është anglishtja dhe gjatë këtyre tri viteve me këso takimesh, nuk mund të gjeni asnjë moment të vetëm ku unë kam përdorurur ndonjë fjalë që nuk është e përshtatshme edhe për fëmijët, e që nuk mund të thuhet për fjalën tjetër”, tha ai mbrëmë në një intervistë për A2CNN.

    Kurti tha se Vuçiqi me ndërkombëtarët është tjetër dhe prandaj, sipas tij, ata “janë sjellur butë me të”.

    “Besoj që ajo çfarë thotë publikisht dhe ajo çfarë ka deklaruar nuk janë të ndryshme, mirëpo ajo çfarë u thotë ndërkombëtarëve në takimet ndaras me ta duket që ata e shohin një Vuçiq tjetër, dhe prandaj janë sjellur edhe më butë me të”, tha Kurti.

    Kryeministri i Kosovës tha se “nuk ka veç një Vuçiq”.

    “Një është kundër Kosovës, që është më i vërteti”, tha ai.