ATV

Blog

  • Arrestimi i kosovarëve në Serbi, njohësit e sigurisë e quajnë revanshizëm ndaj shtrirjes së sovranitetit edhe në veri

    Arrestimi i kosovarëve në Serbi, njohësit e sigurisë e quajnë revanshizëm ndaj shtrirjes së sovranitetit edhe në veri

    Kalimi i qytetarëve të Kosovës nëpër Serbi, për në shtetet evropiane është bërë sfidë, pasi secili rrezikohet të arrestohet nga autoritetet serbe.

    Njëjtë ndodhi edhe me Tefik Mustafën, i cili u arrestua në fillim të këtij muaji derisa po e kalonte kufirin Kosovë-Serbi, në Merdar, raporton Ekonomia Online.

    Njohësit e çështjeve të sigurisë dhe të politikës në vend, thonë se veprimet e Serbisë duhet trajtuar me urgjencë, bashkë me ndihmën e shteteve evropiane dhe ShBA-së.

    Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Dritëro Arifi, arrestimet e kosovarëve në Serbi i ka quajtur kidnapime, të cilat po vazhdojnë që nga paslufta.

    “Kosova është shumë vështirë të bëjë vetëm diçka në këtë, sepse Serbia po vërehet që është një shtet fashist e jo demokratik, nuk e respekton asnjë rregull, as vendor as ndërkombëtar. Kosova krejt çka mund të bëjë është që me partnerët ndërkombëtar ta bëjë një vije të kuqe që më nuk guxon t’i kidnapojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, nëse kanë shqetësime për krimet e luftës atëherë duhet ta bëjmë përmes kanaleve zyrtare të Republikës së Kosovës apo partnerëve ndërkombëtar, pra ekzistojnë një milionë mundësi për të cilat ata mund t’i shprehin nëse ka shqetësime mbi këtë çështje, kjo është më shumë politike se sa që ka të bëj me çështjen e ligjit apo krimet e luftës. Mendoj që qeveria e Kosovës duhet me urgjencë ta marr këtë rast sepse kjo po na përsëritet herë pas here dhe është e dhimbshme sepse kemi persona që ende figurojnë që mbahen në burgje pa ndonjë procedurë të rregullt. Mendoj që Kosova duhet me urgjencë ta ngris në nivelet më të larta të ndërkombëtare, BE dhe ShBA, që ky atak ndaj qytetarëve të Kosovës të përfundoj”, ka thënë Arifi.

    Ndërkohë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se kjo është një formë revanshiste primitive e qeverisë së vendit fqinjë, për shkak të zbatimit të sovranitetit nga ana e Kosovës dhe shtrirjes së zbatimit të ligjit edhe në katër komunat veriore.

    “Ministrja e Jashtme dhe Diasporës pati reagimin në krye me Bashkimin Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte edhe Departamenti Amerikan i Shtetit që pati një reagim dhe kërkoi ndalimin e arresteve arbitrare dhe mendoj që në këtë formë duhet të bëhet trysni mbi Serbinë që të ndalojë këto forma të arresteve arbitrare, por edhe forma tjera të diskriminimit të shqiptarëve që kalojnë transit rrugës për destinacion për perëndim që kanë aktet rrugore për Serbi. E di që para do kohësh ishte ndalimi i autobusëve në ndalim me Kroacinë pa kurrfarë justifikimi për këtë arsye mendoj që duhet të jetë reagimi më i ashpër i ndërkombëtarëve me qëllim që këto forma të ndalohen mos të flas tash edhe për çështje tjera kur shumë persona të autorizuar zyrtarë gjegjësisht edhe zëvendësdrejtori i Policisë, ndalohet dhe mbahet nga BIA, pra një shërbim inteligjent i Serbisë. Kjo tregon se në këtë formë qytetarët sa të kalojnë në pjesën tjetër në kufirin me Serbinë janë pra subjekt i trajtimeve arbitrare gjegjësisht në këtë rast arresteve, përkundër që ne me Serbinë kemi pas një marrëveshje për normalizim të integruar të kufirit, por që ajo u anashkalua, gjegjësisht nuk u respektua nga momenti i arrestimit të Gjuriqit në pjesën veriore të Kosovës, atëherë e shkeli pra urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pra veproj në kundërshtim me atë çka iu urdhërua lidhur me organizimin e tubimeve publike”, theksoi Ibishi.

    Ibishi shtoi se për këtë çështje duhet një trysni më e madhe, ndërkombëtare, ngase këtu po pësojnë qytetarët e Kosovës.“Është e pajustifikueshme që qytetarët pa kurrfarë baze të ndalohen, ashtu si thash në mënyre arbitrare dhe pa justifikim.

    Mendoj që kjo formë do të ketë impakt në gjithë kërkesat e trysnitë sidomos të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që më në fund të ndalet kjo, sepse shihet qartë, se kjo është një lloj revanshizmi për atë çka ligjërisht po zbatohet në pjesën veriore e që ka të bëjë me marrëveshjen dy palëshe”, theksoi ai.

    Ndërkohë, edhe njohësi tjetër i sigurisë, Drizan Shala, thotë se veprimet e autoriteteve serbe ku po i arrestojnë qytetarët e Kosovës që kalojnë nëpër Serbi, është hakmarrje për operacionet e zhvilluara nga institucionet e sigurisë së Kosovës për identifikimin dhe djegien e agjentëve të Serbisë që vepruan në Kosovë.

    “Serbia po iu hakmerret qytetarëve tanë të cilët po lëvizin përmes territorit të Serbisë në drejtim të vendeve evropiane, pra veprime të tilla kemi pasur edhe në të kaluarën edhe arrestimin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të policisë nga komuniteti serb. Pra të gjitha këto janë veprime që mbrapa tyre qëndron Aleksandër Vulini i cili i ka specialitet veprimet e tilla duke e shfrytëzuar BIA-n. Sa i përket çështjes së ndalimit edhe departamenti i shtetit amerikan ka reaguar duke i bërë apel Serbisë që të jetë e kujdesshme sa i përket mbarëvajtjes së procesit të ketë një proces fer dhe transparent por që veprimet tilla nuk do të ndalen. Tanimë është e qartë që Serbia do të vazhdoj tutje dhe të përçojë mesazh në drejtim të institucioneve të Kosovës. Kjo çështje tanimë është e diskutuar dhe është një marrëveshje në Bruksel për lëvizje të lirë që e kanë obligim edhe Kosova edhe Serbia ta zbatojnë për qytetarët e dy vendeve”, tha Shala.

    Tefik Mustafa, u arrestua me 1 qershor nga policia e Serbisë në pikën kufitare në Merdar, nën akuzat për gjoja krime lufte kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999.

  • ​Xhaka e Shaqiri do të shpërblehen me bonuse nëse Zvicra arrin sukses në Euro 2024

    ​Xhaka e Shaqiri do të shpërblehen me bonuse nëse Zvicra arrin sukses në Euro 2024

    Të shtunën, më 15 qershor, Zvicra nis aventurën e Kampionatit Evropian 2024 kundër Hungarisë. Ashtu sikur në të gjitha kampionatet evropiane e botërore, Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin me shokë i presin bonuse të mëdha, gjithmonë nëse skuadra shënon sukses në këtë kompeticion.

    Por sa saktësisht? Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) nuk dëshiron ta zbulojë këtë, por po i mban sekret bonuset për lojtarët. Por ka disa të dhëna. Federata nuk ka qenë gjithmonë aq sekrete në të kaluarën – pagesat e bonusit për Kupat e Botës 2010 dhe 2014 në Afrikën e Jugut dhe Brazil u bënë publike.

    14 vite më parë, shoqata paguante 10 mijë franga për pikë të fituar në fazën e grupeve. Do të kishte qenë 50,000 franga për t’u kualifikuar në raundin e 16-të. Por kjo nuk ndodhi sepse zviceranët dështuan në fazën e grupeve, pavarësisht se fitoi kundër kampionëve të botës, Spanjës. Për katër pikët kundër Spanjës dhe Hondurasit, secili lojtar mori të paktën 40,000 franga, raporton gazeta zvicerane “Blick”, përcjellë KosovaPress.

    “Si gjithmonë, ne nuk publikojmë shifra të detajuara për bonuset. Sipas praktikës së SFV-së gjatë dy viteve të fundit, shpërblimet për këtë turne janë shumë të lidhura me performancën. Nuk ka më bonus pikësh, ka shpërblime për skuadrën pasi të arrijë në 1/8”, shpjegon federata.

    Bonuset e suksesit tashmë janë negociuar nga këshilli i lojtarëve me kapitenin Granit Xhaka dhe pesë bashkëlojtarët e tij Xherdan Shaqiri, Yann Sommer, Manuel Akanji, Remo Freuler dhe Denis Zakaria, si dhe komisioni i bonusit SFV, i kryesuar nga drejtori, Pierluigi Tami.

  • ​Orari i Kosovës në FIBA 3×3 Europe Cup

    ​Orari i Kosovës në FIBA 3×3 Europe Cup

    Për herë të parë në vendin tonë, do të organizohet FIBA 3×3 Europe Cup. Ky event do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë më 8 dhe 9 qershor. Gara do të ketë nga mëngjesi i së shtunës deri në mbrëmje, derisa të dielën zhvillohet ndeshjet çerekfinale, gjysmëfinale dhe finalet.

    Kosova do të paraqitet në të dyja konkurrencat në këtë event dhe synon paraqitje sa më të mira. Vashat e Kosovës janë në grup me Qipron, Andorrën dhe Irlandën.

    Ndërkohë, Dardanët do të ndeshen me Azerbajxhanin, Qipron, Shqipërinë dhe Armeninë.

    Orari i Kosovës

    8 qershor

    10:45 Kosova-Qipro (femrat)

    14:10 Azerbajxhani-Kosova (meshkujt)

    15:25 Irlanda-Kosova (femrat)

    17:15 Shqipëria-Kosova (meshkujt)

    18:05 Kosova-Andorra (femrat)

    19:55 Kosova-Qipro (meshkujt)

    22:10 Kosova-Armenia (meshkujt)

  • Moti për ditën e premte

    Moti për ditën e premte

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të premten do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Sipas IHMK-së vranësirat mund të shfaqen kryesisht rreth relievit malor.

    “Temperaturat minimale parashihet të lëvizin ndërmjet 11 e 14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26 e 30 gradë Celsius”, thuhet në njoftim derisa bëhet me dije se do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperëndimit.

  • ​Dita Botërore e sigurisë së ushqimit

    ​Dita Botërore e sigurisë së ushqimit

    Siguria e ushqimit dhe të ushqyerit e drejtë janë parakushte themelore për shëndet dhe mirëqeni të popullatës së një vendi dhe duhet të integrohen në të gjitha politikat, jo vetëm në ato shëndetësore, por edhe në ekonominë, bujqësinë, turizmin dhe tregtinë e një vendi.

    Në 20 dhjetor 2018 sekretari i përgjithshëm i Kombeve të bashkuara miratoi Rezolutën 73/250 për caktimin e Ditës Botërore të sigurisë së ushqimit.

    Duke filluar nga 2019, kjo ditë shënohet me aktivitete të cilat theksojnë përfitimet nga ushqimi i sigurt, por edhe lëshimet dhe mangësitë eventuale në zinxhirin e ushqimit të sigurt.

    Çdo vit, Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore festohet me një temë specifike që udhëzon aktivitetet dhe fushatat globale. Tema të tilla si “Siguria e ushqimit, biznesi i të gjithëve” theksojnë përgjegjësinë e përbashkët midis qeverive, prodhuesve dhe konsumatorëve për të garantuar sigurinë ushqimore.

    Tema e këtij viti është “Siguria e Ushqimit: Përgatituni për të Papriturat”, e cila nënvizon rëndësinë e përgatitjes për incidentet e sigurisë ushqimore, pavarësisht sa të lehta apo të rënda mund të jenë ato, sipas OBSH-së.

    Aktivitete të ndryshme zhvillohen në nivel global, duke përfshirë fushata edukative, seminare dhe seminare, që synojnë promovimin e praktikave të sigurisë ushqimore në të gjitha nivelet e zinxhirit të furnizimit ushqimor.

    Qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe grupet e shoqërisë civile punojnë së bashku për të përforcuar mesazhin e sigurisë ushqimore dhe për të zbatuar masa për të reduktuar rreziqet që vijnë nga ushqimi.

    Ushqimi i sigurt ka një rëndësi qenësore për promovimin e shëndetit dhe eliminimin e urisë – dy qëllimet kryesore të Agjendës për vitin 2030.

    Sëmundjet lidhur me ushqimin jo të sigurt zakonisht shkaktohen nga baktere, viruse, parazitë ose substanca kimike të cilat i fusim në organizëm përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar.

    600 milionë njerëz ose 1 në 10 njerëz në botë sëmuren si pasojë e konsumimit të ushqimit të kontaminuar dhe në vit vdesin rreth 420.000. Në këtë grup, fëmijët deri në moshën 5-vjeçare marrin pjesë me 40% në ngarkesën me sëmundjet që burojnë nga ushqimi jo i sigurt ose 125.000 raste të vdekjes në vit.

  • ​Papa me shtet që nga viti 1929

    ​Papa me shtet që nga viti 1929

    Qyteti i Vatikanit më 7 qershor të vitit 1929, bëhet shtet sovran.

    Territori i tij përbëhet nga një enklavë brenda qytetit të Romës.

    Vatikani ka sipërfaqe rreth 44 hektarë dhe një popullsi prej rreth 840 banorësh.

    Kjo e bën Vatikanin shtetin më të vogël për nga territori dhe popullsia në botë.

  • Kurti sërish shprehet i hapur për zgjedhje të parakohshme: Do të mund të jenë në vjeshtë ose në dimër

    Kurti sërish shprehet i hapur për zgjedhje të parakohshme: Do të mund të jenë në vjeshtë ose në dimër

    Kryeministri Albin Kurti ka folur sërish për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

    Kurti tha se zgjedhjet parlamentare do të mund të mbahen në vjeshtë ose dimër, varësisht nëse do të mund të dakordohen me opozitën.

    “Kosova është gjithmonë gati (për zgjedhje) për shkak që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një institucion professional edhe I pavarur. Mirëpo, përderisa për zgjedhjet lokale dihet që afati është në vjeshtën e vitit të ardhshëm, për zgjedhjet parlamentare kjo do të jetë më herët, do të mund të jenë në vjeshtë ose në dimër, varësisht se a do të mund të ketë ndonjë herë ndonjë dakordim me opozitën aktuale që të bëhet caktimi i muajit për zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.

    Ai tha se ky dakordim nuk u arrit për në këtë pranverë, e mbetet të shihet se çka do të sjellë vjeshta e dimri, duke shtuar se kishte shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje meqë është në vitin e fundit të mandatit dhe për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Unë tashmë ndodhem në vitin e fundit të këtij mandati dhe kanë ngelur më pak se dhjetë muaj, andaj edhe pata shprehur gatishmërinë time që në njërën anë t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë të rëndësishme pavarësisht partive politike, dhe në anën tjetër të caktojmë datën që do të ishte e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Nuk u bë në këtë pranverë, ta shohim çka do të sjellë vjeshta e dimri”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për televizionin lokal TV Kamenica.

    Ndryshe, marrëveshjet ndërkombëtare janë votuar tashmë, pas takimit që kishte zhvilluar Kurti me keun e PDK’së, Memli Krasniqin.

    Kurti kishte deklaruar se është i është i gatshëm të ofrojë votat e VV-së për shpërndarjen e Kuvendit vetëm nëse për këtë gjë pajtohet të gjitha partitë opozitare. LDK dhe AAK kanë dalë kundër, pasi që kanë kërkuar fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti, në mënyrë që pastaj vendi të shkojë në zgjedhje.

  • Komunat nuk kanë vend për zyrtarët e institucioneve qendrore

    Komunat nuk kanë vend për zyrtarët e institucioneve qendrore

    Përgatiti: Armand Hoti

    Komuna e Vushtrrisë nuk ka hapësirë për ta akomoduar personelin e Drejtorisë së Diasporës, të themeluar së fundmi.

    “Ende nuk kam gjetur ndonjë zyrë adekuate për ta vendosur fillimisht drejtoreshën e pastaj edhe stafin”, tha kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
    Edhe zyrtarët e Komunës së Rahovecit, sipas kryetarit Smajl Latifi, detyrohen të punojnë në zyrë të ngushta.

    “Në zyrat tona kemi katër deri në pesë zyrtarë, që punojnë në një zyrë”, tha Latifi.

    Prandaj kryetarët Idrizi e Latifi nuk duan t’u shtohet edhe barra e disa zyrtarëve të institucioneve qendrore, që po planifikohet të punojnë nëpër objektet komunale.

    Prandaj thonë se nuk mund të krijojnë hapësira të reja për ta, siç parashihet në një udhëzim të ri administrativ, të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

    “Kemi autonominë tonë edhe në vendimmarrje dhe ne nuk mund të pranojmë staf shtesë, përderisa nuk kemi hapësirë për personelin ekzistues”, tha Latifi.

    “Nuk ka hapësirë, bash për asnjë institucion tjetër… neve na ka kërkuar edhe Agjencioni i Pyjeve për t’i siguruar hapësirë shtesë por nuk kemi pasur. Jo se nuk kemi dashur t’u dalim në ndihmë por nuk kemi”, tha Idrizi.

    Sikur Vushtrria e Rahoveci, Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave thotë se ka shumë institucione lokale që nuk kanë hapësira të bollshme.

    Prandaj tregon se AKK-ja e ka kundërshtuar këtë Udhëzim Administrativ.

    “Neve si Asociacion i Komunave të Kosovës, kemi qenë pjesë e grupit punues që e ka hartuar këtë Udhëzim Administrativ, dhe kategorikisht e kemi kundërshtuar… kemi konsideruar dhe konstatojmë që nuk ka asnjë bazë ligjore se si mund të merret një Udhëzim Administrativ në kurriz të komunave”, tha Ibrahimi.

    Mirëpo, Komuna e Klinës nuk e ka këtë problem.

    “Me kapacitetet tona ne mund të sigurojmë objekte apo hapësira publike jashtë objektit të komunës, jashtë administratës komunale në momentin që ne do të kuptojmë numrin e zyrtarëve të përcaktuar për komunën tonë”, tha zëdhënësja e Komunës së Klinës, Vlora Tafili.

    Referuar Udhëzimit Administrativ, shpenzimet shtesë të rrymës, ujit, mbeturinave si dhe shpenzimet për mirëmbajtje të objektit të komunës i mbulon institucioni qendror, që ka kërkuar hapësirat publike për ofrim të shërbimeve.

  • Maltretim e rrahje me kabllo, gjykimi kundër ish-gardianit në burgun e Lipjanit

    Maltretim e rrahje me kabllo, gjykimi kundër ish-gardianit në burgun e Lipjanit

    Përgatiti: Nora Luta

    Rreth 30 minuta ishte maltretuar fizikisht Agron Ramadani deri në alivanosje në qershorin e 1998-s, para se të futej në qelinë numër një në burgun e Prishtinës.

    Por keqtrajtimet fizike dhe psikike, sipas Ramadanit, kishin zgjatur pothuajse gjatë tërë periudhës sa qëndroi i burgosur nën akuzat për terrorizëm, fillimisht në këtë burg, e pastaj në atë të Lipjanit.

    Në mesin e atyre që e kishin rrahur, ish-shefi i sigurisë së Adem Demaçit, ka thënë se ishte edhe Dragisha Millenkoviq, të cilin Prokuroria Speciale e akuzon për krime lufte.

    Ai u pyet rreth maltretimeve konkrete që i ka pasur nga i akuzuari.

    Dëshmitari rrëfeu para trupit gjykues se edhe atë pak ushqim që e kishin e ndanin me të burgosurit e tjerë.

    Me pyetje rreth mungesës së ushqimit dhe keqtrajtimeve, ai u ballafaqua edhe nga Dragisha Millenkoviq.

    E për rrethanat e identifikimit të Millenkoviqit dhe mundësisë së ngatërrimit me një të dyshuar tjetër, Ramadani përveç mbrojtjes u sfidua me pyetje edhe nga trupi gjykues.

    Gjykimi për Millenkoviqin, i cili akuzohet se keqtrajtoi e rrahu edhe me kabllo elektrike të burgosurit shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, do të vazhdojë në fund të këtij muaji.

    Ramadani që ishte në mesin e tyre, tregoi se ishte arrestuar nga sigurimi shtetëror i Serbisë nën arsyetimin se ishe themelues i UÇK-së, dhe ishte dënuar me tri vjet burgim për terrorizëm.

    Në mesin e viktimave në këtë rast, të cilët pritet të dëshmojnë, janë edhe kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati, e deputeti Isak Shabani, i cili mungoi në këtë seancë.

  • Nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

    Nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Më shumë se tri orë ka zgjatur seanca dëgjimore në rastin ndaj të dyshuarve për spiunazh, të cilët u arrestuan të mërkurën në Ferizaj.

    Ndaj B.SH dhe M.Q, Gjykata Themelore e Prishtinës caktoi masën e sigurisë prej një muaji paraburgim.

    Sipas avokatit të B.SH., Prokuroria Speciale nuk e ka argumentuar se ata kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe, të njohur si BIA.

    “Jam i lumtur që ajo sot që dëgjuam e lexuam nuk arriti të argumentojë asnjë fjali që dy qytetarë të Kosovës kanë spiunu në Serbi. Nuk pati mundësi Prokurori për ta zbuluar një transkript të vetëm, një fotografi të vetme, një vëzhgim të vetëm. Prandaj si qytetar, si profesionist, më duhet të them se po që se të shqyrtohen provat e që nuk i kemi pa, e ky spektakël është gabim”, tha Besnik Berisha, avokat i B.Sh..

    Sipas Besnik Berishës, i cili në momentet e fundit zëvendësoi avokaten e caktuar sipas detyrës zyrtare, arrestimi i klientit të tij lidhet me Gjykatën Speciale.

    “I mbrojturi im është dëshmitar në procesin në Hagë, andaj dyshon se me këtë rast lidhet edhe arrestimi i tij…”, tha Berisha.

    Kryerja e veprave të tilla penale, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, e cenojnë sigurinë e shtetit.

    “Kemi një rast ku janë arrestu dy persona, të cilët kanë qenë juridik, e tani fizikë… por kemi dyshim të bazuar se kanë dhënë informata për një shërbim të huaj. Nisur nga fakti se ekzistojnë shërbime të tilla, duhet të kemi kujdes të gjithë, se me kë takohemi, me kë komunikojmë e çka komunikojmë…”, tha Mensut Ademi, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Andaj, dënimi eventual në rast se ata shpallen fajtorë, sipas njohësve të çështjeve juridike, mund të jetë i konsiderueshëm.

    “Kjo vepër nuk mund të kryhet nga secili. Kodi ka paraparë dënimin prej 5 deri në 12 vite burgim. Por nëse ka të bëjë me vdekjen APO RREZIKIMIN e jetës të dikujt, Kodi ka paraparë dënimin jo më pak se 10 vjet burgim…”, tha Visar Rrecaj, avokat.

    Gjatë bastisjet në shtëpitë e të dyshuarve pas arrestimit, ndër të tjera janë gjetur armë, municion, gaz-maska ushtarake, DVR, si dhe videokaseta.