ATV

Blog

  • ​Kick boksierët të kënaqur me medaljet, kërkojnë më shumë përkrahje nga MKRS-ja

    ​Kick boksierët të kënaqur me medaljet, kërkojnë më shumë përkrahje nga MKRS-ja

    Në fundjavën e kaluar, Federata e Kick Boksit të Kosovës mori pjesë në Kampionatin Ballkanik të Kick boksit të mbajtur në Bari të Malit të Zi duke arritur një sukses të jashtëzkonshëm me 17 medalje të fituara, në mesin e të cilave edhe një e artë.

    Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, Presidenti i Federatës së Kick Boksit, Fatmir Makolli, tha se është mëse i kënaqur me këto rezultate pasi që sportistët dhanë gjithçka nga vetja për të arritur sukses.

    “Të arrish në një Kampionat Ballkanik t’i fitosh 17 medalje, kjo nuk ka koment për të folur më shumë por dihet çfarë konkurrence është në Kampionatin Ballkanik, dihet që shtete tona afër që i kemi e kanë kick boksin shumë të fuqishëm dhe më përpara se ne dhe konkurrenca është shumë e madhe. Besoj që sportistët tanë denjësisht na kanë përfaqësuar në kampionat dhe të gjitha garuesit e kanë dhënë maksimumin, ndonjëherë kanë dal edhe nga vetvetja vetëm për të arritur suksese dhe për të pasur medalje nga ky kampionat”, tha Makolli.

    Por, Makolli i ka bërë thirrje Ministrisë së Sportit që t’i përkrahin më shumë këta sportistë.

    “Ne ftesën ua kemi dërguar edhe ministrisë dhe departamentit të sportit. Besoj që do të ishte mirë ata t’i shohin këto rezultate…Kosovapressi ka qenë e pranishme në Kampionatin Ballkanik dhe e ka parë realitetin e kampionatit dhe besoj që këta përfaqësues që e përfaqësojnë shtetin do ishte mirë të ishin këtu të pranishëm për t’i parë rezultatet, por besoj që do t’i shohin dhe unë i ftoj që t’i presin dhe t’i përkrahin sportistët dhe t’i përgëzojnë për rezultatet e arritura në kampionat”, tha Makolli.

    Fituesi i medaljes së artë në këtë kampionat, Fatlind Ejupi, tha se ndihet jashtëzakonisht krenar që e ka përfaqësuar shtetin e Kosovës në këtë kompeticion.

    “Jam fitues i medaljes së artë në Kampionatin Ballkanik. Është një krenari e madhe ta përfaqësosh shtetin tënd, po ashtu edhe t’i ngrisësh ngjyrat e shtetit tënd lart si në ndeshjen e fundit që e kemi bërë në finale”, deklaroi Ejupi.

    Kurse, ai që rrëmbeu medaljen e argjendtë, Gen Hyseni, kjo ishte hera e dytë që e përfaqësoi Kosovën në një garë të këtij niveli ndërkombëtar.

    “Për mua është hera e dytë që unë e përfaqësoj Kosovën në garat ndërkombëtare ku po ashtu është edhe hera e dytë që unë marr medalje të argjendtë ku herën e fundit në Kampionatin Ballkanik kam arritur deri në finale”, theksoi Hyseni.

    Shumë të kënaqur me arritjet e kick boksierëve u shprehën në fund edhe dy përzgjedhësit e Kosovës, Ilir Menxhiqi dhe Nysret Salihaj.

  • Prokuroria Speciale e Kosovës paraqet kërkesë për paraburgim ndaj dy të dyshuarve për spiunazh

    Prokuroria Speciale e Kosovës paraqet kërkesë për paraburgim ndaj dy të dyshuarve për spiunazh

    Dy persona janë arrestuar të mërkurën në Ferizaj, nën dyshimin për spiunazh.

    Në lidhje me këtë Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë për paraburgim ndaj tyre.

    “Po, mundem ta konfirmojë që Prokuroria Speciale e Kosovës e ka bërë kërkesën për masën e paraburgimit ndaj dy të pandehurve”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.

    Ndryshe, Policia e Kosovës gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve, në cilësi të provave material ka gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gas-maska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.

  • Gruaja e Radojiçiqit po merret në pyetje nga Policia e Kosovës

    Gruaja e Radojiçiqit po merret në pyetje nga Policia e Kosovës

    Ema Radojiçiq, bashkëshortja e Millan Radojiçiqit, ndodhet në stacionin e policisë në veri të Mitrovicës, raporton agjencia e lajmeve Kosovapress.

    Siç raporton KP-ja, ajo e shoqëruar nga avokati i saj, është duke u intervistuar në këto çaste nga hetuesit e Departamentit të krimeve të rënda.

    Nuk dihet nëse ajo është paraqitur vetë në polici apo është arrestuar nga organet e vendit.

    Ndryshe, Ema Radojiçiq pati ikur nga Kosova menjëherë pas sulmit në Bajnskë, më 24 shtator të vitit të kaluar dhe prej atëherë ka qëndruar në Serbi.

    Pas sulmit në fshatin e komunës së Zveçanit, Radoiçiq – i përfshirë në listën e zezë amerikane për pjesëmarrje në krim të organizuar ndërkombëtar – ka shkuar në Serbi.

    Atje, Prokuroria e Beogradit e ka marrë në pyetje dhe ndaj tij është ngritur aktakuzë për disa vepra, përfshirë trafikimin e armëve dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm.

    Megjithatë, ai tani është në liri, teksa është thënë se atij i janë konfiskuar dokumentet dhe se i ndalohet shkuarja në Kosovë.

    Radoiçiq ka hequr dorë prej pozitës që ka pasur në Listën Serbe si nënkryetar dhe, po ashtu, ka hequr dorë prej pronësisë në disa kompani në Serbi.

    Autoritetet serbe patën thënë se ai gjendet “në territorin e Serbisë qendrore”.

  • Tony Blair i drejtohet Kuvendit të Kosovës më 10 qershor

    Tony Blair i drejtohet Kuvendit të Kosovës më 10 qershor

    Në fillim të javës së ardhshme ish-kryeministri britanik, Tony Blair, do ta vizitojë Kosovën, ku edhe do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës me një fjalim me 10 Qershor.

    Kështu është bërë e ditur në një komunikatë nga Kuvendi i Kosovës, për caktimin e mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë.

    Ndonëse në mbledhjen e sotme në Kryeissë së Kuvendit të Kosovës nuk ka pasur kuorum, megjithatë seanca e adresimit të ish-kryeministrit britanik Tony Blair, u vendos 10 Qershori.

  • Presidentja Osmani ngushëllon për vdekjen e akademik Rexhep Ferrit

    Presidentja Osmani ngushëllon për vdekjen e akademik Rexhep Ferrit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen, miqtë, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe komunitetin kulturor për ndarjen nga jeta të akademik Rexhep Ferrit. Kosova sot humbi akademikun, piktorin, poetin, prozatorin e eseistin Rexhep Ferri.

    “Mjeshtëria e tij krijuese ka gërshetuar mrekullisht pikturën me letërsinë, të cilave nuk iu nda gjatë gjithë jetës. Akademik Ferri i takon brezit të artë të piktorëve të Kosovës, ndaj emri i tij do të mbetet i skalitur përherë në kujtesën tonë nëpërmjet krijimeve të tij artistike të larmishme, të cilat do të mbeten testament për ne dhe brezat pas nesh. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe komunitetit kulturor! I përhershëm qoftë kujtimi për akademik Rexhep Ferrin!”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

  • Gazetari Nuhi Bytytçi përfundon dëshminë në Speciale

    Gazetari Nuhi Bytytçi përfundon dëshminë në Speciale

    Gazetari Nuhi Bytyçi ka përfunduar dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

    Gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari u përgjigj në pyetjet shtesë të prokurorit Matt Halling, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ai tha se gjatë luftës ishte takuar edhe me Fehmi Lladrovcin në Abri të Drenasit në fund të prillit ose në fillim të majit të vitit 1998.

    Por, në librin e tij dëshmitari e kishte përshkruar këtë takim në të cilin Lladrovci i kishte thënë të dakordohet me Shtabin e Përgjithshëm se pa lejen e njerëzve kompetent ai nuk mund të jepte intervistë.

    Bytyçi sërish insistoi që ai e kishte bërë një punë objektive gjatë kohës së luftës, por e kishte edhe qëllim që UÇK-në ta paraqiste si ushtri të fuqishme dhe serioze, pasi sipas tij ajo ishte ushtri e cila nuk bënte krime ndaj popullatës civile serbe.

  • ​Putin po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet evropiane thotë Tajani

    ​Putin po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet evropiane thotë Tajani

    Presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet evropiane të kësaj jave si pjesë e “luftës hibride” që Moska po zhvillon që nga pushtimi i Ukrainës, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani të enjten në një Forum të ANSA.

    “Putini po zhvillon një luftë hibride dhe po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet evropiane, duke u përpjekur të përçajë Perëndimin,” tha kreu i ‘Forza Italia’ (FI) Tajani.

    “Por ne jemi të gjithë të bashkuar në mbrojtjen e Ukrainës”, tha ai.

    Tajani përsëriti se Italia nuk do të jetë ndër vendet perëndimore pro lejimit të Kievin të përdorë armët që ofron për të goditur objektivat në territorin rus.

    “Ne jemi vetëm në favor të asaj që armët italiane të përdoren vetëm për mbrojtje brenda territorit ukrainas”, tha ai./ANSA/

  • Pa votat e opozitës, Komisioni për Legjislacion voton Projektligjin për KPM-në

    Pa votat e opozitës, Komisioni për Legjislacion voton Projektligjin për KPM-në

    Pa votat e opozitës, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka miratuar projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, raporton EO.

    Krahas këtij Projektligji, ky komision ka votuar edhe Projektligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës; atë për zyrtarët publikë dhe projektligjin për rrugët.

    Në këtë komision morën pjesë vetëm anëtare e Komisionit nga mazhoranca ndërkaq anëtarë nga opozita munguan në këtë mbledhje.

  • Konjufca për Kusari-Lilën: Nuk kam asnjë dyshim në orientimin dhe qëndrueshmërinë kombëtare të saj

    Konjufca për Kusari-Lilën: Nuk kam asnjë dyshim në orientimin dhe qëndrueshmërinë kombëtare të saj

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka komentuar telefonatën që shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë me kryeterroristin Milan Radoiçiq, duke thënë se po publikohen me sekuenca qysh po i konvenon dikujt, raporton EO.

    Pas mbledhjes së Kryesisë, Konjufca tha se Radojiçiq, ka pësuar humbjen me të madhe në Kosovë, viteve të fundit.

    “Po flas meqenëse si kryetar i Kuvendit, po flas për të si deputete, dhe jo si anëtare e koalicionit apo që ka partneritet me VV-në, mua personalisht t’ju them nuk kam asnjë dyshim në orientimin dhe qëndrueshmërinë kombëtare të zonjës Kusari-Lila, nuk kam asnjë dyshim që është tradhti kombëtare apo çfarëdo kësaj natyre. Mund ta quani në një emër tjetër, ndoshta gabim, ndoshta pakujdesi e saj, mirëpo sa i përket kësaj se çka më tregon mua, kjo është vetëm vazhdimësi dhe vazhdim i tjerrjes së një rasti të para 7-8 muajve, vetëm tash po publikohet në sekuenca qysh po i konvenon dikujt. Për mua më tronditës është kjo, se sa baza e themeli kombëtar i zonjës Kusari-Lila”, ka thënë Konjufca.

    Konjufca, teksa foli për Milan Radoiçiqin, tha se ai ka përjetuar humbjen më të madhe në Kosovë këto dy vitet e fundit.

    “Ai ka humb gjithçka që ka pasur në Kosovë falë vendosmërisë së qeverisë për të shpërbërë të gjitha strukturat e tij kriminale duke përfshirë edhe pronat e tij milionëshe. Radoiciqi si kriminel dhe terrorist po donë me vazhdua këtë veprimtari në këtë mënyre, po donë si në formë hakmarrëse me zbeh legjitimitetin e intervenimit të qeverisë në veri të Kosovës. Për mua shumë më shqetësuese është kjo pjesë”, theksoi kreu i Kuvendit.

  • Kuvendit i shkon një kërkesë për mbylljen e TikTok-ut në Kosovë

    Kuvendit i shkon një kërkesë për mbylljen e TikTok-ut në Kosovë

    Disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës i ka shkuar një kërkesë për mbylljen e aplikacionit TikTok, një prej platformave më të përdorura nga të rinjtë në vend.

    Siç mëson Paparaci, kërkesa është parashtruar nga një organizatë jo-qeveritare, e cila ka ngritur shqetësime serioze lidhur me ndikimin e kësaj platforme në shoqëri dhe rreziqet që po sjell tek fëmijët të cilët po “rrëmbehen” nga lojërat masive e me rrezik të madh.
    Argumentet kryesore të përkrahësve të kësaj mase përfshijnë rreziqet për privatësinë e përdoruesve, denigrimin, dhunën, integritetin seksual e deri në goditjet fizike e therje me thika.

    Deputetët pranues të kësaj kërkese përfshijnë pozitë dhe opozitë, ndërsa deri më tani të njëjtit ende nuk kanë pasur ndonjë komunikim rreth kësaj çështje.

    Nuk dihet nëse ata deputetë priten ta shqyrtojnë këtë çështje dhe të marrin një vendim bazuar në analizat dhe rekomandimet e ekspertëve përkatës.

    “Duke e ditur fuqinë tuaj për të marrë vendime të cilat janë në dobi të të gjithë qytetarëve, ne si organizatë jo-qeveritare ju drejtohemi me një kërkesë bashkëpunimi për ndalimin e rrjetit social “TikTok” në territorin e Republikës së Kosovës. Rrjeti social “TikTok” është shndërruar në një platformë denigrimi dhe linçimi i grupeve më të dhembshura të shoqërisë kosovare. Kjo nismë do të ishte përgjigje ndaj një sërë incidentesh alarmante, duke përfshirë deniggrimin dhe bullizimin gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta dhe përmes llogarive të ndryshme.

    Një shembull veçanërisht shqetësues është llogaria e quajtur “Mitrovica Spotted” e cila ka publikuar foto të të miturve/ave me qëllim për të denigruar ata/ato. Për më tepër, transmetimet e drejtpërdrejta tregojnë se si bëhet shaka me dhunën, abuzime me fëmijët e përshkallëzime nga abuzimi verbal deri në goditjet fizike e therrje me thika, dhe lojërat që cenojnë integritetin seksual duke i detyruar pjesëmarrësit të zhvishen. Këto dukuri shqetësuese nxjerin në pah nevojën urgjente për rregulla më të rrepta në platformat e mediave sociale për të mbrojtur grupet e cënueshme të shoqërisë, veçanërisht të miturit”, thuhet ndër tjera në kërkesën që u është shkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    Çështja e ndalimit të aplikacionit TikTok është folur edhe mëherët në vend, duke vënë në pah rreziqet që po sjell.

    Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth 20 nxënës në Kosovë e lënduan vetën, të frymëzuar nga sfidat e ndryshme që bëhen në TikTok.

    PK nuk dha detaje të tjera porse që janë “ndërmarrë veprimet e nevojshme”.

    Shtatëmbëdhjetë nga këta nxënës vijojnë mësimin në shkollën “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë, ndërsa tre prej tyre vijojnë mësimin në shkollën “17 Shkurti”, në fshatin Gllogovc të Komunës së Lipjanit.

    Në trupin e fëmijëve u panë gërvishje e prerje, ku disa prej tyre kanë pranuar se janë “inspiruar nga një video në TikTok”.

    Ndërkaq, nga Ministria e Arsimit për Radion Evropa e Lirë thanë se e kanë marrë me shqetësim këtë informacion.

    Ministria ka kërkuar që në të gjitha komunat të bëhet mobilizim për të rritur përkushtimin institucional dhe koordinimin me familjet për edukimin e mirë të fëmijëve.

    “Ministria është hartuese e politikave dhe ka politika të qarta të mbrojtjes së fëmijës që duhet të zbatohen nga shkollat. Këto politika sanksionojnë abuzimin me teknologjinë, por edhe orientojnë përdorimin e sigurt dhe të dobishëm të teknologjisë informative. Veprimet bien mbi mekanizmat komunalë, shërbimet komunale”, tha Edona Kutleshi-Maliqaj, këshilltare për media e ministres së Arsimit.

    Ajo bëri të ditur se, aktualisht, Ministria është duke mbajtur seanca nëpër komuna mbi zbatimin e politikës së mbrojtjes së fëmijës nga çdo lloj rreziku që e dëmton zhvillimin e fëmijës.