ATV

Blog

  • Argjentina tronditet nga përleshjet për shkak të projektligjit për reforma

    Argjentina tronditet nga përleshjet për shkak të projektligjit për reforma

    Senati i Argjentinës e kaloi të mërkurën vonë një projektligj të presidentit Javier Milei për reforma ekonomike, duke nxitur protesta dhe përleshje mes demonstruesve dhe policisë në rrugët e Buenos Aires.

    Dhoma e lartë e Senatit ishte e ndarë gjatë votimit të projektligjit, por e kaloi atë përfundimisht me 37 vota për dhe 36 kundër, falë votës së kryetares së dhomës, zëvendëspresidentes Victoria Villarruel.

    Votimit i parapriu një debat maratonik dhe senatorët tani duhet të votojnë për secilin nen të projektligjit një nga një, i cili synon t’i rritë investimet duke i privatizuar subjektet shtetërore dhe duke stimuluar bizneset.

    Protestuesit hodhën gurë dhe dogjën vetura me koktej molotovi, ndërsa policia iu përgjigj duke përdorur gazlotsjellës dhe topa uji.

    Reformat përfshijnë ringjalljen e ekonomisë së vendit, shpalljen e një emergjence shtetërore ekonomike, uljen e pensioneve dhe dobësimin e të drejtave të punëtorëve.

    Projektligji kishte kaluar në dhomën e ulët në prill, por duhet të kthehet në votim pas ndryshimeve në Senat.

    “Sot, i kemi dy Argjentina”, tha Villarruel, teksa votoi në favor të reformave.

    “Një Argjentinë e dhunshme që ia vë zjarrin automjetit, hedh gurë dhe debaton për ushtrimin e demokracisë, dhe një Argjentinë tjetër me punëtorë, të cilët e presin me vuajtje dhe sakrificë ndryshimin për të cilin votuan”, tha ajo.

    Qeveria e Mileit nuk e gëzon shumicën në asnjërën prej dhomave të Senatit.

    Ky projektligj është çelësi për planet e Mileit për ta ndryshuar ekonominë e rrënuar të vendit, ku inflacioni ka arritur gati 300 për qind, dhe përfshin plane për t’i privatizuar ndërmarrjet publike, për t’i dhënë pushtet të veçantë presidentit dhe për të nxitur investime.

    Por, disa protestues druajnë se projektligji rrezikon ta rrisë papunësinë dhe çmimet e produkteve ushqimore.

    “Po luhet me jetën e qytetarëve argjentinas. Ne e kemi pirë këtë helm shumë herë: të kemi zero inflacion me zero aktivitete ekonomike”, tha lideri social dhe i protestave, Luis D’Elia, teksa mijëra njerëz protestuan kundër reformave.

    Zyra e Mileit e festoi kalimin e projektligjit.

    “Çfarë ndodhi sonte është triumf për popullin argjentinas dhe hapi i parë drejt kthimit të madhështisë sonë”, tha Zyra e presidentit në një komunikatë./REL/

  • Policia konfiskon drogë dhe para në Prishtinë, arrestohet një i dyshuar

    Policia konfiskon drogë dhe para në Prishtinë, arrestohet një i dyshuar

    Është arrestuar një person në Prishtinë, pasi që gjatë kontrollit në trup dhe në veturën e tij i janë gjetur dhe konfiskuar 6 qese me marihuanë, në peshë 5.4 gramë.

    Policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se janë kontrolluar edhe dy lokacione ku janë konfiskuar drogë dhe para.

    “Me vendim të prokurorit është bërë kontroll në dy lokacione ku janë gjetur dhe konfiskuar: një sasi narkotikë e llojit marihuanë në peshë 102.5 gramë, 3.9 gram kokainë, një sasi e qeseve të zbrazëta, një peshore digjitale për matje, një telefon celular dhe 282 € kesh para”, thuhet në raport.

    Tutje, policia bën të ditur se i dyshuari me qëllim të shmangies së arrestimit dhe ndalimit, me veturën e tij e ka goditur veturën zyrtare të policisë duke i shkaktuar dëme materiale si dhe dy zyrtarëve policorë iu ka shkaktuar lëndime trupore.

    Në raportin e policisë bëhet e ditur se i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

  • “Nuk ke folur asgjë, “Ti veç fol kotë” – Pozitë e opozitë përplasen gjatë raportimit të Bislimit në Komision

    “Nuk ke folur asgjë, “Ti veç fol kotë” – Pozitë e opozitë përplasen gjatë raportimit të Bislimit në Komision

    Deputetet e pozitës dhe opozitës janë përplasur në Komisionin për Integrime Evropiane, ku ishte duke raportuar Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, raporton Ekonomia Online.

    Përplasje patën deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani me deputetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.

    Deputetja e partisë në pushtet, Fjolla Ujkani kishte vërejtje që diskutimi është duke marrë kahje tjetër dhe nuk është diskutuar për atë që ftohet mbledhja e Komisionit e raportimet e zëvendëskryeministrit e të ministrave.

    “Mënyra edhe qasja qysh e keqpërdorni pozitën si kryetare e Komisionit ju po e bënë ftesën me ardhë zëvendëskryeministri me raportu vetëm për opozitën. Ky është niveli që po e sjellni ju debatin dhe këtu dua ta mbaj edhe unë. Duhet me lënë radhën me fol edhe të tjerët”, ka thënë ajo.

    E deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, tha se deputetja Ujkani nuk është duke thënë asgjë.

    “10 minuta je duke fol, nuk ke folur asgjë. Ti veç folë kotë. Nuk fole asgjë hiq bëjë pyetje”, u shpreh ai.

    E me këtë rast fjalën deshi ta marr kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi, por që pati kundërshtime nga deputetja Ujkani.

    Me pas të dy deputetet, Ujkani dhe Krasniqi, kanë debatuar në të njëjtën kohë, përderisa deputetja Krasniqi lexonte e-mailin e dërguar për raportim ndaj zëvendëskryeministrit.

  • ​Arrestohet një person për shitblerje të narkotikëve dhe sulm ndaj personit zyrtar

    ​Arrestohet një person për shitblerje të narkotikëve dhe sulm ndaj personit zyrtar

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet L.Sh, i dyshuar për veprën penale të shit-blerjes të narkotikëve.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë me dije se në koordinim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë veprime hetimore, me ç’ rast gjatë ditës së djeshme është realizuar plani i koduar “Përfundimi”, në rrugën “Kongresi i Drejtshkrimit” Prishtinë, rreth orës 18:00.

    Sipas prokurorisë personi është arrestuar për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas KPRK-së.

    “I dyshuari me qëllim të shmangies nga arrestimi dhe ndalimi, me veturën e tij e ka goditur veturën zyrtare të policisë duke shkaktuar dëme materiale, si dhe dy zyrtarëve policor iu ka shkaktuar lëndime trupore, për çka edhe kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

    Gjatë kontrollit në trupin dhe veturën e të dyshuarit sipas njoftimit janë gjetur një sasi e dyshuar narkotike e mbështjellur në qese. Ndërsa, pas zbatimit të urdhëresës për bastisje, e cila është bërë në dy lokacione, Prishtinë dhe Fushë Kosovë, si dhe kontrollit në veturën e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: 6 qese me narkotik të llojit marihuanë në peshë 5.4 gram, marihuanë në peshë 102.5 gram, 3.9 gram kokainë, një sasi e qeseve të zbrazëta, një peshore digjitale për matje, një telefon celular dhe 282 euro.

    “I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore. Ju njoftojmë se ky operacion është realizuar me sukses në saje të bashkëpunimit të ngushtë të Prokurorit të Shtetit me Policinë e Kosovës”, përfundon njoftimi.

  • Liderët e G7-ës pajtohen t’i japin Ukrainës miliarda dollarë hua duke përdorur asetet e ngrira ruse

    Liderët e G7-ës pajtohen t’i japin Ukrainës miliarda dollarë hua duke përdorur asetet e ngrira ruse

    Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) u pajtuan të enjten t’ia japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua duke i përdorur asetet e ngrira ruse.

    Diplomatët konfirmuan se pajtueshmëria për këtë marrëveshje u arrit madje para se liderët të mbërrinin në Itali për samitin treditor të G7-ës.

    Hollësitë e marrëveshjes do të diskutohen gjatë takimit të tyre në Itali, por Kievi pritet t’i marrë paratë kah fundi i këtij viti.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të jetë në Itali gjithashtu dhe pritet të nënshkruajë një marrëveshje tjetër dypalëshe për sigurinë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

    Vendet e G7-ës, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, ngrinë asete ruse në vlerë prej rreth 300 miliardë dollarësh, pak pasi Moska nisi pushtimin e fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.

    Në fillim të kësaj jave, Zelensky tha se pret që t’i sigurojë miliarda euro nga vendet aleate për mbrojtjen e Ukrainës dhe për rindërtimin e vendit të vet pas luftës.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Bislimi: Kam informacione se është rekomanduar heqja e masave

    Bislimi: Kam informacione se është rekomanduar heqja e masave

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ka informacione se është rekomanduar heqja e masave sanksionuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.

    Bislimi është shprehur të enjten në Komisonin për Integrime Evropiane se “përmbajtja e raportit është pozitive”.

    “Raporti i z.Borrell është parakusht për trajtimin në KiE, është përpiluar në muajin prill, por ka pasur hezitim që të dërgohet në Komision. Raporti është dashur që të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit ka kërkuar pak shtyrje. Besojmë se do të dorëzohet javën tjetër. Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave”, është shprehur Bislimi.

    Zëvendëskryeministri, njëherit kryenegociatori për dialog me Serbinë, ka shtuar se masat e BE-së kanë ndikuar indirekt në imazhin e Kosovës dhe në integritetin e BE-së.

    “…Masat kanë ekspozuar njëanshmërinë e vet në gjithë këtë proces”, shtoi ai, duke theksuar se “ka pasur tendencë që masat të keqpërdoren”.

  • Rrënja e luleradhiqes – Si ta përdorni për pastrimin e organizmit

    Rrënja e luleradhiqes – Si ta përdorni për pastrimin e organizmit

    Rrënjët e luleradhiqes janë përdorur prej shumë kohësh në shumë trajtime terapeutike dhe në veçanti për problemet me mëlçinë.

    Sipas të dhënave ku bazohet AgroWeb.org, rrënjët e kësaj bime janë të mirënjohura për pastrimin e mëlçisë dhe parandalimin e formimit të qelizave tumoriale.

    Mjekësia tradicionale e vendeve Arabe e përdor rrënjën e luleradhiqes për të trajtuar hepatitin, për të forcuar kundërpërgjigjet e sistemit imunitar dhe kuruar infeksionet e traktit të sipërm të frymëmarrjes.

    Luleradhiqja është një bimë plot vlera që stimulon funksionet e stomakut dhe mëlçisë por edhe luan edhe rol diuretik duke ndihmuar në pastrimin e organizmit nga toksinat.

    Rrënja e luleradhiqes përdoret për trajtimin e problemeve të mëposhtme:

    Çrregullimet me tretjen: Tretja problematike, gastriti dhe refluksi acidik.
    Fshikëza e tëmthit: Parandalon formimin e gurëve dhe i shpërbën ato më shpejt.
    Mushkëritë: Azma, bronshiti, infeksionet, kanceri dhe problemet me frymëmarrjen.
    Mëlçia: Mosfunksionimi i mëlçisë, cirroza hepatike, kanceri.
    Lëkura: Aknet, ekzema, psoriaza.
    Inflamacioni: Kontraktimet muskulare, artriti, reumatizma.
    Gjaku: Përmirëson dhe rregullon tensionin e gjakut, stimulon qarkullimin e tij.
    Sytë: Përmirëson shikimin.
    Përbërësit e hidhur të rrënjës së lulerradhiqes luajnë funksion të jashtëzakonshëm natyral kundër problemeve me tretjen përfshirë sindromën e zorrës së irrituar.

    Ky artikull i AgroWeb.org ofron informacione të dobishme për përdorimin e rrënjës së luleradhiqes për pastrimin e mëlçisë dhe luftën kundër kancerit.

    Si Funksionon Luleradhiqja në Pastrimin e Organizmit
    Rrënja e luleradhiqes përmban një substancë të hidhur që quhet taraksacerinë e cila nxit rrjedhjet e tëmthit, që rrjedhimisht përshpejton pastrimin e mëlçisë nga toksinat.

    Studimet e kryera tek brejtësit treguan se ekstraktet e rrënjës së luleradhiqes kontribuojnë në shërimin e sëmundjeve të mëlçisë të shkaktuara nga konsumi i alkoolit.

    Për më tepër, ku ekstrakt ndihmon edhe në eliminimin e toksinave nga gjaku.

    Si ta konsumoni lëngun e rrënjës së luleradhiqes:

    Përdorni plot 20 rrënjë luleradhiqesh. Sigurohuni që ato të jenë të padëmtuara.

    Lajini dhe pastrojini mirë me ujë të bollshëm. Pritini në copa dhe hidhini në një shtrydhëse.

    Si fillim konsumoni një lugë çaji në ditë dhe më pas rriteni dozën në 3 lugë gjelle në ditë.

    Dozat janë në varësi të tolerancës së organizmit tuaj.

    Lëngu në fjalë mund të jetë shumë i hidhur, por është pikërisht ky aspekt që e bën luleradhiqen me të vërtetë magjike.

    Mos u përpiqni të përdorni shtesa të tjera për të prishur shijen e hidhur./AgroWeb.org

  • “Shota”, automjeti i parë ushtarak i blinduar “Made in Albania”

    “Shota”, automjeti i parë ushtarak i blinduar “Made in Albania”

    Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook pamje nga automjeti i parë ushtarak i blinduar i prodhuar në Shqipëri.

    Rama ka thënë se “Shota”, është automjeti i parë ushtarak i blinduar “Made in Albania”.

    “Mirëmëngjesi dhe me “Shota” automjetin e parë ushtarak të blinduar “Made in Albania”, një prodhim i ri i çikës sonë bulqizake Arjeta Puca dhe ekipit të saj fantastik të gocave profesioniste, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.

    Ndryshe “Shota” është një automjet i blinduar ushtarak i projektuar në Shqipëri për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes.

    Kompania prodhuese ka theksuar se “Shota” është fillimi i një serie inovacionesh të reja në sektorin e mbrojtjes.

  • Shkaktoi zjarr vitin e kaluar, arrestohet 36-vjeçari në Prishtinë

    Shkaktoi zjarr vitin e kaluar, arrestohet 36-vjeçari në Prishtinë

    Hetuesit e Njësitit të hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën ‘zjarrvënie’ të raportuar në dhjetor të vitit të kaluar.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë, ku janë përfshirë nga zjarri tri vetura.

    “M.Rr, mashkull, 36 vjeç, pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Polica po vazhdon punën në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike si dhe goditjes së individëve dhe grupeve kriminale, me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikim dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në ngjarjet kriminale”, thuhet në komunikatë.

  • Pas Prishtinës, presidenti Begaj shkon në Shkup

    Pas Prishtinës, presidenti Begaj shkon në Shkup

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj u nis sot për në Shkup ku do të marrë pjesë në Samitin e SEECP, (Samiti i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore) ku mikpritëse është presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova.

    Gjithashtu Begaj pritet të zhvillojë disa takime dypalëshe. Kreu i Shtetit shqiptar do të takohet me kryetarin e ri të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri dhe me ish-presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

    Begaj do të mbajë një fjalë në këtë samit si edhe do të jetë pjesë e Trojkës që do të mbajë një konferencë për shtyp në fund të punimeve të Samitit. Shqipëria do të marrë kryesimin e kësaj organizate të rëndësishme rajonale për vitin 2024-2025.