ATV

Blog

  • ​Murati i përgjigjet ambasadorit Hill, përmes dialogut synojmë normalizimin dhe njohjen reciproke

    ​Murati i përgjigjet ambasadorit Hill, përmes dialogut synojmë normalizimin dhe njohjen reciproke

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë tha se Kosova po përpiqet që përmes dialogut në Bruksel të arrijnë marrëveshje që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

    Kjo përgjigje e Muratit vjen pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill i cili tha se Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e pavarësisë së Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian pasi sipas tij evropianët po kërkojnë vetëm normalizim.

    “Ne si Republikë e Kosovës përmes përfaqësuesit tonë në dialog jemi të përkushtuar që përmes dialogut në Bruksel të arrijmë në marrëveshje që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen e ndërsjellë, por kjo është vetëm në raport me Serbinë. Sa i përket çështjeve të tjera dhe forcimit të subjektivitetit të Kosovës ne vazhdojmë punën”, është përgjigjur Murati.

    Ndërsa, Bashkimi Evropian pas deklaratës së ambasadorit Hill tha se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën.

    BE: Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa normalizimin e raporteve me Kosovën

  • BE: Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa normalizimin e raporteve me Kosovën

    BE: Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa normalizimin e raporteve me Kosovën

    Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    “Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, shtoi ai.

    Kjo deklaratë erdhi pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN nga Beogradi, tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE.

    Bashkimi Evropian, megjithatë, nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.

    “Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit”, tha Stano.

    Prej se Kosova e shpalli pavarësinë, 15 vjet më parë, Bashkimi Evropian është shprehur vazhdimisht se çështja e njohjes së Kosovës është një çështje në kompetencë të vendeve anëtare të BE-së dhe, si bllok evropian, ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

    Por, në anën tjetër, Kosova ka raporte të veçanta kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE nuk përfshihet territori i Kosovës.

    Në BE gjithmonë kanë ngulur këmbë që të përdorin normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën si kusht për Serbinë. Interpretimin se a nënkupton “normalizimi i plotë” edhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia, në BE ua kanë lënë palëve ta interpretojnë vetë.

    Një zyrtar i BE-së, duke rikujtuar edhe ndryshimet në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, ku në kapitullin 35 është përfshirë si kusht edhe normalizimi i raporteve me Kosovën, ka thënë se pa këtë normalizim, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së.

    Njëkohësisht, BE-ja ka thënë se lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare përben shkelje “të qartë” të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

    “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe plotësisht detyruese për të dyja: Kosovën dhe Serbinë. Kjo përfshinë edhe Nenin 4. Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshje”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

    Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe kjo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

    Serbia loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në maj, i cili përfundimisht vendosi të mos e fuste fare në agjendë kërkesën e Prishtinës për anëtarësim, pavarësisht se ajo i kaloi dy prej tri fazave të nevojshme./REL/

  • Qeveria e Kosovës vendos sanksione kundër Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit

    Qeveria e Kosovës vendos sanksione kundër Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit

    Qeveria e Kosovës ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe Bjellorusisë në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Moska, si dhe kundër Iranit për shkak të programit të saj raketor.

    Qeveria e kryeministrit Kurti votoi gjatë mbledhjes për miratimin e pakove 12 dhe 13 të sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.

    Zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi, tha se masat kufizuese kundër Rusisë kanë të bëjnë me “minimin dhe kërcënimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, si dhe sanksione të tjera për shkelje të rënda dhe abuzime me të drejtat e njeriut në Rusi, që lidhen me vrasjen e liderit opozitar Alexei Navalny”.

  • ​Zyrtare/ Milani emëron trajnerin e ri

    ​Zyrtare/ Milani emëron trajnerin e ri

    Milani ka emëruar trajneri e ri të skuadrës së parë. “Rossonerët” drejtimin teknik të ekipit të parë të meshkujve ia ka besuar Paulo Fonseca-s .

    Fonseca filloi karrierën e tij si trajner në vitin 2005, duke filluar nga ekipi i të rinjve të Estrela Amadora dhe duke vazhduar më pas, mes profesionistëve, në ligat e vogla portugeze. Në vitin 2012 ai bëri debutimin e tij në ligën më të mirë me Paços de Ferreira, një klub me të cilin arriti në play-off të Champions League. Në vitin 2013 kaloi te Porto, me të cilën fitoi Superkupën e Portugalisë, trofeun e tij të parë si trajner.

    Pas një periudhe te Braga, me të cilën fitoi Kupën e Portugalisë, ai drejtoi Shakhtar Donetsk për tre sezone, me të cilin fitoi shtatë trofe dhe grumbulloi 103 fitore në 139 ndeshje. Në vitin 2019 ai debutoi në kampionatin italian me AS Roma, skuadër me të cilën arriti në gjysmëfinalen e Europa League në vitin 2021. Trajneri i LOSC Lille që nga vera e vitit 2022, Fonseca i jep fund aventurës së tij në Francë pas dy sezoneve në të cilat ai kontribuoi në sjelljen e klubit në sa më shumë kualifikime evropiane.

    Trajneri portugez tani i bashkohet Milanit me një kontratë trevjeçare.

  • Presidentja Osmani udhëtoi për në Shkup, merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore

    Presidentja Osmani udhëtoi për në Shkup, merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), raporton Ekonomia Online.

    Këtë e ka bërë të ditur zyra e presidentes përmes një njoftimi për media.

    “Në këtë Samit, Presidentja Osmani do t’i bashkohet krerëve të shteteve pjesëmarrëse për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon. Përgjatë qëndrimit në Shkup, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime të tjera”, thuhet në njoftim.

  • Kosova bëhet anëtare e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën

    Kosova bëhet anëtare e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën

    Kosova bëri një hap të rëndësishëm në përfaqësimin dhe rolin e saj në sigurinë globale.

    Minisrti i Mbrojtjes Ejup Maqedonci njofton se sot në Bruksel me Ministrin e Mbrojtjes të Lituanisë, Laurynas Kasčiūnas, nënshkruam marrëveshjen e përbashkët sipas të cilës Kosova edhe zyrtarisht është pjesë e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën.

    Sipas tij Kosova u bë shteti i 17-të anëtar i këtij koalicioni që ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Ukrainën përmes ofrimit të trajnimit në fushën e deminimit, zotim ky që Kosova e ka dhënë si pjesë e Grupit të Kontaktit për Ukrainën, e që është një hap tjetër i ndërmarr nga ana e Kosovës për popullin ukrainas pasi veçse tanimë kemi dorëzuar dy pako mbështetëse ushtarake.

    “Ushtarët tanë do të rreshtohen përkrah partnerëve tanë në këtë front global demokratik kundër agresionit dhe dhunës! Kosova do të vazhdoj të qëndroj krah Ukrainës ngase jemi me të drejtën, lirinë e popujve dhe të drejtat demokratike të shteteve”, ka shkruar Maqedonci në faqen zyrtare të tij në Facebook.

  • Mbahet edicioni i dytë “Mbrëmje poetike me poetët e Simfonisë”

    Mbahet edicioni i dytë “Mbrëmje poetike me poetët e Simfonisë”

    Në nderim të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, u mbajt “Mbrëmje poetike me poetët e Simfonisë”, me ç’rast u lexuan vargje poezish.

    Në mesin e poetëve ishin edhe Lulzim Tafa, Bujar Tafa, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Binak Kelmendi, Osman Gashi, Naime Beqiraj, Aziz Mustafa, Xhevahire Izmaku, Isuf Hoxha e Arben Veselaj.

    Ndryshe, ky ishte edicioni i dytë “Mbrëmje poetike me poetët e Simfonisë”, i cili ka për qëllim t’i mbledhë poetët më të mirë.

  • Mërgimtarët nuk paguajnë as sivjet sigurim kufitar, shpenzimet i mbulon Qeveria

    Mërgimtarët nuk paguajnë as sivjet sigurim kufitar, shpenzimet i mbulon Qeveria

    Qeveria e Kosovës ka ndarë 3 milionë euro për mbulimin e polisës kufitare për mërgimtarët, raporton EO.

    Vendimi është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur të enjten.

    “Ky vendim ka të bëjë me masa mbështetëse për mërgatën tonë, e cila parasheh mbulimin e polisës kufitare për bashkatdhetarët që vijnë në Republikën e Kosovës për kohën sa qëndrojnë këtu”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

  • Ja kur do të falet Kurban Bajrami

    Ja kur do të falet Kurban Bajrami

    Dita e parë e festës së Kurban – Bajramit, është të dielën me 16 qershor 2024. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton besimtarët dhe opinion se manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

    “Manifestimi fillon në orën 4:19, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbaj Hetem ef. Sopjani – kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, namazi i Kurban Bajramit falet në orën 5:34, të cilit do t’i prijë Burhan ef. Hashani- kryeimam i Këshillit të BI-së së Prishtinës, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbaj Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

    Me rastin e festës së Kurban Bajramit, ditën e parë, më 16 qershor 2024, Kryesia e BIK, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

  • Haxhiu tregon se çka po ndodhë me Kodin Civil: S’kemi hequr dorë, s’i negociojmë të drejtat e njeriut

    Haxhiu tregon se çka po ndodhë me Kodin Civil: S’kemi hequr dorë, s’i negociojmë të drejtat e njeriut

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media është pyetur edhe mbi ligjin për Kodin Civil, i cili mes tjerash, lejon martesat mes gjinive të njëjta.

    Haxhiu ka bërë me dije që nuk janë të sigurtë që ligji mund të kalojë, dhe se për këtë arsye, nuk po procedohet në Kuvendin e Kosovës, raporton Nacionale.

    “Kodi Civil është një nga zotimet apo punët të cilat ne i kemi adresuar, por që ende nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Qeveria konsideron që është i rëndëishëm. Adreson institute të reja që nuk adresohet, është në interest ë të gjithë qytetarëve, avancon të drejtat e njeriut, prandaj e konsiderojmë të rëndësishëm.” – ka thënë ajo.

    Haxhiu mes tjerash ka shtuar se nuk kanë hequr dorë nga dokumenti, dhe se obligim për kalimin e tij, ka edhe opozita.

    “Nuk kemi hequr dorë nga ai dokument, sepse ne nuk i negociojmë të drejtat e njeriut. Prandaj, do ta procedojmë në momentin kur kemi siguri që Kodi Civil kalon, në këtë drejtim nuk është obligim veç i mazhorancën, por edhe i opozitës që të marrin pjesë në votim, ta shprehin vullnetin e tyre me votë, për, kundër ose abstenim. Çka na ndodhë me këtë opozitë, edhe përkundër faktit që hedhin akuza të ndryshme, kundërshtojnë ligjë, janë të rralla herët kur procedojnë amandamente. I ftoj që të marrin pjesë në votim, por natyrisht përgjegjësia na bie neve, dhe kemi qenë në komunikim me deputetët e grupit parlamentar, por ende nuk jemi të sigurtë që nuk i kemi votat. Do ta procedojmë në momentin që i kemi ato.” – u shpreh ajo.

    Kujtojmë se Kodi Civil po dështon të votohet në Kuvendin e Kosovës tash e dy vite. Një pjesë e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, janë shprehur publikisht kundër tij.