Rreth tre mijë nxënës të klasave të 12-ta kanë mbetur jashtë listës së provimit të maturës.
Afati për aplikim në platformën e-Kosova është mbyllur të enjten, pasi u shty dy herë paraprakisht.
Disa prej maturantëve janë ankuar se nuk kanë mundur të aplikojnë, e të tjerë mësohet se nuk kanë qenë të interesuar t’i nënshtrohen provimit.
Pavarësisht se i pranojnë telashet gjatë procesit, në Ministrinë e Arsimit nuk planifikojnë afat shtesë për aplikim. Kjo do të thotë se tre mijë nxënës tashmë nuk do të kenë të drejtë t’i nënshtrohen testit.
“Kemi pasur probleme të ndryshme, kemi pasur rastin kur për nxënësit kanë apliku prindërit, e u dashtë me apliku përsëri. Por për nxënësit që nuk kanë apliku, për ta nuk do të ketë afat shtesë. Nëse nuk e paraqet nuk do të munden me hy në maturë”, tha Fatmir Elezi nga Ministria e Arsimit.
Këtë e quan të padrejtë, njohësja e arsimit Salie Osmankaq, ngase ua mohon të drejtën për arsim të lartë.
“Shkelje e drejtave të këtyre nxënësve se detyrimisht ata që mbesin jashtë mbesin për afatin tjetër e që do të mund t’ju kushtojë edhe me regjistrimin në shkollimin e lartë universitar”, tha Osmankaq.
Ndërkaq, njohësi tjetër, Rinor Qehaja, kërkon që ministria të ketë mirëkuptim për këta nxënës dhe t’i lejojë ata të hyjnë në provim të maturës.
“Pasojat e kësaj është pamundësi për regjistrimin në shkollimin universitar. Ministria duhet të jetë fleksibil sikurse ka qenë me shtyrje të afatit, dhe të mirëkuptojë këtë grup të maturantëve që nuk kanë arritë me aplikua në test”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit.
Për 24 ditë aplikuan 18.829 nxënës, të cilët do t’i nënshtrohen testit të maturës të shtunën e 22 qershorit.
Është bërë një vit, prej kur Kosova është nën masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
Për largimin e tyre, tashmë është përpiluar raporti i cili është në duart e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, i cili pritet që në javën e ardhshme t’i dërgohet shteteve anëtare të BE-së.
Sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka sinjale pozitive që Kosovës do t’i largohen masat ndëshkuese.
“Raporti është dashur të dorëzohet pardje, por një pjesë e komisionit apo figura të caktuara të komisionit kanë kërkuar edhe pak shtyrje dhe unë besoj që ai do të dërgohet për aprovim në këshill, gjatë javës së ardhshme. Përmbajtja e raportit, me sa e di unë, është pozitive dhe në të do të rekomandohet heqja e masave”, tha Bislimi.
Mirëpo, ndryshe nga Bislimi, thotë se ka informacione kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane.
“Unë kom informacione të tjera që masat do të vazhdojnë dhe për neve normalisht është shqetësuese nëse vazhdojnë ato masa”, tha kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi.
Deklarata e Krasniqit më pas nxiti debat në mbledhjen e këtij komisioni.
“Kot ju thoni atje nëpër zyra është mirë që t’i hiqen masat Kosovës, në qoftë se për çdo ditë nëpër televizione thoni kjo qeveri i ka merituar këto masa”, tha Krasniqi.
Ndërsa, pas mbledhjes së Komisionit, Bislimi është deklaruar rreth draft-statutit të Asociacionit.
Derisa tha se atë nuk do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese, shtoi se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Ka pasur kërkesa që kanë devijuar nga kërkesat e Komisionit Evropian dhe të cilat janë refuzuar nga vetë Asambleja Parlamentare e Komisionit Evropian, siç është kërkesa për dërgimin e draftit, i cili nuk përbën faktikisht as draft as dokument, sepse nuk ka as nënshkrim e as nuk ka pronësi. Deri në momentin e tanishëm ka disa adresa që kanë thënë që ky është draft i joni. Ne nuk dërgojmë artikuj gazetash as opinione, as drafte të cilat nuk kanë autorësi e as pronësi në Gjykatën Kushtetuese, por dialogu është pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, tha Bislimi.
Po ashtu, sipas tij, pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës, po pengojnë që vendi të marrë statusin kandidat të BE-së, ani pse tha se Kosova ka një përparësi në krahasim me shtetet e tjera që e kanë marrë statusin e vendit kandidat, pasi vendi që nga viti 2016 është duke e zbatuar MSA-në.
Ish-gazetari britanik i BBC-së, David Loyn, në një intervistë ekskluzive në emisionin CONTEXT në ATV, i emocionuar ka rikthyer memorien nga intervista me heroin kombëtar, Fehmi Lladrovci.
Ai tha se pas kësaj interviste, ishte një moment i rëndësishëm që bashkësia ndërkombëtare e kuptoi se kjo luftë ishte e vërtetë.
“Mundësia që të bënim intervistë me Fehmi Lladrovcin ishte ndoshta pjesa më e rëndësishme që e bëmë atëherë. Andaj jam i emocionuar që të kthehem 25 vjet pas dhe të kaloj kohë me familjen e tij dhe zbulova që e keni bërë një bluzë me imazhin e tij tani është njëfarë bluze e futbollit dhe pamja ishte marrë nga intervista jonë dhe me këtë sloganin “Liria është më e çmuar se jeta” e cila po ashtu del nga intervista e jonë. Sidoqoftë ky ishte moment shumë i rëndësishëm kur edhe bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që kjo është luftë e vërtetë”, tha Loyn.
Ai thas e Fehmi Ladrovci e dinte që liria është më e çmuar se jeta.
“Unë kam mbuluar luftëra edhe në pjesë të tjera të botës dhe kam kaluar shumë kohë duke folur me forcat guerile në Kashmir, madje edhe Irlandën Veriore kur kishte konflikt dhe e di që është e vështirë për individët të veshin uniformën qoftë edhe atë të rregullt kundrejt forcave të mëdha, ushtrive të mëdha siç ishte ajo e Serbisë me artileri, helikopterë dhe armë që i pamë më vonë këtu në Kosovë, tanke e të tjera dhe e merrni një AK47 dhe uniformën dhe e di që ai e dinte në këtë pikë që liria është më e çmuar se jeta sepse vet dalja në publik nënkuptonte se ai po e rrezikonte jetën e tij. Dhe siç e dimë ai e bashkëshortja e tij ishin cak dhe u sulmuan nga serbët më vonë atë vit”, u shpreh Loyn. /atvlive.tv
Të ecësh rrugëve të Prishtinës ishte të ecje në një vend krejtësisht tjetër. Kështu deklaroi ish-gazetari britanik i BBC-së, David Loyn, në një intervistë ekskluzive në emisionin CONTEXT në ATV.
Ai tha se Kosova gjatë vitit 1998 ishte vërtet e mjerë dhe ishte e qartë se populli po përjetonte represion.
“Unë erdha këtu në dimër dhe qëndrova në hotelin e emëruar gabimisht “Grand” (i madh) me ushqim të tmerrshëm dhe në atë kohë aty ekzistonte një persekutim pasiv të them ashtu i gazetarëve, me raste edhe aktiv meqë një ditë kishim dalë herët në mëngjes dhe të gjitha veturat që ne gazetarët i përdornim ishin dëmtuar. Por, problemi me të cilin ballafaqoheshim ne si gazetarë ndërkombëtarë dhe këtë e kam kuptuar shpejt, nuk ishin asgjë nuk krahasoheshin me problemet me të cilat përballej popullsia shqiptare e cila në atë kohë deri në vitin 1999 jetonte në një botë paralele. Një prej raporteve që kishim bërë ishte ajo që trajtonte sistemin paralel të shëndetësisë, mjekët që nuk paguheshin, lindja e fëmijëve në katet e larta të shtëpive private, andaj them ishte vend shumë i mjerë”, tha Loyn.
Ndërsa tani pas 25 viteve, ai thotë se njerëzit këtu janë duke jetuar jetën normale të evropianëve.
“Kur ecja nëpër këto rrugë të gjera në Prishtinë me zona të industrializuara dhe shumë njerëz të rinj të cilët mbase as nuk e mbajnë në mend luftën por mund të shkojnë në Prekaz për të parë atë monument të jashtëzakonshëm që është krijuar ku unë qëndrova gjatë kësaj jave por përndryshe janë duke jetuar jetën normale të evropianëve dhe kam biseduar me të rinjtë këtu të cilët thoshin se duan të jetojnë si amerikanë apo britanikë, gjermanë e francezë dhe ky është aspirimi i të rinjve në një vend që është krejtësisht ndryshe. Por më pas shkova në Drenicë ku drekuam me kryetarin Ramiz Lladrovci, vëllain e të cilit e kisha intervistuar para shumë vjetësh, dhe pashë që edhe politikbërja ka ndryshuar shumë, ishte thjesht vend ndryshe”, u shpreh Loyn. /atvlive.tv
Grupi Hezbollah i Libanit, i mbështetur nga Irani, tha se nisi sulme me raketa dhe dronë në disa baza dhe pozicione të ushtrisë izraelite të enjten, pasi një sulm izraelit vrau një nga komandantët e tij të lartë.
Izraeli u zotua t’i përgjigjet me forcë të gjitha sulmeve të Hezbollahut.
“Izraeli do t’i përgjigjet me forcë të gjitha agresioneve të Hezbollahut”, tha zëdhënësi i qeverisë, David Mencer gjatë një konference për media.
Ai shtoi se “qoftë përmes përpjekjeve diplomatike ose ndryshe, Izraeli do të rivendosë sigurinë në kufirin tonë verior”.
Luftëtarët e Hezbollahut filluan “një sulm me raketa dhe dronë, duke synuar gjashtë kazerma dhe vende ushtarake” ndërsa njëkohësisht fluturonin “skuadrone dronësh të ngarkuar me eksploziv” në tre baza të tjera izraelite, tha grupi në një deklaratë.
Grupi tha se sulmet ishin “pjesë e përgjigjes ndaj vrasjes” së komandantit të Hezbollahut, Taleb Abdallah të martën.
Ushtria izraelite tha se “rreth 40 predha u hodhën drejt zonës së Galilesë dhe Lartësive të Golanit”, duke shtuar se shumica u kapën ndërsa të tjerat ndezën zjarre.
Javët e fundit, shkëmbimet ndërkufitare janë përshkallëzuar – me Hezbollahun duke rritur përdorimin e dronëve për të sulmuar pozicionet ushtarake izraelite dhe Izraelin duke u kundërpërgjigjur me sulme që synojnë militantët.
Të mërkurën, zyrtari i lartë i Hezbollahut, Hashem Safieddine u zotua se grupi do të “rriste intensitetin, forcën, sasinë dhe cilësinë e sulmeve tona”, ndërsa fliste në funeralin e Abdallah.
Ushtria izraelite konfirmoi se kreu sulmin që “eliminoi” Abdallah të martën, duke e përshkruar atë si “një nga komandantët më të lartë të Hezbollahut në Libanin jugor”./REL/
Djersitja gjatë natës është diçka me të cilën mund të përballemi të gjithë kur temperaturat janë të larta.
Por, kur temperaturat janë të freskëta, mund të jetë konfuze të zgjohesh në një pellg djerse, shkruan The Sun.
Djersitjet gjatë natës ndodhin për një sërë shkaqesh, disa prej të cilave këtyre shkaqeve mund të jenë më serioze.
Pse djersini në gjumë?
Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) të Mbretërisë së Bashkuar, arsyet më të zakonshme të djersitjes gjatë natës janë:
Simptomat e menopauzës: Ndryshimet e hormoneve gjatë menopauzës mund t’u shkaktojnë grave djersitje gjatë natës. Por është e trajtueshme – vizitoni mjekun nëse ka ndikim të madh tek ju.
Ankthi: Ky mund të jetë një shkak i zakonshëm i djersitjes së tepërt.
Ilaçet: Ilaçet kanë të gjitha llojet e efekteve anësore. Ilaqet kundër depresionit, steroidet dhe qetësuesit janë më të zakonshmet që shkaktojnë djersitje. Nëse keni filluar të djersiteni që nga marrja e ilaçeve, mund të flisni me mjekun tuaj të përgjithshëm për të parë nëse mund ta ndërroni.
Sheqer i ulët në gjak: Njerëzit me sheqer të ulët në gjak (hipoglikemia) mund të përjetojnë djersitje gjatë natës. Kjo përfshin njerëzit që marrin ilaçe për diabetin, si insulina.
Hiperhidroza: Kjo gjendje e padëmshme ju bën të djersitni shumë më tepër se një person mesatar, gjatë gjithë kohës.
Sëmundja: Djersitja gjatë natës mund të jetë një shenjë se sistemi imunitar po lufton kundër infeksionit. Disa njerëz e kanë raportuar këtë ndërsa po përballeshin me coronavirus. Për të njëjtën arsye, mund të shfaqet edhe si një efekt anësor i vaksinimit.
Kanceri: Djersitja gjatë natës mund të jetë gjithashtu një shenjë paralajmëruese shumë e hershme e disa llojeve të kancerit, veçanërisht limfoma, një lloj kanceri i gjakut. Por kjo do të ishte e rrallë. /Telegrafi/
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ndaluar sot dy të pandehur për 48 orë.
Sipas prokurorisë për të njëjtit ekziston dyshimi se kanë kryer veprat penale: Hyrje në sistemet kompjuterike nga neni 327 i KPRK-së, Mashtrimi nga neni 323, si dhe Shpërlaja e parave nga neni 302 i KPRK-së.
“Lidhur me këtë rast janë sekuestruar mjete materiale prej 1.000 euro, pajisje elektronike, si dhe dy vetura”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Presidentja Vjosa Osmani është takuar me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë një samiti në Shkup.
Ajo tha se me presidenten e re të shtetit fqinj ka folur mbi raportet bilaterale Kosovë-Maqedoni e Veriut.
“Në prag të Samitit të vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), takova Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova. Edhe një herë, Presidentes ia urova marrjen e detyrës, gjersa diskutuam edhe për raportet bilaterale Kosovë-Maqedoni e Veriut, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në dobi të qytetarëve të të dy shteteve tona”, ka thënë Osmani.
Ky është takimi i parë i Osmanit me homologen e saj të Maqedonisë së Veriut.
Të premten nga ora 11:00 në Kolegjin AAB do të mbahet konferenca shkencore e Fakultetit të Komunikimit Masiv, e titulluar “Informimi, media dhe e vërteta në epokën e pas së vërtetës dhe inteligjencës artificiale.”
Prorektori për Kërkim Shkencor në Kolegjin AAB, Hasan Saliu, në emisionin A LIVE në ATV, tha se kjo konferencë, ashtu si edhe konferencat e tjera të organizuara nga Fakulteti i Komunikimit Masiv, janë zakonisht konferenca ndërkombëtare që trajtojnë një bosht tematik të përqendruar, trajtojnë fenomene shumë aktuale ku diskutuesit dhe pjesëmarrësit janë global.
“Cilësia e konferencës në radhë të parë varet nga fokusimi ose përqendrimi i një teme të cilën e trajton konferenca, natyra e konferencës. AAB-ja që nga 2015-ta, është shndërruar në një strumbullar në Ballkanin Perëndimor i studimeve në Media dhe Komunikime. Konferenca të cilat ne i kemi realizuar, i kemi realizuar me partnerë evropianë dhe folësit kryesorë kanë qenë gjithmonë folës më eminentë ndërkombëtarë”, tha Saliu.
Ai përmendi se folësit kryesor në këtë konferencë janë nga personalitetet më të rëndësishme në fushën e komunikimeve në mbarë botën.
“Kësaj radhe, ne kemi njërin nga studiuesit më eminent në botë që është Mark Deuze, është profesori i Universitetit të Amsterdamit, drejtues i Departamentit për Studime Pasdiplomike. Deuze është nga Universiteti i cili rangohet i pari në botë nga fusha e mediave dhe komunikimeve, sipas listës Shangai dhe është i vetmi bashkautor për teoritë e komunikimeve, bashkë me studiuesin e famshëm që ne teoritë e komunikimeve i nisim me McQuailin, që atëherë është i vetmi bashkautor që ka bashkëpunuar me McQuailin për teoritë e komunikimeve. Folësi i dytë kryesor është profesori polak, Lukasz Tomczyk. Tomczyk është shpallur ë vitin e kaluar, studiuesi më me ndikim në botë, dy përqindëshi më me ndikim në botë dhe do trajtojë një temë shumë interesante që ne përditshëm e ndeshim në jetën tonë, “fake news-i”, thashethemet e nxënësve, e studentëve në raport me arsimtarët, me institucionin që ne e dimë që “fake news-i” tashmë është një dukuri e mediave sociale dhe këndvështrimi i tij është nga aspekti pedagogjik”, tha Saliu.
Prorektori Salihu tregoi se edhe abstraktet e prezantuesve në këtë konferencë tani më gjenden online në uebfaqen e Koegjit AAB, cilësia e të cilave është në të njëjtin nivel me universitete vërtetë shumë prestigjioze.
“Shumica prej tyre janë doktorë të studimeve mediatike, kemi profesionistë, ndërsa e veçanta është se kemi dy panele nga studentët e nivelit master të Kolegjit AAB dhe një panel nga studentët e nivelit master të Universitetit të Tiranës, me që i kemi edhe partnerë”, tregoi ai.
Sipas prorektorit Saliu, Kolegji AAB është e përqendruar në konferenca shkencore vetëm në fushën e medias, andaj edhe emrat më eminentë në botë për këtë fushë kanë pranuar të marrin pjesë në këtë konferencë.
“Folësit kryesor janë njerëzit kryesor, përfaqësues të cilët kanë vlerësuar institucionin tonë, historinë e organizimit të konferencave të Kolegjit AAB, praktikisht Fakultetit të Komunikimit Masiv, pra e kanë vlerësuar thirrjen. Shkruarja e një thirrje për konferencë shkencore e përqendruar, e fokusuar, është një studim më vete, e tjetër është ajo që mund të shihni që qarkullojnë nëpër rajon, po edhe në Kosovë, Konferencë Shkencore nga ku të them unë, nga biologjia, qeliza, deri në astronomi. Jo, ne i kemi vetëm për komunikime, studime mediatike dhe fushat që ndërlidhen me këtë. Prandaj edhe kanë pranuar këta mysafirë, këta folës kryesorë, që nesër të flasin për ne”, tha Saliu. /atvlive.tv
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Amerika është e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën në përmirësimin e integritetit të informatës e duke mbrojtur kundër sulmeve shkatërruese kibernetike, raporton Ekonomia Online.
Ai këto deklarata i bëri në konferencën për Integritetin e Informacionit “DISICON”, edicioni i 7-të, ku ka shtuar se Inteligjenca Artificiale mund të përdoret edhe në proceset demokratike duke përmirësuar proceset e votimit.
“Ne udhëheqësit duhet të sigurohemi që sistemet demokratike të përfitojnë nga informatat e sakta dhe të përgjegjshme. Të sigurojmë që njerëzit që mbjellin mos besim të mos ja dalin. Inteligjenca Artificiale mund të na mbështetës proceset demokratike duke na ndihmuar që të përmirësojmë procesin e regjistrimit të votuesve. Për të thjeshtësuar numrin e votimeve, për të zbuluar, luftuar dhe keq informimin. Shpresoj që ju do të na mundësoni që ti përdorim më mirë këto mjete më mirë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se duhet që të kihet kujdes në përdorimin e këtyre teknologjive sepse ato mund të keq përdoren nga keqpërdoruesit.
Ai ka shtuar se ShBA është e përkushtuar që të mbështes shoqëritë civile, e po ashtu edhe mediat e pavarura në mënyrë që t’i zhvillojnë modele të reja të financimit që të vazhdojnë të ofrojnë informata të sakta qytetarëve edhe në të ardhmen.
Ai ka shtuar se së fundi kanë nënshkruar me Qeverinë e Kosovës dy marrëveshje bilaterale të mirëkuptimit për të rritur bashkëpunimin mes qeverive për luftimin e manipulimit të informatave nga jashtë.
“Dua të ju siguroj që SHBA është duke i kushtuar kësaj çështje vëmendje. Duhet të identifikojmë problemet. Ky është një hap i rëndësishëm që të dalim nga analiza në veprime për të adresuar problemet. Mbështetja jonë është pjesë e përpjekjeve më të gjera për të ndihmuar shoqëritë demokratike në Kosovë duke përmirësuar integritetin e informatës, duke mbrojtur kundër sulmeve shkatërruese kibernetike. Duam të punojmë me media, me shoqërinë civile. Dëshirojmë që t’i mbështesim mediat e pavarura për të zhvilluar modele të reja të financimit që të vazhdojnë që të ofrojnë informata të sakta qytetarëve edhe në të ardhmen”.
“Sapo kemi ndihmuar në themelimin e agjencisë së parë të Kosovës për siguri kibernetike. Kohëve të fundit kemi bërë dy marrëveshje bilaterale të mirëkuptimit mese nesh edhe qeverisë për të rritur bashkëpunimin mesë qeverive për luftimin e manipulimit të informatave nga jashtë”, ka thënë ai.