ATV

Blog

  • Hurmat – fruti me vlera të larta ushqyese

    Hurmat – fruti me vlera të larta ushqyese

    Në të kaluarën ishin të njohura si “buka e shkretëtirës”. Tani është vërtetuar se hurmat njëjtë sikur bajamet dhe rrushi i thatë bëjnë pjesë në grupin e ushqimeve me vlera të shumta ushqyese.

    Për shkak të vetive të tyre shumë të dobishme, vendet arabe çdo ditë i përdorin hurmat. Ato lehtë mblidhen, ruhen dhe transportohen, andaj edhe janë të disponueshme shumë lehtë në mbarë botën, ashtu edhe te ne.

    Sheqerërat natyrale që përmbajnë në vete janë në formë të glukozës dhe fruktozës. Hurmat e thata të grira, të vendosura në ujë, i cili ka qëndruar gjatë tërë natës, paraqesin një ilaç shumë të mirë nëse dëshironi ta forconi zemrën dhe funksionet e saj vitale.

    Hurmat gjithashtu janë një ilaç efektiv dhe shumë efikas kundër dhimbjes së kokës dhe kundër plakjes, shkruan femina.al. Ato i qetësojnë nervat dhe është e vërtetuar shkencërisht se për shkak të përmbajtjes së madhe të kalciumit, magnezit dhe fosforit mund të ndikojnë në mënyrë preventive kundër kancerit.

    Hurmat e forcojnë trupin, zvogëlojnë kolesterolin në gjak, rregullojnë procesin e tretjes dhe e mbrojnë stomakun nga parazitët dhe bakteriet.

    Megjithatë duhet të kemi kujdes në sasinë që konsumojmë, e veçanërisht nëse keni problem me peshën e shtuar, pasi që vetëm një hurmë përmban 20 kalori.

  • Daku reagon pas ndeshjes me Italinë, ku nuk u inkuadrua në lojë nga Sylvinho

    Daku reagon pas ndeshjes me Italinë, ku nuk u inkuadrua në lojë nga Sylvinho

    Mirlind Daku siç duket nuk është aspak i preferuar për sulmin e Kombëtares.

    Trajneri Sylvinho nuk i jep minuta prej 20 nëntorit të vitit 2023, kur startonte në barazimin(0-0) kundër Ishujve Faroe.

    5 ndeshje kanë kaluar prej atëherë, teksa ndër të grumbulluarit për Europian, Daku është i vetmi që nuk ka marrë asnjë minutë.

    “Plani i zotit”, shkruan Daku së fundmi dhe e shoqëron me një foto të tij pas ndeshjes me Italinë.

    Sulmuesi mund të jetë në pritje të minutave për ndeshjen e ardhshme.

    Kujtojmë se kuqezinjtë luajnë kundër Kroacisë më 19 qershor.

  • Dita Botërore kundër shkretëtirëzimit dhe thatësirës

    Dita Botërore kundër shkretëtirëzimit dhe thatësirës

    Sot është Dita Botërore e Luftës kundër Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës, e cila mbahet çdo vit për të rritur ndërgjegjësimin e komuniteteve mbi përpjekjet ndërkombëtare në luftën kundër shkretëtirëzimit.

    Kjo ditë duhet të na kujtojë të gjithëve se neutralizimi i degradimit të tokës arrihet përmes zgjidhjes së problemeve, përfshirjes së fortë të komuniteteve dhe bashkëpunimit në të gjithë nivelet.

    Dita Botërore Kundër Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës u themelua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara para 26 vitesh për të rritur ndërgjegjësimin mbi aksionet globale dhe kombëtare që kërkohen për të adresuar shkretëtirëzimin, degradimin e tokës dhe thatësirën.

    CNVP është organizate lider e shoqërisë civile aktive në gjashtë shtetet e Ballkanit dhe përdorë analiza të detajuara bazuar në evidenca për të përmirësuar jetesën e qëndrueshme të komuniteteve rurale që ndikohen nga procesi i vazhdueshëm i shkatërrimit të mjedisit, ndryshimet klimatike, shkretëtirëzimit dhe thatësirës./KP

  • Robertson për Thaçin: Person i ndërlikuar me cilësi të liderit gjigand, ndoshta një ditë mund të kthehet në skenë

    Robertson për Thaçin: Person i ndërlikuar me cilësi të liderit gjigand, ndoshta një ditë mund të kthehet në skenë

    Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson ka treguar përshtypjet e tij që ka për ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Madje ai shprehet se ndoshta një ditë, Thaçi mund të kthehet në skenën politike.

    Në një pjesë të intervistës së tij për Kallxo, Robertson ka kujtuar ditën kur ishte në promovimin e librit autobiografik të ish-presidentit Thaçi që atëkohë u mbajt në Londër.

    “Kam qenë në promovimin e librit të tij autobiografik, që e pati në Londër. E mbajta një fjalim, ku thashë që ai duhet të shfrytëzojë talentet e tij të lidershipit. Ishte person i ndërlikuar me cilësi të liderit gjigand. Dhe kushedi, ndoshta mund të kthehet në skenë sërish një ditë”, ka theksuar Robertson.

    25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

    Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

    Lordi George Robinson ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s nga viti 1999 deri në vitin 2003. Njëherësh ka qenë edhe Sekretar i Mbrojtjes në qeverinë britanike në kohën kur kjo qeveri drejtohej nga Tony Blair.

  • Osmani takon presidentin e Kenias, flasin për avancimin e raporteve mes dy shteteve

    Osmani takon presidentin e Kenias, flasin për avancimin e raporteve mes dy shteteve

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me presidentin e Kenias, William Ruto. Vjosa Osmani bën të ditur se në këtë takim kanë biseduar për avancimin e raporteve mes dy shteteve.

    “Në takimin tonë të tretë brenda një periudhe njëvjeçare, me Presidentin e Kenias, William Ruto, diskutuam sërish për avancimin e raporteve në mes të Republikës së Kosovës dhe Kenias”, ka shkruar Presidentja Osmani.

    Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Samitin dy ditor të Paqes për Ukrainën në Zvicër, ku në kuadër të këtij samiti ka zhvilluar disa takime të rëndësishme me liderë botëror.

  • MSH-ja anuloi listën e çmimeve të barnave pasi u vërejtën probleme, opozita e akuzon për keqpërdorime

    MSH-ja anuloi listën e çmimeve të barnave pasi u vërejtën probleme, opozita e akuzon për keqpërdorime

    Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për anulimin e listës së çmimeve të barnave, e cila ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës, raporton EO.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë për Ekonomia Online, se anulimi është bërë për shkak se i ka vërejtur disa probleme në këtë listë, ani se nuk ka qenë përfundimtare.

    “Ka pas një listë e cila është dërguar, ka pas një komision i cili ka punuar me çmimet e këtyre listave, ka pas një afat ankese të vazhdueshme për t’u ankuar për këtë listë dhe në momentin e parë që unë i kam vërejtur disa probleme të tilla në listë kam kërkuar nga komisioni që të fillojë me procedura për anulim bashkë me komisionin e ankesave, pastaj i cili i ka verifikuar tamam të qëlluara këto ankesa, ka propozuar që të anulohet, pastaj me kërkesën time edhe është anuluar kjo listë dhe tani komisioni gabimet teknike të vogla, gjëra të tilla që kanë ndodhur herën e parë, tash është duke i përmirësuar dhe është ka bëhet lista e re”, ka thënë Vitia.

    Mirëpo, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, tha për Ekonomia Online se ka rritje të çmimeve, dhe kjo rritje është bërë për interesa të kompanive të caktuara farmaceutike.

    “Mendoj që kjo rritje e cila është propozuar, është bërë për interesa të kompanive të caktuara farmaceutike, dhe grupeve të caktuara të interesit të ndërlidhura drejtpërdrejt me njerëz të caktuar brenda Ministrisë së Shëndetësisë e të cilat e kanë marrë miratimin me shkrim nga ministri Vitia. Po shtrenjtohen, e me këtë po varfërohen qytetarët e Republikës së Kosovës, pas reagimit tonë si deputetë edhe kërkesave zyrtare ligjore përmes ligjit për qasje në dokumente publike atëherë këtë çështje e kemi sensibilizuar jashtëzakonisht shumë dhe kjo ka ndikuar që pastaj Ministria e Shëndetësisë, në fakt ministri të anulojë vendimin për rritjen e çmimit të barnave në Republikën e Kosovës vendim të cilin vetë e kishte nënshkruar me datë 15 maj 2024”, tha Haxhiu.

    Edhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, tha se kjo listë është anuluar për arsye se janë dalluar keqpërdorimet që janë bërë duke shtuar se ka rritje të çmimeve nga kriteri i fundit i kësaj liste.

    “Hartimi i kësaj liste ka shpërfaq interesa të ngushta edhe të cilat unë i quaj me aferë korruptive të njerëzve individë të caktuar por të përkrahur nga Qeveria siç duket edhe nga interesat e njerëzve dashakeqës të Ministrisë së Shëndetësisë. Anulimi i saj, ka ardhur pas reagimit ku janë pa keqpërdorime dhe rritje të lartë të pragut të çmimeve jo në vendosjen e një kriteri që është i favorshme për qytetarin e varfër dhe për pacientin, por më shumë duket se ka qenë interes të shfrytëzohet si grabitje dhe investim në njerëz të caktuar dhe në interesa të caktuara ne do të kërkojmë dhe do vazhdojmë të kërkojmë llogari”, tha Zemaj.

    Deputeti Zemaj, deklaroi se pavarësisht anulimit të këtij vendimi për listën dikush duhet të jap përgjegjësi.

    “Edhe pse është anuluar dikush duhet të jap përgjegjësi sepse nga lista që kemi pranu aty kanë punuar një grup i ngushtë i njerëzve dhe që duket se janë të mbështetur nga mafia farmaceutike. Ligji është shkelur tashmë, ne kemi shkelje ligjore shkelje të afateve ligjore ndërrim të komisioneve interesave të caktuara dhe konflikt të interesit dhe tash duket që ky proces është i stërzgjatur por do ta monitorojmë me kujdes të veçantë që mos të dëmtohet qytetari dhe pacienti me këto veprime”, tha Zemaj.

    Mirëpo, kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, ka ndritur një problem tjetër, duke thënë është shkarkuar anëtari i tyre, i OFK-së nga komisioni për hartimin e listës, pa e paralajmëruar atë e as vet Odën.

    “Ne si Ode e kemi pas të deleguarin tonë i cili është përjashtuar dhe e kam thënë edhe atë ditë në Kuvend në mënyrë klandestine nuk e kemi marrë vesh asnjëherë pse dhe arsyet me të cilat është larguar nga ai komision anëtari ynë i deleguar sa i përket pjesës së çmimeve nuk dua të spekulojë sepse ai vendim nuk është në fuqi dhe është i anuluar, por brenga jonë shqetësimi jonë është mënyra e largimit të anëtarit tonë të cilin e kem deleguar në atë Komision”, ka thënë Bytyqi.

    Ai shtoi se i kanë dërguar letër ministrit, për të kërkuar sqarim për arsyen e përjashtimit nga puna të anëtarit të Odës.

    “I kem dërguar letër ministrit ku i kemi kërkuar sqarimin për arsyen e largimit të tij nuk kemi pranuar nde një email kthyese jemi të shqetësuar sepse anëtari ynë i Komisionit nuk ka marrë pjesë në kohën kur është votuar kjo listë. Pra anëtari ynë nuk e ka votuar këtë listë sepse sipas tij ka shpreh dyshimet e veta se nuk është diçka në rregull, por tani nuk dua të flas për atë që është anuluar, por po flas për principin pse është anuluar ajo është barrë që e ka pas ministria delegimi i anëtarit tonë dhe largimi pa njoftimin tonë nuk është një gjë e mirë për bashkëpunimin tonë. Vetë fakti se largohet anëtari ynë pa njohurinë edhe të atij, e jo ne si Odë, po edhe anëtarin që e kemi deleguar ne si të tillë dhe puna e tij ku nuk njoftohen palët mos transparenca radikale në këtë rast jep dhe lë hapësirë me dyshuar”, shtoi ai.

    Ndërsa, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollçaku Mullhaxha, tha se si komision kanë informacione se diçka nuk ka shkuar mirë.

    “Ne e vlerësojmë që përfaqësuesi i Odës së Farmacistëve është shumë e rëndësishme të jetë pjesë e secilit komision ku diskutohet për tema ku u prekin direkt çdo farmacist, sa i përket ne tek jemi informu se diçka e tillë ka ndodh, mirëpo ne e vlerësojmë që edhe nëse duhet të zëvendësohet ndonjë anëtarë duhet të lajmërohet Oda dhe eventualisht të zëvendësohet. Prapë po e theksojë që për mendimin tim është e rëndësishme që përfaqësuesi i Odës të jetë pjesë e këtyre komisioneve”, tha Kollçaku-Mullhaxha për EO.

  • Rriten këmbimet tregtare me Shqipërinë, Llugaliu tregon se a ka kontrabandë me armë nga Serbia

    Rriten këmbimet tregtare me Shqipërinë, Llugaliu tregon se a ka kontrabandë me armë nga Serbia

    Drejtori i Doganës në Kosovë, Agron Llugaliu ka deklaruar se në dy vitet e fundit ka rënie të kontrabandës në pjesën veriore të vendit, derisa shton se sundimi i ligjit në atë pjesë është i shtrirë në mënyrë efikase. Llugaliu ka thënë po ashtu se masa e sigurisë ndaj mallrave serbe e vendosur një vit më parë, ka ndikuar që të mos ketë kontrabandim të armatimit dhe pajisjeve tjera nga Serbia.

    Drejtori Agron Llugaliu në një intervistë për KosovaPress thekson se pas vendosjes së masës së sigurisë nga qeveria, ka rënie të importit nga Serbia për rreth 70 për qind, ndërsa shton se ka rritje të importit nga ana e Shqipërisë për rreth 25 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Përveç që ka rënë kontrabanda, Llugaliu thotë se janë realizuar edhe aktivitete tjera që kanë përfshirë edhe pjesën tjetër të vendit.

    “Në përgjithësi, duke filluar dy vitet e fundit, sundimi i ligjit është shtirë në mënyrë shumë më efikase, shumë më të thellë në pjesën veriore, kjo ka ndikuar normalisht të bie edhe aktiviteti kontrabandës. Jo vetëm në pjesën veriore, mirëpo edhe aktivitete që ka përfshirë edhe pjesën tjetër të Republikës tonë në Kosovë”, thotë Llugaliu.

    Ndërkaq, thotë se rreth 70 për qind ka reduktim të importit të përgjithshëm nga Serbia.

    Llugaliu thotë se e rëndësishme në këtë drejtim është që masa ka qenë efikase duke treguar që nuk kanë pasur infiltrim ose tentim të kontrabandimit të armatimit dhe pajisjeve tjera.

    “Qeveria ka vendosur një masë e cila është bazuar në kontekstin e sigurisë që kemi në rrjedhën e ngjarjeve të qershorit të vitit të kaluar, e cila më pas ka vazhduar me eskalim, edhe me sulmin që ka ndodhur në Banjskë. Në përgjithësi ka pasur raporte edhe në burimet e afërta në nivel ndërkombëtar që ekziston një rrezik i madh që në Kosovë të evitohen eksponent dhe armatim që janë të ndërlidhura me elemente ushtarake e që kanë për qëllim të destabilizojnë sigurinë e Kosovës. Ne duke marrë parasysh që kemi kapacitete që mundësojnë kontrolle bazuar në analizën e riskut, jemi zotuar për të bërë procedorimin e bordit për aq sa ne kemi kapacitete të kontrollit. Në këtë rast ne kontrollojmë aq sa mund të kemi kapacitetin tonë, dhe kjo ka ndikuar që të ketë një reduktim prej rreth 70 për qind të importit në përgjithësi. Mirëpo, me rëndësi është që masa ka qenë efikase duke treguar që nuk kemi pasur infiltrim ose tentim të kontrabandimit të armatimit dhe pajisjeve tjera”, thotë ai.

    Sa i përket importit me Shqipërinë, Llugaliu thotë se ka rritje prej 25 për qind në katër mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    “Ne sivjet kemi një rritje të theksuar ndaj importit me Shqipërinë. Prej 122 milionë euro sa ka qenë viti i kaluar, në katër mujor, është 130 milionë, që i bie diku afër 25 për qind rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thekson Llugaliu.

    Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe ishte marrë më 14 qershor nga Qeveria e Kosovës, atë ditë kur ishin rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës. Më vonë Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte.

  • 10 vjet nga heqja e barrikadës mbi urën në Mitrovicë

    10 vjet nga heqja e barrikadës mbi urën në Mitrovicë

    Barrikada mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, e vendosur nga strukturat paralele serbe të veriut, është hequr përfundimisht më 17 qershor 2014, rreth orës 5:00 të mëngjesit.

    Aksioni për heqjen e barrikadës së vendosur nga të ashtuquajturat “rojat e urës”, është hequr nga të njëjtit, dhe ka zgjatur rreth katër orë, ndërsa nuk është shënuar ndonjë incident.

    Gjatë këtij aksioni, mbi urë ishin vërejtur forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe karabinierëve italianë, të cilët nuk lejonin praninë e qytetarëve afër urës.

    Ndryshe, heqja e barrikadës e cila prej shumë kohësh kishte ndarë qytetin e Mitrovicës dhe ka penguar lirinë e lëvizjes u bë nga dy ekskavatorë që kishin ardhur nga veriu.

    Pas kësaj është ndërtuar një park dhe pastaj muri. Të dyja janë hequr, por ura sërish nuk u lëshua me arsyetimin se Bashkimi Evropian po e rinovon. Aty ka kohë që kanë përfunduar punimet, por ende nuk është lëshuar.

  • Hartimi i statutit të Asociacionit, Rashiq: S’duhet të ketë frikë për një bosnjëzim të Kosovës

    Hartimi i statutit të Asociacionit, Rashiq: S’duhet të ketë frikë për një bosnjëzim të Kosovës

    Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq është i gatshëm të përfshihet në hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Ministri Rashiq thotë për KosovaPress, se kurdo që qeveria do të nisë hartimin e një drafti për Asociacionin në bashkëpunim me serbët lokal në Kosovë, do të jap kontributin e tij. Rashiq e konsideron të rëndësishëm themelimin e Asociacionit për komunitetin serbë në Kosovë, derisa thekson se s’duhet të ketë frikë për një bosnjëzim të Kosovës. Nga ana tjetër, Rashiq i konsideron deklarata boshe konkluzionet e dala nga “kuvendi gjithëserb”, pasi thotë se janë vetëm për përdorim të brendshëm në Serbi.

    “Pa dëshirë e kisha pranuar atë obligim, por normale nëse ka nevojë për një gjë të tillë kryeministri. Unë në çdo moment jam i gatshëm që të jap kontributin në këtë aspekt. Unë e konsideroj vetën si një profesionist dhe kisha marrë përgjegjësi, megjithatë obligimet që do të na kishin dal si pjesë e qeverisë do t’i kishim marrë pa asnjë problem”, thotë ai.

    Sipas tij, themelimi i Asociacionit është një obligim ndërkombëtar i Kosovës dhe se si i tillë duhet të bëhet.

    “Konsideroj se Asociacioni pasi që është një marrëveshje ose obligim që është marrë me vite, rikujtojë se marrëveshjet ndërkombëtare kanë një fuqi më të lartë se ligjet lokale dhe normale se obligimet duhet të respektohen. Unë inkurajojë jo vetëm kryeministrin por edhe nivelin teknik se sa i përket formimit të Asociacionit nuk do të ketë shkelje të kushtetutës apo ligjeve. Është ai elementi aty që garanton se nuk mund të ndodh një gjë e tillë. Ka qenë pika e dytë mos gabohesha të marrëveshjes së vitit 2015, ku thuhet se kjo marrëveshje së pari duhet të kalohet përmes Kushtetutës apo ligjeve të Kosovës. Bazuar në këtë, kjo e siguron një themel të besueshëm që një gjë e tillë sikur shkelje apo manipulimi brenda ligjeve nuk duhet të ndodh”, thekson Rashiq.

    Ai deklaron se institucionet në Kosovë s’duhet të kenë frikë për një bosnjëzim të Kosovës pas themelimit të Asociacionit, pasi Gjykata Kushtetuese mund ta pastrojë atë nga elementet jokushtetues.

    Megjithatë, ai shton se drafti i Asociacionit i prezantuar nga Bashkimi Evropian ka disa gjëra të cilat për të janë ta paqarta.

    “Pasi s’kemi draftin tjetër edhe pse unë e lexova draftin por të them të vërtetën shumë sene nuk kam bash të qarta. E di se për draftin mund të them se është një formë gjithëpërfshirëse dhe nuk është hy në detaje. Në momentin kur bëhet prezantimi i draftit qoftë të dërgohet në Kushtetuese apo të dërgohet për verifikim në Komisionin e Venecias, unë do të kisha pasur pyetje, sepse nuk e kam të qarta. Mirëpo nuk është pyetje a do të pajtohem unë apo jo, pasi kemi profesionistë të cilët e vërtetojnë saktë a është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Unë vet do të përpiqet që të inkorporoj ndoshta disa ide të mira por përndryshe unë nuk kam aspak frikë se mund të ndodh një Bosnjëzim, sikurse që thuhet sepse prapë institucionet janë këtu dhe veprojnë. Në fund të fundit nga ai vlerësim që do të ndodhte nuk do të kishte prishur rendin dhe kushtetushërinë”, thotë Rashiq.

    Sa i përket të ashtuquajturit “kuvend gjithëserb”, ku udhëheqës të Serbisë dhe të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, bënë thirrje për unitetin e serbëve në të gjithë rajonin, Rashiq thotë se ato janë deklarata boshe dhe vetëm për përdorim të brendshëm.

    Sipas tij, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryetari i serbëve në Bosnje, Milorad Dodik e kanë mbledhur këtë kuvend për interesa personale dhe se konkluzionet e dala nga kjo mbledhje s’kanë asnjë peshë në aspektin evropian dhe regjional.

    “Mos i konsideroni ato deklarata ju lutem, sepse ato janë për përdorim të brendshëm. Ju duhet të kuptoni se ata dy persona(Vuqiq dhe Dodik) që kanë qenë udhëheqësit e ngjarjes çdo fjalë që e bëjnë e kanë për interesa të veta dhe për përdorim të brendshëm. S’ka asnjë peshë në aspektin evropian dhe as regjional. Janë vetëm fjalë të zbrazura”, përfundon Rashiq.

    Ndërsa, zëvendëskryeministrja e njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë ditë më parë për KosovaPress se qeveria do ta shqyrtojë draftin e BE-së për Asociacionin vetëm nëse Serbia e zbaton në tërësi marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

    Sipas saj, Kosova nuk mund të dërgojë draftin e Miroslav Lajçakut për asociacionin në Gjykatën Kushtetuese si pjesë të ndarë nga marrëveshja e arritur vitin e kaluar, por vetëm si pjesë e pakos që parasheh edhe planin e detajuar të implementimit. /kp

  • Gjenden dy persona të vdekur, një në Drenas dhe një në Gjilan

    Gjenden dy persona të vdekur, një në Drenas dhe një në Gjilan

    Dy persona janë gjetur të vdekur, njëri në fshatin Llapushnik të Drenasit dhe një tjetër në fshatin Livoç i Epërm të Gjilanit.

    Një person është raportuar gjetur pa shenja jete të dielën rreth orës 22:00 në Llapushnik të Drenasit.

    Vdekjen e viktimes e ka konstatuar mjeku.

    “Është raportuar se viktima mashkull kosovar ishte gjetur pa shenja jete, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku”.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore, ndërsa trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit i cili e ka cilësuar rastin është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Kurse personi tjetër është gjetur i vdekur në Gjilan rreth orës 12:45.

    “Livoç i Epërm-Gjilan / 15.06.2024 – 12:45. Pas informatës se te penda e fshatit gjendet një trup i zhytur në ujë, në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore si dhe njësia e zjarrfikësve të cilët e kanë bërë tërheqjen e trupit të pa jetë. Vdekjen e personit mashkull kosovar e ka konstatuar ekipi i mjekëve”, thuhet në njoftim.

    Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi pa jetë është dërguar në IML për obduksion.