ATV

Blog

  • Kryeministri serb në Greqi, sonte takohet me Lajçakun

    Kryeministri serb në Greqi, sonte takohet me Lajçakun

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, do të marrë pjesë në konferencën dyditore ndërkombëtare “Paqja dhe zhvillimi i qëndrueshëm”, që mbahet, më 17 dhe 18 qershor, në Athinë të Greqisë.

    Sipas raportimeve të mediave serbe, atje Vuçeviq më mbrëmje do të takohet me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, transmeton Klankosova.

    Shefi i ekzekutivit serb do të flasë në panelin “Perspektivat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe rëndësia e tyre për të ardhmen e Evropës. A jemi në një periudhë stagnimi apo ndërtimi të vrullit të ri?”

  • Në 81-vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, Kurti viziton shtëpinë muze

    Në 81-vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, Kurti viziton shtëpinë muze

    Me rastin e shënimit të ditëlindjes së 81-të të profesorit dhe mendimtarit politik, Ukshin Hoti, kryeministri Albin Kurti mori sot pjesë në ngjarjen e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në nderim dhe kujtim të jetës dhe veprës së profesorit të shquar Ukshin Hoti, ku vizituan shtëpinë suze në Krushë e Madhe.

    Në shtëpinë- muze të profesor Ukshin Hotit, kryeministri Kurti ishte nën shoqërinë edhe të veprimtarëve të tjerë të cilët njohën personalisht Hotin.

    Kryeministri Kurti është informuar edhe për dokumentet shtesë për çka u pritet që së shpejti të botohet një libër. Ky libër do të mbështetet dhe botohet nga Qeveria.

    Lëvizja Vetëvendosje në ora 18:00 organizon tubim me strukturat veta, në sallë “1 Tetori”, në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar disa aktivitete për nder të ditëlindjes së intelektualit Ukshin Hoti.

  • Arta Bajrami ia kërkon një favor Blerta Deliut live në emision

    Arta Bajrami ia kërkon një favor Blerta Deliut live në emision

    Këngëtarja e njohur Arta Bajrami dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ishin të ftuara në “The Elite Way” në “ATV”.

    Arta, ka folur për vështirësitë e rritjes së dy fëmijëve me autizëm dhe ka kërkuar që të bëhet më shumë nga shteti për këtë kategori.

    Bajrami, përballë deputetes Dëliu-Kodta, e ka pasur edhe një kërkesë konkrete, për ta dërguar në Kuvendin e Kosovës.

    Deputetja, ka premtuar se do të bëjë çfarë është e mundur.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Liderët e BE-së pritet të diskutojnë emrat e rinj në krye të institucioneve të bllokut

    Liderët e BE-së pritet të diskutojnë emrat e rinj në krye të institucioneve të bllokut

    Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian do të mblidhen në mbrëmjen e së hënës në Bruksel, në përpjekjen e parë për të arritur një marrëveshje për emrat e rinj të krerëve të institucioneve të BE-së, të Komisionit Evropian, të Këshillit Evropian, dhe emrin e ri në pozitën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

    Ky do të jetë takimi i parë i liderëve evropianë, pas zgjedhjeve të mbajtura në vendet anëtare të BE-së, më 6-9 qershor.

    Rezultati i zgjedhjeve do të reflektohet në emrat e rinj në krye të institucioneve evropiane.

    Sugjerimet kryesore pritet të bëhen për politikanët që u përkasin partive që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet evropiane.

    Ndonëse në këto zgjedhje është vërejtur rritje e ndjeshme e partive të së djathtës ekstreme, partitë tradicionale të qendrës së djathtë dhe të majtë, Partia Popullore Evropiane dhe Social-Demokratët janë renditur në vendin e parë dhe të dytë, respektivisht.

    Kandidatura e shefes së deritashme së BE-së, Ursula von der Leyen, është e sigurt, por tani liderët e vendeve të BE-së janë në kërkim të emrave të rinj për pozitat që kanë mbajtur Charles Michel dhe Josep Borrell.

    E vetmja kandidaturë e sigurt është ajo e Ursula von der Leyen-it, e cila synon rizgjedhjen për një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të Komisionit Evropian – institucionit ekzekutiv të BE-së.

    Gjasat që liderët të dakordohen për kandidaturën e saj janë të mëdha, duke marrë parasysh që ajo është prej Partisë Popullore Evropiane, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Pasi liderët e BE-së të votojnë për kandidatin për udhëheqje të BE-së, propozimi më vonë i shkon Parlamentit Evropian, i cili më pas miraton apo refuzon këtë propozim.

    Nëse konfirmohet kandidatura e Ursula von der Leyen-it, atëherë kandidatët për udhëheqje të Këshillit Evropian dhe për pozitën e përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, duhet të jenë prej radhëve të Social-Demokratëve dhe të liberalëve evropianë.

    Roli i presidentit të Këshillit Evropian është të kryesojë takimet në nivel të liderëve të BE-së dhe të përmirësojë punën e Këshillit Evropian.

    Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ka rol të dyfishtë.

    Zyrtari që mban këtë pozitë është njëri prej nënkryetarëve të Komisionit Evropian dhe ka rolin e kreut të diplomacisë evropiane.

    Ka spekulime të ndryshme për politikanët që do të zëvendësonin Michel-in dhe Borrell-in në këto pozita.

    Emrat që kanë shanset më të mëdha për këto poste, sipas informacioneve jozyrtare, është ai i ish-kryeministrit të Portugalisë, Antonio Costa, për pozitën e presidentit të Këshillit Evropian dhe ai i kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, për pozitën e kryediplomatit të BE-së.

    Megjithatë, nuk dihet nëse liderët e BE-së do të dakordohen për këta emra.

    Ideale, por jo e domosdoshme, është që samiti i 17 qershorit të përfundojë me një marrëveshje.

    Në rast se nuk arrihet një marrëveshje, mundësia e radhës për të diskutuar këtë çështje është samiti i rregullt që do të mbahet më 27 dhe 28 qershor.

  • ​Rrëfimi për ditën e çlirimit të Skenderajt dhe kthimin në pronat e djegura

    ​Rrëfimi për ditën e çlirimit të Skenderajt dhe kthimin në pronat e djegura

    “Prej 18 qershorit 1999 nuk e kam veshur më kurrë”, thotë ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevahir Geci për uniformën të cilën e ruan për 25 vjet.

    Ai e ruan si simbol të krenarisë dhe sakrificës, ku tregon se hera e fundit që e kishte veshur është dita kur u çlirua Skenderaj. Geci bashkë me ushtarë të tjerë të UÇK-së po ndihmonin popullatën të hynin në qytet të lirë. Ish-komandanti i Batalionit të Parë në Brigadë 112 “Arben Haliti”, rrëfen për KosovaPress për gëzimin e asaj dite, ani pse tregon që pothuajse në të gjitha fshatrat po vinte era tym nga terrori serb. Mes tjerash, flet edhe për lidhjet familjare me komandantin legjendar, Adem Jashari, teksa rrëfen edhe për një rast se si ishin rrethuar nga forcat serbe në shtëpinë e tij.

    Nga fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, Xhevahir Geci thotë se popullata po shpresonte për çlirim.

    “Kur erdh momenti i tërheqjes së forcave ka qenë një fitore, ka qenë një gëzim i paparë, sigurisht edhe për neve luftëtarët e UÇK-së por edhe tek popullata. Sepse filluan njerëzit të mendojnë që edhe për neve erdh një ditë që gjenersta e gjenerata kanë luftuar dhe se pati vuajtje e sakrificë, pati gjak të derdhur por më në fund erdhi ajo ditë që e pritëm e që kemi bërë mund mbërriti në Kosovë”, rrëfen Geci për KosovaPress.

    Përkundër gëzimit, Geci tregon se gjithçka ishte shkatërruar dhe pak kush kishte ku të kthehet.

    “Ajo ka qenë një ditë që e kanë pritur me vite në luftën e UÇK-së në atë ditë të lirisë, por kanë ditur ta manifestojnë edhe në ato kushte jashtëzakonisht të vështira. E kemi pasur ne për obligim me i ruajt rrugët që njerëzit mos të hyjnë para kohës në Skenderaj se kanë qenë forcat serbe edhe dinin me u hakmarrë ata, sepse kanë pasur njerëzit nevojë për vizitë te mjeku, për fëmijët, për foshnje, për të moshuarit, edhe për njerëzit e plagosur. Mirëpo kemi arritur që t’i kemi të gjitha rrugët e kontrolluara që hyjnë në qytet dhe kemi hyrë bashkërisht me qytetarë por edhe me forca të UÇK dhe e kemi manifestuar gjithë së bashku”, shton ai.

    Përveç djegies së shtëpive, shumë nga qytetarët atë ditë po qanin për familjarët e vrarë e të zhdukur në luftë.

    “Pas tërheqjes së forcave serbe, kemi filluar të riorganizohemi dhe t’i kemi në kontroll të gjithë ushtarët e UÇK-së që mos të na dalin gjërat prej dore edhe të formohemi ashtu siç kemi qenë nëpër njësitë të formuara si strukturë dhe t’i ofrojmë popullatës ndihmë për strehim. Të gjithë gati kemi qenë të njëjtë, pa strehim, shtëpitë e dëmtuara, mbi 97 për qind pothuajse sidomos nëpër fshatra të dëmtuara tërësisht. Mirëpo, ashtu kemi ditur të organizohemi, ndoshta edhe arritën si shpejt edhe ndihmat prej ndërkombëtarëve. Kemi gjetur zemër, kemi gjetur mundësi të ndryshme që të bëjmë strehim aty ku vijke era ende tym”, shprehet ai.

    Lufta në Drenicë, shton Geci, ka vazhduar deri më 18 qershor, për çka rrëfen se popullata po ballafaqohej me luftë për ekzistencë.

    “Forcat serbe filluan të tërhiqen më 12 qershor prej vendeve të ndryshme, prej Skenderaj diku më 18 qershor janë tërhequr. Lufta në Drenicë ka zgjatur bukur shumë, më shumë se vendeve të tjera. Prej nëntorit të vitit 1997 deri në qershor të vitit 1999, gati tri vjet. Ka qenë luftë për ekzistencë për ballafaqime me forcat serbe, ka qenë luftë për ekzistencë edhe për ushqim dhe për barna edhe kanë filluar shumë të plagosur për të vuajtur prej plagëve të ndryshme, shumë fëmijë që ishin të vegjël dhe të moshuar të vuajnë për medikamente të ndryshme që nuk kishin, besa edhe për ushqim ka qenë në pyetje. Përveç që na kanë dalë në ndihmë disa mulli që kanë punuar me ujë në atë kohë edhe dihet çfarë ushqimi ka qenë, por edhe ashtu ka qenë i paktë”, tregon Geci.

    Teksa kujton luftën çlirimtare, ai flet për komandant Adem Jasharin, për çka shprehet se është e paktë çka shkruhet e thuhet për prijësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai rrëfen se si në vitin 1995 ishin rrethuar nga forcat serbe, në shtëpinë e tij ku mysafirë kishte Hamzën e Ademin.

    “Komandantin Adem Jashari e kam pasur edhe Hamzën, diku kanë qëndruar tek unë një javë ditë rreshtazi, se e kam pasur edhe odën e burrave. Me një moment të caktuar Hamza po thotë ‘kishte me qenë mirë për të na ftuar edhe disa kushëri që i kanë pasur çifteliet’, kanë kënduar ata si djem të rinj. Hamza kish merak në çifteli e sharki edhe në moment që kemi filluar ne, na kanë rrethuar familjen time, shtëpinë time forcat serbe. Edhe ka ardhur një kushëri, bash dajë i Adem Jasharit, Rrustem Geci edhe na ka njoftuar se plot forca serbe janë në rrugë afër asaj objektit ku qëndronim ne. Unë e Hamza kemi dalur edhe e kam ndjerë vetën shumë të shtrënguar, shumë jo mirë se ne ishim forca të vogla brenda. Kështu që kemi dalë me i kontrolluar lëvizjet e serbëve me Hamzën deri në momentin që kanë ecur, diku kanë qëndruar 40 minuta, mirëpo trualli ku kam jetuar paralufte ka qenë i fortifikuar si gjithë fshatarët, me një muri rreth tri metra i gjerë e sigurisht nuk ua mori mendja forcave serbe për të hapur ndonjë konflikt më serioz…Në momentin që u tërhoqën forcat serbe, u ndjeva më i lehtësuar. Dhe u ktheva në odë e i thash Ademit ‘pse bre dajë nuk dole për të na ndihmuar, se ishim duke e filluar luftën me Hamzën’, ai tha ‘unë pa kërsit pushka nuk dalë dhe me dit serbët që unë jam këtu ata nuk ishin afruar afër odës tënde, por sidoqoftë pa kërsitur pushka unë nuk e lëviz këmbën’”, shprehet Geci.

    Ai rrëfen se ka qenë e vështirë kur gjatë ballafaqimeve me serbët, kanë pësuar shokët e tij të luftës.

    Ish-komandant, Xhevahir Geci flet edhe për trimërinë e Salë Jasharit, e cila u vra nga forcat serbe 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.

    “Kur është plagosur Sahit Jashari në vitin 1995, ka qenë shumë rëndë i plagosur. Dhe u morr vendimi që ta dërgojmë ose në Drenas ose në Mitrovicë te Bajram Rexhepi, një kirurg shumë i fortë që më vonë ishte kryetar i Mitrovicës dhe kryeministër. Edhe morëm vendim ta dërgojmë në Mitrovicë sepse ishte dimri shumë i fortë. E pajisa unë automjetin me goma dhe me zinxhir shumë të fortë dhe filluam të shkojmë me dy vetura. Sahiti ishte në makinën time me nënë të vet edhe me gruan e Musë Jasharit. Edhe duke shkuar rrugës vishin të armatosur Sylejman Selimi, Rexhep Selimi, Fadil Kodra edhe Nuredin Lushtaku. Duke shkuar rrugës na kanë ardhur dy xhipa të forcave policore serbe. Edhe njëri më ka dalë mua përpara dhe tjetri ka hyrë në mes meje dhe tjetri në mes meje dhe veturës tjetër që vishin prapa. Edhe po i them si në shaka Sahitit dhe nënës së tij ‘vallahen i kem puntë keq qitash’. E kam vërejtur një nënë aq burrërore, aq trimëreshë si nana e Sahit Jasharit kam takuar pak, jo pak po se di cilën mund ta marrë shembull që ka pasur një zemër shumë të madhe….Krejt rrugën me pistoletë edhe me bombë në dorë ka qëndruar (Salë Jashari) dhe tha ‘derisa t’i shprazi qito, unë edhe me u vra edhe me djalë edhe me krejt juve nuk e kam dert, por pa i shpraz qito unë nuk dorëzohna’, u shpreh ai.

    Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevahir Geci tregon për KosovaPress se veprimtaria e tij ka nisur nga protestat e vitit 1989, në të cilat po merrte pjesë edhe komandant Adem Jashari.

    Në përvjetorin e 25-të të çlirimit të Kosovës, ai thotë se ndihet keq që po gjykohet lufta e pastër e UÇK-së.

    “Mos ma gjyko lirinë. Kjo ndeshet edhe me realitetin, me njerëzit që e kanë udhëhequr luftën dhe kanë bërë sakrifica dhe një jetë të tërë ja kanë kushtuar ditës së sotit dhe të ballafaqohen me gjëra që unë dhe shumë të tjerë i quajmë të pavërteta, me intriga e me gjëra që si takojnë një çlirimtari e aq më pak atyre. Sigurisht të bëjnë të ndihesh keq dhe shpesh herë gojë këqijtë që dalin dhe flasin dhe bëjnë vlerësime”, përfundon ai.

  • Osmani takon presidenten e Parlamentit Evropian, e quan të pakursyer mbështetjen e saj për Kosovën

    Osmani takon presidenten e Parlamentit Evropian, e quan të pakursyer mbështetjen e saj për Kosovën

    Presidentja Vjosa Osmani është takuar me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

    Takimi i tyre ka ardhur në Zvicër ku Osmani po qëndron në kuadër të Samitit për Paqe për Ukrainën.

    “Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, është padyshim një ndër aleatet më të forta të popullit të Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook. “Në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, mbështetja e saj vazhdon të jetë e pakursyer!”.

  • Haradinaj kujton babanë në 6-vjetorin e vdekjes: I përjetshëm kujtimi për ty Plak Hilmi

    Haradinaj kujton babanë në 6-vjetorin e vdekjes: I përjetshëm kujtimi për ty Plak Hilmi

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka kujtuar babanë e tij Hilmi Haradinaj, në 6 vjetorin e vdekjes.

    Ish-komandanti i UÇK-së për rajonin e Dukagjinit ka publikuar në Facebook fotografi nga nderimet që ia bënë Hilmi Haradinajt te varri i tij në Gllogjan të Deçanit.

    “I përjetshëm kujtimi për ty Plak Hilmi!”, shkroi ai.

    Në fotografitë e publikuara shihen anëtarë dhe të afërm të familjes Haradinaj, por nuk mungon as ish-komandanti i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku.

  • IHK-ja shpreh ngushëllime për vdekjen e Sylë Tahirsylajt

    IHK-ja shpreh ngushëllime për vdekjen e Sylë Tahirsylajt

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e ish-drejtorit, Sylë Tahirsylaj.

    Tahirsylaj, i cili po ashtu kishte qenë profesor, vdiq sot në moshën 75-vjeçare.

    “Profesori Sylë Tahirsylaj, vite me radhë ka udhëhequr Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës. Ai do të mbahet mend për punën e tij profesionale dhe përkushtimin për IHMK në veçanti për Sektorin e Meteorologjisë”, thuhet në komunikatën e IHK-së në Facebook.

    “Me këtë rast, IHMK i shpreh ngushëllime familjarëve të profesorit, kolegëve, bashkëpunëtorëve, studentëve dhe të gjithë miqve të tij”.

  • Mbappe kërkon votë kundër Le Pen në zgjedhje: Situata në Francë, më e rëndësishme sesa ndeshja kundër Austrisë

    Mbappe kërkon votë kundër Le Pen në zgjedhje: Situata në Francë, më e rëndësishme sesa ndeshja kundër Austrisë

    Kapiteni i Francës, Kylian Mbappe është ndalur të flasë për trazirat politike në vendin e tij në prag të ndeshjes hapëse në Euro 2024 kundër Austrisë, duke i përshkruar ngjarjet si një moment kyç për historinë franceze.

    Pyetjet e zakonshme në lidhje me ndeshjen e sontme në Grupin D ranë në konferencën për shtyp mbrëmë në Dusseldorf, kur Mbappe foli për frikën e tij, duke thënë se situata në Francë “është e tmerrshme”, raporton The Guardian.

    “Kjo është një ngjarje e paparë kurrë më parë”, tha Mbappe. “Dhe kjo është arsyeja pse unë dua të flas me të gjithë popullin francez, por edhe me të rinjtë. Ne jemi një brez që mund ta bëjmë ndryshimin. Ne shohim se ekstremet po trokasin në derën e pushtetit dhe ne kemi mundësinë ta formësojmë të ardhmen e vendit tonë”.

    Të shtunën, federata franceze e futbollit bëri thirrje që të respektohet neutraliteti i ekipit kombëtar dhe që kombëtarja të mos politizohet pas njoftimit të presidentit Emmanuel Macron një javë më parë për të thirrur zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasi ai u mposht në zgjedhjet në Bashkimit Europian nga partia e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen.

    Lëvizja e zhyti Francën në pasiguri politike dhe i ka tronditur tregjet financiar.

    Sondazhet e opinionit parashikojnë se partia e Le Pen mund të kryesojë për herë të parë në zgjedhje, por mund të mos ketë një shumicë absolute për të qeverisur e vetme.

    Ndërsa hodhi poshtë çdo presion dhe përdorim politik të ekipit kombëtar, federata franceze e futbollit tha se lojtarët janë të lirë t’i shprehnin pikëpamjet e tyre.

    Sulmuesi Marcus Thuram u bëri thirrje njerëzve që të “luftojnë çdo ditë” për të parandaluar partinë e Le Pen të fitojë pushtet.

    “Unë e ndaj këtë mendim. Unë e ndaj të njëjtin mendim kur fola për diversitetin, tolerancën dhe respektin”, tha Mbappe.

    “Kylian Mbappe është kundër pikëpamjeve ekstreme dhe kundër ideve që i ndajnë njerëzit. Unë dua të jem krenar që e përfaqësoj Francën, nuk dua ta përfaqësoj një vend që nuk korrespondon me vlerat e mia, apo vlerat tona”, tha ai.

    “Të gjithëve iu intereson. Të gjithë e kuptojnë situatën në Francë. Ka disa njerëz që ndjehen më rehat duke thënë diçka dhe duke folur”, tha 25-vjeçari. “Ne duam t’i mbrojmë të gjithë lojtarët tanë dhe padyshim ta mbrojmë ekipin francez. Por ne kemi menduar për këtë dhe mendoj se do të bëjmë diçka. Kështu që mbajini sytë hapur”, tha ai.

    “Njerëzit thonë mos e përzieni futbollin dhe politikën, por këtu po flasim për një situatë që është vërtet e rëndësishme, më e rëndësishme se loja. Situata në vendin tonë është e rëndë dhe ne duhet të veprojmë”, tha Mbappe.

    Trajneri Didier Deschamps tha se ai i respekton lojtarët e tij sa i përket pikëpamjeve të tyre politike.

    “Është vullneti i tyre i lirë”, tha ai.

    “Duhet ta pranojmë se ata janë lojtarë të mëdhenj, por edhe qytetarë francezë dhe nuk janë të imunizuar apo indiferentë ndaj situatës në vend”.

  • Netanyahu shpërndan kabinetin e luftës

    Netanyahu shpërndan kabinetin e luftës

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka shpërndarë kabinetin e tij të luftës me gjashtë anëtarë, ka thënë një zyrtar izraelit të hënën.

    Një vendim i tillë është pritur, pasi largimit të gjeneralit Benny Gantz prej kabinetit.

    Netanyahut tani do t’i duhet të konsultohet për luftën në Gazë me një grup të vogël ministrash, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe ministrin për Çështje Strategjike, Ron Dermer, që ka qenë në kabinetin e luftës.

    Kryeministri Netanyahu është përballur me kërkesa të shumta të partnerëve nacionalistë-fetarë të koalicionit të tij, përfshirë prej ministrit të Financave, Bezalel Smotric dhe ministrit për Siguri Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, që të përfshihen në kabinetin e luftës, por një hap i tillë është konsideruar si shtysë për rritje të tensioneve me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

    Kabineti i luftës është formuar pasi Gantz i ishte bashkuar Nentahyahut në Qeverinë e unitetit kombëtar, pas nisjes së luftës në Gazë, në tetor të vitit të kaluar.

    Në të kanë marrë pjesë edhe partnerë të Gantzit, Gadi Eisenkot dhe Aryeh Deri.

    Gantz dhe Eisenkot janë larguar prej Qeverisë javën e kaluar, me arsyetimin se Netanyahu ka dështuar që të formojë një strategji për luftën në Gazë.

    Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej SHBA-së dhe Bashkimit Evropian – ka nisur më 7 tetor 2023, pasi militantët e Hamasit kanë sulmuar disa vendbanime izraelite, duke lënë të vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

    Izraeli më pas ka nisur ofensivën në Gazë, me qëllim të shkatërrimit të grupit.

    Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 37.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.