ATV

Blog

  • Pastrohet një zonë e kryeqytetit që ishte shndërruar në deponi inerte të mbeturinave, Rma: Po e shndërrojmë në zonë gjelbërimi

    Pastrohet një zonë e kryeqytetit që ishte shndërruar në deponi inerte të mbeturinave, Rma: Po e shndërrojmë në zonë gjelbërimi

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është pastruar deponia në rrugën “Tirana” në kryeqytet.

    “Hapësirat publike vazhdimisht po i pastrojmë nga deponitë interte të mbeturinave, më pas po i shndërrojmë në zona të bukura gjelbërimi”, shkroi Rama në Facebook.

    “Kështu vepruam edhe me hapësirën përgjatë rrugës “Tirana””, shtoi ai.

  • Gjuriq i kërkon ndihmë përfaqësuesit sllovak të OKB që mos të hiqen masat ndaj Kosovës

    Gjuriq i kërkon ndihmë përfaqësuesit sllovak të OKB që mos të hiqen masat ndaj Kosovës

    Ndihmësi i Sekretarit e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën në Departamentin për Çështje Politike dhe të Ndërtimit të Paqes, Miroslav Jença sot ka vizituar Beogradin me ç ‘rast është takuar me ministrin e jashtëm serb Marko Gjuriq, i cili e ka shfrytëzuar rastin për të kërkuar ndihmë prej tij që të ndikojë që të mos hiqen masat kufizuese ndaj Kosovës.

    “Duke vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin me ekipin e Kombeve të Bashkuara në Serbi”, Gjuriq ka pretenduar se roli i Kombeve të Bashkuara në ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë është i një rëndësie jetike”, pretendohet në deklaratën e ministrisë së jashtme serbe.

    Në këtë kuptim, ai ka shprehur shqetësimin për shfaqjen e tendencave për heqjen e masave kufizuese të vendosura ndaj Kosovës.

    “Heqja e mundshme e masave tashmë “shumë të kufizuara” dhe “të pamjaftueshme” ndaj regjimit të Albin Kurtit do të nënkuptonte një pajtim të nënkuptuar me pasojat e agjendës së tij etno-nacionaliste, e cila për gati tre vjet ka qenë fatale për jetën dhe mbijetesën e “popullit serb” në Kosovë”, ka pretenduar Gjuriq.

    Ai ka shtuar se regjimi i Albin Kurtit “duhet të sanksionohet, jo të shpërblehet dhe të tolerohet për sjelljen e tij të papërgjegjshme”.

    Kjo, ka pretenduar Gjuriq në propagandën e tij, “do të dërgonte një sinjal shumë të keq për rajonin se aktet e njëanshme, provokuese dhe të dëmshme të Kosovës – duke përfshirë shkeljen më të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, presionet, abuzimet, dhunën brutale fizike dhe institucionale kundër serbëve dhe persekutimin e përgjithshëm sistematik të populli serb” – gëzon mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

  • Vesa Smolica tregon për herë të parë në “The Elite Way” se si zbuloi tradhtinë nga i dashuri

    Vesa Smolica tregon për herë të parë në “The Elite Way” se si zbuloi tradhtinë nga i dashuri

    Këngëtarja e njohur Vesa Smolica, e cila pushtoi rrjetin me prezencën e saj në Big Brother Vip Albania tashmë ka bërë publike se ishte në një lidhje, e cila nuk përfundoi mirë.

    Duke qenë emër i njohur në skenën shqiptare, këngëtarja thotë se preferon jetën e saj privatë të mbajë larg mediave. Por detaje të saj ndonjëherë ndanë në intervista të ndryshme.

    Në emisionin “The Elite Way”, Vesa tregon se si zbuloi tradhtinë që i bëri i dashuri duke e paralajmëruar që të mos i shkruaj më.

    Duke thënë se nuk është person që hulumton, dhe se i dashuri i saj e tradhtoi, atë e kuptoi nga shoqëria.

    Për të mësuar më shumë rreth kësaj historie, shikoni emisionin e plotë në videon më poshtë:

  • Vetëm gjatë prillit 114 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Vetëm gjatë prillit 114 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Numri i shkurorëzimeve është rritur viteve të fundit në Kosovë. Vetëm gjatë muajit prill të këtij viti 114 çifte i kanë dhënë fund martesës së tyre. Të dhëna këto të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Por nuk pati vetëm shkurorëzime, pasi që shumë çifte gjatë këtij muaji kurorëzuan dashurinë e tyre.

    Sipas të dhënave të ASK -së vetëm gjatë muajit prill janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 466 kurorëzime.

    “Në muajin Prill 2024 janë regjistruar gjithsej 1 466 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës), kurse shkurorëzime të ndodhura në Kosovë janë regjistruar 114 raste”, thuhet në raportin e ASK-së.

  • Petkoviq pretendon se as Kurti as Rashiqi nuk janë të autorizuar që të merren me statusin e Asociacionit

    Petkoviq pretendon se as Kurti as Rashiqi nuk janë të autorizuar që të merren me statusin e Asociacionit

    Paralajmërimi i ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, se është i gatshëm të përfshihet në hartimin e statutit të Asociacionit është “mashtrimi më i thjesht i Albin Kurtit”, ka thënë drejtori i zyrës për propagandë kundër Kosovës, e ashtuquajtura zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq dhe ka shtuar se “as Kurti dhe as serbët e tij të përshtatshëm nuk janë as të aftë dhe as të autorizuar që të merren me krijimin e një dokumenti që është me rëndësi jetike për “popullit serb” në Kosovë”.

    Në një deklaratë, Petkoviq ka theksuar se “ministri antiserb Nenad Rashiq nuk përfaqëson askënd tjetër përveç shefit të tij, Albin Kurti, dhe ai bën gjithçka në dëm të “popullit serb” në Kosovë dhe për këtë arsye ai ka nuk ka kapacitete morale apo intelektuale për të marrë pjesë në hartimin e statutit asociacionit“.

    “Ky është truku më i thjesht i Albin Kurtit, i cili disa herë ka pranuar me vendosmëri se nuk dëshiron të formojë Asociacionin dhe tani po e shtyn ministrin e tij të përshtatshëm Rashiq që gjoja të shkruajë një lloj Statuti në emër të komunitetit serb për të hedhë hi në sytë e komunitetit ndërkombëtar, por mashtrimet e tij askush nuk i ha”, ka pretenduar Petkoviq.

    Ai shtoi se “meqenëse Rashiq disa herë u tall publikisht me Asociacionin dhe ka sugjeruar që në vend të kësaj të formohej “një shoqatë e xhivxhanëve” ai dhe shefi i tij Kurti, së bashku me Radoica Radomiroviqin e tyre, mund të jenë përgjegjës vetëm për zogj, nëse i duan edhe ata, ndërsa kujdesi për serbët udhëhiqet nga ata që me të vërtetë kujdesen për popullin serb, të udhëhequr nga presidenti ynë Aleksandar Vuçiq, nuk harron Petkoviq detyrën e tij parësor të poltronizimit ndaj liderit të tij suprem.

  • Bislimi tha se ka informacione se është rekomanduar heqja e masave nga BE-ja, Stano: S’na duhet dikush që të spekulojë për përmbajtjen

    Bislimi tha se ka informacione se është rekomanduar heqja e masave nga BE-ja, Stano: S’na duhet dikush që të spekulojë për përmbajtjen

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka reaguar sot në konferencë për media ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi i cili tha javën e kaluar se “ka informacione që është rekomanduar heqja e masave nga BE-ja”.

    Stano ka theksuar se raporti për hapat që ka ndërmarrë Kosova për përmbushjen e detyrimeve i është deleguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, nga Këshilli i BE-së, por që shtoi se s’është e nevojshme që dikush nga jashtë të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret e raportit.

    “Kjo është një çështje institucionale mes Përfaqësuesit të Lartë dhe vendeve anëtare. Vendet anëtare janë ato që kanë kërkuar një raport dhe, natyrisht, është Përfaqësuesi i Lartë ai që do ta dërgojë raportin tek vendet anëtare. Ato do të jenë të parat që do të dinë se kur do të ndodhë dhe çfarë përmban raporti, dhe kjo ende nuk ka ndodhur”, ka theksuar Stano.

    Sipas tij, raporti nga Borrell do të dërgohet fillimisht tek vendet anëtare, të cilat do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen e tij, para se të marrin vendimet e nevojshme.

  • Sali Berisha humb Apelin, mbetet “non grata” në Britani!

    Sali Berisha humb Apelin, mbetet “non grata” në Britani!

    Ish-presidenti dhe ish-kryeministri demokrat e humbi apelin në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” në Londër, me Ministrinë e Punëve të Brendshme, “Home Office”.

    Avokatët e zotit Berisha tentuan, por pa sukses, të rrëzojnë në këtë komision, dosjen britanike përmes të cilës “Home Office” e shpalli “non grata” më 19 korrik 2022.

    Sipas britanikëve, ish-kryeministri ishte i përfshirë në korrupsion, ndërhyri në punët e drejtësisë dhe se kishte lidhje me krimin e organizuar.

    Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ekskluzivisht siguroi vendimin e lexuar këtë të hënë në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit”, nga ku gjykatësi i çështjes rrëzoi pretendimin e zotit Berisha se ai gëzonte imunitet dhe nuk mund të ndëshkohej në këtë mënyrë.

    “E gjejmë të pavend aplikimin e formulës të imunitetit si ish-kreu i një shteti i aplikuar në këtë apel. Për këtë arsye dhe të tjera të trajtuara në sesionin e mbyllur kundërshtia e zotit Berisha për ti ndaluar hyrje në Britaninë e Madhe rrëzohet”.

  • Si t’i mbijetoni një sulmi në zemër kur jeni vetëm

    Si t’i mbijetoni një sulmi në zemër kur jeni vetëm

    Problemet e rënda me shëndetin mund të ndodhin në çdo kohë. A e dini se çfarë duhet të bëni kur jeni vetëm dhe keni një atak në zemër?

    Së pari, ato që nuk duhet të bëni.

    Mund të keni lexuar këshilla që qarkullojnë në internet, se nëse kolliteni fort gjatë ataku në zemër, mund t’ju ndihmojë që të mbijetoni deri kur të vijë ambulanca.

    Eshtë një praktikë reale mjekësore që quhet CPR e kollës, por është e dobishme vetëm gjatë arrestit të plotë kardiak, dhe jo domosdoshmërisht një ataku në zemër. Në fakt, përdorimi i kësaj teknike gjatë një ataku në zemër mund t’i përkeqësojë gjërat në mënyrë të konsiderueshme, dhe mund të shkaktojë vdekjen, përpara se të vijë ndihma.

    CPR me kollë funksionon duke rritur trysninë mbi gjoks, aq sa duhet për të ruajtur qarkullimin e gjakut që përmban oksigjen. Ndihmon trurin që të ruajë vetëdijen në periudha rreziku. Në disa raste mund të jetë gjëja e duhur, por nuk duhet të jeni ju që ta vendosni nëse është apo jo gjëja që duhet të bëhet. Gjëja më e mirë që mund të bëni nëse keni një atak në zemër, kur jeni vetëm, është të ruani qetësinë dhe thërrisni ambulancën MENJEHERE.

    Nëse keni atak në zemër, mund të merrni edhe Aspirinë, si një zgjidhje emergjente. Do t’ju hollojë gjakun dhe ndihmojë qarkullimin. Por përtypeni aspirinën përpara se ta gëlltisni. Kjo ndihmon që ajo të hyjë më shpejt në sistemin tuaj. Pra duhet të dini vetëm që aspirina dhe ruajtja e qetësisë do jua shpëtojë jetën, të kolliturit me siguri do i japë fund asaj.

  • IKSHPK jep këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta

    IKSHPK jep këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta.

    Një ndër këshillat e IKSHPK-së i drejtohet personave të moshuar, ku thuhet se assesi nuk duhet t’i ekspozohen temperaturave të larta mbi 30 gradë Celsius.

    “Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00, sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet; Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të hapura; Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose çaji; po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

    Sipas këtij instituti, grupet më të rrezikuara prej temperaturave të larta përveç të moshuarve janë gratë shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët e vegjël dhe individët që vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike.

  • Kurti për Tahirsylajn: Kontributi i tij në fushën e metereologjisë dhe për UP’në do të mbetet i paharrueshëm

    Kurti për Tahirsylajn: Kontributi i tij në fushën e metereologjisë dhe për UP’në do të mbetet i paharrueshëm

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime familjarëve të meteorologut Sylë Tahirsylaj, që vdiq dje.

    Ai tha se me Tahirsylajn ishte takuar para dy viteve kur kishte vizituar kullën e familjes në Isniq.

    “Kullën e familjes Tahirsylaj në fshatin Isniq e vizituam në tetorin e para dy viteve. Bisedat me Prof. Dr. Sylë Tahirsylaj i patëm të gjata e mbresëlënëse.”

    Kurti ka thënë se kontributi i Tahirsylajt si meteorolog dhe profesor do të mbetet i paharrueshëm.

    “Kontributi i tij në fushën e metereologjisë në Kosovë dhe për Universitetin e Prishtinës si akademik, do të mbetet i paharrueshëm. Baca Sylë, ishte një shpirt luftarak, që i rezistoi kohës dhe na mbushte plot energji e pozitivitet. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta na pikëlloi thellë. Do ta kujtojmë përherë përkushtimin për punën dhe dashamirësinë e tij. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Tahirsylaj, për më të dashurin tuaj. Bacën Sylë do ta kujtojmë për jetë e mot!”