Një ditë pas heqjes së barrikadës mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, konkretisht më 18 qershor 2014, serbët e veriut sërish bllokuan urën me barrikadën të quajtur “Parku i Paqes”.
Kryetari i atëhershëm i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, pati thënë se këtë veprim për ri-bllokimin e urës po e merr në koordinim të plotë me Qeverinë e Serbisë. I pranishëm gjatë gjithë aksionit ka qenë edhe shefi i së ashtuquajturës zyrë e qeverisë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.
Forca të shumta policore nuk kanë tentuar të parandalojnë bllokimin. Ndërkohë, kryetari i pjesës veriore e ka ftuar atë të pjesës jugore, Agim Bahtirin, që pjesën tjetër të urës së Ibrit ta shndërrojë po ashtu në park.
“Parku i Paqes”, është hequr më 14 gusht 2016, pas implementimit të marrëveshjes nga dialogu Kosovë-Serbi lidhur me urën në Mitrovicë.
Brenda gjashtë muajve pritet të marrin epilog rastet civile të viteve 2021 dhe 2022, që ishin duke u trajtuar nga Gjykata e Apelit. Për lëndët që u grumbulluan, Apeli vendosi të kthehet në pikën zero dhe të rishpërndahen në mënyrë të barabartë te gjyqtarët.
Kryetari Valon Totaj thotë se pabarazia në trajtimin e lëndëve është krijuar gjatë viteve.
Sipas Totajt, ky vendim ka qenë proces i domosdoshëm në raport me qytetarin.
Në Grupin për Studime Juridike dhe Politike e shohin si të duhur këtë vendim.
“Ky vendim i Gjykatës së Apelit është marrë në koordinim të plotë me Këshillin Gjyqësor dhe në vlerësimin tonë nuk ka ndonjë pengesë ligjore, që rastet civile të viteve 2021-2022 të rishpërndahen në mënyrë proporcionale te të gjithë gjyqtarët. Qëllimi është që ato të trajtohen njëkohësisht dhe që ngarkesa e gjyqtarëve të jetë e njëjtë”, tha Liridon Salihi nga GLSP.
Megjithatë, një këndvështrim tjetër e kanë avokatët, të cilët si zgjidhje e shohin shtimin e resurseve njerëzore.
Ndërkohë, rastet e vitit 2021 pritet të përfundojnë në korrik, ndërsa ato të vitit 2022 në fund të dhjetorit.
Komuna e Prishtinës synon që së shpejti t’i blejë 40 kontejnerë të rinj.
Kështu, planifikohet t’u bëhet vend mbeturinave të teknikës së bardhë dhe orendive shtëpiake, por edhe atyre që derivojnë nga ndërtimi e demolimi.
Komuna e Prishtinës është e gatshme të paguajë deri në 300 mijë euro për këta kontejnerë. Përmasat tyre do të variojnë nga tri metra kub deri në 20 metra kub.
Me këtë prurje, sipas drejtorit për Shërbime Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, Prishtina do të bëhet më e pastër.
“Ne Prishtinën do ta ndajmë në gjashtë zona dhe një ditë të javës në secilën zonë do të vendosen deri në 15 kontejnerë të përmasave të mëdha ku qytetarët më pas do të kenë mundësi t’i hedhin mbetjet e vëllimshme, por edhe ato ndërtimore që krijohen nga banorët e lagjes”, tha Brestovci.
Iniciativa e komunës mirëpritet nga ambientalistët. Megjithatë, kërkohet kujdes në përcaktimin e lokacioneve ku do të vendosen kontejnerët.
“Komuna nëse ka plan specifik, të detajuar, që i përfshin edhe hapat se si duhet të zbatohet ky projekt, mendoj që zonat të cilat janë targetuar, të cilat kanë zhvillim të hovshëm në kuptimin e ndërtimit dhe vendosja e tyre në lokacione specifike të cilat nuk e rëndojnë komunikacionin, nuk e rrezikojnë popullatën mendoj që do ishte shumë e favorshme”, tha Faruk Foniqi, ambientalist.
Megjithatë, Faruk Foniqi ka kritikuar menaxhimin e këtyre mbeturinave deri tash, duke thënë se ka lënë pasojë afatgjatë.
“Këto veprimtari i rrezikojnë edhe tokat bujqësore, deponimi vend e pa vend i tyre, i rrezikon edhe tokat bujqësore e në masë të madhe pastaj bëhet edhe rrezikimi i mjedisit, ujërave e kështu me radhë”, tha Foniqi.
Kontejnerët pritet të vendosen në zona të monitoruara nga kamerat e sigurisë.
Referuar rregullores së komunës, personi që hedh mbeturina ndërtimore dhe të vëllimshme jashtë vendit të përcaktuar, gjobitet me 200 euro.
Ndërkaq, tenderi për blerjen e kontejnerëve, sipas zyrtarëve komunalë, do të hapet këtë muaj.
Gati një vit pas miratimit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka dhënë pak detaje pse ligji për çmimin e produkteve medicinale nuk u zbatua deri tash.
Sipas tij lista me çmimet e barnave përmbante disa gabime teknike. Për të evituar parregullsitë, tashmë kabineti i tij po e përpilon një listë të re.
“Në momentin e parë që unë i kam vërejtur disa probleme të tilla në listë kam kërkuar nga komisioni që të fillojë me procedura për anulim bashkë me komisionin e ankesave, pastaj i cili i ka verifikuar tamam të qëlluara këto ankesa, ka propozuar që të anulohet, pastaj me kërkesën time edhe është anuluar kjo listë dhe tani komisioni gabimet teknike të vogla, gjëra të tilla që kanë ndodhur herën e parë, tash është duke i përmirësuar dhe është ka bëhet lista e re”, tha Vitia.
Por sipas ish-ministrit të shëndetësisë, Armend Zemaj, lista mund të jetë anuluar për shkak të keqpërdorimeve.
“Mendoj që kjo rritje e cila është propozuar, është bërë për interesa të kompanive të caktuara farmaceutike, dhe grupeve të caktuara të interesit të ndërlidhura drejtpërdrejt me njerëz të caktuar brenda Ministrisë së Shëndetësisë e të cilat e kanë marrë miratimin me shkrim nga ministri Vitia”, tha Zemaj.
Përderisa çmimet fikse për produktet medicinale vazhdojnë të mos zbatohen, qytetarët përballen edhe me çështjen e barnatoreve kujdestare.
“Ne e kemi dërguar një lloj drafti në ministri me orarin e kujdestarisë që orari I kujdestarisë së barnatoreve mos të lëviz shpesh nëpër komuna, të llogaritet në bazë të banorëve, të jetë pak më shumë edhe mbi kompetencat e ministrisë…”, tha zv.drejtori i Odës së Farmacistëve, Astrit Haxhijaha.
Oda e farmacistëve në draftin e saj kishte propozuar që komunat me mbi 100 banorë t’ i kenë 3 barnatore kujdestare, kurse 2 ato me mbi 50 mijë banorë.
Brenda këtyre rrethojave jetojnë shumë pacientë të qendrës Speciale në Shtime.
Por, këta qytetarë të cilët vuajnë nga sëmundje kronike psikike, brenda pak vjetësh pritet që ta kenë një hapësirë shumë më të madhe.
Pas ndarjes së parcelës nga komuna, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratën për hartimin e projektit për ndërtesën e re.
“Sipas informacioneve që kemi, kontrata për entin social janë nënshkru. Tani ka fillu projektimi i objektit. Sipas kontratës, janë diku 45 ditë për projektim dhe futet në procedurën e prokurimit. Po shpresojmë që brenda këtij viti ka me fillu ndërtimi i objektit”, tha drejtori për Planifikim Urban në Shtime, Gretuajb Emini.
Toka e ndarë është larg qendrës, në afërsi të fshatit Zborc.
“Parcela është 5 hektarë. I plotëson të gjitha kriteret për institucionin”, tha Emini.
Zhvendosja e Qendrës Integruese, Rehabilituese konsiderohet si e nevojshme edhe nga qytetarët.
“Populli është në zor. A dalin në rrugë, a i kapërcejnë telat. A të bëjnë be, a të lypin cigare. Është rrezik edhe për ta se shumë afër rrugës”, tha Salih Seferi, banor i Shtimes.
“Ma mirë është me e zhvendosë. Po dalin po lypin, po lypin”, tha Tafë Avdyli, banor i Shtimes.
Për këtë projekt, ministria e shëndetësisë i ka ndarë 8 milionë euro, derisa vlera e kontratës për hartimin e projektit ideor, kap vlerën e 100.000 eurove.
Pushtet e opozitë në Kosovë pajtohen që ura mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jug dhe veri duhet hapur. Hapja e mundshme e saj është duke u trajtuar me shumë seriozitet nga Qeveria, thotë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.
“Edhe tema e urës edhe tema të tjera janë tema që duhet të trajtuar me seriozitet nga institucionet tona, si nga ato lokale ashtu edhe ato qendrore. Strategjia e kësaj qeverie në forcimin e sovranitetit pa rritur rrezikun është strategjia më frytdhënëse që kemi parë gjatë 25 vjetëve të fundit. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë hapa pozitivë, ndërkohë jemi shumë të vetëdijshëm që nuk duhet të rrezikojmë territorin tonë, qytetarët dhe institucionet tona të sigurisë”, tha Gërvalla.
Megjithatë, derisa Bashkimi Evropian insiston që kjo çështje të zgjidhet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e konsideron të nevojshme edhe përfshirjen e SHBA-së.
“Për me bë këtë pjesë duhet me pasë një bashkëpunim dhe bashkërendim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillimisht… Ura duhet të hapet, mirëpo kur të hapet ura shteti nuk guxon të kthehet prapa. Unë nuk e kam problemin e hapjes së urës pasi duhet të hapet. Duhet me na ndihmua Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet të tjera që të hapet ura”, tha Tahiri.
Duke marrë parasysh që situata e sigurisë në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë tash e një kohë, për analistët politikë duhet pasur kujdes që kjo çështje të mos ngjallë valë të re dhune.
“Realisht presioni i madh që mund të ekzistojë nuk është siç ka qenë më parë, por edhe qëndrueshmëria e komunitetit serb nuk është siç ka qenë më parë. Hapja e urës do të ndodhë shumë shpejt, sepse është më shumë një çështje humane dhe të drejtave të njeriut, se që krijon probleme. Duhet me një vetëdijesim dhe bashkëpunim, që kur të hapet ura të mos ketë protesta, apo kundërefekt apo ndonjë notë verbale nga partnerët evropianë”, tha Dritëro Arifi, njohës politik.
Më 31 maj, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut mbajti një seancë në të cilën është diskutuar çështja e zbatimit të vendimit për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Vendimi për hapjen e Urës ishte marrë në prill të 2023 dhe nuk ishte zbatuar edhe pse ishte pikë e dy marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, në vitin 2015 dhe 2016 në kuadër të dialogut.
Nga prilli kur u rizgjodh kryetar i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri ende nuk po e ushtron postin e tij nga objekti i komunës.
Zeqiri thotë se pengesë mbetet rinovimi i objektit komunal, që sipas tij është në proces të tenderimit.
E për procedurat e prokurimit në mungesë të resurseve njerëzore, kryetari i Zubin-Potokut ka autorizuar zyrtarët e prokurimit të komunës së Vushtrrisë.
Përveç infrastrukturës, sipas Zeqirit, objekti ka nevojë për përmirësim të furnizimit me ujë dhe energji elektrike.
Përveç Zubin Potokut në mungesë të stafit, për procedurat e prokurimit njësoj po veprojnë edhe tri komunat e tjera veriore.
Kjo, sipas Iniciativës për Progres, është praktikë e ndërtuar në mungesë të kapaciteteve.
Por Nrecaj thekson përgjegjësinë e lartë të një zyrtari të prokurimit, çka, sipas saj, kjo praktikë nuk mund të jetë shumë efikase dhe duhet të ndërpritet.
Derisa, kryetari Zeqiri tha se tenderi për rinovim të objektit komunal është në procedurë e sipër, nga fillimi i këtij viti e deri tash Zubin-Potoku ka iniciuar katër aktivitete të prokurimit.
Ato janë kryesisht furnizim me serra dhe asfaltime të disa rrugëve.
Nijeti i therjes së kurbanit shkoi në vend, por jo edhe mbetjet.
Të hënën, ato u lanë në këtë hapësirë jo të duhur, fare pranë rrugës kryesore, në tregun e Vranjevcit në Prishtinë.
Kundërmim i rëndë vinte edhe në fshatin Shkabaj. Deponisë ilegale aty, veç mbeturinave tjera, iu shtuan edhe mbetjet e kafshëve.
Qytetarët që jetojnë këtë zonë, ankohen se ata e përjetojnë më së keqi këtë gjendje.
Institucionet nuk ndërmorën gjë për këtë problem, gjatë ditës. Madje, e hodhën përgjegjësinë te njëra-tjetra.
Inspektorati i Komunës së Prishtinës tha se kjo çështje i takon Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Ndërsa, AUV-i nuk dha ndonjë përgjigje, veçse u arsyetua se zyrtarët e saj i inspektojnë vetëm thertoret, por jo edhe therjet ilegale.
Profesionistët e fushës thonë se therja e kafshëve jashtë standardeve mund të shkaktojë sëmundje te qytetarët.
“Therja e kafshëve jashtë objekteve është një rrezik jashtëzakonisht i madh për shëndetin e qytetarëve, mundësia për me u transmetu sëmundje është shumë e madhe, veçanërisht në temperatura të larta siç janë tash”, tha Kaltrina Berisha, profesoreshë e veterinarisë.
Rëndësi të veçantë thonë se duhet kushtuar edhe kontrollit nga veterinari, para therjes, meqë kafsha mund të mos jetë e shëndoshë.
Therja e kurbanit, sipas rregullave fetare, zgjat tri ditë.
Në përvjetorin e lindjes së profesor Ukshin Hotit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe. Ai kujtoi 22 dëshmorët dhe 155 martirët të cilët u vranë nga Serbia gjenocidale, teksa ktheu në kujtesë edhe 64 krushjanë të cilët edhe sot e kësaj dite janë ende të pagjetur, në mesin e të cilëve 14 janë nga komuniteti ashkali.
Me dëshmitarët e masakrës së Krushës së Madhe, përkujtuan një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb mbi civilët shqiptarë. Ndërmjet 25-27 mars 1999, në Krushë të Madhe forcat serbe vranë 155 civilë. Në mesin e të vrarëve janë dhe 7 fëmijë e 5 gra, njëra prej tyre shtatzënë. Mbi 700 shtëpi u dogjën, përfshirë institucione fetare e kulturore dhe u shkatërruan pasuritë e fshatarëve. Gjatë luftës u zhdukën me dhunë 64 krushjanë, përfshirë dhe profesorin Ukshin Hoti pas lirimit nga burgu.
Banorët e Krushës folën për dy krematoriumet në Krushë të madhe. Në krematoriumin e parë nga i cili ekzistojnë ende gjurmë të tij, janë djegur 19 civilë të pafajshëm shqiptarë, ndërsa në krematoriumin e dytë në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, forcat paramilitare serbe kanë djegur mbi 40 civilë të pafajshëm shqiptarë. Kjo e fundit është vizituar më 23 qershor 1999 dhe nga atëherë ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Robin Cook.
Gjatë qëndrimit në Krushë të Madhe, kryeministri shkroi dhe në librin e kujtimeve të Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe.
Dorëshkrimi i plotë:
“Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe është institucionalizimi i kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi sa e krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale aq edhe dëshmi se Republika e Kosovës edhe ka ngadhënjyer edhe nuk harron. 64 krushjanë janë edhe të pagjetur! Lavdi 22 dëshmorëve dhe 155 martirëve të kombit nga Krusha e Madhe”.