ATV

Blog

  • Avokati britanik për dënimet në Hagë: Shumë zhgënjyese, Apeli mund të rrëzojë aktgjykimet

    Avokati britanik për dënimet në Hagë: Shumë zhgënjyese, Apeli mund të rrëzojë aktgjykimet

    Avokati britanik Toby Cadman ka komentuar aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke shprehur shqetësim për dënimet dhe mënyrën se si janë trajtuar dëshmitë e mbrojtjes.

    Në një intervistë për Euronews, Cadman ka folur edhe për mundësinë e zhvillimit të procedurave të apelit në Kosovë.

    Cadman, i cili ka përfaqësuar më herët Nasim Haradinajn dhe njeh mënyrën e funksionimit të Speciales, i cilësoi dënimet, veçanërisht ato prej 25 vitesh për Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, si “shumë zhgënjyese”.

    Sa i përket procesit të apelit, Cadman vlerësoi se mbrojtja duhet të fokusohet te mënyra se si janë trajtuar deklarimet e dëshmitarëve të mbrojtjes, duke thënë se kjo mund të argumentohet për të kërkuar rrëzimin e aktgjykimeve.

    “Sa i përket apelit, mendoj që duhet të argumentohet shpërfillja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes. Dëshmitë e mbrojtjes janë shpërfillur plotësisht dhe kjo duhet të argumentohet fuqishëm në apel dhe potencialisht të çojë në rrëzimin e aktgjykimeve. Si avokat, kam gjithmonë shpresë dhe besim në institucionet gjyqësore. Një nga gjërat që mezi pres”, tha Toby Cadman.

    Sipas tij, fakti që procesi ka ndjekur penalisht vetëm njërën palë të konfliktit ndikon në legjitimitetin e institucionit, ndërsa theksoi se Specialja është një tribunal ndërkombëtar në çdo aspekt, përveç emrit.

    “Reagimi im i parë ishte se kjo ishte një formë e pritshme, por është shumë zhgënjyese, sidomos shkalla e lartë e dënimit. Është kohëzgjatje shumë e madhe e dënimit, sidomos për Thaçin dhe Krasniqin, që u dënuan me 25 vjet. Kur një proces është ngritur për të ndjekur penalisht vetëm njërën palë të konfliktit, veçanërisht palën që ka vuajtur më së shumti, kjo ndikon në legjitimitetin e institucionit. Mendoj se një shqetësim tjetër është që vendimi jepet në emër të popullit të Kosovës. Kjo ka shkaktuar shqetësim të madh dhe po shohim lëvizje me sloganin ‘Jo në emrin tim’. Është e vështirë që kjo të barazohet me një gjykatë të Kosovës. Ky është një tribunal ndërkombëtar në çdo aspekt, përveç emrit”, tha Cadman.

    Sa i përket hapave të mëtejshëm, Cadman tha se ndryshimi i ligjit për Specialen do të ishte i vështirë për shkak të presionit ndërkombëtar, ndërsa përmendi mundësinë që procedurat e apelit të zhvillohen në Kosovë. Ai argumentoi se ligji nuk e përjashton një mundësi të tillë dhe se do të ishte e preferueshme që proceset të zhvilloheshin në vendin ku kanë ndodhur ngjarjet.

    “Kemi parë deklarata të shumta për ndryshimin e Speciales dhe mendoj për amendimin e ligjit, por mendoj se është shumë e vështirë që tani të ketë ndryshime. Një nga kritikat kryesore buron nga fakti se Specialja nuk ka asnjë lidhje me Kosovën, nuk ka koordinim me ministritë apo institucionet e Kosovës. Nëse shohim përpjekjet për reformën para disa vitesh, kishte një lëvizje në Kuvend për ta shqyrtuar institucionin dhe për të parë mundësinë për reformimin e ligjit. Autoritetet e Kosovës nuk kishin kompetencë për të bërë ndryshime dhe ndërkombëtarët ishin kritikë ndaj çdo përpjekjeje për të ndryshuar këtë proces. Mendoj se edhe tani do të ishte i njëjti presion nga BE-ja dhe SHBA-ja. Vetëm BE-ja do të kishte autoritet për ta bërë. Marrëveshja e shtetit pritës është një marrëveshje ndërkombëtare. Ajo ka një klauzolë ku Kosova potencialisht mund ta paraqesë një kërkesë në arbitrazh. Potencialisht është diçka që mund të konsiderohet tani nga autoritetet shtetërore.

    Si marrëveshje ndërkombëtare, është mes Kosovës dhe Holandës, që ka të bëjë me shtetin pritës. Me faktin që institucioni ndodhet në Hagë, jashtë Kosovës, janë bërë komente që procedurat e apelit të bëhen në Kosovë. Aktualisht nuk ka asgjë që e ndalon këtë, sepse ligji thotë se selia është në Kosovë dhe diku tjetër; ai nuk thotë se procedurat nuk mund të zhvillohen dhe të mbahen në Kosovë. Edhe unë kam thënë që është e preferueshme që kjo gjë të bëhet në vendin ku kanë ndodhur ngjarjet. Kosova, në të vërtetë, nuk ka ndonjë fuqi për t’i kërkuar institucionit dhe BE-së, por ama nuk ka asgjë që ta pengojë zhvillimin e seancave në Kosovë. Unë e kam mbështetur këtë edhe për arsyen se gjykata nuk ka qasje nga populli i Kosovës”, tha ai.

  • Lajm i keq për Real Madridin, Valverde pëson dëmtim

    Lajm i keq për Real Madridin, Valverde pëson dëmtim

    Real Madridi ka konfirmuar shkallën e dëmtimit të Federico Valverdes, i cili u lëndua gjatë derbit të humbur 2-1 ndaj Atletico Madridit.

    Klubi madrilen ka publikuar raportin mjekësor për mesfushorin uruguaian, duke bërë të ditur se ai ka pësuar ndrydhje të shkallës së tretë në kyçin e këmbës së majtë.

    “Pas testeve të kryera sot ndaj lojtarit tonë Fede Valverde nga Shërbimet Mjekësore të Real Madridit, ai është diagnostikuar me një ndrydhje të shkallës së tretë në kyçin e këmbës së majtë. Evolucioni i tij do të monitorohet”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Valverde u detyrua të largohej nga fusha gjatë pjesës së dytë të derbit, pas një ndërhyrjeje të fortë nga Kang-in Lee. Ekzaminimet e kryera më pas konfirmuan shkallën e dëmtimit.

    Sipas vlerësimeve të para, 27-vjeçari pritet të mungojë rreth dy deri në tri javë, megjithëse koha e rikuperimit do të varet nga mënyra se si do të evoluojë lëndimi.

    Pushimi i ardhshëm ndërkombëtar mund t’i japë Valverdes kohën e nevojshme për rikuperim, me synimin për t’u kthyer sa më shpejt në dispozicion të trajnerit.

    Mungesa e uruguaianit është një goditje për Real Madridin, duke marrë parasysh rëndësinë e tij në mesfushë dhe kontributin që jep në të dyja fazat e lojës.

  • Kurti kërkon mbështetjen e Kuvajtit që Kosova të fitojë statusin e vëzhguesit në OBI

    Kurti kërkon mbështetjen e Kuvajtit që Kosova të fitojë statusin e vëzhguesit në OBI

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar takim me Princin e Kurorës së Shtetit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Khaled Al-Hamad Al-Sabah në e punimeve të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

    Në këtë takim siç ka njoftuar Kurti është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë.

    “Tani është koha për një hap të ri domethënës: këtë miqësi ta kthejmë në partneritet konkret në rrugën e zhvillimit ekonomik. Shprehëm gatishmërinë tonë për ta nënshkruar memorandumin për Komisionin e Përbashkët për Bashkëpunim, i cili do t’u japë marrëdhënieve tona mundësi të reja dhe një kornizë të qëndrueshme. U pajtuam që së shpejti do t’i përmbyllim edhe marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe marrëveshjen për mbrojtjen e investimeve. Kërkuam gjithashtu mbështetjen e Kuvajtit që Kosova të fitojë statusin e vëzhguesit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Kurti ka kujtuar edhe ndihëm që Kuvajti ka dhënë gjatë luftës në Kosovë ku ka shprehur falënderimin.

    Kryeministri njoftoi se Princi i Kuvajtit e ka falënderuar Kosovën për përkrahjen në luftimin e ekstremizmit në rajonin e Gjirit.

    Në takim siç ka njoftuar Kurti është biseduar edhe për kontributin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin paqeruajtës në Kuvajt si pjesë e Gardës Kombëtare të Iowa-s.

  • KFOR-i trajnon personelin për përdorimin e dronëve në kampin “Bondsteel”

    KFOR-i trajnon personelin për përdorimin e dronëve në kampin “Bondsteel”

    Personeli shumëkombësh i çështjeve publike në kuadër të KFOR-it ka zhvilluar trajnim për përdorimin e sigurt të dronëve të vegjël në kampin “Bondsteel”.

    Postimi i plotë:

    Personeli shumëkombësh për çështje publike, i angazhuar në misionin e Forcës së Kosovës të udhëhequr nga NATO-ja (KFOR), ka marrë pjesë në një trajnim për përdorimin e sigurt të sistemeve të vogla të mjeteve ajrore pa pilot në Kampin “Bondsteel”, duke përmirësuar aftësitë e tyre për realizimin e imazheve ajrore.

    Instruktorë nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë ofruar trajnim praktik për personelin e çështjeve publike nga Irlanda dhe SHBA-ja, duke zhvilluar aftësitë e tyre për integrimin e imazheve ajrore në operacionet e komunikimit publik.

    Ky trajnim forcon ndërveprueshmërinë, ndërsa zgjeron aftësinë e KFOR-it për të dokumentuar dhe komunikuar aktivitetet e tij në të gjithë Kosovën.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në lirinë e lëvizjes.

    KFOR-i e realizon këtë mision në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si mekanizma të reagimit në fushën e sigurisë.

  • Osmani, Kaçuri dhe Avdyli flasin për herë të parë si lojtarë të Kombëtares A të Kosovës

    Osmani, Kaçuri dhe Avdyli flasin për herë të parë si lojtarë të Kombëtares A të Kosovës

    Kombëtarja e Kosovës ka marrë tri emra të rinj në grumbullimin për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Irlandës, Austrisë dhe Izraelit.

    Erblin Osmani, Dion Kaçuri dhe Milot Avdyli janë ftuar për herë të parë në Kombëtaren A, duke bërë hapin e radhës në karrierën e tyre dhe duke iu bashkuar grupit të përzgjedhësit Franco Foda.

    Tre futbollistët kanë folur për emocionet e tyre përmes një videoje të publikuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, duke treguar se çfarë do të thotë për ta veshja e fanellës së Dardanëve.

    Osmani ka premtuar angazhim maksimal në këtë kapitull të ri, duke theksuar se do të japë gjithçka për fanellën e Kosovës.

    Edhe Kaçuri nuk e ka fshehur emocionin për ftesën e parë. Ai është shprehur i lumtur dhe krenar që i është dhënë mundësia të jetë pjesë e Kombëtares A, ndërsa ka premtuar përkushtim maksimal në çdo ditë me Dardanët.

    “Do të jap maksimumin çdo ditë për këtë fanellë. Forca Kosova!”, ka thënë Kaçuri.

    Për Avdylin, kjo ftesë ka një domethënie të veçantë. Ai e ka cilësuar grumbullimin me Kombëtaren A si realizim të një ëndrre, duke kujtuar rrugëtimin e tij nga grupmoshat e Kosovës deri te ekipi i parë.

    “Ëndërr e realizuar, zemra plot krenari. Tash gjithçka për Kosovën”, është shprehur Avdyli.

    Me këto tri prurje, Kombëtarja e Kosovës po i jep mundësi një brezi të ri futbollistësh të provojnë veten në nivelin më të lartë, ndërsa për Osmanin, Kaçurin dhe Avdylin nis një kapitull i ri me fanellën e Dardanëve.

  • Kina shpenzon rekord për arin, blen mbi 1 mijë tonë brenda tetë muajve

    Kina shpenzon rekord për arin, blen mbi 1 mijë tonë brenda tetë muajve

    Kina ka shpenzuar një shumë rekord për importin e arit gjatë vitit 2026, duke blerë më shumë se 1 mijë tonë vetëm në tetë muajt e parë të vitit.

    Sipas Financial Times, deri në fund të gushtit Kina ka shpenzuar 158.8 miliardë dollarë (rreth 138.5 miliardë euro) për importin e arit.

    Kjo shumë është dukshëm më e lartë se 96.5 miliardë dollarët (rreth 84.1 miliardë euro) që Kina shpenzoi gjatë gjithë vitit 2025, kur importoi 886 tonë ar.

    Gjatë vitit të kaluar, Kina kishte frenuar blerjet e arit, në një kohë kur çmimi i metalit të çmuar po rritej me shpejtësi.

    Kina është gjithashtu prodhuesi më i madh në botë i arit. Sipas Këshillit Botëror të Arit, vendi prodhoi 384 tonë gjatë vitit të kaluar.

    Të dhënat tregojnë gjithashtu se investitorët kinezë po blejnë më shumë ar, si pjesë e përpjekjeve për të diversifikuar pasuritë e tyre.

  • FSK avancon kapacitetet teknike për mirëmbajtjen e HMMWV-ve me mbështetjen e SHBA-së

    FSK avancon kapacitetet teknike për mirëmbajtjen e HMMWV-ve me mbështetjen e SHBA-së

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka avancuar kapacitetet e saj teknike për mirëmbajtjen e automjeteve HMMWV, përmes trajnimit “Maintenance Event”, të zhvilluar në objektin e SMAR-it, në Aeroportin e Gjakovës.

    Në kuadër të zhvillimit dhe avancimit të vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është realizuar trajnimi “Maintenance Event”, në objektin e SMAR-it, në Aeroportin e Gjakovës.

    Trajnimi u zhvillua me pjesëmarrjen e pjesëtarëve të FSK-së dhe me mbështetjen e pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Ajova-s, SHBA, duke ofruar mundësi për shkëmbim të përvojave dhe avancim të njohurive teknike në mirëmbajtjen e automjeteve HMMWV.

    Gjatë trajnimit, pjesëtarët e FSK-së zhvilluan aftësi praktike në inspektimin, mirëmbajtjen, diagnostikimin dhe riparimin e sistemeve kryesore të automjeteve HMMWV, me fokus të veçantë në transmisionin, sistemin e derivateve dhe sistemet elektronike.

    Një komponent i rëndësishëm i trajnimit ishte edhe zhvillimi i kapaciteteve të instruktorëve të FSK-së, duke krijuar mundësi për bartjen e njohurive dhe përvojave të fituara tek pjesëtarët e tjerë të Forcës.

    Ky aktivitet përfaqëson një tjetër hap në ngritjen e kapaciteteve teknike dhe profesionale të FSK-së, rritjen e efikasitetit në mirëmbajtjen e mjeteve dhe forcimin e bashkëpunimit të qëndrueshëm me Gardën Kombëtare të Ajova-s.

  • Kosovë – Irlandë, gjyqtarët belgë në krye të sfidës në “Fadil Vokrri”

    Kosovë – Irlandë, gjyqtarët belgë në krye të sfidës në “Fadil Vokrri”

    Kosova të enjten do ta nisë aventurën e re në Ligën e Kombeve, me “Dardanët” që në stadiumin “Fadil Vokrri” do të presin Irlandën. Ndeshja është programuar të nisë në ora 20:45.

    UEFA ka vendosur që kjo përballje të drejtohet nga një ekip tërësisht belg, me Lawrence Visserin të caktuar si gjyqtar kryesor.

    Për Visserin nuk është hera e parë që arbitron një ndeshje të Kosovës. Gjyqtari belg e kishte drejtuar edhe takimin Kosovë – Ishujt Faroe në Ligën e Kombeve 2018/19, të zhvilluar në të njëjtin stadium.

    Atëherë, Kosova kishte triumfuar 2-0 ndaj Ishujve Faroe.

    Në sfidën e së enjtes, Visser do të asistohet nga Ruben Wyns dhe Michele Seeldraeyers, ndërsa Kevin Van Damme do të jetë gjyqtari i katërt.

    Edhe ekipi i VAR-it do të jetë belg. Jan Boterberg do të jetë përgjegjës për VAR-in, me Simon Bourdeaud’hui si ndihmës i tij.

    Kështu, UEFA ka caktuar një ekip tërësisht belg për të drejtuar sfidën e parë të Kosovës në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

  • Messi konfirmon ndeshjen e fundit me Argjentinën: Një fanellë për gjithë jetën

    Messi konfirmon ndeshjen e fundit me Argjentinën: Një fanellë për gjithë jetën

    Lionel Messi do ta zhvillojë ndeshjen e 208-të dhe të fundit me fanellën e Argjentinës më 30 shtator, kur kampionët e botës do të përballen me Bolivinë në një ndeshje miqësore.

    39-vjeçari ka konfirmuar se do të jetë i gatshëm për këtë takim, ndërsa lajmin e ka bërë të ditur në mënyrë simbolike përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.

    Në video, Messi heq fanellën që kishte veshur dhe vendos atë që do ta përdorë në përballjen ndaj Bolivisë, duke shoqëruar pamjet me një mesazh emocionues:

    “Një ndeshje e fundit… Një fanellë për gjithë jetën.”

    Kjo do të jetë paraqitja e 208-të e Messit me Argjentinën, me yllin e futbollit që deri tani ka realizuar 125 gola dhe ka dhënë 68 asistime.

    Me kombëtaren, Messi ka fituar tre trofe madhorë: Kupën e Botës në vitin 2022 dhe dy herë Copa América.

    Ndeshja ndaj Bolivisë pritet të shënojë fundin e një epoke për Argjentinën, me kapitenin legjendar që do t’i japë fund aventurës së tij ndërkombëtare pas një karriere historike me fanellën “Albiceleste”.

  • Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme vdekjeprurëse ndërsa Zelensky përgatitet të takohet me Trump në OKB

    Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme vdekjeprurëse ndërsa Zelensky përgatitet të takohet me Trump në OKB

    Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme të reja me raketa dhe dronë, duke shkaktuar viktima dhe dëme në të dyja anët, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump.

    Gjatë natës, forcat ruse goditën të paktën katër rajone të Ukrainës me raketa dhe më shumë se 200 dronë. Autoritetet ukrainase raportuan katër të vrarë në qytetin Dnipro dhe të paktën pesë të plagosur në zona të tjera, përfshirë kryeqytetin Kyiv. Sulmet dëmtuan banesa, biznese dhe objekte magazinimi.

    Në të njëjtën kohë, Ukraina kreu një tjetër sulm me rreze të gjatë në territorin rus, duke goditur rafinerinë e naftës Kuibyshev në rajonin e Samarës. Sipas forcave speciale ukrainase, disa dronë goditën objektin dhe shkaktuan një zjarr të madh. Rafineria, në pronësi të Rosneft, është një furnizues i rëndësishëm i karburanteve për Rusinë qendrore.

    Guvernatori i Samarës, Vyacheslav Fedorishchev, tha se një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën në sulm. Ai tha se objektivi ishte një “strukturë industriale”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

    Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se gjatë natës forcat e saj rrëzuan 297 dronë ukrainas mbi 14 rajone të Rusisë dhe mbi Krimenë e aneksuar ilegalisht.

    Nga ana tjetër, Forcat Ajrore ukrainase thanë se sulmi rus përfshiu raketa kundër anijeve, raketa balistike, raketa kruiz dhe më shumë se 200 dronë.

    Shkëmbimi i përditshëm i sulmeve ajrore vjen ndërsa vijat e frontit kanë ndryshuar relativisht pak dhe Zelensky po zhvillon një seri takimesh diplomatike në Shtetet e Bashkuara.

    I began my visit to New York by a meeting with U.S. senators. I thanked them for their strong bipartisan support for Ukraine and for passing The Lindsey Graham’s sanctions bill. This is absolutely the right step, and once it is fully implemented, peace and guaranteed security will certainly be closer.We agreed that our teams will work closely on sanctions. I briefed the senators on the de-escalation proposals we will discuss with the President of the United States. We also raised our need for ballistic missile interceptors and the challenges we face ahead of the coming winter. There are things we can do together with America to protect lives. American made Patriot Systems cannot be replaced at this point, and the more anti-ballistic protection Ukraine has, the less emboldened Russia will be to continue its strikes and prolong the war. Thank you!
    — Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) September 22, 2026
    Në fillim të vizitës së tij në Nju Jork, presidenti ukrainas u takua me senatorë amerikanë, të cilëve u shprehu mirënjohjen për mbështetjen dypartiake ndaj Ukrainës dhe për miratimin e legjislacionit të ri për sanksionet ndaj Rusisë, të cilin Trump e ka nënshkruar në ligj.

    Zelensky tha se masat e reja të sanksioneve mund të ndihmojnë në rritjen e presionit ndaj Moskës dhe bëri të ditur se u prezantoi senatorëve propozimet e tij për masa de-përshkallëzimi, të cilat synon t’i diskutojë me Trumpin.

    Një prej kërkesave kryesore të Kievit mbetet forcimi i mbrojtjes ajrore, përfshirë furnizimin me më shumë sisteme amerikane Patriot, të cilat Ukraina i konsideron të nevojshme për përballimin e raketave balistike dhe sulmeve të vazhdueshme ajrore.

    Zelensky pritet të kërkojë gjithashtu mbështetje për një “armëpushim energjetik”, me synimin që Rusia dhe Ukraina të ndalojnë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike. Presidenti ukrainas ka thënë se një hap i tillë mund të shërbejë si pikënisje për masa më të gjera de-përshkallëzimi.

    Në të njëjtën linjë, presidenti francez Emmanuel Macron tha se kishte diskutuar me Trumpin mundësinë e një armëpushimi për objektet energjetike dhe një moratoriumi për sulmet në Detin e Zi. Franca gjithashtu ka njoftuar se do t’i sigurojë Ukrainës radarë shtesë për mbrojtjen e rrjetit energjetik.

    Zelensky synon që në takimin me Trumpin të diskutojë jo vetëm mbrojtjen ajrore dhe energjinë, por edhe sigurinë e eksporteve ukrainase të grurit dhe produkteve të tjera bujqësore përmes Detit të Zi, një rrugë jetike për ekonominë ukrainase dhe furnizimet ndërkombëtare.

    Takimi Zelensky-Trump në Nju Jork zhvillohet në një moment kur sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe objekteve të naftës kanë shtuar presionin mbi tregjet ndërkombëtare të karburanteve.

    Reuters ka raportuar se sulmet ndaj kapaciteteve të rafinimit në Rusi, të kombinuara me ndërprerjet e furnizimeve të shkaktuara nga lufta në Lindjen e Mesme, kanë kontribuar në rritjen e çmimeve të naftës së përpunuar dhe veçanërisht të naftës dizel.

    Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin nuk pritet të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Zelensky po përdor takimet në Nju Jork për të kërkuar mbështetje ndërkombëtare për përfundimin e luftës dhe për masat e mundshme të de-përshkallëzimit.