ATV

Blog

  • Alarm i rremë për mjetin shpërthyes në rrugën për në Gërmi

    Alarm i rremë për mjetin shpërthyes në rrugën për në Gërmi

    Përgatiti: Sara Shehu

    Një pajisje e veturës e lënë në këtë vend, afër rrugës për në parkun e Gërmisë, i alarmoi disa persona, pasi menduan se është mjet shpërthyes.

    Ata i njoftuan forcat e rendit, të cilët me disa njësi erdhën dhe e bllokuan perimetrin rreth mjetit të dyshimtë.

    Rruga u bllokua për rreth një orë.

    Gjithë ky mobilizim, i bëri kureshtarë qytetarët.

    Mirëpo, pas veprimeve operative nga ekipet policore, rezultoi të ishte alarm të rremë.

    “Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, ka rezultuar se mjeti nuk ka qenë shpërthyes. Bëhet fjalë për një pajisje të veturës”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

    Prapa kamerës, qytetarët thanë se gjatë viteve të fundit, disa herë ka pasur alarme të rreme për mjete shpërthyese, andaj u shprehën të shqetësuar për këto lloj raportimesh.

    Sidoqoftë, pas përfundimit të ekzaminimit, rruga është liruar për qarkullim.

  • I akuzuar për krime kundër njerëzimit në Irak e në Siri, i mohon akuzat

    I akuzuar për krime kundër njerëzimit në Irak e në Siri, i mohon akuzat

    Përgatiti: Nora Luta

    Murat Dernjani, ish-pjesëtar i organizatës terroriste Shteti Islamik, nuk e ka pranuar fajësinë rreth akuzave për krime kundër njerëzimit ndaj vajzave të komunitetit jazid në Siri dhe në Irak.

    Prokuroria Speciale e ngarkon Dernjanin edhe për dhunë seksuale, e sipas aktakuzës viktimat kanë qenë të mitura, dhe për këtë procesi gjyqësor në Gjykatën e Prishtinës, po zhvillohet i mbyllur për publikun.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, veprat penale u kryen gjatë konfliktit në Siri dhe në Irak, gjatë viteve 2014-2017. PSRK-ja gjatë hetimeve për Dernjanin, bashkëpunoi edhe me autoritetet e disa shteteve, sikurse Gjermania e Franca.

    Pesë nga të mbijetuarat, sipas gjykatës, pritet të dëshmojnë në gjykimin ndaj Dernjanit, i cili ndodhet në paraburgim. Ndërkohë, këtë të enjte u mbajt seanca e shqyrtimit gjyqësor, pas asaj fillestare që ishte zhvilluar më 29 prill.

    Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lidhur me çështjen penale për të pandehurin M.D, seanca e shqyrtimit fillestar është mbajtur me datë 29.04.2024, në orën 09:30.

    Seanca fillestare në këtë çështje penale është mbajtur e mbyllur për publikun, në bazë të nenit 289 të Kodit të Procedurës Penale. I pandehuri M.D. nuk e ka pranuar fajësinë dhe konform rregullave të Kodit të Procedurës Penale, gjykata ka udhëzuar mbrojtësin dhe të pandehurin për kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kërkesën e kundërshtimit të provave në afat prej 30 ditësh. Në këtë çështje penale janë të propozuar të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve, pesë të dëmtuara/ viktima. Sot, me datë 20 qershor 2024, nga orën 09:30, ka filluar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale.

    Ish-pjesëtari i ISIS-it ishte dënuar me 5 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm, pasi më 9 janar të vitit 2019, e kishte pranuar fajësinë për pjesëmarrje në grupe terroriste.

    Ai akuzohej nga Prokuroria Speciale se gjatë 2013-s kishte udhëtuar drejt Turqisë, duke marrë me vete gruan dhe djalin e tij, me qëllim që t’i bashkohej ISIS-it.

  • Javën tjetër, parlamenti spanjoll debaton rreth pavarësisë së Kosovës

    Javën tjetër, parlamenti spanjoll debaton rreth pavarësisë së Kosovës

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Javën e ardhshme deputetët spanjollë mund të diskutojnë rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës.

    Ky diskutim u vendos pas kërkesës së parashtruar nga grupi parlamentar i partisë katalonase Junts, e cila kërkon nga Qeveria spanjolle ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran.

    Spanja është vetëm një prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Megjithatë, në janar të këtij viti pasi liberalizimi i vizave brenda zonës Schengen hyri në fuqi për Kosovën, Madridi njohu pasaportën.

    Konsideruar këtë, njohës të politikës së jashtme vlerësojnë se qëndrimi i Spanjës mund të ndryshojë.

    “Mos-njohja e Kosovës nga Spanja u konvenon politikave ruse destabilizuese në Ballkan. Spanja me dëshirë apo pa dëshirë do të shtyhet rreth njohjes së Kosovës, për ta stabilizuar dhe për t’i dhënë BE-së fuqi… Këta janë këta indikatorë të themi që në një periudhë afatmesme”, tha Dritëro Arifi, profesor.

    Por edhe nëse Spanja ndryshon qëndrim ndaj Kosovës, njohja e shtetit megjithatë vlerësohet që s’do të ndodhë në një të ardhme të afërt.

    “Disa veprime me pjesëmarrje të organizimeve që Kosova ishte pjesë e organizimeve të Spanjës, edhe kjo iniciativë edhe pse e një partie të vogël janë indikacione që Spanja mund ta njohë Kosovën në të ardhmen…”, tha Fidan Ukaj, analist.

    Arsyeja kryesore që Spanja nuk e njeh Kosovën, sipas njohësve, lidhet me qëndrimin e Madridit karshi aspiratave të rajonit verilindor të saj, Katalonjës, që të pavarësohet.

    Ky rajon në vitin 2017 organizoi referendumin për pavarësi, të cilit Madridi iu përgjigj me dhunë dhe ndjekje penale të organizatorëve. Njëri prej tyre ishte Carles Puigdemont, kryetari i partisë Junts, i cili u strehua në Belgjikë ku mori azilin politik.

    Ai u kthye në Spanjë vetëm pasi kryeministri aktual, Pedro Sanchez, vendosi t’i amnistojë të gjithë të përfshirët në referendum, në këmbim të përkrahjes së partive katalonase në formimin e qeverisë së tij pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme vitin e shkuar.

  • Më 26 qershor, takimi Kurti-Vuçiq “për zbatimin e Marrëveshjes Bazë”

    Më 26 qershor, takimi Kurti-Vuçiq “për zbatimin e Marrëveshjes Bazë”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për herë të parë pas sulmit terrorist paramilitar të 24 Shtatorit në Banjskë, krerët shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë pritet ta zhvillojnë një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut në Bruksel.

    Bashkimi Evropian konfirmoi se kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, janë ftuar për diskutime më 26 Qershor.

    “Mund të konfirmoj se një takim i nivelit të lartë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, Beograd-Prishtinë, do të mbahet të mërkurën e ardhshme. Presidenti i Serbisë dhe kryeministri Kurti do t’i përfaqësojnë palët përkatëse dhe takimi do të kryesohet nga lehtësuesi – Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, mbështetur nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak”., tha për ATV-në zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Megjithatë, BE-ja nuk dha detaje për temat.

    Paraprakisht, blloku 27-anëtarësh kishte bërë të ditur se do të organizojë takim të nivelit të lartë vetëm kur të ketë pajtim për të diskutuar çështje konkrete.

    Pa dhënë shumë detaje, Qeveria konfirmoi pjesëmarrjen e kryeministrit në takimin e ftuar nga Borrell-i.

    “Me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Kryeministri i Republikës së Kosovës do të marrë pjesë në takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të procesit të dialogut, i cili është paraparë për javën tjetër, më 26 qershor. Në fokus kryesor ky takim do të ketë zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj dhe rrugën përpara”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Takimi Kurti-Vucic vjen pak ditë pas vizitave të emisarit Miroslav Lajcak, në Prishtinë dhe në Beograd.

    Më 18 qershor, emisari evropian konfirmoi se do të bëjë një vlerësim për nivelin e konstruktivitetit të Kosovës dhe Serbisë në dialog – si parakusht që ato të përfitojnë nga Plani 6-miliardësh i Rritjes – teksa është paralajmëruar që shpërndarja e fondeve të nisë në muajin e ardhshëm.

    Diskutimet Kurti – Vucic, me lehtësimin e Borrellit, do të zhvillohen një ditë para takimit të liderëve të shteteve anëtare dhe atyre institucionalë të BE-së, më 27 dhe 28 Qershor.

    Paraprakisht, të hënën, do të zhvillohet takimi i ministrave të jashtëm të unionit, në të cilin është e ftuar ministrja Donika Gërvalla.

  • Përparim Rama zyrtarisht nuk është në dijeni se po hetohet nga prokuroria

    Përparim Rama zyrtarisht nuk është në dijeni se po hetohet nga prokuroria

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Përparim Rama, zyrtarisht nuk është në dijeni nëse është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale për tenderin e Arkitektit të Kryeqytetit. Komuna e Prishtinës, konfirmoi për ATV-në se asnjë zyrtar komunal nuk është ftuar nga PSRK-ja.

    “Kryeqyteti nuk ka asnjë informatë apo komunikim zyrtar rreth fillimit të hetimeve për kontratën me Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit. Asnjë zyrtar komunal nuk është kontaktuar e as nuk është intervistuar nga Prokuroria Speciale. As Kryetari i Kryeqytetit nuk është ftuar për intervistim në asnjë cilësi për këtë kontratë, dhe për asnjë hetim tjetër për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

    Megjithatë, pushteti lokal në kryeqytet nuk u përgjigj në lidhje me pretendimet se tenderi 12 milionësh iu besua konsorciumit pjesë e të cilit ishte edhe një mik i Përparim Ramës.

    Sidoqoftë, në dhjetor të vitit 2023, në emër të “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit” Komuna e Prishtinës kishte paguar mbi 1 milion euro.

    Këto pagesa për opozitën në kryeqytet janë shqetësuese.

    “Për neve vazhdon të jetë shqetësim i madh pagesa e faturave ende pa parë ndonjë rezultat praktik në qytet dhe siç e kemi thënë edhe më herët qëndrim i yni është se Përparim Rama po del të jetë një byro projektuese që vetëm vizaton e ngjyros, por projektet në realitet nuk janë kurrkund”, tha Leotrim Retkoceri, asamblist i PDK-së.

    Sipas Leotrim Retkocerit nga PDK-ja, Komuna e Prishtinës për shërbime arkitekturore po paguan shumëfish më shtrenjtë se çmimi i tregut.

    “Kemi pa pagesa në shifra shumë të larta për diçka që në tregun kosovar janë çmime shumë më të ulëta. Derisa është prej 2 deri në 4 euro për metër katror një hartim i planit, Komuna e Prishtinës po paguan deri në 22 euro për metër katror”, tha Retkoceri.

    Fillimin e hetimeve nën dyshimin për kurdisje të tenderit “Themelimi i Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit” Prokuroria Speciale e konfirmoi të martën.

  • Pritet shtrenjtimi i ujit

    Pritet shtrenjtimi i ujit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Naser Raçi është pagues i rregullt i faturës së ujit.

    Mirëpo, në muajt e ardhshëm çmimi i faturës së tij mund të vijë më i lartë, nëse merret parasysh kërkesa e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Prishtinë.

    “Ne kemi bërë kërkesë në Autoritetin Rregullator të ujit që të kemi sado pak rritje të tarifës së ujit, por kjo mbetet që Autoriteti Rregullator i Ujit ta shohë perfomancën e kompanisë, të shohë kostot e larta që i kemi në trajtim për shpërndarje të ujit dhe më pas do të vendoset se a do të ketë ngritje të çmimit të ujit apo jo”, tha zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.

    Megjithatë, ARRU-ja, gjatë të enjtes, nuk tregoi nëse tarifa për ujë do të rritet apo jo.

    Por nëse kjo ndodh, për Naser Raçin është e papranueshme.

    “Tmerr është, kjo marre është, edhe është uji i zotit, uji i Batllavës që nuk e pi kurrë veç për mu pastru se uji është i fëlliqur, a çka flasin në ujësjellës, Arjeta e ata krejt rrena janë, ujin e Batllavës nuk e pi kurrë se kom pasë problem me gur”, tha Raçi.

    Kundër shtrenjtimit të tarifës së ujit janë edhe disa qytetarët të tjerë.

    Aktualisht, çmimi për një metër kub ujë për ekonomitë familjare është 44 centë, ndërkaq për biznese 67 centë.

  • Punëtorët e ‘Trepçës’ sërish kanë probleme me mos ekzekutimin e pagave me kohë, reagon sindikata

    Punëtorët e ‘Trepçës’ sërish kanë probleme me mos ekzekutimin e pagave me kohë, reagon sindikata

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, përmes një reagimi në faqen zyrtare në facebook, ka akuzuar menaxhmentin dhe drejtuesit e Trepca Sh.A., për mos ekzekutimin e pagave për minatorët me kohë.

    Në reagim, kjo sindikatë ka akuzuar menaxhmentin i ndërmarrjes se kjo e fundit është munduar t’i shantazhojë minatorët.

    “Sot menaxhmenti i ndërmarrjes përmes një postimi ne rrjete sociale është munduar të shantazhoj, friksoj dhe etiketoj minatorët si bojkotues dhe saboutes të punës, të cilët në mënyrë të kundërligjshme e pengojn procesin e punës. Qasja e tillë fyese, joprofesionale dhe duke tentuar që të shantazhoj minatorët jo vetëm që është e papranueshme, por minatorët duan KËRKIM FALJE PUBLIKE nga menaxhmenti. Por ta dini se minatorët nuk mund ti shantozhoni e as t’i frikësoni, asnjëherë”, thuhet në reagim.

    Reagimi i plotë:

    Të nderuar minatorë,

    Tashmë e sa kohë jemi duke u ballafaquar me problemin më elementar nga marrdhënia e punës, sic është mos ekzekutimi i pagës me kohë.

    Sic duket është bërë tradite që menaxherët dhe drejtuesit ekzekutiv të Trepca Sh.A., çdo herë mos punën e tyre, ta adresojn në drejtim të minatorëve, duke tentuar që vazhdimisht dhe me çdo kusht fajin kryesor për dështimin e ndërmarrjes ta bartin minatorët. Për ironi të fatit përpjekjet tona të vazhdueshme për të kërkuar kushte me të mira pune dhe investime, injorohen nga të gjitha institucionet, punë e cila para së gjithash është detyrë dhe obligim i menaxhmentit dhe vet qeverisë!!!

    Sot menaxhmenti i ndërmarrjes përmes një postimi ne rrjete sociale është munduar të shantazhoj, friksoj dhe etiketoj minatoret si bojkotues dhe saboutes të punës, të cilët në mënyr të kundërligjshme e pengojn procesin e punës.

    Qasja e tillë fyese, joprofesionale dhe duke tentuar që të shantazhoj minatorët jo vetëm që është e papranueshme, por minatorët duan KËRKIM FALJE PUBLIKE nga menaxhmenti. Por ta dini se minatorët nuk mund ti shantozhoni e as ti friksioni, asnjëher.

    Pretendimet për ngecje në prodhim janë të paqendrushme. Ndërsa joprofesionalizmi dhe padijenia totale e këtij menaxhmenti janë evidente dhe sdojnë koment.

    Për informimin e opinionit muaji që lam pas ka shënuar rezultate të jashtzakonshme në prodhim, krahasuar me kushtet ekstrem të vështira të punës. Por ju zotri “Kryeshef”- menaxhment nuk e keni realizuar misionin për të cilin jeni mandatuar. Andaj nuk është e ndershme e as njerzore që dështimin tuaj ta faturoni dikund tjeter. Duhet të merrni përgjegjesin për deshtimet dhe dëmtimin e minierës.

    Në këtë situate në të cilen ndodhemi lusim institucionet e Republikës së Kosovës (qeverine) që të gjejnë një zgjidhje për evitimin e problemeve financiare në ndërmarrjen Trpeca Sh.A., duke bërë investime kapitale në ndërmarrje, si e vetmja rrugë dalje nga kaosi dhe problemet serioze në të cilat ndodhet ndërmarrja.
    Kjo situatë e rëndë në ndërmarrje kërkon reagim të shpejt dhe qasje serioze, si përpjekje për të shmangur problemet e vazhdueshme.

    Ekzekutimi në kohë dhe i plotë i pagave për minatorët, është obligim dhe detyrë e institucioneve përgjegjëse, andaj edhe kërkojm realizimin e tyre menjeher.

    Me fat!
    SPMTK

  • Vapa shkurton orët e mësimit në shkollën “Mihal Grameno”

    Vapa shkurton orët e mësimit në shkollën “Mihal Grameno”

    Përgatiti: Armand Hoti

    Temperaturat e larta, të enjten, e djersitën këtë nxënës të shkollës fillore “Mihal Grameno”, në Fushë-Kosovë.

    Kondicionerë nuk ka në asnjë prej klasave, andaj edhe vapa bëhet e padurueshme për nxënësit.

    Për këtë arsye, udhëheqësia e shkollës vendosi që në ditët e fundit të procesit mësimor, t’i shkurtojë orët për 10 minuta, për katër ndërrimet.

    “Jemi duke punuar me orar të shkurtuar, sot dhe nesër. Shkaku i temperaturave të larta, e kemi parë të udhës ta shkurtojmë orarin. Këtë vendim e kemi marrë në bashkëpunim me DKA-në. E kemi parë më të udhës që fëmijët të mbajnë mësim 30 minuta e mësim tamam cilësor, sesa 40 minuta në atë të nxehtë, fëmijët nuk ishin të fokusuar në mësim”, tha sekretarja e shkollës, Gentiana Krasniqi – Ajvazi.

    Sekretarja e shkollës, Gentiana Krasniqi – Ajvazi, përmend nevojën e pajisjes me kondicionerë, të klasave ku mësojnë më shumë se 2200 nxënës.

    “Normalisht ka nevojë për klima në secilën klasë, ne këtu jemi vetëm një dhe po na vjen nxehtë, e lëre më 25-27 nxënës në një klasë, plus adoleshentët dhe këta të vegjlit e kanë një energji të madhe që lëvizin më shumë… kemi bërë kërkesë edhe në DKA”, tha Krasniqi – Ajvazi.

    Nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, thotë se është lënë në vullnetin e drejtorëve të shkollave në këtë komunë, të vendosin për shkurtimin e orarit.

    “Nuk mund të them se po zbatohet në të gjitha shkollat, por është lënë në autonominë e drejtorëve të shkollave në bashkëpunim me këshillat e prindërve”, tha Osmani.

    Sipas nënkryetarit Osmani, instalimi i kondicionerëve do të bëhet së shpejti, në pesë shkolla të komunës.

    “Kemi tani një marrëveshje të re që ka të bëjë me energjinë solare që do ta kemi me bashkëpunim donator, ku do jenë tri shkolla nga donatori dhe dy shkolla nga ne që përfshin edhe pjesën e klimatizimit edhe ngrohjes edhe ftohjes me energji solare… të gjitha janë shkolla fillore, njëra prej tyre është “Mihal Grameno””, tha Osmani.

    Edhe disa shkolla të tjera, në komunat tjera, po e aplikojnë shkurtimin e orarit.

    Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar që procesi mësimor të përfundojë të premten, për shkak të mungesës së klimatizimit nëpër shkolla.

  • Arrestohet burri që rrahu brutalisht gruan në Prizren

    Arrestohet burri që rrahu brutalisht gruan në Prizren

    Policia ka arrestuar të dyshuarin që rrahu bashkëshorten e tij në Prizren. Videoja e rrahjes brutale është publikuar sot në rrjetet sociale.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Vesel Gashi, i cili tha se edhe I dyshuari dhe viktima janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë intervistuar.

    “Sot me datë 20.06.2024 disa media kanë publikuar një video regjistrim në të ciljn shihet sesi një mashkull ushtron dhunë ndaj nje femre. Posa është parë video regjistrimi hetuesit e Stacionit Policor të Prizrenit kane ndërmarr veprime hetimore dhe është identifikuar i dyshuari dhe viktima. Polcia ka lokalizuar të dy dhe janë shoqëruar për në stacionin policor. Janë intervsituar të dy nga hetuesit e dhunës në familje, ngase i dyshuari dhe viktima janë janë çift dhe bashkëjetojn.. Policia ka informuar prokurorin e shtetit dhe është vepruar në bazë të udhëzimeve të tij”.

    “Pas intervistimit të dyshuarit në prezencën e avokatit nga prokurori është lëshuar vendim mbi ndalimin për 48 orë për të. Viktima është njftuar për të drejtat e saj”.

  • ​Prioritetet dhe strategjitë e bashkëpunimit Kosovë-Suedi për 2021-2027

    ​Prioritetet dhe strategjitë e bashkëpunimit Kosovë-Suedi për 2021-2027

    Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha se takimet vjetore me Suedinë, janë mundësi e mirë për të thelluar partneritetin, analizuar e reflektuar arritjet e deritanishme, sfidat gjatë zbatimit të projekteve si dhe mundësitë që paraqiten për të ardhmen.

    “Bashkëpunimi i ngushtë me Suedinë, ka për synim strategjik rritjen e ndikimit të projekteve të përbashkëta, duke i ndërlidhur ato edhe me reformat të cilat po i ndërmarrim në kontekst të procesit të integrimit evropian dhe të zhvillimit të vendit”, ka shkruar Bislimi.

    Zëvendëskryeministri tha se diskutuan mbi kontributin e vazhdueshëm e të palëkundur të Suedisë në zhvillimin e Kosovës, pasqyrën e strategjisë së bashkëpunimit zhvillimor, si dhe prioritetet e fushat e fokusit për periudhën 2021-2027

    “Ato prekin projekte e iniciativa ekzistuese dhe të mundshme në të ardhmen, me ndikim në të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit, barazinë gjinore, gjithëpërfshirjen, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mjedisin, si dhe zhvillimin ekonomik”, përfundoi ai.