ATV

Blog

  • “New York Times”: Kjo është Shqipëria, pak e çmendur, që i bëri rivalët e Grupit B të djersiten

    “New York Times”: Kjo është Shqipëria, pak e çmendur, që i bëri rivalët e Grupit B të djersiten

    Para se të shkelmonte një top në Grupin B, kroati Luka Modric, kishte paralajmëruar se ky ishte grupi më i vështirë i turneut. Ai mund të mos jetë fokusuar thjesht në përballjet e ekipit të tij me Italinë dhe Spanjën, por, kur shumë të tjerë folën para turneut për “Grupin e vdekjes”, ndoshta nuk kishin në mendje Shqipërinë, sipas “New York Times”.

    Pak do të kishin pritur që ata të ishin elementi më luftarak i grupit, megjithatë Shqipëria e renditur e 66-ta në botë, është bërë variabli argëtues në kuartet.

    Me një ndeshje për të luajtur, ata kanë ende një shans për avancim.

    E drejtuar nga ish-mbrojtësi i krahut të Arsenalit, Barcelonës dhe Brazilit, Sylvinho, Shqipëria është një skuadër kundërsulmuese fizike që kërkon të mbulojë çdo hendek të perceptuar të talenteve mes tyre dhe kundërshtarëve, përmes vrapimit të vështirë.

    Kësaj skuadre iu deshën 23 sekonda për të shënuar në Euro 2024, pasi Nedim Bajrami, vendosi një rekord të ri për golin më të shpejtë në historinë e Kampionatit Evropian kur hapi rezultatin kundër Italisë.

    Ndërsa Shqipëria e humbi përfundimisht atë ndeshje 2-1, goli i tyre i hershëm shërbeu si një paralajmërim; nënvlerësojeni këtë ekip dhe do të jeni në rrezik.

    Ishte një paralajmërim që Kroacia u përpoq ta dëgjonte. Takimi i së mërkurës mes dy ekipeve ishte një rrëmujë e papritur dhe argëtuese. Përsëri e pa Shqipërinë të ecë përpara herët.

    Qazim Laci, shënoi gol pas një goditje me kokë, pas një krosimi të shkëlqyer nga Jasir Asani në minutën e 11-të.

    Në pjesën e parë, Kroacia kishte regjistruar 69 përqind të posedimit të topit, por Shqipëria kishte shanset më të mira të lojës.

    Kristjan Asllani, humbi një shans të artë pas një sulmi të shpejtë të shkaktuar nga humbja e topit nga Modric.

    Edhe sulmuesi shqiptar Rey Manaj dukej i dëshpëruar, pasi nuk arriti të realizonte një goditje me kokë.

    Kjo ka qenë një temë e zakonshme për skuadrën e Sylvinhos, të cilit i ka munguar rrjedhshmëria sulmuese në pika të caktuara gjatë periudhës së tij 18-mujore në krye të Kombëtares Shqiptare.

    Lëndimet e Manajt dhe Armando Brojës gjatë ndeshjeve kualifikuese, nënkuptuan se asnjë sulmues nuk kishte krijuar atë lloj kimie të lojës që i nevojitet skuadrës, për të qenë një skuadër e fuqishme kundër-sulmuese.

    Vendimi i menaxherit për të lënë jashtë skuadrës prej 26 lojtarësh për turneun, Myrto Uzunin, Keidi Baren dhe Sokol Cikalleshin gjithashtu bëri bujë.

    Cikalleshi, një sulmues i klubit turk Konyaspor nuk ishte golëshënuesi më i mirë, por loja e tij e qëndrueshme i dha Shqipërisë një terren të vlefshëm në ndeshjet kualifikuese.

    Megjithatë, ky ekip gjen gjithmonë një mënyrë për të krijuar rrugën e tij përmes turneut, duke tensionuar edhe ekipet më të njohura të botës.

    Mario Mandzukic, tani një ndihmës trajner me Kroacinë mund të shihej duke kërcyer papushim nga pankina, për t’u kërkuar lojtarëve të tij të përputheshin me intensitetin e Shqipërisë në pjesën e parë.

    U deshën një sërë ndryshimesh në pjesën e dytë që Kroacia të ndryshonte lojën në favor të saj. Marcelo Brozovic dhe Lovro Majer u zëvendësuan nga Mario Pasalic dhe Luka Sucic në pjesën e parë.

    Njëzet minuta më vonë, sulmuesi Ante Budimir u fut në lojë për t’i dhënë ekipit të tij një referencë më të mirë për krosimet.

    Kroacia rriti besimin. Mbrojtësit e tyre u futën gjithnjë e më tej në fushë. Budimir e vuri Andrej Kramaric në pozicionin e përshtatshëm për barazimin e tyre në minutën e 74-të.

    Dy minuta më vonë, dyshja u bashkuan për një tjetër gol.

    Një krosim i dedikuar për Luka Suçiqin, i goditur me pinboll në zonën e rreptësisë para se të kthehej nga mesfushori mbrojtës i Shqipërisë, Klaus Gjasula.

    Shqipëria mund të ishte shembur, por ata gjetën sërish forcën për një gol të dytë.

    Asllani, 22-vjeçari një mesfushor mjaft luftarak po shfaqet shpejt si pasardhësi përfundimtar i Brozovic në Inter Milan dhe ishte zemra e skuadrës së tij kombëtare.

    “Duhet të luftojmë për çdo pikë. Për vendin tonë dhe për federatën tonë”, tha Sylvinhos pas ndeshjes.

    Në minutën e 94 e 23 sekonda, Shqipëria mori golin e barazimit (goli i fundit i shënuar në një Euro jashtë kohës shtesë). Ishte një gol barazimi që ndihej si një fitore e minutës së fundit.

    Gjasula lojtari i dytë që shënoi autogol dhe gol në të njëjtën ndeshje në Euro 2022, i dha skuadrës së tij një shans të vogël për të kaluar në raundin e 16-të.

    “Kjo është Shqipëria; është pak e çmendur”, tha Asllani pas barazimit 2-2.

    “Ne e nisëm me këmbën e djathtë, dhe më pas mund të them se humbëm një shans të madh, por mendova se Modric do të merrte topin para meje.

    Mendoj se pësuam dy gola të shmangshëm. Ne do t’i shqyrtojmë ato, me siguri. Loja ishte e çmendur në 15 minutat e fundit”, shtoi ai.

    “Luftëtarët” e Sylvinhos, do të duhet të jenë në maksimumin e tyre për të arritur një rezultat kundër Spanjës në ndeshjen e tyre të fundit në grup, por ata janë një ekip që nuk ka pasur kurrë frikë nga puna e vështirë.

    Shqipëria nuk tërhiqet dhe kjo e bën atë një kundërshtare të vështirë në këtë turne.

  • Tre të vrarë nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës

    Tre të vrarë nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës

    Rusia e sulmoi të enjten një fshat në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck, duke i vrarë tre njerëz dhe duke i plagosur katër të tjerë, përfshirë një fëmijë, thanë zyrtarët.

    Fshati Rozkishne, rreth 25 kilometra larg vijës së frontit, ishte cak i sulmeve, thanë prokurorët rajonalë në Telegram.

    Sipas të dhënave të para, trupat ruse përdorën sistemin Smerch, për të kryer sulme me municione thërrmuese, thanë ata.

    Në mesin e të plagosurve është edhe një djalë 14-vjeçar, i cili u dërgua në spital.

    Katër shtëpi, vetura dhe një tubacion gazi u dëmtuan gjatë sulmit, njoftuan ata.

    Rusia kreu sulme me raketa dhe dronë gjatë natës, duke dëmtuar infrastrukturën e energjisë në katër rajone, tha kompania kombëtare e energjisë, Ukrenerho më 20 qershor.

    Përveç Donjeckut, u sulmuan edhe rajonet Vinitsjas, Dnipropetrovski dhe Harkiv.

    Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se Rusia sulmoi Ukrainën më 20 qershor me nëntë raketa dhe 27 dronë.

    Ushtria ukrainase tha se ka rrëzuar të gjithë dronët dh pesë raketa./REL/

  • Federata e Futbollit të Serbisë zyrtarisht i kërkon UEFA-s dënimin e Kroacisë dhe Shqipërisë!

    Federata e Futbollit të Serbisë zyrtarisht i kërkon UEFA-s dënimin e Kroacisë dhe Shqipërisë!

    Federata e Futbollit të Serbisë i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, Teodor Teodoridis në lidhje me brohoritjet në ndeshjen ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë, transmeton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

    Federata serbe pretendon se tifozët e Kroacisë dhe Shqipërisë kanë brohoritur “Vritni serbët” gjatë ndeshjes të së mërkurës, e cila përfundoi 2-2.

    “Siç jeni të informuar, në minutën e 58-të tifozët kroatë dhe shqiptarë kanë brohoritur “Vrite, vrite Serbin”, thuhet në ankesën nga Federata e Futbollit të Serbisë.

    Serbët janë të bindur se në momentin kur ka nisur brohoritja e tifozëve të dy kombëtareve, zyrtarët UEFA-s është dashur ta ndërpresin ndeshjen dhe ta vazhdojnë në tre hapat e parashikuar për raste të tilla.

    UEFA ende nuk ka komentuar ende për letrën e Federata e futbollit të Serbisë. /atvlive.tv

  • Ekspertët tregojnë ndikimin e temperaturës në humbjen e peshës!

    Ekspertët tregojnë ndikimin e temperaturës në humbjen e peshës!

    Jemi zyrtarisht në sezonin e verës dhe i nxehti do të jetë shoqërues i ditëve tona. Me siguri që edhe juve ju duket sikur po djersini më shumë në palestër apo gjatë stërvitjes në natyrë, por a ka realisht ndikim i nxehti i verës me djegien e kalorive gjatë këtij sezoni?

    Trupi ynë punon shumë për të mbajtur një temperaturë të brendshme të qëndrueshme prej rreth 37 gradë celsius. Ky është një proces fiziologjik i quajtur termorregullim. Nëse trupi ndjen se temperatura e tij e brendshme po rritet, gjëndrat e djersës aktivizohen për të djersitur dhe për ta mbajtur trupin të freskët. Pavarësisht se sa i nxehtë apo i/e djersitur ndiheni, trupi bën një punë të mirë për të qëndruar freskët.

    Nuk kërkon më shumë kalori për të prodhuar djersë dhe për këtë arsye, ju nuk digjni më shumë kalori në nxehtësi. Disa njerëz prodhojnë më shumë djersë se të tjerët, por nuk ka ndonjë studim që tregon se më shumë djersë do të thotë djegie më e lartë e kalorive. “Kur jashtë është shumë nxehtë, njerëzit mund të djersiten më shumë, gjë që çon edhe në dehidratim,”-thotë mjeku kardiolog Marc Eisenberg.

    Kur jeni të dehidratuar, presioni i gjakut mund të bjerë dhe si përgjigje ndaj kësaj, rrahjet e zemrës mund të rriten për të kompensuar presionin e ulët të gjakut. Një rritje e rrahjeve të zemrës nuk përkthehet as në një djegie të madhe të kalorive. Ju nuk do të digjni më shumë kalori në vapë, por historia ndryshon kur moti është i ftohtë.

    Sipas “National Institutes of Health”, trupi punon shumë për të ruajtur temperaturën e brendshme të trupit si në mjedise të nxehta ashtu edhe në të ftohta. Por, kur është ftohtë, ndodh humbja e nxehtësisë dhe temperatura e brendshme e trupit bie, hipotalamusi (një rajon i vogël në tru) rrit metabolizmin e trupit për të gjeneruar nxehtësi.

    Përveç kësaj, muskujt kontraktohen në mënyrë të pavullnetshme për të shkaktuar dridhje që çojnë në nxehtësi. Të dridhurat djegin njëherësh edhe kalori, që mund të çojë edhe në humbje peshe. A ndihmon stërvitja në vapë që të humbisni peshë? Ju mund të keni parë më pak kilogramë në verë pas ushtrimeve apo stërvitjes, por kjo me shumë mundësi ndodh për shkak të humbjes së ujit. Rritja e nxehtësisë bën që trupi të djersitet më shumë për të mbajtur veten të freskët. Nëse nuk pini ujë për të zëvendësuar djersën që po humbisni, mund të humbni disa kilogramë nga pesha ujore dhe të dehidratoheni.

  • Temperaturat e larta, Ministria e Shëndetësisë del me një apel për qytetarët

    Temperaturat e larta, Ministria e Shëndetësisë del me një apel për qytetarët

    Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar nga temperaturat e larta.

    Përmes një postimi në faqen zyrtare, Ministria ka apeluar te qytetarët që t’u përmbahen rekomandimeve të MSh-së dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

    “Të moshuarve dhe atyre me sëmundje kronike u bëhet thirrje që të shmangin diellin nga ora 10:00 deri në orën 17:00, të pini ujë dhe të shmangni pijet me sheqer, alkool dhe kafeinë, të vishni veshje të lehta, mos t’i leni fëmijët apo kafshët në makinë, të mbani shtëpinë e freskët dhe të qëndroni në hije”, thuhet mes tjerash në postimin e MSh-së.

     

  • Mark Rutte do të jetë në krye të NATO-s

    Mark Rutte do të jetë në krye të NATO-s

    Kryeministri holandez në largim, Mark Rutte, është konfirmuar se do të jetë në krye të NATO-s, pas rreth shtatë muajsh fushatë për këtë post.

    Mark Rutte do të jetë Sekretari i ardhshëm i Përgjithshëm i NATO-s, pasi të 32 anëtarët e aleancës ranë dakord që kryeministri holandez në largim do të pasojë Jens Stoltenberg.

    Pas miratimeve nga Hungaria dhe Sllovakia të martën, Rumania konfirmoi mbështetjen e saj për Rutte të enjten, me presidentin rumun Klaus Iohannis që tërhoqi kandidaturën e tij për postin e kreut të NATO-s.

    Siç shkruan “Politico” gjatë një takimi të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes Kombëtare, Iohannis tha se kishte njoftuar aleatët e NATO-s për tërheqjen e kandidaturës së tij.

    Rutte do të marrë drejtimin e NATO-s në një moment kritik. Puna e tij e re do të fillojë më 2 tetor, pak më shumë se një muaj përpara zgjedhjeve në SHBA, të cilat do të formësojnë fatin e aleancës ushtarake që ka shërbyer si parandalimi më i suksesshëm i Evropës Lindore ndaj një Rusie agresive.

    Kërkimi i Rutte për postin kryesor të NATO-s ka qenë një udhëtim i gjatë. Ai ka bërë fushatë për këtë detyrë që nga nëntori i kaluar.

  • ​Ushtria izraelite liron 33 të burgosur palestinezë nga Gaza

    ​Ushtria izraelite liron 33 të burgosur palestinezë nga Gaza

    Ushtria izraelite liroi të enjten 33 të burgosur palestinezë nga Rripi i Gazës, sipas burimeve mjekësore.

    “Të arrestuarit e liruar u pranuan në Spitalin e Martirëve Al-Aksa me trupa të dobët dhe shenja torture”, thanë burimet.

    Sipas një gazetari të Anadolu, të arrestuarit u liruan në lindje të Deir al-Balah në Rripin qendror të Gazës.

    Ushtria izraelite besohet se ka arrestuar mijëra palestinezë nga Gaza, duke përfshirë gra, fëmijë dhe mjekë, në mes të ofensivës së saj vdekjeprurëse në enklavë.

    Dhjetra të burgosur të liruar nga ushtria izraelite në javët e fundit kanë përshkruar torturat dhe keqtrajtimet gjatë marrjes në pyetje ndërsa ishin në paraburgim.

    Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me dënimin ndërkombëtar në mes të ofensivës së tij brutale të vazhdueshme në Gaza që nga një sulm i 7 tetorit 2023 nga grupi palestinez Hamas.

    Afro 37,400 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 85,500 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

    Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës urdhëroi Tel Aviv-in të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor të Rafahut, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.

  • ​Kurti: Kosova me Observator dhe Planetarium Kombëtar

    ​Kurti: Kosova me Observator dhe Planetarium Kombëtar

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shpërndarë një video në rretin social Facebook duke thënë se Kosova tash ka Observator dhe Planetarium Kombëtar, me teleskopin diellor më të madh në Evropën Lindore.

    “Puna më pak se dy vjeçare dhe bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Komunës së Shtimes, Organizatës “Astronomy Outreach of Kosovo” e përmes tyre me kompaninë e prodhimit të teleskopëve, Celestron, kompanisë Sky-Ëatcher USA dhe organizatës amerikane Sunlit Earth!/The Charlie Bates Solar Astronomy Project, tash do t’i ofrojë të gjithëve mundësinë për të vrojtuar gjithësinë, teksa zgjerojmë limitet e kureshtjes. Përhumbje e lundrim në hapësirë, për një përvojë për t’u përjetuar”, ka shkruar Kurti.

  • Reagon Komuna e Prishtinës: Rama e asnjë zyrtar komunal s’janë intervistuar nga Prokuroria Speciale

    Reagon Komuna e Prishtinës: Rama e asnjë zyrtar komunal s’janë intervistuar nga Prokuroria Speciale

    Komuna e Prishtinës ka reaguar ndaj pretendimeve për nisje të hetimeve nga Prokuroria Speciale për kontratën me Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit.

    Në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, Kryeqyteti ka bërë të ditur se asnjë zyrtar komunal, përfshirë kryetarin Përparim Rama, nuk është kontaktuar e as intervistuar nga Prokuroria Speciale.

    “Kryeqyteti nuk ka asnjë informatë apo komunikim zyrtar rreth fillimit të hetimeve për kontratën me Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit. Asnjë zyrtar komunal nuk është kontaktuar e as intervistuar nga Prokuroria Speciale. As kryetari i Kryeqytetit nuk është ftuar për intervistim në asnjë cilësi për këtë kontratë, dhe për asnjë hetim tjetër për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e tyre.

  • Rama pret në takim Bordin e Drejtorëve të BERZh-it

    Rama pret në takim Bordin e Drejtorëve të BERZh-it

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur të enjten në takim anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), raporton EO.

    Në këtë takim, mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje, ndërsa konferencën për media e kanë anuluar me kërkesë të Bordit të BERZh-it.