Sot në Luksemburg do të mbahet takimi i ministrave të jashtëm të BE-së, ku në agjendën e tij është edhe takimi me kryediplomatët nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në agjendën e Këshillit të Punëve të Jashtme të publikuar ditë më parë thuhet se kryediplomatët e vendeve evropiane takohen nga ora 08:30 dhe se takimi do të drejtohet nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
“Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të diskutojnë agresionin rus kundër Ukrainës, pas një shkëmbimi jozyrtar të pikëpamjeve me ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës ,Dmytro Kuleba, nëpërmjet videokonferencës”.
“Këshilli do të ketë më pas një diskutim mbi situatën në Lindjen e Mesme, në dritën e zhvillimeve të fundit”, thuhet në agjendën e KiE-së.
“Takimi do të vazhdojë me një shkëmbim mendimesh për Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë”.
Sot mbi Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vranësirat gjatë ditës parashihen të intensifikohen duke krijuar mundësi për riga shiu, ndersa në vende të izoluara parashihet reshje breshëri.
IHMK bën të ditur se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14 dhe 18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27- 33 gradë Celsius.
Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-7m/s.
Gjatë mbrëmjes të së dielës, në Kosovë pati sasi të mëdha të të reshurave.
Një nga qytetet më të prekura ishte Prishtina, ku në shumë zona pati edhe vërshime.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në Fushë-Kosovë ka arrestuar një grua e cila dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj burrit me të cilin ishte duke bashkëjetuar.
Sipas Policisë pas intervitimit e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt. Rasti ka ndodhur të dielën dhe është cilësuar si “dhunë në familje”.
“Është arrestuar e dyshuara femër kosovare për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës mashkull kosovar me të cilin kishte qenë duke bashkëjetuar. Viktima si pasojë e dhunës ka pranuar tretman mjekësor, kurse e dyshuara pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.
Kombëtarja Shqiptare do të zhvillojë sot ndeshjen vendimtare të grupit B të Kampionatit Evropian të futbollit ku do të ballafaqohet me Spanjën, aty ku edhe do të vendoset fati i saj në rrugëtimin e këtij kompeticioni.
Me vetëm një pikë të mbledhur pas dy ndeshjeve të zhvilluara, humbjen nga Italia dhe barazimin me Kroacinë, të besuarit e Silvinjos duhet që sonte ta kërkojnë me çdo kusht fitoren për të kaluar në fazën e eliminimit direkt, derisa me një barazim eventual do të duhej të shpresonte të kualifikohej tutje nga pozita e vendeve të treta, raporton KosovaPress.
Nga ana tjetër, Spanja që tashmë e ka siguruar kualifikimin, pritet që të luajë me lojtarët që kanë pasur më pak minutazh dhe kjo jep më shumë mundësi që Shqipëria të synojë maksimumin e pikëve.
Ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 21:00 në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” në Dusseldorf me fillim nga ora 21:00. Në të njëjtin orar zhvillohet edhe ndeshja tjetër ë këtij grupit, ajo ndërmjet Kroacisë dhe Italisë.
Lionel Messi, ka lindur më 24 qershor të vitit 1987. Ai është një futbollist argjentinas i cili luan si sulmues me klubin amerikan Inter Miami.
Që nga mosha 21 vjeç, Messi ka qenë i nominuar për të fituar Topin e Artë dhe FIFA Lojtari Botëror i Vitit. Një vit më vonë, në vitin 2009, ai fitoi çmimet e para të Topit të Artë si dhe FIFA Lojtari Botëror i Vitit. Ai vazhdoi dominimin e tij duke fituar edhe tre Topa të Artë në vitet 2010, 2011 dhe 2012.
Ai gjithashtu fitoi në sezonin 2010–11 UEFA Lojtari më i mirë në Evropë. Në moshën 24 vjeçare, Messi u bë golashënuesi më i mirë i historisë së Barcelonës në të gjitha kompedicionet.
Në moshën 25 vjeçare, Messi u bë lojtari më i ri që shënon 200 Gola në La Liga. Në Shtator 2014, Messi arriti shifrën e 400 Gola me klubet dhe kombëtaren që në moshën 27 vjeçare.
Njohur gjerësisht si lojtari më i mirë në botë, Messi është vlerësuar nga shumë komentues, trajnerë dhe lojtarët si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave.
Aktorja Mary Pickford më 24 qershor 1916 bëhet ylli i parë femër që nënshkroi kontratë milion dollarësh në Hollywood.
Lindur në Toronto, Kanada më 1892, e pagëzuar si Gladys Mary Smith, ajo u bë aktore, regjisore dhe skenariste e njohur me emrin ‘e dashura e Amerikës’ në periudhën e filmit pa zë.
Poeti i njohur Agim Doçi ka mbyllur sytë përgjithmonë. Doçi ndodhej prej mëngjesit të së shtunës në reanimacion në Shërbimin e Neurologjisë në QSUT, pasi pësoi hemorragji cerebrale.
Doçi ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare. Ai ishte një prej poetëve më të njohur veçmas si krijues i poezive të këngëve shqiptare.
Doçi ka qenë dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. Po ashtu, poeti Doçi ka qenë autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare dhe fitues i mbi 50 çmimeve.
Poeti dhe tekstshkruesi Doçi ka qenë i pranishëm në shumë festivale të këngës në RTSH, por edhe festivale të tjerë.
Në bashkëpunim me emra të njohur të muzikës shqiptare Agim Doçi ka marrë mjaftë çmime. Shumë krijime të tij kanë mbetur hite dhe janë në arkivin e RTSH dhe muzikës shqiptare./rtsh.al/
Tash e dy vjet, kjo është mënyra se si vijojnë mësimin këta nxënës me nevoja të veçanta, të klasës së tretë në shkollën fillore “Ali Kelmendi”, në Vushtrri.
Mirëpo, këta nuk janë të vetmit që iu nevojitet një asistent gjatë procesit mësimor.
Gjithsej shkolla numëron vetëm 3 asistente, ndërsa 30 nxënës kanë nevojë për to.
Njëra prej tyre është Atifete Januzi, e cila thotë se e ka të vështirë menaxhimin e këtyre nxënësve.
“Jemi pak asistente, ka nevojë për më shumë, po shpresojmë që kanë me u bë edhe më shumë, që më iu dhanë mbështetje këtyre fëmijëve e me pas një të ardhme më të mirë. Roli i asistentit është shumë i rëndësishëm, andaj kemi me ju dhanë mbështetje çkado që kanë nevojë”, tha Januzi.
Shtimin e numrit të asistentëve në shkollë po e kërkon edhe drejtori Milazim Hyseni. Megjithatë, nuk ka shpresa që numri i tyre do të rritet.
“Neve se di sa na bien, kur të pjesëtojmë numrin e asistentëve me 36 shkolla në Vushtrri. Secila shkollë ka nevojë për asistent, te ne duhet minimum edhe 10 asistentë për me fëmijët me nevoja të veçanta, në mënyrë që me startua mirë. Problemin e kemi edhe me klasat e para, sepse po kemi trysni prej prindërve që me iu sigurua nga një asistent fëmijëve të tyre”, tha Hyseni.
Në mungesë të asistentëve, sipas tij, jo rrallë herë prindërit detyrohen ta luajnë rolin e tyre.
Andaj që kjo të mos ndodhë drejtoria e Arsimit në këtë komunë, thotë se ka kërkuar nga MASHT-i angazhimin edhe të 47 asistentëve të rinj, me qëllim që t’i mbulojnë kërkesat e 130 nxënësve me nevoja të veçanta sa janë gjithsej në këtë komunë.
“Komuna ka ndërmarrë hapa konkretë duke bërë kërkesë me shkrim në agjencinë për arsim dhe aftësim profesional, kemi kërkuar të na mundësohet rritja e numrit të asistentëve. Duke i parë vështirësitë ne si DKA, apelojmë MASHTI-n, që të krijojë një kod të veçantë buxhetor përmes të cilit i mundësohet komunave angazhimi i asistenteve për fëmijët me nevoja të veçanta”, tha drejtori i Arsimit në Vushtrri, Albanez Tahiraj.
ATV-ja është interesuar në Ministrinë e Arsimit për këtë çështje, mirëpo kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje, as pas një jave insistim.
Ndërkohë, që në komunën e Vushtrrisë aktualisht të punësuar janë vetëm 12 asistentë.
Me të filluar sezoni i nxehtë, u shpeshtuan reduktimet e ujit.
Të pakët kështu thonë qytetarët, të cilët furnizohen me ujë nga liqeni i Badocit.
Sipas tyre, pikërisht në temperatura të larta si të ditëve që lemë pas, duhet të ketë ujë mjaftueshëm.
“Verës po ka më shumë ndalesa, nga ora pesë e mbrëmjes ndalet nga një orë dy. mbajmë ujë rezervë, ka ra shi ka ujë mjaftueshëm, të mos përdoret uji pa lidhje”, tha Zahir Sallani, qytetar.
Mirëpo, që reduktimet të jenë të rralla, nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, kanë apeluar për shpenzim racional të ujit.
“Konsumatorët e këtij liqeni shpeshherë gjatë verës ballafaqohen me mungesë të ujit, andaj të jeni të vetëdijshëm që ujin që e përdorim për pije të mos e përdorin assesi për destinime të tjera. Ne kemi laboratorin të akredituar fiziko-kimike dhe bakteriologjik brenda ujësjellësit ku mostrat merren paralelisht me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës”, tha zëdhënësja në KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.
Ndërkaq, peshkatarëve u bëhet thirrje që liqeni i Badocit mos të përdoret për këtë veprimtari dhe qytetarëve mos të zhytën në ujë.
“Ne e marrim ujin nga liqeni i Badocit dhe e trajtojmë atë deri tek konsumimi për pije. Nuk është që e ndot liqenin në mënyrë direkte sepse ne e kemi procesin teknologjik që e trajtojmë për të bërë ujë të pijshëm dhe e shpërndajmë te konsumatorët, por në shikim të parë nuk është mirë që uji që konsumohet dhe përdoret për pije, të lahen, të pastrohen apo të hedhin mbeturina dhe as peshkimi, sepse një gjë e tillë nuk është e lejuar në bazë të ligjeve administrative”, tha Mjeku.
Ankesa po ashtu ka edhe për tarifën e faturave. Ndërsa këtë javë u paralajmërua se mund shërbimet e ujit mund të shtrenjtohen.
“Më ka ardhë para 20 ditëve 250 euro me pagu ujin, e kam paguar nuk ka dalë me shiku gati gjashtë, shtatë muaj për me marr gjendjen. nga 10-15 euro i kam dhënë gjithë deri me të 20-tin që ma kanë dërgu me pagu 350 euro. Gjithmonë e kam paguar më rregull”, tha Tahir Krasniqi, qytetar.
Për herë të parë pas shumë viteve, liqeni i Badocit kishte arritur kuotën maksimale të kapërderdhjes në fillim të këtij viti.
Qysh atëherë, nga “KRU” Prishtina kanë thënë se nëse uji përdoret me kontroll, reduktimet nuk do të jenë të rralla.