ATV

Blog

  • Policia sekuestron mbi 3000 pako cigare të kontrabanduara në Gjakovë

    Policia sekuestron mbi 3000 pako cigare të kontrabanduara në Gjakovë

    Policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të cigareve të kontrabanduara ditën e sotme në Gjakovë, duke zënë në flagrancë një person i cili po i barte nga automjeti i tij.

    Siç raportoi Sinjali më parë, Policia e Kosovës ndaloi një veturë e cila konsiderohej si e dyshimtë, dhe pas patrullimit hasi në një sasi të madhe të duhanit që po kontrabandohej nga shoferi.

    Pas kontrollit total të veturës dhe personit, Policia ka konfiskuar mallin dhe kanë njoftuar doganën.

    Lidhur me këtë ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, ku ka dhënë detaje shtesë rreth këtij rasti.

    Sipas të njëjtëve, gjatë kontrollimit të automjetit është vërejtur se shoferi (F.L), kishte të ngarkuar një sasi prej tre mijë e dyqind e pesëdhjetë (3250) pako cigare, prej të cilave 1500 pako të llojit ‘Marlboro’, ndërsa pjesa tjetër e llojit ‘Winston’.

    “Pasi që i dyshuari nuk posedonte dokumente përkatëse për cigaret që transportonte, në konsultim me prokurorin e shtetit, ato janë sekuestruar, mbi dyshimin se të njëjtat ishin të kontrabanduara. Lënda dhe malli i sekuestruar i është dorëzuar autoritetit Doganorë të Kosovës për procedurë të mëtejme”, thuhet në njoftim.

  • Ibrahimi akuzon nivelin qendror për injorim të kërkesave të komunave

    Ibrahimi akuzon nivelin qendror për injorim të kërkesave të komunave

    Themelimi i grantit të katërt, amendamentimi i Ligjit për prokurimin publik, menaxhimi me kontratat kolektive, eliminimi i burokracisë për themelimin e ndërmarrjeve publike lokale janë disa nga çështjet që komunat kërkojnë zgjidhje nga niveli qendror tash e dy vjet, por të cilat vazhdojnë të hasin në vesh të shurdhër.

    Kështu thotë kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi teksa potencon se shumica absolute e kryetarëve të komunave janë ankuar se niveli qendror nuk është duke i përkrahur në mënyrë të sinqertë.

    “Asnjë zotim, asnjë kërkesë e komunave që është parashtruar që dy vite e më shumë, nuk ka pasur asnjë përpjekje nga niveli qendror që ta zgjidhë problemin. E kemi problemin me grantin e katërt, amendamentimin e ligjit për prokurim publik, kontratat kolektive që janë duke u marrë me dhjetëra miliona euro komunave. Komunat kanë kërkuar ndihmë. Eliminimin e burokracisë apo politizimin e proceseve sa i përket themelimit të ndërmarrjeve publike lokale, ku në disa raste niveli qendror me qëllim i zvarrit proceset vetëm e vetëm që mos t’ia lejojë komunave krijimin e ndërmarrjeve publike lokale edhe pse ato i përmbushin kriteret e kërkuara nga ligji për ndërmarrje publike”, tha Ibrahimi.

    Ndër sfidat kryesore, Ibrahimi përmend kontratat kolektive të cilat po zbatohen padrejtësisht në kurriz të komunave, duke u kushtuar atyre me miliona euro. Ai potencon se këtë vit 22 komuna do të kenë mangësi në mjetet financiare për investime të reja kapitale.

    “Shumica absolute e kryetarëve të komunave janë duke u ankuar që niveli qendror nuk është duke i përkrahur në mënyrë të sinqertë. Përveç mungesës së përkrahjes në investime kapitale edhe bashkëpunimin nuk e kanë korrekt me nivelin qendror…22 komuna këtë vit do të kenë mangët mjete financiare për investime kapitale të reja. Gjithashtu, mjete buxhetore të cilat ndahen drejtpërdrejt nga qeveria. Ka plot komuna të cilat nuk do të kenë asnjë cent për investime të reja kapitale.

    Në anën tjetër kontratat kolektive të cilat janë duke u zbatuar padrejtësisht në kurriz të komunave duke ua marrë mjetet financiare nga të hyrat vetanake, ku të hyrat vetanake qëllimin kryesor e kanë investime kapitale, atëherë komunat do të kenë shumë shkurtime sa i përket investimeve kapitale. Në asnjë rast kryetarët e komunave dhe asociacioni kurrë nuk ka qenë kundër kontratave kolektive. Por, gjithmonë neve kemi kërkuar që zbatimin e kontratave kolektive ta bëjë niveli qendror, sepse ata janë nënshkrues”, tha Ibrahimi.

    Ibrahimi thotë se vonesat në bartjen e të hyrave vetanake po u kushton komunave në raportin e auditorit dhe grandin e skemës së performancës. Ai potencon se shumica e kryetarëve këto vonesa po i konsiderojnë si politike

    “Është një nen aty ku thuhet që me automatizëm barten të hyrat vetanake të komunave nga niveli qendror dhe kemi pasur vonesa dhe komunat janë duke theksuar se po ka ende vonesa. Ato mjete i kanë të komunave dhe niveli qendror nuk mund t’i mbajë ato mjete, sepse duhet t’i shohin në nivelin lokal. Këta po i vonojnë këto mjete. Pse po i vonojnë ata e dinë më së mirë. Kryetarët e komunave, shumica absolute e tyre thotë që ka ndoshta edhe konotacione politike, sepse nëse t’i vonon mjetet financiare t’i nuk mund t’i zbatosh projektet. Kontratat janë të nënshkruara dhe nëse komunat nuk i përmbahen kontratave, mund të ketë edhe penallti. Të gjitha këto mund të reflektojnë edhe në raportin e auditorit dhe pastaj nëse reflektohen këto mangësi në raportit e auditorit jo për fajin e komunave atëherë po paralizohen komunat edhe në grandin e skemës së performancës”, thekson Ibrahimi.

    Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës thotë se është duke u hartuar një udhëzim administrativ, me të cilin niveli qendror do të tentojë t’i marrë hapësirat e komunave. Për këtë udhëzim administrativ, Ibrahimi thotë se nuk ka bazë ligjore.

    Ai tregon se komunat janë në proces të hartimit të buxhetit komunal për 2025, për çka thotë se pritet deri në fund të korrikut apo fillim të gushtit t’i pranojnë limitet buxhetore të shpenzimeve. Lidhur me këtë, Ibrahimi thotë se komunat nuk janë të kënaqura, pasi do të ketë shkurtime në personelin arsimor dhe atë shëndetësor.

  • Irani paralajmëron se do t’i kundërpërgjigjet Izraelit nëse e sulmon Libanin

    Irani paralajmëron se do t’i kundërpërgjigjet Izraelit nëse e sulmon Libanin

    Irani ka paralajmëruar se “të gjitha frontet e rezistencës” – një grup i Iranit dhe i aleatëve të tij rajonalë – do të përballeshin me Izraelin, nëse ai sulmon Libanin.

    Komentet nga misioni i Iranit në Nju Jork vijnë pas rritjes së frikës për zgjerimin e një lufte rajonale, ku do të përfshihej Izraeli dhe lëvizja libaneze, Hezbollah, që mbështetet nga Irani. Të dyja palët janë përfshirë në shkëmbime zjarri në baza ditore, që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor 2024.

    Këmbimi i zjarrit është përshkallëzuar gjatë këtij muaji, së bashku me retorikën e të dyja palëve. Ushtria izraelite ka thënë se planet për një ofensivë në Liban “janë miratuar”, duke nxitur Hezbollahun të kundërpërgjigjet se asnjë pjesë e Izraelit nuk do të kursehej nga një konflikt i plotë.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, misioni iranian tha se “e vlerësojmë si luftë psikologjike propagandën e regjimit sionist me synimin që të sulmojë Libanin”.

    Por, shtoi se “nëse [Izraeli] nis një agresion ushtarak në shkallë të plotë, do të niste një luftë shfarosëse. Të gjitha opsionet, edhe përfshirja e plotë e Fronteve të Rezistencës, nuk përjashtohen”.

    Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit.

    Irani, që mbështet Hamasin, ka lavdëruar sulmin, që e ka cilësuar sukses, por ka mohuar se është përfshirë në të.

    Përveç sulmeve të Hezbollahut në veri të Izraelit, rebelët në Jemen, që mbështeten nga Irani, vazhdimisht kanë sulmuar anijet në Detin e Kuq, në shenjë solidariteti me palestinezët.

    Irani mbështet edhe grupe të tjera në rajon.

    Republika Islamike nuk e njeh Izraelin që nga revolucioni i vitit 1979 që rrëzoi udhëheqësin e Iranit, të mbështetur nga SHBA-ja.

    Në prill u rrit frika për një luftë rajonale, pas një sulmi ajror në Konsullatën iraniane në Damask, që la të vrarë shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike.

    Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar drejt Izraelit dronë dhe raketa.

    Mediat iraniane më pas raportuan se janë dëgjuar shpërthime në provincën iraniane, Isfahan, ndërkaq zyrtarët amerikanë u cituan të kenë thënë për mediat amerikane se Izraeli kishte kryer sulm hakmarrës ndaj armikut të tij të përbetuar, Iranit.

    Teherani minimizoi sulmin e dyshuar izraelit./REL

  • Lajçak në Dubrovnik, takon kryeministrin kroat, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

    Lajçak në Dubrovnik, takon kryeministrin kroat, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

    Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka njoftuar për një takim me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut.

    Ai tha se me të ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

    “Gjatë Forumit të Dubrovnikut në takim me Miroslav Lajçak. Diskutuam situatën politike në Europën Juglindore dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

  • Detaje të reja për sulmin në Ambasadën e Izraelit në Serbi: Polici u qëllua me hark, sulmuesi u vra

    Detaje të reja për sulmin në Ambasadën e Izraelit në Serbi: Polici u qëllua me hark, sulmuesi u vra

    Një pjesëtar i Policisë së Serbisë është gjuajtur sot me hark në qafë para Ambasadës së Izraelit në Beograd dhe aktualisht ndodhet në Qendrën Emergjente. Gjatë sulmit, pjesëtarët e policisë kanë arritur të vrasin sulmuesin.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka deklaruar se një person i panjohur, identiteti i të cilit është duke u përcaktuar, ka qëlluar me hark një pjesëtar, i cili ishte në detyrë për të siguruar ambasadën izraelite.

    “Sot rreth orës 11:00, një person i panjohur, identiteti i të cilit është duke u përcaktuar, ka qëlluar me hark një pjesëtar të Xhandarmërisë i cili ishte në shërbimin e sigurisë në ambasadën izraelite dhe e ka goditur në qafë”, sqaroi ai.

    Daçiq ka deklaruar se pjesëtari i policisë M.J., ka përdorur armën në vetëmbrojtje dhe ka mundur sulmuesin, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë, shkruan Danas.

  • Kurti paralajmëron shtimin e disa shërbimeve të reja në E-Kosova

    Kurti paralajmëron shtimin e disa shërbimeve të reja në E-Kosova

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në “X” për platformën “E-Kosova”, duke thënë se tashmë aty ofrohen mbi 176 shërbime dhe janë të regjistruar mbi 916 mijë përdorues, shumica gra.

    Kurti ka thënë se në E-kosova ofrohet qasje në shërbimet shëndetësore dhe familjare dhe platforma mund të përdoret për të aplikuar për grante dhe ndihma si dhe për të paguar taksat dhe shërbimet komunale.

    Kryeministri ka paralajmëruar se shumë shpejt do të shtohen edhe shërbime të tjera.

    “e-Kosova është shembulli më i mirë i faktit se ka mundësi edhe në situata të vështira dhe është dëshmi e vizionit të Qeverisë sonë për t’i kthyer situatat e tilla në ndryshime pozitive”, ka shkruar Kurti.

  • Aplikacioni Google Wallet lansohet edhe në Kosovë

    Aplikacioni Google Wallet lansohet edhe në Kosovë

    Uranik Begu nga Innovation Centre Kosovo (drejtor i Plug and Play Tech Center për Ballkanin Perëndimor), ka bërë publik një lajm të shkëlqyeshëm për Kosovën lidhur me lansimin e një aplikacioni nga Google.

    Begu ka njoftuar se në fillim të kësaj jave është lansuar në Kosovë aplikacioni Google Wallet.

    “Ky është një lajm zyrtar dhe i mrekullueshëm për Republikën e Kosovës. Falë ekipit që qëndron pas kësaj (ju e dini se kush jeni)”, ka shkruar Begu në platformën “X”. /Telegrafi/

  • KFOR: Do të vazhdojmë të sigurojmë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë

    KFOR: Do të vazhdojmë të sigurojmë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë

    KFOR-i përmes një njoftimi ka thënë se do të vazhdojnë të sigurojnë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë si dhe të sigurojnë lirinë e lëvizjes.

    KFOR-i thotë se është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë.

    Personeli i heqjes së pajisjeve shpërthyese i caktuar në Komandën Rajonale Lindje të misionit #KFOR të udhëhequr nga #NATO zhvilloi trajnime të specializuara për punonjësit e Bashkimit Evropian që punojnë si drejtues mjetesh, në Kampin Bondsteel.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë që KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë.

  • Në SHBA botohet  romani “Hojet” i shkrimtarit Fahredin Shehu në gjuhën angleze

    Në SHBA botohet romani “Hojet” i shkrimtarit Fahredin Shehu në gjuhën angleze

    Këto ditë në ShBA, u botua romani “Hojet”, nga autori kosovar Fahredin Shehu.

    Shtëpia botuese Inner Child Press LTD, me bazë në New Jersey njoftoi se bashkëpunimin me Shehun e kanë që nga viti 2012, kur botuan përmvledhjet me poezi, Pleroma’s dew, Bonds, Umami, Herenow etj.

    Ky roman shënon veprë e tetë të Shehut të botuar nga kjo shtëpi botuese.

    Redaktorja e specializuar pranë Inner Child Press International LTD, prof. E Penn State Unibersity, PhD Hülya Yılmaz ndër të tjera shkruan:
    “Honeycomb nga Fahredin Shehu është një roman fantazie me përmasa të jashtëzakonshme, duke ndriçuar referenca mitike dhe mistike, dhe elemente novatore në fushën e të shkruarit krijues. Në traditën e stilit të tij letrar të njohur globalisht, autori paraqet një tjetër vepër unike në fushën e letërsisë së prozës. Përmes shfrytëzimit të tij të shkathët të platformave kulturore të ndryshme, Shehu i ofron audiencës së tij një pamje të gjerë të ngjarjeve të pasura historikisht nga shumë rajone të botës. Të gjithë lexuesit duhet të bëjnë është të pranojnë ftesën bujare të autorit për të marrë pjesë në udhëtimin e tij.

    Hülya n. Yılmaz, Ph.D.

    Për botimin në gjuhën shqipe te vitit 2013, Akademik Ali Podrimja shkroi:

    “Libri i Fahredin Shehut hap portat e krijimit mistik, prandaj krijuesit e ardhshëm dhe interpretuesit e teksteve të tilla do të ndeshen me diçka të panjohur me herët në letërsinë shqipe.
    Teksti i tij na kujton kohen e Naim Frashrit dhe krijuesve të tjerë, të cilët ishin edukuar dhe kultivuar në filozofinë e Lindjes, prandaj unë si krijues ju heq kapuçin krijueseve te këtillë, sepse hapin porta te një artikulimi që vështire do t’i hapin të tjerët”.

    Kurse shkrimtari Daut Denaku tha si në vijim:

    “Kënaqësia e rileximeve të dorëshkrimit “Hojet”, një ditë, u dashtë të përfundojë. Por, ky përfundim është i përkohshëm, vetëm deri në ditën kur dorëshkrimi të shndërrohet në libër. Pasi të ndërrojë trajtën” teknike, rileximet do të vazhdojnë. Sepse: kënaqësia e përjetimit të jehonës nuk mund të përmbyllet, përjetimi vazhdon.
    “Hojet” janë JEHONË! Pse? Të gjithë të përndriturit e botës së madhe janë maje të larta. Secila maje është origjinale dhe e përkryer, pa asnjë krahasim tjetër. Dhe: secila maje është e vetmuar. Sa më e lartë maja, aq mëte thellë vetmia. Por, këto maje të larta, këto drita të përjetshme – njerëzimit ia kanë transmetuar të vërtetat e amshueshme dhe, ne të vdekshmit e rëndomtë, mezi arrijmë t’i kuptojmë.

    Mes majeve të larta dhe luginës së rëndomësisë – të vërtetat na vijnë në formë të jehonës, dhe kështu, duke qenë të lumtur që kemi një “urë” në mes të majeve dhe luginës, nuk na vret etja dhe nuk na harron drita. Të faleminderit Fahredin Shehu!”

    Ndërkaq për krijimtarinë e Fahredin Shehut, poeti Xhenc Bezhi konkludon:

    “Poezia e Fahredin Shehut paraqet zërin më origjinal, më inventiv dhe më pionier në letërsinë bashkëkohore shqipe.

    Ajo e ridimensionon poezinë tonë konvencionale dhe na përfaqëson duke dalë fuqishëm në skenën botërore”

    Fahredin Shehu është një nga autorët tanë më të përkthyer në gjuhë të huaja.

  • ​Rrustemi: Projektligji për Byronë do të miratohet sërish gjatë këtij viti

    ​Rrustemi: Projektligji për Byronë do të miratohet sërish gjatë këtij viti

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se Projektligji për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të miratohet brenda këtij viti, me ndryshimet e parapara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Ai tha se rrëzimi i Projektligjit për byronë nga Kushtetuesja është goditje për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

    Rrustemi në një intervistë për KosovaPress akuzoi opozitën dhe në veçanti PDK-në se kur e kanë dërguar këtë projektligj në Gjykatë Kushtetuese motivin fillestar e kanë pasur mbrojtjen e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve publikë që kanë shërbyer gjatë kohës sa kanë qenë ata në pushtet.

    “Është goditje e madhe për reformën në drejtësi dhe për luftën kundër korrupsionit te zyrtarët publikë në Kosovë. Natyrisht se ka dëmtuar angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin në nivel të zyrtarëve të lartë publikë dhe konfiskuar pasurinë e pajustifikueshme në Kosovë. Ne besojmë dhe jemi të bindur se është fenomen i jashtëzakonshëm që e ka gërryer pasurinë për vite të tëra…Pa dyshim, se do të procedohet i njëjti projektligj me adresimin e këtyre katër neneve, por që dëmi është në kohë. Imagjinoni 16 muaj është gjysma e mandatit të një legjislature. Për të mbajtur pengë të bllokuar dhe në fund rezulton vetëm me katër nene. Ky është dëm i madh. Vonesa e pajustifikueshme krijon aludime të llojllojshme, por unë nuk dua të lëshohem në aludime, por vetëm po konstatoj dëmin që e ka shkaktuar…Jam shumë i bindur që do të procedohet shpejt dhe brenda këtij viti. Ne jemi në një periudhë si Kuvend afër pushimit mes dy sesioneve, por gjithsesi jam i bindur se brenda këtij viti do të vijë në Kuvend dhe miratohet”, tha ai.

    Rrustemi akuzoi Gjykatën Kushtetuese se ka vonuar qëllimshëm për 16 muaj vendimmarrjen për Projektligjin për byronë.

    “Megjithatë, në rrafshin politik, jashtë aspektit formal që opozita në Kosovë, në rastin PDK që ka dërguar këtë projektligj, nuk e ka dhe nuk e ka pasur asnjëherë motivin mbrojtjen e Kushtetutshmërisë. Motivi tyre fillestar e përfundimtar është padyshim mbrojtja e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve të lartë publikë. Duke qenë se kanë qeverisur gjatë në Kosovë, dhe duke qenë se pikërisht në periudhën kur ata kanë qeverisur, e sidomos në atë periudhë, korrupsioni, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, e pasurimi i zyrtareve të lartë publik politikanëve ka qenë i jashtëzakonshëm. Thjesht, ata po angazhohen duke përdorur çdo instrument, madje edhe Gjykatën Kushtetuese në rastin konkret për të mbrojtur pasurinë e pajustifikueshme. Por, vonim mund të ketë, por, shpëtim nga konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme nuk mund të ketë”, tha Rrustemi.

    Megjithatë, Rrustemi thotë se reforma në drejtësi nuk ka dështuar dhe se nuk duhet lokalizuar vetëm te procesi i vettingut, Këshillit Prokurorial dhe byrosë.

    “Jo, në asnjë mënyrë. Reforma në drejtësi duhet të lokalizoj te vettingu, byroja dhe KPK-ja. Është e vërtetë se këto janë më të rëndësishmet, edhe për shkak të një mesazhi që përçojnë, por angazhimi në kuadër të reformës së drejtësisë është në disa drejtime. Është në pakon e ligjeve antikorrupsion, ato kanë kaluar, siç është zgjerimi i mandatit të agjencisë për parandalimin e korrupsionit, ndryshimi i ligjeve për deklarimin e pasurisë, natyrisht edhe verifikimin e saj. Në anën tjetër janë pako e projektligjeve të ndryshme në fushën e drejtësisë që kanë kaluar gjatë kësaj legjislature. Vetëm në sektorin e drejtësisë, ky kuvend në këtë legjislaturë ka kaluar ligje sa legjislaturat e mëparshme komplet që kanë kaluar ligje. D.m.th ne kemi rreth 40 ligje vetëm në fushën e drejtësisë gjatë këtyre tri vjetëve që janë trajtuar e miratuar, disa janë në procedurë, disa do të vinë shumë shpejt në Kuvend, ndërkohë që kemi legjislatura në Kosovë që në gjitha fushat nuk kanë kaluar 45 ligje brenda një legjislature. Natyrisht, nuk kanë qenë legjislatura katërvjeçare, por angazhimi është në disa drejtime”, thotë ai.

    Krahas kësaj, Rrustemi tha se mazhoranca nuk do të tërhiqet në miratimin e Projektligjit për Komisionit të Pavarur për Medie, Këshillit Prokurorial dhe atij për zyrtarët publikë, pavarësisht kritikave të ndërkombëtarëve dhe shoqërisë civile.

    “Në asnjë mënyrë, në nuk kemi fare qëllim për të kapur këto institucione, për t’i ç’kapur ato dhe për të liruar energjitë profesionale, intelektuale në Kosovë, dhe për t’i kthyer ato institucione në shërbim të interesit publik të qytetarëve dhe të shtetit. Ne nuk kemi as nevojë për t’i kapur institucionet, jo vetëm që nuk e kemi as synim, por as nevojë. Ata që pretendojnë, që kanë kapur institucionet dhe shtetin e kanë bërë për t’i mbrojtur interesat individuale dhe grupore të tyre”, tha Rrustemi.