ATV

Blog

  • Serwer: Nevojitet riformatimi i dialogut, Lajçak ka dështuar

    Serwer: Nevojitet riformatimi i dialogut, Lajçak ka dështuar

    Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Serwer, thotë për KosovaPress, se është i nevojshëm riformatimi i dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka dështuar pasi palët s’po e zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe Aneksin e Ohrit dhe si të tilla janë jo efektive. Ai kritikon në veçanti Serbinë që s’po pranon të nënshkruajë marrëveshjen dhe po e mohon vazhdimisht të njëjtën.

    Analisti amerikan kërkon nga Bashkimi Evropian largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa thekson nevojën që sa me shpejtë përgjegjësit e sulmit terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit të vihen para drejtësisë. Krahas këtyre, ai deklaron se raportet Kosovë-ShBA janë në një kohë të vështirë, mirëpo shton s’ka ndryshuar asgjë sa i përket qëllimeve për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

    Njohësi amerikan i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor thotë për KosovaPress, se në kuadër të riformatimit të dialogut duhet të shkohet më shumë drejt përafrimeve në çështje praktike në teren, sesa drejt normalizimit politik.

    Megjithëse deklaron se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e njeh Ballkanin Perëndimor më shumë se çdo diplomatë që ka shërbyer në rajon, sipas tij i njëjti ka dështuar në dialog.

    Profesori amerikan e konsideron të domosdoshme largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Duke folur për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, Serveri thotë se përgjegjësi i këtij sulmi, Milan Radoiçiq duhet të dorëzohet organeve të drejtësisë në Kosovë.

    Sa i përket raporteve Kosovë-ShBA, analisti amerikan thotë se rrethanat kanë qenë pak të vështira në këtë kohë, mirëpo siç deklaron ai s’ka ndryshuar asgjë nga objektivat amerikane për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

    Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar gjatë kësaj jave në Bruksel, në kuadër të dialogut, mirëpo ai ka zhvilluar takim vetëm me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nuk është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

    Kurti para se të takohet me Vuçiq ka kërkuar nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, tërheqjen e letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq ndaj vendeve të BE-së se nuk zbatojnë nene të caktuara të marrëveshjes dhe dorëzimin e Radoiçiq organeve të drejtësisë në Kosovë.

  • Lëndohen dy punëtorë në Ferizaj, policia jep detaje

    Lëndohen dy punëtorë në Ferizaj, policia jep detaje

    Dy punëtorë janë lënduar dje (e shtunë) në Ferizaj derisa ishin duke punuar në një banesë në ndërtim e sipër. Policia e Kosovës njofton se viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor.

    “Rr. Gzim Sahiti, Ferizaj 29.06.2024 – 11:00. Raportohet se dy viktima meshkuj kosovarë, kanë pësuar lëndime trupore derisa kanë qenë duke punuar në një banesë në ndërtim e sipër. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Kosova me shkallë të lartë të varfërisë, Sadiku: Rritja ekonomike e pamjaftueshme

    Kosova me shkallë të lartë të varfërisë, Sadiku: Rritja ekonomike e pamjaftueshme

    Varfëria, mungesa e fuqizimit të sektorit prodhues, mospërkrahja e bizneseve, ngadalësimi i rritjes ekonomike në vend, janë disa nga problemet që po ballafaqohet Kosova 25 vjet pas çlirimit. Profesori universitar, Muhamet Sadiku derisa kërkon nga qeveria më shumë reforma në çështjet që ndikojnë në ekonominë, thotë se Kosova vazhdon për vite të tëra të përballet me probleme të njëjta.

    Në një intervistë për KosovaPress, profesori Sadiku thotë se derisa të gjitha vendet kanë bërë indeksimin e shpenzimeve sociale, e të pensioneve, Qeveria e Kosovës nuk ka lëvizur në këtë aspekt, për çfarë thotë se kjo ka ndikuar që të mos zhvillohet ekonomia e vendit.

    Sipas Sadikut, në vend mungon ndjesia për zhvillim social, i cili thotë, se Kosova vazhdon të ketë problemet e njëjta edhe në shëndetësi, arsim dhe në sektorë të tjerë.

    Derisa flet për ngecjet ekonomike, Sadiku rendit problemet që po ballafaqohet vendi në aspektin ekonomik, dhe shton se sfidë mbetet edhe bilanci tregtar negativ. Në këtë drejtim vlerëson se Kosova duhet të fuqizojë sektorin eksportues.

    Ai mes tjerash, nënvizon se Kosova vazhdon të përballet me problemn e varferisë, për cfarë thotë se shteti duhet të përmirësojë qeverisjen me rritje ekonomike.

    Në anën tjetër, ai thotë se shqetësuese mbetet edhe rënia e investimeve të huaja.

    Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon rritje ekonomike për Kosovën në 3.8 për qind në vitin 2024. Sipas FMN-së, kjo normë e rritjes në vitin 2023 ishte 3.3 për qind.

  • Autostrada Thumanë-Kashar hapet sot, Rama: Na shërben të gjithëve dhe turizmit

    Autostrada Thumanë-Kashar hapet sot, Rama: Na shërben të gjithëve dhe turizmit

    Prej orës 19:00 të ditës së sotme (e diel), aksi rrugor Thumanë-Kashar në Shqipëri do të jetë i hapur për të gjithë.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama teksa ka ndarë pamjet me dron nga rruga e përfunduar, shkruan në Facebook se ky aks rrugor do t’u shërbejë të gjithëve dhe turizmit.

    “…dhe me këtë fluturim mbi Thumanë-Kashar për të shijuar atë që është ndërtuar në tokë, një aks rrugor që na shërben të gjithëve dhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit duke qenë i aksesueshëm për të gjithë nga sot prej orës 19:00, ju uroj të diel të mbarë”, ka shkruar Rama në Facebook.

  • Intervistohen dy persona nga policia pasi u kacafytën në Gazimestan

    Intervistohen dy persona nga policia pasi u kacafytën në Gazimestan

    Dy persona janë intervistuar të shtunën, më 29 qershor, nga policia pasi dyshohet se janë kacafytur me njëri-tjetrin në Gazimestan, më 28 qershor.

    Në raportin 24 orësh thuhet se personat në fjalë janë parë duke u kacafytur në një video të publikuar në rrjete sociale.

    Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

  • Fluks i lartë udhëtarësh nga Kosova drejt bregdetit

    Fluks i lartë udhëtarësh nga Kosova drejt bregdetit

    Fluks i lartë pushuesish nga Kosova, të cilët këtë fundjavë kanë zgjedhur bregdetin.

    ABC News raporton se vargu i gjatë i automjeve, kryesisht pushues ditor nga Kosova në këtë ditë të fundit të qershorit janë drejtuar zonave bregdetare.

    Pas udhëtimit në Rrugën e Kombit, vargu i gjatë i automjeteve pranë kryqëzimit në Fushë Milot përballen me një trafik të renduar. Pushuesit më pas i drejtohen zonave të preferuara të bregdetit për të kaluar fundjavën.

    Me hapjen e rrugës Thumanë-Kashar pasditen e së dielës për turistët vendas dhe të huaj, pritet një përmirësim i ndjeshëm i lëvizjes së pushuesve që preferojnë të vizitojnë bukuritë e natyrës shqiptare gjatë këtij sezoni turistik.

  • Nga janari deri më sot, AUV asgjësoi 400 mijë kilogram produkte

    Nga janari deri më sot, AUV asgjësoi 400 mijë kilogram produkte

    400 mijë kilogram produkte të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum, janë asgjësuar me vendim nga Agjencia Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, Lamir Thaçi, zëdhënës në këtë institucion.

    Thaçi ka thënë se krahas mungesës së kushteve për konsum, janë larguar edhe për shkak të mungesës së dokumentacionin e origjinës.

    “Në planet nacionale, ne fokusin e kontrollit me inspektim e kemi në sezonën e verës e kemi në produktet që kërkojmë kushte të ruajtjes. Kemi pasur raste ku në produktet e caktuara të cilat janë hasur duke u ruajtur në kushte jo adekuate, menjëherë janë largu nga tregu dhe janë asgjësuar dhe ndaj palës është iniciuar fletëparaqitje për gjykatë. Edhe këtë vit kemi pasur produktet që janë larguar në disa raste arsyeja ka qenë ruajtje jo adekuate dhe sasia e përgjithshme e asgjësimit për këtë vit e kalon rreth 400 mijë kilogram. Nuk është vetëm për shkak të kushteve të ruajtjes por ka me lajmërimin e vet bizneseve për arsye të ndryshme, mungesë dokumentacioni, origjine të cilat kanë rezultuar analizave që nuk është për konsumim”, ka thënë Thaçi.

    Thaçi në këto temperatura të larta, ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes permanent në produktet ushqimore. Ai ka deklaruar se të gjithë produktet që janë në treg janë të inspektuara dhe janë të sigurta për konsumim.

    “Të gjithë konsumatorët sigurisht duhet të ushtrojnë kujdes sidomos në produkte që i blejnë, sidomos në atë që kërkojnë kushte adekuate të ruajtjes apo regjim frigoriferik. Secili produkt e ka të shkruar në deklaracionin e vet edhe elementin e kushteve të ruajtjes që gjithmonë përveç ne si autoritet në kontrollin zyrtar e kemi gjithmonë në fokus qendror gjatë verës për kontroll, njëjtë duhet të veprojnë edhe konsumatorët, sepse nga momentin që ata blejnë produktin gjithmonë është në përgjegjësinë e tyre për ta ruajtur produktin deri në momentin që ata konsumojnë. Produktet që kërkojnë kushte apo regjim të ruajtjes që janë më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta. Në secilin rast në kushte mund të vije deri tek kontaminimi i tyre”, deklaroi Thaçi.

    Tutje, Thaçi ka thënë se nuk ka ndonjë kategori të caktuar se çka duhet eliminuar në stinën e verës, mirëpo ai tha se të gjitha produktet që janë të ndjeshme duhet të ruhen në temperatura adekuate.

    “Nuk mund të jap një kategori të gjitha ato që kërkojnë kushte të ruajtjes ato duhet të ruhen përderisa i kanë të shkruar kushtet e ruajtjes, nënkupton se jetëgjatësia e tyre është e vlefshme dhe i sigurt me atë jetëgjatësi që është shkruar nëse ai është ruajtur në kushte adekuate. Përderisa jemi autoritet qendror secili produkt që është në treg është i sigurt sepse nëse s’do të ishte ai produkt i sigurt ne do ta largonim nga tregu, por gjithmonë gjatë regjimit apo dietës së ushqyerit gjithmonë konsumatorët duhet të ushtrojnë kujdes. Sepse produkte pa marrë parasysh kategorinë e tyre dhe sezonën e tyre në momentin që janë në treg janë të kontrolluara dhe janë të sigurt për konsumatorët”, ka thënë ai.

    Krahas temperaturave të larta, inspektimi nga AUV nuk mungon, sipas Thaçit gjithmonë dalin në inspektim për të parë gjendjen faktike në terren dhe çdo parregullsi është vepër penale.

    “Në secilin inspektim gjithmonë e shkruan gjendjen faktike në terren. Kushdo që vendos produktet të dyshimta edhe në kodin penal edhe me ligje të tjera përcaktohet që të ketë ndjekje penale ndaj tij apo të shqiptohet gjobë mandatore. Kjo është sipas vlerësimit të inspektonit në terren, në rastin kur është vlerësuar se në terren është vendosur një produkt në treg që është i dyshimte ai e inicion fletë paraqitjen në gjykatë. Pastaj Gjykata është ajo që e peshon fajin dhe ndëshkimin”, shtoi ai.

  • Franca mban zgjedhjet parlamentare

    Franca mban zgjedhjet parlamentare

    Në Francë janë hapur qendrat e votimit për rundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat mund ta sjellin në pushtet partinë e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, për herë të parë në histori.

    Me luftën e Rusisë kundër Ukrainës që është në muajin e tretë dhe me rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimit, mbështetja për partinë Tubimi Kombëtar – që është kundër migrantëve dhe është euroskeptike – është rritur, pavarësisht zotimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, se do të parandalojë ngritjen e kësaj partie.

    Qendrat e votimit në mbarë Francën u hapën në ora 08:00 dhe do të mbyllen 12 orë më vonë. Pas mbylljes së votimeve do të nisë publikimi i projeksioneve, që rëndom parashikojnë rezultatin me një shkallë të saktësisë.

    Votuesit në territoret e tjera franceze në mbarë botën votuan më herët gjatë fundjavës. Rreth 49 milionë persona kanë të drejtë vote.

    Zgjedhjet për 577 ulëset e Asamblesë Kombëtare janë një proces me dy runde. Përbërja e Parlamentit të ri do të bëhet e qartë vetëm pas rundit të dytë që do të mbahet më 7 korrik.

    Shumica e sondazheve thonë se Tubimi Kombëtar i Le Pen është në rrugën drejt fitimit të më së shumti ulëseve në Asamblenë Kombëtare – Dhomës së Ulët të Parlamentit – edhe pse ende mbetet e paqartë nëse kjo parti do të fitojë një shumicë të plotë.

    Parashihet që dalja në zgjedhje të jetë e lartë dhe sondazhet e fundit kanë thënë se partia e Le Pen do të fitojë në mes të 35 për qind deri në 37 për qind të votave, aleanca e Frontit të Ri Popullor e krahut të majtë parashihet të marrë 27.5-29 për qind, dhe kampi centrist e Macronit 20 deri në 21 për qind.

    Nëse Tubimi Popullor fiton një shumicë absolute, kryetari i partisë, Jordan Bardella, 28 vjeç, mund të bëhet kryeministër i ri i shtetit, në një “bashkëjetesë” të tensionuar me Macronin.

    Vendimi i Macronit për të thirrur zgjedhje të parakohshme erdhi pasi Tubimi Kombëtar doli mirë në zgjedhjet Parlamentare që u mbajtën këtë muaj, duke habitur miqtë dhe armiqtë dhe nxitur paqartësi në ekonominë e dytë më të madhe të Evropës.

    Gjatë fushatës zgjedhore ka pasur rritje të gjuhës së urrejtjes, jotolerancës, dhe racizmit. Madje, në një tubim të partisë së Le Pen, mbështetësit kanë sulmuar verbalilisht një grua me ngjyrë.

    Macron, ndërkaq ka dënuar “racizmin apo antisemitizmin”. Por, mbështetja për kampin centrist të Macronit ka rënë dhe partitë e krahut të majtë tejkaluan mosmarrëveshjet e tyre dhe u bashkuan për të garuar në kuadër të Frontit të Ri Popullor.

    Analistët kanë thënë se përpjekjet shumëvjeçare të Le Pen për të përmirësuar imazhin e partisë së saj, të bashkëthemeluar nga një ish-anëtar i një grupi nazist, janë shpaguar.

    Kjo parti ka premtuar se nëse fiton pushtetin do të forcojë fuqinë blerëse, do të frenojë emigrimin dhe do të forcojë sundimin e ligjit.

    Macron ka paralajmëruar votuesit se një fitore nga ekstremi i djathtë apo nga e majta e fortë, mund të nxisë një “luftë civile”.

    Ai ka insistuar se do të çojë deri në fund mandatin e tij të dytë presidencial – që përfundon më 2027 – pavarësisht se cila parti fiton zgjedhjet. /REL/

  • Personat me nevoja të veçanta të neglizhuar nga shteti, thonë se e mendojnë edhe më të keqën

    Personat me nevoja të veçanta të neglizhuar nga shteti, thonë se e mendojnë edhe më të keqën

    Personat me nevoja të veçanta sa herë që dalin në Prishtinë e kanë të vështirë lëvizjen, për shkak të kaosit dhe mungesës së rrugëve për këta persona. Vështirësi hasin edhe në trotuaret e bllokuara nga veturat, raporton Ekonomia Online.

    Personat me nevoja të veçanta, konsiderojnë se janë të neglizhuar nga shtetit, ndërsa ka raste kur e mendojnë edhe më të keqën. E pensionin që ata e marrin nga shtetit është i vogël krahasuar me nevojat që i kanë.

    Drejtori i HANDIKOS-it në Komunën e Prishtinës, Faruk Kukaj, thotë për Ekonomia Online se gjysmën e pensionit, e japin për asistentë, ndërsa shuma tjetër shkon për nevojat të tyre ditore.

    “Jetoj në Prishtinë së paku në këtë qytet, para lufte ka qenë bukur vështirë lëvizja e personave me përdorues të karrocës, ku nuk ka pasur as rrugë as trotuare. Ku ka qenë vendi për trotuare e kanë zënë veturat po edhe objektet publike nuk ka pasur qasje. Ke mundur me gishta me i numëruar, mbas luftës mund të them se ka pasur diçka lëvizje për të mirë por shuma pak. Në institucionet publike apo shëndetësore vonë e kanë filluar me i rregulluar rampat, diku në disa shkolla por jo në të gjitha. Është një progres por shumë i vogël, Këtu jam rrit dhe jam duke e plakur më duhet të lëviz në rrugë, zakonisht janë të zëna trotuaret me vetura. Por qasje nëpër trotuare ka vetën në kryeqytet ndërsa më larg nuk ka, shumë pak ka qasje”, thotë Kukaj.

    Përveç kësaj, Kukaj thotë se nuk kanë qasje as në tualetet e krijuara për ta për shkak se janë shndërruar në depo.

    “Edhe atje ku i kanë përshtat tualetet më vonë i kanë shndërruar në depo, e kanë pamundësuar qasjen nëpër tualete. Ne jemi shumë larg standardit evropian apo qasjes të plotë të qytetit për personat përdorues të karrocës. Pensionet kur është hyrë në vendim dhe është implementuar ka qenë e mirë tani ka stagnuar dhe ka mbetur aty. Për mua është një nevojë vetëm në tërësi. Ne përdoruesit e karrocës kemi edhe nevoja të tjera shëndetësore, por ka edhe nevoja të tjera të shërbimit ditor, madje edhe për asistim personal”, u shpreh ai.

    Ai ka folur edhe për pagesën pensionale, të cilën e quan qesharake krahasuar me shpenzimet për nevojat ditore.

    “Asistenti personal është i llogaritur në pagesën pensionale por është tmerr me tregu shumën. Një asistent personal duhet t’i japësh 150 euro, kush vjen me të ndihmuar me t’i kryer shërbimet ditore me këtë shumë në muaj. 300 euro është pensioni, 150 euro i marr unë dhe 150 euro asistenti. Çka janë 150 euro pension në muaj këto janë absolut qesharake. Për shtetin kemi pasur shumë herë kërkesa, le të mendojnë që edhe ne jemi pjesë e shoqërisë së Kosovës, nuk jemi alien apo si dikush i ardhur prej tjetër planet”, tregoi Kukaj.

    Ai kërkon nga Qeveria që të mendojnë më shumë për këta persona për të pasur qasje më të lehtë si të gjithë qytetarët e tjerë.

    “Edhe ne i kemi të drejtat e barabarta që janë të pranuar edhe të njoftuar me deklaratën të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut. Le të mendojnë më shumë dhe më tepër për neve. Të kemi qasje fizike si në transport publik, në shëndetësi por edhe në punësim. Është e kot që thonë kërkojnë punëtor për një person me aftësi të kufizuar kur për shembull ato kompani e kanë në katin e katër, dhe nuk ke si të shkosh deri lart”, përfundoi ai.

    Ndërsa Drejtoresha e Komitetit të Grave të Verbër, Bajrumshahe Jetullahu, për Ekonomia Online ka thënë se janë të diskriminuar dhe se shteti nuk po ofron asnjë kusht për ta.

    Sipas saj, pension ka mjaftueshëm për ta blerë “një konop me vu një guri dhe me mbyt vetën në Badovc”

    “Kushte jo që po ofron por s’po ofron fare edhe as që po interesohet asnjëherë për jetën dhe kushtet për diskriminimet tona. Vetëm me të urdhëru me vdek para kohës se përndryshe diskriminim ma të madh nuk ka. Çdo gjë që ka të bëjë me personat me nevoja të veçanta është diskriminuese. Qoftë punësimi, qoftë arsimim, kondensim çdo gjë në jetë tek ne është zero. Pension ka mjaftueshëm sa me e ‘ble një konop me vu një guri në qafë dhe me shku në Badoc’. Me 125 euro pa marrë parasysh cili mundet me jetu nga autoritet me atë pagesë, qoftë vetëm për veti atëherë unë jam gjendje me ja fal 125 euro. Vetëm kafja e mëngjesit iu kushton aq”, u shpreh ajo.

    Pensioni i personave të verbër është 250 euro, ku 125 prej tyre duhet ta paguaj asistentët personal për ta ndihmuar.

    “Janë të parapara pllakat taktike në qytet, po edhe ato që janë tek mensa e studentëve janë pllaka të cilat të ndihmojnë personit të verbër me dal drejtë në semafor edhe me ardh ndonjë veturë dhe me zhduk nga faqja e dheut. Për shtetin na kanë humbur edhe mesazhet se çdoherë dërgojmë kërkesa, lutje por hasim në vesh të shurdhër. Po jetojmë ashtu deri kur të shkon kështu, për neve nuk ka shtet, nuk ka njerëz që mendojnë për këtë kategori. Me të dhënat e tona dhe dëshirat e tyre ne nuk ekzistojmë”, përfundoi ajo.

  • EURO 2024: A do të shkojnë tutje Spanja dhe Anglia?

    EURO 2024: A do të shkojnë tutje Spanja dhe Anglia?

    Dy lojë tejet interesante do të zhvillohen sot në fazën e 1/16-tës së Kampionatit Evropian.

    E para do të jetë në mes të Anglisë dhe Sllovakisë, e cila zhvillohet “Veltins Arena” në Gelsenkirchen, nga ora 18:00.

    Derisa loja e dytë luhet në mes të Spanjës dhe Gjeorgjisë.

    Kjo përballje zhvillohet në “RheinEnergieSTADION”, në Koln.

    Mbetet të shihet nëse në çerekfinale do të shkojnë dy favoritët Anglia dhe Spanja, apo do të ketë befasi.