ATV

Blog

  • Nëna e raporton në polici vajzën e mitur, thotë se e ofendoi dhe e sulmon herë pas here

    Nëna e raporton në polici vajzën e mitur, thotë se e ofendoi dhe e sulmon herë pas here

    Një grua ka raportuar se vajza e saj e ka ofenduar dhe herë pas herë e sulmon fizikisht.

    Palët janë intervistuar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

    “Prishtinë 29.06.2024 – 00:30. Ankuesja femër shtetase e Malit të Zi, ka njoftuar se vajza e saj e moshës se mitur, e ka ofenduar dhe herë pas here e sulmon edhe fizikisht. Të dy palët janë intervistuar dhe me vendim te prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.”

  • Katër rreziqet e shëndetit gjatë stinës së verës

    Katër rreziqet e shëndetit gjatë stinës së verës

    Edhe pse kjo është periudha më e ngrohtë e vitit, për shumë njerëz relaksuese, pasi njerëzit janë më komod, të rastësishëm dhe të pangarkuar me shumë rroba, megjithatë duhet pasur kujdes pasi kushtet e vështira të motit dhe ushqimi monoton mund të çojnë në shumë probleme shëndetësore

    Ekspozimi ndaj diellit dhe rrezitja, dehidratimi, pickimi i insekteve dhe helmimi nga ushqimi janë disa nga rreziqet më të zakonshme për shëndetin e njeriut gjatë periudhës së verës, për të cilat duhet pasur kujdes për të minimizuar efektet anësore. Edhe pse kjo është periudha më e ngrohtë e vitit, për shumë njerëz relaksuese, pasi njerëzit janë më komod, të rastësishëm dhe të pangarkuar me shumë rroba, megjithatë duhet pasur kujdes pasi kushtet e vështira të motit dhe ushqimi monoton mund të çojnë në shumë probleme shëndetësore, paralajmërojnë shkencëtarët dhe qarqet mjekësore në mbarë botën.

    EKSPOZIMI NË DIELL DHE RREZITJA

    Si burim i vërtetë i jetës, dielli ka shumë përfitime për trupin dhe shpirtin e njeriut, pasi stimulon qarkullimin dhe metabolizmin, siguron krijimin e vitaminës D dhe shfrytëzimin maksimal të saj, dhe në këtë mënyrë ndikon në mënyrë mjaft antidepresive. Por në këtë aspekt është mirë të keni kujdes sepse ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve UV sjell plakje më të shpejtë të lëkurës, alergji të shumta, deri në shfaqjen e kancerit të lëkurës, si dhe mund të jetë një nga shkaqet e dëmtimit të kornesë dhe rrjetit të syrit. Prandaj, është e nevojshme t’i kushtohet vëmendje mbrojtjes së duhur nga dielli. Përdorni kremra me faktor mbrojtës të lartë (30/50), si dhe kushtoni vëmendje sa dhe në cilën orë gjatë ditës jeni të ekspozuar në diell. Njëkohësisht duhet kujdes shtesë për personat që kanë nishane apo rritje të lëkurës, për të mos irrituar apo krijuar inflamacion, sepse në të kundërtën është e nevojshme një vizitë urgjente te dermatologu.

    DEHIDRIMI

    Gjatë vapës së verës ekziston rreziku i dehidrimit, ndaj të cilit janë veçanërisht të prirur të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna, sportistët dhe personat rekreativ. Duke qenë se njerëzit djersiten dukshëm më shumë gjatë verës, më shumë lëngje humbin përmes lëkurës se zakonisht, ndaj është e nevojshme të zëvendësohet ai lëng. Prandaj, këshillohet të pini të paktën dy litra lëngje në ditë, nëse është e nevojshme edhe më shumë. Nga pranimi total i lëngjeve në ditë, dy të tretat duhet të jenë ujë i thjeshtë, dhe gjithë pjesa tjetër, për shembull, lëngjet, çajërat, supat dhe ushqimi i lëngshëm, mund të jenë një shtesë, por jo një zëvendësim i ujit. Çaji, kafeja dhe disa pije përmbajnë kafeinë dhe kanë një efekt diuretik me ç’rast nxisin dehidrimin. Gjithashtu është mirë të konsumoni supë të lehtë perimesh, fruta dhe perime me lëng, si dhe sallata të ndryshme.

    PICKIMET E INSEKTEVE

    Në periudhën e verës, njerëzit kalojnë më shumë kohë jashtë, prandaj kafshimet e llojeve të ndryshme të insekteve janë të pashmangshme. Kjo është arsyeja pse është mirë të keni në dorë një krem ose mjet mbrojtës kundër pickimit të insekteve. Aromaterapistët këshillojnë të aplikoni vaj esencial të livandës në pjesët e ekspozuara të trupit. Ai vaj ka veti antiseptike, dezinfektuese dhe shëruese dhe mund të aplikohet në lëkurë, por në sasi minimale. Nëse simptomat pas pickimit të mushkonjave ose insekteve janë më të theksuara, mund të përdoret një antihistamine në formën e pomadës, kremit ose xhelit, i cili do të ketë një efekt të dobishëm. Situatat pas pickimit të bletës ose grerëzës janë veçanërisht të rrezikshme në pjesët e zgavrës së gojës, qafës dhe fytit, për shkak të zhvillimit të shpejtë të edemës dhe mbytjes së mundshme. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu rrezikun e rriqrave, të cilat me pickimin e tyre mund të transmetojnë meningoencefalitin viral të rriqrave, prandaj është e rëndësishme që pas çdo shëtitjeje në natyrë të ekzaminohet në detaje i gjithë trupi dhe të largohen rriqrat nëse ka.

    HELMIMI NGA USHQIMI

    Temperaturat e larta janë të përshtatshme për zhvillimin e mikroorganizmave në produktet ushqimore, veçanërisht nëse ato nuk janë të paketuara dhe të ruajtura siç duhet. Ushqimet me origjinë proteinike, si mishi, vezët, produktet e qumështit, peshku, butakët etj., janë veçanërisht të ndjeshme ndaj prishjes, pasi janë një bazë e shkëlqyer ushqyese për rritjen e mikroorganizmave. Gjatë verës, helmimet më të shpeshta shkaktohen nga bakteret salmonela dhe në këtë kontekst më të shpeshtat janë ushqimet që nuk janë përpunuar termikisht, si ëmbëlsirat apo ëmbëlsirat me krem, si dhe akulloret. Me rastin e blerjes së produkteve të qumështit është veçanërisht e rëndësishme të shikohet data e prodhimit, sepse në periudhën e verës, për shkak të temperaturave të larta, afati mund të shkurtohet në krahasim me atë të shënuar në deklaratë.

  • Torakalja pa listë të pritjes për kancer të gjirit dhe mushkërisë

    Torakalja pa listë të pritjes për kancer të gjirit dhe mushkërisë

    Mbi 260 operacione janë kryer në sallën e madhe të Kirurgjisë Torakale në QKUK, ndërsa janë kryer rreth 120 vizita. Punë të madhe janë bërë edhe në ambulanten specialistike me gjithsej 1700 sosh. Këto të dhëna i ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i klinikës, Nazmi Kolgeci.

    Kolgeci ka thënë se në klinikën që udhëheq ai, ka larguar listën e pritjes me kancer të gjirit dhe kancer në mushkri.

    Ndonëse ka kohë që operojnë me vetëm një sallë operative, Kolgeci është i bindur se javën e ardhshme do të lëshohet në funksion edhe salla e dytë. Kjo sipas tij do ta ulë ndjeshëm numrin e listës së pritjes, që kryesisht është për tumore.

    “Gjatë gjashtë muajt e kaluar i kemi pasur 260 operacione në sallën e madhe, kemi pasur vizita diku rreth 120, kemi pasur vizita në ambulanten specialistike 1700, EHO 80, drenazhet torakale që është intervenim kirurgjik invaziv është diku rreth 200 dhe diagnostikimi i gjirit që është bërë me metoda më të reja është diku rreth 70 me metodë jo invazive, është e thjeshtë por faktikisht edhe e shkurton kohën e pritjes për pacientet që presin për operacion. Një sallë të vogël që e kemi që është renim me anestezion të shkurtër janë bërë diku 150 operacione”, ka thënë Kolgeci.

    Kolgeci u shpreh me renovimin e sallës së dy operative, do të ndikojë ndjeshëm numri i pacientëve që presin. Këtë dukuri e konsideron normale pasi edhe në shtet perëndimore pritet për intervenime kirurgjike.

    “Deri tani ne kemi qenë me një sallë operacioni edhe kjo ka shërbyer për krejt qytetarët e Kosovës, tani vetëm javën që vjen do të lëshohet edhe salla e dytë që do ta zbusë dukshëm numrin e pritjes se pacienteve që presin për ndërhyrje kirurgjike. Një sallë operacioni deri tani që ka qenë ka qenë e pa mjaftueshme për këtë numër të popullatës që kemi po me sallën e dytë besoj që ka më qenë edhe ne do të ndihemi komod edhe pacientë nuk kanë me pas që të presin shumë gjatë. Sallat për intervenime kirurgjik çdo kund pritet, edhe në Gjermani edhe në Amerikë, çdo kund është lista e pritjes, edhe atje presin 5-6 muaj në listë të pritjes”, u shpreh Kolgeci.

    Sfidë si çdo klinikë është mungesa e stafit, ndërsa më e theksuar vërehet mungesa e anesteziologëve.

    “Kirurgjia është punë ekipore dhe normalisht edhe ka sfidat edhe problemet e veta. Normalisht stafi i mesëm mendoj që duhet me qenë një numër edhe më i madh i infermiereve po më se shumti probleme kemi me anesteziolog, për shkak se numri sipas të dhënave që i kemi numri i anesteziologëve është i pamjaftueshëm aktualisht. Ne përballemi me mungesa të anesteziologëve për arsye se ka ndodhur do raste kur s’kemi pasur edhe operator për shkak të mungese së tyre”, ka deklaruar Kolgeci.

    Ai u shpreh se krahas operacioneve tjera, kanë larguar listën e pritjes për pacientët që vuajnë nga kanceri i gjirit dhe mushkërive. Ndërsa pak më e gjatë është për tumore.

    “Me kancer të gjirit nuk kemi listë të pritjes, ne e kemi bërë si prioritet edhe kanceri i gjirit edhe kanceri në mushkri, por edhe kancerat e regjionit torakal ne nuk kemi listë të pritjes. Lista e pritjes është shumë e shkurtër, aq sa është e mjaftueshme për një pacient që të përgatitet, bile mund të them se shumë më shpejt hynë pacientët të ne në Kosovë se sa hynë në shtet tjera për kancer të gjirit. Lista e pritjes është për pacientët që janë me tumoret që presin që shkon goxha gjatë, që mund të shkon pese muaj, gjashtë muaj, deri në një vit shkon me listë të pritjes për pacientet që edhe mund të presin. Por kjo listë edhe në Gjermani edhe në shtet e tjera presin”, u shpreh Kolgeci.

  • Lobimi i Gërvallës për njohje të reja, përplasë pozitën e opozitën: Qeveria i ka lënduar raportet me vendet mike

    Lobimi i Gërvallës për njohje të reja, përplasë pozitën e opozitën: Qeveria i ka lënduar raportet me vendet mike

    Vizitat e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, në vende të ndryshme, po shihen pa rezultate nga partitë opozitare për shkak të “lëndimit të raporteve” me ndërkombëtarët. Ndërsa të kundërtën e mendon partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.

    Ndonëse kanë kaluar mbi tri vite qeverisje, pushteti i Albin Kurtit nuk ka arritur ta sigurojë një njohje. Njohja e fundit për Republikën e Kosovës është ajo e Izraelit, nën drejtimin e ish-kryeministrit Avdullah Hoti.

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka thënë për Ekonomia Online se Qeveria Kurti i ka lënduar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, kjo si pasojë e mungesës së bashkëpunimit dhe dakordimeve me ta.

    “Nuk e ka një performancë të mirë, nuk e kemi asnjë njohje nuk e kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përkundrazi i kanë lënduar raportet me vendet mike dhe sa herë që kanë marrë një veprim të pa dakorduar, ne kemi ardhë në situata të tilla. Asnjëherë në këto situata nuk e amnistojë Serbinë sepse Serbia kuptohet që ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, po Kosova duhet ta shohë rrugëtimin e vetë dhe rrugëtimi i Kosovës është drejt anëtarësimit në BE në familjen e madhe evropiane”, ka thënë Kadrijaj.

    Deputetja nga AAK, ka fajësuar Qeverinë për mos shtimin e numrit të njohjeve të Kosovës, duke shtuar se shteti i ka humbur aleatët.

    “Vendet mike, që ndoshta vendet e kanë përkrahë këtë qeveri për me ardh në pushtet sepse kanë menduar në sistemin e njëjtë me mashtrime, qysh kanë ardh në pushtet që nuk do të dialogojnë që nuk do ketë dialog fare veç me serbët kanë menduar se me të njëjtin kut do të trajtohen edhe me ndërkombëtarët do i mashtrojnë ndërkombëtarët por po shifet së i ka hup aleatët”, u shpreh Kadrijaj.

    Por ndryshe nga Kadriaj, mendon deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.

    Sipas saj, ministrja Gërvalla, angazhohet çdo ditë për rezultate pozitive në diplomaci. Kontributin e saj, e ndërlidh me vizitën e fundit të kryediplomatës në Luksemburg me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

    “Unë besoj që ajo këto i bën kurdo që i jepet mundësia, jo vetëm në takime specifike me ta, por kurdo që ka pjesëmarrje në secilëndo konferencë dhe ka homologë të saj aty ajo e bën këtë gjë ajo lobon për Republikën e Kosovës dhe lobon bën thirrje që të merren këto vendime të cilat do duhej tashmë të merreshin pa pasur nevojë që të bëhej një lobim kaq i madh prej anës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Kryeziu për Ekonomia Online.

    Ajo ka shtuar se krahas lobimit për njohje, Gërvalla vazhdimisht punon edhe për heqjen e masave nga BE-ja ndaj Kosovës.

    “Ajo lobon për Republikën e Kosovës dhe lobon bën thirrje që të merren këto vendime të cilat do duhej tashmë të merreshin, pa pasur nevojë që të bëhej një lobim kaq i madh prej anës së Republikës së Kosovës dhe unë nuk pres diçka ndryshe prej ministres sepse ministrja e bën punën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme dhe lobimi i saj është i atillë që gjithmonë shkon në favor të Republikës së Kosovës. Prandaj si besoj se si ministrja e punëve të jashtme si përfaqësues tjera institucional do ta japin maksimumin e tyre që një vendim pozitiv të vjen edhe pas kësaj faze apo pas këtij procesi”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.

    Ndërsa, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, tha për Ekonomia Online se nga ministrja e jashtme nuk ka diplomaci funksionale.

    “Fatkeqësisht nga kjo ministrja e jashtme unë nuk pres asgjë, ne gati thuajse nuk kemi fare ministri të jashtme nuk kemi fare diplomaci funksionale për shkak të sjelljes së saj i mbani mend sa kritika në Kuvend të Kosovës pse e vendosen një moratorium njëvjeçar pse nuk ka njohje, njohja e Izraelit nuk është e plotë e krejt e krejt ato erdhën këta mburren tash me njohjen e Izraelit dhe heqjen e vizave ndërkohë asnjë njohje të vetme dhe nuk ka asnjë përkushtim dorën në zemër e kemi kriju bindjen se këta nuk dinë as të lobojnë nuk dinë as të negociojnë nuk dinë të bëjnë as politikë në fakt, e patë dështimin për anëtarësim në Këshill të Evropës”, tha deputeti.

    Ai shton se Kosova në aspektin e diplomacisë së jashtme është në izolim total si dhe në vetëdëmtim e vetëshkatërrim të perspektives së shtetit të Kosovës.

    “Jemi në ditën e 367 të sanksioneve të vendosura nga BE-ja dhe sot Kuvendi i Kosovës i vendos në agjendë dhe nuk i pranon vërejtjet dhe rekomandimet e qarta dhe shumë konkrete të vetë BE-së që i bie nëse këtë nuk janë në rrugë me standardet e BE-së nuk kanë komunikim të rregullt dhe miqësor me shtetin e BE-së nëse nuk janë në gjendje që t’i bindin ata se Kosovës duhet t’i hiqen masat se jemi në rrugën e drejtë çfarë njohje mundëson kjo kjo është diplomaci, diplomaci vetëizoluese, vetëshkatërruese dhe vetëdëmtuese e perspektivës së shtetit të Kosovës dhe si të tillë këta që nga 2021 në kontekstin e rolit të Kosovës pozitës së Kosovës në skenën ndërkombëtare e kanë degraduar skajshmërisht. Këta e kanë ulë nivelin për tokë të imazhit të Kosovës në perëndim fatkeqësisht e vërteta është kjo kemi mendu ndoshta mund të kenë vullnet për me i përmirësua gjërat mirëpo kanë tregu që vullneti është i mbrapsht dhe e dyta kompetenca nuk ka dije kjo qeveri, ministria e jashtme është e padijshme është mediokriteti këmbëkryq me këtë qeveri përfshirë edhe në çdo agjenci ku këta po i vendosin njerëzit e vetë fatkeqësisht”, tha ai.

    Ndryshe, Kosova është e njohur në mbi 100 shtete të Bashkimit Evropian, ndërsa shteti i fundit që e njohu Kosovën është Izraeli me 1 shkurt të vitit 2021.

  • Të dielën parashihet të mbajë mot me diell, maksimalja 33 gradë Celsius

    Të dielën parashihet të mbajë mot me diell, maksimalja 33 gradë Celsius

    Vazhdojnë temperaturat e larta në Kosovë edhe këtë vikend.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-33 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes.

  • Subvencionimi i policave të sigurimit për mërgimtarët nga 1 korriku, konsiderohet si fushatë

    Subvencionimi i policave të sigurimit për mërgimtarët nga 1 korriku, konsiderohet si fushatë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj 

    Mërgimtarët që hyjnë në Kosovë nga 1 korriku, nuk do kenë nevojë ta paguajnë Policën e Sigurimit.

    Këtë taksë, automjeteve jokomerciale deri në 9 ulëse, Qeveria do t’ua subvencionojë me vlefshmëri për një muaj.

    Nga njohës të ekonomisë, ky vendim po shihet si fushatë dhe si zgjidhje joadekuate.

    “Besoj që diaspora e mendon një tretman më dinjitoz. Nuk besoj që ka nevojë për një muaj që të jetë një periudhë kohore e cila është e fragmentuar, sepse ata e meritojnë që të jenë tërë vitin të mbështetur. Ka nevojë edhe për digjitalizim”, deklaroi Safet Gërxhaliu, njohës i ekonomisë.

    “Qeveria po mundohet të bëjë politikë me mërgimtarët. Sikur të ishte vendimi në vitin e parë, kur s’ka pasë kohë për ta ndryshuar gjendjen. Por tri vjet mandat të kësaj qeverisjeje, mendoj se është e papranueshme sepse kjo nuk është zgjidhje, sepse mërgimtarët nuk e kanë problem një pagesë, por për ta është me rëndësi që qarkullimin ta kenë më të lehtë”, tha profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi.

    Në vend të subvencionimit, anëtarësimi në Kartonin e Gjelbër, po konsiderohet si nevojë.

    Pak muaj pas themelimit në vitin 2011, Byroja Kosovare e Sigurimit kishte aplikuar për t’u bërë pjesë e Byrosë së Kartonit të Gjelbër. Mirëpo, ky institucion kishte konstatuar se shteti fillimisht duhet të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara.

    Një dekadë më vonë, zëvendësministri Hysen Durmishi kishte deklaruar se Kosova ka kryer obligimet teknike, derisa mos-anëtarësimi mbetet peng i çështjeve politike./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/_PTOGVRIiDg?si=xSiii3GG7RmznwWw

  • “Tik-Tok” kërkohet të ndalohet edhe në shkolla, përdorimi i tij i tepërt konsiderohet i dëmshëm për shoqërinë

    “Tik-Tok” kërkohet të ndalohet edhe në shkolla, përdorimi i tij i tepërt konsiderohet i dëmshëm për shoqërinë

    PËRGATITI: BENITA ZENELI 

    Në institucionet arsimore parauniversitare përmes një udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit ndalohet jo vetëm përdorimi, por edhe posedimi i telefonave.

    Por ky udhëzim që tashmë ka 6 vite që ka hyrë në fuqi, rrallë zbatohet në shkollat e vendit.

    Në rrjetet sociale shpesh mund të shihen edhe postime në ambientet e shkollave e madje edhe gjatë orarit mësimor, e veçanërisht kjo dukuri vërehet në vitet e fundit në platformën e quajtur “Tik-Tok”.

    Andaj ekspert të arsimit vlerësojnë se duhet të ndërmerren masa që kjo të ndalohet, duke nisur nga vetëdijesimi i prindërve dhe fëmijëve deri te hapa më konkret institucional.

    Edhe Sociologët këtë dukuri po e vlerësojnë si mjaftë të dëmshme për shoqërinë.

    Ndërkohë, zyrtarëve publikë u është ndaluar përdorimi i rrjetit shtetëror të internetit dhe i pajisjeve zyrtare për t’u kyçur në “Tik-Tok”. Ky vendim, i marrë të premten në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, u vlerësua si masë parandaluese karshi rreziqeve të sigurisë kibernetike./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/_PTOGVRIiDg?si=FBfcWY3XsTjtUocc

  • Për 4 vite 54 aktakuza për trafikim me njerëz, vetëm dy të dënuar

    Për 4 vite 54 aktakuza për trafikim me njerëz, vetëm dy të dënuar

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Vetëm 2 persona u dënuan në 4 vitet e fundit për trafikimi të qenieve njerëzore.

    Në periudhën 2019- 2023 për këtë vepër penale nga Gjykata Themelore në Prishtinë u ngritën aktakuza për 54 persona, derisa 7 prej tyre u liruan, 5 me kusht e dy morën dënim më gjobë.

    Numri kaq i vogël i dënimeve po kritikohet nga juristet të cilët veç gjykatave, fajin u lënë edhe prokurorive.

    Ish- zëvendësministri i Punëve të Brendshme Valdet Hoxha, flet për mungesa të koordinimit brenda sistemit.
    Ndërsa sipas avokatit, Arbër Jasharit, prokuroria ka mangësi në argumentimin e aktakuzave dhe se shqiptimi i dënimeve nga ana e Gjykatave duhet jetë më madh.

    Sipas të dhënave të një raporti nga KOMF vetme në vitin 2022 viktima të trafikimi kanë qenë gjithsej 22 ku prej tyre 14 viktima ishin fëmijë.

    Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ishte kritikues në raportin vjetor për Kosovën ku rekomandoi dënime më të rënda dhe ndryshim të kodit penal./atvlive.tv/

    https://www.youtube.com/live/_PTOGVRIiDg?si=HrEcQWeCMGorJBir

  • Strategjia shtetërore kundër drogave, po konsiderohet e panevojshme

    Strategjia shtetërore kundër drogave, po konsiderohet e panevojshme

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI  

    Sipas qendrës “Labirint” çdo i 40-i person në Kosovë është përdorues aktiv i substancave narkotike.

    Marihuana dhe kokaina po konsiderohen drogat më të përdorura, kryesisht nga moshat e reja.

    Që situata të vij në kontroll, Qeveria e Kosovës, të premten ka miratuar strategjinë shtetërore kundër drogave, që është paraparë të jetë dokument bazë për parandalimin e përdorimit të narkotikëve, të minimizojë dëmet, si dhe pamundësojë trafikimin dhe kultivimin e narkotikëve dhe substancave tjera psikoaktive.

    Stratregjia ka katër qëllime themelore:

    Zvogëlimi i ofertës dhe furnizimit me drogë – rritja e sigurisë

    Zvogëlimi i kërkesës për drogë

    Adresimi i dëmeve që lidhen me drogën

    Fuqizimi i bashkëpunimit ndër-institucional dhe atij ndërkombëtar

     

    Mirëpo, për këtë strategji, drejtori i qendrës “Labirint”, Safet Blakaj, ka disa kritika.

    Në grupin punues për hartimin e strategjisë kanë qenë të përfshira 4 ministri, Policia, AKI, Dogana dhe inspektorat e agjenci tjera shtetërore.

    Mirëpo, avokati Visar Rrecaj, thotë se çështja e drogave është e rregulluar me ligj dhe se strategjia nuk do të ketë fare ndikim.

    As reklamacioni dhe as përfshirja e figurave publike nëpërhapjen e mesazheve kundër narkotikëve, si pikë e tretë e përmendur brenda strategjisë, sipas Rrecajt, nuk janë efektive.

    Strategjia shtetërore kundër drogave ka afat 4 vjet, dhe në mesin e saj përmban aktivitete qe janë në përputhje me strategjinë e BE-së.

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/_PTOGVRIiDg?si=ESKSKGESakGQAD2I

  • 30 ditë paraburgim për të dyshuarin për krime lufte ndaj popullsisë civile në Malishevë

    30 ditë paraburgim për të dyshuarin për krime lufte ndaj popullsisë civile në Malishevë

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka caktuar 30 ditë paraburgim, Srdjan Lazoviqit i dyshuar për “krime lufte kundër popullsisë civile” në Panorc të Malishevës.

    Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për paraburgim, meqë i pandehuri ka nënshtetësi serbe, vendbanim të përhershëm në Serbi dhe nëse lihet në liri, mund të arratiset.

    Në kërkesën e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar televizioni, thuhet se Srdjan Lazoviq se bashku me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, nga 3 deri me 5 shtator 1998 kishin arrestuar, ndaluar, keqtrajtuar e plaçkitur banorët e fshatrave të Malishevës dhe Klinës.

    Pas dëbimit nga shtëpitë, ishin ndaluar rreth 500 burra shqiptarë, të cilët gjatë gjithë rrugës për te shkolla e Panorcit ishin rrahur.

    “Kësisoj forcat serbe, brenda shkollës kishin ndarë një klasë të veçuar nga klasat e tjera, në të cilën kishin qenë disa policë bashkë më të pandehurin Srdjan Lazovic, të cilët fillimisht i selektonin disa nga të ndaluarit, më pas i merrnin një nga një dhe i dërgonin në atë klasë, i torturonin fizikisht me mjete të forta si shkopinjë prej druri, bishta të mjeteve të punës dhe kabllo të lidhur në formë bisteku, duke u shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike”, njoftoi Prokuroria Speciale.

    Keqtrajtimet kishin vazhduar për më shumë se 24 orë.

    “Ditën e nesërme, forcat policore serbe kishte urdhëruar që të gjithë banorët të dalin në oborrin e shkollës, duke i detyruar të uleshin në gjunjë, t’i vendosnin duart pas koke dhe në këtë formë i kishin mbajtur për rreth 30 minuta, gjersa pranë tyre kishin thirrur kamera për t’i incizuar e fotografuar me pretekstin se kanë arrestuar terroristë. Gjatë qëndrimit në këtë formë, i dyshuari Srdjan Lazovic, kishte goditur me kontakt të automatikut një te dëmtuar i cili kishte qenë i ulur në rreshtin e parë.”

    Të pakënaqur me vendimin, familjarët e Srdjan Lazoviqit nuk pranuan të flasin para kamerës. Por, avokati Predrag Milkoviq tha se klienti i tij nuk është personi në fotografinë e cila po qarkullon që nga dita kur u arrestua.

    Nga rreth 500 burrat e ndaluar, 13 prej tyre ishin burgosur, teksa sipas Prokurorisë Speciale një i ndaluar ka vdekur në masakrën e Dubraves, dhe një tjetër është vrarë në burgjet e Serbisë.

    Srdjan Lazoviq, u arrestua të enjten në Leposaviq.

    Për më shumë ndiqni linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/live/_PTOGVRIiDg?si=Dyp3BKXXRkR3b407