ATV

Blog

  • Nga 1 korriku subvencionohet polica kufitare për mërgatën

    Nga 1 korriku subvencionohet polica kufitare për mërgatën

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se nga 1 korriku do të fillojë të subvencionohet  polica kufitare për mërgatën.

    “Bashkë me Ministrin Sveçla, Guvernatorin Ismaili, dhe BKS-në, sot kemi nënshkruar edhe marrëveshjen e cila operacionalizon subvencionimin nga Qeveria të policës kufitare për bashkatdhetarët tanë”, ka njoftuar Murati në një postim në Facebook.

    “Duke filluar nga e hëna, me datë 1 korrik, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse”, ka sqaruar ai.

    Polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri 1 muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.

    “Në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij 1 mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj”, ka thënë Murati.

    Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi.

  • Dragashi kërkon gjysmë milioni euro ndihmë nga qeveria

    Dragashi kërkon gjysmë milioni euro ndihmë nga qeveria

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Gjysmë milioni euro po i kërkon komuna e Dragashit nga Qeveria si fond emergjent, pas dëmeve që u shkaktuan nga reshjet e shiut në disa fshatra të Opojës.

    Kryetari i komunës thotë se rregullimi infrastrukturës rrugore duhet të bëhet menjëherë, sepse gjendja është alarmante dhe nuk mund të pritet derisa komisioni përkatës të bëjë vlerësimin e dëmeve.

    Por, në këtë shumë nuk është përfshirë edhe ndihma për banorët, shtëpitë e të cilëve u bënë të pabanueshme.

    Në këtë situatë në të cilën është Dragashi, infektologët bëjnë thirrje për kujdes në ujin e pijshëm.

    Pas reshjeve të shiut, shumë fshatra në Dragash u përmbytën nga uji, duke iu shkaktuar dëme mijëra euro shumë banorëve të cilët mbetën edhe pa banim.

  • Kurti i ashpër ndaj kushtetutës për rrëzimin e ligjit për byronë shtetërore

    Kurti i ashpër ndaj kushtetutës për rrëzimin e ligjit për byronë shtetërore

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Dy ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ka reaguar kryeministri Albin Kurti.

    Shefi i ekzekutivit ishte i ashpër karshi Kushtetueses duke thënë se kjo gjykatë po e vonon ndjekjen e krimit.

    Kurti kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që me emergjencë të miratohet Projektligji me ndryshime eventuale që do t’i ketë.

    Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti përsëriti kërkesat që i ka paraqitur në Bruksel gjatë takimit që e ka mbajtur të mërkurën me presidentin serb, Aleksandar
    Vuçiq, ku tha se nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim, derisa Serbia nuk e dorëzon Milan Radoiçiqin.

    Në mbledhjen e së premtes u miratua edhe strategjia shtetërore kundër drogave e udhëzimi për kadastër.

    Qeveria miratoi edhe ndalimin e rrjetit social “Tik-Tok” në rrjetet shtetërore të komunikimit dhe pajisjet zyrtare, me qëllim të rritjes së sigurisë kibernetike.

  • Nga 30 qershori, të gjitha faturat dërgohen me zarf ose në formë digjitale

    Nga 30 qershori, të gjitha faturat dërgohen me zarf ose në formë digjitale

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Por, nga 1 korriku, sipas kërkesës së Agjencisë Për Informim dhe Privatësi, ndërmarrjet do ta ndryshojnë formën e shpërndarjes së tyre.

    Të gatshëm për ta zbatuar Ligjin për Mbrojtën e të Dhënave, shprehen nga kompania që faturon shpenzimin e energjisë elektrike. KESCO-ja ka përzgjedhur dy forma, megjithëse për njërën ka dyshime nëse mund të realizohet plotësisht.

    “Po tentojmë ta bëjmë shpërndarjen e faturave në formë digjitale, por ne jemi të përkushtuar për me i mbrojtë të dhënat personale… Në kemi filluar t’i zarfojmë, nuk është edhe e lehtë, mungesa e kutive postare është problem në vete, ka vështirësi logjistike… ne jemi ndërmarrje dhe nëse kemi shpenzime duhet t’u barten edhe konsumatorëve”, tha zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti.

    Por, nga Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk pranojnë assesi që kostot shtesë të alternativave t’u faturohen qytetarëve. Sipas drejtoreshës, Lumnije Demi, kjo është çështje e ndërmarrjeve.

    “Ne kemi zhvilluar takime, në shkurt e kemi adresuar kërkesën, tashmë ndërmarrjet e dinë se çfarë rëndësie ka ruajtja e të dhënave të konsumatorit… Qëllimi i agjencisë nuk është të ndërmarrë veprime sanksionuese, por vetëm t’i mbrojë të dhënat e personale… meqë jemi në përfundim të afatit, po presim që shpërndarjen e faturave, ndërmarrjet ta bëjnë komfort ligji… barrierat nuk mund t’u faturohen qytetarëve, kutitë postare janë çështje e ndërmarrjeve”, tha Demi.

    Ndërmarrja “Termokos” thotë se do të bëhet gati vetëm për sezonin e ardhshëm, meqë ka mënyrë tjetër të faturimit.

    VOX: Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokos-it
    “Ne kemi përkrah menjëherë këtë rekomandim, prej sezonit të ardhshëm faturat do t’i shpërndajmë me zarfe…”, tha Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokos-it.

    Njësoj do të veprojë edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

    “KRU “Prishtina” ka lansuar tashmë aplikacionin ku të gjithë konsumatorët mund të regjistrohen, të monitorojnë faturat e tyre, po ashtu edhe pagesën ta kryejnë online. Madje, muajt në vazhdim ne do ta bëjmë shpërndarjen e faturave me zarf, ashtu siç ka rekomanduar Agjencia për Privatësi”, thuhet në përgjigjen nga KRU “Prishtina”.

    Kërkesën e agjencisë ndërkaq e mirëpresin qytetarët.

    “Nuk kam asnjë vërejtje, kjo është në të mirën e popullatës, pse ta dinë kojshitë ose dikush i treti se sa më ka ardhë rryma mu”, thotë Kolë Ramaj, qytetar.

    “Për neve është ma mirë a për ata që e vjedhin jo, tash pe shfrytëzojnë shumë jon tu e vjedhë, inshalla ndalën”, tha Ali Latifi, qytetar.

    Kërkesa e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, përfshin ndërmarrjet publike qendrore dhe ato lokale. Nëse pas datës 1 korrik, ka shkelje në zbatimin e vendimit konform Ligjit për mbrojtjen e privatësisë, ndërmarrjet do të gjobiten deri në 50 mijë euro.

  • Shtëpia e Xhafer Devës ende në renovim

    Shtëpia e Xhafer Devës ende në renovim

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Aktualisht shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë ka këtë pamje.

    Restaurimet ende nuk kanë përfunduar, por gjatë tyre një pjesë e shtëpisë është bërë e dukshme.

    Në fotografitë që krahasojnë shtëpinë se si ishte më parë dhe tani pjesa e prapme e shtëpisë që duket e fasaduar, nëpër rrjete sociale ndryshimi u vlerësua i papranueshëm.

    Megjithatë, po konsiderohet se ende është herët për ta gjykuar nëse projekti është bërë si duhet.

    Lulzim Hoti drejtor i organizatës “7Arte” në Mitrovicë, reagimet i quajti të hershme.

    “Me aq sa po shihet objekti, i është vënë fasadë sepse deri tash njerëzit janë mësuar ta shohin me tulla dhe mendojnë që si i tillë duhet të ruhet, mirëpo nuk është objekt i kohërave antike, ky është objekt i vonshëm i arkitekturës së Kosovës, gjë që nuk mund të jetë ndryshe përveçse një objekt bashkëkohor modern, nuk mund të rrijë pa fasadë dhe të duken tullat siç kanë qenë viteve të fundit”, tha Hoti.

    Edhe profesori, Nexhmedin Spahiu vlerëson se komentet janë të hershme pasi ende janë duke vazhduar punimet, derisa shton se shtëpia e Xhafer Devës në kohën kur ishte ndërtuar, kishte qenë me fasadë.

    “Shtëpia e Xhafer Devës ka qenë me fasadë, është një fotografi e vjetër në kohën kur është ndërtuar. Nuk e dimë a është e njëjta ngjyrë apo është ndryshuar ngjyra…”, tha Spahiu.

    Megjithatë, Spahiu thotë se është e pritshme që të bëhen ndryshime të mëdha në krahasim me atë se si ishte më parë.

    “Nuk do të më çudiste sepse në Kosovën tonë shumëçka ndodhin gjëra të tilla që e shëmtojnë traditën dhe trashëgiminë kulturore”, tha Spahiu.
    Ndryshimet i komentuan edhe qytetarët.

    “Ajo e ka pasë estetikën e vet si ma përpara pak e ka një ndryshim. Me pas kanë gjallë edhe ai e kish përmirësuar pak”, tha Nazif Mziu, qytetar.

    Deri më 2023, për këtë projekt janë shpenzuar 142 mijë euro, ndërkohë sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë projekt, në këtë vit janë paraparë 200 mijë euro dhe për vitin e ardhshëm 300 mijë.

  • Vrasja e Oliver Ivanovicit, gjykata i dënon katër persona me burgim

    Vrasja e Oliver Ivanovicit, gjykata i dënon katër persona me burgim

    Përgatiti: Nora Luta

    Aktgjykim fajësues për katër nga gjashtë të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanovic, ka shpallur Gjykata Themelore e Prishtinës të premten.

    Ndaj të akuzuarit të parë Nedelko Spasojeviq, ish-hetues policor, e ka ricilësuar veprën penale nga krim i organizuar në keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke i shqiptuar dënim prej katër vjet e gjysmë burgim, dhe 4500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

    Marko Roshiq, qytetar, është dënuar me 10 vjet burgim për veprën penale krim i organizuar, lidhur me veprën penale të vrasjes së rëndë.

    Me nga katër vjet burgim janë dënuar ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare Dragisha Markovic dhe Zharko Jovanoviq. Markoviq u lirua nga akuza për zbulim të fshehtësisë zyrtare, ndërsa Jovanoviq u dënua edhe me 10 mijë euro gjobë për posedim të paautorizuar të armëve.

    E nga të gjitha akuzat u liruan Rade Basara dhe Silvana Arsoviq.

    Ndërkohë, Gjykata shqiptoi dënim plotësues ndaj Nedelko Spasjovecit dhe Zharko Jovanoviqit.

    Vendimin e komentuan disa nga avokatët mbrojtës.

    “Fakti që është dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare është bërë pa prova që ta vërtetojnë. Do të përpiqemi ta kundërshtojmë vendimin në Gjykatën e Apelit, ku jam i sigurt se Dragisha do të shpallet i pafajshëm”, tha DEK: Dejan Vasic, avokat i Dragisa Markovicit.

    “Silvana Arsoviq deri në fund të procedurës tregoi se është një grua e ndershme, e cila nuk ka lidhje me vrasjen e ndodhur. Ajo është në fakt më e dëmtuara nga humbja e Oliverit”, tha Jovana Filipovic, avokate e Silvana Arsovicit.

    Asnjëri prej të akuzuarve në këtë rast nuk ishin të pranishëm në shpalljen e aktgjykimit.

    Oliver Ivanovic ishte gjetur i vrarë më 16 janar të 2018-s para selisë së partisë që e udhëhiqte në Mitrovicë të Veriut. Aktakuza ishte ngritur një vit pas nga ish-prokurori Sylë Hoxha, e në shkurt të 2020-s kishte nisur gjykimi.

    Për vrasjen e ish-politikanit serb, Prokuroria Speciale i bën përgjegjës edhe Milan Radiocicn, Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq, të cilët ndodhen në arrati.

    Sipas aktakuzës, ata, bashkë me gjashtë të akuzuarit, vepronin si grup i organizuar kriminal, dhe ndër të tjera kishin qëllim shtrirjen e ndikimit dhe kontrollin në Mitrovicë të Veriut.

  • MPJD-ja dënon fuqishëm ndalimin e mbajtjes së edicionit 11-të të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”

    MPJD-ja dënon fuqishëm ndalimin e mbajtjes së edicionit 11-të të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”

    Ndalimi i festivalit “Mirëdita, Dobar dan” në Serbi me urdhër të ish-zëdhënësit të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, aktualisht Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daqiq, është edhe një dëshmi e vazhdimit të politikës, mendësisë dhe veprimeve të regjimit të kaluar.

    Këtë fushatë të egër publikisht e nisi njeriu i listave të zeza dhe ish shefi i BIA, Vulin, të cilit pastaj iu bashkua ai që duhej të ishte në krye të organizimit të festivalit dhe mirëvajtjes së tij, Ministri i Kulturës, Nikola Selakoviq. Kjo dëshmon qartë se si regjimi autoritar i presidentit serb Vuçiq funksionon, dhe se ky regjim është vazhdimësi besnike e politikave, mendësisë dhe veprimeve kriminale të regjimit të Millosheviqit.

    Ky vendim i qeverisë serbe vërteton edhe një herë se qeveria serbe është kundër çdo lloji dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojnë me gjuhën më të ashpër veprime të tilla të autoriteteve të Serbisë për ndalimin e festivalit i cili është mbajtur 10 herë, në Kosovë dhe Serbi dhe që kishte për qëllim të bashkonte artin, kulturën, aktivistë të të drejtave të njeriut e të paqes dhe që synonte të krijonte ura bashkëpunimi dhe nxiste ndërtimin e paqes në rajon.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi po përcjell nga afër të gjitha zhvillimet e fundit dhe do t’ju njoftojë në kohë reale për zhvillimet e reja mbi këtë çështje.

  • Kurti: Vuçiq s’ishte i gatshëm për nënshkrim e as për tërheqjen e letrës së Bërnabiqit e dorëzimin e Radojiçiqit

    Kurti: Vuçiq s’ishte i gatshëm për nënshkrim e as për tërheqjen e letrës së Bërnabiqit e dorëzimin e Radojiçiqit

    Kryeministri Albin Kurti, siç bën zakonshëm kur kthehet nga Brukseli, nisi mbledhjen e Qeverisë duke njoftuar për atë që ndodhi në ditën e takimeve atje.

    Kurti e përsëriti se Marrëveshja Bazike ndodhet në sulm nga Serbia dhe tha se tri kushtet e vëna nga ai ishin të domosdoshme për t’u takuar me të për një dialog në mirëbesim.

    “Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim. Në shkurt të vitit të kaluar u dakorduam për marrëveshjen bazike në Bruksel që u shpall si ligjërisht e obligueshme”, tha Kurti, duke thënë se pas marrëveshjes që garanton që palët s’e sulmojnë njëra-tjetrën ndodhi sulmi terrorist në Banjskë.

    “Ne kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar disa herë që të formalizohet me nënshkrim dhe deponim në organizatën e Kombeve të Bashkuara. Mirëbesimi në dialog dhe zbatim të marrëveshjes është humbur edhe me letrën e Bërnabiqit Ajo letër duhet të tërhiqet”.

    “Për të garantuar respektimin e marrëveshjes në të ardhmen duhet që ajo të nënshkruhet, sepse vetëm nënshkrimi garanton zbatimin e saj dhe të ketë tërheqje të letrës së Bërnabiq dhe nënshkrim të marrëveshjes nga Vuçiq. Në tri takime bilaterale ne paraqitëm këto kërkesa të garancisë që në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike që është në sulm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm për asnjërën, as të nënshkruajë marrëveshje, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as të dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq”.

    Kurti këmbënguli që marrëveshja duhet të zbatohet e plotë dhe jo vetëm disa nene të saj.

    Ai përmendi edhe anulimin e festivalit kulturor nga autoritetet serbe në Beograd dhe tha se kjo ndodhi një ditë pas takimeve bilaterale të Brukselit.

  • Gjykata merr vendim për ish-policin Vlajiq të arrestuar për spiunazh

    Gjykata merr vendim për ish-policin Vlajiq të arrestuar për spiunazh

    Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim ish-policit të Kosovës, Aleksandar Vlajiq, i dyshuar për “Spiunazh” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Vlajiq u arrestua të mërkurën mbrëma, pas hetimeve disamujore të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Policisë së Kosovës.

    Me përcjellje të policisë, është sjellë në gjykatë ish-polici i Kosovës, Aleksandar Vlajiq, i dyshuar për spiunazh.

    Javë më parë janë arrestuar dy persona në Ferizaj për veprën e njëjtë.

    Atyre u është caktuar një muaj paraburgim.

  • Si të parandalojmë rrjepjen e lëkurës pas djegjes nga dielli

    Si të parandalojmë rrjepjen e lëkurës pas djegjes nga dielli

    Lëkura e njeriut gjithmonë ndërrohet. Por kur ajo dëmtohet si pasojë e ekspozimit të gjatë në diell, pjesë të mëdha të saj fillojnë e shkëputen nga trupi.

    Mënyra më e mirë për të evituar diçka të tillë është që të ruheni nga djegia e diellit.

    Por të gjithëve na ndodh që të harrojmë të përdorim kremin mbrojtës apo të shmangim orët e pikut të vapës.

    AgroWeb.org ju sjell disa nga metodat që ju ndihmojnë një shërim sa më të shpejtë.

    Hidratoni Trupin Tuaj
    Hidratimi duhet të kthehet në një rutinë, dhe jo vetëm verës. Nëse ju pini ujë, atëherë lëkura juaj do të jetë e ushqyer dhe do të arrij të mbrojë veten.

    Kur ju ekspozoheni ndaj diellit, trupi juaj humbet sasi të konsiderueshme uji, duke tharë lëkurën tuaj, prandaj është e rëndësishme t’i zëvendësoni ato.

    Pini ujë, apo dhe çaj jeshil të ftohtë në mënyrë që të fitoni dhe anti-oksidantë.

    Përdorni Kompresa Të Ftohta
    Nëse digjeni është e rëndësishme që menjëherë pasi ta keni kuptuar që jeni djegur të përdorni kompresa të ftohta.

    Vendosini në zonat e dëmtuara për 20-30 minuta çdo 3-4 orë.2

    Diçka e tillë do të freskojë lëkurën tuaj, dhe do ta ndihmojë atë të shërohet më shpejtë.

    Shmangni Dëmtimin e Mëtejshëm nga Dielli
    Nëse vazhdoni të ekspozoheni ndaj diellit edhe pasi jeni djegur është e rrezikshme.

    Mjekët këshillojnë që kur digjeni, zona e dëmtuar është akoma dhe më e ndjeshme ndaj rrezeve të këqija të diellit.

    Prandaj sugjerohet që të qëndroni në çadër dhe të lyheni më shpesh me krem mbrojtës.

    Përdorni Aloe Vera Për Lëkurën e Djegur
    Aloe vera funskionon si magji kundër djegies së lëkurës, ndaj dhe këshillohet përdorimi I saj.

    Diçka që jo shumë veta e dijnë është se gjethet e bimës para se të përdoren duhet të lihen në një gotë me ujë.

    Kështu kur ta përdorni xheli i saj nuk do të ketë më enzimat që shkaktojnë kruarje të lëkurës.

    Mjafton që të ndiqni këto hapa dhe të lyeni të gjitha zonat që ju janë djegur nga dielli.

    Lëkura juaj nuk do të rripet dhe ju nuk do të keni shenja të shëmtuara në trup, e kështu do ta shijoni më mirë verën./AgroWeb.org