ATV

Blog

  • Aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës shpallet më 16 korrik

    Aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës shpallet më 16 korrik

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e kanë caktuar 16 korrikun 2024 si datë për shpalljen e aktgjykimit ndaj Pjetër Shalës.

    Kjo është bërë e ditur nga DhSK-ja përmes një njoftimi për medie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Sot, më 9 korrik 2024, trupi gjykues caktoi mbajtjen e seancës së shqiptimit të aktgjykimit në çështjen gjyqësore Pjetër Shala për 16 korrik 2024 në orën 14:00”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

  • WhatsApp së shpejti do t’ua mundësojë të flisni me njerëz të tjerë në gjuhë të ndryshme, falë funksionit Live Translate

    WhatsApp së shpejti do t’ua mundësojë të flisni me njerëz të tjerë në gjuhë të ndryshme, falë funksionit Live Translate

    Nëse jeni një nga dy miliardë përdoruesit e WhatsApp-it, së shpejti mund të flisni me njerëz të tjerë në gjuhë të ndryshme.

    Kjo për shkak se WhatsApp, ndoshta aplikacioni më i popullarizuar i mesazheve në botë, së shpejti mund të bëhet shumë më i zgjuar dhe të lejojë përdoruesit të përdorin funksionin Live Translate.

    Shkurtimisht, Live Translate është ajo që mendoni se është: funksioni “dëgjon” atë që folësi thotë dhe pothuajse menjëherë e përkthen atë në një gjuhë që mund ta kuptoni.

    Qëllimi është që ju, le të themi, një folës i anglishtes, të jeni në gjendje të komunikoni me shokun tuaj nga Koreja pa ditur asnjë prej jush ndonjë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Normalisht, mund të përballeni me sfida për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur njëri-tjetrit.

    Këtu hyn Live Translate. Duke përdorur teknologjinë e avancuar të AI, ai mund të përkthejë pothuajse menjëherë gjuhën e folur ose të shkruar.

    Bëhet e ditur se funksioni Live Translate i Samsung mbështet gjithsej 16 gjuhë.

    Në prill, tre shtesat e reja ishin: arabisht, indonezisht dhe rusisht.

    Ato bashkohen me gjuhën kineze, angleze, frënge, italiane, japoneze, koreane, polake, portugeze, spanjolle, tajlandeze dhe vietnameze. /Telegrafi/

     

  • Bebja me peshën më të madhe në 10 vitet e fundit ka lindur në Shqipëri

    Bebja me peshën më të madhe në 10 vitet e fundit ka lindur në Shqipëri

    Në Shqipëri pranë spitalit ‘Mbretëresha Geraldinë’ ka lindur foshnja me peshën më të madhe në 10 vitet e fundit.

    Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se bebja ka ardhur në jetë nëpërmjet një lindjeje natyrale dhe peshon 6.1 kg.

    “Bebi me peshën më të madhe i lindur në 10 vitet e fundit, pranë SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” 🥰.

    Ky bebush ka lindur 6150 gr dhe ka ardhur në jetë nëpërmjet një lindjeje të suksesshme natyrale, falë stafit mjekësor të SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”.

    Mirënjohje nga 🤍 për stafin mjekësor dhe infermieror, pasi falë punës dhe përkushtimit të tyre nëna dhe bebi gëzojnë shëndet të plotë”, shkroi ajo.

  • ​Kombëtarja e Uellsit bëhet me trajner të ri

    ​Kombëtarja e Uellsit bëhet me trajner të ri

    Craig Bellamy është emëruar si trajneri i ri i Kombëtares së Uellsit.

    Bellamy pason Rob Page, i cili u shkarkua muajin e kaluar, pasi hodhi poshtë mundësinë për të qëndruar në Burnley me trajnerin e ri Scott Parker, raporton KosovaPress.

    Bellamy ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2028.

    Figura të larta të FAW (Federata e Futbollit të Uellsit) duke përfshirë shefin ekzekutiv Noel Mooney dhe drejtorin teknik David Adams kishin qenë në qendër të kërkimit për trajnerin e ri të Uellsit.

    Bellamy, 44 vjeçar, është një ish-kapiten i Uellsit, i cili luajti 78 herë për vendin e tij mes viteve 1998 dhe 2013.

    “Është një nder i jashtëzakonshëm për mua që më jepet mundësia për të udhëhequr vendin tim dhe është momenti më krenar i karrierës sime”, tha Bellamy në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të FAW.

  • Ministri Vitia garanton uljen e çmimeve të barnave – Zemaj kërkon shkarkimin e tij

    Ministri Vitia garanton uljen e çmimeve të barnave – Zemaj kërkon shkarkimin e tij

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është zotuar se do të ketë ulje të çmimeve të barnave në Kosovë, ndërsa ka thënë se nuk do të ketë manipulime. Por skeptik për një gjë të tillë është shprehur deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, raporton Ekonomia Online.

    Vitia ka folur edhe për procedurat e investimeve në depotë për ruajtjen e barnave, duke thënë se të njëjtat do të jenë të gatshme së shpejti.

    “Në asnjë depo nuk i ka plotësuar kushtet e barnave që nga viti 2009, dhe që nga viti i kaluar kemi filluar me bisedime. Tani jemi në procedurat në investimet e barnatoreve, të cilat do t’i plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme. Pas procedurave do të fillojmë edhe me investime në depo. Pas nënshkrimit të listës ka ngritje të çmimit mirëpo në momentin qe e kemi parë e kemi diskutuar dhe është anuluar lista”, ka thënë gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

    “Tash po flasim për një proces që nuk ka pasur një ligj që përcakton tavanin e çmimit të produkteve. Është anuluar lista, jemi duke folur për një proces që bëhet për herë të parë në Kosovë, nuk kemi pasur ligj për çmimet në tavan që parandalohen këto çmime. Ky ligj do të respektohet dhe për çdo çmim dhe problematikë jam i gatshëm të jap llogari. Është e vërtetë qe ka pasur vonesa. Pas zbatimit të këtij ligji do iu siguroj që do të ketë ulje të çmimeve dukshëm, lista do të publikohet në fund të këtij viti”, u shpreh Vitia.

    Por skeptik se në vjeshtë do të ketë listë të re është shprehur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj. Madje, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të ndërmarrë masa ndaj Vitisë.

    “Nëse po thoni që janë gabime teknike, kanë kaluar një muaj që nga anulimi e tash po thoni që në vjeshtë do të jetë lista e re. Po te isha në vendin tënd do te merrja masa, ose kryeministri të merr masa ndaj teje se na veç flasim kot këtu. Mendoj që vëmendja juaj duket që ka qenë ikje që është kërku në këtë proces të pritur për vitet e tëra. Ne kemi dëshmuar me vote qe jemi pro këtij procesi dhe kjo mungesë informacioneve ka sjell deri në  këtë proces me raportu deri këtu”, u shpreh Zemaj.

    Kryesuesja e Komisionit për përcaktimin e Çmimeve, Virtyte Krasniqi ka thënë që deri me 14 qershor ka qenë afati i ankesave. Sipas saj, kjo listë ka shumë punë dhe në momentin që është gati do de jetë e gatshme për publikim.

    “Jemi në proces të listës së pritjes, jemi në proces në momentin e përfundimit të listës dhe listat e ankesave. Nuk kemi dhënë një afat për ta dërguar listën. Është proces me shumë mund për ta hartuar listën. Deri me 14 qershor ka qenë afati i ankesave kemi filluar me përgatit listën. Vazhdimisht jemi duke bërë listën e barnave ajo dëshiron kohë dhe përkushtim”, ka thënë Krasniqi.

    Sipas saj, nuk kanë qenë të përgatitur për këtë proces pasi që duhet në punë e madhe.

    “Ky proces kërkon punë, krijon standard për deklarimet e radhës, do të ketë afate me të shkurta në procesin e shqyrtimit dhe kalkulimit. Na duhet kohë dhe punë nuk është hera e parë, nuk kemi qenë të përgatitur për këtë proces të tillë. Zakonisht deklarimet nuk janë ashtu siç kanë qenë do të shihet edhe në çmimet e doganës dhe do të shihen uljet e çmimeve”, u shpreh ajo.

  • ​Liga e Kampionëve, ky pritet të jetë formacioni i Ilir Dajës kundër UE Santa Coloma

    ​Liga e Kampionëve, ky pritet të jetë formacioni i Ilir Dajës kundër UE Santa Coloma

    Raundi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve për sezonin 2024/25 fillon sot me UE Santa Coloma që e pret në shtëpi kampionin e Kosovës, Ballkanin në ndeshjen e parë. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Llapit.

    Fituesi i këtij raundi të parë kualifikues do të përballet me FC Midtjylland të Danimarkës në raundin e dytë kualifikues më vonë këtë muaj, raporton KosovaPress.

    UE Santa Coloma do të shkruajë histori me paraqitjen e parë në Ligën e Kampionëve pasi u kurorëzua kampione e Andorrës për herë të parë sezonin e kaluar.

    Kampioni i Andorrës përfundoi tre pikë përpara skuadrës së Inter Escaldes, duke fituar 20 ndeshje, duke barazuar gjashtë dhe duke humbur vetëm një nga 27 ndeshjet e ligës.

    UE Santa Coloma do të shpresojë për një rezultat pozitiv kur të përballet sonte me Ballkanin, në atë që do të jetë paraqitja e nëntë në kompeticionet evropiane për kampionin kosovar, pasi ka marrë pjesë shtatë herë në kualifikueset e Ligës së Evropës dhe një herë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

    Ballkani vazhdoi dominimin në Superligën e Kosovës sezonin e kaluar, duke fituar titullin e tretë radhazi të kampionit, ndërkohë që siguroi Kupën e Kosovës për të arritur dyfishin e parë të klubit në vend.

    “Xhebrailat” do të marrin pjesë për herë të tretë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, pasi janë eliminuar në turin e parë në të dyja rastet e mëparshme.

    Ndryshe nga nikoqirët, vizitorët kanë përvojë për të ecur përtej raundit kualifikues në kompeticionet evropiane, madje kanë arritur dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, përfshirë sezonin e kaluar.

    UE Coloma janë përpjekur të përmirësojnë skuadrën e tyre përpara sezonit të ri, duke sjellë 10 lojtarë në të gjitha departamentet. Qendërmbrojtësit Chete, Pablo Lluch dhe Pedro Correia iu bashkuan klubit, ndërsa Victor Tellado përforcoi sulmin.

    Ndërkohë, mysafirët kanë bërë disa nënshkrime për të përforcuar skuadrën e tyre në prag të sezonit të ri, duke përfshirë edhe mbrojtësit Merlind Kodra dhe Geralb Smajli.

    Mikpritësit gjithashtu nënshkruan me mesfushorin Eris Abedini dhe sulmuesin nigerian Sunday Adetunji, dhe ata mund të luajnë sonte.

    Trajneri Ilir Daja pritet ta nis ndeshjen me “armët” më të forta në fushë, ndërsa formacionet e mundshme të dy skuadrave i gjeni më poshtë.

    UE Santa Coloma (4-2-3-1): Ruiz; Garcia, Puentes, Ribeiro, Blasco; Castells, El Ghazoui; L’Koucha, Modric, Joaquinete; Jesus

    Ballkani (4-5-1): Koliçi; Halili, Jashanica, Potoku, Thaqi; Abedini, Limaj, Kryeziu, Tolaj, Giovanni; Adetunji

  • Anulohet konkursi për rreshterë

    Anulohet konkursi për rreshterë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter të shpallur më 12 shkurt të këtij viti.

    Sipas Policisë, ky vendim erdhi “me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibilitetit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e IPK-së”, Policia e Kosovës merr vendim”.

    Njoftimi i plotë i PK-së:

    Policia e Kosovës (PK), bazuar në udhëzimin administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarë policorë, procedurën e standardeve të operimit, analizën e nevojave për personel të graduar sipas strukturës organizative dhe listës së personelit të autorizuar, sipas së cilës janë identifikuar mbi 350 pozita të lira për gradën rreshter, pas një periudhe mbi 11 vjet, me datën 12.02.2024 kishte shpallur procesin e gradimit për gradën rreshter, personel kyç për mbikëqyrje të vijës së parë dhe shërbimit sa më efektiv ndaj qytetarëve.

    Lidhur me këtë konkurs, Policia e Kosovës ishte angazhuar në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e tërë procesit, duke angazhuar personel të mjaftueshëm si dhe duke caktuar komisionet mbikëqyrëse të të gjitha fazave të procesit të gradimit për gradën rreshter.

    Edhe pse i tërë procesi, përfshirë testimin me shkrim, ishte mirë i përgatitur dhe i organizuar, megjithatë pas shprehjes së disa pakënaqësive nga një numër i kandidatëve në këtë proces, Policia e Kosovës duke u bazuar në parimet e transparencës, etikës, vlerave themelore, integritetit profesional dhe besueshmërisë, ka angazhuar stafin policor në analizimin e procesit, gjithashtu është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i cili ka bërë një inspektim të jashtëzakonshëm të këtij procesi.

    Bazuar në të gjeturat e stafit policor të angazhuar për analizim të procesit si dhe raportit të inspektimit të IPK-së, është vlerësuar se procesi ka qenë në përgjithësi i rregullt dhe mirë i organizuar, përjashtimisht disa procedurave dhe çështjeve teknike e administrative, për të cilat IPK-ja ka dhënë rekomandimet e saja.

    Andaj, me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibilitetit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e IPK-së, Policia e Kosovës merr vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter të shpallur me 12.02.2024.

    Policia e Kosovës, bazuar në të gjeturat dhe rekomandimet e IPK-së, pas rishikimit të procedurave dhe implementimit të ndryshimeve dhe rekomandimeve të IPK-së, do të fillojë me të gjitha përgatitjet e nevojshme administrative dhe logjistike, që procesi i gradimit për rreshter të vazhdohet sa më parë që të jetë e mundur.

    Policia e Kosovës është organizatë transparente, llogaridhënëse dhe çdo gjë që mund të dëmtojë reputacionin apo të krijojë mosbesim të policëve e të publikut, do të punojë që ta ruajë dhe ta ngritë edhe më tej besueshmërinë e zyrtarëve të saj dhe publikut, duke ofruar transparencë, monitorim të procesit nga partnerë të jashtëm dhe mbikëqyrje të të gjitha proceseve.

  • Paguhen vetëm 275 euro, punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës në protestë

    Paguhen vetëm 275 euro, punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës në protestë

    Punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës, të martën kanë protestuar para institucionit më të lartë ligjvënës për shkak të pagave të ulëta. Ata kanë kërkuar që paga nga 270 t’iu rritet deri në 500 euro, raporton EO.

    Ata kanë paralajmëruar edhe veprimet tjera sindikale nëse kërkesat e tyre nuk realizohen.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Jusuf Azemi, ka thënë se problemi është tek kompania kontraktuese, ku nga 18 mijë euro vetëm 6 mijë ndahen për punëtorët teknik.

    “Shuma është 18 mijë euro, ndërsa që e marrin punëtorët është 6 mijë euro. Më shumë merr buxhet pronari i kompanisë”, ka thënë Azemi.

    “Jemi dalë të protestojmë për paga të ulëta punëtorët teknik që kryejnë shërbime për Kuvendin e Kosovës që të jemi parimor ne e kemi bë bisedë me sekretarin e Kuvendit dhe drejtorin e administratës të cilët me përpikëri na kanë shpjeguar për procedurën e çështjes së pagave të punëtoreve kuvendi i Kosovës kompanisë i përcjell 18 mijë euro brenda muajit për shërbimet që i kryejmë dhe ne e kemi komunikuar shumë mirë me sekretarin, ai ka kryer detyrën e vetë ligjore dhe problemi është tek kompania e cila kryejnë shërbime”, ka thënë Azemi, teksa ka paralajmëruar edhe veprime tjera.

    “Ne i kemi shkruar pronarit të kompanisë i kemi shpjeguar se ne për sot do të kemi një protestë paqësore dhe nëse nuk reflekton pronari i kompanisë ne sigurisht nga java tjetër me vendimin e punëtorëve do ta ndërpresim shërbimet tona”, ka thënë Azemi.

    Kurse, përfaqësuesja e punëtorëve, Nazife Krasniqi, ka thënë se kërkesa e vetme e tyre është të marrin atë se çka iu takon sipas ligjit.

    “Ne kemi kërkuar me na u rrit pagat, kemi bisedu me sekretarin, drejtorin aty është thënë se ka mundësi me u rrit pagat por ne operatori ekonomik nuk na është përgjigj. Nuk mund të punojmë me 275 euro kur kemi me udhëtu e kemi ushqim por nuk po na mjafton”, u shpreh ajo.

  • ​Hodaj: Procesi i gradimit për rreshter në Polici të kthehet në pikën zero, ka cenim të kredibilitetit

    ​Hodaj: Procesi i gradimit për rreshter në Polici të kthehet në pikën zero, ka cenim të kredibilitetit

    Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj tha se presin që procesi i gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës të kthehet në pikën zero. Të gjeturat nga inspektimi, ai shtoi se tregojnë për cenim të kredibilitetit të këtij procesi.

    Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Hodaj theksoi se në këtë konkurs nuk është plotësuar kriteri etnik, raporton KosovaPress.

    “Si rezultat i këtij inspektimi kemi siguruar materiale që lidhen me procesin. Kemi ardhur në fazën që kemi hartuar një dokument me listën e te gjeturave. Siç e kemi cekur në dokument, kemi vënë në pah që në procesin e gradimit janë bërë disa lëshime. Kemi gjetur që nuk ka harmonizim të kohëzgjatjes dhe niveleve të gradimit për të fituar të drejtën për të aplikuar”, tha Hodaj.

    Hodaj theksoi se kanë dërguar tetë rekomandime në Policinë e Kosovës për rishikimin e Udhëzimit Administrativ për këtë gradim. Ai tha se pret nga drejtori i Policisë së Kosovës që të sigurojë një proces me kredibilitet.

    “Të gjeturat tona vejnë në pah që është cenuar kredibiliteti i procesit. Dhe ne presim qe procesi të kthehet në pikën zero”, shtoi ai.

    Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj deklaroi se ky raport e obligon Policinë e Kosovës që ta anulojë procesin.

  • Haxhiu – Vitisë: Me këtë ritëm do ta përfundoni mandatin pa listë zyrtare të çmimeve të barnave

    Haxhiu – Vitisë: Me këtë ritëm do ta përfundoni mandatin pa listë zyrtare të çmimeve të barnave

    Lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale ishte temë diskutimi në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Aty, të martën raportoi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili u kritikua nga partitë opozitare, raporton EO.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i ka thënë ministrit Vitia se me ecurinë aktuale të punës do ta përfundojë mandatin pa listë zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale.

    Deputeti i PDK-së në këtë komision ka thënë se lista ka pasur produkte me çmime shumëfish më të larta.

    “Në disa prej analizave që i kemi bërë të asaj liste, del që ka rritje shumëfish të çmimeve nga 100 %. I kemi pas këtu anëtaret e Komisionit, kanë thënë që ka pasur gabime teknike. Ka pasur rritje deri në 3000 %. Të proklamosh ulje të çmimit e të nënshkruash listë me çmime me të larta – kjo nuk ka logjikë. Me ketë ecuri të punës do ta përfundoni mandatin e nuk do të ketë listë të çmimeve”, ka thënë ai.

    Haxhiu po ashtu ka shtruar pyetjen se sa është dëmi nga reshjet në depon e barnave.

    Por ministri Vitia mohoi këto akuza të deputetit Haxhiu. Vitia ka thënë se ky ligj ka hyrë në vitin e kaluar e i cili përcakton çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në Republikën në Kosovës.

    Sipas tij ky ligj përkufizon sigurimin e kostos së përballueshme të produkteve dhe efikase për qytetarët.

    “Në gusht të vitit 2023 ka hyrë ligji në fuqi për çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në Republikën e Kosovës. Ky ligi përcakton çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në Republikën në Kosovës. Ky ligj është pjesërisht në përputhje me Direktivën 89/105 EEC për transparencën e masave për rregullimin e çmimeve për produkte medicinale për përdorim të njerëzit, si dhe përfshirjen e tyre në fushëveprimin e sistemit shtetëror të sigurimit shëndetësor. Ky ligj përkufizon sigurimin e kosto të përballueshme të produkteve medicione të nevojshme dhe efikase për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, u shpreh Vitia.