ATV

Blog

  • Spanja finalisti i parë i Euro 2024 – eliminon Francën

    Spanja finalisti i parë i Euro 2024 – eliminon Francën

    Spanja është skuadra e parë finaliste në Evropianin e Gjermani 2024. Skuadra e De la Fuente mori një fitore spektakolare 2-1 me përmbysje në gjysmëfinalen ndaj Francës.

    Dueli ishte spektakolar në 45 minutat e para, duke sjell të tre golat dhe emocione të shumta. Edhe pse iberikët do të jepnin sinjalet e para, fillimisht në avantazh do të kalonin “Gjelat” me një gol të shënuar nga Kolo Muani me kokë.

    Spanja gjeti shumë shpejt golin e barazimit ndaj Francës. Yamal në minutën e 21-të me të majtën e tij magjike e dërgon topin në trekëndëshin e portës duke realizuar një gol spektakolar. Ai u bë golashënuesi më i ri në historinë e Europianëve, vetëm 16 vjeç.

    Katër minuta më pas festa do të ishte edhe më e madhe, pasi Dani Olmo nuk fal brenda zonës, teksa në fund ndihmohet dhe nga një devijim i Kounde. Franca reagoi në pjesën e dytë, duke luajtur më mirë, por rastet për shënim ishin të pakta.

  • “Mbikëqyrësi shqiptar përdhunoi një 18-vjeçare”, prestigjiozja gjermane zbulon detaje të reja rreth skandalit në kampin e Kombëtares në Dortmund

    “Mbikëqyrësi shqiptar përdhunoi një 18-vjeçare”, prestigjiozja gjermane zbulon detaje të reja rreth skandalit në kampin e Kombëtares në Dortmund

    Një skandal i rëndë ka goditur Federatën Shqiptare të Futbollit ditën e sotme, pasi një mbikëqyrës shqiptar që ndodhej në kampin stërvitor që Kombëtarja po akomodohej pranë Dortmundit, ka përdhunuar një punonjëse.

    Prestigjiozja gjermane “Bild” ka zbuluar detaje të reja, me mbikëqyrësin që është 26 vjeç, ndërsa e dhunuar 18 vjeçe.

    Në denoncimin e bërë, ajo i tha policisë se shqiptari e kishte futur me forcë në kuzhinë, e kishte puthur dhe më pas e kishte ngacmuar seksualisht.

    Edhe pse prokurori publik u informua menjëherë për veprën e raportuar seksuale, i akuzuari mundi të fluturonte në shtëpi i pangacmuar të nesërmen, pas disfatës së Shqipërisë kundër Spanjës, që shënonte dhe ndeshjen e fundit të kuqezinjve në Europian.

    “Duke qenë se nuk ka ende dyshime urgjente, një kërkesë për urdhër arresti nuk është paraqitur sipas ligjit gjerman, një përdhunues duhet të bëjë të paktën dy vjet burg”, tha një zëdhënëse e organit të akuzës.

    Aktualisht është e paqartë se si do të vazhdojë hetimi, ndoshta përmes një kërkese të ndërlikuar për ndihmë juridike.

    “Kujdesi ndaj punonjëses dhe mbrojtja e të drejtave të saj personale kanë përparësinë kryesore”, tha një zëdhënëse e “SportCentrum Kaiserau”. Pasi u bë e ditur ngjarja, burri u pezullua menjëherë nga Federata Shqiptare e Futbollit, teksa është e ditur që ai nuk është as lojtar, as staf dhe as zyrtar i rangut të lartë.

  • Osmani takohet me sekretarin Blinken: Aleanca me SHBA-të gurthemel për stabilitetin global

    Osmani takohet me sekretarin Blinken: Aleanca me SHBA-të gurthemel për stabilitetin global

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar edhe me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

    Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar se aleanca me SHBA-të nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global.

    “Faleminderit Sekretarit Blinken për pritjen dhe diskutimin e sotëm në Departamentin e Shtetit në Washington D.C., në kuadër të Samitit të NATO-s. Aleanca me SHBA-të nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global”, ka shkruar Osmani.

  • Arrestohet kameramani i “Betimi për Drejtësi”, reagon AGK-ja

    Arrestohet kameramani i “Betimi për Drejtësi”, reagon AGK-ja

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar lidhur me arrestimin dhe shoqërimin në Polici të kameramanit të “Betimi për Drejtësi”, Arianit Tahiri.

    AGK përmes një njoftimi për media, ka thënë se është alarmuar me arrestimin dhe shoqërimin në Polici të kameramanit Tahiri.

    Kameramani Tahiri ka qenë i shoqëruar bashkë me gazetaren, Alberta Hashani, duke realizuar një hulumtim për dyshimet për keqpërdorim të detyrës gjatë orarit zyrtar të disa prokurorëve.

    “Tahiri ka qenë duke xhiruar në një lokal publik kur i është ndaluar xhirimi nga punëtorët e lokalit dhe së paku një prokuror që ka qenë aty. Prokurori ka ftuar policinë në lokal dhe derisa ka arritur policia, kameramani Tahiri është mbajtur dhunshëm në lokal nga punëtorët, duke ia privuar lirinë kundërligjshëm. Pas arritjes së Policisë në lokal, zyrtarët policorë ia kanë konfiskuar kameramanit edhe telefonin si mjet i punës, gjë që ndalohet me ligj dhe e kanë shoqëruar në Stacionin Policor për deklaratë”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

    AGK-ja, e dënon fuqishëm sjelljen e Policisë së Kosovës, kërkon lirimin e menjëhershëm të Tahirit, lirimin e mjeteve të punës si dhe dhënien e sqarimeve publikisht për incidentin.

  • Dëshmitari Zyrapi thotë se Ramush Haradinaj reagoi keq kur Jakup Kransniqi u emërua zëdhënës i UÇK-së

    Dëshmitari Zyrapi thotë se Ramush Haradinaj reagoi keq kur Jakup Kransniqi u emërua zëdhënës i UÇK-së

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Bislim Zyrapi deklaroi se i kujtohet që Ramush Haradinaj ishte inatosur dhe kishte reaguar relativisht keq kur kishte kuptuar se Jakup Krasniqi ishte emëruar zëdhënës i UÇK-së në qershor të ’98-ës.

    Fillimisht, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson e pyeti dëshmitarin se a i kujtohet ky takim dhe sjellja e Haradinajt, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Po, ky takim ka qenë në korrik”, tha Zyrapi.

    Më pas, Emmerson pyeti dëshmitarin se a i kujtohet për këtë takim në Zhabel në të cilin sipas tij Haradinaj shpërtheu nga inati dhe kishte thënë se ky vendim ishte marrë pa u konsultuar me komandantët e zonave.

    “Po, më kujtohet shpërthimi, por nuk më kujtohet data tash dhe koha”, tha ai.

    Po ashtu, dëshmitaru u pyet nëse është e vërtetë që Haradinaj kishte kërcënuar që të bllokojë një rrugë të logjistikës, ishte i inatosur dhe kërkonte garanci për Krasniqin. Ndërsa, kur e kuptoi se Krasniqi ishte i njohur me Lahi Brahimajn dhe kushëririn e tij, pastaj ai gradualisht u qetësua.

    “Po, po e saktë është”, tha dëshmitari.

    Më pas, Zyrapi gjithashtu pohoi se në atë natë kishin qëndruar me Veselin në zonën e Dukagjinit për t’u kthyer më pas në Negroc të Drenicës në të njëjtën ditë kur Krasniqi po jepte intervistën për shtyp dhe po e shpallte emërimin e tij si zëdhënës.

    “Po, më kujtohet, në Negroc kam qenë”, tha Zyrapi, e që më pas Emmerson ia kujtoi se ky takim kishte ndodhur në qershor dhe jo në korrik.

  • Komisioni hetimor për tekstet shkollore nuk pajtohet për listën e dëshmitarëve

    Komisioni hetimor për tekstet shkollore nuk pajtohet për listën e dëshmitarëve

    Në Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, janë votuar vetëm kriteret e dinamikës së punës.

    Gjithashtu është diskutuar lidhur edhe me dinamikën kohore e intervistimit të dëshmitarëve, por deputetët e këtij komisioni nuk u pajtuan.

    Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka kërkuar për hetimin parlamentar për tekstet shkollore, të ftohen shtëpitë botuese për ofertat që iu janë ofruar Ministrisë së Arsimit, drejtorin e prokurimit, zyrtarë, dhedrejtorë të arsimit, për te pasur informacione të sakta.

    Haxhiu ka kërkuar që të pyeten se sa ka qenë kostoja financiarë e viteve paraprake për mjetet shkollore.

    “Kërkesa e iniciuar për hetim parlamentar për tekstet shkollore ka qenë epilogun e saj nga ky komision parlamentar. Duhet të përpunojmë listën ose agjendën për dëshmitarëve. Të kem akterë përgjegjës. Fillimisht shtëpitë botuese për ofertat që janë ofruar, akterët zyrtarë, sekretaren, drejtorin e prokurimit, arsimit për të pasur informacionet e sakta dhe pastaj kalojmë tek ata që janë politikë. Të kemi informacione sa ka qenë kostoja financiare e viteve paraprake”, ka thënë Haxhiu.

    Ndërsa, deputeti i LDK-së, Agim Veliu nuk e sheh si të nevojshme t’i thërrasin të gjithë drejtorët e arsimit prej vitit 2008, sepse nuk mund të gjejnë asgjë.

    “Besoj që kjo listë është e mjaftueshme. Nuk besoj që është e nevojshme t’i lëshohemi poshtë drejtorëve komunal të arsimit se nuk mund të gjejmë asgjë”, ka shtuar ai.

    Kryetari i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj ka propozuar që Ministria e Arsimit të jetë e fundit në intervistim.

    “Propozimi konkret, ata që përgjigjen në vitet pas 2023 i përfundon komplet, Ministria me struktura të veta të mbetet e fundit”, ka propozuar Dreshaj.

    E këtë propozim anëtarja e koalicionit Vakat, Duda Balje e ka kundërshtuar, pasi që Ministria e Arsimit është kryesorja dhe ka informatat kryesore rreth mjeteve shkollore.

    “Unë jam kundër. Si mundemi me i lënë ata në fund, ata janë autorët, duhet me marrë informata prej tyre që janë kryesorë”, ka kundërshtuar Balje.

    Dreshaj ka dhënë dy propozime ministria të jetë në fund ose e para, por të njëjtat janë kundërshtuar nga deputetët e këtij komisioni.

    Rreth kësaj liste të të intervistuarve, deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza është shprehur se nuk voton derisa të sheh se si do të strukturohet kjo listë.

    Në fund u vendos që së pari të strukturohet lista e dëshmitarëve për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, dhe pastaj të votohet kjo listë.

  • ​Papa shpreh dhimbjen për sulmet në Kiev dhe Gaza

    ​Papa shpreh dhimbjen për sulmet në Kiev dhe Gaza

    Papa Françesku shprehu të martën pikëllimin për sulmet e fundit të përgjakshme në Kiev dhe Gaza që kanë goditur civilë, përfshirë gra dhe fëmijë.

    Papa mësoi “me dhimbje të madhe lajmin për sulmet kundër dy qendrave mjekësore në Kiev, përfshirë spitalin më të madh të fëmijëve në Ukrainë, si dhe kundër një shkolle në Gaza”, tha Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

    “Papa shpreh tronditjen e tij të thellë nga përshkallëzimi i dhunës. Duke shprehur afërsinë e tij me viktimat dhe të plagosurit e pafajshëm, ai shpreson dhe lutet që së shpejti të identifikohen rrugë konkrete për t’i dhënë fund konflikteve të vazhdueshme” shtoi Zyra./ANSA/

  • 105 000 tifozë holandezë dhe britanikë për 65 000 vende në stadium për gjysmëfinalen e ‘Euro 2024’

    105 000 tifozë holandezë dhe britanikë për 65 000 vende në stadium për gjysmëfinalen e ‘Euro 2024’

    Policia e Dortmundit nuk po e klasifikon gjysmëfinalen e “Euro2024” mes Holandës dhe Anglisë si me rrezik të lartë. “Ne presim një ngjarje paqësore. Nuk ka një atmosferë armiqësore midis dy grupeve të tifozëve.

    Ne parashikojmë një festival të madh dhe plot ngjyra futbolli”, ka thënë një zëdhënëse e policisë. Megjithatë, masa të veçanta janë ende të nevojshme për shkak të turmës së madhe.

    Deri në 80 000 tifozë holandezë dhe 25 000 anglezë priten në qytetin perëndimor të Gjermanisë, me vetëm 65 000 me bileta. Parqet e tifozëve në “Friedensplatz” në qytet dhe në “Westfalenpark” pranë stadiumit ka të ngjarë të jenë të mbushura me tifozë që nuk kanë bileta për ndeshjen. Një marshim i planifikuar i tifozëve nga mijëra tifozë holandezë të veshur me portokalli drejt stadiumit, i cili është bërë një nga imazhet më ikonike të këtij turneu në raundet e mëparshme, kërkon gjithashtu veprimin e policisë.

    “Për shkak të masës së tifozëve, ne do të vendosim forcat e duhura”, ka thënë zëdhënësja e policisë.

  • Albulena Haxhiu i kërkon masa Speciales: Heqja e kollares së Krasniqit, akt absurd

    Albulena Haxhiu i kërkon masa Speciales: Heqja e kollares së Krasniqit, akt absurd

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova që të marrë veprime për të adresuar çështjen e heqjes së kollare së Jakup Krasniqit para seancës gjyqësore në Speciale të hënën.

    Në një letër drejtuar Trendafilovës, Haxhiu e ka cilësuar akt absurd kërkesën për heqjen e kollares.

    Të hënën, Specialja nuk ia lejoi Krasniqit ta bartë kollaren me shqiponjë, e të cilën e kishte bartur edhe në seanca të mëhershme. Në seancë u ngrit kjo çështje nga avokatja e Krasniqit, por kërkesa nuk iu adresua publikisht.

    Specialja nuk është përgjigjur për këtë çështje as në pyetjet e KOHËS.

    “Përmes kësaj letre, ju shkruaj lidhur me situatën e fundit që ka ndodhur në seancën gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas informatave që kemi pranuar, para se z. Jakup Krasniqi të hynte në sallën ku mbahen seancat gjyqësore, iu është larguar kollarja që mbante veshur, pa asnjë arsye dhe pa asnjë justifikim. Madje kur kjo është ngritur si shqetësim nga avokatja, e njëjta ka marrë përgjigjen nga gjyqtari Charles Smith se ai nuk ka informacione dhe që do të interesohet për këtë. Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të thellë dhe indinjatë në opinionin publik të Kosovës”, thuhet në letrën e Haxhiut drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara.

    “Veprimi në fjalë përbën një ndërhyrje të panevojshme dhe të pajustifikueshme në integritetin personal dhe dinjitetin e z. Krasniqi. Kërkesa për heqjen e kollares është një akt absurd pasi që çdo individ, pavarësisht nga statusi i tij, ka të drejtën për një trajtim të respektuar dhe dinjitoz në gjykatë. Në këtë kontekst, unë kërkoj nga ju që të ndërmerrni hapat e nevojshëm për të adresuar këtë çështje dhe të siguroni që veprime të tilla të mos tolerohen në asnjë formë në të ardhmen”, përfundon letra e Haxhiut.

    Krasniqi dhe ish-krerët tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen që nga nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.

    Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën kryesore e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.

  • Kryeministri sllovak kthehet në punë pas atentatit

    Kryeministri sllovak kthehet në punë pas atentatit

    Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, tha se është rikthyer në punë të martën, gati dy muaj pasi u plagos nga një person i armatosur.

    Fico, 59 vjeç, u qëllua nga afër më 15 maj, në një qytet të Sllovakisë qendrore dhe iu nënshtrua dy operacioneve të gjata.

    Personi i armatosur, i identifikuar nga mediat sllovake si Juraj Cintula, 71 vjeç, është në paraburgim në pritje të gjykimit.

    Mediat sllovake shkruan se Fico, i cili shpesh kritikohet nga Bashkimi Evropian për shkak të prirjeve nacionaliste, shkoi në mbledhjen e kabinetit të tij përmes një tuneli, për t’i shmangur gazetarët.

    “Të nderuara media liberale progresive dhe opozitë, kërkoj falje që mbijetova, por jam kthyer”, shkroi Fico në Facebook, duke postuar edhe një fotografi në zyrën e tij.

    Kur Fico ka marrë detyrën vjeshtën e kaluar, Sllovakia ka refuzuar ta vazhdojë ndihmën ushtarake për Ukrainën, e cila lufton kundër pushtimit rus që nga viti 2022.

    Vetë Fico i ka mbështetur bisedimet e paqes me Rusinë.

    Ai ka dalë nga spitali më 31 maj, ndërsa paraqitjen e parë publike e ka bërë në një ceremoni pranë Bratislavës, të premten e kaluar./REL