ATV

Blog

  • ​“Koeficienti i inteligjencës”, ja ku radhitet Maqedonia e Veriut

    ​“Koeficienti i inteligjencës”, ja ku radhitet Maqedonia e Veriut

    Qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë të 49-tët në botë sipas koeficientit mesatar të inteligjencës, tregojnë radhitja e publikuar në faqen “International IQ test”.

    Lista është përbërë në bazë të rezultateve nga 1.691.740 persona nga tërë bota, të cilët kanë bërë një test të njëjtë për inteligjencë në vitin 2023.

    Sipas kësaj liste, qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë koeficient mesatar të inteligjencës prej 98,83. Kjo është afër mesatares së përgjithshme, e cila është koeficient 100. Rezultati paraprak i vitit të kaluar për qytetarët e Maqedonisë së veriut ka qenë 98,21 pikë koeficient.

    Në 10 vendet e para gjenden: Koreja e Jugut (me koeficient mesatar të inteligjencës prej 107,54), Kina (106,99), Irani (106,84), Japonia (106,18), Singapori (106,18), Austria (102,71), Kanadaja (102,6), Gjermania (102,36), Sllovenia (102,31) dhe Mongolia me koeficient mesatar 102,3./Alsat.M/

  • ​Lojtari i vetëm në botë, kush është shqiptari që nuk e ka humbur asnjë penallti në karrierë?

    ​Lojtari i vetëm në botë, kush është shqiptari që nuk e ka humbur asnjë penallti në karrierë?

    Ylli i Shqipërisë, Nedim Bajrami vendosi një rekord në Euro 2024, duke shënuar golin më të shpejtë në historinë e Kampionatit Evropian.

    Bajrami shënoi në sekondën e 23 për t’i dhënë Shqipërisë epërsinë prej 1:0 ndaj Italisë në Euro 2024, gol ky që vazhdon të jetë rekord, raporton KosovaPress.

    Por, Shqipëria mban një tjetër rekord në futboll, që asnjë vend tjetër i botës nuk e ka.

    Bëhet fjalë për goditjet nga pika e bardhë, të cilat njihen ndryshe si penalltitë.

    Ledio Pano, është një ish-futbollist shqiptar i cili mban rekordin botëror për saktësinë e penalltive të shënuara. Pano ka gjuajtur 50 penallti në karrierën e tij, duke i konkretizuar me sukses që të gjitha prej tyre.

    Ai është i biri i Panajot Panos, i cili cilësohet si njëri nga futbollistët më të mirë të gjitha kohërave në futbollin shqiptar.

  • Çmimet e naftës bien pas bisedimeve për armëpushim në Gaza

    Çmimet e naftës bien pas bisedimeve për armëpushim në Gaza

    Çmimet e naftës bien të martën pas përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe pasigurisë mbi kohën e uljes së normës së interesit të Rezervës Federale të SHBA-së (Fed).

    Rënia e mëtejshme e çmimit ishte e kufizuar pas shqetësimeve mbi ndikimin e mundshëm të uraganit Beryl në prodhimin e naftës në Gjirin e Meksikës.

    Standardi ndërkombëtar i papërpunuar Brent tregtohej me 85,57 dollarë për fuçi në orën 10:17 të mëngjesit me orën lokale (0717 GMT), një rënie prej 0,20% nga çmimi i mbylljes prej 85,75 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare.

    Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) u tregtua me 82,12 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë, një rënie prej 0,25% nga seanca e mëparshme që u mbyll me 82,33 dollarë për fuçi.

    Bisedimet për armëpushimin në Lindjen e Mesme, e cila është shtëpia e një pjese dërrmuese të rezervave globale të naftës, lehtësojnë disa shqetësime për ofertën midis akterëve të tregut dhe ushtrojnë presion në rënie mbi çmimet.

    Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të hënën se Barbara Leaf, ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështjet e Lindjes së Afërt, do të vizitojë Lindjen e Mesme më 8-14 korrik për të diskutuar një marrëveshje armëpushimi në Gaza.

    Gjithashtu, pasiguritë e vazhdueshme mbi kohën e uljes së normës së interesit të Fed vazhdojnë të ndikojnë në çmimet duke rritur shqetësimet për kërkesën.

    Analistët vunë në dukje se megjithëse të dhënat makroekonomike vazhdojnë të tregojnë një ngadalësim të ekonomisë amerikane, zyrtarët e Fed vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e tyre të kujdesshëm ndaj uljes së normave.

    Megjithatë, ndikimi i mundshëm i uraganit Beryl në prodhimin e naftës në Gjirin e Meksikës kufizoi rëniet e mëtejshme të çmimeve.

    Është raportuar se më shumë se 1 milion familje dhe biznese kanë pësuar ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të uraganit, i cili arriti në brigjet e Teksasit të SHBA me një intensitet të “kategorisë 1”.

    Shqetësimi se disa porte në SHBA mund të mbyllen për shkak të uraganit ushqeu frikën se mbyllja mund të ndalojë përkohësisht eksportet e gazit natyror të papërpunuar dhe të lëngshëm, dërgesat e naftës në rafineri dhe dërgesat e karburantit motorik nga këto objekte./AA

  • ​Zemaj thotë se Kurti do të duhej të merr masa ndaj ministrit Vitia, ky i fundit jep një zotim

    ​Zemaj thotë se Kurti do të duhej të merr masa ndaj ministrit Vitia, ky i fundit jep një zotim

    Pa rregullsitë në listën e çmimeve të barnave, pranimi i çmimeve të deklaruara pa CIP (Certified Insurance Professional), depoja farmaceutike e Ministrisë së Shëndetësisë, ishin temat kryesore për të cilat u diskutua sot në Komisionin për Shëndetësi, ku ministri Arben Vitia po mbante takim me anëtarët e komisionit.

    Anëtarë të komisionit nga partitë opozitare patën disa pyetje dhe kritika lidhur me listën zyrtare të çmimit të barnave, e cila u anulua para pak kohësh.

    Lidhur me këto, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u zotua se çmimet e barnave do të jenë më të ulëta sesa janë aktualisht. Ai garantoi se nuk do të ketë vend për manipulime në listën zyrtare të çmimeve.

    “Unë e kam nënshkruar një listë të cilën e ka propozuar komisioni. Ka qenë një listë e cila në bazë të komisionit më është dhënë mua dhe apo nënshkrimit natyrshëm ju i bëtë disa kalkulime…Si një ligj shumë i rëndësishëm që përcakton të ardhmen stabilizimet e tregut farmaceutik, nuk është se nuk kam pritur probleme, telashe teknike dhe logjistike, por jo vetëm gjatë këtij procesi. Por, natyrisht me organet e tjera të emëruara e komisionet e tjera, edhe unë vetë do të kujdesemi që kur të hyjë në zbatim ky ligj, absolutisht çmimet e barnave do të jenë më të ulëta sesa janë sot dhe do të jena të unifikuara në tërë territorin e Kosovës. Por, përgjegjësia për komisionin është e imja, po përgjegjësia për listën kur do të fillojë të aplikohet do të jetë e imja…Unë iu garantoj që nuk do të ketë dhe as nuk ka qasje për manipulime dhe nuk do të ketë as rritje të çmimit të barnave”, potencoi Vitia.

    Kështu deklaroi Vitia pasi u pyet nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu lidhur me çmimet e barnave, për të cilat tha se është vërejtur të ketë rritje shumëfish.

    Haxhiu potencoi se sipas analizave të bëra, rezulton se ka ngritje prej 100 për qind në disa artikuj.

    Përveç kësaj, Haxhiu iu drejtua ministrit Vitia duke e pyetur se si është e mundshme që të pranohen çmimet e deklaruara pa CIP.

    Certified Insurance Professional është një certifikim i njohur në fushën e sigurimeve, i cili ofrohet nga Insurance Institute of America (IIA). Ky certifikim vërteton njohuritë dhe aftësitë në industrinë e sigurimeve dhe është shpërndarë nëpër disa nivele të ndryshme, duke filluar nga themeluesi (Foundation) deri në nivelet më të avancuara.

    “Pas publikimit të listës zyrtare ka qenë një shqetësim i përgjithshëm i të gjithë deputetëve me listën zyrtare të publikuar të çmimeve të produkteve medicinale, sepse përshtypjet e të gjithëve ka qenë se pas miratimit të ligjit të rregullimit të çmimit të barnave për produkte medicinale, do të ketë ulje të çmimit dhe jo ngritje të çmimit. Në disa prej analizave që i kemi bërë të saj liste del se në shumë produkte medicinale, çmimi është rritur shumëfish. Ka rritje prej 100 për qind…Me aq sa e kemi shqyrtuar ligjin përgjegjësia për emërimin e komisionit është e ministrit. Miratimi listës nga ana e komisionit e ka detyrim ligjor që ajo listë zyrtare e publikuar të nënshkruhet pastaj nga ministri. Duke e parë këtë, pyetja ime për juve është që para se ta nënshkruani këtë listë me stafi tuaj. A e keni analizuar këtë listë të çmimeve zyrtare të publikuara dhe të nënshkruara nga ju? Sepse të proklamosh ulje të çmimit e të nënshkruash listë zyrtare me rritje të çmimeve, kjo nuk është e logjikshme”, tha Haxhiu.

    Përveç kësaj, Haxhiu pyeti Vitinë se sa dëme janë shkaktuar nga reshtej e shiut në depon farmaceutike të MSh-së.

    Ai hodhi dyshime duke pyetur ministrin se si është e mundur që prej 60 milionë eurove të dedikuara për barna nga lista esenciale, vetëm një kompani të përfitojë 20 milionë euro.

    “Sipas informacioneve që i kemi ajo depoja që është tek pallati i shtypit, reshjet e fundit të shiut, është fundosur nga uji, ka pasur vërshime. Na intereson të dijmë sa është dëmi dhe pse ruhen barnat në një depo ku depërton uji. Ku dihen kriteret cilat janë për një depo farmaceutike…Si është e mundur që prej 60 milionë eurove të dedikuara për barna nga lista esenciale, vetëm një kompani të përfitojë 20 milionë euro…Dhe e njëjta kompani të jetë nënshkrues, kontraktues i disa kontratave një burimore në vlera milionëshe brenda ministrisë së shëndetësisë?”, u shpreh Haxhiu.

    Lidhur me këto pyetje, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se nuk është informuar se janë shkaktuar dëme nË depon farmaceutike nga reshjet e shiut.

    Sa i përket blerjes nga lista e barnave esenciale, Vitia potencoi se procedurat e blerjes së barnave janë në vazhdimësi dhe se sipas tij, nuk mund të lihen pacientët pa barna derisa të fillojë zbatimi i ligjit.

    “Sa i përket depos, pajtohem plotësisht juve, unë kam qenë i zëshëm që nga viti 2009-2010 për mënyrën se si janë ruajtur barnat dhe në asnjë depo deri tani nuk i ka plotësuar as kushtet për ruajtjen e barnave. Për këtë arsye menjëherë në fillim të vitit të kaluar bashkë me AKPN-në kemi filluar bisedimet për transferimin e një objekti në Ministri të Shëndetësisë që të fillojmë me investimet. Fatkeqësisht, aty ka dalë një pronë private e cila e ka prolonguar pak procesin sepse është dashur që të bëhet zhvlerësimi, dhe në një nga mbledhjet e kaluara që QK ka mbaruar edhe ky proces dhe tani jemi në procedura për investime në barnatore qendrore…Për vërshimet që thatë ju, për korrektësi unë nuk kam pasur lajmërim që është fundosur nga uji, apo ka shkaktuar dëme”, tha Vitia.

    Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj tha se pavarësisht kërkesave nuk u është dërguar lista e anëtarëve të komisionit për listën zyrtare të çmimeve të barnave. Mos dërgimi i emrave të anëtarëve të komisionit, sipas Zemajt, është për të dyshuar.

    Ai tha se Vitia se ka neglizhuar procesin lidhur me Ligjin për vendosjen e tavanit të çmimeve të barnave.

    Sipas Zemajt, Kurti është dashur të merr masa ndaj Vitisë për këto çështje.

    “Ne nuk e kemi parë listën e anëtareve të komisionit, nuk i kemi parë as ata të cilët janë ndërruar. Ne nuk i kemi parë as listën e anëtarëve të komisionit të ankesave. Ne edhe kur e kemi kërkuar, nuk na është dërguar, asnjëherë deri më sot e para…Mendoj që vëmendja juaj , pa dashur të gjykoj apo të jem subjektiv duket që ka qenë një ikje nga ajo që është kërkuar vigjilencë apo përkushtim në këtë proces që është pritur me vite të tëra. Dorën në zemër, unë nuk e kisha lënë pa marrë masa, ose ish dashur kryeministri të merr masa ndaj teje. Është një hierarki, se ne nuk mundemi, se ne mund të flasim këtu t’i ngrisim me qenë si proces dhe të shohim a nëse është prolongim i pa qëllimshëm i procesit dhe evidentohet ne atë pasqyrë do ta kishim nëse pas një jave do të na vinte listë e re e nënshkruar nga ana e juaj, ashtu siç e keni deklaruar, po e deklaroni edhe sot”, tha Zemaj.

    Për këto, Vitia tha se të gjithë vendimet janë publike dhe se të gjithë mund të kenë qasje në listën e emrave të anëtarëve të komisionit.

    Tri javë pasi e kishte shpallur, Ministria e Shëndetësisë mori vendim për anulimin e listës së çmimeve të produkteve medicinale.

    Në vendimin e publikuar në uebfaqen e Ministrisë bëhet e ditur se kundër vendimit për listën ka pasur ankesa dhe disa prej pretendimeve janë konfirmuar nga Komisioni i Ankesave. Ankesat kanë pasur të bëjnë me çmimet në disa produkte.

  • Nis ndërtimi i shkollës në lagjen “Kalabria”, Rama thotë se do të reduktojë dukshëm komunikacionin në kryeqytet

    Nis ndërtimi i shkollës në lagjen “Kalabria”, Rama thotë se do të reduktojë dukshëm komunikacionin në kryeqytet

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se sot ka nisur ndërtimi i shkollës në lagjen “Kalabria”, për të cilën ka thënë se do të ofrojë kushte të nivelit evropian për arsimtarët dhe fëmijët.

    Sipas Ramës, me përfundimin e kësaj shkolle, rreth 1000 fëmijë të Lagjes Kalabria nuk do të humbin kohë në udhëtim në shkolla të lagjeve tjera dhe telashet e prindërve për t’i bartur fëmijet e tyre do të marrin fund dhe se kjo do të reduktojë dukshëm komunikacionin në kryeqytet.

    “Vazhdojmë tutje me shhndërrimin e Kalabrisë në lagje moderne dhe transformimin e Kryeqytetit”, ka shkruar Rama.

  • ​Haradinaj: Lidershipi aktual ta kuptojnë që detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO

    ​Haradinaj: Lidershipi aktual ta kuptojnë që detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se udhëheqja e sotme e Kosovës apo cilado që vjen pas saj, duhet ta kuptojnë që detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO.

    Haradinaj ka thënë se politikat e lidershipit aktual të Kosovës e kanë pamundësuar që Kosova të jetë aty ku diskutohet për anëtarësim në NATO.

    “I mrekullueshëm do të ishte lajmi sikur Kosova të ishte në tavolinat ku do të diskutohej për anëtarësimin e saj në NATO! Por fatkeqësisht politikat e lidershipit aktual të Kosovës e kanë pamundësuar një gjë të tillë. Pjesëmarrja e Kosovës në çfarëdo forumi që ndërlidhet me NATO-n, përfshirë edhe ftesën e Presidentes që të jetë pjesë e aktivitetit për gratë, paqen dhe sigurinë, në kuadër të Samitit të NATO-s, është nder për vendin, për çka u jemi mirënjohës aleatëve!”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO.

    “Udhëheqja e sotme e Kosovës apo cilado që vjen pas saj, duhet ta kuptojnë që detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO. Ata që nuk e mbështesin këtë synim shtetëror të Kosovës, jo vetëm që janë shkurtpamës por nuk e dijnë pse i mbajnë postet që i kanë”, është shprehur Haradinaj.

  • ​Messi i gatshëm për gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës

    ​Messi i gatshëm për gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës

    Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi do të jetë i gatshëm për të luajtur në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës të martën kundër Kanadasë në Nju Xhersi, tha trajneri Lionel Scaloni, pavarësisht shqetësimeve të sulmuesit për dëmtimin e kofshës.

    Messi u rikthye në aksion të enjten në fitoren çerekfinale të Argjentinës kundër Ekuadorit pasi humbi ndeshjen e fundit të fazës së grupeve për shkak të lëndimit. Ai luajti të gjithë ndeshjen, por dukej i penguar fizikisht.

    “Leo Messi është mirë, ai përfundoi mirë stërvitjen, kështu që ai do të jetë pjesë e ndeshjes, ne jemi të qetë”, tha Scaloni në një konferencë për shtyp të hënën përpara ndeshjes gjysmëfinale në stadiumin MetLife.

    “Niveli i tij duket i mirë. Ai është thelbësor për ne”, shtoi ai përcjellë KosovaPress.

    Argjentina dhe Kanadaja do të takohen për herë të dytë në turne pas ndeshjes hapëse në Grupin A, ku kampionët në fuqi mundën skuadrën CONCACAF 2-0.

    Scaloni tha se këtë herë ai dhe homologu i tij kanadez Jesse Marsch do të përpiqen të provojnë “diçka ndryshe”.

    “Të gjithë trajnerët mbajnë shënime për të korrigjuar gabimet dhe për të lënduar kundërshtarët tanë,” tha menaxheri 46-vjeçar.

  • ​”A isha në gjendje ta përballoja?” – 45 minutat që ndryshuan gjithçka

    ​”A isha në gjendje ta përballoja?” – 45 minutat që ndryshuan gjithçka

    Aidan Walsh kishte 45 minuta për të vendosur. A do të përpiqej të kualifikohej për një aventurë të dytë Olimpike në një sport që e kishte lënë së fundmi? Ora po shkonte.

    Aidan Walsh po përgatitet për Olimpiadën e tij të dytë pas 14 muajsh që u pensionua nga boksi, raporton KosovaPress.

    “Mbarova me boksin”, tha Walsh, 27 vjeç, për “BBC Sport NI”.

    Isha larguar nga sporti dhe po kërkoja punë. Unë isha jashtë ringut për 14 muaj… nuk bëra asnjë stërvitje… eci qenin, ndoshta kjo ishte e gjitha që bëjë. Boksi ishte histori për mua”, tha më tej Walsh.

    Më pas erdhi një telefonatë që do të ndryshonte gjithçka.

    “Nuk kishte asnjë shkëndijë të vërtetë që më ringjalli pasionin për boksin”, thotë ai. “Ishte vetëm një telefonatë, a do të isha i interesuar të shkoja në Lojërat Olimpike? Unë thashë ‘nëse e vendosa mendjen, ndoshta do të mundem’. Nuk e dija se afati për të paraqitur emrin tim ishte më pak se një orë. Kështu që kur e dëgjova këtë, shkova dhe mora disa këshilla dhe gjëra të tjera dhe thashë ‘do ta bëj këtë’ dhe e vendosa emrin tim përsëri aty. Pjesa tjetër është histori”, vazhdoi Walsh.

    Telefonata ndodhi rreth një vit më parë, jo shumë kohë pasi motra e Walsh, Michaela, ishte kualifikuar për Olimpiadën e dytë në Lojërat Evropiane në Poloni.

    Në të njëjtin turne, Dean Walsh – pa lidhje – nuk kishte arritur të kualifikohej në peshën e mesme të lehtë. Nëse boksieri i Wexford do ta kishte bërë këtë, atëherë Aidan Walsh nuk do ta kishte marrë kurrë atë telefonatë dhe nuk do të flitej për një rikthim.

    “Në hapësirën prej 45 minutash më duhej të merrja një vendim për atë që doja të bëja dhe ndonjëherë ato vendime mund të jenë më të mirat”, thotë ai.

    Walsh ishte në një baticë të ulët. Ai kishte rënë nga dashuria me boksin dhe lufta e tij e fundit ishte një humbje në Kampionatin Kombëtar të Irlandës 2023. Ai vuante nga lëndimet në dorë dhe kyçin e këmbës që kërkonin operacione të shumta.

    Medalisti i bronztë olimpik po luftonte gjithashtu me shëndetin e tij mendor – dhe kjo ishte konsiderata e tij më e madhe kur mori vendimin e tij.

    “Kjo ishte, me të vërtetë – kjo është ajo që erdhi deri te. A isha në gjendje të përballoja dhe a munda të mbaja veten? Shumë faktorë hyjnë në lojë. A kthehesh dhe bën gjithë kohën dhe mundin dhe nuk kualifikohesh? Apo kthehesh dhe i bën gjithë atë presion vetes, kualifikohesh dhe më pas duhet t’i kalosh të gjitha përsëri? Shëndeti mendor ishte në krye të gjithave”, tha Walsh.

  • ​Në Shqipëri inflacioni zbret në nivelin më të ulët, kjo është norma

    ​Në Shqipëri inflacioni zbret në nivelin më të ulët, kjo është norma

    Inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve për një shportë të caktuar të mallrave të konsumit zbriti në 2.1% në qershor 2024, nga 4.5% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, bëri të ditur INSTAT.

    Sipas INSTAT, në rritjen vjetore të këtij indeksi kanë kontribuar pozitivisht të gjitha grupet.

    “Konkretisht, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” kontribuoi me 0.72 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.42 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me 0.27 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.16 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,12 pikë përqindje, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me 0.11 pikë përqindje, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.10 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me 0.07 pikë përqindje. Ndërkohë që çmimet në grupet si “Shërbimi arsimor” me 0.06, “Transporti” me 0.05 dhe “Argëtim dhe kulturë” u rritën nga 0.04 pikë përqindje në 0.06 pikë përqindje”, thekson INSTAT.

    Krahasuar me muajin qershor 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,7 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,3 %.

    Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” patën një rritje me 3,4 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 3,3 %., raporton ATSh, transmeton KosovaPress.

    Krahasuar me muajin Maj 2024, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1,1 %, pasuar nga “Transporti” me 0,4 %.

  • Emisioni “n’mal A n’det” rikthehet në ekranin e ATV-së nga 15 korriku

    Emisioni “n’mal A n’det” rikthehet në ekranin e ATV-së nga 15 korriku

    Pas suksesit të jashtëzakonshëm të sezonit të kaluar, emisioni “n’mal A n’det” do të rikthehet në ekranin e ATV-së duke filluar nga data 15 korrik.

    Ky emision, që do të transmetohet çdo ditë nga e hëna në të premten në orën 21:00, do të drejtohet nga moderatorët e njohur Robert Bojaj, Kaltrina Mikushnica, Enur Pakashtica, Vlera Jusufi, Jusuf Islami, Emira Kika dhe Jeta Povataj.

    Edhe këtë vit, “n’mal A n’det” do të ketë materiale interesante të përgatitura nga gazetarët e ATV-së, mysafirë në studio, muzikë, rrëfime personale dhe jo vetëm.

    Ky program rekomandohet për të gjitha moshat.

    Për ata që nuk mund ta shikojnë gjatë kohës së transmetimit të rregullt, emisioni do të transmetohet drejtpërdrejt edhe në YouTube, si dhe në pjesë të shkurtra në rrjetet e tjera sociale, si Facebook, Instagram dhe TikTok.