ATV

Blog

  • Zelensky shpreson se politika e SHBA-së ndaj Ukrainës nuk do të ndryshojë pas zgjedhjeve

    Zelensky shpreson se politika e SHBA-së ndaj Ukrainës nuk do të ndryshojë pas zgjedhjeve

    Gjatë një vizite në Fondacionin dhe Institutin Presidencial Ronald Reagan në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Volodymyr Zelensky ka shprehur shpresën se politika e SHBA për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus nuk do të ndryshojë pas zgjedhjeve presidenciale.

    Kështu thuhet në faqen e internetit të Presidentit të Ukrainës, transmeton Ukrinform.

    Vihet re se nëse diktatori rus nuk ndalet në Ukrainë, ai do të shkojë më tej dhe pas kësaj, SHBA-të do të duhet të mbrojnë vendet e NATO-s që më parë ishin pjesë e BRSS ose brenda sferës së ndikimit të saj.

    Kreu i Shtetit shprehu shpresën se politika e SHBA-së për mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus nuk do të ndryshojë pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit dhe është e rëndësishme që diktatori rus ta dijë këtë.

    “Gjithçka varet vetëm nga vendimi i popullit amerikan, jo nga një person. Putini gjithmonë mbështetet në ndarjen e botës, ndarjen e SHBA-së dhe ndarjen e vendeve evropiane. Ai i frikësohet unitetit”, vuri në dukje Zelensky.

    Presidenti falënderoi gjithashtu partnerët për vendimin për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës me pesë sisteme shtesë Patriot. Ai vuri në dukje se nevojiten më shumë sisteme të tilla të mbrojtjes ajrore sepse Ukraina ka një territor të madh dhe Rusia përdor dhe kombinon lloje të ndryshme raketash dhe ndryshon taktikat.

    Ukraina ka nevojë për armë me rreze të gjatë dhe leje për t’i përdorur ato kundër fushave ajrore në territorin rus nga ku ngrihen avionët që lëshojnë vazhdimisht bomba të drejtuara në vendin tonë. Përveç kësaj, Ukraina po pret me padurim avionët luftarakë F-16. Si koha e mbërritjes së tyre ashtu edhe numri i avionëve janë të rëndësishëm.

    “Rusia po përdor 300 avionë luftarakë kundër Ukrainës. Na duhen të paktën 128 avionë për t’iu kundërvënë, dhe këto shifra janë të njohura për partnerët tanë”, theksoi Presidenti.

    Siç raportohet, samiti i NATO-s po zhvillohet në Uashington më 9-11 korrik, me pjesëmarrjen e delegacionit ukrainas të kryesuar nga presidenti Volodymyr Zelensky.

  • Komisioni për Buxhet ratifikon dy marrëveshje ndërkombëtare, vlera e tyre mbi 100 milionë euro

    Komisioni për Buxhet ratifikon dy marrëveshje ndërkombëtare, vlera e tyre mbi 100 milionë euro

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka ratifikuar dy marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej 104 milionë euro, raporton EO.

    Marrëveshja e parë ka të bëjë për Investime për Projektin Energjia diellore në KEK-Porta Globale si dhe Marrëveshja për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

    Ministri Hekuran Murati tha se Marrëveshja e Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltsike në KEK-Porta Globale mundësin harmonizimin e legjislacionit të brendshëm me atë të Bankës.

    “Ratifikimi i kësaj marrëveshje do të mundësoje harmonizimin e legjislacionit të brendshëm me atë te Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, nga e cila si anëtare përfiton financiarisht për realizimin e projekteve që shpesh shërbejnë për te përputhur me standardet dhe legjislacionin e BE-se. Amendamenti i Marrëveshjes fshin Seksionin 3 të Nenit III të Marrëveshjes për Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. Ky seksion qe kufizonte Bankën nga hyrja në garanci, huamarrje ose hua te drejtpërdrejta shuma e cilat nuk mund të tejkalonte një për qind të kapitalit te Bankës”, tha Murati.

  • Murati qetëson qytetarët: S’ka rrezik për luftë, situata në vend është e qetë

    Murati qetëson qytetarët: S’ka rrezik për luftë, situata në vend është e qetë

    Ndonëse krerët e shtetit në çdo deklarim kryefjalë e kanë “luftën” dhe “sulmin” nga Serbia, të kundërtën e mendon ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Ky i fundit, ka thënë se situata është e qetë, raporton EO.

    Gjatë raportimit të mërkurën në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Murati u pyet nëse deklarimet për luftë largojnë investitorët.

    “Jemi të koordinuar në të kaluarën rreziku ka ardh edhe nga vetë brenda territorit kurse tash me rend dhe ligj nuk ka rrezik, çka mund të ketë rrezik është jashtë vendit në këtë rast, Serbi”, u shpreh Murati.

    Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, pyeti Muratin nëse kjo deklaratë e tij është në shpëputhje me ato të krerëve të shtetit.

    “Nuk po korrespondon me deklaratat e kryetarit, kryeministrit se situata në veri është e qetë, dhe kemi dëgjuar deklarata nga kryetari i kuvendit se do zhvillohet një luftë, këto deklarata nuk janë të mira për vendin, investitorët. Është ndonjë prapavijë kjo, nuk besoj se është mirë që krerët e vendit të proklamojnë luftë. Këto deklarata janë të pamatura. A jeni të koordinuar, me koordinim a pa koordinim”, pyeti Lekaj.

    “Është tërësisht në përputhje deklarata e kryetarit dhe kryeministrit, kurrë më qetë situata nuk ka qenë në veri, rreziku mbetet vetëm nga jashtë”, u përgjigj Murati.

    Lekaj pyeti edhe për masat nga Bashkimi Evropian. Pyeti nëse i di sa është dëmi i shkaktuar nga masat e BE-së.

    “Ne po miratojmë marrëveshje ndërkombëtare po kemi të ngrira, nuk dimë kur do hiqen sanksionet, sado jemi të zbehtë me deklarime po pëson qytetari, vendi. Nuk ka muaj që nuk kërkohet të votohen marrëveshjet, nëse si ministër keni informacione sa ka pësu vendi në këtë drejtim, se është goxha shqetësuese për atë qe e kanë marrë implementimin e marrëveshjes përveç deklaratave të kryeministrit nuk kemi ndonjë informacion të saktë. Dua të dije si po shkon puna në këtë drejtim”, u shpreh Lekaj.

    Ndërsa, ministri Murati tha së sa i përket heqjes së masave, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet.

    “Masat e keni parë se raporti është përgatit nga përfaqësuesi i lartë i BE-së dhe presim një vendimmarrje. Sa i përket problemeve ka disa raste te Ministria për Komunitete dhe Kthim që ka qenë fondet për mbështetje të komunitetit serb. Kanë pësuar zona ku ka me shumë serbe”, u shpreh Murati.

  • Kurti e Peci tregojnë se është siguruar buka e mot-motit, shprehen të bindur se s’do të ketë nevojë për import

    Kurti e Peci tregojnë se është siguruar buka e mot-motit, shprehen të bindur se s’do të ketë nevojë për import

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhillimit Rural, Faton Peci kanë vizituar fermerin Asman Kryeziu nga fshati Bubavec i Malishevës, i cili kultivon rreth 27 hektarë grurë, raporton EO.

    Nga aty, Kurti e Peci thanë se kjo vërë do të garantojë bukën e motmotit, me ç’rast premtuan edhe më tej mbështetje përmes subvencionimit.

    Kryeministri Kurti, ka thënë se Qeveria ka dhënë mbështetje fushës së bujqësisë me buxhet rreth 100 milionë euro. Kurti ka thënë se kanë shkurtuar edhe procesin e aplikimit për subvencione.

    “Pamë korrjen e grurit në një vend që ka qenë djerrinë ku paraprakisht janë nxjerr 260 metra kub grurë, siç tha edhe fermeri, djerrina me grurë është bërë arë me grurë dhe është në funksion të programit tonë që bukën e motmotit ta kemi tonën. Buka jonë në sofrën tonë nga toka jonë. Buxheti për Ministrinë e Bujqësisë është rreth 100 milionë euro ashtu siç e kemi premtuar dhe tash në njërën anë subvencionojmë edhe naftën edhe plehun edhe rendimentin me 4 cent, këtë të fundit për kilogram. Në anën tjetër e kemi zvogëluar jashtëzakonisht dokumentet që i nevojiten fermerëve për subvencione, ka raste ku nga tri javë aplikimi është shkurtuar për vetëm 30 minuta”, ka thënë Kurti, teksa është shprehur optimist se këtë vit nuk do të ketë nevojë për import të grurit.

    “Do të vazhdojmë me punë të mira, ky duket të jetë viti me të cilën me prodhimtarinë e shtuar prej 140 deri 150 mijë grurë do ta mbulojmë dhe tejkalojmë importin që e kemi pasur me 139 mijë në vitin e kaluar. Gjithë kjo po tregon që kjo verë e garanton bukën tonë, në sofrën tonë nga toka jonë, pra prodhimtari vendore pa pasur nevojë për import”, u shpreh Kurti.

  • I nxehti përvëlues, IHMK paralajmëron për “alarm të kuq”

    I nxehti përvëlues, IHMK paralajmëron për “alarm të kuq”

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se ditëve në vijim situata meteorologjike mund të krijojë kushte edhe për alarm të kuq për shkak të temperaturave të larta.

    Sipas IHMK-së, alarmi i kuq nënkupton se temperatura e ajrit kalon më lartë se temperatura e trupit të njeriut (37 gradë), “atëherë mund të shkaktojë probleme serioze në organizmin tonë”.

    IHMK-ja ka bërë thirrje për kujdes nga rrezet e diellit, veçanërisht gjatë intervalit kohor prej orës 10:00 deri 17:00.

    “Kujdes nga rrezet direkte të diellit, sidomos nga intervali kohorë 10-17h, sepse indeksi UV ka shënuar vlera të larta. Përdorni sa më shum ujë të freskët, jo lëngje të gazuara, kapelë, syze për tu mbrojtur nga dielli, rroba me ngjyra të lehta nga pambuku ose liri. Të mos konsumojmë ushqime të ferguara, me shum yndyrë dhe ushqime të shpejta, por sa më shum ujë të thjeshtë , pemë dhe perime. Jemi në dritën e verdhë sa i perketë këtyre vlerave të larta të temperaurave, mirëpo në ditët vijuese kjo situatë meteorologjike mund të krijoj kushte edhe për alarm të kuq, sepse temperatura e ajrit kur kalon më e lartë se temperatura e trupit të njeriut {37C}, atëherë mund të shkaktojë probleme serioze në organizmin tonë”, thuhet në komunikatën e tyre.

    Instituti u ka bërë apel qytetarëve të mos ndezin hamulloret gjatë fushatës së korrje-shtrirjes.

    “Fushata e korrje-shirjes është në vlugun më të lartë dhe sipas fermereve rendimentet në kulturën e grurit janë të shkëlqyeshme. Një apel per qytetarët që mos t’i ndezin hamulloret (serrnishtat), sepse përpos që shkatërrojne miljona organizma ,shkaktojn rritjen e temperatrave lokale, mund ta rrezikojne edhe pronën, gjithashtu lavrimi i ceket i parcelave me hamullor do të ushqejë tokën, sepse ruhen shum materje ushqyese per kulturat që do të mbjellen në vazhdimësi. Sipas mundësive ,frekuentoni vendet me lartësi , pyjet , kodrinat , aty ku kemi më shum qarkullim të ajrit të freskët”, vijon komunikata.

  • Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së fton Petrit Ajetin për raportim për sigurinë e përgjithshme

    Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së fton Petrit Ajetin për raportim për sigurinë e përgjithshme

    Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, ka thënë se të mërkurën e javës së ardhshme në këtë komision është ftuar për raportim drejtorin i përgjithshëm i AKI-së Petrit Ajeti, raporton EO.

    Ajo ka thënë se Ajeti, në atë mbledhje do të raportoj për situatën e sigurisë në vend, pas deklaratave krerëve të shtetit për ndjeshmërinë e sigurisë në vend dhe rreziqet e mundshme që mund t’i kanosen vendit në ditët në vijim.

    Ajo këto deklarata i bëri një konferencë për media pas mbledhjes së këtij Komisioni ku kishte raportuar Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Kujtim Shala.

    Ajo tha se në mbledhjen e mbajtur sot kanë evidentuar shumë çështje të brendshme të AKI-së për të cilat tha se janë dakorduar që në ditët në vazhdim ti trajtojnë në mënyrë të detajuar.

    “Sot kishim në raportim Inspektorin e Përgjithshëm të AKI, Kujtim Shala, me të cilin diskutuam më tepër se një orë rreth punës, aktivitetit ose menaxhimit të AKI-s. Ju e dini që kompetencat e inspektorit janë auditimi i brendshëm financiar, mbikëqyrja, hulumtimi dhe hetimi. Evidentuam shumë çështje të brendshme të AKI-së për të cilat u dakorduam që në ditët në vazhdim ti trajtojmë në mënyrë të detajuar, për shkak se në raportet të cilat prezantohen zakonisht kemi të bëjmë me shifra teknike dhe jo shpesh here lëshohen në detaje. Si komision Parlamentar e kemi të drejtën që të kemi qasje në dokumente dhe të shohim të gjitha verimet që janë marr nga inspektorati”.

    “Një nga vendimet që mori sot Komisioni është që të mërkurën e ardhshme do ta ftojmë drejtorin e përgjithshëm të AKI-së që të na njoftoj për gjendjen e sigurisë në vend, duke pasur parasysh që kemi dëgjuar deklarata të shumta të krerëve të shtetit për ndjeshmërinë e sigurisë në vend dhe rreziqet e mundshme që mund t’i kanosen vendit në ditët ne vijim. Si Komision u dakorduam që të marrim informatat e konfirmuara dhe qytetarëve t’u japim informata të vërteta të cilat i ka AKI-ja”, ka thënë ajo.

  • Temperaturat e larta, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor bën apel që të mos ndizen zjarre

    Temperaturat e larta, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor bën apel që të mos ndizen zjarre

    Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka kërkuar nga qytetarët dhe bjeshkatarët që mos të ndezin zjarre nëpër male.

    Kjo si shkak i temperaturave të larta që janë duke mbizotëruar në vendin tonë.

    “Ditëve në vijim nga shërbimet meteorologjike paralajmërohet se mbi vendin tonë do të mbretërojnë temperatura të larta. Andaj keni kujdes, dhe mos u bëni shkaktar i përhapjes së zjarreve në malet tona të bukura”, thuhet në apelin e tyre.

    Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor këtë thirrje e ka bërë në mënyrë që të mos dëmtohet pasuria jonë kombëtare.

    “Mos lejoni që të dëmtohet pasuria jonë kombëtare, mos ndizni zjarre në zona malore, mos ndizni zjarre në pyje, mos ndizni zjarre në parqe kombëtare ( e ndaluar me ligj! ) dhe mos i gjuani filterat e duhanit”, thuhet më tutje në apel.

    Kurse, kanë bërë publik edhe disa numra në të cilët mund të thirrni nëse vëreni zjarre.

    Këta janë numrat: 112, 192 193.

  • Ushtria ruse sulmon portin e Odesës në Ukrainë

    Ushtria ruse sulmon portin e Odesës në Ukrainë

    Rusia sulmoi të mërkurën infrastrukturën e portit Odesa në Ukrainë, bëri të ditur Forca Ajrore e Ukrainës.

    Komandanti Mykola Oleschuk tha se sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore rrëzuan tri nga pesë raketat e lëshuara nga Rusia, si dhe 14 nga 20 dronët e lëshuar prej saj.

    Sipas tij, shënjestra të tyre ishin disa rajone: Odesa, Mikollajivi, Hersoni, Vinicja e të tjera.

    “Infrastruktura e portit të Odesës është sulmuar me raketa. Si rezultat i kundërmasave aktive, tri raketa të armikut Kh-59/Kh-69 dhe tre dronë UAV nuk i kanë arritur objektivat e tyre”, tha Oleschuk në mesazhin në Telegram.

    Më shumë detaje për pasojat nuk dha.

    Odesa, një port i rëndësishëm për eksportet e grurit të Ukrainës, ka qenë vazhdimisht cak i sulmeve të ushtrisë ruse.

    Pavarësisht provave, Moska mohon se godet infrastrukturën civile të Ukrainës.

    Rusia thotë se u sulmua me dhjetëra dronë nga Ukraina
    Në fillim të kësaj jave, autoritetet në Ukrainë raportuan për së paku 37 njerëz të vrarë nga sulmet ruse në disa rajone të vendit.

    Shënjestër e sulmeve ishte edhe një spital për fëmijë në Kiev, ku mbetën të vrarë dy punonjës./REL

  • Një shkollë britanike “do t’i detyrojë” studentët të përdorin telefona të vjetër Nokia

    Një shkollë britanike “do t’i detyrojë” studentët të përdorin telefona të vjetër Nokia

    Shumë rrethe shkollore kanë vendosur ndalime të smartfonëve për nxënësit gjatë ditës së shkollës, por një shkollë britanike e ka bërë një hap më tej.

    Në fakt, ajo nuk ka bërë një hap para, por një hap prapa, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Kolegji Eton, shkolla historike dhe elitare britanike me konvikt me studentë të famshëm si Princi William dhe Harry, ka krijuar një politikë të re të telefonisë celulare për studentët e vitit të parë duke filluar nga shtatori.

    Këta studentë do të duhet të lënë telefonat inteligjentë në shtëpi, por të sjellin kartën e tyre SIM në shkollë dhe ta vendosin në një celular të vjetër, Nokia – me një bllok të thjeshtë numrash tek të cilët mund të kryejë vetëm telefonata dhe të dërgojë mesazhe me tekst.

    Politika e shkollës britanike me konvikt bazohet në udhëzimet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar që u lejon drejtorëve të miratojnë ndalimin e smartfonëve për studentët gjatë ditës së shkollës. /Telegrafi/

     

  • Drake humbi bastin prej 280 mijë eurosh që e vuri për ndeshjen Kanada-Argjentinë

    Drake humbi bastin prej 280 mijë eurosh që e vuri për ndeshjen Kanada-Argjentinë

    Reperi Drake ka vazhduar serinë e tij të basteve pasi vendosi një me rreth 280 mijë euro në ndeshjen gjysmëfinale të ‘Copa America’ midis Argjentinës dhe Kanadasë.

    Qoftë në futboll apo në UFC, ylli kanadez tashmë njihet për shumat marramendëse që shpenzon në to.

    Kanadaja e tij e lindjes ishte një ndeshje nga finalja e Copa America, por kundërshtarët e tyre kampionët e botës, Argjentina, ia pamundësoi kalimin duke e mposhtur 2-0.

    Skuadra e Jesse Marsch tashmë ishte mposhtur nga Argjentina edhe në fazën e grupeve, me Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez që shënuan golat në një fitore 2-0.

    Ai humbi bastin dhe nëse do ta fitonte, i bie 2.5 milionë euro, gjë që nuk ndodhi.

    Reperi është sigurisht i njohur për një ‘mallkim’ të lidhur me të kur bëhet fjalë për të hedhur mbështetjen e tij pas individëve dhe ekipeve përpara ndeshjeve të mëdha sportive.

    Megjithatë, mallkimi u duk se u hoq në dhjetor 2022 kur Drake mbështeti Argjentinën për të fituar finalen e Kupës së Botës kundër Francës. /Telegrafi/