ATV

Blog

  • ​Kabineti qeveritar një minutë heshtje për viktimat e Srebrenicës

    ​Kabineti qeveritar një minutë heshtje për viktimat e Srebrenicës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nisur mbledhjen e Qeverisë së Kosovës në kujtim të viktimave të masakrës së Srebrenicës me një minutë heshtje.

    Ai duke arsyetuar propozim vendimin për shpalljen e 11 korrikut, ditë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë, vendim ky që pritet të miratohet ka thënë se është më përputhje me rezuluten e miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe institucione tjera ndërkombëtare.

  • ​Zyrtare: Napoli transferon Spinazzolan dhe mban Di Lorenzon

    ​Zyrtare: Napoli transferon Spinazzolan dhe mban Di Lorenzon

    Napoli e ka konfirmuar transferimin e Leonardo Spinazzolas dhe këmbëngul se Giovanni Di Lorenzo do të mbetet kapiteni i tyre “për shumë vite”.

    Napoli i Antonio Contes po merr formë pasi Partenopei sapo ka konfirmuar transferimin e parë të merkatos së verës, raporton KosovaPress.

    Napoli konfirmoi nënshkrimin e Spinazzolas si lojtar të lirë.

    Raportime të shumta thonë se ish-mbrojtësi i Romës ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare në “Stadio Maradona”.

    Në një deklaratë të veçantë të publikuar në faqen zyrtare “X”, Napoli tha se kapiteni i tyre, Di Lorenzo, do të mbetet në klub edhe përtej verës.

    “Napoli lexoi në media të caktuara se ata ende duhet të pastrojnë ajrin me Di Lorenzo”, tha Napoli në një deklaratë.

    “Mesa duket, media të tilla janë të keqinformuara sepse ‘sqarimi’ pozitiv mes klubit dhe kapitenit ka ndodhur tashmë disa javë më parë. Është e qartë, pra, se Di Lorenzo do të vazhdojë të jetë kapiten i Napolit për shumë vite”, shkruante më tej në komunikatën e Di Lorenzos.

  • Akuza të rënda për sulm seksual në Euro 2024, FSHF pezullon zyrtarin

    Akuza të rënda për sulm seksual në Euro 2024, FSHF pezullon zyrtarin

    Akuza të rënda pas eliminimit të Kombëtares së Shqipërisë në Kampionatit Evropian. Një zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit bëhet e ditur se ka dhunuar një vajzë 18 vjeçare në kuzhinën e vendit ku ishin akomoduar kuqezinjtë.

    Punonjësja e hotelit të Shkollës Sportive Kaiserau në Kamen (NRW) kishte lajmëruar policinë pas sulmit më 23 qershor në orën 19:30, raporton KosovaPress.

    Zyra e Prokurorit Publik të Dortmundit konfirmoi një hetim përkatës.

    E reja ka pranuar në hetuesit e policisë Unna, se shqiptari e kishte shtyrë në kuzhinë, e kishte puthur dhe abuzuar seksualisht me të.

    Edhe pse prokuroria publike ka njoftuar menjëherë për shkeljen seksuale të raportuar, i akuzuari ka mundur të fluturojë të nesërmen në shtëpi pa u ngacmuar, pas humbjes 0:1 kundër Spanjës që nënkuptonte përfundimin e garës për Shqipërinë në atë ditë.

    Zëdhënësja e prokurorisë tha: “Duke qenë se deri më tani nuk ka dyshime urgjente për një krim, nuk është bërë kërkesa për urdhër arresti”.

    Sipas ligjit gjerman, një përdhunues duhet të mbajë të paktën dy vjet burg. Aktualisht është e paqartë se si do të vazhdojnë hetimet – ndoshta përmes një kërkese të ndërlikuar për ndihmë juridike.

    Dyshimi nuk është në futbollist

    Për çështjen e fajit, tani duhet të sqarohet se në çfarë mase burri ishte në gjendje të njihte refuzimin e gruas së re, tha ajo. Dyshohet se shqiptari i kishte dhënë lamtumirën me fjalët se duhet ta priste. Sulmuesi seksual thuhet se nuk është as futbollist dhe as zyrtar i rangut më të lartë.

    Federata e Futbollit e pezulloi burrin

    “Kujdesi ndaj punonjëses dhe mbrojtja e të drejtave të saj personale kanë prioritet kryesor”, tha një zëdhënëse e “SportCentrum Kaiserau”.

    Pasi u bë e ditur ngjarja, zyrtari i FSHF-së u pezullua menjëherë nga Federata Shqiptare e Futbollit.

  • Zhbllokim i dialogut Kosovë-Serbi apo vazhdim i status-quos

    Zhbllokim i dialogut Kosovë-Serbi apo vazhdim i status-quos

    BE kërkon që Kosova e Serbia të dërgojnë komentet rreth zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve. Por sipas analistëve nuk ka shpresa, se brenda një periudhe të shkurtër mund të shënohet progres.

    Kosova dhe Serbia kanë afat deri më 18 korrik t’u dërgojnë ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Dy takimet e fundit që u zhvilluan në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësit evropianë dhe në nivel kryenegociatorësh që synonin zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes, përfunduan pa ndonjë rezultat.

    Më 2 korrik, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq, u takuan në Bruksel. Bislimi deklaroi pas takimit se pala serbe ishte e interesuar vetëm për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke njoftuar njëkohësisht, se megjithatë deri më 18 korrik “qeveria e Kosovës do t’i dërgojë komentet me shkrim mbi Marrëveshjen Bazë”.

    Sipas Bislimit, “aty pritet të dëshmohet se Serbia nuk po e respekton Marrëveshjen”. Nga ana tjetër kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka akuzuar Kosovën siç thotë “për mbytje të dialogut”.

    BE nuk do të krijohet boshllëk për dialogun

    BE ka vënë si afat datën 18 korrik për të hartuar një propozim të ri mbi këtë proces. Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar që t’ia zgjasin mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025. Pajtimi u arrit pasi që përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, e kishte emëruar Lajçakun si ambasador të BE-së në Zvicër, i cili ishte dashur të niste punën më 1 shtator, menjëherë pasi t’i skadonte mandati në rolin e lehtësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas zyrtarëve të BE-së, me vazhdimin edhe për pesë muaj të mandatit të Lajçakut në rolin e lehtësuesit të dialogut, BE-ja dëshiron të sigurojë që në këtë çështje të mos ketë boshllëk, derisa të emërohet pasardhësi i tij. Emërimi i pasardhësit të Lajçakut ndërlidhet direkt me procedurën për emërimin e udhëheqësve të rinj në institucionet e BE-së për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar. Në kuadër të paketës së këtyre emërimeve është edhe nominimi i kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, në postin e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, që do të ndërmjetësojë takimet e nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Kreu në largim i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka deklaruar se “përkundër ndryshimeve brenda strukturave të BE-së, detyrimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të hiqen”, duke ritheksuar se “normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në qendër të angazhimit evropian rreth Ballkanit Perëndimor”.

    Konjufca: Ndërlikime të panevojshme

    Në lidhje procesin e normalizimit të marrëdhënieve, së fundmi kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, tha se “Serbia po i shkel parimet e marrëveshjes”.

    “Kjo çështja e pozicionit të Kosovës po ndërlikohet pa nevojë. E para marrëveshja përbëhet prej parimeve dhe çështjeve konkrete. Parimet e përbëjnë frymën e marrëveshjes. Parimet nuk kanë afat, nuk mund të thotë Serbia me Kosovën mund të sillet agresore dhe në një moment mund të bëhet fqinjë e mirë. Çështjet konkrete mund të kenë afate. Problemi është se Serbia po i shkel parimet e marrëveshjes”, tha Konjufca. Sipas tij, nuk mund të kesh barazi sovrane mes shteteve kur Ana Bernabiq dërgon letrën për të zhvlerësuar marrëveshjen.

    Dallimet e mëdha mes palëve pengojnë procesin

    Ndërkohë analistët politikë nuk kanë shumë pritshmëri se mund të shënohet përparim në dialogun Kosovë-Serbi brenda një periudhe të shkurtër. Sidomos në këtë fazë dallimet ndërmjet palëve janë të mëdha. Këto dallime u vunë re edhe në përpjekjen e fundit të BE-së që të ulë në një tavolinë Kurtin dhe Vuçiqin, por ata nuk pranuan të takohen kokë më kokë. Shpend Demhasaj, analist politik i tha DW-së se “për aq kohë sa BE nuk vendos obligime dhe afate të qarta për palët për zbatim të marrëveshjeve të dakorduara, nuk pritet që të ketë zbatim të marrëveshjeve”.

    “Nëse mbetet në vullnetin e palëve (Serbi dhe Kosovë) marrëveshjet nuk do të zbatohen asnjëherë siç edhe nuk janë zbatuar deri me tani. Do të ketë manovra politike vetëm për ta fajësuar njëra tjetrën në sy të perëndimit dhe kaq. Prandaj, BE duhet të marrë rolin e ndërmjetësuesit duke vendos obligime të caktuara për secilën palë, dhe afate për secilin obligim e madje edhe ndëshkim për secilën palë që nuk zbaton obligimet në kohën e paracaktuar”, thotë Demhasaj. Sipas tij, “vetëm kështu mund të jetë i suksesshëm dialogu dhe mund të ketë zbatim të marrëveshjeve. Përndryshe edhe me datën 18 korrik thjesht mund të ketë komente nga palët që do të jenë krejtësisht të kundërta me njëra tjetrën dhe nuk do të mund të gjendet modalitet i zbatimit”.

    “Marrëveshja e Ohrit nuk i jep palëve atë që kërkojnë, por iu jep detyra pa kushte”

    Një analist tjetër, Blerim Burjani, i tha DW-së se udhëzuesi i BE-së ka qenë i qartë sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, pa dallim dhe pa ndonjë përparësi ndaj pikave të marrëveshjes. Ato duhet të zbatohen nga palët. “Pra e tërë politika ndërkombëtare është koncentruar se si të fillojë zbatimi dhe të ndalen obstruksionet, të cilat vlerësohen si të pa papranueshme. Paraqitja e komenteve unë e kuptoj më shumë si presion se sa si qëllim për të përmbushur palët obligimin ndaj marrëveshjes. Kurti nuk do Asociacionin e Komunave serbe, kjo është qartë dhe ka pas shumë interpretime dëshirore apo, edhe të gabuara rreth kësaj teme në Kosovë dhe jashtë saj”, thotë Burjani. Sipas tij, në Kosovë nuk ka konsensus nacional për ta themeluar siç e quan ai, këtë “Asociacion kontravers në kuptimin juridik dhe kushtetues”.

    Marrëveshjen e Ohrit palët tentojnë ta minimizojnë dhe të bëjnë të pamundshme për t’u zbatuar, thekson Burjani. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit nuk i jep palëve atë që kërkojnë, por iu jep detyra pa kushte. Serbisë nuk i duhet një Asociacion pa kompetenca ekzekutive, ndërsa, Kosova e quan rrezik kushtetues dhe të sigurisë nëse themelohet një entitet i ri juridik në veri e në 10 komuna serbe. Pra qasja e deritashme e ndërmjetësuesve e ka përmbysë këtë zbatim, dhe është e kotë te i lihet palëve faji, e më së paku Kosovës”, thotë Burjani.

    Sipas tij, BE gjendet para ristrukturimit pas zgjedhjeve atje dhe fati i dialogut do të varet nga strukturat e reja që do të formohen, sikundër që çfarë qasje e re do te riformulohet.

    Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, ndonëse nuk është nënshkruar nga palët, Bashkimi Evropian e konsideron si marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe ka theksuar qartë se përparimi në zbatimin e saj është i lidhur ngushtë me përparimin e të dyja palëve në proceset integruese./DW/

  • KFOR trajnon ushtarët për skenarët e kontrollit të turmave gjatë trazirave

    KFOR trajnon ushtarët për skenarët e kontrollit të turmave gjatë trazirave

    Komanda Rajonale Perëndim e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja zhvilloi ushtrimin trajnues me emrin “Swift Rescue”, të mbajtur në çdo komunë të Kosovës perëndimore, për të ruajtur gatishmërinë e lartë operacionale.

    KFOR, përmes një postim në rrjetin social Facebook, bën të ditur se gjatë ushtrimit, ata u trajnuan në skenarë kontrolli të turmave dhe trazirave dhe testuan disa procedura evakuimi.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, thuhet në këtë njoftim.

  • Tri arsyet përse është mirë të qani

    Tri arsyet përse është mirë të qani

    Vlerësoni të qenët i fortë. Jeni një person që i bëni gjërat siç duhet. Prandaj, do të preferonit më mirë që t’i bëni ballë një problemi se sa të qaheni. Gjithsesi, e qara nuk do të ndryshojë asgjë – prandaj përse duhet të qani:

    Edhe pse është e vërtetë që e qara nuk është zgjidhje për shumë probleme, ajo ka efekte pozitive tek ju dhe marrëdhëniet me të tjerët.

    Ja cilat janë tre përfitimet e të qarit:

    Njihni veten duke qarë: Nuk qajmë vetëm kur jemi të mërzitur. Të qarit në fakt është një mënyrë shprehjeje të përvojës. Mund të ndieni një sërë emocionesh, si mërzitje, dhimbje, zhgënjim, acarim ose vetmi, shkruan EO.

    Prandaj, të qarit ju ndihmon t’i shihni gjërat më me qartësi, të njihni më mirë veten dhe të ndërgjegjësoheni për nevojat, dobësitë dhe cilësitë tuaja.

    Qarja nxit empatinë: Kur qani para njerëzve që kujdesen për ju, mund të forconi edhe më shumë marrëdhëniet mes jush.

    Gjëja më e mirë është që të shfryhemi tek dikush që kemi mundësi.

    Lehtëson stresin: Të qarit mund të lehtësojë tensionin emocional. Mund të ndiheni të qetë dhe trupi është më shumë i relaksuar. Në këtë mënyrë do t’i shihni edhe gjërat më qartë. Për më tepër lotët ulin nivelin e nervozizmit, ankthit dhe agresivitetit.

  • Konfirmohet aktakuza ndaj Januzit, Bahtijarit dhe Shalës

    Konfirmohet aktakuza ndaj Januzit, Bahtijarit dhe Shalës

    Është konfirmuar aktakuza ndaj tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës -Topit.

    Njoftimi u bë nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

    Në njoftim thuhet se “Më 8 korrik, Gjykatësja e Procedurës Paraprake në çështjen Januzi, Bahtijari dhe Haxhi Shala konfirmoi ndryshimet në aktakuzën e përbashkët dhe urdhëroi ZPS-në të dorëzonte versionin e fundit të kësaj aktakuze deri më 10 korrik”.

    “Pasi të dorëzohet, ajo do të jetë aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore. Në përputhje me rregullën 90(3), gjykatësja Masëlo (Masselot) caktoi paraqitjen e mëtejshme të Januzit dhe Bahtijarit të premten, 12 korrik në orën 09:30”.

    Meqenëse pretendimet e reja faktike ishin pjesë e aktakuzës fillestare kundër Haxhi Shalës, nuk kërkohet që ai të jetë i pranishëm në seancë.

  • Zyrapi flet për përgjegjësitë e Selimit si Inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së

    Zyrapi flet për përgjegjësitë e Selimit si Inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së

    Dëshmitari Bislim Zyrapi gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të mërkurën ka folur lidhur me përgjegjësitë që ka pasur Rexhep Selimi sa i takon kohës kur është emëruar si Inspektor i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Fillimisht, avokati i Selimit, Geoffrey Roberts i tha dëshmitarit se ai për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte folur për këto përgjegjësi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Përgjegjësitë e tij si Inspektor i Përgjithshëm ishte që të inspektonte njësitë, gatishmërinë e tyre dhe ç’nivele operative kishin arritur. Nëse kishte mungesë disipline, do të informonte komandantin dhe kishte shumë detyra të tjera të cila nuk po më kujtohen tani”, citoi Roberts të jetë përgjigjur Zyrapi.

    “Po në pika të shkurta e kam spjegu se nuk mund ta shpjegoj çdo pikë aty”, tha Zyrapi.

    Më pas, Roberts pyeti dëshmitarin se a është e vërtetë të thuhet se Inspektorati i Përgjithshëm i UÇK-së nuk kishte zyrë në Divjakë.

    “Po e saktë është! Nuk ka pas zyre të veçantë se unë e kam shpjegu se cilat zyre kanë pas dhe ku kanë qenë se nuk kemi pas edhe qaq shumë objekte që mund t’i vendosim që çdo sektor ta ketë zyrën e veçantë ose në shtëpi të veçantë për të zhvilluar këtë sektor. Kështu që në shumë vende ka lëvizë sektori herë në Lladrovc, herë në Bjeshkë të Berishës në Fshatin e Ri. Varësisht ku kemi mujtë ta takojmë dhe ku e kam pa”, tha dëshmitari.

    Gjithashtu, Zyrapi pohoi se është e saktë ajo që ka thënë për ZPS-në se njerëzit që e shoqëronin Selimin, nuk ishin gjithmonë të Policisë Ushtarake.

    “Zotëri Raci ka qenë përcjellës. Prej fillimi kur e kam njoftë Selimiin, e kam njoftë bashkë me atë që e ka vozitë e që pranë tij ka qenë”, tha tutje Zyrapi duke mohuar se kryente detyra të inspektimit.

    Edhe për Alush Agushin, dëshmitari pohoi se nuk ka pasur ndonjë rol në Inspektoratin e Përgjithshëm, por që nuk ishte pjesë as e Shtabit të Përgjithshëm. Por, sipas dëshmitarit ai mbante disa ushtarë pas vete, por që nuk është e thënë që i kishte drejtpërdrejt nën urdhra.

    Dëshmitari gjithashtu u pyet nga avokati Roberts se a kishte Selimi ndonjë drejtori dhe personel që vepronin nën urdhrat e tij.

    “Në atë kohë, jo. Nuk ka pas”, tha dëshmitari.

    Më pas, atij iu prezantua një dokument në të cilin kishte thënë se njësia speciale nuk ka të drejtë të arrestojë. Si rrjedhojë, Roberts prezantoi deklaratën e dëshmitarit që e ka dhënë gjatë kësaj periudhe në sallën e gjyqit gjatë pyetjeve të ZPS-së, e që kishte thënë se kjo metodë ishte përdorur njëherë në Zonën Operative të Pashtrikut nga Inspektori i Përgjithshëm.

    Për ZPS-në, dëshmitari tregoi se e ka pasur fjalën për Rexhep Selimin dhe që nuk kishte arrestuar, por është marrë masë disiplinore si pasojë e problemeve disiplinore të cilat kanë ndodhur, por që nuk do të duhej të veprohej kështu.

    “Viti ’99 më kujtohet. Diku ka qenë marsi i vitit ’99”, tha dëshmitari se i kujtohet që ka ndodhur kjo ngjarje.

    Dëshmitari Bislim Zyrapi, shpjegoi se Selimi nuk ka pasur njësi të veçantë, por ka pas mundësi që ta përdorë njësinë e Policisë Ushtarake.

    “Është e vërtetë që zotëri Selimi nuk ka pas njësi të veçantë, e ka pas njësinë e Policisë Ushtarake që ka mujtë me e përdorë, po edhe kur të përdoret duhet me e ditë komandanti. Nëse komandanti e ka leju që të përdoret kjo njësi është diçka tjetër. Unë e kam shpjegu vetëm në aspekte ushtarake që kjo njësi nuk mund të përdoret për këto nevoja dhe ajo është për nevojat e intervenimit në momentet e duhura dhe për zbulime-vëzhgime, por jo për arrestime. Meqenëse unë e kam shpjegu që zotëri Selimi nuk ka ba arrestime me këtë njësi në atë vend, por është përdorur se ajo njësi duhet të jetë gjithnjë e gatshme për veprim. Në këtë kontest është thënë”, tha Zyrapi.

    Ai tha se Inspektori i Përgjithshëm nuk i është drejtuar vetëm komandantëve të zonave për ta përdorë Policinë Ushtarake, por edhe komandantit të përgjithshëm.

    “Inspektori i Përgjithshëm nuk i drejtohet veç komandantit të zonës se ka mujtë t’i drejtohet veç komandantit të përgjithshëm që t’’i kërkoj Policinë Ushtarake pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe që ka mujtë ta merr ose në mungesë të tyre mund ta marrë edhe nga zonat, e që komandantit të zonave t’i kërkohet që të përdoren këto njësi. Kurse, njësitë diversante që kanë qenë në atë kohë përdoren në momentin kur në qoftë se grupet janë të armatosur dhe kundërvihen me armë, atëherë përdoren këto njësi për t’i eliminuar ato ose për t’i çarmatosur”, tha Zyrapi.

    Ai shtoi se Selimi nuk e ka pasur rolin që të marrë masa disiplinore, por që të kontrollojë disiplinën. Sipas tij, të marrin masa disiplinore ka qenë autoritet i komandantëve të zonave, brigadave dhe të atij të përgjithshëm.

    Gjithashtu, dëshmuari u pyet nëse kishte parë ndonjë raport të shkruar të shkëmbyer në mes Selimit dhe komandantit të përgjithshëm, por që përgjigja e tij nuk u dëgjua. Më pas, seanca kaloi në sesion privat me kërkesën e avokatit Roberts për t’i bërë disa pyetje.

    Pasi u hap seanca, sërish u diskutua lidhur me çështjen e inspektorit të përgjithshëm e që para se të kalohet në pushim me kërkesën e Roberts u pranuan disa dokumente në prova materiale.

  • Nesër mblidhen deputetët, votohet për themelimin e Komisionit Hetimor për zjarret në IML

    Nesër mblidhen deputetët, votohet për themelimin e Komisionit Hetimor për zjarret në IML

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të enjten në seancë plenare.

    Në rend dite janë paraparë gjithsej 30 pika.

    Seanca pritet të fillojë në ora 10:00.

    Njëra ndër pikat të cilat është në rend dite është votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.

    Po ashtu, në rend dite është edhe votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH.

    Si pikë e 28-të e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Rendi i ditës:

    1. Miratimi i procesverbaleve të seancave të mëparshme,

    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

    5. Votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë,

    6. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,

    8. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,

    9. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-296 për të huajt,

    10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-277 për Sport,

    11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-264 për Rininë

    12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,

    13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-256 për falimentimin,

    15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-261 për mbrojtje nga zjarri,

    16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin,

    17. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë,

    18. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr. 08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës,

    19. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr. 08/L-272 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-010 për noterinë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08/L-149,

    20. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr. 08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave,

    21. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr. 05/L- 031 për procedurën e përgjithshme administrative, faza e dytë,

    22. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,

    23. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-304 për bankat,

    24. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-305 për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror,

    25. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

    26. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    27. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,

    28. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

    29. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

    30. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,

    31. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,

    32. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.

  • Në Parlamentin Evropian nis iniciativa për t’i pezulluar Hungarisë të drejtën e votës

    Në Parlamentin Evropian nis iniciativa për t’i pezulluar Hungarisë të drejtën e votës

    Në Parlamentin Evropian nisi një iniciativë për t’iu kërkuar organeve përgjegjëse të Bashkimit Evropian, që t’ia pezullojnë Hungarisë të drejtën e votës, për shkak të veprimeve të fundit të kryeministrit të këtij vendi, Viktor Orban.

    Riho Terras, përfaqësues në PE nga grupi më i madh politik, Partia Popullore Evropiane, u dërgoi një letër të gjithë deputetëve evropianë, duke kërkuar mbështetjen e tyre.

    Të njëjtën do t’ia dërgojë edhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

    “Presidenca hungareze sapo ka filluar dhe kryeministri Orban ka shkaktuar tashmë dëme të konsiderueshme, duke abuzuar me rolin e Presidencës së Këshillit. Në misionin e tij të ashtuquajtur paqeruajtës, ai qëllimisht ka krijuar përshtypjen se vepron në emër të të gjithë Bashkimit Evropian, ndërkohë që, në realitet, ai nuk ka asnjë autoritet ta përfaqësojë BE-në apo ndonjë shtet tjetër anëtar të BE-së, përveç të vetit”, thuhet në letrën që pa Radio Evropa e Lirë.

    Shkak për këtë letër u bënë vizitat e Orbanit në Ukrainë, Rusi dhe Kinë, në ditët e para të këtij muaji.

    Orban u takua edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë – veprim ky që u dënua nga të gjithë aktorët kryesorë të BE-së.

    Hungaria mori presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian nga 1 korriku.

    Sipas letrës së deputetëve evropianë, Orban po përpiqet t’i minojë vendimet ekzistuese të BE-së, procesin e vendimmarrjes dhe unitetin e BE-së për çështje të rëndësishme.

    “Kjo nuk mund të lejohet të vazhdojë. Duhen hapa vendimtarë për t’i kufizuar dëmet e mëtejshme”, thuhet në letër.

    Cila është fuqia e një letre nga Parlamenti Evropian?

    Procedurat dhe pezullimet e të drejtave të votës janë komplekse. Për to janë përgjegjëse shtetet anëtare.

    Neni 7 i Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, në të cilin thirret letra, e lejon mundësinë e pezullimit të së drejtës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian (siç është e drejta për të votuar në Këshillin e Bashkimit Evropian), nëse një vend shkel seriozisht dhe në mënyrë të vazhdueshme parimet mbi të cilat bazohet BE-ja.

    Elementet që do ta nxisnin zbatimin e këtij neni, përfshijnë: respektimin e dinjitetit njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e pjesëtarëve të pakicave.

    Për ta vënë në zbatim nenin 7, me propozimin e një të tretës së shteteve anëtare të BE-së, ose Parlamentit Evropian, ose Komisionit Evropian, Këshilli – duke vepruar me një shumicë prej katër të pestave të anëtarëve të tij, pas marrjes së pëlqimit nga Parlamenti – mund të përcaktojë se ekziston rrezik i qartë i shkeljes së rëndë të këtyre parimeve bazë nga shteti anëtar dhe t’i nxjerrë rekomandimet e duhura.

    Neni 354 i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian parashikon procedurat e votimit që duhet të ndiqen nga institucionet kryesore të BE-së, kur një shtet anëtar përballet me zbatimin e nenit 7.

    Vendi në fjalë nuk merr pjesë në votim. Ai nuk përfshihet në llogaritjen e një të tretës së vendeve që kërkohen për propozimin, ose në të katër të pestat që kërkohen për një shumicë.

    Për pëlqimin e Parlamentit kërkohet një shumicë prej dy të tretash.

    Përfaqësuesit evropianë kanë afat deri më 12 korrik për ta nënshkruar këtë letër, e cila më pas do t’u përcillet udhëheqësve të institucioneve evropiane. /REL