ATV

Blog

  • Krahasuar me shtimin natyror, Kosova ka rreth 356 mijë banorë më pak, nga viti 2011

    Krahasuar me shtimin natyror, Kosova ka rreth 356 mijë banorë më pak, nga viti 2011

    Të dhënat preliminare të regjistrimit të popullsisë, tregojnë se në Kosovë jetojnë 1 milion e 586 mijë e 659 banorë, apo rreth 153 mijë më pak sesa nëcensusin e vitit 2011. Atë vit numri i rezidentëve ishte 1 milion e 739 mijë e 825.

    Numri i banorëve rezulton të jetë më i vogël përkundër se shtimi natyror nga regjistrimi i fundit i popullsisë është rreth 203 mijë.

    Konsideruar këto të dhëna, për 13 vjet Kosova ka rreth 356 mijë qytetarë rezidentë më pak.

    Në prezantimin e rezultatit preliminar të regjistrimit të popullsisë, të dhënat tregojnë se popullsia e Kosovës është plakur. Derisa mosha mesatare e popullsisë ishte 29 vjet, tani ka arritur në mbi 34 vjet.

    Megjithatë, Kosova ende vazhdon ta ketë popullsinë me moshën më të re në Evropë.

    Kosovës, megjithatë, nuk i ndryshoi balanca gjinore,me 49,90 për qind e popullsisë femra dhe 50,10 për qind meshkuj. Të dhënat tregojnë edhe lëvizjet e banorëve nga fshatrat e thella drejt qyteteve.

    I shtyrë disa herë, regjistrimi i popullsisë kishte filluar në maj, ndërkaq publikimin e të dhënave e përshëndetikryeministri Albin Kurti.

     

    Edhe pse në komunat veriore procesi i regjistrimit të popullsisë u bojkotua, nga ASK-ja thanë se do të kenë një numër të përgjithshëm të banorëve edhe për komunat atje.

    Regjistrimi i popullsisë zgjati 7 javë, ndërkaq të dhënat përfundimtare pritet të publikohen në dhjetor./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/watch?v=KVcRCm67nok

  • Moti i nxehtë, Ministria e Shëndetësisë shkurton orarin e punës për disa punëtorë

    Moti i nxehtë, Ministria e Shëndetësisë shkurton orarin e punës për disa punëtorë

    Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që të kufizojë orarin e punës për disa punëtorë, përgjatë ditëve me temperatura të larta.

    Në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë merr vendim që të kufizohet orari i punës nga 13 korrik deri më 20 korrik për gratë shtatzëna e punëtorët me sëmundje kronike.

    Pastaj ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë dhe në ambiente të hapura nga ora 11 deri në orën 17:00 në të gjithë territorin e Kosovës.

    Tutje, në njoftim thuhet se varësisht prej temperaturave që mbizotërojnë gjatë muajit korrik dhe gusht 2024, ndërmerren masa të tjera.

  • Osmani takohet me Macronin në Uashington, temë diskutimi e ardhmja euroatlantike e Kosovës

    Osmani takohet me Macronin në Uashington, temë diskutimi e ardhmja euroatlantike e Kosovës

    Presidentja Vjosa Osmani ka qëndruar në Uashington këto ditë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s për përvjetorin e 75-të të Aleancës.

    Në këtë samit, Osmani ka zhvilluar një takim me homologun e saj francez, Emmanuel Macron.

    Ajo tha se temë diskutimi ka qenë e ardhmja euroatlantike e Kosovës, mes tjerash.

    “Diskutim përmbajtjesor me Presidentin Macron në Samitin e NATO-s në Washington D.C lidhur me të ardhmen euroatlantike të Kosovës, reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës”, shkroi Osmani në Facebook.

  • ​Oficerë të FSK-së diplomojnë në Shqipëri

    ​Oficerë të FSK-së diplomojnë në Shqipëri

    Në ambientet e amfiteatrit të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë në Shqipëri ka organizuar sot ceremoninë e diplomimit të kursantëve të Kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe Kursit të Lartë të Oficerit.

    Programet e kurseve ofrojnë dhënien e njohurive të nevojshme për planifikimin dhe drejtimin e operacioneve luftarake në një mjedis operacional kompleks që lidhet me sigurinë kombëtare, aftësimin për të marrë vendime të drejta dhe për të dhënë këshilla të sakta në rastet kur shqyrtohet përdorimi i forcës ushtarake.

    Në këtë ceremoni në Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm (KKSHP) kanë diplomuar katër oficerë nga FSK-ja si dhe në Kursin e Lartë të Oficerit (KLO) dy oficerë.

    Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës, po ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale në të gjitha nivelet e edukimit ushtarak, thuhet në postimin e FSK-së në Facebook.

  • Aksidentohet një person me trotinet elektrik në Fushë-Kosovë

    Aksidentohet një person me trotinet elektrik në Fushë-Kosovë

    Drejtuesi i një trotineti elektrik ka marrë lëndime trupore si pasojë e një aksidenti me një veturë, raporton atvlive.tv.

    Aksidenti ka ndodhur para pak minutash në afërsi të mbikalimit në Fushë-Kosovë.

    Siç shihet në pamjet e siguruara nga ATV-ja, autoambulanca dhe policia tashmë ndodhen në vendin e ngjarjes.

  • Punëtorët teknikë të Kuvendit paralajmërojnë grevë në shtator

    Punëtorët teknikë të Kuvendit paralajmërojnë grevë në shtator

    Punëtorët teknik të Kuvendit të Kosovës paralajmërojnë se do të hyjnë në grevë nga java e parë e muajit shtator.

    Kështu është bërë e ditur nga kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili ka theksuar se shkak i grevës janë pagat e ulëta.

    “Ju njoftojmë se sot në takim me udhëheqjen e shoqatës sindikale të punëtorëve teknik që kryejnë shërbime ne objektin e Kuvendit te Kosovës u mor vendim, se nga java e parë e shtatorit këta punëtor do të hidhen në grevë për shkak të pagave të tyre të ulëta. Deri te kjo datë u shty për shkak të pushimeve vjetore të punëtorëve, dhe nga fillimi i shtatorit punëtorët deklarohen se më nuk do të punojnë fare, deri në rritjen e pagës 450 euro”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Azemi.

    Ky njoftim i është dërguar edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, sekretarit të Kuvendit Arben Loshi, drejtorit të Administratës së Kuvendit, Emrush Haxhiu dhe kompanisë së kontraktuar për mirëmbajtjen e Kuvendit.

  • Muhamet Alidemaj dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte në Izbicë

    Muhamet Alidemaj dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte në Izbicë

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn dhe e ka dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë.

    Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi ndaj Alidemajt u shpall të premten nga gjykatësi, Vesel Ismaili, i cili tha se në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Po ashtu, të akuzuarit Alidemaj i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.

    Kurse, ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për veprën tjetër, pra për dëmtim të kufomave, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

    Ndërsa, aktakuza thotë se burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit. Pas dy muajve, thuhet se i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa, pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

    Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Aktakuzën e plotë mund të gjeni KËTU./BetimipërDrejtësi

  • Akuza e re nga Specialja: Bahtijari e Januzi deklarohen të pafajshëm

    Akuza e re nga Specialja: Bahtijari e Januzi deklarohen të pafajshëm

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë në përputhje me rregullën 90(3), Gjykatësja e Procedurës Paraprake, Marjorie Masselot mbajti seancë për paraqitjen e mëtejshme në procesin gjyqësor kundër Ismet Bahtijarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës.

    Në këtë seancë është paraqitur akuza e re kundër Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit, e cila akuzë i është shtuar aktakuzës së përbashkët kundër Ismet Bahtjarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës.

    Sipas akuzës së re, Bahtjari dhe Jonuzi, ata ngarkohen se përmes premtimit të një dhuratë ose formë tjetër përfitimi, përkatësisht duke ofruar ndihmë për dëshmitarin një (1), në qoftë se ai do të pajtohet për tërheqjen dëshmisë së tij.

    “Frikësim gjatë procedurës penale përmes premtimit të një dhuratë ose formë tjetër përfitimi, përkatësisht duke ofruar ndihmë për dëshmitarin një (1), në qoftë se ai do të pajtohet për tërheqjen e dëshmisë së tij në procedurat përpara Dhomave të Specializuara që është e dënueshme sipas parashikimit të nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019, dhe nenit 15, paragrafi 2 i Ligjit. Kjo vepër është kryer ndërmjet 5 dhe 12 prillit të vitit 2023”, thuhej në akuzën e re, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me këtë akuzë të re, të pafajshëm u deklaruan si Januzi, ashtu edhe Bahtijari, të cilët sot gjatë kësaj seancë u përfaqësuan nga avokatet, Hju Bouden (Jonuzi) dhe Felisiti Xherri (Bahtijari).

    Ndryshe, më 8 korrik, Gjykatësja e Procedurës Paraprake në çështjen Januzi, Bahtijari dhe Haxhi Shala konfirmoi ndryshimet në aktakuzën e përbashkët dhe urdhëroi ZPS-në të dorëzonte versionin e fundit të kësaj aktakuze deri më 10 korrik. Meqenëse pretendimet e reja faktike të akuzës së re kundër Januzit dhe Bahtijari ishin pjesë e aktakuzës fillestare kundër Haxhi Shalës, këtij të fundit nuk iu kërkua të ishte i pranishëm në seancë.

    Në fund të kësaj seance, avokati i Sabit Januzit, Hju Bouden tha se do të dorëzojnë mocion paraprak lidhur me këtë akuzë të re, ndërsa avokatja e Ismet Bahtijarit, Felisiti Xherri, lidhur me dorëzimin e mocionit paraprak, lidhur me këtë akuzë të re tha se nuk kanë vendosur ende dhe po presin të shohin parashtrimet e Sabit Januzit, për të vendosur.

  • Sllovenia do të dyfishojë numrin e ushtarëve në Kosovë gjatë vitit 2025

    Sllovenia do të dyfishojë numrin e ushtarëve në Kosovë gjatë vitit 2025

    Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka thënë se shteti i tij do të dyfishojë prezencën ushtarake në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s përgjatë vitit 2025, shkruan agjencia sllovene e lajmeve.

    Ai ka thënë se prezenca ushtarake e NATO-s në Ballkanin Perëndimor është rritur me nismë të presidentit amerikan, Joe Biden, duke qenë se ai e njeh rajonin mjaftë mirë.

    Liderët e shteteve të NATO-s kanë qëndruar në Washington ku edhe është mbajtur Samiti i NATO-s me fokus Ukrainën. Në kuadër të disa organizimeve të Samitit e ftuar ka qenë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Presidentja Osmani me ftesë të Biden ka përfaqësuar Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s në Washington D.C.

  • Raportohet për 32 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Raportohet për 32 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Sulmet izraelite kanë vrarë edhe 32 persona në Rripin e Gazës, tha Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Luftime janë raportuar nga veriu deri në jug të territorit, teksa bisedimet po vazhdojnë për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirim të pengjeve.

    Përmes një deklarate, Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha më 12 korrik se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

    Po ashtu, mediat e Hamasit kanë raportuar për “më shumë se 70 sulme ajrore” në disa pjesë të Rripit të Gazës, përfshirë në Qytetin e Gazës në veri, në kampin e refugjatëve Nusirat në pjesën qendrore të territorit, dhe në Han Junis dhe Rafah në jug.

    Ushtria izraelite tha të premten se trupat po vazhdojnë operacionet në Rafah, afër kufirit me Egjiptit.

    “Gjatë ditës së fundit, trupat kanë eliminuar një numër terroristësh gjatë luftimeve dhe sulmeve ajrore dhe kanë shkatërruar infrastrukturën e terroristëve në rajon”, u tha në deklaratën e ushtrisë.

    Lufta në Gazë nisi pas sulmit të paprecedent të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 37.000 persona./REL/